Author

Admin - page 141

Admin has 1814 articles published.

Çfarë na thotë sot “Thertorja-5” e Kurt Vonnegut-it/Salman Ruzhdie

in Letërsi by

 “Thertorja 5”, e Kurt Vonnegut-it, është mjaftueshëm humane, sa të lejojë, në fund të tmerrit, që është dhe lënda e saj, mundësinë e shpresës.

Shkruar nga: Salman Ruzhdie

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: “The New Yorker”

E kam lexuar së pari “Thertorja-5” në vitin 1972, tre vjet pasi u botua, dhe tre vjet përpara se të botoja romanin tim të parë. Isha njëzet e pesë vjeç. 1972-shi ishte viti i ngadalshëm drejt Marrëveshjes së Paqes të Parisit, e cila duhej t’i jepte fund luftës në Vietnam, megjithëse tërheqja përfundimtare, dëshpëruese, amerikane – helikopterët që transportonin njerëz nga çatia e ambasadës amerikane në Saigon – do të ndodhte jo përpara se të kalonin tre vjet, çast në të cilin, me anë të një fusnote të vogël në histori, unë isha bërë një shkrimtar i botuar.

E përmend Vietnamin sepse, ndonëse “Thertorja-5” është një libër për Luftën e Dytë Botërore, Vietnami është gjithashtu një prani në faqet e tij, dhe ndjesitë e njerëzve për Vietnamin janë një ndihmesë e mirë në suksesin e madh të romanit. Tetë vjet më parë, në vitin 1961, Joseph Heller kishte publikuar “Catch-22” dhe Presidenti Xhon F. Kennedy filloi përshkallëzimin e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konfliktin e Vietnamit. “Catch-22”, ashtu si “Thertorja-5”, ishte një roman për Luftën e Dytë Botërore, që mbërtheu imagjinatën e lexuesve, të cilët po mendonin shumë për një luftë tjetër. Në ato ditë, unë jetoja në Britani, e cila nuk dërgoi ushtarë për të luftuar në Indokinë, por qeveria e saj mbështeti përpjekjet luftarake amerikane, dhe kështu, kur isha në universitet, dhe më pas, edhe unë isha përfshirë në të menduarit për të dhe duke protestuar kundër asaj lufte.

Unë nuk e kisha lexuar “Catch-22” në vitin 1961, sepse isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç. Në të vërtetë, lexova si “Thertorja-5”, ashtu dhe “Catch-22”, në të njëjtin vit, një dekadë më vonë, dhe të dy librat së bashku patën një efekt të madh në mendjen time të re.

Nuk më kishte ndodhur deri sa lexova se romanet kundra luftërave mund të ishin po aq argëtues sa dhe seriozë. “Catch-22” është  argëtues deri në çmenduri, dendurisht argëtues. E sheh luftën si një çmenduri dhe dëshirën për të shpëtuar prej saj si të vetmin pozicion të arsyeshëm. Toni i tij i zërit është nje farsë pa shprehi. “Thertorja-5” është ndryshe. Ka shumë komedi në të, ashtu siç në gjithçka që shkroi Kurt Vonnegut-i, por nuk e sheh luftën aq thellë. E sheh si një tragjedi aq të madhe, sa ndoshta vetëm maska e komedisë lejon që dikush ta shikojë atë në sy. Vonnegut-i është një komedian i trishtuar. Nëse Heller ishte Charlie Chaplin, atëherë Vonnegut-i ishte Buster Keaton. Toni mbizotërues i zërit të tij është melankolik; toni i zërit të një njeriu që ka qenë i pranishëm në një tmerr të madh dhe ka jetuar për ta treguar atë. Të dy librat, megjithatë, kanë këtë të përbashkët; ata janë dy portretet e një bote që ka humbur mendjen, në të cilën fëmijët dërgohen për të bërë punët e burrave dhe vdesin.

Si një i burgosur lufte, njëzet e dy vjeç, që do të thotë tre vjet më i ri se unë, kur lexova historinë e tij, Vonnegut-i ishte në qytetin e bukur të Drezden-it, i mbyllur me amerikanët e tjerë në Schlachthof-Fünf, aty ku thereshin derrat para luftës, dhe ishte kështu një dëshmi aksidentale për një nga masakrat më të mëdha të qenieve njerëzore në histori; zjarrfikësit e Drezden-it, në Shkurt të vitit 1945, të cilët rrafshuan të gjithë qytetin dhe vranë thuajse të gjithë ç’ishin në të.

So it goes! (Kështu e ka kjo punë.)

Nuk më kujtohej, derisa rilexova “Thertorja-5”, se ajo fraza e famshme: “Kështu e ka kjo punë”, përdoret, vetëm dhe gjithmonë, si koment për vdekjen. Ndonjëherë një frazë nga një roman, nga një dramë ose nga një film, mund ta kapë imagjinatën aq fuqishëm, madje edhe kur citohet gabim – arrin që të dalë nga faqja e librit  dhe të fitojë një jetë të pavarur. “Eja dhe më shih ndonjëherë!” dhe “Luaje përsëri, Sam!” janë keqkuptime të këtij lloji. Diçka e këtij lloji ka ndodhur edhe me frazën “Kështu e ka kjo punë”. Vështirësia është se kur kjo lloj ngarjeje ndodh në një frazë, konteksti i saj origjinal humbet. Them se shumë njerëz që nuk e kanë lexuar Vonnegut-in e njohin këtë frazë, por them gjithashtu se shumë njerëz që kanë lexuar Vonnegut-in e mendojnë atë si një lloj komenti të dhënë për jetën. Jeta rrallë rezulton ashtu si në mënyrën se si njerëzit shpresojnë dhe “Kështu e ka kjo punë” është bërë një nga mënyrat me të cilat ne verbërisht mbledhim supet dhe pranojmë atë që na jep jeta. Por ky nuk është qëllimi i saj tek “Thertorja-5”. “Kështu e ka kjo punë” nuk është një mënyrë për të pranuar jetën, por për t’u përballur me vdekjen. Kjo ndodh në tekst pothuajse çdo herë që dikush vdes, dhe vetëm atëherë kur vdekja evokohet.

