Author

Admin - page 146

Admin has 1863 articles published.

Kronikë për zgjedhjet-Frederik Rreshpja

in Letërsi by

Kronikë për zgjedhjet-Frederik Rreshpja

 

Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.

 

Nga fshati kundruall dolën pleqtë,

rendën pas shpitrave që silleshin në ajër

drejt Kashtës së Kumtrit.

 

Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA

Mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.

Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,

të lira dhe korrekte. Ashtu dhe TV-të.

 

Pastaj lanë gjakun

Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja.

 

Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar!

 

Hetimi i të mirit-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Hetimi i të mirit-Bertolt Brecht

 

Dil para: kemi dëgjuar

Se ti na qenke njeri i mirë

Se nuk mund të blihesh, por as rrufeja

Që bie mbi shtëpi

Nuk mund të blihet.

Ti nuk e shkelke fjalën që jep.

Por çfarë the?

Na qenke i ndershëm, thua mendimin tënd.

E çfarë mendimi?

Na qenke trim.

Përballë kujt?

Na qenke i zgjuar.

Për kë?

Nuk i marrke parasysh avantazhet e tua personale.

Avantazhet e kujt pra do të marrësh parasysh?

Na qenke mik i mirë.

A je aq mik i mirë për njerëzit e mirë?

Na dëgjo pra: ne e dimë

Ti je hasmi ynë. Prandaj ne tani

Do të të vëmë ballë një muri. Por në konsideratë të meritave dhe cilësive të mira që ke

Do të të vëmë ballë një muri të mirë dhe do të qëllojmë

Me një plumb të mirë nga një pushkë e mirë dhe do të të mbulojmë

Me një lopatë të mirë, në dheun e mirë.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

FËMIJËT E EPOKËS-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FËMIJËT E EPOKËS-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

Ne jemi fëmijët e epokës,
epoka është politike.

Të gjitha të tuat, tonat, tuajat
aktivitete të përditshme a të përnatshme
janë aktivitete politike.

Do apo s’do
genet e tu kanë një të kaluar politike
lëkura jote një ngjyrë politike
sytë e tu një aspekt politik.

Fjalët e tua kanë një jehonë
heshtjet e tua një domethënie
sidoqoftë politike.

Edhe nëpër fusha dhe pyje
ti bën hapa politikë
mbi një bazë politike.

Dhe politike janë edhe poezitë apolitike,
atje lart ndiçon hëna
që nuk është më një objekt hënor.
Të jesh a të mos jesh, është çështja.
Çfarë çështje?, përgjigju mik i dashur.
Një çështje politike.

Ti madje s’ke as nevojë të jesh njeri
për të fituar rëndësi politike.
Të mjafton të jesh naftë,
prodhim i ushqyeshëm apo edhe lëndë e riciklueshme.

Qoftë edhe një tryezë negociatash
për formën e së cilës kanë debatuar me muaj:
në ç’tryezë, rrumbullake apo katrore,
duhet të diskutojmë për jetën dhe vdekjen?

Ndërkohë njerëzit vdisnin,
kafshët ngordhnin,
shtëpitë digjeshin
dhe fushat mbusheshin me driza
si në epokat e qëmotshme
dhe më pak politike.

 Përktheu: Alket Çani

Për thelbin e letërsisë-Erlind Sulko

in Letërsi by

Erlind Sulko

Është e çuditshme që mendimi kritik në Europë ka lindur me një vetëmohim të vetvetes. Me mendim kritik dua të them një trajtë mendimi që ka për qëllim të përhershëm kundërshtimin. Kjo trajtë në Europë lindi me Sokratin, pasi ai kudo që shkonte kundërshtonte gjithkënd, edhe vetë e pranoi se e vetmja gjë që di është që nuk di asgjë. Kjo është vetvrasja e kritikës: ajo nuk shpall asgjë.

