Author

Admin - page 112

Admin has 1815 articles published.

JASHTË VARREZA, BRENDA TELEVIZIONI, DRITARJA E HAPUR NË NJË BOTË TË MBYLLUR-Raoul Vaneigem

in Në kohërat e kolerës by

Raoul Vaneigem

Të vësh në diskutim që virusi korona është i rrezikshëm, është diçka absurde. Nga ana tjetër, a nuk është po aq absurde që një ndryshim i paparashikuar brenda zhvillimit të zakonshëm të sëmundjeve po bëhet objekt i një shfrytëzimi emocional në atë masë sa po ringjall atë inkompetencën arrogante që pretendonte dikur se do të mund të mbante jashtë Francës renë e Çernobilit? Sigurisht, ne e dimë se me ç’lehtësi fryma e apokalipsit del prej shishes e gatshme për të kapur kataklizmën e parë që has, ta veshë me imazhe të përmbytjes së botës, dhe ta ngulë plugun e fajësisë mbi dheun e djerrë të Sodomës e Gomorrës.

Mallkimi hyjnor i ka shërbyer e ka qenë i dobishëm për pushtetin. Së paku qysh prej dridhjes së tokës në Lisbonë në 1755, kur markezi Pombal, miku i Voltaire-it, shfrytëzoi tërmetin për të masakruar jezuitët, për të rindërtuar qytetin sipas konceptit të vet, si dhe për të likuiduar sipas qejfit të vet gjithë rivalët politikë, përmes gjyqeve «proto-staliniste». Ne nuk do ta fyejmë Pombal-in, sado i urryer që ai është, duke e krahasuar grushtin e tij të fortë diktatorial me masat mjerane që totalitarizmi demokratik po implementon anembanë botës kundër epidemisë së virusit korona.

Çfarë cinizmi nëse krahasojmë shpërndarjen e virusit me atë të mjeteve mjekësore që u vunë në dispozicion. U bënë dekada që e mira publike është lënë keq, që sektori spitalor paguan çmimin e një politike e cila parapëlqen interesat financiarë në dëm të shëndetit të qytetarëve. Përditë e më shumë pará për bankat, e gjithnjë e më pak shtretër e infermierë për spitalet. Çfarë sharlatananizmi do të jetë ai që do të mund të maskojë edhe më tej faktin se ky administrim katastrofik i katastrofave është i pashkëputshëm prej kapitalizmit financiar që sundon kudo në botë, kundër të cilit sot luftohet anembanë botës në emër të jetës, të planetit e të specieve që duhen shpëtuar.

Pa dashur të biem në atë rimishërim të ndëshkimit hyjnor që është ideja e një Natyre e cila e heq qafe Njeriun si të ishte një krymb i padëshiruar e i bezdisshëm, nuk është pa dobi të rikujtojmë se gjatë mijëvjeçarëve shfrytëzimi i natyrës njerëzore e i natyrës tokësore ka imponuar dogmën e anti-physis-it, e anti-natyrës. Libri i Eric Postaire-it, Epidemitë e shek. XXI, i botuar në vitin 1997 vërteton efektet shkatërrimtare të denatyrimit këmbëngulës, që unë e denoncoj prej dekadash. Duke marrë dramën e «lopës së çmendur» (që u parashikua prej Rudolf Steiner-it qysh prej 1920), autori na përkujton se përveçse jemi të pambrojtur përballë disa sëmundjeve, po vetëdijësohemi që ato mund t´i provokojë vetë përparimi shkencor. Në betejën e tij për një qasje me më shumë përgjegjësi ndaj epidemive e ndaj trajtimit të tyre, ai ia vë fajin asaj që autori i parathënies së librit të tij, Claude Gudin, e quan «filozofi e arkës së pagesës». Ai shtron pyetjen: «Kur ia nënshtrojmë shëndetin e popullsisë ligjeve të përfitimit, deri në atë masë sa që i shndërrojmë kafshët barngrënëse në mishngrënëse, a nuk rrezikojmë që të provokojmë katastrofa fatale për Natyrën dhe për Njerëzimin?» Qeveritarët, siç e dimë, janë përgjigjur tashmë unanimisht me një PO. Por çfarë rëndësie ka kjo, kur e dimë se është JO-ja e interesave financiarë ajo që vazhdon të triumfojë cinikisht?

A na duhej virusi korona që t’ua mbushim mendjen mendjengushtëve për faktin se denatyrimi i cili bëhet për arsye fitimi ekonomik, sjell pasoja shkatërrimtare për shëndetin publik globalisht – atë shëndet publik i cili vazhdon të administrohet prej OBSh-së, statistikat e çmuara të së cilës shërbejnë si paliativ ndaj zhdukjes së spitaleve publike? Ka një marrëdhënie të qartë mes virusit korona dhe kolapsit të kapitalizmit botëror. Në të njëjtën kohë shpërfaqet po aq qartë se ajo e cila e mbulon dhe e fsheh epideminë e virusit korona, është një virus emocional, një frikë histerike, një panik i cili mbulon mangësitë e trajtimit mjekësor dhe e përforcon sëmundjen duke e trembur pacientin. Qysh prej epidemive të mëdha të së shkuarës e dimë se si popullatat pendoheshin dhe bërtisnin me të madhe se ato e kishin vetë fajin për sëmundjet e tyre, dhe ndëshkonin veten duke u vetëfshikulluar. A nuk janë të interesuar vallë administratorët e dehumanizimit botëror që t´i bindin popujt se nuk ka rrugëdalje për ta prej fatit të mjerë që u është shkruar? Që nuk u mbetet gjë tjetër përveçse fshikujt e skllavërisë vullnetare? Makina perfekte mediatike nuk bën gjë tjetër përveçse shpluhuros mashtrimin e vjetër të dekretit qiellor, të pashpjegueshëm, të pa-alternativë, atje ku paraja e çmendur ka zëvendësuar Hyjnitë gjakësorë e tekanjozë të së shkuarës.

