Author

Admin - page 153

Admin has 1813 articles published.

Hygo, republikani dhe dashnori i madh-Luan Rama

in Letërsi by

Luan Rama

Në fillim ishte Të mjerët, (Les Misérables), pastaj Shën Mëria e Parisit, (Notre Dame de Paris), më vonë ne lexuam Viti 93 dhe Njeriu që qesh, e kështu me radhë. Në botën tonë të adoleshencës, personazhet e shkrimtarit Viktor Hygo, (Victor Hugo), shtoheshin parreshtur dhe ngjizeshin në imagjinatën tonë për të mbetur të pashlyera. Mbaj mend gjithnjë kur në kinemanë verore «17 Nëntori», shikonim filmin Të mjerët dhe zbulonim portretet e Zhan Valzhanit, Kozetës, Fantinës, Mariusit, imazhet e Revolucionit Francez dhe të kopshteve të Luksemburgut, katakombet e Parisit dhe më pas, Kuazimodon dhe Esmeraldën në sheshin e «Notre Dame de Paris». Nga dritarja e shtëpisë ngjitur kinemasë, për ditë me radhë, në orët e vona të mbrëmjes, vazhdoja të dëgjoja të njëjtat dialogje të atij filmi dhe unë imagjinoja të njëjtat skena që kisha parë disa ditë më parë, edhe pse dialogjet nuk i kuptoja. Këmbanat e katedrales mitike vazhdonin të ushtonin…

Kur erdha në Paris, pas godinës së ambasadës, zgjatej avenyja «Victor Hugo» dhe në hyrjen e një ndërtese, një pllakë e vendosur tregonte se pikërisht atje kishte jetuar Viktor Hygo. Aty dhe kishte vdekur. Madje ambasadori i mëparshëm shqiptar, Misto Treska, kishte punuar dy hapa larg asaj banese dhe kishte shqipëruar atë shkrimtar, duke filluar me kryeveprën e tij, Të mjerët. Ai ecte kështu në gjurmët e Sami Frashërit, përkthyesit të parë të Hygosë. Kështu niste për mua ky itinerar i jetës së Hygoit, i cili do të më çonte në disa nga vendet mitike të këtij shkrimtari të madh, në shtëpitë ku ai kishte jetuar, në Place Royale apo Place de Vosges, (ku sot është dhe Shtëpia Muze), apo në rrugët ku ai kishte përjetuar revolucionet dhe dashuritë e tij të panumërta; Rue Vaugirard, Rue de Clichy, Rue de Paradis, Rue de Dragon e gjer nën kupolën e Panteonit. Gjurmët e tij ishin ngado në Paris, pasi jeta e tij, që nga lindja në Rue Feuillantines e gjer në vdekje, kishte kapur pothuaj ngjarjet më të mëdha të atij shekulli. Një shekull tronditës brenda një njeriu.

Të shumtë janë ata që njohin veprën e tij, të paktë janë ata që njohin itinerarin e jetës së tij. Cili ishte ky njeri dhe ç’shpirt kishte ai? Çfarë i dha ai Francës dhe botës? Cili është mesazhi i tij për kohën tonë dhe shekujt që vijnë?

I ati i Viktor Hygosë kishte qenë një gjeneral i Bonapartit dhe deri në rininë e tij, Hygo ishte një monarkist. Ai kishte një adhurim për Napoleonin, i cili padyshim hodhi bazat e shtetit modern francez. Një ditë para se të vinte hiri i Napoleonit nga ishulli i Shën Helenës në Francë, ai shkroi poezinë Kthimi i Perandorit. Të nesërmen, në 15 Dhjetor 1840, Parisi pothuaj ishte boshatisur. Perandori e kishte lënë me testament që trupin e tij ta varrosnin buzë Senës. Dhe në atë ditë të ftohtë, atë e sollën drejt kishës në Hotelin e Invalidëve. “Topi qëllon njëherësh në tre drejtime të ndryshme të horizontit, – shkruante Hygo për atë ditë historike çka i kishte lënë mbresa të pashlyera. – Karroja që tërheq arkivolin e tij, më së fundi shfaqet. Dielli, i cili deri atëherë ishte fshehur, tashmë u shfaq edhe ai. Nga larg, në sfondin gri dhe të kuq të pemëve të Champs Elysée-s, përmes statujave të mëdha e të bardha që u ngjajnë fantomave, pikaset lëvizja e ngadaltë e një mali të florinjtë. Janë shkëlqime të shndritshme që duken mbi gjithë sipërfaqen e karros, herë si yje e herë si vetëtima. Një zhaurimë e mbështjell gjithë këtë spektakël. Dukej sikur ajo karro tërhiqte pas vetes brohoritjen e një qyteti…”

Gjashtëmbëdhjetë kuaj tërhiqnin atë arkivol, të kryesuar nga një kalë i vetmuar e i bardhë, që ishte si vetë kali i betejës së Napoleonit. Strategun e madh e të lavdishëm të Francës, po e çonin drejt banesës së tij të fundit.

Poema e tij Kthimi i Perandorit, pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe njerëzit e kërkonin ngado nëpër librari. Jo shumë vonë pas kësaj ngjarje, pena e Hygosë do të bëhej e njohur. Ai botoi fillimisht poezi, novela e romane, pjesë teatrale, si Hernani, shfaqja e të cilës u kthye në një ngjarje tronditëse për teatrin francez, e po kështu Këngët e muzgut, Dita e fundit e një të dënuari, Marion Delorme, etj. A nuk kishte thënë ai që adoleshent se një ditë do të bëhej një shkrimtar i madh? «Ose do të bëhem si Shatobriani, ose hiç? – shkruante ai në ditarin e tij. Më vonë Hygo do të shpallej anëtar i «Chambre de Pairs», ku ishin fisnikët e mëdhenj dhe autoriteti moral i monarkisë, edhe pse ai vetë atë kohë po bëhej tashmë republikan. Por ngjarja më e madhe për të ishte kur do të pranohej në Akademinë Franceze, në Quai Conti, edhe pse katër herë me radhë ai kishte tentuar, por nuk kishte mundur dot të hynte në të. Historianë të vegjël dhe shkrimtarë që s’do t‘u dëgjohej më emri, zinin vendin e tij. Por kur ai u pranua, Shatobriani (Chateaubriand), i shkroi: “Ju nuk i detyroheni askujt për këtë nder. Ёshtë vetë talenti juaj dhe jeni ju vetë, ai që e keni vendosur kurorën mbi kokën tuaj”. Në fjalën e tij në Akademi, ku kishin ardhur ta dëgjonin princët e Orleanëve, zonja Thiers dhe ajka e Parisit, Adelës dhe diku më tutje të dashurës së tij Zhylietë, (Juliette Drouet), Hygo do të pikaste dhe kolegun e tij të madh, Honoré de Balzac.

Pikërisht në këto vite Hygo do të përjetonte dhe ngjarjet e Revolucionit grek. Bëmat e suljotëve trima si Marko Boçari, Xhavella, Kanaris, etj, e frymëzuan për poemat e tij të botuara në vëllimin poetik Orientales:

“Në thellësinë e varrit po flija

Kur një klithmë më zgjoi: Misolongji ra!

Në natën mortore përgjysmë ngrihem,

Gjëmimet e shurdhëta të topave që qëllonin breshëri dëgjoj.

Britma dhe zhurma përzier, shpata dhe hapa që nxitojnë…

Beteja vendin kish pushtuar dhe zërat thërrisnin:

Mbrohu nga kjo hordhi e poshtër!

O hije e Boçarit! Grekët e tu janë të pafat!

Kështu për të dalë nga dheu, me errësirën luftova

Mermerët funebër duke thyer.

Gjithë kockat e mia qenë sfilitur…

Papritmas si një vullkan toka digjet e gumëzhin.

E pastaj heshtje; sytë e mi botën e përtejme vëzhgojnë,

Atë që asnjë i gjallë nuk mund ta shihte.

Nga dheu, nga valët, nga thellësia e flakëve,

Vorbuj shpirtrash ngriheshin lart,

Binin në humnerë apo ngriheshin të kapnin qiellin…”

Zhylieta

Në jetën e Hygosë, letërsia, politika dhe dashuria ngërthejnë thelbin e ekzistencës dhe të vlerës së tij. Dhe dashuria nuk zë vend të pakët, se në rrugët e Parisit Hygoja ka bredhur si një nga dashnorët më të mëdhenj të atij shekulli. Dashuria e Hygosë për Zhyliet Drue, ishte një nga himnet më të bukura të dashurisë, e kthyer tashmë në një legjendë. Një lidhje pesëdhjetë vjeçare, plot ekstazë, ngjarje, drama, dëshpërime e mërgime dhe më së fundi një jetë të përbashkët, atëherë kur gruaja e shkrimtarit, Adele Faucher, (Hygo), nuk ishte më. Madje vitet e fundit, Adela e kishte pranuar atë si pjestare të familjes dhe e kishte marrë pranë tyre. Ajo ishte e pranishme ngado. Dashuria kishte fituar mbi xhelozinë dhe mërinë e hershme.

Shumë kohë më parë, kur ajo ishte njohur me Hygonë, Zhylieta ishte aktore dhe luante në teatrot pariziane, në Odeon apo në teatrin e «Porte de Saint-Martin». Kjo kishte ndodhur gjatë leximit të një pjese teatrale, Lucrecia Borgia, e cila do të vihej në skenë. Me 16 Shkurt të vitit 1833, ai ngjiti shkallët e dhomës së saj dhe e mbuloi me të puthtura. “Të dashurosh është më shumë sesa të jetosh”, – shkruante ai.

Si të gjitha gratë e dashuruara, edhe ajo mendonte se ai do ta linte Adelën dhe do të martohej me të, por kjo s’do të ndodhte. Jeta tragjike e fëmijëve të tij do ta mbante Hygonë të lidhur gjithnjë pranë familjes, edhe pse si natyrë ai ishte një i dashnor i madh. Kur shkroi dramën mjaft të njohur Hernani, Hygo kërkoi që roli kryesor t’i jepej Zhyljetës dhe se në të kundërtën ai do e tërhiqte pjesën. Por gazetat do ta kritikonin rolin e saj në skenë. Ajo që e largoi atë nga ai rol ishte në fakt vetë Adela, e cila nga xhelozia, i shkroi drejtorit të teatrit që mos ta pranonte më interpretimin e Zhyljetës. Dhe ashtu ndodhi. E fyer dhe e thyer si aktore, Zhylieta do të tërhiqej nga bota e teatrit për t’iu kushtuar më pas njeriut pas të cilit ishte dashuruar: “Kam zinë e një roli të bukur që tashmë më ka vdekur përgjithmonë…” – i shkruante ajo Viktorit. Por dhe Viktori do të vuante nga dashuria e gruas së tij, Adelë, me shokun e tij më të ngushtë, kritikun e njohur Saint-Beuve. Një miqësi u prish, ndërkohë që Adela do të vazhdonte bredhjet e saj të fshehta dhe dashuritë me Saint Beuve, herë në karroca, hotele apo në kthina të fshehta të Parisit. Sidoqoftë, në një mënyrë të heshtur ata e lanë të lirë njëri-tjetrin.

