Author

Admin - page 145

Admin has 1813 articles published.

Askush-Rose Ausländer/Përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

Askush-Rose Ausländer

          

Mbreti Askushaj jam

Askushinë time e mbaj

në xhep

 

Me pasaportë jo vendëse

udhëtoj

nga deti në det

 

O ujë me sy

të kaltër me sy

të zez e pa ngjyrë

 

Pseudonimi im

Askushaj

është legjitim

 

Askujt nuk ia ha mendja

se unë jam mbret

dhe e mbaj në xhep

vendin tim të paatdhe

 

Përktheu: Hans-Joachim Lanksch

Kur Edda Ciano, bija rebele e Duce-s, u dashurua me një partizan komunist

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Ashtu si fashizmi kishte këtë lloj shpirti të dyfishtë, këtë qëllim për t’u shfaqur gjithmonë i lavdishëm, viril, i fortë, monumental, ndërsa Italia rrënohej në varfëri dhe më pas në luftëra, ashtu edhe në familjen e Musolinit – si në manualin e familjes borgjeze – kishte një dualizëm midis imazhit publik dhe jetës private.

Shkruar nga: Alice Oliveri

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The Vision

Ka diçka shumë piktoreske dhe kinematografike në atë ç’ka ka mbetur nga jeta e familjes së Benito Mussolini-t. Në të vërtetë, ndoshta mund të thuhet se është pikërisht familja Mussolini, duke filluar me paraardhësin e saj, që supozohet se ka furnizuar me materiale të trashëgimisë gjenetike Bruno Vespa-n, gjë që bën që e gjithë kjo të duket si produkt i imagjinatës së ndonje autori tepër krijues. Përtej implikimeve tragjike dhe katastrofike që fashizmi, si një fenomen historik – ose epifenomen, siç e quajnë disa, ka pasur në Itali, ka një nëndegëzim të intrigës, që është sfondi i ngjarjeve të një periudhe shumë intensive të shekullit të njëzetë.

Në vitet e fundit, pothuajse një shekull pas diktaturës fashiste, kemi bërë gabim që i kemi dhënë kaq shumë hapësirë ​​personazheve si Alessandra Mussolini. Një gruaje që duket se ka zgjedhur përfaqësimin e shpirtit më pak virtuoz italian, si një mision personal, në këtë kombinim interesant të marrëdhënieve me Sofjen Villani Scicolone (aka Sophia Loren) – një tjetër simbol kombëtar, megjithëse për arsye shumë të ndryshme: për t’u mbrojtur dhe hakmarrë për shkak të një karriere muzikore në Japoni, një ambicieje kinematografike të dështuar dhe disa grindjeve në Twitter me Jim Carrey-n në lidhje me pozicionin e kokës së të gjyshit në fund të ditëve të tij.

Por, megjithatë, për sa mund të pëlqehet spektakli i ofruar nga ky shekull i njëzetë i çuditshem nëpërmjet britmave nëpër televizione, është në fakt një grua në familjen Musolini, të cilën ia vlen ta analizojmë për kompleksitetin e figurës së saj emblematike dhe jo për shkak të disa shfaqjeve televizive të turpshme apo posterave kandidues irritues: Edda Ciano, vajza më e madhe e Duce-s, gruaja e ministrit të tij të jashtëm e të besuar; Gian Galeazzo Ciano. Një protagoniste e historisë së fashizmit që përmban ne vete shumë kontradikta, paradokse dhe shtrembërime të atyre njëzet viteve të diktaturës, të cilat megjithëse mbaruan, vazhdojnë ta imbushin të tashmen në mënyra nga më të ndryshmet.

Në foto: Edda Ciano

Në të vërtetë, Edda Mussolini, para se të bëhej Zonja Ciano, duke u martuar me Kontin, të preferuarin dhe tradhëtarin e ardhshëm të Duce-s, kishte treguar që në moshë të hershme një karakter që nuk ishte i pajtueshëm në disa aspekte me skemat dhe imponimet e diktuara nga kreu i familjes – i cili ndërkohë ishte bërë udhëheqës i një kombi të tërë. Nëse nga njëra anë Edda ishte portreti i kësaj ashpërsie dhe përkushtimi të pakorruptueshëm që Musolini dëshironte të përcillte me mënyrën e të folurit dhe mbi të gjitha me menyren e të komanduarit, nga ana tjetër, duke dëgjuar intervistat dhe duke lexuar kujtimet e saj, dalin në pah tipare shumë më të kundërta nga ajo që mund të imagjinohet nga pasardhësja e parë e diktatorit. Një intervistë e gjatë, kryer nga Domenico Olivieri, një mik i vjetër i familjes përgjatë një dekade, midis viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, kur Edda Ciano ishte tashmë në moshe të thyer, tregon detaje interesante rreth familjes Musolini, por mbi të gjitha historinë e kësaj gruaje, që thekson një anë çuditërisht moderne dhe rebele, e cila përplaset shumë me parimet fashiste të ashpërsisë dhe nënshtrimit femëror. Në të vërtetë, Edda ishte një lloj antagonisteje, një natyrë e kundërt e nënës së saj Rachele, e cila mishëroi të gjithë aspektet më tradicionale të feminitetit fashist: amvisë, nënë e devotshme, engjëllushe e ngrohtësisë familjare – edhe pse në realitet edhe në shtëpinë e Musolinit ligjet nuk ishin edhe aq strikte, duke pasur parasysh se Donna Rachele, siç u zbulua nga vajza e saj, Edda e moshuar, gjithashtu kishte një dashnor.

Ashtu si fashizmi kishte këtë lloj shpirti të dyfishtë, këtë qëllim për t’u shfaqur gjithmonë i lavdishëm, viril, i fortë, monumental, ndërsa Italia rrënohej në varfëri dhe më pas në luftëra, ashtu edhe në familjen e Musolinit – si në manualin e familjes borgjeze – kishte një dualizëm midis imazhit publik dhe jetës private. Dualizëm, fytyrë e të cilit u bë Edda; pavarësisht se ishte grua dhe për këtë arsye supozohej të mos ishte e denjë për të pasur role aq të rëndësishme sa ato të një burri, ajo u hodh qysh fëmijë në eksplorime jashtë vendit. Paradoksalisht, pikërisht pasardhësja e parë e njeriut që kujdesej më shumë për konceptin “Itali”, të italianëve dhe të vlerës së atdheut, u rrit mes elefantëve në Indi, duke folur anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe duke frekuentuar ambasadat.

Në foto: Edda Ciano dhe diplomatë të ambasadave të ndryshme. Pekin, Kinë, Viti 1931

Në thelb Edda u rrit si një grua moderne në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke krijuar këtë përzierje të çuditshme të nacionalizmit në kufi te religjionit dhe globalizmit ekstrem. Në mbylljen ideologjike të një misioni politik si ai i fashizmit, forca e kureshtisë dhe diversitetit, që në mënyrë të pashmangshme gjeneron diçka në mendjet e atyre që nuk janë dhe aq budallenj, ashtu siç Edda nuk ishte.

