Author

Admin - page 107

Admin has 1899 articles published.

Një vjershë e vonuar-Nathan Zach 

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Në vjershë e vonuar-Nathan Zach

 

Ndodhi larg, siç rëndom, atë natë ende kishte
ca pika shiu në dritare, kur ti the, kur unë thashë,
dhe qemë pranë ujdisë, në mos larg
nga gjithçka tjetër.
Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Tre herë dimri dimëroi, pati anafjalë;
çka mund të shtrëngoj në dorë, bie dhe thyhet.
Mos vallë është fryma, mos vallë trupi,
mbërthyer papritmas nga një ngërç, që e lë të bjerë?
Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Flok’t e saj qenë gështenjë, që atëbotë ngjyra humbi shkëlqimin.
U mbeti njëfarë brishtësie, një hapësirë e vogël brishtësie,
a mbase mosbrishtësie. Zor të jesh i saktë në kësi punësh.
Zor t’u japësh shpjegim, zor të jesh i saktë.
Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

Thashë brishtësi, mund të thosha edhe më,
pas së pamohueshmes gjithkush mund të shtojë më.
Njëra prej llambave tona në dhomë u dogj.
Njëra s’del për të lexuar por mjafton për të vajtuar.
Mos duhet të vajtoj mbi çati, në kolltuk apo në shtrat?
Një burrë nuk do ta bisedojë, ai s’do që të flasë.

 

Përktheu: Edon Qesari

ATY KU ZGAVRON ERA-Yves Bonnefoy

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

ATY KU ZGAVRON ERA-Yves Bonnefoy

 

I

Thonë se një zot kërkoi

Mbi ujërat e mbyllur

Si një grabitqar kur kërkon

Prenë e tij të largët

Dhe me një britmë të përsëritur,

Të çjerrë, të shkretuar,

Krijoi kohën që shkëlqen

Aty ku dallga zgavrohet.

Nata mbulon ditën

Pastaj tërhiqet,

Shkumë e saj vrundullon

Mbi gurët e këtushëm.

Ç’është Zoti, nëse s’ka

Tjetër vepër veç kohës,

A ka dashur të vdesë

Ngaqë s’ka lindur dot?

E kotë qe beteja e tij

Kundër mungesës.

Ai hodhi lakun,

Ajo mbajti shpatën.

 

II

Por mbetet rrufeja

Përmbi botë

Siç kërkohet një va

Gur më gur.

A s’ish bukuria

Veçse një ëndërr,

Fytyra symbyllur

E dritës?

Jo, përderisa ka pasqyrim

Brenda nesh, dhe është flaka

Që në ujin e pyllit të vdekur

Lahet lakuriq.

Është trupi i galduar

Nga një pasqyrë

Që merr befas si zjarr

Në një qerthull gurësh.

Dhe ka kuptim fjala gëzim

Megjithë vdekjen

Aty ku zgavron era

Thëngjijtë e saj të ndezur.

 

III

Ditë të mjafta

Që shkojnë drejt agut

Me vezullima

Në qiellin e natës.

Shpata, laku

Janë veçse një dorë,

Që shtrëngon në paqe

Zverkun e shkurtër.

Shpirti, i përndritur, është

Si një notar

Që kridhet përnjëherësh

Nën dritë

Me sytë e mbyllur,

Trupin e zhveshur,

Dhe gojën që dëshiron kripën,

Jo gjuhën.

 