Shpërthimi i barbarisë policore mbi manifestuesit paqësorë ka dëshmuar gjerësisht se ligji ushtarak është gjëja e vetme që funksionon me efikasitet. Ai i mban sot gratë, burrat e fëmijët në karantinë. Jashtë varreza, brenda televizioni, dritarja e hapur në një botë të mbyllur! Të vihesh në kushte që mund të ta rëndojnë gjendjen e keqe ekzistenciale, duke i mëshuar ndjenjave të lënduara prej ankthit, duke thelluar verbërinë e mllefit të pafuqishëm.

Por edhe mashtrimi rrëzohet në kolapsin e përgjithshëm. Idiotëzimi etatik dhe populist ka prekur kufijtë e vet. Nuk mundet të mohojë se diçka tashmë po ndodh. Mosbindja qytetare po shpërndahet dhe po ëndërron për shoqëri rrënjësisht të reja sepse rrënjësisht njerëzore. Solidariteti i çliron prej lëkurës së deles individualiste individët që nuk kanë më frikë të mendojnë me mendjen e vet.

Virusi korona është bërë zbuluesi i dështimit të Shtetit. Ja, të paktën një subjekt reflektimi për viktimat e izolimit të imponuar. Që kur botova shkrimin tim «Propozime modeste për grevistët» disa miq më kanë treguar se sa e vështirë ishte për ta zbatimi i refuzimit kolektiv që unë propozoja, që të mos paguheshin taksat, faturat, detyrimet fiskale. Tash ja që shteti-poshtërsirë po përjeton një çintegrim ekonomik e shoqëror i cili i bën absolutisht jo-solvente ndërmarrjet e vogla e të mesme, tregtinë lokale, të ardhurat e vogla e të mesme, bujqësinë familjare, madje edhe profesionet e ashtuquajtura të lira. Dështimi i Leviatanit ka qenë më bindës se sa projektet tona për ta rrëzuar.

Virusi korona ka sjellë edhe të mira. Ndalimi i emetimeve produktiviste ka zvogëluar ndotjen globale, ua ka kursyer vdekjen e programuar miliona njerëzve, natyra merr frymë, delfinët kthehen të notojnë në Sardenjë, kanalet e Venedikut të pastruar prej turizmit masiv rigjejnë ujin e pastër, dhe bursa u rrëzua. Spanja mori vendimin për shtetëzim të spitaleve private, a thua se po rizbulonte sigurinë shoqërore, a thua se Shteti u kujtua për Shtetin e Mirëqenies të cilin vetë e kishte shkatërruar.

Asgjë nuk është kryer, gjithçka është në fillim. Utopia ende foshnjë ecën këmbadoras. Le t’i braktisim në kotësinë e tyre qiellore miliarda bankënota e ide të zbrazëta që sillen rreth e rreth mbi kokat tona. E rëndësishmja është që «t’i bëjmë vetë punët tona», dhe ta lëmë flluskën afariste të shpërthejë e të zhbëhet. Le të kemi kujdes vetëm nga mungesa e guximit dhe e besimit në vetet tona.

E tashmja jonë nuk është izolimi që na imponon mbijetesa, por është hapja për të gjitha të mundshmet. Nën efektin e panikut Shteti Oligarkik po detyrohet të marrë masa që deri dje besonte se ishin të pamundshme. E ne duam t’i përgjigjemi thirrjes së jetës e të tokës që duan të mëkëmben. Karantina është e përshtatshme për të reflektuar. Izolimi nuk e rrëzon praninë e rrugës, por e rishpik atë. Më lini të mendoj cum grano salis se kryengritja e jetës së përditshme ka disa cilësi shëruese që nuk i kemi ditur.

Përktheu nga frengjishtja: Arbër Zaimi

Kohë kur për muaj je ose me ishi-in ose me askënd tjetër/Sarah Rosen

in Meqë ra fjala by

Sarah Rosen

Nga rubrika: “Dashuri Moderne”

           The New York Times

E di njerëzit kanë probleme shumë më serioze sesa imi, që është thjesht ai që i dashuri më la në fillimin e pandemisë.

Ai më la një javë para se ta gjenin fqinjin tim. Ndarja ndodhi në mbrëmje. E kisha kaluar gjithë ditën duke bërë pazare, sepse Organizata Botërore e Shëndetit sapo deklaroi pandeminë COVID-19. E vendosur për të qëndruar optimiste, isha duke bërë supë me pulë e duke dëgjuar ritmin shpërthyes të Motown, kur ai erdhi. Dukej i zbehtë dhe në dhimbje. Pasi e vështrova e kuptova që, ose kishte për të më thënë ndonjë lajm tragjik në lidhje me koronavirusin ose marrëdhënia jonë kishte mbaruar.