Letërkëmbimi i Hygosë me Zhylietën është një nga letërkëmbimet më poetike që ekzistojnë në historitë e dashurive njerëzore. Vetëm ajo i ka dërguar rreth njëzet mijë letra, deri në ditën kur do të vdiste. Shpesh e quante “I gjalli më sublim i kësaj toke që kurrë nuk kam parë ndonjëherë”, ndërsa ai e thërriste: “Ёngjëlli im i mjerë e i panjohur”. Dymijë letra të tyre të botuara kohët e fundit, ku përgjërohet pasioni dhe mendimi, ku flitet për ëndrrat dhe ëmbëlsinë e jetës, për vdekjen dhe ringjalljen, për tradhëtinë dhe besnikërinë e përjetshme dhe ku ajo i shkruante për “ballin e tij qiellor”, (“le front celeste”)… “Të dua si një grua e devotshme, e gatshme të japë jetën me shenjën më të vogël”… Hygo e thërrriste shkurtimisht “Zhuzhu”, ndërsa ajo “Toto”. Ajo ëndërronte të kishte një fëmijë me të. Atje, në “Rrugën e Parajsës”, krevati i Zhylietës ishte në një sfond të kuq dhe ngjyrë ari. Gjithçka ishte romancë, poezi, erotikë. “Qielli për ne është këtu, në këtë dhomë, në këtë shtrat”… Në netët e vona, nën hijen e një qiriu, atje në Place Royale, ku Viktori shkruante romanet dhe poemat e tij, ai nuk harronte të shkruante dhe letrat e dashurisë: “Zhylietë… do të punoj për të dy! Pasioni për ty më djeg të gjithin. Dua të më duash! Dua të jesh e bukur! Dua që të jesh e lumtur… Po, ti do të jesh!”[1]… Kështu, Zhylieta përjetonte çdo hap të Hygosë, çdo shkrim të tij, çdo roman që ai botonte. Madje jo rrallë ajo e ndihmonte në mbledhjen e të dhënave historike që atij i duheshin për një roman të caktuar. Ajo ishte e dashura e tij dhe njëkohësisht bashkëpuntore.

Në mbrojtje të Republikës

Shtëpitë e Hygosë në «Place des Vosges» dhe «Place Royale» janë dy nga vendet ku jeta e Hygosë përjetoi ngjarje të mëdha historike që kalonte jo vetëm Franca por e gjithë Europa. Së pari, revolucionin e vitit 1830 e më pas disa revolucione e revolta të mëdha. Gjatë gjithë jetës së tij, Viktor Hygo përjetoi ngjarje të stuhishme historike. Kur në Qershor të vitit 1848, revolucioni shpërtheu përsëri, tashmë Franca ishte Republikë dhe ai ishte i zgjedhur deputet. Ndërkohë që ishte në parlament, miqtë e tij erdhën dhe i thanë:

– Sheshi Royale është djegur!

– Po familja ime?

– Ajo është në siguri.

Hygo i drejtohej Lamartinit:

– Ç’po ndodh kështu?

– E ka marrë lumi! – ia ktheu ai.

– Ç’do të thotë kjo?

– Për një çerek ore Asambleja do të pushtohet.

– Po trupat tona?

– Gjithçka ka mbaruar!

Një gjeneral iu afrua dhe shtoi:

– Sapo më njoftuan. Familja juaj është në siguri, por shtëpia është djegur.

Ndërkohë, në shtëpinë e Hygosë, njerëzit që nuk e dinin se kush ishte Viktor Hygo dhe që bërtisnin se ai ishte një reaksionar, kërkonin ta digjnin, por dikush i kishte ndaluar sapo kishin hyrë drejt sallonit të shtëpisë, duke u kërkuar të mos preknin asgjë. Ishte “një revoltë e popullit kundër vetvetes”, do të shkruante më pas Hygoi, i cili ishte për mbrojtjen e Republikës së vendosur tashmë dhe jo për një tjetër aventurë republikane. Në fakt, Hygo kishte qenë pro revolucionit të vitit 1830, po kështu dhe pro revolucionit të shkurtit të vitit 1848, por tashmë, ai ishte kundër një gjakderdhjeje të re, përderisa populli kishte fituar të drejtën e votës. Për të vendosur qetësinë, Qeveria “Constituante” kishte caktuar 60 komisarë. Njëri nga ata ishte dhe Hygo. Më 24 Qershor, i paarmatosur, ai shkoi drejt barrikadave, duke iu drejtuar kryengritësve:

«Mjaft fëmijët e mi. Kjo luftë është vrasëse!»

Por njëri nga ata qëlloi drejt këmbëve të tij. Donte ta ndalonte.

– Do të vritesh! – i tha dikush që e njohu.

– Unë pikërisht për këtë kam ardhur! – ishte përgjigjur Hygo.

Trimëria e tij kishte bërë efekt dhe njerëzit e armatosur ishin larguar.

Një ditë më vonë, ai i dërgonte një letër urgjente të dashurës së tij, Zhylietë Drue: “Tre ditë e netë i kam kaluar rrugëve, pa fjetur, duke dremitur nganjëherë në kalldrëm. Ёshtë lufta e tmerrshme e vëllait kundër vëllait që më së fundi mbaroi. Dhe unë jam gjallë, por shkatërrimi është i madh…” Në një letër tjetër ai i shkruante me nxitim: “Ku je? Po bredh që prej dy ditësh dhe po të kërkoj pa mundur të vij gjer te ty. Jam këtu me një mandat për të vendosur rendin, paqen, pajtimin. Franca do të shpëtojë!». [2]

Barrikadat ishin ngado dhe njerëzit ishin ende të armatosur. Ngado qëllohej, por këto me sa dukej ishin shkrepjet e fundit. Po atë ditë, ai arriti të çajë drejt rrugës Saint-Anastasse ku banonte Zhyljeta. Ishte ngjitur lart por nuk e kishte gjetur atje. Atëherë i la një letër, ku i shkruante: “Ji e qetë. Gjithçka mbaroi. Nuk ka më rrezik dhe mos ki frikë. Të dua!”

Kur rendi u vendos, Hygo u trondit nga reaksioni i pushtetit ndaj atyre që kishin ngritur krye. Ekzekutime pa masë, burgime dhe arrestime të mijra e mijra njerëzve që e zhgënjyen shpresën e tij. Francën e kishin pushtuar ethet e terrorit. Madje dhe gazetat ishin mbyllur. Kjo gjë e bëri Hygoin të revoltohej dhe të kërkonte që t’i jepej fund kësaj gjakderdhje. Madje ai u kërkoi gjeneralëve që t’i linin të lira gazetat. Si mund të kuptohej një Republikë pa shtypin e lirë? Që nga kjo kohë, ai do të bëhej një aleat vetëm i të majtëve.

Një mërgim i gjatë

Në Place des Vosges, pranë Bastijës, në një grup ndërtesash të stilit fiorentinas, shtëpia muze e Hygosë ka gjithnjë njerëz, veçanërisht të huaj, të cilët janë kureshtarë të njohin jetën e shkrimtarit dhe bëmat e tij. Shumë herë kisha shoqëruar miq të mi që vinin nga Tirana, shkrimtarë, piktorë e madje dhe kineastë, kolegë të mi, këta të fundit kur do të xhironin një film për Marko Boçarin, të cilit Hygo i kishte kushtuar poemën e tij të mrekullueshme. Por cili ishte në thelb ky njeri që kishte jetuar në një nga vendet më historike të Parisit? Cilat ishin ëndrrat dhe lufta e tij? Vallë a kishte mundur Hygo ta shikonte vdekjen drejt në sy, apo i ishte trembur asaj?

Pikërisht nga kjo shtëpi ai ishte larguar me nxitim në fund të Dhjetorit të vitit 1851, drejt një mërgimi të gjatë që do të vazhdonte 19 vjet. Një jetë larg Francës. Atë vit, populli përsëri kishte dalë në rrugë. Louis Bonaparte, nipi i Napoleonit, kishte shpërndarë Asamblenë Parlamentare dhe ngado kishin filluar ndjekjet mbi njerëzit e opozitës dhe socialistët. Ndërkohë shkrimtarin dhe deputetin Hygo e kërkonin kudo. Më 2 Dhjetor, një përfaqësues i popullit nxitonte në shtëpinë e tij. Një djalosh 32 vjeçar e njoftoi për një grusht shteti. Lajmet ishin të rënda. Tetëmbëdhjetë deputetë ishin arrestuar në shtëpitë e tyre dhe i kishin flakur në burg. Një grup deputetësh republikanë kishin lënë të takoheshin të nesërmen në mëngjes në 4, Cité Gaillard. Parisi ishte pushtuar nga ushtria. Asambleja gjithashtu. I tronditur, Viktori kishte dalë në qytet për të matur pulsin e asaj çka po ndodhte. Disa njerëz e njohën dhe iu afruan.

«- Ç’duhet bërë? – e pyetën ata.

– Grisni afishet e grushtit të shtetit dhe thërrisni “Rroftë Kushtetuta”.

– Po nëse ata qëllojnë?

– Rrëmbeni armët![3]»

Turma ishte gati ta ndjekë, por ajo ishte e pa armatosur. Ai e dinte se gjakderdhja nuk ishte e largët. Në një mbledhje deputetësh, Hygo përgatiti tekstin drejtuar popullit: «Louis Bonaparte është një tradhëtar. Ai është i jashtëligjshëm dhe duhet të largohet brenda pesë orëve! Poshtë Louis Bonaparte!»… Dhe turma brohoriste pas thirrjes së tij. Por ndërkohë ai kërkoi të largohej, pasi duhej të takonte gruan, Adelën dhe fëmijët e tij. Po kështu dhe Zhyljetën… ndoshta dhe Leoninë. Në rrugë, ai pikasi një omnibus të Bastijës që punonte akoma dhe i hipi për të shkuar në shtëpinë e tij. Kur iu afrua shtëpisë, një nga të njohurit e lajmëroi: «Policia është në shtëpinë tuaj. Po ju kërkojnë!» E vetmja mundësi ishte të takonte Zhyljetën, e cila do ta fshihte në apartamentin e saj e më pas në një apartament tjetër, te zonja Montferrat. Jeta e tij ishte në rrezik. Një ditë më vonë, ai kishte kohë vetëm për të përqafuar gruan. Pak më vonë, Zhyljeta e shoqëronte me karrocë, e cila u detyrua të ndalonte para turmës që kishte mbushur Sheshin e Republikës. Ngado kishte ushtarë dhe njerëz të trembur. Ushtarët nuk donin ta lejonin të kalonte, por Hygo zbriti nga karroca dhe duke u treguar shallin e deputetit, u tha: «Ushtarë, shikojeni këtë shall. Ky është simboli i ligjit, është përfaqësimi i Asamblesë. Atje ku është ky shall, është e drejta. Pra ky shall u tregon të drejtën. Lui Bonaparti po ju çon drejt krimit. Ai po vret Republikën. Atëherë mbrojeni atë!”

Zhyljeta që kishte zbritur pas tij, kërkonte ta qetësonte dhe ta tërhiqte që të largoheshin, por ushtarët, të hutuar nga guximi i deputetit qëndronin të heshtur. Karroca kaloi… Në kujtimet e saj, të botuar kohët e fundit nën titullin Souvenirs, Zhyljeta përshkruante këtë çast historik: “Viktori përkulet nga dritarja dhe u thërret atyre se janë të varfër, të poshtër dhe vrasës. “Pushkatomëni dhe mua që të mos kem më turp të shoh këtë popull të padenjë që e lë veten ta turpërojnë e që nuk është i zoti të protestojë”. Unë përpiqem ta ndaloj, t’i vë dorën në gojë, por nuk mundem. Por ndodhi mrekullia, sepse fjalët e tij nuk u dëgjuan të gjitha. Zoti i kishte goditur ata njerëz të verbuar, të etur për dhunë e gjak.”[4]

Atë ditë, në një kafene ku ishin mbledhur republikanët, drejtuesit e tyre po hartonin një proklamatë. Shpejt, Hygo e nënshkroi atë bashkë me të tjerët. Ngado ushtonte Marsejeza. Por Hygosë i duhej të fshihej. Ai mund të arrestohej nga çasti në çast. Aleksandër Dyma dhe aktori Bocage kishin shkuar me nxitim te Adela për ta njoftuar se disa njerëz ishin rekrutuar për të vrarë Hygonë. Në mbrëmje ai u fsheh në Rue Richelieu. Ndërkohë, Ministri i Brendshëm kishte nxjerrë një urdhëresë të posaçme kundër tij: ”Nëse kapet Viktor Hygo, bëni ç’të doni me të…”! Mesazhi ishte i qartë. Ai duhej ekzekutuar.

