Kur Edda Ciano, bija rebele e Duce-s, u dashurua me një partizan komunist

in A(rt)ktivizëm/Në kohërat e kolerës by

Ashtu si fashizmi kishte këtë lloj shpirti të dyfishtë, këtë qëllim për t’u shfaqur gjithmonë i lavdishëm, viril, i fortë, monumental, ndërsa Italia rrënohej në varfëri dhe më pas në luftëra, ashtu edhe në familjen e Musolinit – si në manualin e familjes borgjeze – kishte një dualizëm midis imazhit publik dhe jetës private.

Shkruar nga: Alice Oliveri

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The Vision

Ka diçka shumë piktoreske dhe kinematografike në atë ç’ka ka mbetur nga jeta e familjes së Benito Mussolini-t. Në të vërtetë, ndoshta mund të thuhet se është pikërisht familja Mussolini, duke filluar me paraardhësin e saj, që supozohet se ka furnizuar me materiale të trashëgimisë gjenetike Bruno Vespa-n, gjë që bën që e gjithë kjo të duket si produkt i imagjinatës së ndonje autori tepër krijues. Përtej implikimeve tragjike dhe katastrofike që fashizmi, si një fenomen historik – ose epifenomen, siç e quajnë disa, ka pasur në Itali, ka një nëndegëzim të intrigës, që është sfondi i ngjarjeve të një periudhe shumë intensive të shekullit të njëzetë.

Në vitet e fundit, pothuajse një shekull pas diktaturës fashiste, kemi bërë gabim që i kemi dhënë kaq shumë hapësirë ​​personazheve si Alessandra Mussolini. Një gruaje që duket se ka zgjedhur përfaqësimin e shpirtit më pak virtuoz italian, si një mision personal, në këtë kombinim interesant të marrëdhënieve me Sofjen Villani Scicolone (aka Sophia Loren) – një tjetër simbol kombëtar, megjithëse për arsye shumë të ndryshme: për t’u mbrojtur dhe hakmarrë për shkak të një karriere muzikore në Japoni, një ambicieje kinematografike të dështuar dhe disa grindjeve në Twitter me Jim Carrey-n në lidhje me pozicionin e kokës së të gjyshit në fund të ditëve të tij.

Por, megjithatë, për sa mund të pëlqehet spektakli i ofruar nga ky shekull i njëzetë i çuditshem nëpërmjet britmave nëpër televizione, është në fakt një grua në familjen Musolini, të cilën ia vlen ta analizojmë për kompleksitetin e figurës së saj emblematike dhe jo për shkak të disa shfaqjeve televizive të turpshme apo posterave kandidues irritues: Edda Ciano, vajza më e madhe e Duce-s, gruaja e ministrit të tij të jashtëm e të besuar; Gian Galeazzo Ciano. Një protagoniste e historisë së fashizmit që përmban ne vete shumë kontradikta, paradokse dhe shtrembërime të atyre njëzet viteve të diktaturës, të cilat megjithëse mbaruan, vazhdojnë ta imbushin të tashmen në mënyra nga më të ndryshmet.

Në foto: Edda Ciano

Në të vërtetë, Edda Mussolini, para se të bëhej Zonja Ciano, duke u martuar me Kontin, të preferuarin dhe tradhëtarin e ardhshëm të Duce-s, kishte treguar që në moshë të hershme një karakter që nuk ishte i pajtueshëm në disa aspekte me skemat dhe imponimet e diktuara nga kreu i familjes – i cili ndërkohë ishte bërë udhëheqës i një kombi të tërë. Nëse nga njëra anë Edda ishte portreti i kësaj ashpërsie dhe përkushtimi të pakorruptueshëm që Musolini dëshironte të përcillte me mënyrën e të folurit dhe mbi të gjitha me menyren e të komanduarit, nga ana tjetër, duke dëgjuar intervistat dhe duke lexuar kujtimet e saj, dalin në pah tipare shumë më të kundërta nga ajo që mund të imagjinohet nga pasardhësja e parë e diktatorit. Një intervistë e gjatë, kryer nga Domenico Olivieri, një mik i vjetër i familjes përgjatë një dekade, midis viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, kur Edda Ciano ishte tashmë në moshe të thyer, tregon detaje interesante rreth familjes Musolini, por mbi të gjitha historinë e kësaj gruaje, që thekson një anë çuditërisht moderne dhe rebele, e cila përplaset shumë me parimet fashiste të ashpërsisë dhe nënshtrimit femëror. Në të vërtetë, Edda ishte një lloj antagonisteje, një natyrë e kundërt e nënës së saj Rachele, e cila mishëroi të gjithë aspektet më tradicionale të feminitetit fashist: amvisë, nënë e devotshme, engjëllushe e ngrohtësisë familjare – edhe pse në realitet edhe në shtëpinë e Musolinit ligjet nuk ishin edhe aq strikte, duke pasur parasysh se Donna Rachele, siç u zbulua nga vajza e saj, Edda e moshuar, gjithashtu kishte një dashnor.