Përktheu: Alket Çani

Me Greta Garbon e vargjeve/James Hopkin

in Letërsi by

Trishtimi është një kategori e bukur

   James Hopkin

   Përktheu: Arlinda Guma

Një zonjë plakë e mpakur, me tipare prej zogu dhe me sy në ngjyrë të errët, të ditur; Wislawa Szymborska, përplas duart dhe thotë: “Në përgjithësi, jeta është kaq e pasur dhe plot larmi; ti duhet të mbash mend gjatë gjithë kohës se ekziston një anë komike te gjithçka”. Sharmi dhe sensi i çapkënërisë së saj ndoshta shpjegojnë pse një gazetë italiane e quajti këtë shtatëdhjetëvjeçare, fituese të çmimit Nobel: “Greta Garbo e Poezisë Botërore”.
E lindur në vitin 1923, Szymborska ka jetuar në Krakov, në Poloninë Jugore, që kur ishte tetë vjeç. Ajo studioi filiologji dhe sociologji polake në Universitetin Jagiellonian të qytetit dhe më pas filloi karrierën në shkrimin e poezive, duke punuar për revista letrare dhe duke përkthyer poezi nga frëngjishtja.
Nën regjimin Komunist në Poloni, përmbledhja e parë me poezi e Szymborska-s: “Ja për çfarë jetojmë” (1952), ishte realizëm socialist. Megjithatë, dëshmi e integritetit të saj ishte fakti që vetëm dy vjet më vonë, me vëllimin “Pyetje Vetes”, ajo lëvizi drejt jetës individuale. Pas shekullit të tmerrshëm të Polonisë, poezia e Szymborska-s flet me një thjeshtësi mashtruese për detajet dhe emocionet e përditshme që ripushtojnë njerëzimin dhe ajo e bën këtë pa cinizëm apo ndjenjë. Një lexim i parë mund të krijojë përshtypjen e një vepre mediokre, por ka një kompleksitet në punë, nën ekonominë e saj, një naivitet për të cilin duhet të punohet dhe një mençuri që ajo e ka fituar me përvojë. “Unë po luftoj kundër poetit të keq që është i prirur të përdorë shumë fjalë,” thotë ajo. Në vitin 1996, pasi kishte botuar vetëm tetë ose nëntë vëllime të pakta, asaj iu dha Çmimi Nobel.
Tashmë 76 vjeç, Szymborska është ikonë në një vend që krenohet shumë me poetët e tij. Ajo është gjyshja e preferuar letrare e të gjithëve. Dhe është e lehtë të kuptohet pse. Poezitë e saj janë të kapshme dhe shpesh mësohen përmendësh. Njëra prej tyre: “Macja në apartamentin bosh”, që bën fjalë për perspektivën e maces së pronarit të saj të larguar, recitohet në të gjithë Poloninë, si nga të rinjtë ashtu dhe nga të moshuarit.
Megjithatë Szymborska bën të pamundurën për të bërë një jetë prej vetmitareje. “Thjesht ka shumë zhurmë kur flitet për mua”, shpjegon ajo, me një modesti karakteristike dhe me një tjetër buzëqeshje ngacmuese. “Të gjithë kanë nevojë për vetminë, veçanërisht një person që është mësuar të mendojë për ato që përjeton. Vetmia është shumë e rëndësishme në punën time si mënyrë frymëzimi, por izolimi nuk është i mirë në këtë drejtim. Unë nuk shkruaj poezi për izolimin.” Ashtu si me poezinë e maces, shumica e punës së saj karakterizohet nga mungesa, ndërsa diku tjetër ajo pëlqen t’i përmbysë skenarët apo të afirmojë dikë për çfarë ai nuk mund të bëjë, sepse: “ata vetë nuk e kuptojnë/sa shumë mbajnë në duart e tyre bosh.” Ajo e saja është më tepër një poezi e qasjeve sesa e qortimeve.
Pa qenë haptazi politike, estetika e saj është shumë demokratike. Ajo përdor ligjëratën bisedore dhe sa më shumë zëra që të jetë e mundur, toni i të cilëve është i gjallë dhe kërkues, si dhe gjithmonë provokues. Ndonjëherë poezia e saj ka insistimin e këshillave të pëshpëritura në mënyrë urgjente.
Ashtu si një tjetër poet polak i pasluftës, Rosewicz-i, ajo dyshon në efikasitetin e poezisë, ndërsa në të njëjtën kohë i kushtohet asaj. Një përsosje e tillë mund të jetë punë e vështirë. “Së pari, është një luftë,” thotë Szymborska, “sepse, padyshim, në thelbin e çdo poezie, ekziston emocioni. Ajo që duhet të bësh është të luftosh kundër këtij emocioni. Nëse do të përdorje emocione, do të mjaftonte të thoshe vetëm: “Të dua. Pikë. Mos më lër. Çfarë të bëj pa ty? Oh, vendi im i varfër! Oh, atdheu im i varfër!” Ajo qesh dhe e qeshura është si ironia në poezitë e saj: e ngrohtë dhe jo dashakeqe. “Ndonjëherë shkruaj shpejt, ndonjëherë kaloj disa javë me një poezi të vetme. Në të vërtetë do të doja që lexuesit të mos ta gjenin se cila nga poezitë kërkoi aq shumë punë!”
Fjalët që ajo ruan flasin për dashurinë dhe humbjen, si dhe për migrimet; të brendshmet dhe të jashtmet. Ka zgjuarsi dhe depërtim, dhe lexuesi vazhdimisht ngurron të përgjigjet. “Në çdo përgjigje të mundshme,” thotë Szymborska, “duhet të ketë një pyetje tjetër”. Duke kundërshtuar dogmën, ajo përdor fjalë dhe tema të mëdha vetëm për t’i ndarë ato në pjesë të panumërta. “Do t’ju kujtoj në detajet e pafundme”, premton ajo në poezinë: “Arkeologji”, “Për atë që prisnit nga jeta përveç vdekjes”. Poezitë e saj përcjellin edhe një dinjitet të qetë, një gjakftohtësi, të fituar prej të jetuarit e ekseseve më të këqija të shekullit të kaluar. Mbi të gjitha, thotë ajo, me vërtetësi: “Trishtimi është një kategori e bukur”.
Kërkimi i Szymborska-s për thjeshtësi shpjegon pse kjo poete e hirshme urren të luajë rolin e poetes. Ajo thjesht nuk mund ta kuptojë pse njerëzit ende duan ta intervistojnë. “Për ca nga vitet e fundit fraza ime e preferuar ka qenë: Nuk e di!. Unë kam arritur moshën e vetë-njohjes, kështu që nuk di asgjë. Njerëzit që pretendojnë se dinë diçka janë përgjegjës për shumicën e trazirave në botë”.
Por, sigurisht Çmimi Nobel duhet të jetë një vlerësim për mençurinë e saj? Edhe këtu ajo ka një histori për t’iu kundërvënë një pretendimi të tillë: “E gjitha ndodhi për shkak të një miku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E gjitha për shkak të divanit të tij. Pak para se të merrte çmimin Nobel, Czeslaw Milosz [1980] u ul në këtë divan, pastaj Seamus Heaney [1995] u ul në të dhe e fitoi çmimin, dhe më tej ndodhi që edhe unë u ula në të, dhe pastaj e mora çmimin! Është një divan magjik! ” Ajo qesh, shtyn kokën prapa dhe pastaj përkulet përsëri përpara duke marrë një shprehje tallëse. “Për fat të keq, ai që atëherë është riparuar, kështu që nuk ka shans që ju të fitoni një Nobel!”