Vajza e madhe e Duce-s nuk u formua vetëm në teprinë dhe diversitetin kulturor, në këtë lloj Erasmus ante litteram shumëvjeçar shtetëror, por ajo gjithashtu ishte e prirur për të bërë sipas kokës së saj; duke luajtur futboll, duke veshur pantallona, ​​duke pirë duhan, duke u bërë një simbol i jetesës jet set. Për martesën e saj, të gjithë në familje kishin dyshimet e tyre, duke pasur parasysh prirjen e saj të dukshme për t’u rebeluar dhe një natyrë jo dhe aq të fortë përshtatjeje me ligjet e ngurta, si ato të kolegjit nga i cili ia kishte mbathur vetëm pas një viti. Njohja me Galeazzo Ciano-n dhe rënia e tyre në dashuri ishte një lloj bekimi nga lart, duke pasur parasysh se më parë Edda kishte shkuar aq larg sa të bënte plane që konsistonin në gjëra të tilla si blerja e një dyqani në Spanjë në zemër të natës vetëm për të blerë një dem, për shembull, apo hera e parë që ra në dashuri me një djale të ri hebre, të cilin, për ironi të fatit, do të ishte pikërisht ajo që do ta shpëtonte nga kampet e përqendrimit. Ishte e qartë se Galeazzo ishte pretendenti i përsosur, si për origjinën e tij fisnike dhe për profesionin e tij – ai ishte ambasador në Vatikan – dhe ndoshta edhe për shkak të asaj pamje të pëlqyeshme që u kombinua mirë me statujën futuriste të Edda-s. Por megjithatë, kjo grua mund të kishte imagjinuar gjithçka, përveç asaj që martesa me Ciano-n do të bëhej qendra e një tragjedie shekspiriane, që do ta përfshinte atë disa vjet më vonë, në muajt e mposhtjes së fashizmit.

Edda Ciano dhe Galeazzo Ciano u martuan më 24 Prill, 1930

Martesa me Ciano-n, përtej interesave politike dhe rrëfimeve të Duce-s që vjen rrotull me brekë nëpër vilën Torlonia, duke festuar për ngjarjen e lumtur dhe shumë të shpresuar, është një tjetër pjesë e historisë private që përmbledh shumë mirë atë dualizëm skizofrenik dhe hipokrit, por edhe themeltar të një lloji të caktuar të frymës borgjeze dhe italike, kuintesencën e fashizmit. Edda dhe Galeazzo, në të vërtetë, përveç faktit që lindën një seri fëmijësh me emra nga të shekullit të njëzetë që duken si të rremë – si Didina dhe Mowgli – kaluan disa vjet së bashku në Kinë, në Ambasadën Italiane, përpara se të ktheheshin në atdhe, por mbi të gjitha përpara se të shkatërroheshin nga lufta dhe dështimet e Duce-s.

Në foto: Edda dhe Galeazzo Ciano

Në Lindjen e Largët, Edda Ciano mësoi një gjë themelore për ekzistencën e saj si grua, diçka që ndoshta deri në atë moment nuk ishte manifestuar aq fort për shkak të karakterit të saj të pavarur; detyrat e një gruaje të mirë, edhe pse ishte vajza e Duce-s, ato duhej të respektoheshin. Dhe Galeazzo nuk kishte asnjë problem ne kultivimin e marrëdhënieve klandestine, ndërsa Edda rrinte mbyllur në shtëpi duke pritur për të, shtatzënë dhe e detyruar të mos merrte pjesë në jetën shoqërore të ambasadave. Por reagimi i Edda-s në këtë fazë të jetës së saj ishte gjithashtu mjaft vendimtar edhe në këtë rast, që nga momenti kur kuptoi se edhe ajo mund – në fshehtësi, por jo shumë – të kultivonte marrëdhënie të llojeve të ndryshme, duke e kthyer martesën në një raport miqësie dhe afeksioni shumë të fortë.

Në foto: Edda Ciano me fëmijët e saj, viti 1940

3162210

Pasi u rikthyen në Itali, Edda dhe Galeazzo nisën një fazë më pak rozë të jetës së tyre, me marrëdhëniet që po konsolidoheshin me Gjermaninë – mbështetur fuqishëm nga Edda, e cila ishte filo-gjermane, ndryshe nga bashkëshorti dhe babai i saj. Me luftën dhe përkushtimin e mëvonshëm të Musolini-t, Galeazzo Ciano mbeti i ngatërruar në atë votim të famshëm misterioz të Këshillit të Madh të 25 Korrikut të vitit 1943, në të cilin Ministri i Jashtëm u pozicionua pro mosbesimit të Duce-s. Sipas Eddës, ky ishte një veprim shumë i keq, naiv dhe kishte për qëllim mbrojtjen e të atit: një zgjedhje që do t’i kushtonte jetën në vitin 1944, kur ai u pushkatua për tradhëti të lartë. Kështu Edda u përfshi në këtë nyje tragjike biografike në të cilën ajo u gjet e ndarë midis të atit dhe bashkëshortit, duke u përpjekur të negocionte jetën e këtij të fundit me një shkëmbim të ditarëve të tij, pastaj duke i sjellë me vone edhe cianur me kërkesë të tij, por duke dështuar edhe në këtë përpjekje vetëvrasëse, pasi Galeazzo vdiq mëngjesin e ardhshëm kur u ekzekutua. Por, pika më e pabesueshme e kthesës në jetën e kësaj gruaje, e cila nuk është aspak rastësore, subjekt i disa veprave kinematografike – interpretuar nga Silvana Mangano dhe Susan Sarandon, sa për të përmendur disa emra – vjen menjëherë pas përfundimit të këtij kapitulli të jetës së saj nën shenjën e fashizmit dhe martesës me Ciano-n.

