Author

Admin - page 109

Admin has 1899 articles published.

KLITHMË-Federico García Lorca

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KLITHMË-Federico García Lorca

 

Elipsi i një klithme
nga mali në mal
shkon.

Që nga ullinjtë
si një ylber i zi do të bjerë
përmbi natën e kaltër.

Oi!

Si një hark violine,
klithma i bëri të dridhen
kordat e gjata të erës.

Oi!

(Njerëzit e shpellave
pishtarët lart ngrenë.)

OI!

Klithma lëshon në erë
Një hije qiparisi.

(Lërmëni të qaj
te kjo fushë.)

Gjithçka është rrënuar në këtë botë.
Veç heshtjes s’ka mbetur më gjë.

(Lërmëni të qaj
te kjo fushë.)

Horizontin pa dritë
flakët e kanë kafshuar.

(Ju thashë pra,
më lini të qaj
te kjo fushë.)

 

Përktheu: Bajram Karaboll

I ÇMENDURI-Khalil Gibran

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

        Khalil Gibran

Ju më pyesni si u marrosa. Ndodhi kështu: një ditë, kohë përpara se të lindnin shumë hyj, u zgjova nga një gjumë i thellë dhe pashë se m’i kishin vjedhur të gjitha maskat që kisha, shtatë maskat që kisha bërë e mbajtur gjatë shtatë jetëve; atëherë nisa të vrapoj pa maskë nëpër rrugët gëluese të qytetit, duke thirrur: “Hajdutët! Hajdutët! Hajdutët e mallkuar!”
Burra e gra u tallën me mua; nga frika, shumë të tjerë u mbyllën në shtëpi.
Dhe kur mbërrita në sheshin e tregut, një djalosh, nga maja e pullazit të një shtëpie, thirri: “Është i çmendur”. Ngrita kokën për ta parë; dielli ma puthi fytyrën e zbuluar për të parën herë. Për të parën herë dielli ma puthi fytyrën e zbuluar dhe shpirti m’u ndez nga dashuria për diellin dhe nuk i desha më maskat. Dhe si i dalldisur, thirra: “Bekuar, bekuar qofshin hajdutët që më vodhën maskat!”
Kësisoj u bëra i çmendur.
Dhe në marrëzinë time gjeta njëherësh edhe lirinë edhe sigurinë; lirinë për të qenë vetëm dhe sigurinë për të mos u kuptuar; sepse ata që na kuptojnë, në njëfarë mënyre na robërojnë.
Por nuk doja të mburresha me sigurinë. Edhe një hajdut në birucë është i parrezikuar nga hajdutët e tjerë.

Përktheu: Alket Çani

Oqean-Edvin Thomollari

in Letërsi by

Oqean-Edvin Thomollari

 

Ti pluskon në oqeanin tim,
ndërkohë unë dua të shkosh
në fund,
në shtratin e oqeanit tim, ku është
errësirë,
dhe shumë thellë e qetësi.
Ku ka pak alga dhe disa qelqe të
thyera,
dhe unë të mos të të gjej dot,
madje as Zhyl Verni.
Kujtimet nuk kodohen në qeliza truri,
kujtimet pluskojnë në oqeanet tona
dhe përplasen me kujtime të tjera.
Kujtimet bëhen gjallesa marine,
që nuk i afrohen bregut.
Kujtimet janë lodrat e një fëmije autik,
që i fut në kuti pasi ka luajtur në rërë:
cilindra druri, kuba druri, yje druri,
kujtimet janë yje druri…

DELIA ELENA SAN MARC- JORGE LUIS BORGES

in Letërsi by

JORGE LUIS BORGES

U ndamë në një kryqëzim të Onses*.
Që nga trotuari tjetër, ktheva kokën dhe pashë; ti ishe kthyer dhe më the lamtumirë me dorë.
Një lumë makinash dhe njerëzish rridhte mes nesh; ishte ora pesë e një pasditeje çfarëdo; e si mund ta dija unë që ai lumë qe i trishti Akeront, i pakalueshmi.
Nuk u pamë më, dhe një vit më vonë ti kishe vdekur.
E tani unë kërkoj atë kujtim, e këqyr dhe mendoj se ishte i rremë dhe se prapa lamtumirës së zakonshme gjendej ndarja e pasosur.
Mbrëmë, pasi hëngra darkë, nuk dola dhe rilexova, për t’i kuptuar këto gjëra, mësimin e fundit që Platoni vendosi në buzët e mësuesit të tij. Lexova se shpirti mund të çlirohet pas vdekjes së mishit.
E tani nuk e di nëse e vërteta gjendet në ogurziun interpretim të mëvonshëm apo në lamtumirën e pafajshme.
Sepse, nëse shpirtrat nuk vdesin, atëherë është më se e drejtë që lamtumirat e tyre të mos jenë të bujshme.
Të thuash lamtumirë do të thotë të mohosh ndarjen, domethënë: Sot po bëjmë sikur ndahemi por do të shihemi nesër sërish. Njerëzit e shpikën lamtumirën pasi, në një farë mënyre, e dinë veten të pavdekshëm, edhe pse e gjykojnë të rastësishëm e të çastshëm.
Delia: dikur do ta vazhdojmë (pranë cilit lumë?) këtë dialog të paqartë dhe do ta pyesim njeri-tjetrin nëse dikur, në një qytet që shtrihej e humbiste në fushnajë, qemë Borhesi dhe Delia.

