Poetët e heshtur-Rudolf Dobiaš

in Letërsi by

Rudolf Dobiaš (1934)

Shkrimtar dhe gazetar i shquar sllovak, i njohur për veprat e tij për fëmijë, Dobiaš u arrestua ndërsa ishte ende nxënës i shkollës së mesme në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe u akuzua për veprimtari anti-shtetërore. U dënua me punë të rënë në minierat e uraniumit të Jáchymov-it. Pas lirimit, në vitin 1960 bëri punë të ndryshme ndërsa ndiqte studimet në shkollën e mesme teknike të Bratisllavës. Gjatë viteve 1975-1978 punoi si gazetar, duke bërë emër si autor librash për fëmijë ashtu si edhe për radiodramat, më shumë se tridhjetë prej të cilave ishin për të rinjtë. Në vitin 1987 pranoi të bëjë punën e kujdestarit të një jetimoreje deri në vitin 1989. Pas rënies së komunizmit punoi si gazetar dhe u angazhua në kauzën e ish të burgosurve politikë. Derisa doli në pension ishte kryeredaktori i revistës “Dëshmia” (Svedectvo), botuar nga Konfederata e të Burgosurve Politikë.

Libri më i hershëm i Dobiaš ishte “Dëshmia e tri kryqeve” (Svedectvo troch križov, viti 1993), dëshmi dokumentare e gjyqit të sajuar dhe e vdekjes së tre nxënësve të tij moshatarë në shkollën e mesme të Trenćin-it. Libri i tretë në atë që mund të shihet si cikli i tij politik është “Kambana dhe varre: histori nga hijet”, viti 2000). Ky libër e ka zanafillën në “dimrin më të gjatë” të jetës së tij-në kohën kur u mbajt në izolim në dhomën e hetuesisë të Policisë Shtetërore të Sigurimit. Titulli kumton një tension qendror mes lirikes, të përfaqësuar nga poezia, dhe prozaikes së mbështetur në atë që Dobiaš e shihte si fati tragjik i njerëzve, më së shumti të burgosurit politikë si ai në kampin e Jáchymov-it. Në vitin 2009, botoi një antologji të poezisë sllovake, të krijuar në burg, me titullin: “Poetët pas hekurave”- antologji e poezisë së krijuar në burg).

Poezi e Mosbindjes dhe shpresës

Në veprën e tij “Shtëpia e shkretimit, viti 1991” poeti dhe përkthyesi Janko Silan (1914-1984), prift katolik, boton një letër dërguar një reviste letrare. Po i lejoj vetes të citoj një pjesë, pasi lidhet deri diku me temën e antologjisë së poetëve të burgosur. Ai shkruan: “Në letrën tuaj më tronditi përmendja e poetëve të heshtuar. Ndoshta duhet të theksoj se nga ana juaj, për rastin tim, ka një keqkuptim. Megjithëse unë personalisht nuk jam pjesë e poetëve të heshtuar, kam nderin t’ju tregoj se deri tani ka qenë dhe është fati im të jem një poet i heshtuar (i censuruar).” Një fat të ngjashëm pati edhe një poet tjetër katolik: Ján Motulok (b.1920).

Kishte më shumë poetë dhe shkrimtarë të heshtuar gjatë viteve 1945 -1989. Shumë prej tyre emigruan pas Luftës së Dytë Botërore ose pas vendosjes së regjimit komunist në vitin 1948. Kjo është temë për studiues të tjerë. Qëllimi im është t’i paraqes poetët që gjatë së njëjtës periudhe kaluan ditë, muaj dhe vite të jetëve të tyre prapa hekurave dhe telave me gjemba në kampet e përqendrimit. Për orientim më të lehtë kohor në antologjinë e poetëve që shkruan në burg janë përfshirë ata që vuajtën vitet e shtypjes gjatë vieteve 1948-1989, vitet e zbatimit të teknologjisë mizore staliniste të pushtetit, vitet e kultit të personalitetit dhe realizmit socialist. Ata krijuan fshehurazi poezi në burgje dhe kampet e punës. Kampet kishin një përparësi: në miniera në të cilat të burgosurit nxirrnin mineral, punonte gjithashtu edhe personel civil. Disa prej tyre, duke rrezikuar vendin e punës, dhe madje edhe arrestimin dhe gjyqin për veprime të kundërligjshme me të dënuarit, i ndihmuan të burgosurit politikë aq sa mundën. Ata nxorën jashtë letra dhe gjithashtu edhe poezi. Autorët e këtyre teksteve mbushin një hapësirë të bardhë në hartën e poezisë sllovake dhe pohojnë pjesëmarrjen e tyre në betejën për liri.

 Letër e padërguar

 Vetëm në një qeli të ftohtë me kryqin tim

dhe kaq larg nga parajsa,

Shkrova për të shtëpisë: jam goxha mirë

Dhe s’kam kam nevojë për asgjë.

 

Ngaqë  rojet e mia më ruajnë me kaq vigjilencë

S’kam pse të kem frikë për veten.

E di se mulliri i Perëndisë po më thërrmon

dhe do të më kthejë në bukë.

 

Zjarrmia që ma djeg trupin

është shenjë hyjnore,

dhe muret e bardha të pastra

lavdërojnë Perëndinë me pastërtinë e tyre.

 

Me të vërtetë, mamush. Jam goxha  mirë,

Përveçse trishtohem që jam pa ty.

 

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Gruas-Shpëtim Selmani

Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke
Go to Top