Të nesërmen në mëngjes, Zhyljeta shkoi ta takonte, por nuk e gjeti atje. Shumë të njohur i thanë Hygosë se duhej të ikte sa më parë nga Franca. Pasi brodhi në barrikadat e Les Halles, në Saint-Eustache, në Rue Cadran apo në Rue Saint-Denis, ku pikasi mjaft të vrarë, Hygo e kuptoi se kauza e tyre kishte humbur. “Pashë vrasjen, krimin, vdekjen… Pashë atë shi të vdekjes së verbët”, do të shkruante me dhimbje ai. Në mëngjesin e 4 Dhjetorit, Zhyljeta e kishte gjetur me një fytyrë të bardhë meiti. “Ёshtë i zbehtë, por jo i pashpresë”, shkruante ajo në ditarin e saj.

Përmes disa miqve, ajo i siguroi një pasaportë të mikut të saj, tipografit Lanvin. I maskuar dhe përmes trenit, më 11 Dhjetor 1851, më së fundi Hygo mori udhët e ekzilit drejt Brukselit e më pas drejt brigjeve të ftohta të Anglisë. Zhyljeta ishte atje në stacionin e trenit.

I madhi Hygo linte me dhimbje Francën dhe Republikën për të cilën luftoi. Shumë vite pas atij mërgimi të gjatë, ai do të kthehej në Paris po në atë stacion, ku një popull i tërë e priste me brohorima ; Ishte dita e 5 Shtatorit të vitit 1870.

Dashnori i madh

Hygo ishte një qenie e dashuruar përjetësisht. Dashuria ishte droga e tij, ku ai përhumbej dhe e ndjente veten plotësisht. Një nga dashnoret e njohura të Hygosë ishte dhe Leonie Briand, e cila atë kohë banonte në 12, Rue Laferrière. Në fakt Hygo e dashuronte edhe atë, në mënyrën e tij, por ja që fjalët nganjëherë ishin të njëjta me ato që i shkruante Zhyljetës. Të gjitha gratë për të ishin poetike dhe zgjonin veçse vargje te ai. Por gratë janë dhe xheloze. Madje kur fliste për Zhyljetën, Leonia e quante atë “plaka”, meqë ajo ishte gati 10 vjeç më e madhe se ajo. Kështu, që ta largonte Zhyljetën nga krahët e Hygosë, një ditë Leonia i mblodhi gjithë letrat që i kishte dërguar poeti i dashur dhe të lidhura në një pako ia dërgoi Zhyljetës, shoqëruar me një shënim të saj. Leonie i shkruante se ajo kishte qenë dhe ishte gjithnjë dashnorja e Hygosë që prej 17 vjetësh.

Këto letra ishin për Zhyljetën një bombë e vërtetë. E plagosur dhe e zhgënjyer nga i dashuri i saj i përgjëruar, ajo i la një letër lamtumire dhe e braktisi Parisin menjëherë. Si mund të jetonte më? Por Viktori nuk donte që ta humbiste dhe i lutej që mos ta braktiste. Madje u vu në kërkim të saj, duke pyetur ndër miqtë dhe të afërmit e saj. Ngado kërkonte një gjurmë të ekzistencës së saj. Ku vallë është fshehur, ku? Kur mori vesh se ajo ishte në Brest të Bretanjës, ai i shkroi menjëherë: “Po të flas para Zotit. Të thërras ashtu siç i thirret Jetës. Shpëtomë nga dëshpërimi! Kthehu! Të dashuroj!”… Dhe si shumë e shumë gra të tjera, edhe ajo do të kthehej.

Atë ditë Viktori e priste në stacionin e trenit dhe ajo iu hodh në gjoks e përgjëruar. Ai e vendosi atë në një apartament në Rue Sycomores. Përsëri në ekstazë, si të çmendur. Dhe ajo që i shkruante: «Çfarë furie që sapo kaluam së bashku në shtrat. Do ishte e ëmbël dhe sikur të vdisnim!».

Në mëngjes, kur u zgjua, ajo gjeti një letër që ai i kishte lënë para se të largohej: «Isha i vdekur. Tashmë jam gjallë. Ti je gjaku i zemrës time, drita e syve, jeta e jetës time… ëngjëlli im!»

Megjithatë ajo kërkoi ta vërë atë në provë. Por pavarësisht nga provat, Leonia do të mbetej përsëri në zemrën e tij. Në Korrik të vitit 1845, i fshehur në një apartament në «Passage Saint-Roch» të Parisit, Viktor Hygo flinte me të dashurën e tij Leonie Briand. Kur ndërkohë dera kishte rënë me forcë. “Në emër të mbretit hapeni portën!» – ishte dëgjuar një zë nga jashtë. Viktori hodhi me të shpejtë një këmishë dhe doli të hapë portën. Policët i thanë që t’i ndjekin nga pas. Pranë komisarit të policisë ishte dhe burri i të dashurës së tij.

– «Unë jam «Pair» de France!» – kishte thënë Viktori, duke u bërë të qartë se ai kishte një imunitet të paprekshëm dhe titullin më të lartë.

Leonia e mjerë ndoqi policët nga pas dhe burrin e xhindosur. Të nesërmen, gazetat folën për skandalin e një shkrimtari të njohur, të kapur në flagrancë, por askush nuk e botoi emrin e Viktorit, i cili me kohë kishte kontaktuar gjithë gazetat, duke iu kërkuar kryeredaktorëve që ta shmangnin emrin e tij. Por e shkreta Leoni, e dënuar nga gjyqi, pas burgut u detyrua të mbyllej në manastirin e Saint Augustines. Ndëshkimi binte vetëm mbi gratë!

Historia e Zhyljetës ishte një histori përkushtimi si rrallë në historitë e dashurive të mëdha. Një përkushtim gjer në vdekje. Zhylieta tashmë jetonte vetëm për të. Madje ajo e ndoqi dhe në mërgim, në Gurnesey, ku ajo u vendos në një apartament pranë shtëpisë së Hygosë, të quajtur «Hauteville House». Që ta njoftonte se ishte zgjuar, Hygoja lidhte një shami të bardhë në ballkon që ajo ta shikonte nga larg dhe pastaj të shkonte pranë tij. E megjithatë dashuritë kalimtare nuk do të mungonin dhe më vonë në jetën e tij.

Në Janar të vitit 1872, në shtëpinë e Zhyljetës, Hygo u lexonte aktorëve të teatrit pjesën e tij Ruy Blas, që do të rivihej në skenë në teatrin Odeon. Sarah Bernard, ylli i ri i teatrove pariziane, i vinte rrotull, edhe pse syri i mprehtë i Zhylietës vigjëlonte. Jo, Hygo nuk mund të rrinte pa bërë dashuri. Kjo do të ndodhte dhe me aktoren Bernard, ashtu si dhe me zonjëza të tjera. Kësaj radhe, e dashura e tij ishte kopistja e dorëshkrimeve të tij dhe shërbyesja e shtëpisë, bukuroshja Blanche Lanven.

Ajo ishte e re dhe Viktori i moshuar. Por zjarret e tij nuk ishin shuar. Ai ishte i tmerrshëm në dashuri. Blansh ishte e re ndërsa Zhylieta ishte plakur. Një natë, siç shkruan Hygo në shënimet e tij, ai e kishte parë Blanshën lakuriq: “30 Janar, 1874. E pashë atë pothuajse nudo, si rrallë ndonjëherë, çka nuk më ka ndodhur prej kohësh. Ajo ka ende një trup të mrekullueshëm…” Por kur Zhylieta i ra në gjurmë dhe Blansh e pranoi gabimin e saj, Viktori i kërkoi ndjesë. Përsëri përbetime, pëshpërima, përhumbje në puthje dhe seks për të shuar flakët e zemërimit. “Për të bërë dashuri, – i shkruante me dhimbje Zhyljeta, – ti ke nevojë për shumë trupa, ndërsa dashuria ime për ty, që të të dua më mirë, ka nevojë vetëm për dy shpirtra… Ti nuk je më një burrë për mua. Ti je shpirti i shpirtit tim.”

Ndërkohë, i plagosur nga dhimbja, Hygo do t’i përgjigjej: ”Shpirti im, dashuria ime e madhe. Ki mëshirë për mua dhe bëhu e butë me sjelljet e mia!”

Blansh u detyrua të largohej, por fshehurazi, Hygo do t’i merrte një apartament me qera për ta strehuar diku pranë dhe bujar siç ishte, ai do ta ndihmonte atë gjer në fund të jetës.

Në ditarët e Hygosë, biografët kanë gjetur mjaft shënime të çuditëshme, të koduara, iniciale apo emra femrash, me të cilat ai ka kaluar aventura të një jave apo disa ditëve: Alice Ozy ishte një aktore dhe kurtizane; Louise Colet ishte po një kurtizane që koleksiononte dashnorë në radhët e poetëve e letrarëve; Esther Guimard ishte dashnorja e një pronari gazetash; Laure Desprès ishte gjithashtu e dashura e dukës De Praslin. Por në ditaret e tij janë dhe emra të panjohura si Poléma (në Rue Clichy), Theodorine, (në Passage Saulnier), Janette, (në Rue Delebelle), etj, shpirtra që janë tretur në botën anonime. Cilat ishin këto? Vetëm Hygoi e dinte… Ishin “vajza të gëzimit”.

Jeta, një stuhi e pambarimtë

Jeta e Hygosë ka qenë padyshim një stuhi e pambarrimtë, një jetë me trauma e tragjedi të mëdha, me vuajtje, vdekje të shumta dhe dëshpërime. Njëra nga vajzat e tij që quhej Leopoldinë, bashkë me të fejuarin e saj u mbyt në prag të një udhëtimi me anije. Djali i tij, François-Viktor, vdiq tepër i ri. Eugène, djali i vogël që i vdiq në Belgjikë, ai e solli me karrocë dhe e vendosi në varrezat e “Père Lachaise”. Po atje vendosi më vonë dhe Adelën, gruan e tij. Sa shumë vdekje mbi një zemër! Një tjetër vajzë iu çmend dhe e përfundoi jetën në një spital të çmendurisht. Dhe mbi të gjitha, mërgimi i tij në tokën angleze, në Guernesey apo në Belgjikë. Shkrimtari i madh e kishte të ndaluar kthimin e tij në Francë. Por mbytja e vajzës së tij Leopoldine kishte qenë padyshim dhimbja më e madhe.