Duhet një lloj krize e veçantë për ta bërë ndarjen me të dashurin një lajm jo dhe aq të keq. Ndërsa po i jepnim njeri-tjetrit përqafimin e lamtumirës, ai mes lotësh më tha: “Kjo deri diku është si një lloj shakaje për distancimin social.”

Ndarja më befasoi, jo vetëm sepse kjo ishte një kohë e tmerrshme për t’u ndarë, por sepse nuk mendoja që isha në një marrëdhënie që rrezikohej. Ne ishim bashkë prej gjashtë muajsh dhe ndiheshim mirë me njëri-tjetrin, edhe pse lëviznim nëpër botë në mënyra shumë të ndryshme.

U tundova nga ideja për t’ia vënë fajin pandemisë dhe shpresova që ai do të ndryshonte mendje. Piva dy gota uiski me fund dhe ja futa gjumit për t’u zgjuar me dhimbje stomaku të tmerrshme dhe diarre.

Këto simptoma vazhduan edhe dy ditë më pas. Nuk e kuptoja nëse kisha marrë ndonjë virus gripi, koronavirus, apo ishte thjesht manifestim fizik i trazirave të mia emocionale. Simptomat u përkeqësuan: Mendova se kisha ethe, por termometri ishte thyer, kështu që vendosa termometrin për pjekjen e mishit nën gjuhë, i cili sigurisht ishte gabim dhe për më tepër maja e tij e mprehtë më lëndoi qiellzën e poshtme. Ndjeva shumë mall për ish-të dashurin tim në apartamentin e tij që vetëm 1.6 km larg.

Pas një ndarjeje, unë zakonisht përpiqem të riafirmoj pavarësinë time dhe të rrethohem nga miqtë, por kjo tani ishte e pamundur. Ndihesha në siklet që do t’i kërkoja ndihmë ish-it tim kaq shpejt, se mund të dukesha sikur po e lusja, po isha shumë e sëmurë për t’u shqetësuar për dukjen, kështu që i dërgova një mesazh.
Kur ai u shfaq në derën time me Tylenol, Gatorade, Imodium dhe Pedialyte, ndjeva një mirënjohje shumë të madhe për të. A ishte kjo një shenjë premtuese apo thjesht një gjest bamirësie? Pandemia i kishte fshirë rregullat normale të ndarjes dhe ne ishim në territor të ri të panjohur.

Pak ditë më vonë, dëgjova zhurmë jashtë në korridorin e katit dhe kur hapa derën pashë dy punonjës të urgjencës, që po trokisnin fort në derën e apartamentit ngjitur me timin, duke provuar të hapnin derën.

“Kur e keni parë për herë të fundit fqinjin tuaj?” më pyeti njëri nga ata, një grua.
“Nuk e di, nuk më kujtohet,” i thashë.
“Na telefonoi i biri, sepse nuk ka dëgjuar prej tij prej disa ditësh,” tha ajo.

Fqinji im ishte një burrë në të 80-at, megjithëse dukej më i ri, që jetonte i vetëm dhe që gjatë verës vinte një karrige në tarracën e ngushtë të ndërtesës sonë ku ulej dhe lexonte.

Kur mbërritën zjarrfikësit, u duhej të kalonin nëpër apartamentin tim, për të hyrë në apartamentin e fqinjit, nga shkallët në rast zjarri. I hapa dritaret dhe dyert, që ata të mos preknin asgjë dhe u ktheva në korridor e i dëgjova duke raportuar në radio se fqinji kishte vdekur.

Unë dhe fqinjët e mi të tjerë në kat shkëmbyem një vështrim shokues me një ndjenje fajësie-përgjegjësie të përbashkët. I pyeta zjarrfikësit se sa kohë kishte që kishte vdekur. Ata më thanë se nuk do ta dinin derisa të bëhej ekzaminimi mjekësor nga doktori që pritej të vinte.

Ndjeva një si gur në stomak, sikur po fundosesha. Mos vallë kur kisha prekur dorezën e derës së pallatit, një javë më parë, ia kisha kaluar virusin fqinjit tim, virusin që as nuk e dija nëse e kisha, apo jo?

E pushtuar nga ky dyshim i zi, ndjeva një lloj paniku maniakal, dhe fillova të bëja një kek-bananeje, ndërsa bashkë me fqinjët e tjerë prisnim ekzaminimin mjekësor të fqinjit. Keku ishte akoma në furrë kur doktori mbërriti, një burrë i qeshur, që na tha se trupi i fqinjit kishte filluar të dekompozohej, kështu që kishin kaluar më shumë se dy ditë që kishte vdekur. Pastaj, duke u treguar fqinjëve të mi një fotografi të të vdekurit në aparatin e tij dixhital, në mënyrë që të mund ta identifikonin, tha: “Uau, diçka vjen erë e mirë! Po bëni rrotulla me kanellë?”

