Author

Admin - page 108

Admin has 1899 articles published.

Sidoqoftë-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Sidoqoftë-Wislawa Szymborska

 

Mund të ndodhte.
Duhej të ndodhte.
Ndodhi më parë. Më pas.
Më afër. Më larg.
Nuk të ndodhi ty.
Shpëtove se ishe i pari.
Shpëtove se ishe i fundit.
Sepse ishe vetëm. Sepse ishe me njerëz.
Sepse majtas. Sepse djathtas.
Sepse shiu. Sepse një hije.
Sepse shkëlqente dielli.
Për fat atje ishte një pyll.
Për fat atje nuk kishte pemë.
Për fat një tren, një ganxhë, një tra, një frenim,
një slitë, një kthesë, një milimetër, një sekondë.
Për fat të mirë mbi ujë pluskonte një brisk.
Në vijim, pasi, megjithatë, pavarësisht.
Çfarë do të ndodhte nëse një dorë,
një këmbë,
një hap, një qime,
rastësisht për dreq?
Pra, aty je? Drejt e nga shpirti ende i krisur?
Rrjeta kishte vetëm një vrimë… dhe ti pikërisht që andej?
Nuk ka fund habia ime, heshtja ime.
Dëgjo
sa fort më rreh zemra jote.

 

Përktheu: Arlinda Guma

KUFIJ-JORGE LUIS BORGES

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KUFIJ- JORGE LUIS BORGES

 

Prej këtyre rrugëve që humbasin në muzg
njërën prej tyre (nuk e di se kë)
për herë të fundit e kam shkelur unë,
mospërfillës dhe pa e marrë me mend,
rob i Atij që rregulla absolute vendos qysh më parë
dhe cakton një masë të hekurt dhe të fshehtë
për çdo hije, çdo ëndërr dhe çdo trajtë,
të cilat e thurin dhe e shthurin këtë jetë.
Nëse gjithçka ka përfundim dhe kufi
dhe një herë të fundit dhe kurrë më dhe harrim
kush mund të na tregojë se kujt, në këtë shtëpi,
pa e ditur, tashmë i kemi thënë lamtumirë?
Prapa qelqit të përhirtë nata po mbaron
dhe në raftin me libra mbushur plot
që një hije gjysmake mbi tryezë lëshon,
është njëri që ti kurrë s’do ta lexosh.
Në Jug ka më shumë se një portë të vjetruar
me vazot e saj të gurta dhe lulet e kaktuseve
që hyrjen time tashmë e ka të ndaluar,
si të qe një litografi, e pakalueshme.
Është një derë që e ke mbyllur përjetësisht
dhe më kot për ty pret ndonjë pasqyrë;
udhëkryqi të duket i hapur krejtësisht
dhe i vëzhguar nga një Janus katërfytyr’sh.
Mes gjithë kujtimeve të tua është një kujtim
që tashmë ka humbur dhe s’kthehet më;
nuk do të të këqyrin të zbresësh në atë burim
as i bardhi diell dhe as e verdha hënë.
Zëri yt s’do t’i rikthejë më fjalët që persi i tha
në gjuhën e tij prej trëndafilash dhe zogjsh,
kur, në muzg, me dritën që tretet përballë,
gjëra të paharrueshme të thuash, do dëshirosh.
Po i pareshturi Ron dhe i qeti liqen,
gjithë ajo e djeshme mbi të cilën përkulem sot?
Do të jetë e humbur ashtu si ajo Kartagjenë
që me zjarr dhe kripë romaku fshiu nga kjo botë.
Në agim më bëhet se po dëgjoj
një mërmërimë të mbytur turmash që ikin;
janë gjithçka më deshi dhe më harroi;
hapësira, koha dhe Borhesi po më braktisin.

 

Përktheu: Erion Karabolli

Niko-Edvin Thomollari

in Letërsi/Tharm by

Niko-Edvin Thomollari

 

More një torbë me ëndrra,
ngjite malin që ndante botët,
22 vitet e tua ranë mbi fijet e barit.
Bluzën tënde të fundit e mban nëna jote,
fëmijët që dëgjuan për ty,
u trembën për herë të parë nga liria.
Më vone djem të tjerë, me torba të bardha,
me torba me ëndrra,
me torba me bukë,
ngjitnin malin që ndante botët.
Fëmijët u recitonin vjersha,
djemtë me torba u jepnin pará
dhe fëmijët u jepnin fat.
Nga larg torbat e bardha dukeshin një,
kur ngjiteshin mbasdite në mal.

Gjërat e vogla rrjedhin kur shoh vendin që ëndërron me zë të lartë/Një intervistë e shkrimtarit Philip Roth

in Letërsi by

Asgjë nuk më çmend këtu dhe një shkrimtar duhet të çmendet, kjo e ndihmon të shohë. Një shkrimtar ka nevojë për helmet e tij. Antidoti ndaj helmeve të tij shpesh është një libër.

    Përktheu: Arlinda Guma

Si e filloni një libër të ri?

FILIP ROTH: Fillimi i një libri është i pakëndshëm. Unë jam tërësisht i pasigurt në lidhje me personazhin dhe gjendjen e tij, dhe një personazh në atë situatë është pikërisht gjëja me të cilën duhet të filloj. Më keq se të mos e njohësh temën tënde është të mos të dish ta trajtosh, sepse, në fund të fundit, është gjithçka. Unë i shtyp në letër fillimet dhe ato janë të tmerrshme, janë më tepër si një parodi e pavetëdijshme e librit tim të mëparshëm sesa largim nga ky i fundit, gjë që është ajo që dua. Kam nevojë për diçka që orienton thelbin e një libri, një magnet që të tërheqë gjithçka… ja çfarë kërkoj gjatë muajve të parë të shkrimit, diçka të re. Shpesh më duhet të shkruaj njëqind faqe apo më shumë, përpara se të ketë një paragraf që të ndihet i gjallë. OK, i them vetes, ky është fillimi yt, fillo nga aty; ky është paragrafi i parë i librit. Dhe do vërtitem kështu gjatë gjashtë muajve të parë të punës, do nënvizoj me ngjyrë të kuqe një paragraf, një fjali, ndonjëherë jo më shumë se një frazë që ka jetë brenda saj, dhe pastaj do t’i shkruaj të gjitha këto në një faqe. Zakonisht nuk vjen më shumë se një faqe, por nëse kam fat, ky është fillimi i faqes së parë. Kërkoj vitalitetin për të përcaktuar tonin. Pas fillimit të tmerrshëm, vijnë muajt e lojës së lirë, dhe pas lojës vijnë krizat, që ta kthejnë kundra vetes materialin dhe të bëjnë ta urresh librin.

Sa prej një libri është në mendjen tuaj para se të filloni ta shkruani?

ROTH: Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është fare. Unë nuk dua të them zgjidhjet për problemet, unë dua të them problemet vetë. Sapo fillon, kërkon atë që do të të rezistojë. Je duke kërkuar telashe. Ndonjëherë në fillim ka pasiguri, jo sepse shkrimi është i vështirë, por sepse nuk është mjaftueshëm i vështirë. Rrjedhshmëria mund të jetë një shenjë se asgjë nuk po ndodh. Rrjedhshmëria në të vërtetë mund të jetë sinjali im për të ndaluar, ndërsa të qenit në errësirë ​​nga fjalia në fjali, është ajo që më bind të vazhdoj.

Duhet të keni patjetër një fillim? A do të fillonit ndonjëherë me një fund?

ROTH: Gjithë çfarë di është se filloj me mbarimin. Faqja ime numër një mund të përfundojë një vit më vonë si faqja numër dyqind, nëse do të jetë ende…

Çfarë ndodh me ato qindra faqe që keni lënë? A i ruani?

ROTH: Në përgjithësi preferoj që të mos i shoh më.

A punoni më mirë në ndonjë kohë të veçantë të ditës?

ROTH: Unë punoj gjithë ditën, në mëngjes dhe pasdite, pothuajse çdo ditë. Nëse rri atje, ashtu, për dy apo tri vjet, në fund kam një libër.

A mendoni se shkrimtarët e tjerë punojnë me orar të tillë të gjatë?

ROTH: Unë nuk i pyes shkrimtarët për zakonet e tyre të punës. Me të vërtetë nuk më intereson. Joyce Carol Oates thotë diku se kur shkrimtarët pyesin njëri-tjetrin se çfarë ore fillojnë dhe mbarojnë dhe se sa kohë u duhet për të ngrënë drekë, ata në të vërtetë po përpiqen të zbulojnë: A është ai kaq i çmendur sa unë? Unë nuk kam nevojë për përgjigjen e kësaj pyetjeje.

A ndikon leximi juaj në atë që shkruani?

ROTH: Lexoj gjatë gjithë kohës, kur jam duke punuar, zakonisht gjatë natës. Është një mënyrë për të mbajtur rrjetin hapur. Është një mënyrë për të menduar për linjën time të punës ndërsa marr pak pushim nga puna që kam në dorë. Ndihmon po aq sa edhe furnizon me karburant obsesionin e përgjithshëm.

A ia tregoni dikujt punën tuaj?