Në foto: Edda Ciano dhe një nga fëmijët e saj

Pas përfundimit të luftës, Edda u dërgua në burg për dy vjet në ishullin Lipari, duke i shpëtuar kështu fatit që pësoi i ati dhe burri i saj. Në këtë vend kaq të ndryshëm nga skenarët e zakonshëm mondanë dhe qendërzimet politike, në të cilët ajo kishte jetuar deri në atë moment, si një ikonë e stilit dhe model i modernitetit siç ishte, e plasur në një ishull periferik dhe të shkretë, Edda Ciano e gjeti veten duke përjetuar një histori që nëse nëse nuk do të kishte ndodhur vërtet, mund të mendohej se ishte puna e ndonjë skenaristi të Rai-t. Në Lipari, Edda u takua me Leonida Bongiorno-n, një ish-oficer alpin, ish-partizan, komunist, më tej dashnor i vajzës së madhe të Duce-s. Gazetari Marcello Sorgi e nxori këtë histori në dritë, duke shkruar një libër me një titull emblematik: Edda Ciano dhe komunisti, i cili në vetvete mjafton për të kuptuar paradoksin e historisë mes dy të dashuruarve; do të ishte disi sikur në vitet pas mposhtjes së nazizmit të dilte një libër me titull: “Eva Braun dhe çifuti”. Duket me të vërtetë absurde të mendosh se edhe pas një viti nga mbarimi i luftës, nga vdekja e babait dhe burrit, por mbi të gjitha nga rënia e pandalshme e fashizmit dhe nga të gjitha piketat në të cilat bazohet jeta e kësaj gruaje, mund të arrihej një histori dashurie par excellence me armikun. Por në të njëjtën kohë, nuk është aq absurd përfytyrimi po të shohesh më me kujdes në biografinë e Edda-s, e përbërë nga një kontradiktë shumëvjeçare, një kundërshtim i fortë që kundërpozicionon me një dashuri të pakufishme për një baba autoritar si Benito Musolini, ku ai vetë deklaroi se nuk arriti kurre ta zbuste vajzën e tij – dhe se ai vetë kishte një dashnore hebreje: Margherita Sarfatti. Dhe në atë intervistë në të cilën një Edda e moshuar por ende mjaft e kthjellët, zbulon pjesë të papublikuara të historisë së Italise, vajza e Musolinit thotë diçka që i përshtatet mirë historisë së saj dhe asaj të Italisë fashiste; kur Duce ishte varur në Piazzale Loreto, dhuna dhe zemërimi i njerëzve ndaj tij nuk ishte asgjë tjetër veçse manifestimi i një dashurie të madhe e shndërruar në urrejtje. “Urrehet dikush që e kemi dashur aq shumë”, tha Edda Ciano duke iu referuar kufomës së babait të saj të varur, ndoshta duke bërë një referim të pavetëdijshëm në lidhje me historinë e saj.

Unë nuk jam e sigurt nëse kjo grua ishte viktimë e momenteve të paparashikeshme të fatit te vendit ku ajo lindi, nuk e di se çfarë do të kishte bërë nëse do të kishte mundësi ta zgjidhte vetë fatin e saj, natyrisht, as nuk mund të imagjinoj se çfarë do të thotë të gjesh veten si fëmijë e një diktatori të pamëshirshëm si Benito Mussolini. Sigurisht ajo kurrë nuk u prir të mohonte besnikërinë e thellë dhe mbështetjen e saj të pamohueshme për diktaturën fashiste, pavarësisht faktit që gjatë burgosjes në Lipari me letra për të kërkuar amnistine, ajo u zhbalancua në një sërë justifikimesh familjare për veprimtarine e saj gjatë fashizmit. Një gjë është e sigurt; fashizmi, Duce, lufta dhe protagonistët e saj, duhet të qëndrojnë tek ne italianët e sotëm si një gjykim i pakthyeshem përçmues dhe negativ, nuk mund të bëhet asnjë shfajësim, nuk mund të ketë më vend për interpretime, sidomos sot, ndërsa ripërtypjet e tij po bëhen gjithnjë e më shumë të gjalla përmes neofashistëve dhe të ngjashmëve të tyre. Por, për të kuptuar me të vërtetë historinë, duhet të dimë se si ta shohim atë në distancë, me një narracion të saj të pavarur nga gjykimi. Edda Ciano, e cila sigurisht nuk është viktimë e këtij kapitulli të historisë së Italisë, është një nga personazhet që vlen të shikojmë me kujdes, sepse historia e saj mund të na japë elemente shumë të rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën, veçanërisht në të gjitha kontradiktat, sforcimet dhe hipokrizitë që qëndrojnë pas diktaturës fashiste, nga e cila ajo mishëron ndoshta anët më tragjike dhe romantike, por edhe më emblematike.

TË VERBRIT- Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

TË VERBRIT- Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Një poet u lexon vjershat e tij të verbërve.
Nuk e kish menduar se do ishte kaq e vështirë.
Zëri i dridhet.
I dridhen duart.

E ndien sesi çdo fjali
i nënshtrohet provës së territ.
Vjersha duhet t’ia dalë mbanë vetë,
pa drita, pa ngjyra.

Eksperiment i rrezikshëm për yjet e poezisë,
agu, ylberi, paqëndrueshmëria e reve,
ndriçimi i neonëve, drita e hënës,
shkëlqimi i argjendtë i peshkut në ujë,
fluturimi i heshtur i shkabës në lartësi.

Poeti lexon – është tepër vonë për të mos lexuar –
një fëmijë me bluzë të verdhë në një livadh të gjelbër,
të panumërtat çati të kuqe në fund të luginës,
vorbulla e numrave mbi fanellat e lojtarëve,
një grua pafundësisht e zhveshur nga e çara e një porte.

Do të donte të heshtte – por është e pamundur –
shenjtorët rreshtuar mbi portikun e katedrales,
nojmat e lamtumirës këmbyer nga dritarja e një treni,
xhamat e mikroskopit, afet e një unaze,
kinemaja, pasqyrat, portretet në album.

Por të verbrit janë shumë të sjellshëm,
gjithë takt dhe zemërgjerë.
Dëgjojnë, buzëqeshin dhe duartrokasin.

Madje njëri prej tyre i afrohet poetit
me një libër në dorë të hapur së prapthi
për t’i kërkuar një autograf të padukshëm.

 

Përktheu: Alket Çani

Një sfidë-Luigi Pirandello

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Luigi Pirandello

Ndoshta Jacob Shwarb asgjë të keqe ndërmend nuk kish. Por, kushedi, ndoshta donte të hidhte në erë botën e tërë me dinamit. Me siguri s’do të kishte qenë punë e mirë të shkatërronte vetëm botën. Gjithë botën, me dinamit, kjo nuk kishte kurrfarë kuptimi. Sido që të ishin punët, shkonte me mendjen se s’qe keq ta mbante ballin të fshehur nën një tufë të madhe flokësh kuqalashë.

Flokë mbi sy. Duar të zhytura thellë në xhepa kominoshesh. Punëtor i papunë.

U rebelua atëherë kur, pas pranimit në spitalin Israel Zion të Bruklinit për një sëmundje të rëndë mëlçie, ia qethën flokët zero. Tashmë pa flokë, pati ndjesinë se koka i qe davaritur. E kërkoi me duar. Nuk iu duk më e vetja dhe u tërbua.

Deshi të dinte nëse, me këtë poshtërsi që i kishin bërë, donin ta trajtonin më tepër si kriminel sesa si të sëmurë.

Për hir të higjienës?

As që ia fishkëllente higjienës ai.

Oh, pa shih pak!

Sa mirë që të paktën, në mungesë të flokëve, i kishin mbetur ende vetullat e mëdha kaleshe, gjithnjë të kapërthyera, për të fshehur në sytë e turbullt mllefin kundra të gjithëve dhe vetë jetës.

