Author

Admin - page 31

Admin has 1899 articles published.

OMBRELLA E RRUGËS PICCADILLY-Jaroslav Seifert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

OMBRELLA E RRUGËS PICCADILLY-Jaroslav Seifert

Nëse të ka ardhur në majë të hundës me dashurinë,
provo të biesh prapë në dashuri
me, le të themi, Mbretëreshën e Anglisë.
Pse jo!
Fytyra e saj është në çdo pullë postare
të mbretërisë së vjetër.
Por nëse do t’i kërkosh
një takim në Hyde Park
mund të vësh bast
se do presësh më kot.

Nëse ke pak arsye
do thuash urtësisht me vete:
Sigurisht, e di,
që sot bie shi në Hyde Park.

Kur u kthye nga Anglia
im bir më bleu në rrugën Piccadilly
një ombrellë elegante.
Sa herë që është e nevojshme
kam mbi krye
një qiell të vockël krejt për vete
që, sigurisht, është krejt i zi,
por në telat e tendosur
mund të qarkullojë edhe Mëshira e Zotit
edhe elektriciteti.

Nganjëherë e hap ombrellën edhe kur s’bie shi,
si një strehë
mbi Sonetet e Shekspirit
që i mbaj në xhep.

Por ka çaste kur më tremb
buqeta e ndriçuar e qiellit.
Epërsia e bukurisë së tij
na kanos me pafundësinë
që i ngjan aq shumë
gjumit të vdekjes.
Na kanos me zbrazëtinë dhe ngricën
e mijëra yjeve
që natën na mashtrojnë
me lojën e tyre të dritave.

Ai që kanë quajtur Venus
është nga gjërat më të lemerishme.
Shkëmbinjtë atje vlojnë
dhe si valë vigane
ngrihen malet
e shinon squfur i përvëluar.

Ne pyesim gjithmonë ku ndodhet ferri.
Është pikërisht atje!

Po ç’mund të bëjë një ombrellë e brishtë
kundër krejt Universit?

Zaten, as nuk e mbaj fare.
I kam duart shumë të zëna
kur më duhet të eci,
i lidhur pas tokës
si një flutur nate
që gjatë ditës fle
mbi lëvoren e ashpër të një peme.

Gjithë jetën e kam kërkuar Parajsën
që dikur ishte këtu,
por gjurmët e saj i kam gjetur
vetëm në buzët e gruas
dhe në kurbat e lëkurës së saj
të njomësht nga dashuria.

Gjithë jetën dëshirova lirinë.
Më në fund zbulova portën
që të shpie tek ajo.
Është vdekja!

Tashmë që jam plakur
më shfaqet ndonjëherë mes qerpikëve
një fytyrë e ëmbël gruaje
që ma trazon gjakun me buzëqeshje.

I ndrojtur kthej kryet
dhe kujtohem për Mbretëreshën e Anglisë,
që fytyrën e ka në çdo pullë postare
të mbretërisë së vjetër.
Zoti e ruajt Mbretëreshën!

Por, sigurisht, e di shumë mirë,
që sot bie shi në Hyde Park.

Përktheu: Alket Çani

Harta-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Harta-Wislawa Szymborska

E sheshtë si tavolina
ajo është vendosur mbi të.
Asgjë nuk lëviz poshtë saj
dhe nuk kërkon rrugëdalje.
Mbi të — fryma ime njerëzore
nuk fërgëllon ajër
dhe e lë sipërfaqen e saj të gjithën të patrazuar.

Fushat e saj, luginat, janë gjithmonë të gjelbra,
kreshtat, malet janë të verdhë dhe kafe, ndërsa detet, oqeanet, mbesin në një blu miqësore pranë brigjeve të copëtuara.

Gjithçka këtu është e vogël, e afërt, e arritshme.
Unë mund t’i shtyp vullkanet me majën e gishtit,
t’i godas polet pa vënë dorashka të trasha, Mundem me një shikim të vetëm
të përfshij çdo shkretëtirë
bashkë me lumin që shtrihet pranë tyre.