ROTH: Është më e dobishme që gabimet e mia të piqen dhe të shpërthejnë në kohën e tyre të mirë. Unë i jap vetes çdo kundërshtim për të cilin kam nevojë ndërsa shkruaj, dhe lavdërimi është i kotë për mua kur e di se diçka nuk ka përfunduar as te gjysma. Askush nuk e sheh atë që po bëj derisa absolutisht nuk mund të shkoj më tej dhe madje mund të doja të besoja se e kam mbaruar.

A keni një “lexues Roth” në mendje kur shkruani?

ROTH: Jo. Ndonjëherë kam parasysh një lexues anti-Roth. Mendoj me vete: “Sa do më urrejë ai për këtë!” Ky mund të jetë inkurajimi i vetëm për të cilin kam nevojë.

Ju folët për fazën e fundit të shkrimit të një romani, si një “krizë” në të cilën ju kthehet kundër materiali dhe ju e urreni veprën. A është gjithmonë kjo krizë, me çdo libër?

ROTH: Gjithmonë. Muaj për të parë dorëshkrimin dhe për të thënë: Kjo është e gabuar… por çfarë është e gabuar? E pyes veten, nëse ky libër do të ishte një ëndërr, do të ishte një ëndërr për çfarë? Por, kur pyes për këtë, përpiqem të besoj në ato që kam shkruar, të harroj se po shkruaj dhe të them: Kjo ka zënë vend, edhe nëse nuk është kështu. Ideja është që ta perceptosh krijimin tënd si një realitet që mund të kuptohet si një ëndërr. Ideja është që mishin dhe gjakun ta shndërrosh në personazhe letrarë dhe personazhet letrarë në mish dhe gjak.

Mund të më flisni për martesën tuaj?

ROTH: Kjo ndodhi shumë kohë më parë, aq sa nuk i besoj më kujtesës sime. Problemi u ndërlikua më tej nga libri “Jeta Ime Si Burrë”, i cili zhvendoset në mënyrë dramatike në aq shumë vende, larg nga origjina e tij, në situatën time të keqe që kam qenë gati njëzet e pesë vjet më vonë, për të renditur krijimin e 1974-ës nga faktet e vitit 1959. Ju gjithashtu mund të pyesni autorin e “The Naked and the Dead” (Çfarë i ka ndodhur atij në Filipine). Mund t’ju them vetëm se ishte koha ime në këmbësori, dhe se “Jeta Ime Si Burrë” është romani i luftës që shkrova, disa vjet pasi dështova të merrja Kryqin e Shërbimit të Dalluar.

A ju dhëmb kur shikoni mbrapa?

ROTH: Duke parë mbrapa, i shoh si vite tërheqëse… siç bëjnë shpesh njerëzit në të pesëdhjetat; soditin aventurën rinore për të cilën ata paguan me një dekadë të jetës së tyre një kohë të gjatë ngushëlluese. Unë isha më agresiv sesa jam sot, thuhej madje se disa njerëz ishin të frikësuar nga unë, por unë po aq isha një shënjestër e lehtë. Ne jemi synime të lehta në të njëzet e pesat.

Të mos ktheheshit në të njëjtën shteg ishte një gjë e shkëlqyer për ju me sa duket…

ROTH: John Berryman ka thënë se për një shkrimtar, çdo përvojë e hidhur që nuk e vret, është e fantastike. Fakti që përvoja e tij e hidhur e vrau atë më në fund, nuk e do të thotë që e kishte gabim.

Çfarë mendoni për feminizmin, veçanërisht për sulmin feminist ndaj jush?

ROTH: Çfarë?

Sulmi do të ishte pjesërisht nga personazhet femra që trajtohen në mënyrë jo simpatike, për shembull, Lucy Nelson në librin “Kur Ajo ishte e Mirë”, është paraqitur armiqësisht.

ROTH: Mos e zbukuroni duke e quajtur sulm feminist. Është thjesht një lexim idiotesk. Lucy Nelson është një adoleshente e furishme që dëshiron një jetë të denjë. Ajo paraqitet si më e mirë se bota e saj dhe e vetëdijshme për të qenë më e mirë. Ajo përballet dhe kundërshtohet nga burra që tipizojnë lloje thellësisht irrituese për shumë gra. Ajo është mbrojtëse e një nëne pasive, të pambrojtur, cenueshmëria e së cilës e zemëron. Ajo ndodh që të tërbohet kundër aspekteve të jetës së klasës së mesme amerikane, që feminizmi i ri militant do ta identifikonte si armike vetëm disa vjet pas paraqitjes së Lucy-t në shtyp… ai i saj madje mund të mendohet si një rast i zemërimit të parakohshëm feminist. “Kur Ajo Ishte e Mirë” bënte fjalë për luftën e Lucy-t për të çliruar veten nga zhgënjimi i tmerrshëm prej lindjes si vajza e një babai të papërgjegjshëm. Bën fjalë për rebelimin e saj ndaj babait që ai ishte dhe babait që ai nuk mund të jetë. Do të ishte idiotësi e pastër, veçanërisht nëse ky do të ishte një sulm feminist, për të pohuar se ndjenja kaq të fuqishme të humbjes, përbuzjes dhe turpit, nuk ekzistojnë te bijat e pijanecëve, frikacakëve dhe kriminelëve. Ekziston edhe djali i pafuqishëm i mamasë, me të cilin Lucy martohet, dhe urrejtja e saj për paaftësinë dhe naivitetin e tij profesional. Pse, nuk ka në botë diçka të tillë si urrejtja martesore? Kjo do të habiste të gjithë avokatët e pasur të divorceve, për të mos përmendur këtu Thomas Hardy-in dhe Gustave Flaubert-in. Meqë ra fjala, është pikërisht babai i Lucy-t që trajtohet “armiqësisht”, sepse ai është një pijanec dhe një hajdut i vogël që përfundon në burg. Është Burri i Lucy-t i trajtuar “armiqësisht”, sepse ndodhi të ishte një bebe e madhe? A trajtohet xhaxhai që përpiqet të shkatërrojë Lucy-n, “armiqësisht”, sepse ai është një njeri brutal? Ai është një roman për një vajzë të plagosur, e cila ka më shumë se një shkak të mjaftueshëm për t’u zemëruar me burrat në jetën e saj. Ajo paraqitet “armiqësisht” vetëm nëse është një akt armiqësor të pranosh se gratë e reja mund të plagosen, që gratë e reja mund të zemërohen. Do të vija bast se ka disa gra të zemëruara dhe të plagosura, që janë madje edhe feministe. E dini, sekreti i vogël, i ndyrë, nuk është më seksi; sekreti i vogël, i ndyrë, është urrejtja dhe zemërimi. Është tirada, tabuja. E çuditshme që kjo duhet të jetë kështu njëqind vjet pas Dostojevskit… dhe pesëdhjetë vjet pas Frojdit… por askujt nuk i pëlqen të identifikohet me këto gjëra. Thjeshtë mënyra sesi njerëzit e ndienin në ditët e mira, të vjetra. “Unë? S’kam dëgjuar kurrë për këtë. E neveritshme.” Por a është me të vërtetë “armiqësore”, të hedhim një vështrim në egërsinë e emocionit që ata e quajnë “armiqësi”? “Kur Ajo Ishte e Mirë” nuk vihet në shërbim të kauzës… kjo është e vërtetë. Zemërimi i kësaj gruaje të re nuk paraqitet në mënyrë që t’i miratohet një “E drejtë!”, që do ta hedhë popullin në veprim. Natyra e zemërimit shqyrtohet, po aq sa edhe thellësia e plagës. Po kështu janë pasojat e zemërimit, për Lusin, ashtu si për të gjithë. Urrej që duhet të jem unë ai që do ta them, por portreti shkakton tronditje. Me tronditje nuk dua të shpreh atë që vlerësuesit e ndjeshëm të librit e quajnë “dhembshuri”. Dua të them se ju e shihni vuajtjen që shkakton zemërimi i vërtetë.

Por, duke supozuar se po ju them se gati të gjitha gratë në libra janë aty ose për të penguar ose për të ndihmuar ose për të ngushëlluar personazhet meshkuj. Është gruaja që gatuan dhe ngushëllon… dhe është e arsyeshme dhe qetësuese ose lloji tjetër i gruas, maniakja e rrezikshme, penguesja. Ato ndodhen si mjete për të ndihmuar ose penguar Kepesh-in ose Zuckerman-in apo Tarnopol-in. Dhe ky mund të shihet si një këndvështrim i kufizuar për rolin e gruas.

ROTH: Le ta pranojmë, disa gra që janë të arsyeshme, dinë edhe të gatuajnë. Po kështu bëjnë disa nga maniaket e rrezikshme. Le të lëmë jashtë mëkatin e gatimit. Mund të shkruhet një libër i shkëlqyer për urdhrin e Oblomov-it, për një burrë që kalon nga një grua tek tjetra që e kënaq me vakte të mrekullueshme, por unë nuk e kam shkruar këtë. Nëse përshkrimi juaj i gruas “së arsyeshme”, “të qetë” dhe “ngushëlluese” vlen për këdo, kjo është për Claire Ovington-in te “Profesori i Dëshirës”, ​​me të cilën Kepesh-i krijon një lidhje të bukur dashurie, disa vjet pas prishjes së martesës së tij. Tani, nuk do të kisha kundërshtim të shkruaja një roman në lidhje me këtë marrëdhënie, nga këndvështrimi i Claire Ovington-it – do të isha i intriguar të shihja sesi e pa ajo këtë – kështu që pse merrni një ton paksa kritik për shkrimin e romanit nga këndvështrimi i David Kepesh-it?