Kurt Vonnegut është nje shkrimtar thellësisht ironik, i cili nganjëherë është lexuar sikur të mos ishte. Leximi i gabuar shkon përtej asaj “Kështu e ka kjo punë”, dhe i duhet të bëjë një marrëveshje të mirë me banorët e planetit të Tralfamadorianëve. Siç ndodh, unë jam një tifoz i madh i Tralfamadorianëve, të cilët duken si “plunger”-a tualeti, duke filluar me emisarin e tyre mekanik, Salo, i cili, në një roman të mëparshëm të Vonnegut-it, “Sirenat e Titanit”, u end nëper Titan; një hënë e planetit Saturn, ngaqe kishte nevojë për një pjesë këmbimi për anijen kozmike. Dhe tani vjen subjekti klasik i Vonnegut-it dhe vullnetit të tij të lirë, i shprehur si një pajisje komike shkencore-fiction. Ne mësojmë në “Sirenat e Titanit” se historia njerëzore është manipuluar nga Tralfamadorianët për të bindur racën njerëzore që të ndërtojë mesazhe të mëdha për Salo-n, si dhe për të marrë paraardhësit tanë primitivë, në mënyre që të zhvillojnë një qytetërim të aftë për ta bërë këtë. Stonehenge dhe Muri i Madh i Kinës ishin disa nga mesazhet e Tralfamadorianëve. Ne Stonehenge lexon:“Pjesët e këmbimit u vendosën me të gjithë shpejtësinë e mundshme. Në Murin e Madh te Kinës thuhet:“Ji i duruar. Ne nuk ju kemi harruar. Kremlini e ka fjalën për:“Do të jeni në rrugën tuaj përpara se ta merrni vesh”. Dhe Pallati i Lidhjes së Kombeve në Gjenevë do të thotë:“Paketoni gjërat tuaja dhe bëhuni gati të largoheni me një njoftim të shkurtër.” 

Është gjithashtu thellësisht ironike. Nën dorëzimin e dukshëm është një trishtim për të cilin nuk ka fjalë. Ky është stili i të gjithë romanit, dhe kjo ka bërë që romani në shumë raste të keqkuptohet. Unë nuk jam duke thënë se “Thertorja-5” është trajtuar keq. Ёshtë pritur kryesisht me pozitivitet, është shitur në një numër të madh kopjesh, Biblioteka Moderne e renditi atë të tetëmbëdhjetin në listën e saj të njëqind romanëve më të mirë të gjuhës angleze të shekullit të njëzetë dhe është gjithashtu në një listë të ngjashme te revistes “Time”. Megjithatë, ka nga ata që e kanë akuzuar atë për mëkatin e “quietism-it”- dorëzimit, të një pranimi pa kushte, madje, sipas Anthony Burgess, të një “shmangieje” të gjërave më të këqija në botë. Një nga arsyet për këtë është fraza “Kështu e ka kjo punë” dhe është e qartë për mua nga këto kritika se romancieri britanik Julian Barnes kishte të drejtë kur shkroi në librin e tij “Historia e Botës në 10 ½ Kapituj” se “Ironia mund të përkufizohet si diçka çfarë njerëzit humbasin”.

Tralfamadorianët, mësojmë te “Thertorja-5”, se e perceptojnë kohën ndryshe. Ata shohin se e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ekzistojnë njëkohësisht dhe përgjithmonë, dhe janë thjesht atje, të fiksuara, përjetësisht. Kur personazhi kryesor i romanit; Billy Pilgrim, i cili është rrëmbyer dhe marrë në Tralfamadore, “çlirohet në kohë” dhe fillon të përjetojë kronologjinë në mënyrën se si Tralfamadorianët veprojnë, ai e kupton pse të burgosurve të tij u duket komik koncepti i vullnetit të lirë. Duket qartë, të paktën për këtë lexues, se ekziston një inteligjencë djallëzore ironike në këte punë, se nuk ka asnjë arsye që ne të supozojmë se refuzimi i vullnetit të lirë nga alienët, që u përngjajnë “plunger”-ave të tualetit, është një refuzim i bërë edhe nga krijuesi i tyre. Është krejtësisht e mundur, ndoshta edhe e ndjeshme, të lexojë të gjithë përvojën Tralfamadoriane të Billy Pilgrimi-t si një çrregullim fantastik traumatik, sjellë nga përvojat e tij të luftës – si një çrregullim “joreal”. Vonnegut-i e lë këtë çështje të hapur, ashtu siç duhet ta lërë një shkrimtar i mirë. Kjo hapje është hapësira në të cilën lexuesi lejohet të plotësojë me mendjen e tij/saj.