Disa pemë përaqiten si pyje të lashtë,
ti nuk mund ta humbësh rrugën midis tyre.

Në lindje dhe në perëndim,
mbi dhe nën ekuator –
një heshtje varri,
dhe në çdo pikë të zezë
njerëzit vazhdojnë të jetojnë.
Varret masive dhe rrënojat e vrullshme
janë jashtë tablosë.
Kufijtë e kombeve mezi duken
sikur të luhateshin – sikur të jenë apo të mos jenë.

Më pëlqejnë hartat, sepse ato gënjejnë. Sepse ato nuk i japin akses të vërtetës vicioze.
Sepse me guxim, sepse me dashamirësi
ato shpërhapin përpara meje një botë
jo të kësaj bote.

Përktheu: Arlinda Guma

IDEOGRAMA KINEZE-Ezra Pound

in Uncategorized by

Ezra Pound

Nga libri “ABC of Reading”. Parathënie për esenë “The Chinese Written Character as a Medium for Poetry” nga Prof. Ernest Fenollosa, e botuar postume nga Ezra Pound.)

Eseja e Fenollosa-s ishte ndoshta tepër e përparuar në kohë për t’u kuptuar lehtësisht. Ai nuk pretendonte që metoda e vet të ishte me të vërtetë një metodë. Ai përpiqej të shpjegonte ideografinë kineze si një mjet transmisioni dhe regjistrimi të mendimit. Mbërriti deri në rrënjë të çështjes, në rrënjë të ndryshimit midis asaj çka është e vlefshme në mendimin kinez dhe asaj çka nuk është e vlefshme apo asaj çka është e gabuar në një pjesë të madhe të mendimit europian dhe gjuhës europiane.

Përmbledhja më e thjeshtë që mund të bëj lidhur me këtë, është si vijon:

Në Europë, nëse i kërkon dikujt të përkufizojë diçka, përkufizimi i tij u largohet gjithmonë gjërave të thjeshta që ai i njeh shumë mirë, zhytet pastaj në një zonë të panjohur, një zonë abstraksioni që largohet gjithnjë e më shumë.

Kështu, nëse e pyet se ç’është e kuqja, ai të përgjigjet se është një “ngjyrë”.

Nëse e pyet se ç’është një ngjyrë, ai të përgjigjet se është një dridhje, ose një përthyerje drite, ose një përndarje e spektrit.

Dhe nëse e pyet se ç’është dridhja, ai të përgjigjet se është një lloj energjie, ose diçka e këtillë, gjersa të mbërrish te një modalitet i të qenit ose të mos qenit. Sidoqoftë, ti humbet fillin, ose është ai që humbet fillin.

Në Mesjetë, kur nuk kishte shkencë materiale, ashtu siç e kuptojmë ne tani, kur dituria njerëzore nuk mund të prodhonte automobilë, apo elektricitet për të përcjellë gjuhën përmes ajrit, etj., shkurt, kur studimi i terminologjisë nënkuptonte ca më tepër se kërkimi i gjilpërës në kashtë, i kushtohej një kujdes i madh terminologjisë. Dhe, përgjithësisht, saktësia në përdorimin e termave abstraktë duhet të ketë qenë (ka gjasë të ketë qenë) më e madhe.

Dua të them se një teolog mesjetar bënte shumë kujdes të mos e përkufizonte një qen në terma që do përdoreshin edhe për përkufizimin e një dhëmbi qeni apo për lëkurën e qenit, apo për llapashitjen e qenit kur pi ujë; gjithë mësuesit tuaj do t’ju thonë se shkenca bëri një hap të madh përpara ditën kur Bacon-i sugjeroi vëzhgimin e drejtpërdrejtë të fenomeneve dhe ditën kur Galileu dhe të tjerë reshtën së diskutuari së tepërmi për gjërat dhe zunë vërtet t’i vështrojnë ato e të shpikin mjete (si teleskopi) për t’i parë më mirë.