Nuk ka asgjë të keqe që romani të shkruhet nga pikëpamja e David Kepesh-it. Ajo që mund të shkaktojë vështirësi për disa lexues është se Claire dhe gratë e tjera në roman, janë atje për ta ndihmuar ose për ta penguar atë.

ROTH: Unë nuk pretendoj t’ju jap asgjë tjetër përveç ndijimit të tij të jetës me këtë grua e re. Libri im nuk qëndron apo bie për faktin se Claire Ovington-i është e qetë dhe e arsyeshme, por nëse unë jam në gjendje të përshkruaj si është qetësia dhe mendja e shëndoshë dhe çfarë do të thotë të kesh një bashkëshort – dhe pse dikush do ta dëshironte një bashkëshort – që i zotëron ato dhe virtytet e tjera me tepri. Ajo është gjithashtu e prekshme nga xhelozia kur ish-gruaja e Kepesh-it paraqitet e paftuar dhe ajo mbart me vete njëfarë trishtimi për prejardhjen e saj familjare. Ajo nuk është atje “si një mjet” për të ndihmuar Kepesh-in. Ajo e ndihmon atë – dhe po kështu edhe ai. Ata janë të dashuruar. Ajo është atje sepse Kepesh-i ka rënë në dashuri me një grua të arsyeshme, të qetë dhe ngushëlluese, pasi fatkeqësisht kishte qene i martuar me një grua të vështirë dhe emotive që nuk ishte në gjendje ta përballonte. A nuk e bëjnë njerëzit këtë? Dikush më doktrinar se ju mund të më thote se gjendja e të qenit i dashuruar, veçanërisht i dashuruar me pasion, nuk është bazë për krijimin e marrëdhënieve të përhershme midis burrave dhe grave. Por, mjerisht, njerëzit, madje edhe njerëzit me inteligjencë dhe me përvojë, do ta bëjnë këtë – e kanë bërë dhe duket se synojnë të vazhdojnë ta bëjnë – dhe unë nuk jam i interesuar të shkruaj për atë që njerëzit duhet të bëjnë për të mirën e racës njerëzore dhe të shtirem se kjo është ajo që ata bëjnë, por të shkruaj për atë që ata bëjnë me të vërtetë, pa efikasitetin programor të teoricienëve të pagabueshëm. Ironia e situatës së Kepesh-it është se pasi gjeti gruan e qetë dhe ngushëlluese me të cilën mund të jetojë, një grua me cilësi të shumta, ai pastaj gjen një dëshirë që ajo të largohet në mënyrë të çoroditur dhe kupton se nëse nuk mund të ndalet ky zvogëlim i pavullnetshëm i pasionit, ai do të armiqësohet me gjënë më të mirë në jetën e tij. As kjo nuk ndodh? Nga ajo që dëgjoj, ai mallkimi që rrjedh nga dëshira për t’ia mbathur ndodh gjatë gjithë kohës dhe është jashtëzakonisht shqetësuese për njerëzit e përfshirë. Shikoni, nuk e kam shpikur unë humbjen e dëshirës dhe nuk e kam shpikur unë joshjen e pasionit, dhe nuk i kam shpikur unë bashkëshortët e mirë dhe nuk kam shpikur as bashkëshortët maniakë. Më vjen keq nëse burrat e mi nuk kanë ndjenjat e duhura për gratë apo gamën universale të ndjenjave për gratë që do të jenë të duhurat për burrat që do t’i kenë në vitin 1995, por unë insistoj që ekzistojnë disa gaca të së vërtetës në përshkrimin tim, sesi mund të jetë për një burrë, të jetë një Kepesh apo një Portnoy.

Pse nuk e keni ripërdorur kurrë personazhin e Portnoy-t në një libër tjetër, ashtu siç keni përdorur Kepesh-in dhe Zuckerman-in?

ROTH: Por unë e përdora Portnoy-n në një libër tjetër. “Banda Jonë” dhe “Romani i Madh Amerikan”, janë Portnoy në një libër tjetër. Portnoy nuk ishte personazh për mua, ai ishte eksploziv dhe unë nuk kam mbaruar së shpërthyeri pas “Ankesës se Portnoy-t”. Gjëja e parë që kam shkruar pas “Ankesës së Portnoy-t” ishte një tregim e gjatë që u shfaq në Revistën Amerikane të Ted Solotaroff-it, të titulluar “Në ajër”. John Updike ishte këtu pak kohë më parë dhe ndërsa të gjithë po darkonim një natë, ai tha, Si nuk e ke ribotuar kurrë atë tregim? I thashë se ishte shumë i neveritshëm… John-i qeshi. Është vërtet një tregim i neveritshëm. Dhe unë i thashë, nuk e dija se çfarë isha duke menduar kur e kam shkruar. Dhe kjo është e vërtetë në njëfarë mase – nuk doja t’ia dija; ideja ishte të mos e dije. Por unë edhe e dija. Pashë arsenalin, gjeta një tjetër fitil dinamiti dhe mendova, ndiz siguresën dhe shiko çfarë do të ndodhë. Po përpiqesha të hidhja në erë veten time më tepër. Ky fenomen është i njohur për studentët e kurseve të kërkimit letrar, pasi shkrimtari ndryshon stilin e tij. Unë po hidhja në erë shumë besime, frenime të vjetra, letrare dhe personale. Mendoj se kjo mund të jetë arsyeja pse aq shumë hebrenj u zemëruan nga “Ankesa e Portnoy-t”. Ishte fakti që, nëse ata nuk do të mund të kontrollonin më dikë si unë, me të gjitha përkatësitë dhe kredencialet e mia të respektueshme, me të gjithë seriozitetin tim të qëllimit, diçka kishte shkuar keq. Mbi të gjitha, nuk isha Abbie Hoffman apo Lenny Bruce, isha një mësues universiteti që kisha botuar në “Commentary”. Por në atë kohë më dukej se gjëja tjetër për të qenë serioz ishte të mos ishe kaq mallkueshmërisht serioz. Ashtu siç i kujton Zuckerman-i Appel-it, se serioziteti mund të jetë po aq idiotesk sa çdo gjë tjetër.

A e urreni New York-un?

ROTH: Unë jetova atje nga viti 1962 derisa u transferova në vend pas “Ankesës së Portnoy-t”, dhe nuk do t’i ndërroja ato vite për asgjë. New York-u më dha “Ankesën e Portnoy-t” në njëfarë mënyre. Kur jetoja dhe jepja mësim në Iowa City dhe Princeton, nuk u ndjeva kurrë aq i lirë saç u ndjeva në New York në vitet gjashtëdhjetë, ku zbavitesha në ndonjë shfaqje komike me miqtë. Ishin të egra mbrëmjet me miqtë e mi nga New York-u, kishte paturpësi të pacensuruar në seancat e mia psikoanalitike, ishte atmosfera dramatike dhe e ndenjur e vetë qytetit në vitet pas vrasjes së Kennedy-t – e gjithë kjo më frymëzoi të provoja një zë të ri, një zë të katërt, një zë që nuk kishte të bënte me zërin e “Mirupafshim Columbus”, apo “Duke e lënë të shkojë”, apo “Kur Ajo Ishte e Mirë”. Kështu bëri edhe kundërshtimi i luftës në Vietnam. Gjithmonë ka diçka prapa një libri, me të cilin ai nuk ka asnjë lidhje në dukje, diçka e padukshme për lexuesin, që ka ndihmuar në impulsin fillestar të shkrimtarit. Mendoj për zemërimin dhe rebelimin që vërtiteshin në ajër, shembujt e gjallë që pashë rreth meje të sfidës zemërake dhe të kundërshtimit histerik. Kjo më dha disa ide për aktin tim.

A e ndjenit se ishit pjesë e asaj që po ndodhte në vitet gjashtëdhjetë?

ROTH: Ndieja fuqinë e jetës përreth meje. Besoja se po ndieja vetëdijen e plotë të një vendi – kësaj here New York-ut – për herë të parë vërtet që nga koha e fëmijërisë. Po ashtu, si të tjerët, po merrja një edukim mahnitës për moralin, mundësitë politike dhe kulturore, nga jeta e gjallë publike e vendit dhe nga ajo që po ndodhte në Vietnam.

Por ju botuat një esé të famshme në “Commentary” në vitin 1960, të quajtur “Të shkruash Fiction Amerikan”, në lidhje me mënyrën sesi intelektualët apo njerëzit mendimtarë në Amerikë, ndienin se po jetonin në një vend të huaj, në një vend, në jetën e përbashkët të të cilit, ata nuk ishin të përfshirë.