Për sa kohë që mbeti shtruar në spital, Jacob Shwarb nuk e kuptoi kurrë se ç’ngjyrë i qe vulosur në fytyrë, nëse ish më tepër i verdhë se jeshil, për shkak të asaj sëmundjeje mëlçie që i fali vuajtje pa masë dhe një gjendje shpirtërore që mund të merret me mend.

Kolit i padurueshëm.

Verës, dy muaj në një pavion ku të sëmurët rënkonin ditë e natë, e kush s’rënkonte quhej i vdekur; frenezi, tërbim; kuverta që vërtiteshin si gjyle nga një shtrat tek tjetri, apo, në një shkulm dëshpërimi, fluturonin në ajër, dhe atëherë dikush mbante frymën tek infermierët ose tek mbikëqyrësit e natës.

Jacob Shwarb i njihte të gjithë këta mbikëqyrësit e natës dhe kishte një antipati të veçantë për secilin. Veçanërisht për një farë Jo Kurtz që herë-herë, e bënte për të qeshur, aq shumë ia shpifte; merret vesh, qe një e qeshur si ajo e qenve kur duan të kafshojnë.

Ç’është e drejta, ky Jo Kurtz kishte një mënyrë krejt të vetën për të qenë i padurueshëm. Kurrë nuk fliste, nëse nuk e detyroje; nuk bënte asgjë; vetëm buzëqeshte me një mimikë të akullt, e cila, duke mos u mjaftuar me gojën e bërë petë me ato buzët e bardha e të holla, ia mprehte edhe sytë e zbehtë ngjyrëhiri; dhe kokën e mbante gjithnjë të anuar mbi njërin sup, një kokë fildishi pa një fije floku; dhe gjithnjë si të varura mbi gjoks, mbi këmishën e gjatë të bardhë, rrinin duart e tij të palara.

Ndoshta nuk e dinte se sa pak përputhej ajo buzëqeshje e tij e vazhdueshme me vajtimet e pafund të të sëmurëve të mjerë, se vërtet, nuk mund të pranohej kurrsesi se e dinte dhe se prapëseprapë ish në gjendje të buzëqeshte ashtu. Kushedi, fshehtas të sëmurëve, në veshët e tij të gjitha ato rënkime jepnin ca tinguj tërheqës e të këndshëm, ashtu siç qenë të përbërë nga lloj-lloj tonesh me intensitete të ndryshme, disa që jehonin si zakonisht, disa të tjerë që shfreheshin në një mënyrë të veçantë bashkë me dhimbjen, të gjithë të mbledhur së bashku në një sinfoni të kompozuar për të në një mënyrë tërheqëse dhe të çuditshme.

I detyruar të nusërojë gjithë natën, secili përpiqet të shmangë gjumin me sa mundet.

Fundja edhe Jo Kuntz mund t’i gjente brenda mendimeve të tij arsyet për një buzëqeshje. Ndoshta, megjithë moshën e shtyrë, ai kish rënë në dashuri. Dhe ndoshta, midis gjithë atyre rënkimeve ai shkëpuste vetveten në heshtjen e sprasme të shpirtit të tij.

Në njërin nga netët kur pavioni qe veçanërisht i qetë, dhe vetëm ai, Jacob Shwarb vuante e s’gjente për një çast të vetëm qetësi mbi atë shtrat i cili që prej dy muajsh ia kish mësuar të gjitha dhimbjet, ndërrimi i rojës i kish qëlluar pikërisht mbikëqyrësit Jo Kurtz.

Me t’u shuar të gjitha llampat, përveç asaj të mbikqyrësit, e fshehur nga një erashkë stofi të gjelbër mbi tryezën në fund të pavionit, një dritë e plotë hëne hyn nga të gjitha dritaret, veçanërisht nga ajo më e madhja, e hapur në fund të sallës kanat më kanat.

Duke gëlltitur me stërmundim gulçet, Jacob Shwarb i ngul sytë që nga shtrati i tij Jo Kurtz të ulur përpara tryezës me fytyrën e fildishtë të ndriçuar nga llampa, dhe sado që e urren njerëzimin me gjithë shpirt, ai pyet veten se si është e mundur të buzëqeshet në këtë mënyrë, si mund rrihet kaq i patrazuar në një pavion spitali ku çdo i sëmurë heq ashtu siç heq ai; buzëqeshje që rritet e rritet derisa e bën të luajë mendsh, të çmendet, të çmendet. Papritmas, kushedi sesi, i fanepset një ide: të shohë nëse Jo Kurtz do të ndërrojë fytyrë, nëse ai tani do të ngrihet nga shtrati për t’u hedhur nga dritarja e madhe e hapur në fund të pavionit.

Nuk e ka ende të qartë prej nga iu shfaq kaq papritur një ide e tillë: nga padurimi tashmë i papërballueshëm i vuajtjes së tij, që i duket egërsisht e padrejtë në atë natë qetësie në të gjithë pavionin, apo nga urrejtja që i ndjell Jo Kurtz.

Deri në çastin kur ngrihet nga shtrati nuk e di akoma mirë nëse qëllimi i tij është vërtet të hidhet nga dritarja apo të vërë në provë moskokëçarjen e Jo Kurtz, të sfidojë atë limonti buzëqeshëse për hir të dëshirës së dëshpëruar që të shfrehet mbi të: mbi atë që e ka për detyrë të turret e ta mbajë, me ta parë se ka dalë nga shtrati pa i kërkuar leje.

Kështu ndodh që Jacob Shwarb hedh tej kuvertat dhe ngrihet qiri në këmbë, në një akt të vërtetë sfide, përballë syve të Jo Kurtz. Por Jo Kurtz jo vetëm që nuk luan vendit, por as që e prish terezinë.

Në gusht bën shumë nxehtë. Ndoshta mendon se i sëmuri dëshiron të dalë në dritare për të marrë pak ajër.

Të gjithë e dinë se ai, Jo Kurtz, gjithnjë e mbyll njërin sy dhe tregohet i arsyeshëm ndaj të çdo të sëmuri kur e do puna që të mos të merren parasysh disa rregulla të kota mjekësh.

Ndoshta, po ta shihje më me kujdes, në atë buzëqeshje mund të vërehej se ai do t’i mbante vërtet sytë mbyllur edhe nëse e kuptonte se qëllimi i të sëmurit ishte pikërisht të shkonte e të hidhej nga dritarja.

Kush është ai, Jo Kurtz, për ta ndalur atë të sëmurë të mjerë, që vuan e heq sa s’mban dot më? Ai është, siç e do puna, vetëm një roje, i sëmuri është nën mbikqyrjen e tij. Por, duke arritur të supozojë se i sëmuri ka lënë shtratin vetëm për t’u freskuar pak, ndërgjegjja e tij mbetet e pastër, ajo mund të shpjegojë mungesën e lëvizjes; dhe le të bëjë i sëmuri sipas qejfit: nëse do t’ia heqë vetes, le t’ia heqë: punë e tij.