Marrë nga: The Guardian

Sa shumë zota!-Fernando Pessoa

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Sa shumë zota!-Fernando Pessoa

 

Sa shumë zota!
Janë si librat! – nuk lexon dot gjithçka, kurrë s’do dish gjë.
Lum si kush ka veç një zot dhe atë e mban fshehtë.
Për çdo ditë besoj në gjëra të ndryshme
Ka raste kur besoj gjëra të ndryshme në po të njëjtën ditë
Dhe aq shumë do desha të isha çilimiu që tani përshkon
Rrugën që shfaqet nën dritaren time.
Ai po ha një ëmbëlsirë dy-lekëshe (është i varfër) pa shkak në dukje, a qëllim fundor
Shtazë e pa dobi, rritur mes kurrizorësh të tjerë
Dhe ia jep, nëpër dhëmbë, një kënge të pahijshme…
Shumë zota ka, vërtet…
Por gjithçka do t’ia jepja atij zoti që ma heq sysh atë çilimi.

9-3-1930

 

Përktheu: Edon Qesari

FËMIJËT NË SHOQËRINË TONË-EDUARDO GALEANO

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

EDUARDO GALEANO

Çdo ditë, fëmijëve u mohohet e drejta të jenë fëmijë. Faktet, se institucionet tallen me këtë të drejtë, duken qartë te mësimet që u japin fëmijëve në jetën e përditshme. Fëmijët e pasur trajtohen si të ishin pará, duke u mësuar të sillen si pará. Ndërsa fëmijët e të varfërve trajtohen si mbeturina dhe, për pasojë, ata bëhen mbeturina. Fëmijët e atyre që janë në mes, që nuk janë as të pasur dhe as të varfër, i kanë të lidhur te këmbët e televizionit, në mënyrë që ata, qysh herët, të pranojnë, si fatin e tyre, jetën prej të burgosuri. Duhet shumë magji dhe shumë fat që fëmijët të arrijnë të jenë fëmijë.
Në oqeanin e varfërisë dhe të braktisjes, ngrihen ishujt e privilegjit. Aty ka fusha luksoze përqendrimi, ku të fuqishmit takohen vetëm me të fuqishmit, të cilët kurrë, për asnjë çast nuk mund të harrojnë, se janë të fuqishëm. Në disa nga qytetet e mëdha të vendit, ku grabitjet dhe pasiguria janë bërë një zakon, fëmijët e pasurve rriten mbyllur brenda flluskës së frikës. Ata banojnë në pallate me mure, shtëpi të mëdha ose grupe vilash të rrethuara nga gardhe të elektrizuara, roje të armatosura dhe, ditë e natë, kamerat vëzhgojnë mjedisin. Të pasurit, sikur të jenë pará, udhëtojnë me makina të blinduara. Ata nuk i njohin të gjitha lagjet e qytetit të tyre, sepse ata nuk jetojnë në qytetin ku jetojnë, sepse e kanë të ndaluar këtë ferr të madh që përgjon qiellin e tyre të vogël privat. Përtej kufijve të tyre shtrihet një rajon terrori, ku njerëzit për ata janë të shumtë, të shëmtuar, të ndyrë dhe ziliqarë.
Në këtë epokë globalizimi, fëmijët nuk i përkasin më asnjë vendi, por fëmijët që banojnë në këto territore të vogla dhe të sigurta janë ata që i kanë të gjitha gjërat. Veç ata rriten pa rrënjë, të zhveshur nga identiteti kulturor dhe nuk kanë më shumë kuptim shoqëror sesa e vërteta që realiteti është një rrezik. Atdheu i tyre ka njollat e prestigjit universal, që dallohet nga rrobat e tyre dhe nga gjithçka që ata përdorin; edhe gjuha e tyre është gjuha e kodeve elektronike ndërkombëtare. Në qytetet më të ndryshme, madje edhe në pjesët më të largëta të botës, bijtë e të privilegjuarve i ngjajnë njëri-tjetrit, ngjajnë në zakonet dhe synimet e tyre, ashtu siç ngjajnë shopping centers dhe dhe aeroportet, për pasojë ata janë jashtë kohës dhe hapësirës. Të edukuar në një realitet virtual, keq-edukohen për të mos njohur realitetin e vërtetë, i cili ekziston vetëm për ta pasur frikë ose për ta blerë atë.