ROTH: Epo, ky është ndryshimi midis vitit 1960 dhe vitit 1968. Të botoheshe në “Commentary” kishte një veçori tjetër. I huaj në Amerikë, një i huaj për të kënaqësitë dhe shqetêsimet – kështu shumë të rinj si unë e panë gjendjen e tyre në vitet pesëdhjetë. Ishte një qëndrim i përkryer, i ndershëm, mendoj, i formuar nga aspiratat tona letrare dhe entuziazmet moderniste, mendjemadhësia e brezit të dytë postimigrant, duke hyrë në konflikt me shpërthimin e parë të madh të plehërave të mediave të pasluftës. Pak e dinim se rreth njëzet vjet më vonë injoranca filistine, të cilës do të donim t’i kthenim shpinën, do të infektonte vendin si murtaja e Camus-it. Çdo satirist që shkruante një roman futuristik që kishte imagjinuar një President Reagan gjatë viteve të Eisenhower-it, do të akuzohej për kryerjen e një akti ligësie të papërpunuar, përbuzëse, adoleshenteske, anti-amerikane, kur në të vërtetë ai do të kishte patur sukses si rojtar profetik pikërisht atje ku Orwell-i dështoi; ai do të kishte parë që grotesku që do të pushtonte botën anglishtfolëse, nuk do të ishte një zgjatim i makthit shtypës totalitar lindor, por një përhapje e farsës perëndimore të idiotësisë mediatike dhe komercializmit cinik të filistinizmit të stilit amok amerikan. Nuk ishte Big Brother-i që do të na shikonte nga ekrani, por ne, të cilët do të shikonim një udhëheqës të tmerrshëm e të fuqishëm botëror, me shpirtin e një gjysheje të dashur telenovelash, vlerat e një tregtari me mendje qytetare Beverly Hills Cadillac dhe prejardhjen historike e dhuntitë intelektuale të një gjimnazisti të vonë, në një Komedi Muzikore të June Allyson-it.

Çfarë ju ndodhi më vonë, në vitet shtatëdhjetë? A vazhdoi të kishte kuptim ajo që po ndodhte në vend për dikë si ju?

ROTH: Duhet të kujtoj se çfarë libri po shkruaja dhe pastaj mund të kujtoj se çfarë më ndodhi – megjithëse ajo që po më ndodhte ishte kryesisht libri që po shkruaja. Nixon-i erdhi dhe shkoi në ’73, dhe ndërsa Nixon-i erdhi e shkoi, unë po çmendesha mjaft nga “Jeta Ime Si Burrë”. Në njëfarë mënyre, kisha vazhduar, ta shkruaja dhe të mos ta shkruaja atë libër, që nga viti 1964. Unë vazhdoja të kërkoja një mjedis për skenën e tmerrshme në të cilën Maureen-i blen një ekzemplar urine nga një grua e zezë, e dobët dhe shtatzanë, në mënyrë që ta bëj Tarnopol-in të mendojë se ai e ka lënë shtatzanë. E mendova së pari si një skenë për librin “Kur Ajo Ishte e Mirë”, por gjithçka ishte e gabuar për Lucy-n dhe Roy-n në Liberty Center. Atëherë mendova se mund të vendosej në “Ankesën e Portnoy-t”, por ishte shumë dashakeqe për atë lloj komedie. Pastaj shkrova letra dhe letra me drafte, të asaj që përfundimisht doli të ishte “Jeta Ime si Burrë” – “përfundimisht”, pasi më në fund kuptova se zgjidhja ime qëndronte në vetë problemin që nuk mund ta kapërceja, paaftësia ime për të gjetur mjedisin e duhur ndaj ngjarjes së trishtuar, sesa vetë ngjarja e trishtuar ishte me të vërtetë në zemër të romanit. Watergate e bëri jetën interesante kur nuk po shkruaja, por nga ora nëntë deri në pesë, çdo ditë, nuk mendoja shumë për Nixon-in apo për Vietnamin. Po përpiqesha të zgjidhja problemin e këtij libri. Kur dukej se nuk do ta bëja kurrë, ndala dhe shkrova “Banda Jonë”; kur u përpoqa përsëri dhe ende nuk mund ta shkruaja, u ndala dhe shkrova librin e bejsbollit. Ishte sikur po shpërtheja në një tunel për të arritur romanin që nuk mund ta shkruaja. Secili nga librat e shkrimtarit është një shpërthim, që hap rrugën për atë që do të ndodhë më tej. Megjithatë është një libër që ti e shkruan. Natën ti sheh gjashtë ëndrra. Por a janë gjashtë ëndrra? Një ëndërr përfytyron ose parashikon tjetrën, ose disi konkludon atë që nuk është parë ende plotësisht. Pastaj vjen ëndrra tjetër, korrigjimi i ëndrrës së mëparshme – ëndrra alternative, ëndrra antidot – duke u zgjeruar tek ajo apo duke qeshur me të ose duke e kundërshtuar apo duke u përpjekur thjesht për të rrokur ëndrrën e ëndërruar siç duhet. Mund të vazhdosh të provosh gjatë gjithë natës.

Pas Portnoy-t dhe pas largimit nga New York-u, ju u zhvendosët në vend. Çfarë mund të më thoni për jetën rurale? Padyshim që ajo u përdor si material në “The Ghost Writer”.

ROTH: Nuk do interesohesha kurrë për shkrimin, nëse nuk do të kisha pasur së pari shijen time të vogël të tridhjetë e pesë viteve të shkëlqyera rurale. Më duhet diçka solide nën këmbë për t’i dhënë krahë imagjinatës sime. Por përveçse më jep një kuptim të jetës së Lonoff-it, ekzistenca e vendit nuk ka ofruar asgjë ende në ndërtimin e subjektit. Ndoshta nuk do të ndodhë kurrë dhe mua do të më duhet që dreqin ta heq. Ndodh që të më pëlqejë vetëm mua të jetoj atje dhe nuk mund ta bëj çdo zgjedhje në përputhje me nevojat e punës sime.

Po Anglia ku kaloni një pjesë të vitit? A është ajo një burim i mundshëm i fiction-it?

ROTH: Duhet të më pyesni njëzet vjet më pas. Është aq kohë sa iu desh Isaac Singer-it ta nxirrte Poloninë nga sistemi i tij – dhe për të lejuar mjaftueshëm Amerikën të hynte, pak nga pak, si shkrimtar, për të parë dhe përshkruar kafenetë e tij të sipërme të Broadway-t. Nëse nuk e di jetën imagjinare të një vendi, është e vështirë të shkruash fiction për të, gjë që nuk është vetëm përshkrim i dekorit. Gjërat e vogla rrjedhin kur shoh vendin që ëndërron me zë të lartë – në teatër, në zgjedhje, gjatë krizës në Falklands, por unë nuk di asgjë në të vërtetë se çfarë do të thotë kjo për njerëzit këtu. Është shumë e vështirë për mua të kuptoj se kush janë njerëzit, edhe kur më thonë, dhe as nuk e di nëse kjo është për shkak të asaj sesi ata janë ndërtuar apo për shkakun tim. Unë nuk di se kush luan rolin e kujt, nëse domosdoshmërisht po shoh gjënë e vërtetë apo thjesht një trillim, as nuk mund ta shoh lehtë se ku mbivendosen këto të dyja. Perceptimet e mia mjegullohen nga fakti që unë flas gjuhën. Besoj se e di se çfarë po thuhet, e shihni, edhe nëse nuk e di. Më e keqja nga të gjitha, unë nuk urrej asgjë këtu. Çfarë lehtësimi është të mos kesh ankesa për kulturën, të mos të të duhet që të dëgjosh tingullin e zërit të dikujt që merr pozicione, ka mendime dhe rrëfen gjithçka që është e gabuar! Çfarë bekimi – por për shkrimin kjo nuk është aset. Asgjë nuk më çmend këtu dhe një shkrimtar duhet të çmendet, kjo e ndihmon të shohë. Një shkrimtar ka nevojë për helmet e tij. Antidoti ndaj helmeve të tij shpesh është një libër. Tani nëse do të më duhej të jetoja këtu, nëse për ndonjë arsye do të më ndalohej ndonjëherë të kthehesha në Amerikë, nëse pozicioni im dhe mirëqenia ime personale do të bëheshin papritur përgjithmonë të lidhura me Anglinë, epo, ajo që ishte e çmendur dhe kuptimplotë mund të fillojë të përqendrohet, dhe po, rreth vitit 2005, mbase vitit 2010-ës, pak nga pak do të ndaloja së shkruari për Newark-un dhe do të guxoja të krijoja një histori në një tryezë, në një bar veror në Kensington Park Road. Një histori për një shkrimtar të huaj, të mërguar e të moshuar, në këtë rast, jo duke lexuar “The Jewish Daily Forward“, por “Herald Tribune-n“.

Në këta tre librat e fundit, romanet e Zuckerman-it, ka pasur një përsëritje të luftës me hebrenjësinë dhe kritikën hebraike. Si mendoni, përse këta libra i kthehen të shkuarës? Pse po ndodh tani?