———————————–
* Once – zonë (lagje) në qytetin e Buenos Airesit.

Përktheu: Erion Karabolli

Profesori i moshuar-Wisława Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Profesori i moshuar-Wisława Szymborska

 

E pyeta për ato kohë
kur ishim ende shumë të rinj,
të pafajshëm, nguteshim, si gomerë, pa përvojë.

Diç ka mbetur, por jo rinia.
– m’u përgjigj.

E pyeta nëse është ende i bindur
për ç’është e mirë ose e keqe për njeriun.

Ndër gjithë sajesat, është më vdekjeprurësja.
– m’u përgjigj.

E pyeta për të ardhmen,
nëse e sheh tërë rrezatim.

I kam pirë me lëng librat e historisë.
– m’u përgjigj.

E pyeta për fotografinë,
atë që mban në kornizën mbi tavolinë.

Ishin, kanë qenë. Vëlla, kushëri, kunatë,
bashkëshorte, çupëz mbi prehrin e saj,
maçok në krahët e çupëzës,
dhe lule e qershizës, dhe mbi atë qershizë
zog i padallueshëm fluturimthi.
– m’u përgjigj.

E pyeta nëse i ndodh të ndihet i lumtur.

Punoj.
– m’u përgjigj.

E pyeta për miqtë, nëse ende ka të tillë.

Disa nga ish asistentët e mi,
zonja Ljudmilla, që kujdeset për shtëpinë,
ndonjë shumë i ngushtë, por jashtë vendit,
dy zonjat e bibliotekës, të buzëqeshura që të dyja,
i vogli Jas që banon përballë Mark Aurelit.
– m’u përgjigj.

E pyeta për oborrin dhe stolin e tij.

Kur mbrëmja është pa re, sodis qiellin.
S’rri dot pa u mrekulluar,
kaq shumë këndvështrime atje lart.
– m’u përgjigj.

 

Përktheu: Edon Qesari

Ç’FATKEQËSI, PO TË ISHIM TË PAVDEKSHËM/Bisedë midis Borges-it dhe Rulfo-s

in Letërsi by

PËR VDEKJEN DHE PAVDEKËSINË

Në 1973, Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges) vizitoi qytetin e Meksikos. Shkrimtari argjentinas pati atje edhe një takim të shkurtër me presidentin e Meksikës, Luis Eçeveria (Luis Echeverría). Disa muaj më pas, gazetari kolumbian Migel Kantero (Miguel Cantero) e pyet Borgesin për përshtypjet e këtij takimi dhe ai iu përgjigj: «Kurrë nuk e mora seriozisht. Por nëse ai është vërtet president, preferoj të mos imagjinoj qeverinë».
Borgesi, në atë vizitë, u kërkoi të zotëve të shtëpisë një favor: «Dua të takoj shkrimtarin Huan Rulfo (Juan Rulfo)». Ata, të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën, i sugjeruan që të dy shkrimtarët të sëllinin së bashku. – Ju lutem, – u thotë Borgesi, – preferoj mbrëmjet. Mëngjeset më shkatërrojnë. Nuk e kam më as gjallërinë dhe as forcën për t’i dhënë ditës atë që meriton. Tashmë, gjatë muzgjeve ndihem më mirë. Dua vetëm të bisedoj me mikun tim Rulfo.
Të dy gjigantët e realizmit magjik dhe të “bumit latinoamerikan” u takuan dhe darkuan bashkë.

Biseda e tyre, pak a shumë, ishte kjo:

RULFO: Mjeshtër, unë jam Rulfo. Sa mirë që erdhët. Ju e dini sa shumë ju admirojmë dhe ju nderojmë.

BORHES: Më në fund, Rulfo. Unë nuk mund ta shikoj një vend, por mund ta dëgjoj atë. Dhe e dëgjoj me plot përzemërsi. Pothuaj e kisha harruar dimensionin e vërtetë të këtij zakoni të madh. Por mos më thërrisni Borhes, dhe aq më pak “mjeshtër”. Më quani thjesht Horhe Luis.

RULFO: Sa i këndshëm! Atëherë, edhe ju më thërrisni thjesht Huan.

BORHES: Le të jem i sinqertë. Mua më pëlqen më shumë emri Huan se Horhe Luis. Emri juaj me katër shkronja është sa i shkurtër dhe domethënës. Një nga parapëlqimet e mia kanë qenë përherë gjërat lakonike.

RULFO: Jo, jo. Në këtë rast nuk është ashtu. Huan mund të jetë kushdo, por Horhe Luis është vetëm Borhesi.

BORHES: Si gjithmonë, jeni tepër i sjellshëm. Më thoni, si keni qenë kohët e fundit?

