Në rubrikën e re “zgjidh një shkrim nga revista defekt-teknik dhe eja të flasim për të”, poetja Mariklena Niço zgjodhi tregimin tim “Sikur qentë të mund të deheshin, zonjë!” Por do të ishte e pavend që pyetjet për tregimin tim t’i ndërtoja unë. Kështu që në këtë rast pyetjet i ndërtoi ajo dhe unë isha thjesht “e pyetura”.
Tregimi i lexuar nga Arlinda Guma:
Mariklena Niço
Arlinda Guma
Mariklena Niço: Një burrë, një qen, një grua, një i vdekur dhe një varrmihës që ngutet – asgjë për t’u shënuar.
Gjendje njerëzore, mund të bëhet e secilit prej nesh, ndonjëherë rrethanat ndërrojnë sa hap e mbyll sytë.
Vetmia dhe vdekja sikur bëhen të barazvlefshme. Ata që përjetojnë këtë lloj vetmie shkretuese presin edhe të njëjtën vdekje; s’dihet ç’u dhemb më shumë, vetmia në jetë a vetmia në vdekje.
Arlinda Guma: Këtë tregim e kam shkruar pesëmbëdhjetë vite më parë. Në vitin 2009. Në atë kohë Shqipëria mund të quhej ende një vend me ngrohtësi njerëzore. Pra, vetmia si koncept, shqiptarëve mund t’u dukej diçka e largët, diçka që mund të kaplonte dikë tjetër, ndoshta në ndonjë vend të huaj “të zombizuar”.
Dhe unë isha në kulmin optimizmit, kisha nisur të shkruaja “Bulevardin e Yjeve” (mendoja se po ndërtoja një libër “të fortë”) dhe paralelisht me të shkruaja tregime dhe poezi, të cilat i hidhja në blogun tim “flokënaja”, një ndër blogjet e parë shqiptarë me një trafik mjaft të dendur lexuesish dhe plagjiatorësh asokohe.
Pra, i kisha të gjitha kushtet për të mos zgjedhur një temë të tillë (optimizmin, ngrohtësinë njerëzore, besimin se po shkruaja një libër “të hatashëm” – tani më vjen të qesh me këtë të fundit… e ç’mund të kërkoja tjetër?)
Por… ja që zgjodha një temë të tillë… Nënvetëdija e shkrimtarit vepron në mënyrë mistike…
Dhe, ja ku jemi, tani, Shqipëria u globalizua me ritme frenetike (më saktë u shkretua) dhe tregimi im sot tingëllon më aktual se kurrë.
Nuk di si më erdhi ky tregim. Mund të them vetëm që më rrodhi pa asnjë ndërprerje. Ndoshta sepse dialogjet janë pika ime më e fortë, por sigurisht edhe sarkazma, ironia, humori i zi. Të gjithë këta elementë u bënë bashkë për të rrëfyer atë çfarë parashikonte nënvetëdija ime për të ardhmen.
Personazhi, një burrë në gjendje të rënduar emocionale, i telefonon numrit të gabuar… në të vërtetë ai numër rezulton të jetë i duhuri, por atij i duhet pak kohë ta kuptojë këtë. Nga ana tjetër e receptorit është dikush që di të dëgjojë. Dhe… sigurisht një qen. Një qen i cili edhe ai di të dëgjojë. Dëgjon me mirënjohje dhe përulësi eulogjinë e shkruar për të zotin e tij… Dhe për të plotësuar tablonë; një varrmihës (këtu kamera e shkrimtarit largohet – do të shkruhej nëse ky do të ishte një skenar filmi), një varrmihës i cili ngjarjen e sheh thjesht në konceptin teknik; ka një varrim tjetër dhe nxiton…
Një kontrast i fortë ngre krye në këtë pjesë, i qëllimtë nga ana ime, midis vajtimit të qenit dhe cinizmit të varrmihësit që fryn tullumbacen e çëmçakëzit me shpërfillje. Sarkazma këtu ulëret. Për t’i gërvishtur ndjeshmërinë lexuesit.
Mariklena Niço: Duket se në tregim është më e rëndësishme ajo për të cilën nuk flitet, personazhet përballen vetëm me pasojat e asaj që mungon, të paktën duket që nuk i kanë humbur të gjitha aftësitë. Burri ka një ndjeshmëri të veçantë; vetmia s’ia ka zbehur shqisat, ai arrin të nuhasë aromën e zërit të gruas përmes telefonit. Gruaja ka ende empati.