Fqinji im, që vdiq i vetëm në apartamentin e tij, m’u duk si një ogur për t’u pikëlluar edhe më shumë, dhe papritmas u frikësova që isha vetëm. I dërgova mesazh ish-it tim për t’i treguar ç’farë ndodhi, si një mënyrë për të lehtësuar vetminë e padurueshme, që kjo vdekje kishte shkaktuar tek unë. Folëm. Kjo më bëri të dëshiroja t’i ruaja ca kek-bananeje.

Ca ditë më vonë, kur pata ethe dhe kollë, u shqetësova edhe për zjarrfikësit që kishin qenë në apartamentin tim. Ishi më dha termometrin e tij dhe u përpoq të më qetësonte që zjarrfikësit me siguri e kishin ndeshur virusin në plot vende të tjera.

Edhe pse ishi dhe unë jetuam në apartamentet tona të ndarë, kontakti ynë i vazhdueshëm na thoshte se ishim bashkë, po të izoluar në mënyrë të efektshme, duke krijuar një zonë të re gri. Ne bisedonim çdo ditë. Ai më propozoi të më lante rrobat dhe një natë, kur u ndjeva më mirë, hëngrëm tortellini dhe pamë një film. Nuk shqetësoheshim se mund të infektonim njeri-tjetrin, sepse kishim qenë në kontakt gjatë gjithë kohës.

Duke mos qenë më partnerë romantikë, ishim bërë partnerë pandemikë. Ndoshta, mendova, marrëdhënia jonë ishte në pauzë njësoj si qyteti dhe si bota. Ose mbase, njësoj si aq shumë çifte, ne rrinim bashkë nga frika e të qenit vetëm.

Ish-it tim nuk i pëlqente të ishte vetëm, kështu që unë e dija që izolimi do të ishte i vështirë për të. Ai ishte tip shumë i shoqërueshëm dhe gjithnjë shoqërohej me të tjerë, bënte biçikletë, udhëtonte, planifikonte. Muajt e parë të takimit për mua ishin si një furi detare: Që në takimin tonë të dytë më dha një furçë dhëmbësh dhe në muajin e dytë më liroi një sirtar për rrobat e mia në dhomën e tij të gjumit.

Brenda katër muajve ne kishim bërë tre palë pushime bashkë dhe kishim takuar familjet e njëri-tjetrit. Po unë shqetësohesha që gjërat kishin ecur kaq shpejt, pa e bërë ngadalë-ngadalë punën e njohjes së vërtetë të njëri-tjetrit.

Sigurisht që kur iu afruam kufirit gjashtëmujor, filluam të shohim se nuk ishim aq të përputhshëm me njëri-tjetrin. Ndërsa unë doja t’i analizoja shpirtin njerëzor, ai donte të fliste për pajisje dhe të zgjidhte probleme teknologjike. Nuk e di nëse këto ishin thjesht ndryshime të vogla sipërfaqësore, që u duhej ca kohë të përshtateshin (unë jam artiste; ai është inxhinier), apo nëse ato tregonin probleme më të thella (a kishim pasur mjaftueshëm kohë ne për të folur?) Apo, siç edhe ai më pohoi me zë të lartë, drejt përfundimit të marrëdhënies sonë, ishte fakti që ai nuk dëshironte ta shpaloste shpirtin, sepse nuk ishte i gatshëm për diçka serioze (kur do të jetë gati vallë?).

Po sikur të ngadalësonim, a do të kishim akoma një shans?

Tani, ngadalësimi ishte i detyruar nga qeveria. Ndoshta izolimi, me vetminë dhe kohën e tij për reflektim, do të na bashkonte përsëri? Tani që unë kisha ndaluar së kërkuari intimitet, a mundej ai të hapej dhe ta ofronte vetë?

Në të vërtetë kjo nuk ndodhi kurrë. Dhe ndërsa shpresat e mia për ne u pakësuan, frika ime se do isha vetëm u rrit. Nuk dija çfarë të bëja. Nëse do ndaloja ta shihja, do kaloja kohë pa askënd, kush e di për sa kohë. Kisha frikë ta humbja, pasi tani më mungonin të gjithë. Sirenat jashtë dritares sime ulërinin më fort e më shpesh dhe unë i kërkova vetes të pranoja kushtet e çuditshme të marrëdhënies sonë, në mënyrë që ajo të mos mbaronte.

Derisa një natë, pas 18 ditësh nga fillimi i simptomave të mia, ai më propozoi të shkoja tek apartamenti i tij për të bërë biskotat e dasmës meksikane. E inkurajuar nga emri i biskotave që ai kishte zgjedhur (pjesa e “dasmës”), dhe me shpresa të ripërtërira për ne së bashku, shkova me një valixhe plot me rroba të lara. Atë natë, më në fund diskutuam zonën tonë gri.

“Cilat janë rregullat e ndarjes në një pandemi?” pyeti ai. “Askush nuk e di! Duhet të kthehemi në vitin 1918 dhe të pyesim.”

Ai u hap atë natë, por vetëm për të përsëritur mungesën e tij të interesit për t’u angazhuar në atë që unë dëshiroja, një lidhje zemër me zemër. Kur ai më tha: “Unë nuk mendoj se do ta bënim njëri-tjetrin të lumtur për një kohë të gjatë,” më në fund rashë dakord me të.