Përktheu: Bajram Karabolli

Në dhomën time te tavolina e vogël-Jamarbër Marko

in Letërsi/Tharm by

Në dhomën time te tavolina e vogël-Jamarbër Marko

 

Përsëri këta trëndafilët
Dhe përsëri këta trëndafilët
Çuditërisht të mrekullueshëm e të papërfillshëm.
Si ditët dhe ngjarjet.
Si njerëzit e mëdhenj e si lypësat
Me krenarinë lavdinë e mërzitjen.
Përsëri këta trëndafilët e përsëri këta trëndafilët
Si gjithmonë përsërisin
Si njerëzit dhe lavditë
Atë çka shpreh
Ai që lyp gjithçkanë
Dhe ka gjithçkanë me vete, për pak kohë.

KOPSHTI -Yves Bonnefoy

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KOPSHTI -Yves Bonnefoy

 

Bie dëborë.
Nën flokët e saj porta
Hapet më në fund në kopsht
Më shumë se në botë.

Unë eci. Por shalli
Më ngecet në hekur
Të ndryshkur, dhe griset
Brenda meje stofi i ëndrrës.

 

Përktheu: Alket Çani

Minitregime nga Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JORGE LUIS BORGES

LEGJENDË

Abeli dhe Kaini u takuan pas vdekjes së Abelit. Po ecnin në shkretëtirë dhe e dalluan njeri-tjetrin që larg, pasi të dy ishin shumë të gjatë. Të dy vëllezërit u ulën përdhe, ndezën një zjarr dhe filluan të hanin. Qëndronin në heshtje, në heshtjen e njerëzve të lodhur kur perëndon dielli. Në qiell shfaqej ndonjë yll, që ende nuk kishte emër. Në dritën e zjarrit, Kaini vërejti shenjën e gurit në ballin e Abelit dhe lëshoi nga dora bukën që po e çonte në gojë e i kërkoi t’ia falte krimin.
Abeli u përgjigj:
– Më ke vrarë ti mua apo unë ty? Nuk më kujtohet; tani jemi këtu së bashku, si dikur.
– Tani e kuptoj se vërtet më ke falur, – tha Kaini. – Sepse të harrosh, do të thotë të falësh. Edhe unë do të mundohem të harroj.
Abeli tha ngadalë:
– Ashtu është. Sa kohë zgjat brejtja e ndërgjegjes, zgjat edhe faji.

NJË ËNDËRR

Në një vend të shkretë të Iranit është një kullë prej guri, jo shumë e lartë, pa dyer e pa dritare. Në dhomën e vetme të saj (dyshemeja e së cilës është prej dheu dhe ka formë rrethi) është një tryezë druri dhe një stol. Në atë qeli rrethore një njeri që më ngjason shkruan me shkronja që s’i kuptoj një poemë të gjatë për një njeri, i cili, në një tjetër qeli rrethore shkruan një poemë për një njeri, i cili në një tjetër qeli… Procesi nuk ka mbarim dhe askush nuk do të mund ta lexojë atë që shkruajnë të burgosurit.

DFIALOG PËR NJË DIALOG

A – Të shpërqendruar prej arsyetimit mbi pavdekësinë, kishim lënë të na zinte terri pa e ndezur llambën. Nuk ia shihnim fytyrat njëri-tjetrit. Me një indiferencë dhe një ëmbëlsi më bindëse se sa zelli, zëri i Masedonio Fernandesit përsëriste se shpirti është i pavdekshëm. Më siguronte se vdekja e trupit është krejtësisht e parëndësishme dhe se të vdesësh duhet të jetë ngjarja më e pavlerë që mund t’i ndodhë një njeriu. Unë luaja me biçakun e Masedonios; e hapja dhe e mbyllja. Një fizarmonikë e afërt shpërhapte pafundësisht “Komparsitën”, atë kotësi të pikëlluar që iu pëlqen plot njerëzve, pasi i kanë gënjyer se është melodi e moçme… Unë i propozova Masedonios që të vetëvriteshim, për të vazhduar diskutimin pa bezdisjen e zhurmave.
Z (tallës) – Por ma ha mendja se më në fund nuk vendosët të vetëvriteshit.
A (tashmë krejtësisht mistik) – Sinqerisht nuk më kujtohet nëse e vramë veten atë natë.