Arlinda Guma: Në shumicën e tregimeve por edhe në fabulat e romaneve të mi ngjarja ka mbaruar, pra, është kryer. Fqinji ka vdekur dhe personazhet përballen me pasojat e saj. Personazhi im nuk është i tmerruar nga vetmia e tij, ajo ndoshta mund t’i ketë pëlqyer deri në çastin kur e gjen fqinjin të vdekur. Pikërisht këtu fillon alarmi i tij. Ai sheh me sytë e tij se ku mund të të çojë ajo vetmia deri atëherë e pëlqyeshme… Kjo e bën atë papritmas të thyeshëm, të cenueshëm, tejet emocional për t’ia derdhur të gjithë atë alarm ekzistencial të parit njeri me të cilin flet. Dhe qëllon që ky njeri të jetë një grua me zë gjithë aroma… (Letërsia hepohet sa te këmbët e mbështetura në tokë – sa te koka e mbështetur në qiell…)
Mariklena Niço: Çfarë i bën personazhet të humbin emrat, Arlindë? Ç’gjëra njerëzore humbin bashkë me emrat?
Arlinda Guma: Nuk e kam konsideruar të rëndësishëm emërtimin e personazheve. Dendësia emocionale e tregimit është aq rrëmbyese saqë nuk lë vend për shpëqendrime dytësore.
Sigurisht, ato që kanë humbur në ditët e sotme janë empatia, solidariteti. Shpirtrat janë bërë kallkan. Sa më e rehatshme është bërë jeta e njeriut në kohërat moderne të teknologjisë së lartë, aq edhe më i parehat bëhet ky njeri shpirtërisht.
Mariklena Niço: Ironia e situatave është e kudogjendur në tregim, ç’mund të bëjë njeriu përballë ironisë së jetës?
Arlinda Guma: Ironia është arma ime e vetme ndaj gjërave që nuk shkojnë në këtë botë. Më është e natyrshme. Jam në habitatin tim. Ajo është revolta ime.
Më ftuan dikur në një protestë. Dhe ndaja të njëjtin qëndrim me protestuesit. – Por edhe nëse do të vij, – i thashë ftuesit e mëdyshur, – unë nuk di të gjuaj me gur! (Sepse nëpër protesta ka edhe veprime të tilla. Sepse qeveritë e papërgjegjshme ndonjëherë duhen gjuajtur edhe me gurë që të vijnë në vete.) Ky vetëkonstatim i papritur që unë nuk dija të gjuaja me gur më alarmoi paksa dhe më bëri të ndihesha edhe në faj. Sepse kauza ishte e drejtë… Po njerëzit luftojnë me ç’të mundin në këtë botë! Ja, unë luftoj me ironi… Ç’të bëj që më duket më efikase se guri?
Ç’mund të bëjë njeriu përballë ironisë së hidhur të jetës? Hëm… po edhe mund përgjigjet me auto-ironi… Edhe pse në pamje të parë ky mund të duket një lloj vetëdorëzimi i sofistikuar…
Ose mund të vazhdojë të gjuajë me gur. Të dyja janë të barazvlefshme. (Në një prej romaneve të mi kam një personazh i cili do t’i gjuajë me gur hënës.)
Mariklena Niço: Televizioni në dhomën e të vdekurit shfaq të reja nga bota e VIP-ave; a mendon që duhet të “rishpiken” disa gjëra që në shpikjen e parë u dukën magjike: televizioni, platformat e tjera informuese, mbase edhe kinemaja?
Arlinda Guma: Televizori i ndezur që jep të reja nga bota e Vipave me të vdekurin në kolltuk përballë tij është edhe ky një kontrast i qëllimtë në tregim që evidenton cektësinë dhe egocentrizmin e shoqërisë moderne, e cila e thellon më shumë vetminë e individit. Nëse televizioni apo media të tjera do të kishin si qëllim parësor edukimin dhe jo fitimin makut, ndoshta do të kish më pak njerëz që do të vdisnin vetëm në këtë botë. Por ato nxitin vanitetin, individualizmin, egoizmin, kotësinë. A duhet të rishpiken? Hëm. Ndjesë për pesimizmin por tashmë është tepër vonë. Dëmi është kryer. Ai është kolosal.