Ishte viti 1843. Ai po ikte fshehurazi me Zhyljetën në jug të Francës, në La Rochelle, në kulmin e lumturisë, puthjeve dhe ëndrrave, kur në Roshefort, diku në një bujtinë, ulur në tavolinë, rastësisht ai lexoi një lajm të gazetës: «Vajza e Viktor Hygosë, Leopoldine, është mbytur në Villequier. Thuhet se Hygo është në La Rochelle…” Në kujtimet e saj për këtë ditë të kobshme, Zhyljeta ka shkruar: “Shiko sa e tmerrshme! – më foli ai. – Ngrita sytë drejt tij. Kurrë s’do ta harroj shprehjen e fytyrës së tij fisnike. Sapo e kisha parë të qeshur e të lumtur dhe ja tani, për një sekondë, e gjeta sikur ta kishte goditur rrufeja. Buzët e tij ishin zbardhur. Sytë e tij të bukur vështronin si të humbur, fytyra dhe flokët i ishin lagur nga djersa dhe dora e tij ishte ngjitur fort pas zemrës, sikur të donte ta pengonte atë që të mos dilte nga gjoksi i tij. Mora gazetën dhe e lexova. I dashuri im i mjerë, më lutet të mos shpërthej në lotë. Me një kurajo mbinjerëzore më ndihmoi të dalim nga kafeneja. Kapërcyem pragun dhe ecëm në fushat që digjeshin nga dielli…”[5]

Po, pa folur, me fytyrë meiti, Hygo kishte dalë nga bujtina dhe ishte nisur drejt një livadhi, drejt humnerave të tij të dhimbjes. Zhyljeta kërkoi t’i shkonte nga pas, por ai i kishte bërë shenjë ta linte vetëm. Papritur, nga dhimbja e madhe Viktori kishte rënë pa ndjenja dhe ajo vrapoi drejt tij. Qielli ishte përmbysur mbi sytë e tij. Pastaj ata u kthyen, u ulën në tavolinë dhe ai i shkroi një letër Adelës: «Gruaja ime e mjerë! Mos qaj! Bëhu e fortë. Ajo ishte një ëngjëll. Le t’ia japim Zotit!»…

Menjëherë u kthyen me karrocë buzë kenetave dhe detit të La Rochele-s. “Qielli është mbarsur me re të zeza, – shkruante më pas Zhyljetë, – dhe hera-herës, rrufetë çajnë mes tyre… Mbaj dorën e të dashurit tim të shtrenjtë pa patur forcën t’i them dhe një fjalë. Dhe qielli bëhet gjithnjë e më ogurzi, më i llahtarshëm...”

Kur u kthyen në Paris, ai i premtoi Zhyljetës se do ta shkruante atë udhëtim të tyre triditor që përfundoi me ngjyrën e zisë. Hygo ishte mbyllur dhe vërtitej brenda katër mureve të shtëpisë. Një muaj më vonë, më 24 Tetor, ai do t’i shkruante të dashurës së tij: “Duhet të shkruaj, por gjithnjë kujtimi i asaj dite më bën të stepem. Do të jepja gjithçka në këtë botë që ta përfundoja këtë përshkrim. Do ta jepja jetën time me dhjetra herë e madje me gëzim, por meqë ti ma kërkon që ta shkruaj këtë udhëtim, unë po të bindem…”

Midis tragjedive, jetës pasionante dhe mëgimit të detyruar, Hygo përpiqej të mbijetonte në sajë të artit të vet. Dhe ai ishte i bindur për misionin e tij si republikan dhe artist: «Po shkruaj një bibël. – shënonte ai në ditarin e vet. – Jo një bibël hyjnore, por një bibël humane. Një libër të shumëfishtë që përmbledh një shekull. Ja çfarë do lë pas vetes…»

Një ditë, duke përshkuar rrugën e përditshme, Hygo pikasi një karrocë që po çonte dy të dënuar drejt gijotinës, e cila që pas Revolucionit ishte ngritur në qëndër të qytetit. Kjo pamje e tronditi aq shumë sa ai filloi të shkruajë librin e tij të mëvonshëm Dita e fundit e një të dënuari me vdekje.

Tregojnë se më vonë, një ditë tjetër, duke shkuar për në Akademinë Franceze, Viktor Hygo pa dy xhandarë që kishin vënë përpara një burrë të lidhur dhe të zbehtë në fytyrë. Njerëzit thoshin se kishte vjedhur bukë. Po atë natë ai shkruante: «Për mua ai njeri nuk ishte thjesht një njeri, por vetë spektri i mjerimit; ajo fantazmë e mjerimit e shfaqur në mënyrë të shpërfytyruar e të errët, ishte imazhi i një revolucioni të rënë në errësirë»…

Ky do të ishte protagonisti i romanit Të mjerët, vetë Zhan Valzhani.

“Avenue Victor Hugo”

 Kjo aveny në  atë kohë quhej Aveny Eylau dhe ata banonin në numrin 130. Pas vdekjes së Adelës, Viktori dhe Zhyljeta jetonin tashmë bashkë. Më së fundi mund të jetonin si burrë e grua; ai një kat mbi apartamentin e Zhylietës. Megjithatë darkat për miqtë, letrarët, artistët dhe politikanët shtroheshin gjithnjë në sallonin e saj. Ajo vigjëlonte mbi të, dashurinë e saj të përjetshme, mbi miqtë dhe botën që i rrethonte…

Më 1879, Viktori i ishte lutur Zhylietës që ta hipte në një ballon dhe të ngjiteshin së bashku në qiell. Ai kërkonte të dehej me retë. Dhe ata u nisën. Në qiell, në një tjetër botë. Ndoshta ishte frymëzuar nga Zhyl Verni. Ndoshta… Sidoqoftë ajo skenë duhet të ketë qenë diçka e magjishme, ku shpirti puqet me qiellin dhe ngjizja është sublime.

Më 8 Maj të vitit 1881, bashkia e Parisit vendosi që avenyja e tyre të quhej “Avenue Victor Hugo”. Në letrat që i drejtoheshin shkrimtarit, shkruhej «Merr Victor Hugo, Avenue Victor Hugo»… Madje dhe letrat e Zhylietës vinin në po këtë adresë. Më së fundi zonja Drue banonte në avenynë me emrin e të dashurit të saj.

Më 27 Shkurt, një kortezh i pafund kalonte para dritareve të shkrimtarit duke thirrur: “Vive Victor Hugo!”, “Rroftë Republika!… Dritarja ishte e hapur dhe Viktori i përshëndeste! Jashtë kishte filluar të binte dëborë… Por tashmë Zhylieta ishte tepër e sëmurë. Ajo ishte dobësuar dhe ishte bërë si kufomë. Megjithatë pena e shkrimtarit i këndonte gjithnjë shpirtit të saj, gjer në prag të vdekjes:

”Kur të them qofsh e bekuar – është qielli!

Kur të them fli e qetë – është toka!

Kur të them të dua – jam unë!”…

Më 1 Janar të vitit 1883, ata përkujtuan së bashku ditën e parë kur kishin vështruar njëri-tjetrin dhe ishin dashuruar. Viktori i zgjati një fotografi të përbashkët, ku pas saj kishte shkruar: “50 vjet dashuri – kjo është martesa më e bukur!” Më 11 Janar, e shkatërruar nga kanceri, ajo vdiq pa e kërkuar Viktorin, pa dashur ta shqetësojë Viktorin që t’i shkonte pranë shtratit për t’i thënë një lamtumirë. Të nesërmen, ai nuk kishte më fuqi ta ndiqte karvanin funebër të saj, por e ndoqi vetëm nga dritarja. Që nga vdekja e saj ai nuk do të shkruante më. Vetëm kur ishte në pragun e vdekjes, ai do të shkruante vargjet e fundit: “Këtu është lufta e ditës dhe e natës!”… Pastaj ai thirri nipin dhe mbesën dhe u tha: “Të jeni të lumtur dhe të mendoni për mua!”… Fill pas kësaj, të afërmve ai u lexoi testamentin e tij:”Dua që nga paratë e mia t’u jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpirtjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat… Besoj te Zoti!”…[6]

I dërmuar nga sëmundja e rëndë, tashmë ai nuk arrinte as të fliste. Komunikimi fundit me botën e të gjallëve bëhej përmes xhesteve. Në 22 Maj të vitit 1885, kur Hygoi vdiq, gjithë Parisi ra në zi. Arkivolin e vunë nën Harkun e Triumfit, dhe pastaj, duke përshkuar Champs-Elysées, një milion banorë e përcollën gjer në portën e Panteonit. Në dyert e mbyllura të dyqaneve shkruhej: ”Mbyllur për zi kombëtare!” Kambanat e katedrales Notre-Dame, si dhe ato të Madeleine, Saint-George apo Saint-Sulpice, binin me vaj.

Që nga ajo ditë, eshtrat e Hygosë  janë atje, në Panteonin e lavdisë. Por lavdia më e madhe e tij janë padyshim veprat, shkrimet e tij, apeli i tij i lirisë dhe i qytetërimit. “Thirrja” e tij për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, kjo thirrje profetike, që do të realizohej një shekull e gjysmë më vonë.

Hygo kishte një ëndërr të madhe. Po, ai krijoi një vepër titanësh!… Një vepër, gjurmët e së cilës gjenden ngado. Jo shumë kohë më parë, një prift shqiptar që mbajti meshë në katedralen “Notre-Dame” dhe që më fliste me entusiazëm për veprat e Hygoit dhe mrekullinë e këtij qyteti, nuk e dinte se pikërisht ajo katedrale ku ai mbajti meshë, në vitet e Komunës së Parisit ishte bastisur, ishte plaçkitur e shkatërruar dhe vite më pas, e lënë pas dore, ishte kthyer në një gërmadhë vajtuese. Ishte pikërisht Viktor Hygo ai që ngriti zërin e tij të fuqishëm për ta shpëtuar këtë kryevepër të artit mesjetar. Kësaj katedraleje ai i kushtoi një përkushtim të veçantë dhe në ethet e betejës së tij për ta shpëtuar monumentin e kulturës franceze, ai shkroi romanin e famshëm të tij, të njohur nga të gjithë ne, Shën Mëria e ParisitNotre-Dame de Paris!

5 veprat më të mira

 – Les misérables

– Notre-Dame de Paris

– L’homme qui rit

– Quatre-ving-treize

– Les Orientales

 [1] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[2] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[3] Victor Hugo, Max Gallo, Ed. XO, Paris, 2001.

[4] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[5] Souvenirs, Juliette Drouet, Ed. des Femmes, Paris, 2006.

[6] Victor Hugo, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.

NË TRE OSE KATËR VETË NË NJË DHOMË- Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

NË TRE OSE KATËR VETË NË NJË DHOMË- Yehuda Amichai

 

Në tre ose katër vetë në një dhomë

gjithmonë është një, dritares qëndruar.

Padrejtësitë, i detyruar të vërejë nëpër tela me gjemba,

zjarret në kodër.

Dhe njerëzit e mbetur,

mbrëmjes sjellë në shtëpi, si një kusur i vogël.

 

Në tre ose katër vetë në një dhomë

gjithmonë është një, dritares qëndruar.

I zi floku përmbi mendimet e tij.

Pas tij – fjalët.

Ndërkaq përkundruall tij, zërat, udhëtimet pa bagazh.

Zemra pa zemrek, profeci pa ujë.

Dhe të mëdhenjtë shkëmbinj harruar atje,

qëndrimngujuar si letra,

pa adresë dhe pa askënd që ato t’i marrë.

 

Përktheu: Eraldo Hatija

Historia e një pikture që luftoi fashizmin

in Pikturë by

“Unë kam besuar gjithmonë dhe ende besoj se artistët që jetojnë dhe punojnë për vlerat shpirtërore nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë indiferentë në një konflikt në të cilin vlerat më të larta të njerëzimit dhe qytetërimit janë në rrezik.”-Pablo Picasso

 Guernika – Pablo Picasso (Museo Nacional Centro de Arte Reina Sofia)

Më 26 Prill 1937, gjermanët nazistë dhe bombarduesit italianë sulmuan qytetin bask, Guernikën dhe brenda 3 orëve shkatërruan 3/4 e qytetit të lashtë duke vrarë e plagosur qindra njerëz. Sulmi “i pashembullt në historinë ushtarake”, sipas raporteve të asaj kohe, frymëzoi një nga pikturat më të famshme kundër luftës në histori, Guernikën. Sipas historianit të artit Fernando Martin, “Për herë të parë në historinë bashkëkohore të luftës, si qyteti ashtu dhe popullsia e tij civile u asgjesuan edhe si një taktikë trembjeje po edhe si një mënyrë për të testuar makinën e luftës.”