ROTH: Në fillim të viteve shtatëdhjetë, fillova të isha një vizitor i rregullt në Çekosllovaki. Shkoja në Pragë çdo pranverë dhe ndiqja një kurs të vogël për represionin politik. Unë do ta provoja vetë represionin në forma disi më beninje dhe të fshehta – si kufizim psikoseksual apo si kufizim shoqëror. Dija më pak për shtypjen antisemitike nga përvoja personale sesa dija për represionet që hebrenjtë praktikuan mbi veten e tyre dhe mbi njëri-tjetrin si pasojë e historisë së antisemitizmit. Portnoy, ju kujtohet, e konsideron veten thjesht një hebre të tillë praktikues. Sidoqoftë, unë u përfshiva shumë me ndryshimet midis jetës së shkrimtarit në Pragën totalitare dhe asaj në New York, dhe vendosa, pas një pasigurie fillestare, të përqendrohesha në pasojat e pakontrolluara të jetës së artit në botë, gjë që unë e njihja më mirë. E kuptova që tashmë kishte shumë histori dhe romane të mrekullueshme dhe të famshëm nga Henry James-i, Thomas Mann-i dhe James Joyce, për jetën e artistit, por asgjë nuk dija për komedinë që një prirje artistike mund të rezultojë të jetë në SHBA. Kur Thomas Wolfe e trajtoi këtë temë, ai ishte më tepër rapsodik. Lufta e Zuckerman-it me hebraizmin dhe kritikën hebraike shihet në kontekstin e karrierës së tij komike si një shkrimtar amerikan, i dëbuar nga familja e tij, i huaj për admiruesit e tij dhe më në fund në një luftë nervash. Cilësia hebraike e librave si imi, në të vërtetë nuk qëndron në temën e tyre. Të flas për hebraizmin nuk më intereson aspak. Është një lloj ndjeshmërie që krijon, të themi, “Mësimi i Anatomisë Hebraike”, (nëse krijon diçka), nervozizmi, ngacmimi, grindja, dramatizimi, indinjata, fiksimi, prekja, loja – mbi të gjitha të folurit. Të folurit dhe të bërtiturit. Hebrenjtë do të vazhdojnë, ju e dini. Nuk është ajo për të cilën flet që e bën një libër hebre – është fakti se libri nuk do të mbyllë gojën. Libri nuk do të të lërë vetëm. Nuk do që ta lësh. Të vjen pranë aq shumë. “Dëgjo, dëgjo – kjo është vetëm gjysma e saj!” E dija se çfarë po bëja kur i theva nofullën Zuckerman-it. Për një hebre, një nofull e thyer është një tragjedi e tmerrshme. Pikërisht për ta shmangur këtë, shumë prej nesh kaluan në mësimdhënie, sesa në luftëra për të marrë çmime.

Pse është Milton Appel-i, hebreu i mirë, me mendje të lartë, i cili ishte guru për Zuckerman-in në vitet e tij të hershme, një thes grushtesh në “Mësimin Anatomisë”, dikush që Zuckerman-i dëshiron të desantojë?

ROTH: Nëse nuk do të isha unë vetë, nëse dikujt tjetër do t’i ishte caktuar roli i të qenit dhe i të shkruarit të librave të tij, unë shumë mirë, në këtë mishërimin tjetër, mund të kem qenë Milton Appel-i i tij.

Sa i ndërgjegjshëm jeni ndërsa shkruani nëse kaloni nga një rrëfim në vetën e tretë, në një rrëfim në vetën e parë?

ROTH: Nuk është e vetëdijshme apo e pavetëdijshme – lëvizja është spontane.

Por si ndiheni, kur shkruani në vetën e tretë në krahasim me të parën?

ROTH: Si ndihet shikimi përmes mikroskopit, kur rregulloni fokusin? Çdo gjë varet nga sa afër doni ta sillni objektin e zhveshur ndaj syrit të lirë Dhe anasjelltas. Varet nga ajo që doni të zmadhoni dhe nga çfarë fuqie.

A e orientoni veten ndërsa jeni duke shkruar, për të bërë dallimin midis asaj që flitet dhe asaj çfarë është narrativa?

ROTH: Unë nuk e “orientoj” veten time. Unë i përgjigjem asaj që duket mundësia më e gjallë. Nuk ka ekuilibër të nevojshëm për t’u arritur midis asaj që flitet dhe asaj që rrëfehet. Ti shkon me atë që është e gjallë. Dy mijë faqe rrëfim dhe gjashtë rreshta dialog mund të jetë thjesht zgjidhja për një shkrimtar të caktuar, dhe dy mijë faqe dialog dhe gjashtë rreshta rrëfim, zgjidhja për një tjetër.

Sa mendoni se e keni ndikuar mjedisin, kulturën, si shkrimtar?

ROTH: Aspak. Nëse do të kisha ndjekur planet e mia të hershme të kolegjit për t’u bërë avokat, nuk e shoh se ku do të kishte rëndësi për kulturën.

Por a nuk ndiheni i pafuqishëm si shkrimtar në Amerikë?

ROTH: Shkrimi i romaneve nuk është rruga për në pushtet. Unë nuk besoj se në shoqërinë time romanet ndikojnë në ndryshime serioze tek ndokush, përveç pak njerëzve që janë shkrimtarë, romanet e të cilëve natyrisht preken seriozisht nga romanet e romancierëve të tjerë. Unë nuk arrij të shoh që diçka e tillë t’i ndodhë lexuesit të zakonshëm dhe as nuk do ta prisja që të ndodhte një gjë të tillë.

Çfarë bëjnë romanet atëherë?

ROTH: Për lexuesin e zakonshëm? Romanet u japin lexuesve diçka për të lexuar. Shkrimtarët e shumtë ndryshojnë mënyrën e leximit të lexuesve. Kjo më duket e vetmja pritshmëri realiste. Dhe më duket e mjaftueshme. Leximi i romaneve është një kënaqësi e thellë dhe e veçantë, një veprimtari njerëzore mbërthyese dhe misterioze që nuk kërkon ndonjë justifikim më moral apo më politik sesa seksi.

Por a nuk ka pasoja të tjera?

ROTH: Ju pyetët nëse mendoja se fiction-i im kishte ndryshuar diçka në kulturë dhe përgjigjia është jo. Sigurisht, ka pasur ndonjë skandal, por njerëzit skandalizohen gjatë gjithë kohës; është një mënyrë jetese për ta. Por kjo nuk do të thotë gjë. Nëse më pyesni nëse dua që fiction-i im të ndryshojë diçka në kulturë, përgjigjia është ende jo. Ajo që dua është të zotëroj lexuesit e mi ndërsa ata janë duke lexuar librin tim – nëse mundem t’i zotëroj në mënyra që shkrimtarët e tjerë nuk ia arrijnë. Pastaj le të kthehen, ashtu si ishin, në një botë ku të gjithë po punojnë për t’i ndryshuar, bindur, tunduar dhe kontrolluar ata. Lexuesit më të mirë vijnë në letërsinë fiction për të qenë të lirë nga ajo zhurmë, për të çliruar vetëdijen që ndryshe është e kushtëzuar dhe e mbështjellë nga gjithçka që nuk është fiction.

Pyetja e fundit. Si do ta përshkruanit veten? Cili mendoni se jeni, krahasuar me ata heronjtë tuaj që transformohen gjallërisht?

ROTH: Unë jam dikush që po përpiqet gjallërisht të transformojë veten nga vetja e tij dhe nga heronjtë e tij që shndërrohen gjallërisht. Unë ngjaj shumë me dikë që e kalon të gjithë ditën duke shkruar.

Intervistë e viti 1984

Marrë nga: The Paris Review

(Me disa shkurtime)

NATYRË E DYTË-PAUL ÉLUARD

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

NATYRË E DYTË-PAUL ELUARD
 

 

Për nder të memecëve verbanëve shurdhanëve
Që mbajnë mbi supe të madhin gur të zi
Gjërat që zhduken pa asnjë të fshehtë
 
Por edhe për të tjerët që njohin gjërat me emër
Djegia e gjithë metamorfozave
Vargani i plotë i agimeve në kokë
Gjithë britmat që i përvishen thyerjes së fjalëve
 
E që zgavrojnë gojën e që zgavrojnë sytë
Ku ngjyrat e tërbuara zhbëjnë brymat e pritjes
Ngrejnë dashurinë kundër jetës që ëndërrojnë të vdekurit
Fukarenjtë bashkëndajnë të tjerët janë skllevër
Të dashurisë siç mund të jesh skllav i lirisë.