Mariklena Niço: Qeni shikonte me sy që lëngëzonin mirënjohje, kurse varrmihësi ishte i bezdisur. Mirënjohja, sipas Ciceronit është virtyti më i lartë por edhe prindi i gjithë virtyteve të tjerë. A beson se virtytet nuk i takojnë vetëm botës njerëzore por janë dëshmi e një rendi më të lartë, të një bote që s’na e kap syri, së cilës veç njerëzit i ikin herë pas here, qeniet e tjera jo?
Arlinda Guma: Po sigurisht. Qeni për mua është kafsha më fisnike. Ndoshta edhe njeriu dikur mund të ketë qenë i tillë. Dua të them, ndoshta virtyti i tij mund t’ i ketë përkitur atij rendit të lartë. Dhe ndoshta evolucioni ia tkurri zemrën.
Mariklena Niço: Të folurit e paktë, a lidhet edhe me të përjetuarit e paktë apo është e anasjellta?
Arlinda Guma: Kam përshtypjen se është e kundërta.
Mariklena Niço: Duket se vetmia nuk i ka zbehur shqisat, përjetimin e personazhit, përkundrazi, ai arrin ta nuhasë aromën e zërit të gruas. Aroma e zërit – përballë pamjeve të ftohta të modeleve që ai fotografon çdo ditë. A i ka stërholluar shijet e së bukurës njeriu i sotëm apo vetëm e ndjekin ngado modelet e një “bukurie” hundë e buzë?
Arlinda Guma: Përballë një gruaje që di të dëgjojë dikë aq të thyer emocionalisht, kanonet e së bukurës bëhen subjektive. Ne nuk e dimë nëse kjo grua nga ana tjetër e receptorit është e bukur apo e shëmtuar. Unë nuk i përshkruaj fare nga ana fizike personazhet e mi. Por gratë që dinë të dëgjojnë (edhe atëherë kur nuk kanë fytyrë por vetëm zë) janë të jashtëzakonshme. Këtë e ka kuptuar aq papritmas personazhi im. Është ky si një lloj zgjimi i vrullshëm ndaj jetës që ai ka bërë deri atëherë. Ndaj njerëzve sipërfaqësorë që e kanë rrethuar. Çastet më të vështira në jetë na japin edhe ndërgjegjësimet më të mëdha për shoqërinë ku bëjmë pjesë. Për hiçin e zhurmshëm e të gënjeshtërt që ndonjëherë jetojmë.
Mariklena Niço: Tek – tuk kam patur edhe ndonjë grua. Natyrisht, asnjëherë nuk kam patur një grua si ju, me një grua si ju, patjetër që do të kisha patur një lidhje të gjatë… Por e vetmja gjë që dimë për këtë grua është durimi apo aftësia për të dëgjuar me vëmendje.
Arlinda Guma: Kaq mjafton, mendoj unë. Tregimi është minimalist edhe pse mjaft i ngjeshur në emocione. Unë jam e kursyer në detaje. Më shumë nga ato do ta prishnin përkorësinë e tregimit dhe pezulltinë e vazhdueshme që e mban lidhur lexuesin.
Mariklena Niço: Sa e dëgjojnë njerëzit njëri – tjetrin? Diku thuhet: njerëzit dëgjojnë aq sa mund të kuptojnë.
Arlinda Guma: Në kohët moderne njerëzit nuk e dëgjojnë njëri-tjetrin, edhe atëherë kur duket se e dëgjojnë, thjesht janë duke pritur radhën për të thënë diçka egoiste që nuk ka lidhje me hallin që po rrëfen personi tjetër. Individualizmi është tipari më i shëmtuar i kapitalizmit.
Mariklena Niço: A mos kemi filluar të besojmë se një i panjohur na dëgjon më mirë?
Arlinda Guma: Kur i rrëfen diçka një të panjohuri, je i zhveshur nga mendimi se ai mund të të paragjykojë. Dhe kështu je më i vërtetë, po aq saç është edhe ky i panjohur me ty. Për të njëjtën arsye.