DY MBRETËRIT DHE DY LABIRINTET

Rrëfejnë njerëzit besimplotë (por Allahu e di më mirë) se në ditët e fillimit na ishte një mbret në ishujt e Babilonisë, i cili mblodhi arkitektët e magjistarët e tij dhe i urdhëroi të ndërtonin një labirint aq marramendës dhe të stisur saqë djemtë më të mençur nuk e merrnin guximin të hynin në të dhe ata që hynin, humbisnin. Ajo vepër ishte një marrëzi, pasi çoroditja dhe mrekullia janë punë të vetë Zotit dhe jo të njerëzve. Pas disa kohësh, shkoi në oborrin e tij një mbret i arabëve dhe mbreti i Babilonisë (për t’u tallur me thjeshtësinë e mysafirit) e bëri të hynte në labirint, ku ai u end i fyer dhe i çoroditur deri në rambrëmje. Atëherë luti ndihmën e shenjtë dhe e gjeti derën. Buzët e tij nuk shqiptuan asnjë ankesë, por i tha mbretit të Babilonisë se ai kishte në Arabi një labirint tjetër dhe se, me dëshirën e Zotit, një ditë do t’ia tregonte. Më pas u kthye në Arabi, mblodhi kapitenët e rojet e tij dhe i rrafshoi mbretëritë e Babilonisë me një fat aq të madh saqë ua rrëzoi kështjellat, ua theu ushtritë dhe zuri rob vetë mbretin. E lidhi mbi një deve të shpejtë dhe e çoi në shkretëtirë. Kalëruan tri ditë e i tha: “O mbreti i kohës, i substancës dhe i shifrës së shekujve! Në Babiloni deshe që unë të humbisja në një labirint bronzi plot shkallë, dyer dhe mure; sot i Gjithëfuqishmi deshi të të tregojë labirintin tim, ku nuk ka shkallë për të ngjitur, as dyer për të shqyer, as tunele të rraskapitshëm për t’u endur e as mure që të bllokojnë rrugën.” Pastaj i zgjidhi litarët dhe e braktisi në mes të shkretëtirës, ku vdiq prej urisë dhe etjes. Lavdia qoftë me atë që nuk vdes.

ODINI[1]

Thuhet se në oborrin e Olaf Trigvasonit, që ishte shndërruar në fenë e re, mbërriti një natë një plak, mbështjelël me një pelerinë të errët dhe me strehën e kapelës mbi sy. Mbreti e pyeti se çfarë dinte të bënte, i huaji u përgjigj se dinte të luante harpën dhe të tregonte rrëfenja. Luajti në harpë tinguj të moçëm, foli për Gudrunin e për Gunarin dhe, së fundmi, tregoi për lindjen e Odinit. Tha se erdhën tri parka, se dy të parat i premtuan lumturi të mëdha dhe se e treta tha, e xhindosur:
– Fëmija nuk do të jetojë më gjatë se qiriri që po digjet pranë tij.
Atëherë prindërit e shuan qiririn që Odini të mos vdiste. Olaf Trigvasoni nuk e besoi historinë, i huaji përsëriti se ishte e vërtetë, nxori qiririn dhe e ndezi. Ndërsa e shihnin të digjej, burri tha se ishte vonë dhe duhej të shkonte. Kur qiriri ishte tretur, e kërkuan. Disa hapa larg shtëpisë së mbretit, Odini kishte vdekur.

THIKA

Në një sirtar është një thikë. E farkëtuar në Toledo, nga fundi i shekullit të kaluar; Luis Melian Lafinuri ia dha tim ati, që e solli nga Uruguai; Evaristo Karriegoja e pati dikur në dorë. Ata që e shohin duhet të luajnë një copë herë me të; vërehet se paskëshin kohë që e kërkonin; dora ngutet të shtrëngojë dorezën që e mirëpret; tehu i bindur dhe i fuqishëm luan me përpikëri brenda millit.
Tjetër gjë do thika. Nuk është thjesht një strukturë e bërë me metale; njerëzit e menduan dhe e krijuan për një qëllim shumë të përpiktë; është, në njëfarë mënyre të përjetshme, thika që mbrëmë vrau një njeri në Takuarembo dhe thikat që vranë Qezarin. Do që të vrasë, do që ta derdhë gjakun dhunshëm.
Në një sirtar të skrivanisë, mes blloqesh e letrash, pafundësisht jeton thika me ëndrrën e saj të thjeshtë prej tigri dhe dora merr guxim kur e drejton pasi metali guxon, metali që parandien në çdo prekje vrasësin, për të cilin e krijuan njerëzit.
Ndonjëherë më jep keqardhje. Kaq shumë ashpërsi, kaq shumë besim, kaq shumë mendjemadhësi e urtë apo e pafajshme, dhe vitet shkojnë, të kotë.

BORHESI DHE UNË

Tjetrit, Borhesit, atij i lindin idetë. Unë eci nëpër Buenos Aires dhe vonohem, ndoshta mekanikisht, për të këqyrur harkun e një oborri dhe portën me kangjella; për Borhesin marr lajme me postë dhe e shoh emrin e tij në një treshe profesorësh apo në një fjalor biografik. Më pëlqejnë orët e rërës, hartat, tipografia e shekullit XVII, etimologjitë, shija e kafesë dhe proza e Stevensonit; edhe tjetri ndan të njëjtat shije, por në një mënyrë sqimatare që i shndërron ato në cilësi të një aktori. Do të ishte e tepruar të thuhet se marrëdhënia jonë është armiqësore; unë jetoj, unë e lejoj veten të jetoj që Borhesi të mundë të trillojë letërsinë e tij dhe kjo letërsi më përligj. Nuk më kushton asgjë ta pranoj se ka arritur të shkruajë disa faqe me vlerë, por ato faqe nuk mund të më shpëtojnë dot, ndoshta pasi e mira nuk i përket askujt, as atij tjetrit, por gjuhës dhe traditës. Sa për të tjerat, unë jam i destinuar të humbas përfundimisht dhe vetëm ndonjë çast imi mund të mbijetojë tek ai tjetri. Pak nga pak po i dorëzoj gjithçka, edhe pse e di zakonin e tij të mbrapshtë për të trilluar dhe madhëruar. Spinoza kuptoi se gjithë gjërat duan të qëndrojnë me ngulm në qenien e tyre; guri përjetësisht do që të jetë gur dhe tigri tigër. Unë kam për të ngelur tek Borhesi, jo tek unë (nëse jam dikush), por më pak e gjej veten tek librat e tij se sa në shumë të tjerë apo se sa në rënkimin e mundimshëm të një kitare. Para disa vitesh u mundova të çlirohesha prej tij dhe kalova nga mitologjia e rrethinave tek lojërat me kohën dhe me të pafundmen, por tani këto lojëra janë të Borhesit dhe do të më duhet të shpik të tjera gjëra. Kësisoj jeta ime është një arratisje dhe gjithçka e humbas dhe gjithçka i përket harresës ose atij tjetrit.
Nuk e di cili nga të dy e shkruan këtë faqe.