 

Përktheu: Alket Çani

Pse shkruaj…

in Letërsi by

Shkruaj sepse nuk e mbaj dot atë që kam brenda, sepse ndjej nevojën për të shkruar dhe sepse kjo është e vetmja mënyrë imja për të komunikuar me të tjerët, me veten time.
VICTORIA OCAMPO

Të gjithë kemi ndonjë cifël qelqi të thyer në shpirt, e cila, sado e vogël të jetë, na lëndon dhe na përgjak nga pak. Dhe unë duke shkruar ndiej se mund të nxjerr pak nga këto dërrmile qelqi jashtë vetes. Duke i hedhur mbi një letër, ato nuk më lëndojnë më.
EDUARDO GALEANO

Vjen një çast kur gjithë pengesat shemben, kur gjithë mosmarrëveshjet shmangen dhe dikujt i vijnë në mendje gjëra që as i kishte ëndërruar dhe atëherë, në jetë nuk ka gjë më të mirë se të shkruash.
GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ

Është më mirë të dështosh në origjinalitet sesa të imitosh.
HERMAN MELVILLE

Unë kurrë nuk kërkoj tema, i lë që ato të më kërkojnë dhe, megjithatë, u shmangem. Por, nëse tema këmbëngul atëherë unë dorëzohem dhe shkruaj.
JORGE LUIS BORGES

Unë nuk shkruaj se më pëlqen, as se nuk më pëlqen. Shkruaj se diçka më shqetëson.
JOSÉ SAMARGO

Shkrimtarët jetojnë nga fatkeqësitë e botës. Në një botë të lumtur nuk do të kishte shkrimtarë.
JOSÉ SAMARGO

Ne shkrimtarët jemi qenie të plagosura. Prandaj krijojmë tjetër realitet.
PAUL AUSTER

Nuk duhet shkruar veç në çastin kur, sa herë ngjyen penën me bojë, një copë e mishit tënd mbetet në shishen e bojës.
LEON TOLSTOI

Sipas meje, të shkruash është një akt aq i fshehtë sa edhe të ëndërrosh.
STEPHEN KING

Shkruaj nga kënaqësia për të kundërshtuar dhe nga lumturia për të qenë vetëm kundër të gjithëve.
MILAN KUNDERA

Shkruaj për të mbushur zbrazëtinë, për t’u hakmarrë ndaj realitetit, ndaj rrethanave.
MARIO VARGAS LOSA

Duhet shumë dëshpërim, pakënaqësi dhe zhgënjim, për të shkruar pak poezi të mira.
CHARLES BUKOWSKI

Përktheu: Bajram Karabolli

EMRI I VËRTETË-Yves Bonnefoy

in Letërsi by

EMRI I VËRTETË-Yves Bonnefoy

 

Do ta quaj shkretëtirë kështjellën që ti ishe,
Natë atë zë, mungesë fytyrën tënde,
Dhe kur në tokën shterpë të biesh
Do ta quaj hiç shkreptimën që të pruri.

Të vdesësh është një vend që e doje. Unë vij
Por përjetësisht nga udhët e tua të errëta.
Ta shkatërroj dëshirën, formën, kujtesën,
Jam armiku yt i pamëshirshëm.

Do të të quaj luftë dhe do t’i marr
Për vete liritë e luftës dhe do mbaj
Në duar fytyrën tënde të errët e të përshkuar,
Në zemër, këtë vend që e përndrit stuhia.

Për t’u shfaqur drita e thellë kërkon
Një tokë të shthurur e të krisur nate.
Flaka gjallërohet nga druri i terratisur.
Fjalës i lypet lëndë.

Një breg i pajetë përtej çdo kënge.
Duhet të tejkalosh vdekjen për të jetuar,
Gjaku i derdhur – më e kulluara prani.

 

Përktheu: Alket Çani

SA TË RROK SYRI DREJT TRUPIT TIM-Paul Éluard

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SA TË RROK SYRI DREJT TRUPIT TIM-Paul Éluard

 

Gjithë pemët gjithë degët gjithë gjethet

Bari rrëzë shkëmbinjve dhe masa e shtëpive

Së largu deti që syri yt e lag

Ato imazhe të një dite pas tjetrës

Veset virtytet kaq të papërsosura

Tejdukshmëria e kalimtarëve rrugëve të rastit

Dhe kalimtaret që të dalin nga kërkimet e ngulmëta

Idengulitjet e tua zemëplumb e buzëvirgjra

Veset virtytet kaq të papërsosura

Ngjashmëria e vështrimeve të lejuar me sytë që pushtove

Pështjellimi i trupave lodhjeve afsheve

Imitimi i fjalëve qëndrimeve ideve

Veset virtytet kaq të papërsosura

 

Dashuria është njeriu i papërfunduar.

 

Përktheu: Alket Çani

Më pëlqen ta mendoj botën që krijova si një lloj guri themeli në univers; për aq i vogël saç është ai gur, nëse do të hiqej, universi do të shembej/Një intervistë e shkrimtarit amerikan William Faulkner

in Kinema/Letërsi by

Shkrimtari është një shkallë më lart kritikut, sepse shkrimtari është duke shkruar diçka që do ta lëvizë kritikun. Kritiku shkruan diçka, që do t’i lëvizë të gjithë, me përjashtim të shkrimtarit.

   Përktheu: Arlinda Guma

Zoti Faulkner, ju po thoshit pak më parë se nuk ju pëlqejnë intervistat.

WILLIAM FAULKNER: Arsyeja pse nuk më pëlqejnë intervistat është se unë duket se reagoj dhunshëm ndaj pyetjeve personale. Nëse pyetjet kanë të bëjnë me punën time, unë përpiqem t’u përgjigjem. Por kur ato kanë të bëjnë me mua, unë mund të përgjigjem ose jo, por edhe po u përgjigja, nëse të nesërmen më bëhet e njëjta pyetje, përgjigjia mund të jetë e ndryshme.

Po për ju si shkrimtar?

FAULKNER: Nëse nuk do të kisha ekzistuar, dikush tjetër do të më kishte shkruar: Hemingway, Dostojevsky, të gjithë. Këtë e dëshmon fakti që ka rreth tre kandidatë për autorësinë e veprave të Shekspirit. Por të rëndësishme janë “Hamleti” dhe “Ëndrra e Një Nate Vere”, jo se kush i shkroi ato, por se dikush i shkroi. Artisti nuk ka asnjë rëndësi. Vetëm ajo që ai krijon është e rëndësishme që kur nuk mbeti asgjë e re për t’u thënë. Shekspiri, Balzaku, Homeri, kanë shkruar të gjithë për të njëjtat gjëra, dhe nëse do të kishin jetuar një mijë apo dy mijë vjet më shumë, botuesit nuk do të kishin më nevojë për dikë qysh atëherë.

Por edhe nëse nuk duket se ka mbetur dhe aq shumë për të thënë, a nuk është i rëndësishëm individualiteti i shkrimtarit?

FAULKNER: Është shumë i rëndësishëm për atë vetë. Të gjithë të tjerët duhet të jenë tepër të zënë me punë për t’u kujdesur për individualitetin.

Dhe bashkëkohësit tuaj?

FAULKNER: Ne të gjithë nuk arritëm të përshtatemi me ëndrrën tonë të përsosmërisë. Kështu që unë vlerësoj mbi bazën e dështimit tonë të shkëlqyer për të bërë të pamundurën. Sipas mendimit tim, nëse do të mund ta shkruaja përsëri të tërë punën time, jam i bindur që do ta bëja më mirë, që është gjeja më e shëndetshme për një artist. Kjo është arsyeja pse ai vazhdon të punojë, duke u përpjekur përsëri; ai beson çdo herë që kësaj radhe do t’ia dalë… Sigurisht që ai nuk do t’ia arrijë, gjë që është arsyeja pse kjo gjendje është e shëndetshme. Sapo ai e bën këtë, sapo ai e përputh veprën me imazhin, me ëndrrën, nuk do t’i mbetej gjë tjetër veçse t’i ngulte thikën në fyt vetes, të hidhej nga ana tjetër e atij kulmi të përsosmërisë; në vetëvrasje. Unë jam një poet i dështuar. Ndoshta çdo romancier dëshiron të shkruajë poezi së pari, të zbulojë se nuk mundet dhe pastaj të provojë tregimin, i cili është forma më e kërkuar pas poezisë. Dhe, duke mos ia arritur kësaj, vetëm atëherë ai fillon shkrimin e romanit.

A ekziston ndonjë formulë e mundshme për t’u ndjekur për të qenë një romancier i mirë?

FAULKNER: Nëntëdhjetë e nëntë përqind talent … nëntëdhjetë e nëntë përqind disiplinë … nëntëdhjetë e nëntë përqind punë. Ai kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që bën. Asnjëherë nuk është aq e mirë sa mund të bëhet. Gjithmonë ëndërro dhe syno më lart sesa di që mund ta bësh. Mos u shqetëso vetëm për të qenë më i mirë se bashkëkohësit apo paraardhësit e tu. Mundohu të jesh më i mirë se vetja jote. Artisti është një krijesë e pushtuar nga demonët. Ai nuk e di pse ata e zgjedhin dhe zakonisht është shumë i zënë për të pyetur pse. Ai është plotësisht amoral në atë që do të vjedhë, huazojë, lypë apo grabisë nga kushdo dhe të gjithë për ta kryer punën.

E keni fjalën se shkrimtari duhet të jetë plotësisht i pamëshirshëm?

FAULKNER: Përgjegjësia e vetme e shkrimtarit është ndaj artit të tij. Ai do jetë plotësisht i pamëshirshëm nëse është një shkrimtar i mirë. Ai ka një ëndërr. Ajo e shqetëson aq shumë sa ai duhet ta heqë qafe. Ai nuk gjen paqe deri atëherë. Gjithçka shkon për bordin: nder, krenari, vendosmëri, siguri, lumturi, të gjitha, për të shkruar librin. Nëse një shkrimtar duhet të vjedhë nënën e tij, ai nuk do të hezitojë ta bëjë.

Atëherë, a mund të jetë mungesa e sigurisë, lumturisë, nderit, një faktor i rëndësishëm në krijimtarinë e artistit?

FAULKNER: Jo. Ato janë të rëndësishme vetëm për paqen dhe kënaqësinë e tij, ndërsa arti nuk do t’ia dijë për paqen dhe kënaqësinë.

A ka nevojë shkrimtari për lirinë ekonomike?