Ekspozita e Parisit 1937, e cila u hap në më pak se 1 muaj pas bombardimeve dhe vetëm 10 muaj pasi fillimit të Luftës Civile Spanjolle, i lejoi për herë të parë artistët të flisnin kundër brutalitetit të luftës dhe që nga ky moment piktura u bë edhe propagandë, pavarësisht se ajo ekspozitë sot mbahet mend më shumë për konkurrurrencën dhe mburrjen e dy kombeve: Gjermanisë, me kullat monumentale prej graniti në krye të të cilave ishte një shqiponjë gjigante me svastika, dhe Bashkimit Sovjetik me një statujë edhe më të mëdhe se ajo e gjermanëve; dy figura që shtrëngonin një çekiç dhe një draper mbi një strukturë prej mermeri.

Ndërsa Europa shkonte drejt luftës, gjendja në Spanjë mori rëndësi në mbarë botën sepse ajo u bë fushë – beteja për forcat e fashizmit dhe komunizmit duke frymëzuar vepra të reja për disa nga artistët më të mëdhenj të kohës: Pablo Picasso, Julio González, Joan Miró, Alexander Calder, Alberto Sánchez, dhe José Gutiérrez Solan.

Picasso në fillim të vitit 1937 kishte filluar një seri vizatimesh kundër nacionalizmit të quajtura “Ёndrra dhe Gënjeshtra e Frankos,” po nga fundi i vitit u porosit për të krijuar një murale për pavjonin spanjoll Mayoral dhe pas leximit të raporteve të sulmit të Guernika-s nga aleatët e Frankos, ai filloi punën kësaj pikture e cila do të simbolizonte luftën kundër gjithë fashizmit. Ky ishte “momenti kur Picasso e dinte me saktësi se cilët do të ishin subjektet e murales së tij për pavjonin.”

Piktura “Guernika”, nuk u ekspozua në Mayoral, po në Muzeun Reina Sofia të Madridit, po fotografitë e bëra nga e dashura e Picasso-s në atë kohë, Dora Maar na tregojnë detaje rreth fazave të krijimit të saj. Puna u mbarua në pak më shumë se një muaj dhe për të luftuar thashethemet se ajo mbështeste nacionalistët, Picasso bëri një deklaratë: “Me muralen në të cilën jam duke punuar dhe që do ta quaj Guernika, si dhe në të gjitha veprat e mia të fundit të artit, unë në mënyrë të qartë e hapur, shpreh neverinë time ndaj kastës ushtarake, e cila e zhyti Spanjën në një oqean dhimbjeje dhe vdekjeje.”

Propaganda ishte një këndvështrim i ri për shumë prej artisëve, nëvizojnë historianët e artit. Para vitit 1936, as Picasso e as Miró nuk ishin shumë politikë, por Lufta Civile Spanjolle e ndryshoi këtë. Sipas tyre “Ёndrra dhe Gënjeshtra e Frankos” e Picasso-s dhe Aidez l’Espagne (Ndihmoni Spanjën) e Miró-së më 1937 janë veprat e para haptazi politike të artistëve. Vonë në karrierën e tyre, në vitin 1944, Picasso do t’i bashkohej Partisë Komuniste franceze dhe Miró vazhdoi të ishte shumë aktiv kundër regjimit të Frankos, edhe gjatë viteve 1960 dhe ’70.”

Guernika mori një kuptim më të gjerë në vitet që pasuan. Sipas studiuesve të artit, kjo ndodhi sepse pëshkruante Luftën Civile Spanjolle, fatin e civilëve në të, si dhe bombat që shkatërruan qytetin bask e vranë aq shumë njerëz. Po ajo gjithashtu ishte një pasqyrim i të gjithë luftërave. Shkrimtari francez Michel Leiris, i inspiruar prej pictures, do të nënvizonte: “Në një kanavacë bardh e zi përshkruhet një tragjedi e lashtë sa bota … dhe Picasso e shkruajti në të letrën tonë të dënimit; çdo gjë që duam e dashurojmë, do të humbë.”

Megjithatë, në të ka edhe shpresë. Mes figurave të kufomave që angullijnë nga agonia e dhimbjes, Pikaso la një fener, që sipas studiuesit të artit Martin: “Në qendër, nga një dritare, zgjatet dora e një gruaje me një llambë vajguri, që duket sikur do të ndërhyjë në këtë panik, të ndriçojë sadopak errësirën.”

Guernika ndoqi një traditë më të hershme, duke i bërë jehonë veprave të Goja-s, i cili përshkroi rezistencën ndaj pushtimit të Spanjës nga Napoleoni. Vizioni grotesk që Goja solli me kritikën e tij politike nuk humbi, por u kthye në një mjet i fuqishëm për artistët për të shpalosur pikëpamjet e tyre të çdo kohë ndaj padrejtësive. Ёshtë i njohur adhurimi i Picassos për “lenten e errët” të Goja-s mbi komplekset politike dhe traditat fetare të Spanjës.

Pikaso, Miró, Calder dhe González vazhdojnë akoma të na mësojnë se nganjëherë momentet e mëdha, të tilla si Lufta Civile Spanjolle, të kërkojnë të marrësh një anë. Veprat e krijuara nga këta artistë janë e pjesë kujtesës kolektive të Spanjës. Ato përfaqësojnë kthesën e madhe të Luftës Civile dhe luftën e betejat e vendit midis demokracisë dhe fashizmit.

Siç edhe vetë Picasso e ka përmbledhur vendimin e tij në vitin 1937: “Unë kam besuar gjithmonë dhe ende besoj se artistët që jetojnë dhe punojnë për vlerat shpirtërore nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë indiferentë në një konflikt në të cilin vlerat më të larta të njerëzimit dhe qytetërimit janë në rrezik.”

Përktheu: Meli Ajazi

DHE KËSHTU TI E GJEN VETEN- Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DHE KËSHTU TI E GJEN VETEN- Yehuda Amichai

 

Dhe kështu ti e gjen veten gjithnjë duke qëndruar

midis të shumëlëvduarës panoramë

dhe atij që e çmon dhe ua shpjegon atë

atyre që përreth tij qëndrojnë në një rreth të entuziazmuar.

 

Ti nuk përzihesh më.

Dhe fjalët, të pakuptimta për ty,

përsëri janë larguar prej tëndit trup,

ashtu si era, si uji kur shkapërdahet

dhe sërish pas teje bashkohet.

 

I ëmbli ateizëm ende lulëzon

këtu përreth, përmbi shkëmbinj,

me një nur të dëshpëruar dhe po kaq të vetmuar,

porsi lulëzimi i të parit besim në Zot.

 

Shpati i malit, prej kosës prerë,

sërish do të zverdhet e i kafenjtë, në verë do të kthehet.

 

Dhe me bar, pranverën tjetër të rrëmbushet,

porsi çdo mal në pranveroren stinë,

 

si një pjesë imja, prej nga ti u preve

disa vjet më parë.

 

Përktheu: Eraldo Hatija

Një bisedë e shkuar me Ernesto Sabaton-LuanRama

in Letërsi by

“Nëna ime ishte shqiptare dhe fliste shqip. Ajo ishte si një perëndi për mua… Në Shqipëri do të kem rastin të njoh vëndin e parardhësve të mi. Jam shumë i prekur nga ftesa që më është bërë”- Ernesto Sabato.

Luan Rama

Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuajse një dhjetvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij. Në moshë të thyer ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri. Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund kishte emigruar në Argjentinë si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së jugut.

Unë e takova Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiane dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse tetëdhjetë e pesë vjeçar ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetem se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.

Gjithnjë ëndërroja vendin e të parëve

Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Ëngjëlli i ërrësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti. Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë ata kishin patur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë. Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh. Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishtë një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare. Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. – “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.

Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markezit, Asturias dhe Kortazarit. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë esé mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tre ishin romanet e vetëm të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Ëngjëlli i ërrësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhur me çaste të rëndësishme të jetës së tij.

Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Airesit, ku u vendos fillimisht familja e tij. I ati, ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860, kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas. Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolezh të La Plata-s, larg familjes, ndërsa ato universitare në Bueson-Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të universitetit të La Plata-s, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobël”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë. Kështu ai u nis të punonte pranë laboratoreve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945, botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos-Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare. Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe esesh, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare. Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Ëngjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare. Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes” në Spanjë,          “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Israel, etj. Ai është njëkohësisht dhe “doctor honoris causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.

Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:

– Para së t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehërin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.

– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë më bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino. Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë; jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25 vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Europës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “Princ të Krishtërimit”. Pra, nga mijra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito). Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme. Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para së të vdiste, nëna ime ia dha gruas time, Matildës, ndërsa më pas, ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.

– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?

 – Po, kam patur shumë dëshirë të njihja vëndbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës time që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshës sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri më të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi ajo u martua më një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt nëna e saj nuk donte që ajo të martohej më të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë. Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, më titull “markez”, por më pas ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre.Vite kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40 vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës time, atëherë pesëmbëdhjet vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% ë popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.

– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?

– Emocione të forta. Mamaja për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.

– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A kini lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.

– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arësye se 16 vjet më parë unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër. Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush; mu duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për ehon e veprave të tij.

– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti në çastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?

– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vënd për shkak të diktaturës…” Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqia. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe tek ju.

– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?

– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në Lëvizjen Komuniste ku qëndrova pesë vjet më radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja Komuniste e Buenos-Aires-it më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys. Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjëndje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. Franceze “Humanité”. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.

– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Evropën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra cila është vlera e demokracisë sipas jush?

– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete; së pari Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike. E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standartet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një dëmokraci e kulluar. Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.

– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. Vallë a e keni njohur personalisht?

– Jo, unë atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam patur vetëm korrespondencë. Ishtë një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.

– Ju jeni një utopist?

Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por unë kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë kjo që them unë ndoshta nuk shkon. Mund t‘u duket si një ide e çmendur.

– Fundin e romanit tuaj “Ëngjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra tuaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për veten:”E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij:“Paqe!”… Përse ky epitaf?

 – Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tri të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj së një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobël. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar më të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t‘ua jepja shoqatave që ndihmojnë të vobektit.

– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?

– Sepse jeta ime ka qënë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: – Mjaft më me këtë gjendje! Paqe besoj se do të jetë vdekja.

Deviza ime; Të rezistoj gjer në fund!

E takova përsëri Ernesto Sabaton, po në hollin e hotelit “Le Madison” ku morëm nga një kafe së bashku. Në duar kisha librin e tij  “Ëngjëlli i errësirave” (L’Ange des Tenebres) mbi të cilin ai hodhi një shënim të ngrohtë. “Nuk di nëse është shkruar mirë dhe nëse lexohet, – tha duke qeshur,  pasi tashmë ai as nuk mund të shkruante dhe as nuk mund të lexonte. Një libër që të mbërthen me ngjarjet që trajton dhe që është vlerësuar mjaft nga kritika botërore. Ai u cilësua si një “introduksion haluçinant e madhor në mbretërinë e demonëve“, ndërsa revista e njohur Les nouvelles Llittéraires, me rastin e botimit të librit shkroi se “Sabato i përket rrethit të shkrimtarëve të mëdhenj metafizikë për të cilin romani është një tërësi, një fjalim filozofik, një valle luftarake, një demostrim dhe lirizëm, shkurt një “zbulim i realitetit”. Në këtë vepër gërshetohen refleksionet e tij filozofike, të afërta me ato të filozofisë romantike gjermane. Ai flet për Niçe, Jung, Heidegger, Jaspers dhe nuk harron të flasë për Marksin si një mendimtar të fuqishëm. Libri në vetvete është një kronikë e persekutimeve që ka pasur shkrimtari, pasi ai ka guxuar të rilevojë dhe denoncojë në librat e tij të mëparshëm forcat sekrete dhe të errta që qeverisin njerëzit përmes terrorit. Një kronikë e betejës vetmitare të krijuesit që papritur gërshetohet me universin e personazheve dhe fantazmave të tij, kronikë e një vendi ku dhomat e torturave gjëndeshin shumë pranë salloneve letrare, kronikë e agonisë së një qytetërimi në gjurmët e triumfit të së Keqes e që përmblidhet në letrën e një të panjohuri adresuar OKB-së, duke i kërkuar që të zhduket emri i tij si pjestar i kësaj race njerëzore.”

