Si i financoi dhe mashtroi CIA shkrimtarët më të mirë të viteve 900/Giuseppe Porrovecchio

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Në kohërat e kolerës by

Ishte Kongresi për Liritë Kulturore, i cili në vitin 1963, me urdhër të CIA-s organizoi një fushatë sekrete kundër Pablo Nerudës, në mënyrë që ai të mos ta merrte Çmimin Nobel (dhënë më vonë në vitin 1971) dhe kundër Alberto Moravia-s, pasi të dy këto personalitete ishin shprehur publikisht në favor të njëfarë vlere të regjimit socialist.

 Giuseppe Porrovecchio

Kur në vitin 1958, Akademia e Suedisë i dha Çmimin Nobel për Letërsi shkrimtarit Boris Pasternak, për meritat në fushën e poezisë moderne dhe për kontributin në traditën e madhe të romanit rus, me publikimin e “Doktor Zhivago-s”, autori u përgjigj me një notë në të cilin shkruhej: “Pafundësisht mirënjohës, i prekur, krenar, i habitur, në siklet,” por më është e pamundur ta pranoj çmimin.

Në të vërtetë autoritetet ruse mbanin peng gruan që ai dashuronte; Olga Ivinskaja. Pasternak-u kishte qenë mjaft i shkujdesur, duke hapur kështu rrugën e një serie të tërë antisovietike, të kurorëzuar si “Arqipelagu Gulag”, një sagë hetimesh, shkruar midis viteve 1958 dhe 1968 nga Aleksandr Solženicyn për sistemin e punës së detyruar në Bashkimin Sovjetik.

Ishin vitet e Luftës së Ftohtë, të shenjuara nga kundërvënia politike, ideologjike dhe ushtarake midis dy potencialeve kryesore të fituesve të pasluftës; Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. Evropa ishte ndarë në zona influence, ishin formuara Blloqet Ndërkombëtare, armiqësore, të quajtur zakonisht si “Perëndimi” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatët e NATO-s dhe vendet e miqve) dhe Lindja ose “Blloku Komunist” (Bashkimi Sovietik, Pakti i Varshavës dhe vendet aleate).

Thuhet se për të patur romanin “Doktor Zhivago”, në gjuhën origjinale – si kërkese nga Akademia e Suedisë për ta listuar si kandidat për Çmimin Nobel – në një klimë të tensionuar, u desh të ndërhyjë CIA, agjencia e famshme e spiunazhit të SHBA-së .

Kur mësuan për romanin, Seksionet Ruse të Inteligjencës i kuptuan shumë mirë përfitimet politike të mundshme që do të vinin prej publikimit të një vepre të ndaluar në atdhe.

U zbulua avioni me të cilin udhëtonte pasagjeri të cilit Pasternak-u i kishte dorëzuar një kopje të dorëshkrimit për t’ia dhënë botuesit italian Feltrinelli. Piloti bëri ulje të detyruar në Maltë. U boshatis avioni dhe agjentët e CIA-s morën valixhen me romanin, fotografuan çdo faqe dhe e rivendosën valixhen sërish atje ku  kishte qenë.

Agjencia Qëndrore e Inteligjencës kishte një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj beteje kulturore, që në bashkëkohësi me veprimet ushtarake, shihte kundërvënien midis dy ideologjive të mëdha politiko-ekonomike; demokracisë-kapitaliste nga njëra anë dhe totalitarizmit-komunist nga ana tjetër.

Sipas një raporti të hollësishëm të “Lufta Kulturore e Ftohtë- CIA, bota e letërsisë dhe e artit” të Frances Stonor Saunders, gazetare dhe historiane britanike, ndërhyrja e Agjencisë Sekrete Amerikane në luftën kundër komunizmit, konsistoi në krijimin e një rrjeti të fuqishëm financimi të eksponentëve të shquar dhe organeve të kulturës evropiane dhe amerikane.

Që prej vitit 1947, CIA krijoi një “konsorcium” për të formuar një rrjet të inteligjencës dhe strategjive të politikës, ku edhe të mund të përdorte aparaturat e korporatave, ashtu si edhe lidhjet e vjetra të Universiteteve Ivy League. Qëllimi ishte shpëtimi i botës nga kontaminimi i komunizmit dhe favorizimi i interesave të politikës së jashtme të SHBA-së, duke promovuar idealin e Shekullit Amerikan. Termi ishte krijuar nga Henry R. Luce, botues i “Time”, në një artikull të botuar për herë të parë në revistën “Life” në vitin 1941, ku përshkruante atë që ai mendonte se duhej të kishte qenë roli i Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit të njëzetë. Sipas fjalëve të tij, demokracia dhe idealet e tjera amerikane “do të bëjnë punën e tyre misterioze të ngritjes së jetës së njerëzimit nga niveli i kafshëve tek ajo që në psalme përcaktohet si diçka pak më poshtë se engjëjt. Vetëm falë Amerikës mund të rilindë bota në të gjithe vitalitetin e saj”.