Ashtu si fashizmi kishte këtë lloj shpirti të dyfishtë, këtë qëllim për t’u shfaqur gjithmonë i lavdishëm, viril, i fortë, monumental, ndërsa Italia rrënohej në varfëri dhe më pas në luftëra, ashtu edhe në familjen e Musolinit – si në manualin e familjes borgjeze – kishte një dualizëm midis imazhit publik dhe jetës private. Dualizëm, fytyrë e të cilit u bë Edda; pavarësisht se ishte grua dhe për këtë arsye supozohej të mos ishte e denjë për të pasur role aq të rëndësishme sa ato të një burri, ajo u hodh qysh fëmijë në eksplorime jashtë vendit. Paradoksalisht, pikërisht pasardhësja e parë e njeriut që kujdesej më shumë për konceptin “Itali”, të italianëve dhe të vlerës së atdheut, u rrit mes elefantëve në Indi, duke folur anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe duke frekuentuar ambasadat.

Në foto: Edda Ciano dhe diplomatë të ambasadave të ndryshme. Pekin, Kinë, Viti 1931

Në thelb Edda u rrit si një grua moderne në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke krijuar këtë përzierje të çuditshme të nacionalizmit në kufi te religjionit dhe globalizmit ekstrem. Në mbylljen ideologjike të një misioni politik si ai i fashizmit, forca e kureshtisë dhe diversitetit, që në mënyrë të pashmangshme gjeneron diçka në mendjet e atyre që nuk janë dhe aq budallenj, ashtu siç Edda nuk ishte.

Vajza e madhe e Duce-s nuk u formua vetëm në teprinë dhe diversitetin kulturor, në këtë lloj Erasmus ante litteram shumëvjeçar shtetëror, por ajo gjithashtu ishte e prirur për të bërë sipas kokës së saj; duke luajtur futboll, duke veshur pantallona, ​​duke pirë duhan, duke u bërë një simbol i jetesës jet set. Për martesën e saj, të gjithë në familje kishin dyshimet e tyre, duke pasur parasysh prirjen e saj të dukshme për t’u rebeluar dhe një natyrë jo dhe aq të fortë përshtatjeje me ligjet e ngurta, si ato të kolegjit nga i cili ia kishte mbathur vetëm pas një viti. Njohja me Galeazzo Ciano-n dhe rënia e tyre në dashuri ishte një lloj bekimi nga lart, duke pasur parasysh se më parë Edda kishte shkuar aq larg sa të bënte plane që konsistonin në gjëra të tilla si blerja e një dyqani në Spanjë në zemër të natës vetëm për të blerë një dem, për shembull, apo hera e parë që ra në dashuri me një djale të ri hebre, të cilin, për ironi të fatit, do të ishte pikërisht ajo që do ta shpëtonte nga kampet e përqendrimit. Ishte e qartë se Galeazzo ishte pretendenti i përsosur, si për origjinën e tij fisnike dhe për profesionin e tij – ai ishte ambasador në Vatikan – dhe ndoshta edhe për shkak të asaj pamje të pëlqyeshme që u kombinua mirë me statujën futuriste të Edda-s. Por megjithatë, kjo grua mund të kishte imagjinuar gjithçka, përveç asaj që martesa me Ciano-n do të bëhej qendra e një tragjedie shekspiriane, që do ta përfshinte atë disa vjet më vonë, në muajt e mposhtjes së fashizmit.