Ndërkaq Jacob Shwarb pret që ta ndalin përpara se të arrijë tek dritarja në fund të pavionit: thuajse e ka arritur, dhe kthehet, duke u dridhur nga zemërimi, të shohë Jo Kurtz: e sheh ende atje, të ulur e të pashqetësuar në tryezën e tij, dhe për një çast e ndjen veten të çarmatosur: nuk di nëse të shkojë përpara apo të kthehet pas.

Jo Kurtz nuk e shuan buzëqeshjen, jo për ta nxehur, aspak, por që t’i bëjë të ditur se e kupton më së miri se një i sëmurë mund të ketë shumë nevojë të dalë pakëz nga shtrati: mjaft që të kërkojë leje, qoftë edhe me më të voglin gjest. Ç’është e drejta ai patjetër që mund ta marrë me mend se ndalja në vend dhe vështrimi i të sëmurit do të thoshte pikërisht këtë; përkul disa herë kokën për t’i thënë se gjithçka është në rregull dhe i bën shenjë me dorë që të shkojë, le të shkojë lirisht.

Për Jacob Shwarb ky është kulmi i përqeshjes, përgjigjia më e paturp ndaj sfidës së tij. Ai ngre grushtat duke hungërirë, kërcet dhëmbët, turret me vërtik tek dritarja dhe hidhet poshtë.

Nuk vdiq. Theu këmbët; frakturoi një krah dhe dy brinjë; mori plagë të rëndë në kokë. Dhe, pasi e kuruan, ai u shërua jo vetëm nga plagët që pati marrë, por, në sajë të një nga atyre mrekullive që duket që u ndodhin vetëm fyerjeve të shkaktuara nga nervozizmi, mori veten edhe nga sëmundja e mëlçisë.

Do të bënte mirë t’i falej Zotit, sepse ia hodhi vdekjes që e priste mes llahtarit në spital, megjithëse shtrenjtë e pagoi atë hedhjen e nxituar nga dritarja. Por, zotërinj, jo, as që e kishte ndërmend. Me t’u shëruar, ai këshillohet me një avokat dhe padit Spitalin ISRAEL ZION me njëzet mijë dollarë dëmshpërblim për lëndimet e shkaktuara nga rënia. Mjet tjetër për t’u hakmarrë ndaj Jo Kurtz nuk i mbetet. Avokati e bind se spitali do të paguajë dëmshpërblimin dhe se Jo Kurtz do të pushohet nga puna. Në fakt, hedhja e tij nga dritarja shpjegohet me moskokëçarjen dhe mungesën e vigjilencës të personelit të spitalit.

Gjykatësi e pyeti: – Kush të shtyu të hidhesh nga dritarja? Veprimi yt qe i qëllimshëm.  – Jakob Shwarb sheh avokatin, dhe i përgjigjet gjykatësit:

– Jo zotëri. Unë isha i sigurt se do të më kishte ndalur.

– Mbikqyrësi?

– Po zotëri. E kish për detyrë. Por ai nuk luajti vendit. Prita që të lëvizte. I lashë kohë sa të duash; madje, para se të hidhesha, ktheva kokën ta shihja.

– Po ai ç’bëri?

– Ai? Asgjë. Siç bën gjithmonë, më buzëqeshi, dhe me dorë ma bëri me shenjë “shko, shko lirisht.”

Ç’është e vërteta Jo Kurtz buzëqesh ende, edhe aty, përballë gjykatësit. Gjykatësi indinjohet dhe pyet nëse ajo që thoshte Jacob Shwarb i përgjigjet të vërtetës.

– Po, zotëria juaj, – iu përgjigj Jo Kurtz, -unë mendoja se ai vetëm sa donte të ajrosej.

Gjykatësi përplas grushtin mbi tryezë.

– Ah, kështu mendokenit ju?

Dhe e dënon spitalin ISRAEL ZION me një dëmshpërblim prej njëzet mijë dollarësh për zotin Jakob Schwarb.

Përktheu:“Ivan Katasrofov”

Imazhi: Agim Sulaj-“E ardhmja”

Poetët e heshtur-Rudolf Dobiaš

in Letërsi by

Rudolf Dobiaš (1934)

Shkrimtar dhe gazetar i shquar sllovak, i njohur për veprat e tij për fëmijë, Dobiaš u arrestua ndërsa ishte ende nxënës i shkollës së mesme në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe u akuzua për veprimtari anti-shtetërore. U dënua me punë të rënë në minierat e uraniumit të Jáchymov-it. Pas lirimit, në vitin 1960 bëri punë të ndryshme ndërsa ndiqte studimet në shkollën e mesme teknike të Bratisllavës. Gjatë viteve 1975-1978 punoi si gazetar, duke bërë emër si autor librash për fëmijë ashtu si edhe për radiodramat, më shumë se tridhjetë prej të cilave ishin për të rinjtë. Në vitin 1987 pranoi të bëjë punën e kujdestarit të një jetimoreje deri në vitin 1989. Pas rënies së komunizmit punoi si gazetar dhe u angazhua në kauzën e ish të burgosurve politikë. Derisa doli në pension ishte kryeredaktori i revistës “Dëshmia” (Svedectvo), botuar nga Konfederata e të Burgosurve Politikë.

Libri më i hershëm i Dobiaš ishte “Dëshmia e tri kryqeve” (Svedectvo troch križov, viti 1993), dëshmi dokumentare e gjyqit të sajuar dhe e vdekjes së tre nxënësve të tij moshatarë në shkollën e mesme të Trenćin-it. Libri i tretë në atë që mund të shihet si cikli i tij politik është “Kambana dhe varre: histori nga hijet”, viti 2000). Ky libër e ka zanafillën në “dimrin më të gjatë” të jetës së tij-në kohën kur u mbajt në izolim në dhomën e hetuesisë të Policisë Shtetërore të Sigurimit. Titulli kumton një tension qendror mes lirikes, të përfaqësuar nga poezia, dhe prozaikes së mbështetur në atë që Dobiaš e shihte si fati tragjik i njerëzve, më së shumti të burgosurit politikë si ai në kampin e Jáchymov-it. Në vitin 2009, botoi një antologji të poezisë sllovake, të krijuar në burg, me titullin: “Poetët pas hekurave”- antologji e poezisë së krijuar në burg).

Poezi e Mosbindjes dhe shpresës

Në veprën e tij “Shtëpia e shkretimit, viti 1991” poeti dhe përkthyesi Janko Silan (1914-1984), prift katolik, boton një letër dërguar një reviste letrare. Po i lejoj vetes të citoj një pjesë, pasi lidhet deri diku me temën e antologjisë së poetëve të burgosur. Ai shkruan: “Në letrën tuaj më tronditi përmendja e poetëve të heshtuar. Ndoshta duhet të theksoj se nga ana juaj, për rastin tim, ka një keqkuptim. Megjithëse unë personalisht nuk jam pjesë e poetëve të heshtuar, kam nderin t’ju tregoj se deri tani ka qenë dhe është fati im të jem një poet i heshtuar (i censuruar).” Një fat të ngjashëm pati edhe një poet tjetër katolik: Ján Motulok (b.1920).