RULFO: Unë? Për të vdekur, pothuaj duke vdekur.

BORHES: Domethënë, gjërat po shkuakan mirë.

RULFO: Si kështu?

BORHES: Imagjinoni, don Huan, ç’fatkeqësi do të ishte po të ishim të pavdekshëm.

RULFO: Po, vërtet. Sepse mund të na kalojë një i vdekur këtu e të bëjë sikur është i gjallë.

BORHES: Do t’ju tregoj një sekret. Gjyshi im, gjenerali, thoshte se nuk quhej Borhes, se mbiemri i tij i vërtetë ishte tjetër, por ishte sekret. Dyshoj se quhej Pedro Páramo*. Atëherë, unë jam një ribotim i asaj që keni shkruar ju për Komalan.

RULFO: Ashtu?! Tani mund të vdes seriozisht.

___________

*Personazhi kryesor i romanit të Rulfos, “Pedro Paramo”

 

Përktheu: Bajram Karabolli 

Atdheu-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Atdheu-Janis Ricos

 

Të vrarët i lanë në fushë

me kuajt dhe qenin e zi. Flamurët i kishin fshehur në shpellat shekullore.

Ajo ç’quajtëm atdhe ishte gjinkallë, ullinj, puse, landra,

dy lopë të zeza që ëndërrojnë poshtë plepave

dhe një mermer i thyer në mes të bahçes së verdhë,

ku një zog rri mbi njërën këmbë duke ajgëtuar tej,

më tej harresës dhe kujtimit.

Kështu me pak baltë, dy kokrra misër dhe një karafil

nënat plaka u sajuan nga një nuskë

dhe i përcollën në heshtje.

Përgjithnatë i ndiqte pas me blegërima delja mbarsë.

 

Përktheu: Romeo Çollaku

LORKA QAU PARA PUSHKATIMIT-Petraq Risto

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

LORKA QAU PARA PUSHKATIMIT-Petraq Risto

 

Spanja ngulte thonjtë në duar: zjarrin e gjakut lotët s’e shuajnë.
Qau, si fëmijë qau, me zë qau.
Bajonetat: brirët e demit të zi që Injacion vrau.
Qau. Ushtarët fshinin faqet e nxehta te kondaku.
Lorka kish njëmijë fëmijë me njëmijë nëna prej brumi qiellor. Qau.
Hëna lart – peng. Do të vrasim Hënën, apo mishin tënd të zjarrtë..
Jo Hënën, jo Hënën, Vrasës!
Shkrepin armët, s’qëllojnë me plumba, po me shegë të çarë.
Shegët buzë Guadalkivirit: u thanë.
Pushkatuesit shihnin lotët tek bëheshin sy
Poeti: njeri me njëmijë sy?…

Qau. Ushtarë, hiqini gishtat nga këmbëzat
këmbëzat bëjini vegje për lotët,
të shëtisni nesër me lotët e Lorkës….

Qershor, 2008

Një dokumentar kushtuar shkrimtarit John Fante/Giovanna di Lello

in Kinema/Letërsi by

Këtu mund të ndiqni një dokumentar kushtuar shkrimtarit amerikan, John Fante, realizuar nga Giovanna di Lello, viti 2003.

Flasin të afërm, studiues e miq të tij.

Sa qe gjallë ai nuk mori atë që meritonte, pak prej kushteve historike në të cilat jetoi e pak prej origjinës së tij italiane dhe besimit katolik, që nuk shiheshin me sy të mirë ato kohë. Por në ditët e sotme ai është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

E megjithatë, mbeten ende të paktë amerikanët që e kanë lexuar…

Një dokumentar i çmuar, në veçanti për njerëzit e letrave, të cilët, në njëfarë mënyre, janë të gjithë nga pak “Arturo Bandini”…

 

Mbi rrëgjimin e dashurisë-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mbi rrëgjimin e dashurisë-Bertolt Brecht

 

Nënat tuaja lindnin me dhimbje, por gratë tuaja

Ngjizin me dhimbje.

Akti i dashurisë

Nuk do të përparojë më tej. Ndërzimi sërish do të ndodhë, por

Përqafimi do të jetë përqafim prej mundësish. Gratë

I ngrenë krahët në pozicion mbrojtës ndërkohë

Që mbahen prej atyre që i kanë.

Mjelësja fshatare, e famshme

Për aftësinë e saj që të ndjejë lumturi

Në përqafim, i sheh me neveri

Motrat e saj të palumtura veshur me gëzofë të shtrenjtë

Që paguhen për secilën spërdredhje të bythëve të tyre të përkëdhelura.

Burimi durimplotë

Që ia ka shuar etjen kaq shumë brezave

Sheh i tmerruar se si i fundit prej tyre

Gëlltit me zor një gllënjkë ujë, fytyrëmrrolur.

Çdo kafshë mundet ta bëjë. Por mes këtyre njerëzve

Konsiderohet art.

 

Përktheu: Atbër Zaimi

1 107 108 109 110 111 190
Go to Top