Edda Ciano dhe Galeazzo Ciano u martuan më 24 Prill, 1930

Martesa me Ciano-n, përtej interesave politike dhe rrëfimeve të Duce-s që vjen rrotull me brekë nëpër vilën Torlonia, duke festuar për ngjarjen e lumtur dhe shumë të shpresuar, është një tjetër pjesë e historisë private që përmbledh shumë mirë atë dualizëm skizofrenik dhe hipokrit, por edhe themeltar të një lloji të caktuar të frymës borgjeze dhe italike, kuintesencën e fashizmit. Edda dhe Galeazzo, në të vërtetë, përveç faktit që lindën një seri fëmijësh me emra nga të shekullit të njëzetë që duken si të rremë – si Didina dhe Mowgli – kaluan disa vjet së bashku në Kinë, në Ambasadën Italiane, përpara se të ktheheshin në atdhe, por mbi të gjitha përpara se të shkatërroheshin nga lufta dhe dështimet e Duce-s.

Në foto: Edda dhe Galeazzo Ciano

Në Lindjen e Largët, Edda Ciano mësoi një gjë themelore për ekzistencën e saj si grua, diçka që ndoshta deri në atë moment nuk ishte manifestuar aq fort për shkak të karakterit të saj të pavarur; detyrat e një gruaje të mirë, edhe pse ishte vajza e Duce-s, ato duhej të respektoheshin. Dhe Galeazzo nuk kishte asnjë problem ne kultivimin e marrëdhënieve klandestine, ndërsa Edda rrinte mbyllur në shtëpi duke pritur për të, shtatzënë dhe e detyruar të mos merrte pjesë në jetën shoqërore të ambasadave. Por reagimi i Edda-s në këtë fazë të jetës së saj ishte gjithashtu mjaft vendimtar edhe në këtë rast, që nga momenti kur kuptoi se edhe ajo mund – në fshehtësi, por jo shumë – të kultivonte marrëdhënie të llojeve të ndryshme, duke e kthyer martesën në një raport miqësie dhe afeksioni shumë të fortë.

Në foto: Edda Ciano me fëmijët e saj, viti 1940

3162210

Pasi u rikthyen në Itali, Edda dhe Galeazzo nisën një fazë më pak rozë të jetës së tyre, me marrëdhëniet që po konsolidoheshin me Gjermaninë – mbështetur fuqishëm nga Edda, e cila ishte filo-gjermane, ndryshe nga bashkëshorti dhe babai i saj. Me luftën dhe përkushtimin e mëvonshëm të Musolini-t, Galeazzo Ciano mbeti i ngatërruar në atë votim të famshëm misterioz të Këshillit të Madh të 25 Korrikut të vitit 1943, në të cilin Ministri i Jashtëm u pozicionua pro mosbesimit të Duce-s. Sipas Eddës, ky ishte një veprim shumë i keq, naiv dhe kishte për qëllim mbrojtjen e të atit: një zgjedhje që do t’i kushtonte jetën në vitin 1944, kur ai u pushkatua për tradhëti të lartë. Kështu Edda u përfshi në këtë nyje tragjike biografike në të cilën ajo u gjet e ndarë midis të atit dhe bashkëshortit, duke u përpjekur të negocionte jetën e këtij të fundit me një shkëmbim të ditarëve të tij, pastaj duke i sjellë me vone edhe cianur me kërkesë të tij, por duke dështuar edhe në këtë përpjekje vetëvrasëse, pasi Galeazzo vdiq mëngjesin e ardhshëm kur u ekzekutua. Por, pika më e pabesueshme e kthesës në jetën e kësaj gruaje, e cila nuk është aspak rastësore, subjekt i disa veprave kinematografike – interpretuar nga Silvana Mangano dhe Susan Sarandon, sa për të përmendur disa emra – vjen menjëherë pas përfundimit të këtij kapitulli të jetës së saj nën shenjën e fashizmit dhe martesës me Ciano-n.