ARGUMENTUM ORNITHOLOGICUM

Mbyll sytë dhe shikoj një tufë zogjsh. Pamja zgjat një sekondë apo më pak; nuk di sa zogj pashë. Ish i përcaktuar apo i papërcaktuar numri i tyre? Çështja ndërlikon punën e ekzistencës së Zotit. Nëse Zoti ekziston, numri është i përcaktuar, sepse Zoti e di sa zogj pashë. Nëse Zoti nuk ekziston, numri është i papërcaktuar, sepse askush nuk mund ta bëjë dot llogarinë. Në këtë rast kam parë (po themi) më pak se dhjetë zogj dhe më shumë se një, por nuk kam parë nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë, katër, tre apo dy zogj. Kam parë një numër zogjsh midis dhjetë dhe një, që nuk është nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë, etj. Ky numër i tërë është i paimagjueshëm; ergo (pra), Zoti ekziston.

Përktheu: Erion Karabolli

_____________

[1] Odin – ishte perëndia e gjithëfuqishme e nordikëve. Ndryshe quhet Ati im.

Një shkrimtar i famshëm, vërtet i panjohur/Janet Maslin

in Kinema/Letërsi by

Janet Maslin

Vepra e John Fante-së (1909-1983) është po aq panjohur për ju saç është dhe e paharrueshme. Ai nuk ishte lloji i shkrimtarit që të linte hapësirë ​​ndërmjet. Kjo, për shkak të asaj që biografi i tij, Stephen Cooper, e ka quajtur: “Stil i një thjeshtësie mashtruese, i menjëhershëm, emocional dhe një këndvështrim i jashtëzakonshëm psikologjik”, një stil që e kapërcen ngazëllyeshëm faqen e librit, për ta magjepsur lexuesin. Ai i siguroi Fante-së përhapjen e një popullariteti, i cili rezultoi kalimtar gjatë jetës së tij, dhe më vonë një kult, që vijoi, veçanërisht midis kalifornianëve, shkrimtarëve dhe kineastëve.
Charles Bukowski i dha një dorë legjendës Fante duke deklaruar: “‘Fante-ja ishte perëndia ime” dhe duke e pasur si alter-egon e tij fiction-le në romanin e tij: “Gratë”, ku e përmend Fante-në si autorin e tij të preferuar.
“Pse e pëlqen?” E pyet dikush në atë roman. “Është i gjithi emocion”, përgjigjet protagonisti i Zotit Bukowski. “Një njeri shumë i guximshëm”.
Megjithëse shumica e punës së Fante-së nuk gjendej e shtypur gjatë viteve të tij të mëvonshme, ajo gradualisht u rizbulua. Zoti Cooper, i cili është për Fante-në ashtu si kritiku Tim Page ka qenë për Dawn Powell-in, dëgjoi për herë të parë për Fante-në kur lexoi një artikull të vitit 1974 në lidhje me filmin “Chinatown“, në të cilin skenaristi Robert Towne e cilësoi “Pyesni Pluhurin” si “romanin më të mirë të shkruar në Los Angeles”. Tashmë, pasi publikoi biografinë e tij për Fante-në, ”Full of Life ” (North Point), si dhe redaktimin e dy vëllimeve të mëparshme për Fante-në, Zoti Cooper ka krijuar antologjinë përfundimtare. “The John Fante Reader ” është gati t’i fitojë atij një vend të merituar në botën e mainstream-it.
Meqenëse shumë nga shkrimet e Fante-së ishin furishëm egocentrike, Zoti Cooper ka mundur t’i japë kësaj antologjie aromën tërheqëse të një autobiografie. Emrat e vendqëndrimeve të Fante-së ndryshojnë, por bloja dhe postura e tyre gjenden përmes një serie romanesh, tregimesh dhe letrash.
Me çdo emër… Arturo Bandini në rininë e tij, Henry J. Molise në moshën e mesme, vetë John Fante kur i rrëzon poshtë të gjitha pretendimet – heroi i këtyre rrëfimeve është një shkrimtar komik eksentrik, duke luftuar me familjen e tij italo-amerikane, me Katolicizmin, me joshjen dhe mizorinë e një jete të varfër në Kaliforninë e Jugut dhe me shkrimin e filmave “për ish-prodhuesit e pantallonave që më prisnin skenarët derisa u dilte gjak.”
Fante-ja i vogël ka lindur në Denver, djali i një muratori dhe i gruas së tij të zellshme e të nënshtruar.
“Babai im ishte shumë i lumtur për lindjen time”, shkroi Fante-ja në një letër për H. L. Mencken-in, i cili do të bëhej mentori i tij letrar. “Ai ishte aq i lumtur, sa u deh dhe qëndroi ashtu për një javë. Brenda dhe jashtë, për 21 vitet e fundit, ai ka vazhduar ta festojë ardhjen time.”