Kishte më shumë poetë dhe shkrimtarë të heshtuar gjatë viteve 1945 -1989. Shumë prej tyre emigruan pas Luftës së Dytë Botërore ose pas vendosjes së regjimit komunist në vitin 1948. Kjo është temë për studiues të tjerë. Qëllimi im është t’i paraqes poetët që gjatë së njëjtës periudhe kaluan ditë, muaj dhe vite të jetëve të tyre prapa hekurave dhe telave me gjemba në kampet e përqendrimit. Për orientim më të lehtë kohor në antologjinë e poetëve që shkruan në burg janë përfshirë ata që vuajtën vitet e shtypjes gjatë vieteve 1948-1989, vitet e zbatimit të teknologjisë mizore staliniste të pushtetit, vitet e kultit të personalitetit dhe realizmit socialist. Ata krijuan fshehurazi poezi në burgje dhe kampet e punës. Kampet kishin një përparësi: në miniera në të cilat të burgosurit nxirrnin mineral, punonte gjithashtu edhe personel civil. Disa prej tyre, duke rrezikuar vendin e punës, dhe madje edhe arrestimin dhe gjyqin për veprime të kundërligjshme me të dënuarit, i ndihmuan të burgosurit politikë aq sa mundën. Ata nxorën jashtë letra dhe gjithashtu edhe poezi. Autorët e këtyre teksteve mbushin një hapësirë të bardhë në hartën e poezisë sllovake dhe pohojnë pjesëmarrjen e tyre në betejën për liri.

 Letër e padërguar

 Vetëm në një qeli të ftohtë me kryqin tim

dhe kaq larg nga parajsa,

Shkrova për të shtëpisë: jam goxha mirë

Dhe s’kam kam nevojë për asgjë.

 

Ngaqë  rojet e mia më ruajnë me kaq vigjilencë

S’kam pse të kem frikë për veten.

E di se mulliri i Perëndisë po më thërrmon

dhe do të më kthejë në bukë.

 

Zjarrmia që ma djeg trupin

është shenjë hyjnore,

dhe muret e bardha të pastra

lavdërojnë Perëndinë me pastërtinë e tyre.

 

Me të vërtetë, mamush. Jam goxha  mirë,

Përveçse trishtohem që jam pa ty.

 

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela

VIETNAM-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

VIETNAM-Wislawa Szymborska, Nobel 1996

 

Si quhesh ti grua?
– Nuk e di.
Ku dhe kur ke lindur?
– Nuk e di.
Përse e ke hapur këtë gropë?
– Nuk e di.
Për sa kohë ke ndenjur e fshehur?
– Nuk e di.
Përse e kafshove dorën që të zgjata?
– Nuk e di.
E di që kemi ardhur të të ndihmojmë?
– Nuk e di.
Me cilën palë je?
– Nuk e di.
Në luftë duhet të jesh o me njërën palë o me tjetrën.
– Nuk e di.
Po fshati yt a ekziston akoma?
– Nuk e di.
Fëmijët e tu janë këta?
– Të mitë.

 

Përktheu: Alket Çani

Këpucët e përbaltura, nga Odiseu i Homerit tek Uliksi i Xhojsit-Zhuljeta Grabocka Çina

in Letërsi by

Tregim për këpucët e përbalturaNatasha Lako

Nga këpucët e përbaltura,
trupi niste përpjetë,
atje lëkura jote e bardhë,
përkundte si në djep
një copë lëkurë të vrarë, të zezë.

Ti heshtje,
unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja
më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura.
që nuk flisnin më.

O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.
Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi,
ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve.

Tani më kanë mbetur prej teje
vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël.

Zhuljeta Grabocka Çina

Narracioni lirik ka qënë e mbetet pjesë e përjetimeve jo vetëm të rrëfimtarit epik, por edhe i përjetimeve të unit lirik. Detaji përgjithësues, që objektohet në këto raste, i ngjan një trupi shumëplanësh demostrues universial. Nuk ishte një rastësi që një titull poezie i Natasha Lakos “Tregim për këpucët e përbaltura” do të më grishte në reflektimin e pasurisë së labirinteve të teknikave narrative. Pasuria e tyre janë djepi ku përkundet materia letrare që nga “Odiseu” i Homerit, deri tek “Uliksi i Xhojsit”, poezi e prozë. Së bashku me këto teknika, edhe koncepti i pasqyrimit të lëvizjes në kohë e hapësirë ka evoluar në raport me rrjedhën e tij natyrale. Imazhet tona të lëvizjeve në fantazinë fëminore janë hapëruar nëpërmjet të tashmes tregimtare të prozodisë sonë popullore e asaj botërore. Formulat e tyre hyrëse, të ndërtuara me foljen e përsëritur të së tashmes tregimtare të tipit “ec e ec / ose /shko e shko…” etj., përveç konçizitetit të shprehjes, realizojnë mjeshtërisht, jo vetëm lokalizimin e veprimit, por të përfshijnë në magjinë e aventurës, me të cilat heronjtë tregimtarë kanë mbetur në agun e formimit letrar të çdo individi. Formula hyrëse ka rolin e sinjaleve të veçanta të kalimit nga rrëfimi i zakonshëm në një rrëfim të organizuar artistik. Ato janë të pasura e sendërsojnë segmente të caktuara kohe, hapësire e personazhe përgjithësuese.
Në ecjen e tij letrare njeriu i rikthehet herë pas here këtij pragmalli fëminor. Atëhere kur i rënduar në vite e përvoja me një kthjelltësi të mahnitshme i nënshtrohet dëshirës për të medituar në mënyrë filozofike. Kjo nuk është vetëm një dëshmi ekzistence e realizimit jetësor të tij, por është dëshmia e një narracioni epik që nuk mund të ketë as fillim e as fund. I cili sa herë që vjen do të na imponohet instiktivisht, herë dhunshëm e herë plot delikatesë e brishtësi pafajësie ekzistenciale. Poezia e Natasha Lakos me “narrativitetin” e saj të moderuar të përfshin në konkretësi e ndjesi poetike.
Në strofën e parë të poezisë së saj, pranëvënia e këpucës prej lëkure e të përbaltur, me lëkurën e bardhë të trupit, fillon trolljen e një pete brumi pasi e ka gjetur aperativin e tij poetik:
/përkundte si në djep/ .
Epiteti “të vrarë” i bashkon dhimbshëm të dyja lëkurat, të dyja pamjet e gjasat. Lexuesi tejkohor e ndjen nëntekstin socialestetik në të cilin e përkund djepi i jetës dhe e nënkupton më shumë se sa një dhimbje fizike këtë konstatim. Në jetë s’mbetet njeri pa e vrarë këpuca. Epiteti i dytë përforcues që përshkallëzohet në atributin e mbiemrit “të zezë”, të kujton dhjetra vargje popullore përgjithësuese të rrugëtimit njerëzor të tipit:
/O jetë e zezë, qëndro qëndro/ o zemër zezë, mos u dorëzo!
…ku më shumë se disfata ndihet trimfi e qëndresa gjithëshpirtërore, lartësohet stoicizmi historik i mbijetesës së qënies njerëzore që prej gjeneze.
Nën veshjen e këtij tisi bardhë e zi pas metaforave foljore të së kryerës së thjeshtë / trupi niste përpjetë/, dhe…/unë zhvishja baltën/, foljet “niste”, “zhvishja” që tregojnë një veprim të plotë të së shkuarës, por që bëjnë aktualizimin e përjetimit të ligjërimit poetik tek lexuesi. Me lehtësinë e natyrshmërisë përshkruese në strofën e dytë, vijnë menjëherë përballë dy botë dhe dy gjendje meditative psikologjike:
Ti heshtje…dhe… dy kafshë të vogla…nuk flisnin më/. Një heshtje dyplanshe nënshtruese e përvuajtëse! Në zinxhirin biologjik të jetës njeriu është i justifikuar në veprimin therorizues mbi botën shtazore në emër të instikteve të ekzistencës. Pa harruar flijimin njerëzor me qetësi sublime në botën e miteve olimpike. Por kurrsesi njeriu në përgjithësi e lexuesi në veçanti në epitetin “të therura” nuk mund të jetë indiferent ndaj lidhjes shpirtërore midis këtyrë dy botëve, që dashurohen dhe nuk urrehen a përjashtohen edhe pse rrezikohen prej njëri – tjetrit.