Në foto: Edda Ciano dhe një nga fëmijët e saj

Pas përfundimit të luftës, Edda u dërgua në burg për dy vjet në ishullin Lipari, duke i shpëtuar kështu fatit që pësoi i ati dhe burri i saj. Në këtë vend kaq të ndryshëm nga skenarët e zakonshëm mondanë dhe qendërzimet politike, në të cilët ajo kishte jetuar deri në atë moment, si një ikonë e stilit dhe model i modernitetit siç ishte, e plasur në një ishull periferik dhe të shkretë, Edda Ciano e gjeti veten duke përjetuar një histori që nëse nëse nuk do të kishte ndodhur vërtet, mund të mendohej se ishte puna e ndonjë skenaristi të Rai-t. Në Lipari, Edda u takua me Leonida Bongiorno-n, një ish-oficer alpin, ish-partizan, komunist, më tej dashnor i vajzës së madhe të Duce-s. Gazetari Marcello Sorgi e nxori këtë histori në dritë, duke shkruar një libër me një titull emblematik: Edda Ciano dhe komunisti, i cili në vetvete mjafton për të kuptuar paradoksin e historisë mes dy të dashuruarve; do të ishte disi sikur në vitet pas mposhtjes së nazizmit të dilte një libër me titull: “Eva Braun dhe çifuti”. Duket me të vërtetë absurde të mendosh se edhe pas një viti nga mbarimi i luftës, nga vdekja e babait dhe burrit, por mbi të gjitha nga rënia e pandalshme e fashizmit dhe nga të gjitha piketat në të cilat bazohet jeta e kësaj gruaje, mund të arrihej një histori dashurie par excellence me armikun. Por në të njëjtën kohë, nuk është aq absurd përfytyrimi po të shohesh më me kujdes në biografinë e Edda-s, e përbërë nga një kontradiktë shumëvjeçare, një kundërshtim i fortë që kundërpozicionon me një dashuri të pakufishme për një baba autoritar si Benito Musolini, ku ai vetë deklaroi se nuk arriti kurre ta zbuste vajzën e tij – dhe se ai vetë kishte një dashnore hebreje: Margherita Sarfatti. Dhe në atë intervistë në të cilën një Edda e moshuar por ende mjaft e kthjellët, zbulon pjesë të papublikuara të historisë së Italise, vajza e Musolinit thotë diçka që i përshtatet mirë historisë së saj dhe asaj të Italisë fashiste; kur Duce ishte varur në Piazzale Loreto, dhuna dhe zemërimi i njerëzve ndaj tij nuk ishte asgjë tjetër veçse manifestimi i një dashurie të madhe e shndërruar në urrejtje. “Urrehet dikush që e kemi dashur aq shumë”, tha Edda Ciano duke iu referuar kufomës së babait të saj të varur, ndoshta duke bërë një referim të pavetëdijshëm në lidhje me historinë e saj.

Unë nuk jam e sigurt nëse kjo grua ishte viktimë e momenteve të paparashikeshme të fatit te vendit ku ajo lindi, nuk e di se çfarë do të kishte bërë nëse do të kishte mundësi ta zgjidhte vetë fatin e saj, natyrisht, as nuk mund të imagjinoj se çfarë do të thotë të gjesh veten si fëmijë e një diktatori të pamëshirshëm si Benito Mussolini. Sigurisht ajo kurrë nuk u prir të mohonte besnikërinë e thellë dhe mbështetjen e saj të pamohueshme për diktaturën fashiste, pavarësisht faktit që gjatë burgosjes në Lipari me letra për të kërkuar amnistine, ajo u zhbalancua në një sërë justifikimesh familjare për veprimtarine e saj gjatë fashizmit. Një gjë është e sigurt; fashizmi, Duce, lufta dhe protagonistët e saj, duhet të qëndrojnë tek ne italianët e sotëm si një gjykim i pakthyeshem përçmues dhe negativ, nuk mund të bëhet asnjë shfajësim, nuk mund të ketë më vend për interpretime, sidomos sot, ndërsa ripërtypjet e tij po bëhen gjithnjë e më shumë të gjalla përmes neofashistëve dhe të ngjashmëve të tyre. Por, për të kuptuar me të vërtetë historinë, duhet të dimë se si ta shohim atë në distancë, me një narracion të saj të pavarur nga gjykimi. Edda Ciano, e cila sigurisht nuk është viktimë e këtij kapitulli të historisë së Italisë, është një nga personazhet që vlen të shikojmë me kujdes, sepse historia e saj mund të na japë elemente shumë të rëndësishëm për të kuptuar të kaluarën, veçanërisht në të gjitha kontradiktat, sforcimet dhe hipokrizitë që qëndrojnë pas diktaturës fashiste, nga e cila ajo mishëron ndoshta anët më tragjike dhe romantike, por edhe më emblematike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top