Lidhja e prindërve të tij gjithmonë e shqetësonte. (”Unë i përfytyroja ata të shtrirë atje, në errësirën e botëve të tyre të ndryshme, duke ndarë të njëjtin grazhd, ashtu si një kërriç dhe një pulë”), dhe kështu bënë edhe rrënjët e tij italiane. Për protagonistin e tij të parë dhe më të parezistueshëm, Fante-ja shkroi: ”Emri i tij ishte Arturo, por ai e urrente dhe donte të quhej John. Mbiemri i tij ishte Bandini, dhe ai donte që ta kishte Jones.”
Arturo Bandini figuron në romanin edukativ shumëvëllimësh, të zgjeruar, që shenjoi ngritjen e vetë autorit. Në romanin “Prit Deri në Pranverë, Bandini”, Colorado është shtëpia dhe çështjet familjare marrin rëndësinë kryesore. Dhe deluzionet qesharake e të egra të madhështisë, fillojnë që në moshë të hershme, kur ai zbulon një fotografi të nënës së tij në rininë e saj.
“Vendosa që nëse do ta shihja ndonjëherë nënën time aq të bukur saç ishte në foto, unë menjëherë do t’i kërkoja asaj të martohej me mua”, thotë ai. “Ajo kurrë nuk më kishte refuzuar asgjë, dhe unë e dija se nuk do të më refuzonte as si burrë.”
Megjithëse toni mund të jetë lojcak, varfëria dhe dhuna në familje janë pjesë e historisë, po aq saç është përbuzja që Arturo ndjen për rrënjët e tij italiane. Pasi provokoi babanë e tij dhe e vuajti zemërimin e plakut, Arturo mendon: ”Një italian, ja çfarë është babai im! Askund nuk ka një baba amerikan që e rreh të birin në këtë mënyrë.”
Romani “1933 ishte një vit i keq” dhe tregime të tjera të ndryshme, plotësojnë fotografinë e djalërisë së Bandini-t. Por në kohën kur ai arrin te “Rruga për në Los Anxhelos”, ai është duke u evoluar në aventurierin e ri ambicioz, madhështor, vetë-tallës, i cili është krijimi më i pashlyeshëm i Fante-së. Këtu është Bandini në mënyrë alarmante i frymëzuar nga Niçe, i cili e merr në konsideratë veten aq shumë, sa të imagjinojë unazën e martesës së nënës së tij, një thesar i lakmuar herët.
“Pak e dinte domethënien e vetes ajo copëz metali budallaqe,” thotë ai. “Dhe megjithatë një ditë do të bëhej një artikull koleksioni me vlerë të pallogaritshme. Unë mund të shihja muzeun, me njerëz që vinin rreth trashëgimive Bandini, britmave të thirrësit të ankandit dhe më në fund një Morgan apo një Rockefeller të nesërmen, që e rriste çmimin e tij në 12 milion dollarë për atë unazë.” Siç vë në dukje Zoti Cooper me të drejtë në biografi, ka raste kur Bandini mund të jetë si “një sharrë gumëzhitëse që ecën, duke i llomotitur turmës me megalomani”.
Në ”Pyesni Pluhurin ‘, ambiciet e Bandinit arrijnë kulmin e tyre – ashtu si ato të Fante-së. Pasi kishte kërkuar vëmendjen e Mencken-it me përqeshje dhe përgjërime, Fante-ja në mënyrë tipike njoftoi në një letër se ai synonte ta zëvendësonte Mencken-in si redaktor i “The American Mercury”. “E vetmja pengesë në plan”, shkroi ai, “është që nëse ti vendos ndonjëherë të heqësh dorë nga puna, revista mund të bëhet copë e çikë, kështu që për hir të Zotit rri ca kohë më shumë. Viji në punë gomat e tua dhe kopsit pardesynë.” Ky kombinim midis butësisë dhe asaj arrogance të çuditshme, ishin thjesht të tij.
“Pyesni Pluhurin “, në të cilin gjeniu 20-vjeçar në trajnim, vjen me dashuri dhe dëshirë ndërsa vazhdon karrierën e tij në bazë të një tregimi të quajtur “Qenushi qeshi” (“një histori që të vdes teksa e lexon, dhe nuk kishte të bënte fare me një qen”), u botua në vitin 1939. Po kështu: “The Grapes of Wrathdhe” “The Big Sleep,”, “The Day of the Locust”, ende Fante-ja linte shenjën e tij.
Në atë pikë kredencialet e tij letrare dukeshin të mirëvendosura. Por Fante-ja kishte filluar t’i shpërdoronte energjitë për skenarin, shpesh në bashkëpunim me shkrimtarë të tjerë. Kështu e përshkruan ai, duke lexuar rezultatin e një pune të tillë grupi:
”Unë isha në faqen e parë, në gjysmë të rrugës, kur flokët filluan të më ngriheshin përpjetë. Në mes të faqes së dytë unë u detyrova ta hidhja tej skenarin dhe të kapesha te parmaku i portës.”