Ishtë pikërisht Sabato që i rezistoi aq shumë diktaturës. Ishtë ai që pas shëmbjes së diktaturës udhëhoqi komisionin për hetimin e të “zhdukurve” (“Desaparecidos”) të diktaturës argjentinase. Artisti kundër Shtetit. Shteti kundër Artistit!.. Dhe kur ai dëgjoi se gazetarët shqiptarë kërcënohen, burgosen, sepse thonë të vërtetën, ai m’u kthye i shqetësuar: – Mos vallë Shqipëria është diktaturë? – Jo, – iu përgjigja. – Diktatura ka perënduar njëherë e përgjithmonë dhe nuk do të rikthehet më. Këto janë “eksese” të një pushteti autoritar të “Njëshit” që nuk e ka mësuar mirë së ç’është Demokracia”. Dhe kështu, shtruar, nisi biseda me shkrimtarin.

– Në shumë ese që keni shkruar, veçanërisht në “Heterodoxie” apo “Shkrimtari dhe katastrofa”, ju shtroni probleme që kanë të bëjnë me procesin e krijimit dhe artin në përgjithësi. Në këtë prizëm, si e klasifikoni ju artin tuaj?

– Arti im?… Arti im s’është gjë tjetër veçse një grusht obsesionesh. Obsesione të trazuara, të shqetësuara, shpesh tentativa irracionale, me ambiguitete dhe kontradiksione. Nëse një pjesë e veprës asime do t’i rezistojë kohës, ajo do të jetë një pjesë deliresh që unë nuk i shpjegoj dot. Hodërlin thotë diku së “çdo njeri është zot kur ëndërron, dhe një lypës i thjeshtë kur mendon”… Kjo është e gjitha. Unë nuk i besoj një arti racionalist.

– Ju jeni fëmija i dhjetë i familjes Sabato dhe që të gjithë djem. Fëmija që lindi para jush quhej Ernesto Sabato dhe ai vdiq shpejt. Kështu ju morët emrin e vëllait tuaj të vdekur. A ju ka ndjekur vallë ky emër gjatë krijimtarisë suaj?

 Nëna ime ishtë shumë e lidhur me Erneston që vdiq. Pas tij, ajo u lidh tmerrsisht me mua dhe nuk deshi të lindë më fëmijë të tjerë. Unë kisha vëllezër të mëdhenj që mund të ishin fare mirë prindërit e mi. Fëmijëria ime ka qenë shumë e mundimshme. Të gjithë vëllezërit ishin të lirë, shkonin në lumë, bridhnin, ndërsa unë isha si një i burgosur i nënës time. Kjo më revoltonte shumë kundër saj, e kështu fillova të jetoj në një kushmar të përhershëm, të kisha haluçinacione dhe dhjetë vjet me rradhë isha një somnambul. Dhe kjo la gjurmë të mëdha në gjithë krijimtarinë time.

– Megjithatë, vepra juaj dëshmon kohën që ju keni jetuar, ngjarje që ka kaluar Argjentina, diktaturën, demokracinë… jeta juaj kap pothuaj gati një shekull.                                                  

– Është e vërtëtë që një shkrimtar është gjithnjë një dëshmitar i epokës së vet. Për më tepër pasi romani është diçka më i plotë. Letërsia ka prioritet në këtë drejtim në krahasim me artet e tjera si muzika, piktura, skulptura, etj. Një romancier i madh e shqetëson gjithnjë epokën e tij, shtetin, njerëzit. Unë nuk shkruaj që të tjerët të më pëlqejnë, por që kur të më lexojnë ata të shkunden, të zgjohen.

– Letërsia juaj është mjaft e fuqishme dhe unë doja të dija se si punoni ju?

– Unë punoj me intuitë. Është intuita ajo që më udhëheq në udhën e proçesit krijues. Vështirësia ime më e madhe është përfundimi i veprës. Jam gjithnjë i pasigurt. Vështirë ta heq nga duart një roman apo një libër. Pra veprat i shkruaj për një kohë të gjatë. Ndryshe ka ndodhur me librin “Raporti i ëndrrave” që është në romanin “Alejandra”. Atë e kam shkruar me një frymë, brenda një muaji.

– Romanet tuaja, për nga stili, ndryshojnë nga shkrimet e Borgesit, apo të Asturiasit dhe aq më shumë nga Markezi, megjithëse për nga fryma ju keni pikëtakime më ta.

– Stili është vetë njeriu, individualiteti, ekzistenca e tij, mënyra e tij origjinale e të vështruarit të botës, realitetit. Pra mënyra sesi gërshetohen mendimet, emocionet, sensibiliteti me çmendurinë, paragjykimet, etj. Çdo shkrimtar ka stilin e tij, ndryshe janë shkencëtarët. Nuk mund të flitet p.sh. për një stil të teoremave të Pitagorës.

– Në librin tuaj të fundit “Ëngjëlli i ërrësirave” ju keni treguar shumë ngjarje nga jeta juaj personale. Gjithashtu, edhe në romanin tuaj të fundit ju shkruani gjëra të ngjashme që kanë të bëjnë me ju dhe nënën tuaj, me Shqipërinë, origjinën shqiptare, Skënderbeun, flisni madje për Apollinaire që ka shkruar për shqiptarët, etj.

– Në të gjitha librat e mi, unë jam dhe nuk jam në to. Po ta mendojë dikush se unë jam heroi i këtij romani të fundit kjo do të ishte absurde. Ai roman është një kushmar. P.sh. “Raporti i të verbërve” ka një vizion të përgjithshëm të inkoshiencës. Në romanet e mëdha është inkoshienca që i bën ato interesante, metafizika… Në letërsinë e kohës sonë ka vepra të një dimensioni tragjik dhe të një rëndësie metafizike që nuk mbeten prapa veprave të Sofokliut e të Euripidit.

– Ndoshta pikërisht për këtë ju pëlqen aq shumë Dostojevski?

– Me Dostojevskin fillon epoka e letërsisë së madhe. Dostojevski, Kierkegard, Niçe… udhërrëfyes të epokës sonë. Dostojevski është nga ata shkrimtarë që i imponoi botës një vizion të ri.

 – Pikëtakimi juaj i parë me një estetikë artistike ndodhi në Paris, në vitet 30-të. Përse u bashkuat me surrealistët?

– Atë kohë unë punoja në laboratorët e Joliot Curie, pranë Rue d’Ulm. Ditën e kaloja me shkencën, natën bëja eksperiencën e delirit. Surrealizmi m’u shfaq si një zjarr purifikues kundër kulturës së çhumanizuar. Natën mblidheshim në kafenenë “Le Dome” apo në “La Coupole”, ku kam njohur André Breton-in, Tristan Tzara, mikun tim piktor Dominguez apo Matta, Ferry, etj.

 – Krahas letërsisë, pasioni juaj i dytë ka qënë piktura, të cilës tashmë i jeni përkushtuar dhe ku ndihet një influencë e Jerome Bosch. Cilët janë piktorët tuaj të preferuar?

– Ah, Bosch, atë piktor e pëlqej shumë. Në fakt unë preferoj ekspresionistët. Ekspresionizmi nuk u përket vëtem gjermanëve. Ekspresionizmi në art ka ekzistuar gjithnjë, që nga koha antike. Një ditë, një i huaj që vinte nga rrethinat e Athinës për në kryeqytetin e madh grek, pa Sokratin midis nxënësve të tij. Kur u afrua dhe bisedoi me Sokratin, ai i tha: “Në fytyrën tuaj shoh gjithë veset e njeriut!” Sokrati në vënd që të zemërohej, qeshi më konstatimin e udhëtarit, i cili ishte ngacmuar nga ekspresioni i fytyrës së tij. Pra ekspresioni ka rëndësi në art.

– Edhe portretet e Kafkës që keni pikturuar në albumin tuaj, duken mjaft ekspresionistë. Përse i jeni referuar kaq shumë Kafkës në pikturë, si dhe në letërsinë tuaj?

– Unë e dua shumë Kafkën. Jo vëtëm artin por veçanërisht jetën e tij. Kafka i shkretë ka vuajtur. Unë gjithnjë kam qenë krah njerëzve të pambrojtur, pranë të varfërve, njerëzve të kërcënuar nga padrejtësia sociale.

– Veç Kafkës në letërsinë tuaj ndihet dhe influenca e Dantes, veçanërisht kur krijoni ferrin e personazheve tuaj.

– Nga Dante janë influencuar shumë shkrimtarë të këtij shekulli. Eshtë e vërtetë që në librat e mi ka një ferr, pra një “enfer”.

– Ju kini shkruar për një periudhë të gjatë, pothuaj gjysmë shekullore. Çfarë ju ka shtytur të shkruani?

– Pasioni. Kurrë nuk kam shkruar për pará apo për t’u nderuar më çmime. Ata shkrimtarë që e bëjnë këtë, bëjnë një lloj prostitucioni me letërsinë e tyre. Siç ju thashë, nga ato ç’kam shkruar, shumë pak kanë mbetur. Shumica janë djegur. Librat e mi janë cilësuar nga reaksionarët si libra komunistë dhe nga komunistët janë cilësuar si reaksionarë. Stalinistët më kanë cilësuar si një shkrimtar mikroborgjez, kontradiktor dhe irracionalist, se i shërbej interesave të reaksionit. Me një fjalë unë nuk i përkas asnjë kampi.

– Cila është ajo lloj letërsie që ju pëlqen?

– Ajo që zgjon njeriun, ajo letërsi që e shkund atë, që e bën të ndërgjegjshëm për ngjarjet themelore të kohës. Ja pse mua më pëlqejnë romancierët filozofikë. Midis shkrimtarëve Balzac, Sad, Stendal, Proust, Malraux dhe Kafka; si romancier filozof është dhe Dostojevski. Ata janë shkrimtarë që si objekt të tyre kanë zgjimin e njeriut, shkundjen e tij nga gjendja dhe bindjet e zakonshme. Megjithatë arti i madh në asnjë mënyrë nuk propozon të ndryshojë marrëdhëniet sociale të një komuniteti. Për këtë ekzistojnë instrumente të tij siç janë politika dhe dishepujt e saj, teoricienët revolucionarë. “Pëllumbi i Paqes” i pikturuar nga Picasso nuk ka shkaktuar as më të voglin revolucion edhe pse vetë Picasso ishte një revolucion në pikturë.

– Si mund t’i quanim ndryshe artistët?

– Rebelë që shqetësojnë shtetin… Më kujtohet koha kur braktisa shkencën, fizikën për t’iu përkushtuar letërsisë. Në Buenos-Aires atë kohë unë punoja me profesor Guido Beck, një fetar i madh, miku im dhe nxënës i Anjshtanjit. Kur mori vesh se kisha vendosur të merresha vetëm me letërsi ai më akuzoi se po bija në prehër të sharlatanizmit. Por ai harronte që njeriu është një shpirt plot më kontradita.