Pinjolli më i dobishëm i anëtarëve të gjallë të familjes Huxley ka theksuar faktin se teleskopi nuk ishte vetëm një zbulim, por një arritje teknike absolute.

Në të kundërt të metodës së abstraksionit, apo të përkufizimit të gjërave në terma gjithnjë e më të përgjithshëm, Fenollosa theksoi metodën shkencore, “që është metoda e poezisë”, si metodë e veçuar qartazi nga ajo e “diskursit filozofik”. Është mënyra e zgjedhur nga kinezët në ideografinë e tyre, ose shkrimin pikturor të përmbledhur.

Që të kthehemi tani në zanafillë të historisë, ju sigurisht e dini se ka një gjuhë të folur e një gjuhë të shkruar, dhe se ka dy lloj gjuhe të shkruar, njëra e bazuar te tingulli dhe tjetra te pamja.

Një kafshe s’mund t’i flisni ndryshe përveçse me disa zhurma e disa gjeste të thjeshta. Në parashtresën që Levi-Bruhl u bën gjuhëve primitive të Afrikës, përmend gjuhë të tilla që kufizohen ende te mimika dhe gjesti.

Egjiptianët përdornin vizatime për të përfaqësuar tingujt, por kinezët ende përdorin vizatime të përmbledhura SI vizatime, domethënë se ideograma kineze nuk përpiqet të jetë vizatimi i një tingulli, as një shenjë e shkruar që të kujton një tingull, por është vizatimi i një gjëje; i një gjëje në një pozicion apo marrëdhënie të caktuar, apo i një kombinimi gjërash. Ajo nënkupton sendin, ose aksionin, ose situatën, ose një cilësi që lidhet me ato gjëra që paraqet.

Gaudier Brzeska, që kishte zakonin të vështronte formën reale të gjërave, ishte i aftë të lexonte një numër të caktuar të shkronjave kineze, pa e studiuar kurrë gjuhën kineze. Ai thoshte: “Sigurisht, duket qartë që ky është një kalë”, (ose një pupël, ose gjithfarë gjëje tjetër).

Në tabela që paraqesin shkronjat primitive kineze në një kolonë dhe shenjat e sotme konvencionale në tjetrën, gjithkush mund të shohë se si ideograma që tregon njeriun apo pemën apo lindjen e diellit është përpunuar, apo “është thjeshtuar duke u nisur nga”, apo është reduktuar te thelbi i vizatimeve të para të njeriut, të pemës, apo të lindjes së diellit.

Kështu:

人 njeri
太 pemë
阳 diell
東 diell i kapur mes degëve të një peme, si në lindjen e tij. Çka shenjon Orientin.

Po kur kinezi donte të vizatonte diçka më të ndërlikuar, ose një ide të përgjithshme, në ç’mënyrë e bënte?

Ta zëmë se do të përkufizojë të kuqen. Si mund ta bëjë këtë me një vizatim që nuk është bojatisur me të kuqe?

Ai bashkon (ose, më mirë, paraardhësi i tij ka bashkuar) vizatimet e përmbledhura të:

TRËNDAFILIT QERSHISË

NDRYSHKUT FLAMINGOS

Kjo është njëlloj siç bën biologu (por në një mënyrë shumë më të ndërlikuar) kur bashkon disa qindra apo disa mijëra diseksione për të veçuar vetëm atë që është i domosdoshëm për parashtresën e tij të përgjithshme. Diçka që i përshtatet rastit, që zbatohet në të gjitha rastet.

“Fjala” ose ideograma kineze për të kuqen është e bazuar mbi diçka që gjithkush E NJEH.

(Nëse ideograma do qe zhvilluar në Angli, shkrimtarët me siguri do kishin zëvendësuar flamingon tejet ekzotike me një gushëkuq.)

Fenollosa shpjegonte se si dhe përse një gjuhë e shkruar në këtë mënyrë s’ka rrugë tjetër veçse TË MBETET POETIKE; thjesht, ajo nuk mund të mos jetë dhe as të mos mbetet poetike në po atë mënyrë që një faqe me shkronja angleze ka fort të ngjarë të mos mbetet poetike.