Izolimi nuk kishte ndryshuar asnjërin prej nesh; ai vetëm sa na sqaroi rreth atyre që kishim të përbashkëta dhe çfarë na mungonte. Kujdesi ynë i ndërsjellë nuk e ndryshoi faktin se kur isha me të, ndihesha e vetmuar. Atëherë e kuptova se sa herë që do ta shihja, zhgënjimi im për marrëdhënien tonë do bëhej edhe më i madh, prandaj duhej të përballesha vetëm me veten time. I thashë se duhejtë ndalonim së foluri dhe mora valixhen time me rrobat e lara e u nisa për në shtëpi, duke qarë gjatë gjithë rrugës.

Edhe të qenit vetëm ka kënaqësitë e vet. Në shëtitjet e mia të përditshme po dëgjoj audiobooks të Jane Austen-it. E zhytur në komentet e saj rreth standardeve shoqërore, ndihem e zënë dhe e lirë. Ajo më ka mësuar se jo gjithëmonë izolimi shoqërohet nga vetmia, dhe më kujton se me sa kënaqësi e lexonte librin e tij në tarracë fqinji im.

Kur specialistët rekomanduan vënien e maskave prej lecke, porosita një tepër, për t’ia dhënë ish-it tim kur t’i kthej termometrin e tij. Edhe pse nuk kam më frikë të jem vetëm, e di po ashtu se askush nuk është i vetë-mjaftueshëm, veçanërisht tani, dhe se ai dhe unë do të jemi aty për njëri-tjetrin, për aq kohë sa kjo pandemi të marrë fund. Kujdesi për njëri-tjetrin është pjesa që ne gjithmonë e kemi bërë siç duhet.

Përktheu: Meli Ajazi 

Padrejtësi-Alain Bosquet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Padrejtësi-Alain Bosquet

 

Thashë: «Ç’fatkeqësi!»

dhe u lejova pemëve të shkulen nga toka

për të ikur galop ndër lëndina,

për të takuar detin, në Jug, në Veri.

Thashë: “Nuk është e drejtë!”

dhe u dhashë leje lumenjve të zhgënjyer

që si karavella të vjetra

të rikthehen në burimet e tyre.

Thashë: “Është plagosëse”,

kaltërsia, me një gjest lejleku

mund të vijë e të prehet në supin tuaj.

Thashë: “Është e papranueshme!”

dhe u sigurova që çdo shkëmb

të lëshojë një mërmërimë, një muzikë.

Thashë: “Ç’hata!”

para se t’i jap urdhër prozës suaj

që fjalë më fjalë, pikë më pikë,

çdo ditë të mëkohet me pak poezi.

 

Përktheu: Luan Rama 

EDUARDO GALEANO PËR FRIKËN

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

EDUARDO GALEANO 

FRIKA

Një mëngjes, indianët na dhuruan një lepur. E çuam në shtëpi, të mbyllur në një kafaz. Aty nga dreka, ia hapa derën e kafazit.
Në mbrëmje u ktheva dhe e gjeta siç e kisha lënë: brenda në kafaz, me trupin ngjitur te shufrat e hekurta, lepuri dridhej nga frika e lirisë.

FRIKA KËRCËNON

Frika, në heshtje, trullos rrugët. Frika kërcënon: Në qoftë se ju bëni dashuri, do të sëmureni nga sida; nëse pini cigare, do t’ju kapë kanceri; në qoftë se merrni frymë, do t’ju ndoten mushkëritë; nëse pini alkool, do të bëni aksident; nëse hani, do të sëmureni nga kolesteroli; nëse flisni, do të ngeleni pa punë; nëse ecni në këmbë, do të lodheni; nëse mendoni, do t’ju mbytë ankthi; nëse dyshoni, do t’ju prishet mendja; nëse jeni të ndjeshëm, do t’ju pushtojë vetmia.

FRIKA GLOBALE

Ata që punojnë kanë frikë se humbasin punën.
Ata që nuk punojnë kanë frikë se nuk do të gjejnë punë kurrë.
Ata që nuk kanë frikë nga uria, kanë frikë nga ushqimi.
Ata që udhëtojnë me makinë kanë frikë të ecin në këmbë, ata që ecin në këmbë kanë frikë se i shtyp makina.
Demokracia ka frikë të kujtojë dhe gjuha ka frikë të flasë.
Civilët kanë frikë nga ushtarakët, ushtarakët kanë frikë nga mungesa e armëve dhe armët kanë frikë nga mungesa e luftës.

ËSHTË KOHA E FRIKËS

Frika e gruas nga dhuna e burrit dhe frika e burrit nga gruaja që s’ka frikë.
Frikë nga hajdutët, frikë nga policët.
Frikë nga dera pa çelës, nga koha pa orë dhe nga fëmija pa televizor; frikë nga nata pa hape për gjumë, frikë nga dita pa hape për t’u zgjuar.
Frikë nga turma dhe frikë nga vetmia; frikë nga çfarë ishte dhe frikë nga ç’mund të jetë; frikë nga vdekja dhe frikë nga jeta.

Nga frika jonë lind guximi ynë dhe në dyshimin tonë jeton siguria.

 

Përktheu: Bajram Karabolli

Njeri në formë libri-Alain Bosquet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Njeri në formë libri-Alain Bosquet

 

Një qenie njerëzore duhet lexuar

siç shfletojmë një libër të vjetër.