Mariklena Niço: Nuk e dija nëse më nevojitej një qen apo një grua… Ditëve të sotme ka ndryshuar edhe mënyra si dhe përse mbahen kafshët shtëpiake, janë shtuar shërbimet mjekësore ndaj tyre, madje shpesh janë edhe më të shtrenjta se shërbimet spitalore për njerëzit. A ka ndodhur vërtet ky zvendësim për të cilin ti shkruan në tregim?
Arlinda Guma: Ky personazh, në alarm ekzistencial, me një shpejtësi të skëterrshme kërkon të mbushë vetminë me diçka: pak rëndësi ka nëse kjo diçkaja është qen, grua apo robot. Është i tmerruar se mos edhe ai vdes i vetëm si fqinji i tij. Kështu që do t’ia hapë dyert tej për tej çdokujt që bujt rastësisht në jetën e tij ato çaste. Është një emotivitet dërrmues. Që mua si lexuese (jo so autore) më çarmatos.
Mënyra kaotike sesi ai përpiqet t’i mbushë mendjen gruas nga ana tjetër e receptorit se nuk po i vardiset është sa fëminore aq edhe e bukur. Po kështu mënyra prekëse sesi rrëfen për shkurtimin e disa paragrafeve të eulogjisë për shkak të ngutit cinik të varrmihësit dhe mënyra sesi betohet se fisnikëria e fqinjit të vdekur kishte dalë që në paragrafët e parë, ata paragrafë që i miratoi edhe qeni… Më vret sinqeriteti i personazhit te kjo pjesë sa herë e rilexoj… Më vret dorëzimi i tij… Më vret mposhtja e humanes nga çnjerëzorja… Kanë kaluar kohë dhe nuk e mbaj mend mirë se ç’ndieja në çastin kur i shkruaja këta rreshta. Mbaj mend vetëm që më kishin rrëmbyer me vete si një vorbull furtune që shfaqet papritmas dhe gishtat nuk ndalnin së rrahuri tastierën.
A ka ndodhur vërtet ky zëvendësim në kohët e sotme moderne? Ka mundësi që po. Qeni ndoshta është më pak impenjativ. Pastaj ai të jep dashuri pa kushte, është gjithmonë aty, ndërsa në marrëdhëniet sentimentale të kohëve moderne një grua mund të mos jetë gjithmonë aty nëse ti nuk i kushton vëmendje…
Mariklena Niço: Zhurma të mekura, tik – taku i sahatit në mur, frymëmarrja e thellë, ulja e receptorit – dhe “perdja bie” pa përgjigje.
Arlinda Guma: Kështu janë mbylljet e tregimeve të mia. Me “papërgjigjet” e mia. unë gjithmonë e bëj lexuesin pjesë të tyre. Sepse ai pas leximit të tregimit fillon të mendojë. Fillon të ngrejë pyetje. Jetojmë në kohëra të errëta. Është mund i madh ta bësh dikë të mendojë sot. Inteligjenca Artificiale ka filluar të mendojë për ne.
Mariklena Niço: Ç’bën me zbrazëtinë njeriu, a mund të tejkalohet?
Arlinda Guma: Njeriu mund të bëjë vepra mjaft të mira me zbrazëtinë, për shembull, një shkrimtar mund të shkruajë një roman të tërë, një grua artizane mund të endë një qilim… I ke parë ato rombet elegante të qilimave shqiptarë? Mendo sa psherëtima dhe duhma mund të kenë ato brenda çdo fijëze…
Mariklena Niço: Sikur qentë të mund të deheshin, Arlindë. Për të duruar çfarë?
Arlinda Guma: Për të duruar gjithë mizoritë e kësaj bote, e cila po luan në skenë pa regjisor. (Kam përshtypjen se regjisori ia ka mbathur diku për të bërë ndonjë dorë “brixh”.) Ai është lodhur me publikun që lodhet të mendojë…
Mariklena Niço: Të falenderoj shumë për mundësinë e një bisede si kjo, të uroj suksese në krijimtari dhe në punën me defekt – teknik.
Arlinda Guma: Të falënderoj edhe unë që zgjodhe tregimin tim dhe që më dhe mundësinë të them disa gjëra në lidhje me procesin e shkrimit të tij.
Tregimin e gjeni këtu:
Sikur qentë të mund të deheshin, zonjë!-Arlinda Guma