Ai vdiq përpara se të botonte dhe shpallte një “metodë”.

Kjo është, megjithatë, e VETMJA METODË e studimit të poezisë, letërsisë, apo pikturës. Kjo është, në fakt, mënyra me të cilën elita e publikut STUDION pikturën. Nëse doni ta njihni sa më mirë pikturën, shkoni në Galerinë Kombëtare, apo në Sallonin Carré, apo në Brera, apo në Prado, dhe SHIKONI pikturat.

Për një njeri që lexon një libër arti, ka – lavdi Zotit! – 1000 njerëz që shkojnë të SHOHIN tablotë.

Përktheu: Alket Çani

KAQ SHUMË GJËRA-Guy Goffette

in Letërsi/Tharm by

KAQ SHUMË GJËRA-Guy Goffette

(18 prill 1947 – 28 mars 2024)

Gjithë dimrit ke lënë mes barit e baltës
të vuajë të bukurën çadër të kuqe
dhe t’i ndryshken telat, ke lënë murrlanin
të rrahë shtëpinë e zogjve

pa i liruar dhëmbët, ke lënë shkretë
ngastrat me trëndafila dhe mollën
që e bën tokën të rrumbullt. Nga skamja
a nga shkujdesja ke lënë

kaq shumë gjëra të vdesin rreth teje
saqë për të çlodhur sytë të ka mbetur
vetëm një rrymë ajri në shtëpinë tënde
– dhe habitesh akoma, habitesh

që ftohma të mbërthen mu në zemër të verës.

Përktheu: Alket Çani

“Gratë flasin”/Meli Ajazi

in Letërsi by

Meli Ajazi

“Women Talking”- “Gratë flasin”, është romani i shkrimtares kanadeze Miriam Toews, i adoptuar në filmin me të njëjtin titull në vitin 2022.

Toews e përshkruan romanin e saj si “një përgjigje të imagjinuar ndaj ngjarjeve reale”,, përdhunimeve që ndodhën në koloninë Manitoba, komunitete Mennonite (komunitet gjermanësh emigrantë të cilët akoma kanë stilin e jetës së shek 16-17) , të vendosura në zonat e largëta dhe të izoluara të Bolivisë.

Përgjatë viteve 2005 – 2009, mbi 100 gra dhe vajza të kolonisë, kur zgjoheshin nga gjumi në mëngjes, zbulonin se ishin përdhunuar në gjumë. Këto sulme të natës u mohuan dhe u hodhën poshtë nga burrat e vjetër të kolonive, duke u justifikuar me punët e djallit. Po njëra nga gratë vendosi ta zbulonte këtë mister. Ajo e detyroi veten të qëndronte zgjuar natë pas nate, dhe më në fund, një natë arriti të kapte një adoleshent, i cili me një dorë po hapte dritaren e dhomës së saj, ndërsa në tjetrën kishte një enë me spray belladonna (anestezik). Gruaja dhe vajza e saj e madhe, u përleshën me djaloshin, e mposhtën, e shtrinë në tokë dhe e lidhën me litar. Djali tregoi edhe të tjerët dhe kështu komuniteti zbuloi se një grup burrash, 8 anëtarë të kolonisë, pasi spërkatnin me anestezi kafshësh shtëpitë e viktimave gra, duke i bërë ato të pandjenjeshme, sikur të ishin nën narkozë, i përdhunonin. Kuptohet që gratë dhe vajzat mbeteshin shtatëzënë, sëmureshin nga sëmundje veneriane dhe kishin trauma fizike.

Në vitin 2011, këta 8 burra u dënuan nga një gjykatë boliviane, me burgim të gjatë.