/O, i kam dashur më shumë se ty,
ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.

“Këpucët” detaj realizojnë vetërrëfimin në planin individual e konkretizues, por dhe në planin universial historik e estetik legjendarizues.
Pasthirma ”O” e pasuar me shkallën sipërore ndajfoljore, “më shumë se ty”, e tejkalon momentin relaksues reaskapitës. Ky çast epifanik godet e zbulon domethëniet e fshehura brenda ndjenjave, të cilat e ndryshojnë plotësisht mënyrën e të menduarit të unit. Kjo formë shprehjeje është një lloj arratisje e Natasha Lakos për të shpëtuar nga jeta e vjetër e skllavëruese me dëshirën për të ndërtuar një jetë të re. Ajo është në kërkim, brenda unit për të shtjelluar ide të reja duke kapërcyer ylberin e të gjitha ngjyrave të jetës, që lidhen me shkallët e rritjes së njeriut, nga fëmijëria, adoleshenca e deri tek pjekuria e plakja. Është pikërisht kjo që “Odiseja” vazhdon të lexohet në greqishten homerike dhe të përkthehet në gjuhët moderne në mbarë botën. Pavarësisht se ajo u shkrua apo u mblodh prej aedëve më shumë për t’u dëgjuar se sa për t’u lexuar! … dhe përmban 12.110 rreshta heksametri daktilik. Natasha Lako këtë arratisje në kohë e shpreh nëpërmjet dy vargjeve befasuese me imazhin e tre pranëvënieve:
/Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga një hamëshor i zi/ ka mbetur diçka te ti prej të gjithëve centaurve/.
Ky këndvështrim, pra ecja metonimike e këpucëve kulmon në dualizmin mitik të centuarve kuajve – njerëz. Poezia ka priviligjin e përgjithësimeve të mëdha. Fjala e ngarkesa figurative e saj luan bukur dhe nënteksti flet. Nga një kalë i vjetër e i lodhur, tek një hamshor të zi, i ushqyer e i fortë, i papërmbajtur përballë dy këlyshve të heshtur e të vegjël. Përdorimi i nënvetëdijes në një narracion poetik të tillë është cilësi themelore e modernitetit të letërsisë botërore. “Uliksi”i Xhejms Xhojsit është një sprovë e suksesshme e saj. Edhe tek poezia e Natasha Lakos, realiteti, objekti, veprimi, reflektimi, vijnë prej ndjesive të fshehura në psikikë. Fijet e fjalëve, imazheve dhe nocioneve, të cilat duken kaotike dhe kontradiktore kanë vlerë nominale, e përshkruajnë botën si qenie njerëzore, dhe e perceptojnë dhe interpretojnë atë, jo si të ishte një e “vërtetë jetësore”, por një e “vërtetë poetike” që shërben për të shprehur tjetërsimin e njeriut modern, pas humbjes së iluminizmit dhe sigurisë në progresin njerëzor. Këto karaktere të pikëlluara, Xhojsi dihet se i ka shkëputur jo vetëm nga jeta fizike, por edhe nga jeta shoqërore. Edhe përshkrimi i poetes në këtë plan të duket asocial por është civilizues. Koha e brendshme e përjetimit tek “Tregim për këpucët e përbaltura” shuan hendekun mes kohës kronologjike dhe kohës së brendshme. Në vend që të ndjekë rrjedhën lineare të ndodhive në mënyrë tradicionale, ajo lëshohet në krahët dhe impresionin e unit. Mbyllja me imazhin e një prej rasteve më të mistershme të miteve të vjetra, siç është ajo e Centaurëve, njerëz-kuajve, që besohet se banonin shumë pranë nesh në malet e Arkadisë e Pindit, a thua janë në kërkim të këpucës së Hirushes së bukur të ndëshkuara nga njerka! Pse jo, poezia e proza janë të zgjedhura prej princeshave!

Zhuljeta Grabocka Çina 13 Maj, 2019

Në foto: Natasha Lako

Poezi nga Mahmut Dervish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poezi nga Mahmut Dervish (Palestinë)

 

Për dy duart; gurin dhe temjanin.

Ahmadit, harruar mes dy fluturash.

 

Retë ikën dhe më lanë të pastrehë,

malet hoqën mantelin e tyre për të më mbuluar.

 

…Që nga rrjedha e plagës së vjetër

der‘ në konturet e tokës nga ku unë rrjedh,

vitet shënuan ndarjen e detit nga qytetet që u bënë hi,

dhe unë isha vetëm.

Oh, vetëm?

Përsëri vetëm.

Dhe Ahmadi

mes dy plumbave,

i dëbuari përtej detit.

 

Një kamp rritet dhe u jep jetë luftëtarëve e thimjanit.

Një krah bëhet i fortë në harresë.

Kujtimet vijnë nga trenat e ikur,

nga hekurudhat që janë bosh nga pritjet

dhe nga jaseminat.

 

Në makina,

nëpër dete,

në netët e vetmisë në qelinë e vogël të burgut,

në kërkimin e së vërtetës gjendej zbulimi i vetvetes.

 

Në çdo gjë Ahmadi gjeti të kundërtën e asaj që kërkonte.

Për njëzet vjet ai pyeti.

Për njëzet vjet ai kërkoi.

Për njëzet vjet… ndërkohë që nëna ia dha jetën vetëm në një çast nëpër gjethet e bananeve,

u nda për të kërkuar veten dhe ngeci në vullkan.