Tek bashkëbisedimi Phadrus shohim se si Sokrati e quan vetë shkrimin një gjë të vdekur, të pamundur për të biseduar me tjetrin. Ndërkohë, tek bashkëbisedimi Phaedo, Sokrati thotë shprehjen e tij të mirënjohur: Të filozofosh do të thotë të mësosh se si të vdesësh. Të mendosh do të thotë të përjashtosh veten nga gjithçka, të ndahesh nga bota, të harrosh vetë nevojat e trupit tënd. Në këtë kuptim, mendimi dhe shkrimi, sipas Sokratit, është në kundërshtim me jetën.

E përmend këtë qasje të Sokratit ndaj mendimit, pasi e vërej këtë gjë edhe tek një ligjërim i Kadaresë në forumin e letërsisë botërore në Munih, më 22 Mars, 1999. Në këtë ligjërim, Kadareja e lidh letërsinë me dy gjëra: kundërshtimin dhe vdekjen. Kadareja shprehet se “negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë”. Më pas Kadareja thotë se letërsia ka lindur si një rikujtim i një udhëtimi të shkuar. Vetë ky rikujtim rrëfehet kur ngjarja ka vdekur, rrëfyer nga një njeri matanë ngjarjes dhe jetës. Si e tillë, letërsia është si rrëfimi i një të vdekuri për diçka të vdekur.

Pavarësisht vlerësimit që kam për veprat e Kadaresë, mendoj se ai këtu është gabim. Letërsia shkruhet nga ana e jetës dhe jo nga ana e vdekjes. Me këtë dua të them se letërsia është një tejkalim i përballjes me vdekjen nëpërmjet rrëfimit. Pa dashur të përsëris veten, po i referohem këtu një shkrimi të mëparshëm:”Ka diçka të çuditshme në këtë nevojë për të rrëfyer, në këtë nevojë për ta rikrijuar botën nëpërmjet gjuhës, në këtë shtysë për ta marrë botën fizike të përkohshme e përherë ndryshuese, dhe për ta ritrajtësuar në një botë të pavdekshme dhe të pandryshueshme letrare. Ne nuk e lëmë dot të shkuarën të zhduket, të vdekurit të mbyten përgjithmonë në detin e harresës, ne nuk kemi fuqinë t’i braktisim përjetësisht miqtë, armiqtë, qytetet, vendet, vegimet, botën tonë të brendshme e të jashtme. Ne nuk mund ta pranojmë dot që gjithçka që ne kemi përjetuar dhe kemi dashur të përjetojmë të shuhet krejtësisht. Të asgjësohet. Të shfaroset për mos u rikthyer më kurrë. Këtë gjë ne nuk kemi fuqinë ta pranojmë dot. Prandaj, dhe e ringjallim nëpërmjet gjuhës atë që ne duam të mbijetojë, atë që ne nuk mund ta lëmë të mbytet përjetësisht në rrjedhën gllabëruese të kohës.”Letërsia nuk është rrëfimi i një të vdekuri, por i një të gjalli, për mos ‘ti lënë gjërat të vdesin.”

Si rrjedhojë, letërsia është thelbësisht një pohim, – e jo, siç shprehet Kadareja, një mohim. Letërsia e mirëfilltë synon trajtëzimin e përjetësisë: thelbin dhe formën e jetës. Këtë trajtë të përjetësisë shpall udhëtimi i Gilgameshit, Odiseut apo i Don Kishotit. Letërsia ka për detyrë të shpallë, jo të kritikoj, – megjithëse shpallje të ndryshme mund të përplasen apo të mospërputhen me njëra-tjetrën.

Letërsia e mirëfilltë, ndryshe nga ç’mendon Bodleri apo Kadareja, nuk ka asgjë të përbashkët me dredhirat e Djallit. Dredhirat e Djallit lidhen me retorikën, propagandën dhe tundimin. Zanafilla e letërsia së mirëfilltë është cekja e përkohshme e përjetësisë: e krahasueshme vetëm me ardhjen e paparashikueshme të një ëngjëlli hyjnor.

Një poezi për gjyshin-Shpëtim Selmani

in Letërsi by

Një poezi për Gjyshin-Shpëtim Selmani

 

Pak vite pas martesës

E humbi njërin djalë.

 

Disa vite më vonë e

Humbi gruan e tij të bukur.