Romani i Toews-it përqendrohet në mbledhjet sekrete të 8 grave menonite, të cilat, në emër të grave të tjera të kolonisë, duhet të vendosin sesi të reagojnë ndaj këtyre ngjarjeve traumatike.
Ato kanë vetëm 48 orë, para se të kthehen burrat e kolonisë, të cilët janë larguar për të paguar garancinë për përdhunuesit në polici ….

Pjesë nga romani.

“… Salome vazhdon të bërtasë, se ajo do të shkatërrojë çdo gjallesë që do t’i bëjë keq fëmijës së saj, se do ta shqyejë gjymtyrë pas gjymtyre, se do t’ia përdhosë trupin dhe do ta varrosë të gjallë. Do ta sfidojë Zotin që ta lërë të vdekur në vend nëse ajo ka mëkatuar duke mbrojtur fëmijën e saj prej dreqit. Për më shumë, prej asgjesimit të dreqit nuk do dëmtohen të tjerë. Ajo do gënjejë, do persekutojë, do vrasë, do kërcejë mbi varre dhe do të digjet përgjithmonë në ferr, përpara se të lejojë një burrë tjetër që të kënaqë dëshirat e tij të perverse me trupin e fëmijës së saj 3-vjeçar.

– Jo – thotë butësisht Agata, pa kërcime, pa përdhosje….

Salomeja i anashkalon fare të gjitha pyetjet.
– ‘Po të qëndroj do të bëhem vrasëse,- i thotë ajo nënës së saj.
E kuptoj se çfarë do të thotë, nëse ajo vazhdon qëndron në koloni dhe është këtu kur burrat e kapur, nëse ata lirohen me kusht, kthehen në shtëpi nga qyteti.

– Çfarë ka më keq se kaq?’ Marika pyet Agatën. Agata pohon me kokë. Vazhdon të tundë kokën, shtrëngon buzët, hap e mbyll sytë dhe tund kokën, me pëllëmbët e vendosura me kurriz mbi tavolinë dhe gishtat drejt vertikalisht, drejt trarëve të hambarit, drejt Zotit, drejt kuptimit. Gratë e tjera nuk flasin. E pazakontë.

Unë e kam parë “Krijimin e Adamit”, të Mikelanxhelos në një libër me piktura të famshme të lëna në Co-op nga një turist zviceran. Babai im e kaloi fshehurazi librin dorë më dorë nëpër koloni, po Plaku Peter e zbuloi librin dhe e dogji. Thashethemet thonë se e grisi çdo faqe dhe i hodhi në zjarr një nga një, për të pasur mundësi t’u hedhte nga një sy të gjitha pikturave. Një njeri i zënë e me qëllime më të qarta do ta kishte hedhur menjëherë në zjarr.
Gratë ende heshtin frikshëm.

E përmenda librin e pikturave të famshme vetëm për shkak të gishtave të Agata-s që i drejtohen Zotit. Nënjë farë mënyre më kujtoi “Krijimin e Adamit”, po edhe për shkak se ishte mendimi im i parë. Ashtu i heshtur në plevicë edhe unë dua të dukem punëtor, e puna ime këtu është të shkruaj, të mbaj poçesverbalin e mbledhjes, dhe kjo është diçka për t’u shkruar.

Gratë heshtin duke menduar për atë që është e duhur, e drejtë, e kënaqshme, e pastër, etj, etj. Ose ndoshta për gjëra të tjera. Nuk e di se çfarë po mendojnë, ndoshta për zjarrvënie.

Duke menduar për “Krijimin e Adamit”, më kujtohet edhe një tjetër fakt për gishtat e njeriut.

Gishtat e njeriut mund të ndiejnë objekte të vogla deri në 13 nanometra, që do të thotë se nëse gishti juaj do të ishte sa madhësia e tokës, mund të ndjeni ndryshimin mes një hambari dhe një kali. Dua ta kujtoj t’ia përmend këtë Onës.

Dua të përmend “Krijimin e Evës” të Mikelanxhelos, paneli i pestë i veprës së Kapelës Sistine, e cila nuk është aq e njohur apo popullore sa piktura “Krijimi i Adamit”.