 

Retë u larguan dhe më lanë të pastrehë.

Malet hoqën mantelin e tyre për të më mbuluar.

 

– Jam Ahmadi, arabi, – tha ai, – jam plumbat, portokallet dhe kujtimet.

 

Përktheu nga anglishtja: Kleida Peçulaj

( Përkthyen nga arabishtja: Omnia Amin dhe Rick London)

Paul Valéry/Ligjëratë në Pen Club

in Letërsi by

I konsideroj Greqinë dhe Romën si kombe thjesht pak më tepër larg nesh se të tjerët. Homeri është vetëm disa miliona kilometra larg prej këtej. Le ta falim, nga ky shkak, që nuk ndodhet sonte mes nesh.

Paul Valéry/Ligjëratë në Pen Club

… Nuk kisha asnjë dijeni, deri para pak ditësh, për ekzistencën e Pen Klubit. E admiroj këtë takim të mrekullueshëm, ku shoh njerëz të tillë si Galsworthy, Pirandello, Unamuno, Kuprin dhe kaq shkrimtarë nga të gjitha kombet, përmes shumë shkrimtarëve francezë.

Por më lejoni t’ju them se ç’mbresë të çuditshme po provoj sërish, ç’ide e habitshme më vjen në mendje teksa këqyr kuvendin tuaj.
Ky takim më duket gati i pashpjegueshëm. Ka në të diçka paradoksale.
Letërsia është arti i gjuhës, është arti i mjeteve të kuptimit të dyanshëm.
Merret me mend se gjeometrat, ekonomistët, fabrikantët e çdo lloji mund të mblidhen në mënyrë të dobishme, ngaqë ata u janë kushtuar studimeve, janë lidhur me interesa që kanë një objekt të vetëm e identik.
Po shkrimtarët!… Këta njerëz, zanati i të cilëve mbështetet drejtpërsëdrejti në gjuhën e tyre amtare, arti i të cilëve synon të zhvillojë atë çka ndan më qartas – ndoshta më mizorisht – një popull nga një popull tjetër!?… Ç’domethënie ka ky takim i atyre që, në çdo komb, punojnë medoemos për ruajtjen, forcimin, përsosjen e pengesave më të ndjeshme, e dallimeve më të shqueshme e më të qarta që e veçojnë çdo komb nga gjithë kombet e tjerë? Si bëhet vallë i mundur ky takim?
Në këtë pikë, na duhet të thërrasim mrekullinë. Dhe kjo është, natyrisht, një mrekulli dashurie.
Letërsitë e ndryshme kanë rënë në dashuri me njëra-tjetrën. Dhe kjo mrekulli nuk po ndodh sot. Virgjili prirej nga Homeri. Dhe ne, francezët, ç’nuk kemi dashuruar! Italinë me Ronsard-in, Spanjën me Corneille-in, Anglinë me Voltaire-in, Gjermaninë dhe Lindjen e Afërt me Romantikët, Amerikën me Baudelaire-in, dhe, në rrjedhë të shekujve, si dashnore që s’të nginjin kurrë, Greqinë dhe Romën. I konsideroj Greqinë dhe Romën si kombe thjesht pak më tepër larg nesh se të tjerët. Homeri është vetëm disa miliona kilometra larg prej këtej. Le ta falim, nga ky shkak, që nuk ndodhet sonte mes nesh.
Këto letërsi të dashuruara e kanë kërkuar dhe dëshiruar me furi njëra-tjetrën; por dashnorët përqafojnë gjithmonë atë që nuk njohin, e ndoshta nuk do kishte aspak dashuri pa këtë mosnjohje thelbësore që është e vetmja gjë që i jep një çmim të pakufishëm objektit të dashuruar.
Sado shkëlqyeshëm ta njohim një gjuhë të huaj, sado thellë të depërtojmë në intimitetin e një populli që nuk është populli ynë, besoj se është e pamundur të miklojmë veten se perceptokemi gjuhën dhe veprat letrare si të ishim dikush prej atij vendi të huaj. Ka gjithnjë një copëz kuptimi, një kumbim të brishtë a të skajshëm që nuk mund ta kapim dot: nuk mund të jemi kurrë të sigurt për një zotërim tërësor e të pakundërshtueshëm.
Midis këtyre letërsive që përqafohen, mbetet përherë një tis i paprekshëm. Mund ta zvogëlosh atë gjer në pafundësi, ta katandisësh sa një fije, por nuk mund ta këputësh dot. Por, për mrekulli, ledhatimet e këtyre letërsive të padepërtueshme nuk janë më pak pjellore. Përkundrazi, ato janë shumë më pjellore sesa po të kuptoheshin mrekullisht. Keqkuptimi krijues vepron duke formuar një përftim të pacak vlerash të paparashikuara… Shakespeare-i ynë nuk është Shakespeare-i i anglezëve; e madje, Shakespeare-i i Voltaire-it nuk është ai i Victor Hugo-it… Ka njëzet Shakespeare-ë në botë që shumëfishojnë Shakespeare-in e parë, duke shtjelluar kështu thesarë të papritur lavdie.
Ja një rrjedhojë mjaft e admirueshme e mungesës kuptimore…
Por, nga ana tjetër, ja edhe se me çfarë e përligjim ne këtë takim që po më dukej aq i habitshëm qëparë.
Përveç kësaj, atë mund ta këqyrim nga një pikëpamje krejt tjetër që është pa dyshim e një niveli pak më të ngritur.
Një kuvend i tillë shkrimtarësh të të gjitha racave, i mbajtur kësaj here në Paris, ma shpie mendjen tek vetë struktura e Francës. Nuk ka komb në botë më heterogjen se ky yni, e megjithatë ne kemi një unitet të kryer. A nuk është Franca një lloj parafytyre e asaj se si do mund të ishte një Europë e bashkuar?
Më lejoni që, duke e mbyllur, t’ju kujtoj mendimin e një njeriu që e kam admiruar pa cak. Mallarmé-ja, që ju e dini me ç’thellësi i ka parë gjërat e letërsisë, kish krijuar një metafizikë të tërë të artit tonë. Këtë art, ai nuk e shihte thjesht si një argëtim që shkrimtarët i jepnin publikut. Por mendonte me gjithë shpirt se universi nuk mund të ketë tjetër objekt, përveç shprehjes së plotë të vetvetes. Bota, thosh ai, është bërë për të përfunduar në një libër të bukur… Nuk i jepte botës tjetër kuptim dhe mendonte se gjithçka duhet të përfundojë duke u shprehur; të gjithë ata që shprehin, të gjithë ata që rrojnë me rritjen e fuqive të ligjërimit, punojnë në këtë vepër madhore, duke ekzekutuar secili nga një pjesë të vogël…
Ky libër është i të gjitha gjuhëve.
Për këtë libër të bukur po ngre një dolli.

[Nga libri Një mbrëmje me Zotin Test, përkthyer nga Alket Çani]

1 143 144 145 146 147 182
Go to Top