 

Më pas e humbi babin epik

Që ngrohte kockat në diell.

 

Pastaj humbi vëllaun e

Vogël përrallor.

 

Këto ditë e humbi

Djalin e tij të madh.

 

Tani gjyshi im fantastik përpiqet

Që t’i shpëtojë jetërat e pulave të tij,

nga një epidemi.

 

Gjyshi me antibiotik në duar,

që i dha Zotit të tij,

kaq shumë.

Pippi Çorapegjata, seria për fëmijë e viteve 80-të që u krijua kur u sëmur vajza e shkrimtares Astrid Lindgren

in Kinema/Letërsi by

Shkrimtarja u bë shkak për rënien e qeverisë social-demokrate pas 44 vitesh

E pazakontë, nganjëherë e pasjellshme, me fuqi të mbinatyrshme, prenka në fytyrë, gërsheta të kuqe dhe çorape të gjata të ndryshme. Pipi u bë heroina e preferuar e fëmijëve që admironin mirësinë, guximin, pavarësinë dhe vetë-besimin e saj.

Pipi mbronte fëmijët e pafuqishëm, urrente sjelljen korrekte, ironizonte policët, kishte përgjigje për të gjitha vërejtjet e të rriturve, dinte si të kujdesej për veten dhe se si ta kthente çdo punë të mërzitshme në lojë. Mamaja e saj “e shihte nga qielli”, ndërsa babai i saj, detar, kishte humbur në det, por nuk u mbyt.

Pipi besonte se kishte mbijetuar dhe ndodhej në një ishull si mbret i indigjenëve. 9 vjeçarja xanxare, e cila jetonte vetëm në vilën Vilekula me një majmun dhe një kalë, frymëzoi shkrimtaren suedeze Astrid Lindgren, kur vajza e saj e vogël u sëmur dhe i kërkoi të improvizojë një histori për fëmijë.


Lindgren pasuroi karakterin dhe qarkulloi një seri librash të cilat më vonë u transferuan në televizion. Tre librat e parë qarkulluan nga viti 1945 deri në vitin 1948. gjashtë të tjerë ndërmjet viteve 1969 dhe 1975. Të gjithë janë përkthyer në më shumë se 60 gjuhë. Lindgren shkroi duke u bazuar në kujtimet e saj fëminore. Pipi nuk ishte libri i vetëm për fëmijë i saj. Të gjithë heronjtë – fëmijë kundërshtojnë autoritetin e të rriturve.

Lindgren u bë veçanërisht e njohur në vend dhe lexuesit në mbarë botën ndërsa janë shitur më shumë se 145 milionë kopje të librave të saj. U lind në vitin 1907 në Suedi dhe vdiq në vitin 2002. Kur mbaroi shkollën, punoi në gazetën lokale të qytetit, ku u rrit. Në vitin 1926 mbeti shtatzënë nga kryeredaktori saj, por kur i propozoi të martohen Lindgren refuzoi. U zhvendos në Stokholm, ku ndiqte kurse për daktilografi dhe stenografi. Lindi djalin e saj, Lars në Kopenhagen dhe e dha në familje kujdestare. Pará nuk kishte por mblidhte sa mundej dhe udhëtonte sa më shpesh në Kopenhagen për t’u gjendur afër me Lars. Si përfundim, arriti ta marrë në Suedi, duke e lënë tek prindërit e saj deri sa të kishte mundësi ekonomike për ta rritur në Stokholm. Në vitin 1931 ajo u martua me punëdhënësin e saj, Stoure Lindgren. Tre vite më vonë, në vitin 1934, Astrid lindi fëmijën e dytë, Karin, për hir të së cilës u frymëzua për Pipin. Familja u shpërngul në vitin 1941 në një apartament në Stokholm, ku Lindgren jetoi deri në fund të jetës. Punoi si gazetare dhe sekretare para se t’u kushtohej krejtësisht shkrimit të librave.
Në vitin 1976 shpërtheu në Suedi një skandal financiar me protagoniste Lindgren, që mbërriti deri në parlament. U zbulua se norma e tatimit të saj kishte arritur 102%, pra duhej të paguante tatim më shumë se të ardhurat e saj. Historinë e përshkroi vetë në gazetën Expressen dhe menjëherë shpërtheu konfrontim midis qeverisë dhe opozitës për sistemin e taksave. Në zgjedhjet e atij viti socialdemokratët u dëbuan nga qeveria pas 44 vitesh. Lindgren megjithatë mbeti mbështetëse e partisë për pjesën tjetër të jetës së saj.