FAULKNER: Jo. Shkrimtari nuk ka nevojë për liri ekonomike. Gjithë çfarë ai ka nevojë është një laps dhe një letër. Nuk di që shkrimi i mirë të vijë prej pranimit të ndonjë dhurate apo të parave. Shkrimtari i mirë nuk kërkon kurrë fondacion. Ai është shumë i zënë për të shkruar diçka. Nëse ai nuk është në nivelin e parë, ai mashtron veten duke thënë se nuk ka kohë apo liri ekonomike. Arti i mirë mund të dalë dhe nga hajdutët. Njerëzit kanë frikë të zbulojnë sesa vështirësive dhe varfërive mund t’u rezistojnë në të vërtetë. Ata kanë frikë të zbulojnë sesa të ashpër janë. Asgjë nuk mund ta shkatërrojë shkrimtarin e mirë. E vetmja gjë që mund ta shndërrojë shkrimtarin e mirë është vdekja. Shkrimtarët e mirë nuk kanë kohë të shqetësohen për suksesin apo si të pasurohen. Suksesi është femëror… dhe si një grua; nëse përkulesh para saj, ajo do të të mposhtë.

A mund ta dëmtojë shkrimin tuaj të punuarit për filmat?

FAULKNER: Asgjë nuk mund të dëmtojë shkrimin e dikujt nëse ai është një shkrimtar i shkallës së parë. Nëse ai nuk është shkrimtar i shkallës së parë, nuk ka asgjë që mund ta ndihmojë. Problemi nuk qëndron nëse ai nuk është në nivelin e parë, sepse ai tashmë e ka shitur shpirtin e tij për një pishinë.

A bën kompromise një shkrimtar për të shkruar për kinemanë?

FAULKNER: Gjithmonë, sepse filmi nga natyra e tij është një bashkëpunim, dhe çdo bashkëpunim është kompromis, sepse kjo është ajo që do të thotë fjala… të japësh dhe të marrësh.

Me cilët aktorë ju pëlqen të punoni më së shumti?

FAULKNER: Humphrey Bogart është ai me të cilin kam punuar më së miri. Ai dhe unë kemi punuar së bashku në “Të kemi dhe Të Mos të Kemi”, si dhe “Gjumi i madh”.

Doni të bëni një film tjetër?

FAULKNER: Po, unë do të doja të bëja një film me librin “1984” të George Orwell-it. Kam një ide për një finale, e cila do të dëshmonte tezën, të cilën unë jam gjithmonë duke e rrahur: ai njeri është i pathyeshëm për shkak të vullnetit të tij të thjeshtë për liri.

Ju thoni që shkrimtari duhet të bëjë kompromis në punën me filmat. Po në lidhje me shkrimin? A ka ai ndonjë detyrim ndaj lexuesit të tij?

FAULKNER: Detyrimi i tij është që punën ta kryejë sa më mirë që të mundet; çfarëdo detyrimi që ai ka lënë pas kësaj, ai mund ta kalojë ashtu si i pëlqen. Unë vetë jam shumë i zënë për t’u kujdesur për publikun. Nuk kam kohë të pyes veten se kush po më lexon. Nuk më intereson mendimi i John Doe-t për punën time apo i ndonjë personi tjetër. Më përket vetëm standardi që duhet të përmbushet, siç ndihem kur lexoj “La Tentation de Saint Antoine“, apo “The Old Testament”. Ato më bëjnë të ndihem mirë. Po kështu, edhe të shoh një zog më bën të ndihem mirë. Ti e di që nëse do të rimishërohesha, do të doja të bëhesha një qift. Asnjë nuk e urren, e ka zili, e dëshiron apo ka nevojë për qiftin. Ai kurrë nuk shqetësohet apo është në rrezik, dhe mund të hajë çdo gjë.

Sa prej shkrimeve tuaja bazohen në përvojën personale?

FAULKNER: Nuk mund të them “Nuk e përfshij kurrë”. Sepse kjo “sa” nuk është e rëndësishme. Një shkrimtar ka nevojë për tri gjëra: përvojë, vëzhgim dhe imagjinatë… secila prej të këtyre, në çdo kohë mund të mbulojë mungesën e tjetrës. Tek unë, një histori zakonisht fillon me një ide të vetme ose kujtim apo imazh mendor. Shkrimi i historisë është thjesht një çështje për të mbërritur deri në atë çast, për të shpjeguar pse ndodhi apo çfarë e bëri që të ndiqej. Një shkrimtar përpiqet të krijojë njerëz të besueshëm, në situata lëvizëse të besueshme, në mënyrën më të lëvizshme të mundur. Natyrisht që ai duhet të përdorë, si një nga mjetet e tij, mjedisin që ai njeh. Unë do të thosha që muzika është mënyra më e lehtë për t’u shprehur, për më tepër ajo erdhi e para në përvojën dhe historinë e njeriut. Por meqenëse fjalët janë talenti im, duhet të përpiqem të shpreh më ngathët me fjalë, atë që muzika e pastër do ta kishte bërë më mirë. Kjo do të thotë se muzika do të shprehej më mirë dhe më thjeshtë, por preferoj të përdor fjalët, pasi preferoj t’i lexoj sesa t’i dëgjoj. Preferoj që ta bëj heshtjen të tingëllojë, dhe imazhi i prodhuar nga fjalët ndodh në heshtje. Dhe kështu, tingulli dhe muzika e prozës zhvillohen në heshtje.

Disa njerëz thonë se nuk arrijnë ta kuptojnë letërsinë tuaj, edhe pasi e lexojnë atë dy apo tri herë. Çfarë qasjeje do të sugjeronit për ta?

FAULKNER: Ta lexojnë katër herë.

Ju përmendët përvojën, vëzhgimin dhe imagjinatën si të rëndësishme për shkrimtarin. A do ta përfshinit frymëzimin?

FAULKNER: Unë nuk di asgjë për frymëzimin, sepse nuk e di se çfarë është frymëzimi… kam dëgjuar për të, por kurrë nuk e kam parë.

Për ju si shkrimtar thuhet se jeni i fiksuar me dhunën.

FAULKNER: Kësaj i thonë të thuash se marangozi është i fiksuar me çekiçin e tij. Dhuna është thjesht një nga mjetet e marangozit. Shkrimtari nuk mund të ndërtojë me një vegël, më shumë seç marangozi mundet.

Mund të rrëfeni fillimet tuaja si shkrimtar?

FAULKNER: Jetoja në New Orleans, bëja çfarëdo lloj pune që ishte e nevojshme për të fituar pak pará herë pas here. Takova Sherwood Anderson-in. Ne shëtisnim rreth qytetit pasditeve dhe bisedonim me njerëzit. Në mbrëmje takoheshim përsëri dhe uleshim para një shisheje apo dy, ndërsa ai fliste dhe unë dëgjoja. Në paradrekë nuk do ta shihja kurrë. Ai izolohej për të punuar. Të nesërmen do ta përsërisnim. Mendova se nëse kjo ishte jeta e një shkrimtari, atëherë, të bëhesha shkrimtar ishte gjëja e duhur për mua. Kështu që fillova të shkruaj librin tim të parë. Në të njëjtën kohë kuptova se shkrimi ishte argëtues. Unë madje harrova që nuk e kisha parë zotin Anderson për tri javë, derisa ai hyri në derën time, hera e parë që ai erdhi vetë të më takonte, dhe tha: “Çfarë ka ndodhur? Je mërzitur me mua?” Unë i thashë se po shkruaja një libër. Ai tha: “Zoti im”, dhe doli jashtë. Kur mbarova librin… ishte “Soldiers’ Pay”… takova Zonjën Anderson në rrugë. Ajo pyeti sesi po shkonte libri dhe unë i thashë se do ta përfundoja. Ajo tha: “Sherwood-i thotë se do të bëjë një punë me ty. Nëse nuk arrin ta lexojë dorëshkrimin tënd, ai do t’i thotë botuesit të tij ta pranojë. “Unë thashë: “Qoftë e bërë”, dhe kështu u bëra shkrimtar.

Cilat ishin llojet e punës që bënit për të fituar atë “pak pará herë pas here”?

FAULKNER: Çfarëdo lloj gjëje që dilte Mund të bëja pak nga pothuajse çdo gjë… të rremoja varkat, të lyeja shtëpi, të fluturoja me aeroplan. Asnjëherë nuk kam patur nevojë për shumë pará sepse të jetuarit ishte i lirë në New Orleans atëherë, dhe gjithçka që doja ishte një vend për të fjetur, pak ushqim, duhan dhe uiski. Kishte shumë gjëra që mund të bëja për dy apo tri ditë, dhe të fitoja pará të mjaftueshme për të jetuar për pjesën tjetër të muajit. Nga temperamenti unë jam vagabond. Unë nuk i dua dhe aq paratë… aq sa të më duhet të punoj për to… Sipas mendimit tim është turp që ka kaq shumë punë në botë. Një nga gjërat më të trishtueshme është se e vetmja gjë që njeriu mund të bëjë për tetë orë në ditë, ditë pas dite, është puna. Ti nuk mund të hash tetë orë në ditë dhe as të pish tetë orë në ditë apo të bësh dashuri për tetë orë… gjithçka që mund të bësh për tetë orë është puna. Për çfarë arsyeje njeriu e bën veten dhe të gjithë të tjerët, kaq të mjerë dhe të pakënaqur?