Të lexosh Vonnegut-in është të dish se ai ishte tërhequr në mënyrë të përsëritur ndaj hetimit te vullnetit të lirë, për atë se çfarë mund të jetë dhe si mund ose nuk mund të funksionojë, dhe se ai erdhi në këtë temë prej shumë këndeve të ndryshme. Shumë nga ripërtypjet e tij u paraqitën në formë veprash prej alter egos fiksionale; Kilgore Trout. Unë e dua Kilgore Trout-in po aq thellësisht sa dua banorët e planetit të Tralfamadorianëve. Unë madje kam një kopje të romanit “Venus on the Half-Shell”, në të cilin shkrimtari Philip José Farmer mori një histori të Trout-it, të shkruar nga Vonnegut-i, dhe e zgjeroi atë në një novelë të gjatë. “Venus on the Half-Sell” ka të bëjë me shkatërrimin aksidental të tokës nga burokratët e paaftë universalë dhe përpjekjet e njeriut të vetëm që mbijeton për të kërkuar përgjigje për të ashtuquajturën “Pyetja Ultimative”. Në këtë mënyrë, Kilgore Trout-i frymëzoi librin e famshëm të Douglas Adams:“Udhëzuesi Hitchhiker në Galaksi”, në të cilin, ju mund të kujtoni tokën e shkatërruar prej Vogonsave për të krijuar hapësirë ​​për një bypass ndëryjor, dhe i vetmi mbijetues Arthur Dent, u end në kërkim të përgjigjeve. Së fundi Superkompjuteri Deep Thought zbuloi se përgjigjia ndaj jetës, universit dhe gjithçkaje, ishte dhe është: “42.” Problem mbetet: – Cila është pyetja?

Në romanin e Vonnegut-it:“Mëngjes Kampionësh”, ne mësojmë për një tjetër histori alla Kilgore Trout:”Tani mund të thuhet”, e shkruar në formën e një letre nga Krijuesi i Universit, drejtuar lexuesit të tregimit. Krijuesi shpjegon se e gjithë jeta vetë ka qenë një eksperiment i gjatë. Natyra e eksperimentit ishte kjo: Të futnim në një univers totalisht determinist, një person të vetëm, i cili i jepet vullnetit të lirë, per të parë se si e përdor ai atë, në një realitet ku çdo gjë tjetër e gjallë ishte, është, dhe gjithmonë do të jetë; një makinë e programuar. Gjithkush në të gjithë historinë, ka qenë një robot, dhe çdo individ me vullnetin e lirë të nënës dhe babait apo të të gjithë atyre që njeh, është gjithashtu robot, dhe kështu meqë ra fjala është edhe Sammy Davis, Jr. Individi me vullnet të lirë, shpjegon Zoti, je ti, lexuesi i tregimit, dhe kështu Zoti do të donte t’ju ofronte një ndjese për çdo shqetësim që ju është shkaktuar. Fund.

Vlen të shtohet një detaj tjetër. Gjatë gjithë veprave të shumta të Kurt Vonnegut-it, në të cilat shfaqet Kilgore Trout-i, ai përshkruhet vazhdimisht si shkrimtari më i keq në botë, librat e të cilit janë dështime të mëdha, ai injorohet plotësisht dhe madje me përbuzje. Ne na kërkohet ta shohim atë njëherazi; si një gjeni dhe si një budalla. Kjo nuk është aksidentale. Krijuesi i tij, Kurt Vonnegut-i, ishte njëkohësisht më intelektuali i fantazistëve hokatarë dhe më hokatari i intelektualëve fantastike. Ai kishte tmerr prej njerëzve që i merrnin gjërat shumë seriozisht dhe ishin të fiksuar njëkohësisht me shqyrtime gjërash të mëdha; edhe filozofike (si vullneti i lirë) dhe vdekjeprurëse (si bombardimi i Drezdenit). Ky është paradoksi nga i cili rritet ironia e tij e errët. Askush që vërtitej vërdallë aq shpesh dhe në aq shumë mënyra me idenë e vullnetit të lirë ose që kujdesej aq thellësisht për të vdekurit, s’mund të përshkruhet si një fatalist apo si një i dorëzuar. Librat e tij argumentojnë mbi idenë e lirisë dhe vajtojnë të vdekurit, nga faqet e tyre të para, deri te ato të fundit.

Rreth së njëjtës periudhe që lexova së pari “Thertorja-5” dhe “Catch-22”, gjithashtu lexova edhe një roman me një temë të ngjashme. Ky roman ishte “Lufta dhe Paqja”, i cili është më i gjatë se libri i Heller-it dhe libri i Vonnegut-it se bashku, dhe nuk është aspak qesharak. Në atë lexim të parë të kryeveprës së Tolstoit, njëzet e pesë vjeçari tek unë mendoi përmbledhtas: Paqe e dashur, luftë e urryer. Më kishin përpirë tregimet e Natasha Rostov, Princ Andrei-t dhe Pierre Bezukhov-it, dhe kuptova se përshkrimet jashtëzakonisht të gjata të luftimeve, sidomos të Betejës së Borodinos, ishin mjaft të mërzitshme, për të qenë i sinqertë. Kur e rilexova “Lufta dhe Paqja”, ndoshta tridhjetë vjet më vonë, zbulova se ndjeva pikërisht të kundërten. Përshkrimi i njerëzve në luftë, mendova, kurrë nuk kishte qenë më i mirë, dhe madhështia e romanit gjendej pikërisht në ato përshkrime, dhe jo në tregimet disi më konvencionale të personazheve kryesorë. Luftë e dashur, paqe e urryer.