Përveç veprës letrare Astrid Lindgren u bë e njohur për mbështetjen e saj për të drejtat e fëmijëve dhe të kafshëve, si dhe kundërshtimin e saj ndaj çdo forme ndëshkimi trupor. Dorëshkrimet e saj gjenden në Bibliotekën Mbretërore në Stokholm. Në vitin 2005, koleksioni hyri në katalogun e “Trashëgimisë Botërore” të UNESCO-s. Suedezët e nderuan me monumente, statuja, muze dhe park tematik.

Përktheu: Shpendi Shakaj 

Ardhja e Hyut II-Erlind Sulko

in Letërsi/Tharm by

Ardhja e Hyut-Erlind Sulko

II

Era i rrëzoi qetësisht lulet e qershisë.

Trotuaret janë mbushur me petale rozë

qytetesh, miqsh dhe dashurish të vdekura.

E merr një petal dhe e shtrëngon fort

Dhe kujtimet të treten nëpër gishtërinj.

Zbrazëtia bëhet më e rënde se qenia,

udhëtimet të lodhin.

Kudo që shkel, të ndjek, të mbyt e shkuara.

E ke të vështirë të kundrosh 

pafundësinë përballë.

Sytë vështrojnë atë që s’është.

Të drithërojnë mendimet.

Gjithë trupi yt e kupton se gjithësia 

është një shfaqje zhdukjesh të vazhdueshme.

Asgjë nuk ngelet,

veç dashurisë për të pamundurën,

ardhjes së shkatërrimit hyjnor.

Ajo vetëm thellohet.

 

SHPRESOJ TË SHËROHEM PREJ TEJE-JAIME SABINES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JAIME SABINES

(Meksikë, 1926-1999)

Për disa ditë, shpresoj të shërohem prej teje. Duhet mos të të frymoj më, mos të të tymos më, mos të të mendoj më. Është e mundur. Nëse zbatoj rekomandimet e moralit të radhës. Receta është kohë, dorëheqje, vetmi.
Si thua nëse të dua vetëm një javë, jo më shumë? Nuk është as shumë e as pak, është mjaftueshëm. Për një javë mund t’i grumbulloj gjithë fjalët e dashurisë që janë shqiptuar mbi tokë dhe t’u vë zjarrin. Me atë flakadan dashurie të përvëluar, do të të ngroh. Mund të grumbulloj gjithashtu dhe heshtjen. Sepse fjalët më të bukura të dashurisë gjenden mes dy njerëzve që heshtin mes njeri-tjetrit.
Duhet djegur, gjithashtu, edhe ajo gjuha tjetër paralele dhe shastisëse e atij që dashuron. (Ti e di se të them të dua, kur të them: “ç’vapë që bën”, “më jep pak ujë”, “mund të ngasësh?”, “u bë natë”… Mes njerëzve, mënjanë njerëzve të tu dhe të mi, të kam thënë “u bë vonë”, dhe ti e dije që po të thosha “të dua”).
Edhe një javë për ta grumbulluar tërë dashurinë e kohës. Për të ta falur. Që me të, të bësh ç’të duash: ta ruash, ta ledhatosh, ta flakësh në plehra. Është e kotë, vërtet. Dua vetëm një javë që t’i kuptoj gjërat. Pasi e gjithë kjo është njësoj sikur të jesh duke dalë nga një çmendinë për të hyrë në një varrezë.

Përktheu: Erion Karabolli

FUND DHE FILLIM-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FUND DHE FILLIM-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Mbas çdo lufte
duhet që dikush të pastrojë.
Sepse sadopak rregull
nuk mund të vihet vetvetiu.