Fante-ja punoi në setin legjendar të Orson Welles-it: “Gjithçka është e vërtetë” dhe mori shumë vlerësime filmike, më së shumti për “Jeanne Eagels”. Siç thotë edhe vetë: “Ato ishin ditë bollëku mishtor të kalemxhiut, dhe paratë grumbulloheshin me të enjten e ardhshme, një herë në javë, që e ndillnin agjentin tim plot zgjuarsi, në një atmosferë miqësore dhe çfarë kishte mbetur më pas, ai dhe qeveria e copëtuan çekun e Paramount-it.”
Por ai po aq u bë gjithnjë edhe më i hidhur (” Unë tani jam një hak i plotë dhe i pastër, ” i shkroi ai mikut të tij William Saroyan-it) madje edhe gjatë kohës kur jetonte me familjen e tij në Malibu dhe sajonte histori të mençura, me diellin e lumturisë së brendshme. ”Autori i egër, i shkujdesur, duke i mbushur ditët me një sensualitet të rafinuar,” shkroi ai për një vajtje deri në dyqanin e ushqimeve.
Romani komik i jetës familjare i Fante-së: “Plot jetë”, ishte një hit i vërtetë ngushëllues dhe u bë film me protagoniste Judy Holliday-n, si gruaja e autorit.
Gruaja e Zotit Fante, Joyce Fante (të cilës i kushtohet antologjia e Zotit Cooper), me sa duket e dinte më mirë këtë punë. Fante-ja i vërtetë ishte shpesh një personazh më i errët sesa e nxinte fiction-i tij, duke vrarë kohën me alkool, bixhoz dhe golf. (Ai fitoi reputacionin si një shkrimtar i fuqishëm para-Beat, pavarësisht zakonit të tij të golfit.)
Ai mund të jetë fanatik i dëmshëm, kur i referohet nuses me ngjyrë të djalit të tij. Dhe përshkrimet e tij për Joyce-n mund të jenë njëkohësisht të dashura dhe të egra. Tek “West of Rome” (My Dog Stupid)”, siç e quan ai Harriet-ën , ai shkruan për shtëpinë e familjes:
“Është paguar, deri në kokën e fundit të spërkatësit të ujit, dhe unë seç kisha një pasion dërrmues ta lija dhe t’ia mbathja jashtë vendit. Mbi trupin tim të vdekur, Harriet-a gjithmonë më sfidonte, dhe unë shpesh argëtohesha me rrëfime të mprehta për ta shtrirë në një pellg gjaku në dyshemenë e kuzhinës, ndërsa hapja një varr në një hambar, duke kapur Al Italia-n për Romë, me disa mijëra dollarë në xhepin e xhinseve dhe me një jetë të re në Piazza Navone, e me një zeshkane, sa për ndryshim.”
Fante-ja jetoi në Romë gjatë verës së vitit 1960, duke punuar për një projekt për Dino De Laurentiis-in. Në atë kohë ai mësoi se kishte diabet dhe duhej të ishte vigjilent për dietën e tij, por sëmundja i shkaktoi një dëm të tmerrshëm. I verbër dhe pa këmbë, në kohën kur vdiq, në vitin 1983, ai ende arrinte të bënte shaka për të shkruar fiction autobiografik. Ai pretendonte se ende mund të shkruante për ditët e tij të fundit dhe ta titullonte librin: “Ferri i Fante-së”.
Nga të gjithë subjektet që trajtoi, asnjë nuk nxori më të mirën nga Fante-ja sesa bllokimi i shkrimtarit. Ai ishte paradoksalisht elokuent dhe i shfrenuar në lidhje me të mbeturit pa fjalë, duke e bërë atë një simbol të pandarë të izolimit të çdo artisti. Në një fragment mrekullisht emblematik, ai e bind veten se nëse ai thjesht mund të shkruajë një fjali të vetme të përsosur, dhe pastaj një tjetër, dhe pastaj një tjetër, ai do të jetë i lirë nga demonët e tij.
Kështu, ai ulet në makinën e shkrimit të tij, e godet me gishta dhe shtyp një rresht të “The Walrus and the Carpenter”:
”Unë ngrita sytë dhe njoma buzët. Nuk ishte imi, por dreqin, njeriu duhej të fillonte nga diku. ”

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga: The New York Times

Pa emër-Jamarbër Marko

in Letërsi/Tharm by

Pa emër-Jamarbër Marko

 

U rrëzuan të gjitha mrekullitë në greminë
Askush nuk i vuri re
Vetëm i panjohuri
Ulur tek stoli i tij
Duke pritur të ardhmen

Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë

 

(Shkruar në moshën 20 vjeç dhe botuar në librin e parë.)

1 105 106 107 108 109 190
Go to Top