Duke rilexuar “Thertorja-5”, gjithashtu kuptova se vlerësimi im për tekstin ndryshonte. Ai i riu brenda meje, i tërhequr fuqishëm nga fantazia dhe fiction-i shkencor, kërkoi revista që titulloheshin si “Galaxy” dhe “Astounding and Amazing” e gjëra të tilla, ai gjithashtu ishte tërhequr jo vetëm prej punës pikëtakuese të gjigandëve si; Kurt Vonnegut, Ray Bradbury, Isaac Asimov, Ursula K Le Guin dhe Arthur C. Clarke, por edhe prej atyre të Mary Shelley dhe Virginia Woolf; “Frankenstein” dhe “Orlando” i të cilave, janë anëtarë nderi të kanonit, po aq sa dhe mjeshtër të zhanërve hardcore, si James Blish, Frederik Pohl, Kornbluth CM, Clifford D. Simak, Katherine MacLean, Zenna Henderson dhe L. Sprague de Camp. Ky i ri, i ballafaquar me kryeveprën e Vonnegut,-it reagoi më fort tek aspektet shkencore të librit. Por e rilexoi më pas për të zbuluar bukurinë njerëzore të pjesëve jo-shkencore, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të librit.

E vërteta është se “Thertorja-5” është një roman i madh realist. Fjalia e tij e parë është:“E gjithë kjo ndodhi, pak a shumë”. Në atë kapitull të parë jo-fiction, Vonnegut-i na tregon se sa e vështirë ishte të shkruhej libri, sa e vështirë ishte që ai të merrej me luftën. Ai na tregon se personazhet e tij ishin njerëz të vërtetë, edhe pse ai i ka ndryshuar të gjithë emrat. “Një djalë që e njihja u qëllua në Dresden ngaqë mori një filxhan çaj që nuk ishte i tij. Një tjetër djalë që e njihja u kërcënua prej armiqve të tij personalë nga persona të armatosur të punësuar pas luftës. “Dhe më vonë, kur personazhet e tij, emrat me ndryshime, mbërrijnë tek Schlachthof-Fünf-Slaughterhouse Five-Thertorja-5, emri i të cilës nuk ka ndryshuar – na kujton se ai është atje, duke vuajtur së bashku me ta:

Billy dukej brenda dhomës. Vajtimi po vinte nga atje. . . një amerikan pranë Billy-t ulëriti se ai kishte nxjerrë çdo gjë, përveç truve të tij. Disa çaste më vonë ai tha:”Ja ku shkojnë ata, ja ku shkojnë ata.” E kishte fjalën për trutë e tij.

Ky jam unë. Ky jam unë. Ky ishte autori i këtij libri.

Në një pikë Vonnegut-i citon një bisedë që kishte me një regjisor të quajtur Harrison Starr, i cili do të arrinte një lloj famë modeste si producent ekzekutiv i filmit të Michelangelo Antonioni-t për hipitë Amerikane:“Zabriskie Point”, i cili ishte një dështim i madh komercial.

[Harrison Starr] ngriti vetullat dhe pyeti:

“Mos është një libër kundër luftës?”

“Po,” thashë. “Them se po.”

“A e di se çfarë u them unë njerëzve kur dëgjoj se ata po shkruajnë libra kundër luftës?”

“Jo. Çfarë u thoni, Harrison Starr? ”

“Unë u them, në vend të kësaj, përse nuk shkruan një libër kundra-akullnajave?”

Sigurisht, ai e kishte fjalën se do të kishte gjithmonë luftëra, dhe se për t’i ndaluar ato do të ishte aq e lehtë sa për të ndaluar akullnajat. Edhe unë e besoj këtë.

Romani i Vonnegut-it flet për pashmangshmërinë e dhunës njerëzore, dhe për atë që i bën qeniet njerëzore që nuk janë veçanërisht të dhunshme, të ngecin në të. Ai e di se shumica e qenieve njerëzore nuk janë veçanërisht të dhunshme. Ose jo më të dhunshme se ç’janë fëmijët. Jepini fëmijës një mitraloz dhe ai mund ta përdorë atë. Kjo nuk do të thotë që fëmijët janë veçanërisht të dhunshëm. Lufta e Dytë Botërore, siç na kujton Vonnegut-i, ishte kryqëzata e fëmijëve.

Billy Pilgrim është një i rritur, të cilit Vonnegut-i i jep pafajësinë e një fëmije. Ai nuk është veçanërisht i dhunshëm. Ai nuk bën asgjë të tmerrshme në luftë apo në jetën e tij; para luftës ose pas luftës, ose në jetën e tij në planetin Tralfamadore. Ai duket i lodhur, dhe e mendohet kryesisht si i çmendur ose disi si teveqel. Por ai ka një karakteristikë të përbashkët me shumë nga personazhet që Vonnegut-i krijoi gjatë gjithë karrierës së tij, dhe është kjo karakteristikë që na lejon ne t’i kushtojme vëmendje atij, dhe për këtë arsye të ndiejmë tmerrin që ai ndien.

Billy Pilgrim na është i dashur.

Po të mos na ishte i dashur, libri do të ishte i padurueshëm. Një nga pyetjet e mëdha që përballet me të gjithë shkrimtarët të cilët duhet të merren me mizorinë është: – A është e mundur të bëhet kjo? A ka gjëra kaq të fuqishme, aq të tmerrshme, saqë ato të jenë përtej fuqisë së letërsisë për t’u përshkruar?

Çdo shkrimtari që u përball me sfidën e shkrimit për Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Vietnamit, në fakt, i është dashur të mendojë për këtë pyetje. Të gjithë ata vendosën se duhet të vinin te mizoria nga një cep, kështu, të flisnin, të mos përballeshin me të, sepse do të ishte e padurueshme po ta bënin.