Në mënyrë të vetëdijshme ose jo, në Evropën e pasluftës ishin të paktë shkrimtarët, gazetarët, poetët, artistët, historianët, shkencëtarët dhe kritikët, të cilët nuk kishin lidhje me këtë aktivitet sekret. Në emër të lirisë së shprehjes, Shërbimet e Inteligjencës Amerikane kryen në të gjithë botën një seri operacionesh për të cilat janë financuar shumë fonde, duke bashkuar një arsenal të gjerë armësh kulturore si; revista, libra, ngjarje, seminare, shfaqje, koncerte dhe çmime. “Paketa”, kështu u quajt programi sekret që u bazua në Kongresin për Lirinë e Kulturës, themeluar në vitin 1950, në Paris. Në momentin e shkëlqimit të tij më të madh, Kongresi arriti të ketë degë në 35 vende. Ishte Kongresi për Liritë Kulturore, i cili në vitin 1963, me urdhër të CIA-s organizoi një fushatë sekrete kundër Pablo Nerudës, në mënyrë që ai të mos ta merrte Çmimin Nobel (dhënë më vonë në vitin 1971) dhe kundër Alberto Moravia-s, pasi të dy këto personalitete ishin shprehur publikisht në favor të njëfarë vlere të regjimit socialist.

Me blerjen e një numri të madh kopjesh për t’i shpërndarë falas, Kongresi mbështeti publikimin e shumë revistave të letërsisë dhe politikës së epokës, si “The Encounter”, midis kryesoreve, me seli në Londër, dhe pastaj “Preuves” në Francë, “Forum” në Austri, “Quadrant” në Australi, “Jiyu” në Japoni. “Cuadernos”-në Amerikën Latine revista titullohej “Bota e re”, në të cilën mes të tjerëve shkruan edhe Gabriel Garcia Marquez-i, i cili publikoi kapitullin e dytë të romanit “100 vjet vetmi”, ndërkohë që ende mik i Fidel Kastro-s, refuzoi të vazhdonte bashkëpunimin kur zbuloi se fondet vinin nga CIA.

Në Itali, spikaste “Tempo Presente”, konceptuar në vitin 1956 nga Ignazio Silone – i zhgënjyer nga aktiviteti me politikën – dhe intelektualin Nicola Chiaromonte. Bashke me ta ishin Bertrand Russell, Arthur Koestler, Raymond Aron, Benedetto Croce dhe Karl Jaspers. Indeksi i revistës përmbante një tregim të Albert Camus; “Le Parrochie di Regalpetra” nga Leonardo Sciascia, disa shënime mbi romanin e Alberto Moravi-së, dhe më tej artikuj nga Isaia Berlin dhe Gustaë Herling. Revista vazhdoi së koleksionuari nënshkrime nga Sergio Quinzio e Robert Penn Warren, nga Borges a Pasternak dhe Czeslaw Milosz, autor i një letre toksike ne lidhje me Einstein-in dhe Komunistët – deri në vitin 1967, kur Silone dhe Chiaromonte zbuluan se të hollat që financoheshin për mbijetesën e revistës vinin prej CIA-s. Të dy u tërhoqën dhe e ndërprenë menjëherë aktivitetin e publikimeve.

Për të kontrastuar përkujtesën e komunizmit dhe rritjen e peshës së zgjedhjeve të të majtave, CIA nuk u kufizua vetëm në veprime editoriale: ajo promovoi për shembull edhe muzikën, për të cilën spikatën festivale si “Kryeveprat e shekullit të njëzetë”, në Paris në vitin 1952 – ku u ftuan muzikantë dhe kompozitorë të mëdhenj kontemporanë, duke nisur nga Igor Stravisnkij – ture të shkëlqyera dhe triumfale të Orkestrës Simfonike të Bostonit në kryeqytetet e Evropës dhe Konferencën Ndërkombëtare të Muzikës të shekullit të njëzetë në muajin Prill të vitit 1954. Iu dha një shtysë edhe pikturës me një seri mostrash të Ekspresionzmit Abstrakt Amerikan në bashkëpunim me Muzeun Modern të Artit në New York, që promovuan me dekada të tëra pikturat e Pollock-ut, Gorky-t, Motherwell-it, të cilët u bënë yjet e galerive evropiane.

Në të vërtetë, për shkak të natyrës së tij subjektive dhe pa përmbajtje narrative, Ekspresionizmi Abstrakt ishte më i përshtatshmi për të kundërshtuar ashpërsinë e realistëve sovjetikë. Shumë më tepër e vështirë do të ishte të propagandoje Artin Pop, i cili, përkundrazi, u propozua si pasqyra e shoqërise amerikane nëpërmjet simboleve të saj; dollarit, flamurit amerikan ose nëpërmjet riprodhimit serigrafik të kutive të supës Campbell.

Në të njëjtën periudhë, Partia Komuniste Sovjetike ndërmori ​​një fushatë brutale kundër pikturës moderne, të quajtur si art i degjeneruar – siç ndodhi në Gjermaninë e Hitlerit – dekadente dhe neveritshmërisht borgjeze.