Tek “Krijimi e Evës”, Adami është i shtrirë, në gjumë, mbështetur në një trung, kurse Eva qëndron e zhveshur duke iu lutur Zotit për diçka. Për ç’farë? Në këtë pikturë Zoti, nuk është mbi re, dhe as duke zgjatur rastësisht gishtin e tij, po ka zbritur në tokë. Këtë herë Zoti duket i gjallë po i ashpër. Të ketë ardhur në Tokë vetë për t’i folur Evës, apo ka ardhur se ajo e ka kërkuar? Pse vallë i ka lënë retë dhe kerubinët? Në pikturë ajo po i lutet Zotit, po i përgjërohet, ndoshta duke arsyetuar sikur ajo e kishte në fuqinë e tij e të rivendoste krishterimin në madhështinë e tij origjinale. Duket sikur ajo po punon pas shpinës së Adamit, i cili po fle, si për të na treguar se ajo e di që ai nuk e miraton atë që ajo dëshiron. Po çfarë nuk aprovon ai? Takimin e saj privatisht me Zotin? Apo çfarë ajo do ti thotë?”…

Piktura “Krijimi i Evës” – nga Mikelanxhelo

Pranverë n’shpinë e braktisun-Rozafa Shpuza

in Letërsi/Tharm by

Pranverë n’shpinë e braktisun-Rozafa Shpuza

 

Kët pranverë
askush s’i pa tue lotue hardhitë…
Degët shtriqën shtatin e u lidhën ny ndërvedi
kësisoj sythet buluen kryenelte si thitha lehonash.
Micave s’iu ba vonë se gërshana e krasitjes
mbet varë në gozhdën e ndryshkun
porse vazhduen aktin pagan
tue klithë mnershëm maje murit t’oborrit,
krejt n’harmoni me ekstazës pranverore.
Tasi zinkut ku gjyshja mblidhte lotët e hardhive
mbeti bosh
e tash vetmon si nji suvenir
që dikush e nis pa pusull urimi.
Kët pranverë
askush s’i pa tue lotue hardhitë…
veçse n’epilogun e pritmënisë
shpija e vjetër duartrokiti grrilat brinjëthyem
dhe u kot prore n’boshllekun e vet.

LUFTA LIND ME FISHKËLLIMA-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

LUFTA LIND ME FISHKËLLIMA-Sueton Zhugri

Nganjëherë nga fishkëllimat lindin luftëra
Aleksandri u gjend i lumtur në Egjipt një mëngjes
Çezari fishkëlleu mbi Rubikon me dallgë të zbehta
Attila fishkëllente mbi skalpet e armiqve
Xhengiz Khani fluturonte mbi kalë duke ëndërruar fishkëllimën e kafkave

Çdo luftë është një businesses i rrallë
Flori e shkuar floririt
Enola Gay fishkëllente
mbi kokat e pazbukuruara të hiroshimëve…
Ne na pret një luftë përfundimtare nën lëkurët tona indianeske.
Do na rrjepin të gjallë idiotët, të gjallë po të them,
e s’do ketë më tribu, e s’do ketë më kufij,
Do të jemi bërë, nga i pari në fund,
Mish për top…
Hape gojën edhe ti, ulëri!
Aleksei Navalny vdiq
Julian Assange është ende gjallë…
Ulëri!
Së shpejti do të jemi të gjithë Palestinezë
dhe do jetë tepër vonë
botë si mund të çlirohemi
nga propaganda e shfarosjes
dhe nga ujqit e veshur demokratë.