Diku do të ndjekim një frazë

me shumë kuptime:

ndonjë mushkëri, ndonjë gju…

diku nuk do kuptojmë një kapitull të shkurtër,

një ball apo vështrim zhbirues.

Do qeshim para një pasazhi të guximshëm:

sqetull e lagur apo një bel që tundet.

Dhe pyesim veten vetëm për një stil që papritmas ndryshon:

një mënyrë për t’u ngritur, një grahmë dashurie.

Pastaj këtë libër-njeri do duhej ta mbyllim:

aty është fati, delikatesa ose poshtërsia.

 

Pērktheu: Luan Rama

Bosh

in Teatër by

BOSH

 

Në skenë një grua e re ose shumë e re.

1.

Ja ku jam.  Unë jam këtu,

Prej mishi dhe kocke… me gjak dhe nerva!

Jam këtu, një qënie njerëzore.

Jam… pas murit

dhe flas me ty.

Me ty që më shikon!

Ti që më sheh përtej murit,

dhe më pyet se ç’është ky boshllëk?

Deri kur do të zgjasë ky boshllëk?

Ky boshllëk që është rreth nesh,

kjo hapësirë boshe,

kjo hapësirë boshe mes meje dhe teje,

vëlla, mik, i dashur, vrasësi im…

Ne jemi këtu!

Unë në këtë anë të murit dhe ti në anën tjetër.

E të gjithë përreth, të gjithë përpara murit,

të gjunjëzuar,

përballë një muri, të gjithë brenda boshllëkut.

Kjo hapësirë boshe jashtë,

kjo hapësirë boshe përreth,

ky boshllëk mes nesh.

Jemi këtu, në mes të boshllëkut.

Ky boshllëk kohe…

Dhe nga ky boshllëk kohe

po të flas dhe dua të të them:

2.

Ajo që vjen më pas

nuk është as fundi e as vazhdimësia,

ajo që u ndërpre nuk mund të vazhdohet,

ky nuk është pushim,

nuk është interval

mes pjesës së parë dhe pjesës së dytë,

nuk është një: “Falje për vonesën, shërbimet do të funksionojnë sa më shpejt të jetë e mundur.”,

nuk është një intermexo,

nuk është një e papritur,

e nuk është as një luftë,

nuk është luftë-të bëhemi seriozë-

ku është parë që një luftë të të shëndoshë?

Jo, nuk është luftë, është më shumë se aq.

Dhe unë, e ngecur në mes të boshllëkut,

Në mes të kohës boshe,

Unë jam. Unë dëshiroj. Unë dua.

3.

Dua që bota e vjetër të mos vazhdojë,

dua që e keqja të humbasë në këtë hapësirë boshe.

Dua që pas boshllëkut të ketë rifillim,

një heshtje e madhe pa një qëllim,

një kotësi zhurmash,

të zhduken karagjozët nga fushat e betejës,

të shtohet vesa mbi lulet e mëngjesit,

në fushat e thata dhe mes fabrikave të rikthehet era dhe gjelbërimi,

të kthehet zhurma e ujit.

Mes banesave dhe mureve,

mes fortesave që kemi ngritur,

të mos kthehet çdo gjë e të na plagosë…

të na dhembë.

Unë dua të mos kalojë me mospërfillje mes nesh ky boshllëk,

dua të mos shkojë dëm gjaku që po derdhim.

4.

Unë dua fillimin,

dua të vijë edhe një herë e reja,

dua që boshllëkun ta mbushë e reja.

E unë e ndiej që po vjen e reja,

lëviz duart dhe këmbët e gjaku më shkon në kokë.

Po, do të vijë e reja,

do mbushë boshllëkun mes meje dhe teje.

Atë përreth meje,

në hapsirat që na mbysin do të vije e reja.

Unë nuk e di se çfarë forme do të ketë e reja,

Çfarë fytyre do të ketë, çfarë gjuhe do të flasë,

apo çfarë emri do të ketë,

ama do të vijë brenda nesh, brenda meje,

dhe do të pastrojë mediokritetin, falsitetin,

të pistën, sipërfaqësoren.

do të zhdukë çdo gjë toksike, maskiliste,

rekomandimet.

Do të zhdukë luftën e cmendur të të gjithëve kundër të gjithëve,

thashethemet, urinë për kënaqësi të vogla,

do të zhdukë gjuhët e thata,

do të pastrojë papërshtatshmëritë e mia,

Arrogancën time,

trishtimin tim,

dobësitë e mia.

Do të luftoj për jetën, me të gjitha forcat…

5.

E tani pyes,

atij që vjen i ri,

ty që vjen i ri në hisori,

që vjen era alkool dhe era shi… të pyes:

Një unë e re,

një ti i ri,

një ligj i ri,

një alegri e re,

një Zot i ri,

një kënaqësi e re,

një arrogance e re,

një seks i ri,

një teatër i ri,

një ligësi e re,

një gjuhë e re,

një mendim i ri,

një arsye e re,

një drejtësi e re.

Pará të reja,

dëshira të reja, një histori e re,

që çdo gjë tjetër të ndalojë këtu!

Të ndalojë këtu, të mos ta kalojë këtë vijë,

të ndalojë në këtë boshllëk,

të mbytet në këtë asgjë,

çdo papastërti të digjet në këtë hapësirë boshe.