Günter Grass, te “The Tin Drum”, përdorte surrealizmin si këndvështrimin e tij të hyrjes. Personazhi i tij; Oskar Matzerath, i cili ndërpret rritjen sepse nuk mund të përballet me realitetin e adultëve të kohës së tij, është një lloj i të qenit fabulist, që i lejon autorit të hyjë në tmerr. Edhe Oskari i vogël, me daullen e tij të vockël, duke rrahur daullet e historisë, është, si Billy Pilgrim, i cili është çliruar në kohë, dhe na është aq i dashur. Ai është gjithashtu, siç na thotë fjalia e parë e “Tin Drum”, një i burgosur në një azil të përhënurish. Nga të dyja anët e kundërta; gjermane dhe amerikane, këta dy fëmijë-burra të përhumbur na japin portretet e shkëlqyera të çrregullimeve të mëdha të kohës së tyre. Vonnegut-i, ashtu si Grass, kombinon surrealizmin që është bërë realiteti i kohës së personazheve të tij, me një ndjeshmëri të largët, gati tronditëse, që e bën lexuesin të ndiejë dashuri për ta, madje edhe kur ata ngecin paaftësisht nëpër rrugën e jetës.

Ndoshta mund të jetë e pamundur të ndalosh luftën, ashtu siç është e pamundur të ndalohen akullnajat, por ende ia vlen të gjendet forma dhe gjuha që na kujton se çfarë janë, në mënyrë që t’i thërrasim me emrat e tyre të vërtetë. Ja çfarë është realizmi.

“Thertorja-5” është gjithashtu një roman human, mjaftueshëm human, sa të lejojë, në fund të tmerrit, që është lënda e tij, mundësinë e shpresës. Fragmenti i tij përfundimtar përshkruan fundin e luftës dhe çlirimin e të burgosurve, te të cilët përfshihet Billy Pilgrim dhe Vonnegut-i vetë. “Dhe diku atje ishte pranverë,” shkruan Vonnegut-i, e në çastin e fundit të librit zogjtë fillojnë të këndojnë përsëri. Ky gëzim, pa marrë parasysh gjithçka, është karakteristikë tipike e Vonnegut-it. Mund të jetë, siç e kam hamendësuar, një gëzim nën të cilin fshihet shumë dhimbje. Por megjithatë është gëzim. Proza e Vonnegut-it, edhe kur merret me tmerrin, fërshëllen një motiv të gezuar.

Pesëdhjetë vjet pas botimit të tij të parë, shtatëdhjetë e katër vjet pasi Kurt Vonnegut ishte brenda “Thertores-5” gjatë bombardimeve të Drezden-it, çfarë duhet të na thotë romani i tij i madh?

Ai nuk na tregon se si t’i ndalim luftërat.

Ai na thote se luftërat janë ferri, por ne e dinim këtë.

Ai na tregon se shumica e qenieve njerëzore nuk janë aq të këqija, përveç atyre që janë, dhe ky është informacion i vlefshëm. Ai na tregon se natyra njerëzore është e vetmja konstante e madhe e jetës në Tokë dhe na tregon bukur dhe vërtetësisht natyrën njerëzore, as në me të mirën e saj e as në më të keqen e saj, por se si është ajo më së shumti, madje edhe kur kohët janë të tmerrshme . Nuk na tregon se si të shkojmë në planetin Tralfamadore, por na tregon se si të komunikojmë me banorët e tij. Gjithë çfarë duhet të bëjmë është të ndërtojmë diçka të madhe, si Piramidat apo Murin e Madh të Kinës, atë mur që një individ, të cilit unë nuk po ia përmend emrin, po planifikon të ndërtojë mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, dhe që do të lexohet si një mesazh urgjent në Tralfamadore. Personi që dëshiron të ndërtojë murin nuk do të dijë se çfarë do të thotë mesazhi, natyrisht. Ai është një peng, i manipuluar nga një fuqi më e madhe se e tij, që shërben për të dërguar mesazhin në këtë kohë të jashtëzakonshme.

Shpresoj që mesazhi të thotë:”Ndihmë!”

___

Kjo pjesë u përshtat nga një leksion i mbajtur në muajin Prill, në Indianapolis, me rastin e pesëdhjetëvjetorit të “Thertorja-5”.

Salman Rushdie është autori i trembëdhjetë romanëve. Romani i tij i katërmbëdhjete:”Quichotte”, do të publikohet, nga “Random House”, në muajin Shtator.

Kronikë për zgjedhjet-Frederik Rreshpja

in Letërsi by

Kronikë për zgjedhjet-Frederik Rreshpja

 

Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.

 

Nga fshati kundruall dolën pleqtë,

rendën pas shpitrave që silleshin në ajër

drejt Kashtës së Kumtrit.

 

Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA

Mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.

Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,

të lira dhe korrekte. Ashtu dhe TV-të.

 

Pastaj lanë gjakun

Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja.

 

Eh! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar!

 

Hetimi i të mirit-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Hetimi i të mirit-Bertolt Brecht

 

Dil para: kemi dëgjuar

Se ti na qenke njeri i mirë

Se nuk mund të blihesh, por as rrufeja

Që bie mbi shtëpi

Nuk mund të blihet.

Ti nuk e shkelke fjalën që jep.

Por çfarë the?

Na qenke i ndershëm, thua mendimin tënd.

E çfarë mendimi?

Na qenke trim.

Përballë kujt?

Na qenke i zgjuar.

Për kë?

Nuk i marrke parasysh avantazhet e tua personale.

Avantazhet e kujt pra do të marrësh parasysh?

Na qenke mik i mirë.

A je aq mik i mirë për njerëzit e mirë?