Duhet që dikush të shtyjë gërmadhat
deri në anë të rrugëve,
që të mund të kalojnë
qerret me kufoma.

Duhet që dikush të zhytet
në kërrlë e në hirna,
në sustat e kanapeve,
në ciflat e xhamit
dhe zhelet e përgjakura.

Duhet që dikush të mbartë traun
që do mbajë murin.
Dikush duhet të zëvendësojë xhamin
dhe të futë dyert në mentesha.

E gjitha kjo nuk është fotozhenike
dhe zgjat me vjet.
Të gjitha kamerat tashmë janë nisur
drejt një lufte tjetër.

Duhen përsëri
ura dhe stacione.
Mëngët do jenë bërë fërtele
nga të përveshurit.

Dikujt, me një fshesë në dorë,
i kujtohet ende si ishte.
Dikush tjetër dëgjon
duke bërë “po” me kokën që e ka akoma.
Por krejt pranë këtyre të dyve
zënë të shfaqen ca të tjerë
që nga këto histori bezdisen.

Herë-herë dikush tjetër
zhvarros që poshtë një gëmushe
argumente të gërryer nga ndryshku
dhe i hedh mbi një pirg mbeturinash.

Ata që e dinë
Përse-në dhe si-në
së shpejti do t’u lënë vendin
atyre që nuk dinë edhe aq.
Pastaj atyre që dinë akoma më pak.
Dhe, së fundi, asgjë.

Në barin që do mbulojë
shkaqet dhe pasojat
duhet që dikush të shtrihet
dhe me një kalli mes dhëmbëve
të vështrojë retë.

 

Përktheu: Alket Çani

Deleuze për Kafka-n

in Letërsi by

Deleuze për Kafka-n

1.”Letër babait”.
Ka një keqkuptim të madh të psikaanalizës rreth saj. Qëllimi i saj është të arrihet një zmadhim i fotos, një zmadhim që të shkojë gjer në absurd. Fotoja e babait, e tejmasëshme, do të projektohet mbi hartën gjeografike, historike dhe politike të botës, për të mbuluar rajone të gjera… kemi një edipianizim të universit… Pra s’bëhet fjalë për një tragjedi, por për një komedi.

2.”Metamorfoza”
Gregor Zamsa bëhet kandërr jo vetëm për t’i shpëtuar babait, por për të gjetur një rrugëdalje aty ku babai s’ka mundur ta gjejë, për t’i ikur administratorëve, tregëtisë, burokratëve.
Në fund e motra pranon: ajo kërkon si Gregori inçestin skizo, inçestin me lidhje të fortë, inçestin me vëllanë, inçest që i kindërvihet inçestit edipian, inçest që dëshmon për një seksualitet jonjerëzor, një seksualitet siç bëjnë kafshët

3.”Procesi”
Në fillim të gjyqit kemi një trekëndësh të përcaktuar mjaft mirë. Por më tej asistojmë në një shumim të brendshëm, si në një invazion kanceroz, mpleksje të zyrave dhe zyrtarëve, hierarki e pafundme dhe e pakapshme, ndotje të hapësirave të dyshimta (në mënyra krejt të tjera nga ato që gjenden edhe tek Prousti, ku uniteti i personazheve dhe figurave që ata krijojnë ua lë vendin nebulozave, tërësive flu të shumuara).

4.Letrat e Kafka-s
Në letrat e Kafka-s ka një rrjetë, një pëlhurë merimange. Ka një vampirizëm tek letrat, një vampirizëm epistolar. Drakula, vegjetariani, agjëruesi që thith gjakun e humanëve mishngrënës, tek kështjella që s’është larg… Letrat duhet t’i sjellin gjak dhe gjaku i jep forcë krijuese. Një fluks letrash dhe një fluks gjaku. Që në takimin e parë me Felicen, Kafka, vegjetarian, është i tërhequr nga krahët e saj muskulozë, i frikur nga dhëmbët e saj kataroshë. Feliceja ka ndjesinë e një rreziku, është e bindur se është një mëllë për t’u ngrënë…

Përktheu: Balil Gjini

1 144 145 146 147 148 187
Go to Top