Unë do të bëhem e re,

dhe ti… vëllai im, miku im,

i dashuri im, vrasësi im,

bëhu i ri… bëhu edhe ti i ri.

6.

E tani rrëzoje murin dhe shiko jashtë,

sa bosh është koha,

sa bosh është historia,

sa bosh është jashtë boshllëkut tonë.

Bosh mes nesh…

dhe e reja aty…

Ngriji sytë dhe shikoje.

Hapi veshët të dëgjosh. E reja është këtu.

Bëhu i ri,

bëhu sa më shumë i ri të mundesh,

më shiko përtej kornizave që më ke vënë.

E reja është tashmë këtu..

E ndoshta ka vështrimin tim…

Përktheu: Blerina Berberi

_____

Ky tekst është shkëputur nga Folkteatern di Goteborg ( Zvicër), nga projekti “Urgent Drama”, në bashkëpunim  me Fabulamundi Playwritting Europe.

PSALM-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PSALM-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

O sa të depërtueshëm janë kufijtë njerëzorë!
Sa re kalojnë të pandëshkuara,
sa rërë shkretëtire rrjedh nga një vend në tjetrin,
sa guralecë mali futen në gjirin e armikut
me kërcime harbute!

A është nevoja t’i marrësh një nga një zogjtë
që fluturojnë a çlodhen mbi gardhin e ulët?
Le të marrim vetëm një trumcak dhe sakaq
bishtin e ka te komshiu, ndërsa sqepin në vend të vet!
Dhe ç’hidhet e përdridhet, si të mos mjaftonte me aq!

Në luzmën e insekteve do merrja milingonën
që, midis këmbës së djathtë e të majtë të doganierit,
nuk e ndien për detyrë të thotë nga vjen e ku po vete.

Oh sikur të kapje me një vështrim këtë tollovi të pamatë
mbi gjithë kontinentet!
A s’është voshtra që, nga bregu matanë i lumit,
kalon kontrabandë gjethen e saj të njëqindmijtë?
E kush tjetër mund të jetë veç oktapodit krahëgjatë
që shkel të shenjtat ujëra territoriale?

Si mund të flitet për rregull të përgjithshëm,
kur s’mundesh dot të përndash yjet
që të dish më në fund kë ndrit secili syresh?

Ç’të thuash pastaj për mjegullën që bredh nga t’i dojë qejfi?
Për pluhurin e stepave sa gjatë-gjerë,
sikur të mos ishin të ndara mespërmes?
Po për zërat që kumbojnë mbi valët e pakursyera,
cicërima joshëse dhe gugatje shpotitëse?

Vetëm çka është njerëzore mund të na jetë e huaj.
Pjesa tjetër është pyllnajë, gërmim urithi dhe erë.

 

Përktheu: Alket Çani

SI IA VJEDHIM “PARADOKSET” AMERIKËS-Kolec Traboini

in Letërsi/Tharm by

Kolec Traboini

Dr. Bob Moorehead, ishte një pastor i kishës së krishterë në Overlake Seattle të Amerikës, i cili ka dalë në pension në vitin 1998, pas 29 vitesh në shërbimin kishtar. Eseja e tij: “The Paradox or our age” është nxjerrë nga koleksioni i vitit 1995, ku Dr. Moorehead përfshin lutje, biseda dhe monologje të përdorura gjatë shërbesës dhe emisioneve fetare në radio. Dikush që ka qenë dëshmitar i masakrës në shkollën Columbine High School, në Kolorado të Amerikës, më 20 Prill 1999, ku u vranë dymbëdhjetë nxënës me mësuesin e tyre, e rimori dhe e përcolli në internet mesa duket, si aktualizim i ngjarjes tragjike. Titulli “The Paradox of our Age”, në internet është përcjellë me një ndryshim fare të vogël në titull, nga “Age”’, në “Time”. Pra, nga Paradokset e shekullit tonë në Paradokset e kohës tonë. Kjo esé është mjaft e popullarizuar, megjithëse një autor eksentrik si Xhorxh Karlin thotë se, nuk është kurrsesi poezi, por një jashtëqitje. E megjithatë është vjedhur aq shumë nga poetucët shqiptarë sa thuajse e gjen tek çdo fillestar, por edhe ndër autorë që mbahen rëndë por janë shterur e mbetur në pikë të hallit e pinë ujë në çdo pellg që u del përpara.

PARADOKSET E KOHËS SONË-Dr. Bob Moorehead

 