– Vepra juaj, që nga romani i parë “Tuneli”, është një botë e nëndheshme, një botë ëndrrash.

– Arti dhe ëndrrat janë shumë afër njëra-tjetrës. Bota e nëndheshme e ëndrrave u jep gjithnjë mesazhe kërcënuese e plot ankth, një botë që flet me një gjuhë simbolike, të dykuptimtë, si ëndrrat dhe figurat e komuniteteve primitivë. Mitologjia, arti, ëndrrat kanë rrënjë të përbashkëta? Ato vijnë nga bota e inkoshiencës dhe na zbulojnë situata që nuk mund t’i shpjegojmë thjesht. Është absurde t’i kërkonim Kafkës se ç’donte të thoshte me “Profetin”.

– Ju keni shkruar shumë edhe rreth filozofisë, estetikës, problemeve të mëdha që preokupojnë artin. Tashmë keni hyrë në vitin e 85 të jetës tuaj. Në këtë udhëtim të njeriut, a ndjeni se po afroheni me Zotin? A besoni në ekzistencën e tij?

– Unë rrjedh nga një familje me tradita katolike. Por në esencë jam një anarko-kristian, pra një katolik anarshist, shprehje që i bën të qeshë miqtë e mi. Megjithatë kishën në vetvete unë kurrë nuk e kam dashur. Unë nuk shkoj në kishë. Deri në shekullin e III-të të erës sonë, Kisha ishte një institucion popullor dhe për popullin. Pas kësaj kohe, kur ajo mori pushtet, nuk luajti më atë rol. Kjo gjë ndodh edhe sot. Shikoni Papën. A mund t’i besohet atij?! Unë kam shumë miq që janë fetarë të devotshëm, por unë dyshoj në Zotin. Shumë herë më tërheq manikeizmi. Kur ky Zot i gjithëfuqishëm që ekziston dhe sheh gjithçka që ndodh mbi tokë, si vallë e pranon që fëmijët të vdesin urie? Bota e sotme ka shumë demonë…

– Në veprën tuaj ju flisni gjithashtu për vdekjen. Kini vallë frikë nga vdekja?

– Aspak!

– Dhe në se në botën e përtejme, një ditë, do të takonit Zotin, çdo të donit që ai t’u thoshte kur tu takonte?

– Mirëdita!…

– Dhe së fundi; cila është deviza e jetës tuaj?

– Të rezistoj gjer në fund!

Në fund të bisedës dëshiroj tu uroj udhë të mbarë në Shqipërinë që ju e keni ëndërruar gjithnjë. Shqiptarët ka kohë që ju presin krahëhapur. Ju jeni “gjaku ynë i shprishur”…

Nga Parisi unë ndoqa vizitën e Sabatos në Shqipëri. Në kthim, gazetarët e huaj zbuluan lidhjen e vjetër të tij me Shqipërinë. Për këtë ai do të shkruante më pas dhe në librin “Para fundit” (Avant la fin) të botuar dhe në Francë, ku shkruan mes të tjerash për përshtypjet e tij si dhe një djalosh shqiptar:“Gjatë vizitës sime në Shqipëri u njoha me një djalosh të quajtur Valter, i cili e kishte lënë familjen e tij në Thumanë për të shkuar të shëronte të sëmurët në Kalkuta, me misionin e Nënë Terezës. Sa emocione kam tani që e kujtoj. Sa herë lexoj lajmet e tmerrshme nga ky vend që më është i shtrenjtë për zemrën time, pyes veten se ku është ky djalosh dhe se kushedi, rastësisht lexon këto radhë që i bëjnë homazh heroizmit të tij fisnik…”

Ernesto Sabato vdiq midis tablove të tij në moshën gati 100 vjeçare, më 30 prill të vitit 2011, duke dëgjuar kompozimet e Schuman-it, që e pëlqente aq shumë dhe koncertin e zogjve të oborrit të tij. Vdiq duke lënë pas një vepër të madhe, veprën e një rebeli që luftonte që bota të ishte më e mirë…

I shuajnë dritat zanat-Natasha Lako

in Letërsi/Tharm by

I shuajnë dritat zanat-Natasha Lako

 

I shuajnë dritat zanat, por unë do të hyj aty ku nuk ka vend,
poza është teatrale, koka ka kallëp.

Kapitulli i dytë ka një kapërcim,
poza pohohet në trupin e përgjimeve.

Edhe në rrugët e Azisë kam qënë, por ç’është kjo hata,
bota tani pi sisë, në pozën me supën me lakra.

E ku kanë kohë zanat të bëjnë pjesë në ndonjë emocion
poza është gjithmonë e pabesë.

Gjitarët kanë në krye njeriun,
por njeriu nuk është një shaka.

____

Shkëputur prej vëllimit poetik:“Kundërpërfytyrimi”

Piktura: “Vallëzimi i zanave”-August Malmström

SHKRUE NË SHI-HILDE DOMIN

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

SHKRUE NË SHI-HILDE DOMIN

 

Kush kishte me kenë posi bleta

që e ndien diellin

edhe nën qiej resh

dhe e gjen rrugën deri te lulja

e kurrë s’e humb drejtimin,

fushat kishte me i pasë me nur amshimi

dhe sado shkurt që kishte me rrnue

veç rrallëherë

kishte me qa.

Përktheu nga originali: Hans-Joachim Lanksch

© Copy right-i i përkthimit: Hans-Joachim Lanksch

                                   

Nikolin Ivanaj-Një piktor i udhëve njerëzore/Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Rikrijimi i natyrës në një tablo besoj se duhet të jetë në vetvete një lloj ekstaze, çka nuk e kam provuar. Ndryshe, të gjithë piktorët e përjetojnë atë, pasi me penelat e tyre ata kërkojnë të depërtojnë brenda natyrës, të bëhen pjesë e saj, të jenë shiu, dielli, vetë ajri që vibron, të jesh aty ku gëlon e gjelbërta e barit apo shpërthimet e shegëve me njëmijë të kuqet e tyre. Piktori ngazëllehet kur arrin të japë ndjesinë e flladit, furinë e erës, rrebeshin që afrohet e vërtitet nga qielli duke goditur tokën. Ç’mrekulli! Ja pse Ivanaj i adhuron peizazhet e Van Gogh-ut pasi ato janë dinamike, me një energji të brendëshme, trallisëse, dhe në mendje padyshim përballë tablosë së gjeniut ne dëgjojmë ende krakëllimat e korbave që vërtiten në qiell.

Vështroj disa peizazhe të Ivanajt të pikturuara në Lezhë, vështroj lagunën, kallamishtet, përkuljen e fierit dhe e ndjen natyrën sikur të jesh aty, duke e harruar atelierin e piktorit. Ky piktor është realist dhe e pëlqen shkollën realiste, ku shumë piktorë të mëdhenj botërorë janë tronditës me tablotë e tyre realiste, ata i kanë besuar realizmit dhe janë përshëndetur për këtë.  E megjithatë Ivanaj pëlqen po aq shumë dhe impresionizmin, në veçanti Monet, pasi nga realizmi, Monet kaloi në impresionizëm duke u përpjekur të kapë një impresion të çastit dhe shumë domethënës. Kur e pyes Ivanajn se kur është koha më e përshtatshme për të pikturuar një peizazh ai menjëherë më përgjigjet:«Në çdo moment!» Kjo përgjigje përmbledh në vetvete një filozofi pikturale dhe një eksperiencë, pasi piktori i peizazheve, përballë natyrës e ka gjetur veten në shumë momente. Ai përgjigjet kështu pasi i beson gjithnjë natyrës, dritës që lëviz në çdo çast, vesës së mëngjesit apo brymës së mbrëmjes. Bisedojmë për peizazhistët anglezë veçanërisht Tourner apo Uistler, duke të treguar gjendjet e tij kur pikturonte para disa vitesh ballë një kishe të vjetër të Londrës. Sigurisht, në rininë e tij nuk e kishte imagjinuar të vihej për të pikturuar brymën e Londrës, çka e kishte parë veç në riprodhimet e këqija të atyre autorëve në revistat e pakta që u shfaqën për një çast të shkurtër në Shqipëri deri në vitin 1974. Kështu formoheshin piktorët shqiptarë, ndërkohë kur shekuj me rradhë, mjeshtrit e mëdhenj të Europës shkonin detyrimisht në Itali për të parë në muzeume dhe galeri koleksionistësh gjithë traditën pikturale të Renesancës Italiane duke filluar me kryeveprat e «Quatroçento»-s dhe «Cinquecento»-s…

Nikolini është vazhdimisht në lëvizje. I pranishëm në ekspozitat “Pranverore” të Tiranës, në «kolonitë» e ndryshme të piktorëve, në ekspeditat drejt jugut e veriut, çka të kujton traditën e «Shkollës së Barbizonit» me në krye mjeshtrin e madh Millet, të cilin Van Gogh e adhuronte e ku madje tentoi të rikrijonte tablo të tij, që padyshim ishin me një ekspresivitet ndryshe nga qetësia e Millet – («Djaloshi në mullarin e barit») apo dhe grupin e impresionistëve që grumbulloheshin në brigjet e Senës jashtë Parisit, drejt Poissy. Në atelier, peizazhet e Ivanajt pasqyrojnë vende të Ballkanit, në Prizeren, Ulqin, Guci apo në Machia, Frasineto, Cassano të Italisë së Jugut, tek «gjaku ynë e shprishur», tablo që janë befasuese dhe me vlerë. Shoh shtëpinë e De Radës në Machia, portën, kambanoren tutje, gurin ku ngjitej për t’i hipur gomarit dhe dalë nga qyteza… mjedise historike të kthyer në tablo arti.

Karaktere spikatëse

Kam parasysh një thënie të Ismail Lulanit që për krijimet e Ivanajt thoshte: «Tablotë e tua i njoh njëqind metra larg». Dhe kjo kishte domethënie, pasi që në dhjetvjeçarin e parë pas studimeve në Artet e Bukura në Tiranë, Nikolini krijoi individualitetin e tij. Portreti për të është si «kali i betejës» siç thonë latinët, pasi ajo është e parapëlqyer e tij dhe ku pikas mjeshtërinë tashmë të konsoliduar. Ёshtë portreti që filloi me njerëzit e familjes, pastaj me miqtë e tij e ku më pas hynë puntorët, fshatarët, figurat e jetës së përditëshme, duke hyrë kështu në «lumin e madh njerëzor», pasi të gjesh karaktere dhe rikrijosh ata, mund t’i gjesh veçse ne jetën e përditshme që vërshon përreth. «Ja pse më pëlqen Rembrandt, – thotë ai, – pasi portretet e tij dinë ta mbërthejnë figurën njerëzore, ta japin të trazuar në thellësitë e tij… kështu është dhe me Goja-n, apo Ticiano-n, ndoshta portretisti më i madh, si dhe Velaskez që më pëlqen shumë, apo Koro…» Dhe vërtet është interesante se disa portrete grash të ulura, me kostumet e tyre karakteristike, na kujtojnë nga larg punën e piktorit francez Corot që punonte me aq finesë portretin me dritëhijet e tij, por dhe detajin e kostumeve. «Nëse në fillim paleta jonë e ngjyrave ishte disi e kufizuar, me ngjyra të kursyera dhe jo shpërthyese, sot ngjyrat janë më të gjalla, më dinamike dhe vibruese…» Duke parë portretet e ndryshme si; «Lokja», «Mixha dhe kulla», «Portret mirditoreje», «Nusja zadrimore» etj, spikat dëshira e tij për të kapur figura të jetës fshatare, kostumet e mirditoreve, lezhjaneve, veçanërisht femra, portrete të mrekullueshme që nganjëherë (me vajzën me tabaka) na risjellin nga larg në një formë sigurisht më realiste, Buzën e madh… Por në portretet e tij spikat ajo që kemi nevojë të shohim në një pikturë, në një portret, ajo që quhet ndjeshmëri, sensibilitet. Ne flasim bashkarisht për këtë dhe ai më kujton Modilianin, tek i cili gjeje një sensibilitet të jashtëzakonshëm e që ndoshta ia jepte përkatësia e tij italiane, ndoshta vetë Boticelli që adhuronte…

Një nga portretet që spikat është padyshim «Mixha dhe kulla» çka të jep dëshirën t’i shohësh portretet e tij jo vetëm në atelier dhe sfonde inerte por në sfonde natyrore. Në këtë portret që mbart peshë historike dhe ku në sytë, vështrimin, ballin e tij rrahur kushedi nga ç’furtuna, luftra e tragjedi, mund të lexosh një histori popullore plot drama, derte, përpjekje e sfida të prototipit shqiptar. Duket frymëzues dhe ndoshta shtytës për autorin për të krijuar portrete të tjera ku portreti të ngjizet me natyrën, mjedisin jetësor.