Ju duhet të ndiheni borxhli ndaj Sherwood Anderson-it, por si e vlerësoni atë si shkrimtar?

FAULKNER: Ai ishte babai i brezit tim të shkrimtarëve amerikanë dhe tradita e shkrimit amerikan që do të vazhdojnë pasardhësit tanë. Ai kurrë nuk ka marrë vlerësimin e duhur. Dreiser-i është vëllai i tij më i madh, ndërsa Mark Twain-i babai i të dyve.

Po shkrimtarët evropianë të asaj periudhe?

FAULKNER: Dy burrat e mëdhenj në kohën time ishin Mann-i dhe Joyce. Ju duhet t’i afroheni Uliksit të Joyce-t, siç predikuesi analfabet Baptist i afrohet “Testamentit të Vjetër”: me besim.

A i lexoni bashkëkohësit tuaj?

FAULKNER: Jo, librat që lexoj janë ata që unë dija dhe doja kur isha i ri, të cilëve u kthehem ashtu siç bën me miqtë e vjetër: “Testamenti i Vjetër”, Dickens, Conrad, Cervantes, Don Kishoti… I lexoj çdo vit, siç bëjnë disa me Biblën. Flaubert-in, Balzac-un… ai krijoi një botë të vetme të paprekur, një rrjedhë gjaku që përshkon njëzet libra: Dostojevsky, Tolstoy, Shekspiri. Lexoj Melville-n herë pas here dhe, nga poetët, Marlowe, Campion, Jonson, Herrick, Donne, Keats dhe Shelley. Unë ende lexoj Housman-in. I kam lexuar këta libra aq shpesh sa nuk i filloj gjithmonë në faqen e parë dhe të vazhdoj t’i lexoj deri në fund. Thjesht lexoj një skenë apo për një personazh, ashtu siç takohesh dhe bisedon me një mik për disa minuta.

Edhe Frojdin?

FAULKNER: Të gjithë flisnin për Frojdin kur jetoja në New Orleans, por unë kurrë nuk e kam lexuar. As Shekspiri. Dyshoj nëse e ka bërë Melville, dhe jam i sigurt se as Moby Dick.

A keni lexuar ndonjëherë tregime misteri?

FAULKNER: Kam lexuar Simenon, sepse ai më kujton diçka nga Chekhov-i.

A do ta komentonit të ardhmen e romanit?

FAULKNER: Them se për aq kohë sa njerëzit do të vazhdojnë të lexojnë romane, njerëzit do të vazhdojnë edhe t’i shkruajnë, ose anasjelltas; përveç në rastet kur, natyrisht, revistat me ilustrime dhe kolonat komike atrofizojnë më në fund aftësinë e njeriut për të lexuar, dhe letërsia në të vërtetë është duke u kthyer mbrapa, te shkrimi me anë të figurave në shpellën e Neanderthal-ëve.

Ç’mund të thoni për funksionin e kritikëve?

FAULKNER: Artisti nuk ka kohë të dëgjojë kritikët. Ata që duan të jenë shkrimtarë lexojnë review-të, ata që duan të shkruajnë nuk kanë kohë të lexojnë review-të. Kritiku përpiqet të thotë “Kilroy ishte këtu”. Funksioni i tij nuk i drejtohet vetë shkrimtarit. Shkrimtari është një shkallë më lart kritikut, sepse shkrimtari është duke shkruar diçka që do ta lëvizë kritikun. Kritiku shkruan diçka, që do t’i lëvizë të gjithë, me përjashtim të shkrimtarit.

Kështu që ju kurrë nuk e ndjeni nevojën për të diskutuar punën tuaj me askënd?

FAULKNER: Jo, jam shumë i zënë me shkrimin e saj. Duhet të më kënaqë, dhe nëse po, nuk ka nevojë të flas për të. Nëse nuk më pëlqen, të flisja për të nuk do ta përmirësonte, pasi e vetmja gjë për ta përmirësuar është të punosh më shumë. Unë nuk jam njeri letrar, por vetëm shkrimtar. Nuk kam ndonjë kënaqësi nga pazari i të folurit.

Kritikët pretendojnë se marrëdhëniet e gjakut janë thelbësore në romanet tuaja.

FAULKNER: Ky është një opinion dhe, siç thashë, unë nuk i lexoj kritikët. Dyshoj se një njeri që përpiqet të shkruajë për njerëzit, të jetë më i interesuar në marrëdhëniet e gjakut apo në formën e hundëve të tyre, përveç nëse ato janë të nevojshme për ta ndihmuar tregimin të bëjë përpara. Nëse shkrimtari përqendrohet në atë që ai duhet të interesohet, e cila është e vërteta dhe zemra e njeriut, ai nuk do të ketë shumë kohë për asgjë tjetër, siç janë idetë dhe faktet; si forma e hundëve apo marrëdhëniet e gjakut, pasi për mendimin tim, idetë dhe faktet kanë shumë pak lidhje me të vërtetën.

Kritikët thonë gjithashtu që personazhet tuaj nuk zgjedhin kurrë me vetëdije midis së mirës dhe së keqes.

FAULKNER: Jeta nuk është e interesuar për të mirën dhe të keqen. Don Kishoti zgjidhte vazhdimisht midis së mirës dhe së keqes, por më pas ai filloi të zgjidhte në gjendje jermi. Ai ishte çmendur. Ai hyri në realitet vetëm kur ishte aq i zënë së përpjekuri për t’u përfshirë me njerëzit, saqë nuk kishte kohë të bënte dallimin midis së mirës dhe së keqes. Meqenëse njerëzit ekzistojnë vetëm në jetë, ata duhet ta shpenzojnë kohën e tyre thjesht për të qenë gjallë. Jeta është lëvizje, dhe lëvizja ka të bëjë me atë që e bën njeriun të ecë përpara… që është ambicia, fuqia, kënaqësia. Atë kohë që njeriu mund t’i kushtojë moralit, ai duhet ta marrë me forcë nga lëvizja, pjesë e së cilës ai është. Ai është i detyruar të bëjë zgjedhje midis së mirës dhe të keqes herët a vonë, sepse ndërgjegjia morale e kërkon prej tij, në mënyrë që ai të mund të jetojë me veten e tij nesër. Ndërgjegjia e tij morale është mallkimi që ai duhej të pranonte nga perënditë, në mënyrë që të fitonte prej tyre të drejtën për të ëndërruar.

A mund të shpjegoni më shumë se çfarë kuptoni me lëvizje në lidhje me artistin?

FAULKNER: Qëllimi i çdo artisti është të ndalojë lëvizjen, që është jeta, me mjete artificiale dhe ta mbajë atë të fiksuar, në mënyrë që njëqind vjet më vonë, kur një i huaj ta shikojë atë, ajo të lëvizë sërish, pasi është jeta. Meqenëse njeriu është i vdekshëm, e vetmja pavdekësi e mundshme për të është të lërë diçka pas tij që është e pavdekshme, meqë gjithmonë do të lëvizë. Kjo është mënyra e artistit për të shkruar: “Kilroy ishte këtu” në murin e harresës përfundimtare dhe të pakthyeshme, përmes së cilës ai duhet të kalojë një ditë.

Çfarë ju ndodhi midis Soldiers’ Pay and Sartoris… domethënë, çfarë ju bëri që të filloni sagën Yoknapatawpha?

FAULKNER: Me “Soldiers’ Pay” kuptova se shkrimi ishte argëtues. Por kuptova më pas jo vetëm që secili libër duhej të kishte një model, por i gjithë rezultati ose shuma e punës së një artisti duhet të ketë një model. “Te Soldiers’ Pay’ dhe “Mosquitoes” kam shkruar për hir të shkrimit, sepse ishte kënaqësi. Duke filluar me Sartoris, zbulova se vula ime e vogël postare e tokës amtare ia vlente të shkruaja për të dhe se kurrë nuk do të jetoja aq gjatë sa ta shterja, dhe se duke sublimuar aktualen apokrifike, do të kisha lirinë e plotë për të përdorur çfarëdo talenti që mund të kisha në kulmin e tij absolut. Ajo hapi një minierë ari të njerëzve të tjerë, kështu që unë krijova një kozmos timin. Unë mund t’i lëviz këta njerëz si Zoti, jo vetëm në hapësirë, por edhe në kohë. Fakti që unë i kam lëvizur personazhet e mi në kohë, në mënyrë të suksesshme, të paktën në vlerësimin tim, dëshmon teorinë time se koha është një gjendje fluide, e cila nuk ka ekzistencë, përveçse në avatarët e çastit të njerëzve individualë. Nuk ka diçka të tillë si për shembull “ishte”… vetëm “është”. Nëse do të ekzistonte, nuk do të kishte pikëllim apo dhimbje. Më pëlqen ta mendoj botën që krijova si një lloj guri themeli në univers; për aq i vogël saç është ai gur, nëse do të hiqej, universi do të shembej. Libri im i fundit do të jetë Doomsday Book, Libri i Artë, i Qarkut Yoknapatawpha. Pastaj do thyej lapsin dhe do të më duhet të ndalem.

Marrë nga: Paris Review

(Version i shkurtuar)

1 106 107 108 109 110 190
Go to Top