Paradoksi i kohës sonë në histori është se,
kemi ndërtesa të larta, por kemi edhe ndjesinë
e shtypjes po aq; me rrugë krejtësisht të lira,
por me pikë vështrime të ngushta,
harxhojmë pa hesap, por kemi shumë humbje;
blejmë më tepër, por shijojmë së paku,
kemi shtëpi të mëdha dhe familje të vogla,
më shumë rehati, por kohë s’kemi fare,
kemi më shumë tituj, por më pak mendim,
më shumë dije, por më pak gjykim,
shumë specialistë, por më shumë probleme:
më shumë ilaçe, por më pak shëndet…
Tymosim shumë, pimë shumë,
shpenzojmë të shkujdesur, gazmojmë më pak,
udhëtojmë më shpejt, zemërohemi menjëherë,
qëndrojmë deri vonë, zgjohemi më të lodhur,
lexojmë më pak, shohim TV më shumë,
e lutemi gjithnjë pak e më pak.
I kemi shumëfishuar pasuritë,
por pakësuar vlerat e shpirtit.
Flasim tepër, duam rrallë dhe urrejmë shumë shpesh.
Ne kemi mësuar të krijojmë mjedisin, por jo jetën.
Ne i shtuam vitet jetës, por jo jetën viteve.
Ne udhëtuam në hënë dhe u kthyem,
por kemi drojë të kalojmë rrugën për të takuar fqinjin e ri.
Jemi pushtues të hapësirave të jashtme,
por jo të hapësirave të brendshme.
Ne kemi bërë gjëra të mëdha, por jo gjërat më të mira.
Ne e pastrojmë ajrin, por fëlliqim shpirtin,
ne e zotërojmë atomin, por jo paragjykimin.
Ne shkruajmë shumë, por mësojmë pak,
Ne thurim shumë plane, por realizojmë pak.
Ne kemi mësuar të ngutemi, por jo të presim.
Ne krijojmë shumë kompjutera, i mbushim plot informacione, prodhojmë më shumë kopje se kurrë,
por veç komunikojmë pak e më pak…
Kjo është koha e ushqimeve të shpejta
por e tretjeve të ngadalshme:
burrave të mëdhenj dhe e karaktereve të vogla,
përfitimeve të mëdha dhe marrëdhënieve të cekëta.
Këto janë ditë të dy rrogave në familje,
por më shumë divorce, godinave të hijshme,
por familjeve të prishura.
Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta,
hedhjes së pelenave, braktisjes së moralit,
një natemë qejfi dhe aq,
mbipeshës së trupit e tabletave
që mund të bëjnë gjithçka nga harendjellja,
të heshtin, të vrasin.
Është koha kur ka aq shumë mallra në vitrinë
e gjë prej gjëje në magazinë nuk ka.
Mos harroni, kaloni ca kohë me të dashurit tuaj,
sepse ata nuk do të jenë përreth përgjithmonë.
Jeta nuk matet me sasinë e frymëve që marrim,
por me çastet kur fryma ikën prej nesh.

 

Botuar për herë të parë në librin me esé: “Bukuri Shkodrane”, 2007-Kolec Traboini

Shqipëruesi: K. P. Traboini

Fragment nga romani “Terma humanitarë si fjala bombardim”-2/Arlinda Guma

in Letërsi by

   Arlinda Guma

Dashuria është forma më e përkryer e artit, e kishte zakon të thoshte Tomasi. Është sikur të marrësh baltën dhe ta shndërrosh në diamant. Vetëm ajo e arrin një përkryerje të tillë prej baltës. Ne mund të mbajmë mend me saktësi ditën, orën, sekondën kur e kemi arritur këtë përkryerje, kur kemi filluar ta ndiejmë dikë, kur kemi rënë në “dashuri” (pfff… çfarë fjale), mendoi ai, por nuk mund të gjejmë asgjë, nga dita, ora, sekonda, kur e kemi nxjerrë atë njeri prej shqisave tona, kur e kemi nxjerrë nga vetja… apo… mbytur brenda vetes. Nuk mund të dimë kur ka regëtirë brenda nesh herën e fundit. Nuk mund ta dimë, ditën, orën, sekondën kur kemi pushuar së dashuri… Gjithçka ngjan si e mbuluar nga një rrjetë e hekurt, prej hapësirave të së cilës rigojnë veç vegulli. Gjithçka më pas ngjan si një proces jotokësor, që nuk të përket më. Një proces që vepron brenda teje heshturazi, vjedhurazi, pabesisht… të cilit nuk mund t’i kundërvihesh apo të kërkosh ta ndalësh… Je i pafuqishëm për ta bërë. Një proces që kësaj radhe, shndërron diamantin në baltë.

Nga romani: “Terma humanitarë si fjala bombardim” 

Botuar më 11 Tetor, 2016

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, “Bob Legjenda” – 2021 dhe “Marksi ka humbur kujtesën” – 2025. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com

Mbrujtje dashurie-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

Mbrujtje dashurie-Petraq Risto

 

Duke më grushtuar lehtë si amvisa brumin: kështu e shprehte gëzimin

Pastaj i hapte grushtet e vegjël me bujën e petaleve

Dhe unë qeshja e qeshja me zë.

Dhe diçka e turbullut lëvizte brenda meje, mbase mjegulla e një parandjenje

Trembesha se mos ikte para kohe.

Dashuria ime e fshehtë, krijesë eterike, skelet i mbushur me mish ëndrre

Çdo prekje përcillte energji aq sa digjesha, digjesha

A thua isha njeriu – qiri.

Ajo kishte hapa të lehtë japonezkeje në dhomën e çajit

Dhe rrotull nesh, mes nesh e brenda nesh nuk kishte mure

Ngado kullonte drita e hënës me një ndjenjë faji

Dhe në gjoks ndieja mbrujtjen e dashurisë me grushte…

Libraria Barnes  Noble, World Trade Center, 29 shtator, 2019

1 110 111 112 113 114 182
Go to Top