Na dëgjo pra: ne e dimë

Ti je hasmi ynë. Prandaj ne tani

Do të të vëmë ballë një muri. Por në konsideratë të meritave dhe cilësive të mira që ke

Do të të vëmë ballë një muri të mirë dhe do të qëllojmë

Me një plumb të mirë nga një pushkë e mirë dhe do të të mbulojmë

Me një lopatë të mirë, në dheun e mirë.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

FËMIJËT E EPOKËS-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FËMIJËT E EPOKËS-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

Ne jemi fëmijët e epokës,
epoka është politike.

Të gjitha të tuat, tonat, tuajat
aktivitete të përditshme a të përnatshme
janë aktivitete politike.

Do apo s’do
genet e tu kanë një të kaluar politike
lëkura jote një ngjyrë politike
sytë e tu një aspekt politik.

Fjalët e tua kanë një jehonë
heshtjet e tua një domethënie
sidoqoftë politike.

Edhe nëpër fusha dhe pyje
ti bën hapa politikë
mbi një bazë politike.

Dhe politike janë edhe poezitë apolitike,
atje lart ndiçon hëna
që nuk është më një objekt hënor.
Të jesh a të mos jesh, është çështja.
Çfarë çështje?, përgjigju mik i dashur.
Një çështje politike.

Ti madje s’ke as nevojë të jesh njeri
për të fituar rëndësi politike.
Të mjafton të jesh naftë,
prodhim i ushqyeshëm apo edhe lëndë e riciklueshme.

Qoftë edhe një tryezë negociatash
për formën e së cilës kanë debatuar me muaj:
në ç’tryezë, rrumbullake apo katrore,
duhet të diskutojmë për jetën dhe vdekjen?

Ndërkohë njerëzit vdisnin,
kafshët ngordhnin,
shtëpitë digjeshin
dhe fushat mbusheshin me driza
si në epokat e qëmotshme
dhe më pak politike.

 Përktheu: Alket Çani

Për thelbin e letërsisë-Erlind Sulko

in Letërsi by

Erlind Sulko

Është e çuditshme që mendimi kritik në Europë ka lindur me një vetëmohim të vetvetes. Me mendim kritik dua të them një trajtë mendimi që ka për qëllim të përhershëm kundërshtimin. Kjo trajtë në Europë lindi me Sokratin, pasi ai kudo që shkonte kundërshtonte gjithkënd, edhe vetë e pranoi se e vetmja gjë që di është që nuk di asgjë. Kjo është vetvrasja e kritikës: ajo nuk shpall asgjë.

Tek bashkëbisedimi Phadrus shohim se si Sokrati e quan vetë shkrimin një gjë të vdekur, të pamundur për të biseduar me tjetrin. Ndërkohë, tek bashkëbisedimi Phaedo, Sokrati thotë shprehjen e tij të mirënjohur: Të filozofosh do të thotë të mësosh se si të vdesësh. Të mendosh do të thotë të përjashtosh veten nga gjithçka, të ndahesh nga bota, të harrosh vetë nevojat e trupit tënd. Në këtë kuptim, mendimi dhe shkrimi, sipas Sokratit, është në kundërshtim me jetën.

E përmend këtë qasje të Sokratit ndaj mendimit, pasi e vërej këtë gjë edhe tek një ligjërim i Kadaresë në forumin e letërsisë botërore në Munih, më 22 Mars, 1999. Në këtë ligjërim, Kadareja e lidh letërsinë me dy gjëra: kundërshtimin dhe vdekjen. Kadareja shprehet se “negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë”. Më pas Kadareja thotë se letërsia ka lindur si një rikujtim i një udhëtimi të shkuar. Vetë ky rikujtim rrëfehet kur ngjarja ka vdekur, rrëfyer nga një njeri matanë ngjarjes dhe jetës. Si e tillë, letërsia është si rrëfimi i një të vdekuri për diçka të vdekur.

Pavarësisht vlerësimit që kam për veprat e Kadaresë, mendoj se ai këtu është gabim. Letërsia shkruhet nga ana e jetës dhe jo nga ana e vdekjes. Me këtë dua të them se letërsia është një tejkalim i përballjes me vdekjen nëpërmjet rrëfimit. Pa dashur të përsëris veten, po i referohem këtu një shkrimi të mëparshëm:”Ka diçka të çuditshme në këtë nevojë për të rrëfyer, në këtë nevojë për ta rikrijuar botën nëpërmjet gjuhës, në këtë shtysë për ta marrë botën fizike të përkohshme e përherë ndryshuese, dhe për ta ritrajtësuar në një botë të pavdekshme dhe të pandryshueshme letrare. Ne nuk e lëmë dot të shkuarën të zhduket, të vdekurit të mbyten përgjithmonë në detin e harresës, ne nuk kemi fuqinë t’i braktisim përjetësisht miqtë, armiqtë, qytetet, vendet, vegimet, botën tonë të brendshme e të jashtme. Ne nuk mund ta pranojmë dot që gjithçka që ne kemi përjetuar dhe kemi dashur të përjetojmë të shuhet krejtësisht. Të asgjësohet. Të shfaroset për mos u rikthyer më kurrë. Këtë gjë ne nuk kemi fuqinë ta pranojmë dot. Prandaj, dhe e ringjallim nëpërmjet gjuhës atë që ne duam të mbijetojë, atë që ne nuk mund ta lëmë të mbytet përjetësisht në rrjedhën gllabëruese të kohës.”Letërsia nuk është rrëfimi i një të vdekuri, por i një të gjalli, për mos ‘ti lënë gjërat të vdesin.”