Intermezzo – «Nature morte» me fruta

Nga portreti tek peizazhi, një ndalesë, një intermezzo siç mund ta quaj, me ëndjen për t’u ndalur me një ndjesi çlodhëse që gjithashtu kërkon mjeshtëri, art, pasi je përballë bukurisë së krijimit natyror; frutave. Nga Raffaello tek Caravaggio, duke vazhduar me mjeshtrat flamandë e spanjollë, për të ardhur më vonë tek francezët, nga Chardin tek Cezanne, fruti në tavolinë, shporta, fruti personazh me ekuivoke erotike çka është e dukshme mirë tek Caravaggio, ka qenë gjithnjë objekt kundrimi e krijimi në atelierët e piktorëve; shega, rrushi, mollët, pjeprat, fiqtë e kumbullat në pjatancë apo thjeshtë mbi një napë. Gjithkush ka mënyrën e tij, stilin e tij, frutat e parapëlqyera të tij; tek Nikolini gjejmë shegët e vendlindjes së tij, kumbullat, fiqtë, dhe kjo lloj «nature morte» është e dashur jo vetem për të por dhe për publikun. Kushdo do kishte dëshirë të kishte «fruta» të tilla në muret e tij, që sigurisht nuk mund t’i kafshosh edhe pse ti ngopesh prej tyre…

«Të bëj pikturë, të krijoj, është një nevojë e brendëshme», thotë Ivanaj duke përsëritur kështu thënien e gjithkohshme të artistit, i cili zgjohet, jeton, fle dhe ëndërron me pikturën dhe ku brenda pikturës, në atë paletë ngjyrash ku trazohen jo vetëm ngjyrat por dhe dilemat e tij, vërtitet gjithë jeta dhe dashuritë e tij, fizike e shpirtërore. Ai është gjithnjë në udhë, shtegtim, në kërkim të një portreti, imazhi, për ta bërë të tijën dhe tonën njëkohësisht.

Shkëputur prej librit “Përballë tablosë”-Luan Rama

Poemat nuk na duan më-Leonard Cohen

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Poemat nuk na duan më-Leonard Cohen

Poemat nuk na duan më
nuk duan të bëjnë dashni me ne
nuk duan të jenë më poema
Mos na mblidhni, ato thonë
Nuk mundemi t’ju ndihmojmë
Tashmë nuk ka më peshkim në
rrjedhën e lumit madhor të Zemrës
Na lini të qetë, thonë, po shndërrohemi
në diçka krejt tjetër
Kanë ikur tej nëpër botë
Të jenë me dikë, dikund
që punon me trupin e tyre
që nuk ka asnjë plan të shndërrojë botën
Poemat asnjëherë nuk janë zbavitëse
ndërsa unë jetoj pranë një lumi në Majami
në kushte që nuk mund të t’i përshkruaj
I shoh ato disa herë, poemat,
në gjysmërrënjosje në gjysmëlindje
me muskuj gjysmërrëgjuar
mëngëpërveshurat
lëshuar poshtë si graso
gatitur, për të bërë dashuri
me dhëmbin e sharrës.

Përktheu: Flurans Ilia

Bibloteka Kombëtare, varrezë barbare librash-Granit Zela

in Letërsi/Prit deri në pranverë, Bandini! by

Granit Zela

Në vitin e shpallur si viti i Heroit tonë Kombëtar, Bibloteka Kombëtare e Shqipërisë pësoi disfatën e kthimit përfundimtar në varrezë librash. Ishte një nga ditët e zakonshme të Marsit 2018, kur tymi i zi i doli Bibliotekës Kombëtare, pasi flakët shpërthyen në katin e tretë të nëndheshëm, dhe përfshinë menjëherë katin e parë, duke tronditur lexuesit që ndodheshin në ato salla, punonjësit e bibliotekës, dhe dashamirësit e librit në të gjithë Shqipërinë.

Forcat Zjarrfikse, të mbështetura nga Policia e Shtetit dhe e Emergjencat Civile e Shëndetësore, luftuan disa orë me flakët pasi zjarri merrte forcë nga kati i nëndheshëm që lidhej me disa tunele, të cilat e përhapnin zjarrin. Forcat zjarrfikëse, këta heronj, thyen të gjitha xhamat e dritareve të katit të pare për të ndihmuar që tymi të dilte jashtë. Disa prej tyre u panë në dritare duke u kollitur ndërsa njërit prej rojeve, i ra të fikët, i asfiksuar nga tymi. Ai mori ndihmën mjekësore, punonjësit u evakuan dhe nuk pati lëndime të lexuesve.

Në fund të kësaj mandate, në vitin e Heroit Kombëtar u verifikua se u dogjën dymijë e pesëdhjetë e tre libra në gjuhën shqipe. U dogjën shtatëqind e dyzetë e tetë koleksione të shtypit. U dogjën dyqind e shtatëdhjetë e tre koleksione të revistave. U dogjën tridhjetë e katër fjalorë në gjuhë të huaj.

Ishin me dhjetëra shkrimtarët, gazetarët, historianët, artistët dhe qytetarët që u shprehën të tronditur për djegien e tremijë e treqind e tetë librave, fjalorëve, gazetave, revistave me vlerë historike. Ishin të tronditur për gjendjen skandaloze të Biblotekës Kombëtare, e cila qe katandisur në një magazine të mbushur plot me thasë librash, stivosur në bodrumet gjithë lagështirë. Ishte katandisur në “furrik”, “vrimë miu” që nuk kishte të krahasuar me asnjë biblotekë në botë, as me biblotekat e qytezave më të humbura në vendet perëndimore.

Po këtë vit, një vend tjetër, Finlanda, kishte vitin e e festimit të njëqind vjetorit të pavarësisë. Në Helsinki, nisi ndërtimi i një bibloteke të re, biblotekës më të madhe në vend. Godina e Biblotekës u konceptua me shumë hapësira për takime socializuese dhe me mundësi pjesëmarrje në aktivite të ndryshme leximi. Bibloteka do të pajisej me makina shtypi 3d dhe makina qepëse për artiste krijues, dhoma provash për muzikantët. Godina e Biblotekës-Anije u dizenjua nga arkitektë finandezë që fituan një konkurs ndërkombëtar për ta projektuar ndërtesën e cila ndodhet në zemër të kryeqytetit.

Por ndërsa në kryeqytetin e Finlandës punohej për ndërtimin e një bibloteke, në qendër të Tiranës, harrohej. Thesari i kulturës shqiptare vijoi në atë vrimë miu, në atë furrik, dhe ja, në orët e para të 23 Qershorit, në Biblotekën Kombëtare vërshuan ujërat në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve të librave, revistave dhe gazetave duke e kthyer përfundimisht në moçal. Në këtë institucion të trashëgimisë sonë të pasurisë kulturore, dhjetëra libra u varën në tel si të ishin tesha të nxjerra nga lavatriçja. Dhjetëra libra të tjerë u thanë me tharëset e flokëve. Libra, gazeta, revista u thanë me ventilator. Dhjetëra libra të kujtesës u thanë me peceta. U thane edhe në diell në dritaret e godinës që ngjante si spital. Fotot e shpërndara në rrjetet sociale ishin makabre. Bibloteka Kombëtare shpalli gjendjen e emergjencës dhe deklaroi se do të rrinte e mbyllur pa afat duke u kthyer ashtu në një varrezë librash.

Atëherë kur bibloteka ngjante me një gërmadhë, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë të fushës së librit, lexues, studentë, pedagogë, shkrimtarë, gazetarë, protestuan para Biblotekës Kombëtare, të zemëruar për poshtërimin barbar të librit, por të pafuqishëm përballë Moçalit që s’bëzante, pa pasur një grusht të fortë për ta shembur murin e betontë të indiferences edhe pasi u shkrumbuan 308 dhe u përmbytën 12 mijë libra, gazeta dhe revista.

Por edhe pas shkrumbimit, edhe pas përmbytjes, asgjë nuk ndodhi për të gjetur një godinë të re për Biblotekën Kombëtare. Si një Moçal Turpi, Bibloteka-Varrezë vijoi të qëndronte aty aq keq e katandisur, duke pritur hatanë e radhës, në një pritje fyese për çdo shqiptar që e di se Petro Nini Luarasi ka lënë amanet t’i mblidhet gjaku e më to e të bëhen shkronja shqipe. Por Petro Ninit librat iu shkrumbuan dhe gjaku iu bë ujë. Në këtë pikë, edhe fjalët nuk kanë fuqi e shpirt për ta shkruar me fjalë kobin që ndodhi në vitin historik të Heroit tone Kombëtar.

“Ne do të bëjmë për Biblotekën Kombëtare sa nuk është bërë për 25 vite të marra së bashku”- u premtua në vitin 2016 nga Kryetari i Guvernës, vetë autor librash, artist e bir artisti, me një idengulitje të çuditshme ndaj stadiumeve që s’ka Frojd që i jep dum dhe me kurrfarë interesi për biblotekat. Në të vërtetë, kjo që ndodhi me Biblotekën Kombëtare, nuk kishte ndodhur qysh prej themelimit në vitin 1920, për gati 100 vjet, kurse rritja me 6% e taksës për librin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë nuk ishte imagjinuar e jo më të bëhej për 25 vite të marra së bashku.

Ndërkohë, në qendër të Finlandës, përfundoi ndërtimi i biblotekës madhështore “Oodi,” e cila u inagurua në Dhjetor të vitit të kaluar. Biblotekat atje janë një shërbim publik shumë i përdorur. Bibloteka atje simbolizon rëndësinë e të mësuarit dhe edukimit, faktorë kryesorë për zhvillimin dhe suksesin e një vendi.Tek kjo biblotekë, e 730-ta, kati i pare ka kinema, salla me përdorim shumë funksional. Kati i dytë ka mjedise për takime, salla lojërash, dhoma të qeta, studio fotografie dhe muzikore. Kati i tretë quhet Parajsa e librave, është kati që ka pamjen klasike të një bibloteke, me mjedise për libra për fëmijë. Ka 7 oaze leximi, me gjithsej 100 mijë libra. Parajsa e librave ka “Ballkonin e Qytetarëve” prej ku shijohet pamja e kryeqytetit.

Unë e përfytyroj Parajsën si një biblotekë, ka thënë shkrimtari Jorge Luis Borges. Duhet ta ketë përfytyruar si biblotekën “Ooodi” të Finlandës. Edhe unë e përfytyroj Parajsën si një biblotekë. Por si lexues shqiptar, e përfytyroj edhe Ferrin mjerisht! Si biblotekë. E përfytyroj si Biblotekën Kombëtare në qendër të Tiranës.

1 151 152 153 154 155 182
Go to Top