“Moska ato kohë ishte shumë mizore në denoncimin e gjithçkaje që nuk përputhej me skemat e saj të ngurta. Arsyetimi ishte se çdo gjë që ata kritikuan aq shumë, në një mënyrë apo në një tjetër ishte e vlefshme që të mbështetej”, tha Donald Jameson, ish-agjent i CIA-s, në një shkrim të botuar në vitin 1995.

“Donim të ribashkonim të gjithë shkrimtarët, muzikantët e artistët, për të demonstruar që Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të dhënë pas  lirisë së shtypit dhe realizimit intelektual, pa asnjë barrierë mbi atë që duhej shkruar, thënë, bërë apo vizatuar, ajo që po ndodhte realisht në Bashkimin Sovjetik. Mendoj se kjo ishte ndarja më e rëndësishme e Agjencisë dhe se ajo luajti një rol themelor në Luftën e Ftohtë.” Por skandali shpërtheu shumë më herët, në vitin 1967, kur në faqet e “Il Post” një tjetër ish-militant, Thomas W. Braden, pranoi të ketë qenë pjesë e organizatës dhe projektit për propagandë kulturore dhe mbi te gjitha dëshmoi të mos kishte asnjë brerje ndërgjegjeje në lidhje me këtë.

Patronazhi i CIA-s nuk duket aq ndryshe nga ai i lordëve të Rilindjes dhe Kishës. “La Cappella Sistina”, “Eneida” dhe “Orlando Furioso” janë kryevepra të njerëzimit, por janë gjithashtu vepra të dobishme për një “politikë” të sipërfaqshme, që ekzalton një pushtet në krahasim me një tjetër. Ashtu siç shpjegon studiuesja Frances Stonor Saunders në një konferencë, shumë nga artistët e përfshirë nuk ishin në dijeni të faktit se fondet e revistave kishin ardhur nga CIA. Çdo emër zgjidhej nga të gjithë redaktorët, mbi bazën e afinitetit politik, në mënyrë që shkrimtarët dhe gazetarët të ndiheshin të lirë të shkruanin pa ndjesinë e censurës, dhe agjencia mund të përdorte sa më pak të mundte të drejtën e vetos të cilën gëzonte.

Joel Whitney, themeluesi i revistës “Guernica”, në një intervistë të kohëve të fundit, me rastin e nxjerrjes së librit të tij Finks: “Si CIA mashtroi shkrimtarët më të mirë të botës”, shtoi se “loja e epokës së inteligjencës qe të vepronte si një Ministri Kulture, duke konsideruar se në erën e McCarthy-it, reaksionarët më pak të sofistikuar ishin shumë dyshues në lidhje me avantguardën, kulturën dhe intelektualët vete”. Gjithashtu vijoi publikimi me vonë i esésë “Whitney në epokën e Trumpit”, një përditësim i informacionit të promovuar nga mediat, në veçanti ato amerikane, shpesh të korruptuara.

Ka pasur mungesë të transparencës dhe të së vërtetës, e cila i kërkohet gazetarisë, duke nxitur një mendim që anon nga lakmia dhe nevojat e biznesit, në një luftë kulturore që në të vërtetë nuk ka mbaruar.

E tashmë që propaganda duket të jetë më shumë përmes memeve se sa artikujve të gazetave, ka më pak kurajë për të treguar të vërtetën. Sipas një raporti të vitit 2013, realizuar nga PEN America, organizatë jo fitimprurëse që mbështet lirinë e fjalës dhe shprehjes, shumica e gazetarëve amerikanë jane të shqetësuar për mbikëqyrjen që qeveria u bën qytetarëve dhe nuk kanë qenë kurrë kaq të shqetësuar për sa i përket privacisë dhe lirisë së shtypit. Shumë prej tyre kanë arritur të autocensurojnë punën e tyre, me bindjen se të shkruajnë, të komentojnë ose të bëjnë kërkime mbi disa probleme të mundshme, i dëmton; 28% kanë eliminuar ose kufizuar aktivitetin në mediat sociale, ndërsa 24% kanë evituar të përmendin argumente të caktuara nëpërmjet e-mail-it apo në biseda telefonike.

Në këto pesë vite, gjërat duket të jenë vetëm duke u përkeqësuar. Përpara kësaj dukurie, është e natyrshme të pyesesh se nëse të gjithë këta shkrimtarë dhe intelektualë që fituan prestigj ndërkombëtar për idetë e tyre, do të përfundonin të ishin ca figura dytësore, të papërfillshme, pa fondet dhe pa sigurinë q ënxiti ky Plan Kulturor i Shërbimeve Sekrete? Por, mbi të gjitha të pyesësh, se sa nga artistët aktualë që vlejnë, nuk do të gjejnë kurrë zë për shkak të frikës, dhe gjithnjë edhe më në vështirësi përplasjeje mes fjalës dhe dhunës, lirisë dhe imponimit.

________

Në foto Igor Stravinsky dhe bashkshortja e tij, të ftuar për darkë në Shtëpinë e Bardhë (Viti 1962) 

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top