Si rrjedhojë, letërsia është thelbësisht një pohim, – e jo, siç shprehet Kadareja, një mohim. Letërsia e mirëfilltë synon trajtëzimin e përjetësisë: thelbin dhe formën e jetës. Këtë trajtë të përjetësisë shpall udhëtimi i Gilgameshit, Odiseut apo i Don Kishotit. Letërsia ka për detyrë të shpallë, jo të kritikoj, – megjithëse shpallje të ndryshme mund të përplasen apo të mospërputhen me njëra-tjetrën.

Letërsia e mirëfilltë, ndryshe nga ç’mendon Bodleri apo Kadareja, nuk ka asgjë të përbashkët me dredhirat e Djallit. Dredhirat e Djallit lidhen me retorikën, propagandën dhe tundimin. Zanafilla e letërsia së mirëfilltë është cekja e përkohshme e përjetësisë: e krahasueshme vetëm me ardhjen e paparashikueshme të një ëngjëlli hyjnor.

Një poezi për gjyshin-Shpëtim Selmani

in Letërsi by

Një poezi për Gjyshin-Shpëtim Selmani

 

Pak vite pas martesës

E humbi njërin djalë.

 

Disa vite më vonë e

Humbi gruan e tij të bukur.

 

Më pas e humbi babin epik

Që ngrohte kockat në diell.

 

Pastaj humbi vëllaun e

Vogël përrallor.

 

Këto ditë e humbi

Djalin e tij të madh.

 

Tani gjyshi im fantastik përpiqet

Që t’i shpëtojë jetërat e pulave të tij,

nga një epidemi.

 

Gjyshi me antibiotik në duar,

që i dha Zotit të tij,

kaq shumë.

Pippi Çorapegjata, seria për fëmijë e viteve 80-të që u krijua kur u sëmur vajza e shkrimtares Astrid Lindgren

in Kinema/Letërsi by

Shkrimtarja u bë shkak për rënien e qeverisë social-demokrate pas 44 vitesh

E pazakontë, nganjëherë e pasjellshme, me fuqi të mbinatyrshme, prenka në fytyrë, gërsheta të kuqe dhe çorape të gjata të ndryshme. Pipi u bë heroina e preferuar e fëmijëve që admironin mirësinë, guximin, pavarësinë dhe vetë-besimin e saj.

Pipi mbronte fëmijët e pafuqishëm, urrente sjelljen korrekte, ironizonte policët, kishte përgjigje për të gjitha vërejtjet e të rriturve, dinte si të kujdesej për veten dhe se si ta kthente çdo punë të mërzitshme në lojë. Mamaja e saj “e shihte nga qielli”, ndërsa babai i saj, detar, kishte humbur në det, por nuk u mbyt.

Pipi besonte se kishte mbijetuar dhe ndodhej në një ishull si mbret i indigjenëve. 9 vjeçarja xanxare, e cila jetonte vetëm në vilën Vilekula me një majmun dhe një kalë, frymëzoi shkrimtaren suedeze Astrid Lindgren, kur vajza e saj e vogël u sëmur dhe i kërkoi të improvizojë një histori për fëmijë.


Lindgren pasuroi karakterin dhe qarkulloi një seri librash të cilat më vonë u transferuan në televizion. Tre librat e parë qarkulluan nga viti 1945 deri në vitin 1948. gjashtë të tjerë ndërmjet viteve 1969 dhe 1975. Të gjithë janë përkthyer në më shumë se 60 gjuhë. Lindgren shkroi duke u bazuar në kujtimet e saj fëminore. Pipi nuk ishte libri i vetëm për fëmijë i saj. Të gjithë heronjtë – fëmijë kundërshtojnë autoritetin e të rriturve.

Lindgren u bë veçanërisht e njohur në vend dhe lexuesit në mbarë botën ndërsa janë shitur më shumë se 145 milionë kopje të librave të saj. U lind në vitin 1907 në Suedi dhe vdiq në vitin 2002. Kur mbaroi shkollën, punoi në gazetën lokale të qytetit, ku u rrit. Në vitin 1926 mbeti shtatzënë nga kryeredaktori saj, por kur i propozoi të martohen Lindgren refuzoi. U zhvendos në Stokholm, ku ndiqte kurse për daktilografi dhe stenografi. Lindi djalin e saj, Lars në Kopenhagen dhe e dha në familje kujdestare. Pará nuk kishte por mblidhte sa mundej dhe udhëtonte sa më shpesh në Kopenhagen për t’u gjendur afër me Lars. Si përfundim, arriti ta marrë në Suedi, duke e lënë tek prindërit e saj deri sa të kishte mundësi ekonomike për ta rritur në Stokholm. Në vitin 1931 ajo u martua me punëdhënësin e saj, Stoure Lindgren. Tre vite më vonë, në vitin 1934, Astrid lindi fëmijën e dytë, Karin, për hir të së cilës u frymëzua për Pipin. Familja u shpërngul në vitin 1941 në një apartament në Stokholm, ku Lindgren jetoi deri në fund të jetës. Punoi si gazetare dhe sekretare para se t’u kushtohej krejtësisht shkrimit të librave.
Në vitin 1976 shpërtheu në Suedi një skandal financiar me protagoniste Lindgren, që mbërriti deri në parlament. U zbulua se norma e tatimit të saj kishte arritur 102%, pra duhej të paguante tatim më shumë se të ardhurat e saj. Historinë e përshkroi vetë në gazetën Expressen dhe menjëherë shpërtheu konfrontim midis qeverisë dhe opozitës për sistemin e taksave. Në zgjedhjet e atij viti socialdemokratët u dëbuan nga qeveria pas 44 vitesh. Lindgren megjithatë mbeti mbështetëse e partisë për pjesën tjetër të jetës së saj.