Shënime nga një ekspeditë imagjinare në Himalaja-Wisława Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Shënime nga një ekspeditë imagjinare në Himalaja-Wisława Szymborska

Pra, këto qenkan Himalajat.
Malet që bëjnë garë me hënën.
Çasti i startit të tyre i regjistruar në kanavacën e grisur dhe befasuese të qiellit.
Vrimat e shpuara në një shkretëtirë resh.
Të ngecura në asgjë.
Jehona e një shurdhëtie të bardhë.
Të qetë.
O njeri prej dëbore, ne atje poshtë kemi ditën e mërkurë,
bukën dhe alfabetet.
Dy herë dy bëjnë katër.
Trëndafilat janë të kuq atje,
dhe vjollcat janë blu.
O njeri prej dëbore, krimi nuk është gjithçka që kemi atje poshtë.
O njeri prej dëbore, jo çdo fjali atje do të thotë vdekje.
Ne kemi trashëguar shpresën –
dhuratën e të harruarit.
Do ta shohësh sesi ne lindim
midis rrënojave.
O njeri prej dëbore, ne kemi Shekspirin atje. O njeri prej dëbore, ne luajmë “solitaire”
dhe në violinë. Në mugëtirë,
ndezim dritat, o njeri prej dëbore.
Këtu lart nuk është as hënë as tokë.
Lotët ngrijnë.
Oh, njeri prej dëbore, njeri gjysmë-hënor, kthehu mbrapa mendo sërish!
Ia thashë këto njeriut prej dëbore
brenda të katër mureve të ortekut,
duke prekur këmbët e mia në kërkim të ngrohtësisë
mbi të përjetshmen
dëborë.

Përktheu: Arlinda Guma

QYTETI-Konstandin Kavafis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

QYTETI-Konstandin Kavafis

Ti the: «Do shkoj në tjetër vend, do shkoj në tjetër det.

Një tjetër do gjendet më i mirë se ky qytet,

Ku është e shkruar të më dështojë çdo përpjekje

Dhe ku, si një i vdekur, më është varrosur zemra.

Gjer kur këtë amulli do ma durojë mendja?

Ngado që sytë i kthej, ngado që hedh vështrime

Shoh këtu rrënoja të zeza të jetës sime,

Ku kaq vite po shkoj, po prish edhe po tret».


Dete të rinj s’do gjesh, s’do gjesh të tjera vise.

Qyteti do të ndjekë. Mbi të njëjtat pragje

Do shkelësh. Dhe do plakesh në të njëjtat lagje,

Ke për t’u thinjur në po ato shtëpi, në po

Atë qytet do mbërrish. Për gjetkë – mos shpreso –

S’do ketë rrugë për ty, s’do ketë anije.

Siç e prishe jetën tënde në këtë nahije

Të vogël, në gjithë botën e prishe.


Përktheu: Alket Çani

Portreti i një gruaje – Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Portreti i një gruaje – Wislawa Szymborska

Ajo duhet të jetë e shumëllojshme.
Të ndryshojë në mënyrë të tillë që asgjë të mos ndryshojë.
Është e lehtë, e pamundur, e vështirë, ia vlen ta provosh.
Sytë e saj janë, ashtu siç kërkohen, tani blu e thellë, tani gri e errët, lozonjarë, plot me lotë pa asnjë arsye.
Ajo fle me të sikur të jetë një e njohur e rastësishme, apo sikur të jetë e vetmja e tij mbi tokë.
Ajo do t’i lindë atij katër fëmijë, nuk do t’i lindë fare, do t’i lindë një.
Naive, por jep këshillat më të mira.
E dobët, por merr përsipër barrat më të rënda.
Nuk ka kokë mbi supe, por do ta ketë.
Lexon Jaspers-in apo revista për zonja.
Nuk e di se për çfarë shërben kjo vidë dhe ndërton një urë.
E re, e re si kurrë më parë, ende e re.
Mban në dorë një trumcak foshnjë me një krah të thyer,
paratë e veta për të bërë ndonjë udhëtim larg,
një thikë mishi, një kompresë, një gotë vodka.
Për ku po vrapon, a nuk është e rraskapitur? As edhe pak, pak, për vdekje, nuk ka rëndësi.
Ajo, ose e do atë, ose thjesht ka mbledhur mendjen ta dojë
Për mirë, për keq, për hir të qiellit.

 Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma: 

1 29 30 31 32 33 190
Go to Top