Përveç veprës letrare Astrid Lindgren u bë e njohur për mbështetjen e saj për të drejtat e fëmijëve dhe të kafshëve, si dhe kundërshtimin e saj ndaj çdo forme ndëshkimi trupor. Dorëshkrimet e saj gjenden në Bibliotekën Mbretërore në Stokholm. Në vitin 2005, koleksioni hyri në katalogun e “Trashëgimisë Botërore” të UNESCO-s. Suedezët e nderuan me monumente, statuja, muze dhe park tematik.

Përktheu: Shpendi Shakaj 

Ardhja e Hyut II-Erlind Sulko

in Letërsi/Tharm by

Ardhja e Hyut-Erlind Sulko

II

Era i rrëzoi qetësisht lulet e qershisë.

Trotuaret janë mbushur me petale rozë

qytetesh, miqsh dhe dashurish të vdekura.

E merr një petal dhe e shtrëngon fort

Dhe kujtimet të treten nëpër gishtërinj.

Zbrazëtia bëhet më e rënde se qenia,

udhëtimet të lodhin.

Kudo që shkel, të ndjek, të mbyt e shkuara.

E ke të vështirë të kundrosh 

pafundësinë përballë.

Sytë vështrojnë atë që s’është.

Të drithërojnë mendimet.

Gjithë trupi yt e kupton se gjithësia 

është një shfaqje zhdukjesh të vazhdueshme.

Asgjë nuk ngelet,

veç dashurisë për të pamundurën,

ardhjes së shkatërrimit hyjnor.

Ajo vetëm thellohet.

 

SHPRESOJ TË SHËROHEM PREJ TEJE-JAIME SABINES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JAIME SABINES

(Meksikë, 1926-1999)

Për disa ditë, shpresoj të shërohem prej teje. Duhet mos të të frymoj më, mos të të tymos më, mos të të mendoj më. Është e mundur. Nëse zbatoj rekomandimet e moralit të radhës. Receta është kohë, dorëheqje, vetmi.
Si thua nëse të dua vetëm një javë, jo më shumë? Nuk është as shumë e as pak, është mjaftueshëm. Për një javë mund t’i grumbulloj gjithë fjalët e dashurisë që janë shqiptuar mbi tokë dhe t’u vë zjarrin. Me atë flakadan dashurie të përvëluar, do të të ngroh. Mund të grumbulloj gjithashtu dhe heshtjen. Sepse fjalët më të bukura të dashurisë gjenden mes dy njerëzve që heshtin mes njeri-tjetrit.
Duhet djegur, gjithashtu, edhe ajo gjuha tjetër paralele dhe shastisëse e atij që dashuron. (Ti e di se të them të dua, kur të them: “ç’vapë që bën”, “më jep pak ujë”, “mund të ngasësh?”, “u bë natë”… Mes njerëzve, mënjanë njerëzve të tu dhe të mi, të kam thënë “u bë vonë”, dhe ti e dije që po të thosha “të dua”).
Edhe një javë për ta grumbulluar tërë dashurinë e kohës. Për të ta falur. Që me të, të bësh ç’të duash: ta ruash, ta ledhatosh, ta flakësh në plehra. Është e kotë, vërtet. Dua vetëm një javë që t’i kuptoj gjërat. Pasi e gjithë kjo është njësoj sikur të jesh duke dalë nga një çmendinë për të hyrë në një varrezë.

Përktheu: Erion Karabolli

FUND DHE FILLIM-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

FUND DHE FILLIM-Wislawa Szymborska-Nobel 1996

 

Mbas çdo lufte
duhet që dikush të pastrojë.
Sepse sadopak rregull
nuk mund të vihet vetvetiu.

Duhet që dikush të shtyjë gërmadhat
deri në anë të rrugëve,
që të mund të kalojnë
qerret me kufoma.

Duhet që dikush të zhytet
në kërrlë e në hirna,
në sustat e kanapeve,
në ciflat e xhamit
dhe zhelet e përgjakura.

Duhet që dikush të mbartë traun
që do mbajë murin.
Dikush duhet të zëvendësojë xhamin
dhe të futë dyert në mentesha.

E gjitha kjo nuk është fotozhenike
dhe zgjat me vjet.
Të gjitha kamerat tashmë janë nisur
drejt një lufte tjetër.

Duhen përsëri
ura dhe stacione.
Mëngët do jenë bërë fërtele
nga të përveshurit.

Dikujt, me një fshesë në dorë,
i kujtohet ende si ishte.
Dikush tjetër dëgjon
duke bërë “po” me kokën që e ka akoma.
Por krejt pranë këtyre të dyve
zënë të shfaqen ca të tjerë
që nga këto histori bezdisen.

Herë-herë dikush tjetër
zhvarros që poshtë një gëmushe
argumente të gërryer nga ndryshku
dhe i hedh mbi një pirg mbeturinash.

Ata që e dinë
Përse-në dhe si-në
së shpejti do t’u lënë vendin
atyre që nuk dinë edhe aq.
Pastaj atyre që dinë akoma më pak.
Dhe, së fundi, asgjë.

Në barin që do mbulojë
shkaqet dhe pasojat
duhet që dikush të shtrihet
dhe me një kalli mes dhëmbëve
të vështrojë retë.

 

Përktheu: Alket Çani

1 139 140 141 142 143 182
Go to Top