NAIM FRASHËR DHE UOLLT UITMAN/Natasha Lako
    
    Natasha Lako

    
    

    
    
Përktheu: Granit Zela
    
    Të verbrit në protestë-Petraq Risto
Të verbër…
Errësira na ka mbledhur në një shesh për protestë
të tjerëve u dukemi kuaj pak orë para vrasjes
Do të na flas një i verbër tjetër
Thonë Dritës do t’i bëjë ftesë:
të paktën ta shohim në Parajsë.
Nëse dhe në Parajsë do të jetë kështu:
Qytete me rrugë të kthyera në bastunë
nëse në Parajsë s’do të përkthehemi në blu
dhe drita s’do na kthehet në furtunë
atëherë merreni Zotin tonë
futeni në një labirint drite
të mos verbohet nga errësira.
    
    Solstice-Merita Paparisto
O dhimbje e ëmbël
vjen e shkon si erë
ngre vrunduj gjethesh të thara
në pranverë…
e asnjëherë s’dihet nga ç’grykë del
ajme,
ish’ kaq e dhimbshme të mbyteshin në syte e mi
zogjtë e nëntokës ku nuk ka qiell
është vjeshtë e vonë, çdo kohe atje
diamante të ndezur janë yjet dhe sytë
në një sfond të errët, mavi.
Po shtegton dhe ti shtërg i qiellit,
në anën e errët të hënës
klith, ngjyhesh në të zi,
me sheh mendueshëm dhe shkruan.
____
Librin e gjeni në Amazon:
https://www.amazon.ca/dp/B088XXPJ3P/ref=sr_1_1?keywords=merita+paparisto+solstice&qid=1590095272&sr=8-1
    
    Alber Kamy (Albert Camus) ishte shkrimtari që dashuronte paqen dhe që njëkohësisht kuptonte dhe pranonte pashmangshmërinë e luftës në periudha të caktuara, si fjala vjen, përballë nazistëve gjermanë. Por në vitin 1956, Kamyja, i cili vetëm një vit më vonë fitoi Nobelin në letërsi, i vendosi vetes një detyrë të pamundshme. Ai kërkoi të vendoste paqe mes dy atdheve të tij, Algjerisë, vendi ku lindi e u rrit dhe Francës, shtetit të cilit i përkiste.
Kjo ishte periudha kur shteti francez dhe një forcë rebele e njohur si Fronti Kombëtar për Çlirim të Algjerisë, ishin angazhuar në një betejë, në të cilën, të dyja palët përdornin terrorin mbi popullsinë civile reciproke si mjet lufte. FKÇ kërkonte pavarësinë e Algjerisë ndërsa Franca, një fuqi dikur e madhe koloniale që po rrënohej, refuzonte me çdo kusht duke e quajtur Algjerinë France d’outre-mer (Thjesht Franca e përtej detit).
Sipas Kamysë, rebelimi i vërtetë mbart tension të lartë. Rebelimi mban fort qendrën morale, duke i bërë rezistencë shtypjes, ndërsa paralelisht, duke i rezistuar tendencës së vetë rebelit për të shtypur të tjerët.
Dhe ndërsa nacionalistët algjerianë dhe francezët bënin masakra të tmerrshme me vrasje të burrave, grave e fëmijëve, siç ishte rasti i popullsisë koloniste franceze në një fshat ku u therën 100 njerëz nga fqinjët arabë apo në politikën e “përgjegjësisë kolektive” ndjekur nga ushtria franceze dhe milicitë që vrisnin gra, burra e fëmijë. Nuk ishin vetëm algjerianët që po vdisnin, mendonte Kamyja, por vetë Algjeria.
Për këtë arsye, në pasdreken e së Dielës, më 22 Janar, pak pas orës 4, një Kamy nervoz u ngrit në podiumin e Cercle du Progrès, (Rrethi i Progresit), një ndërtesë nën pronësinë e myslimanëve në qendër të Algjerit. Lindur dhe rritur në një lagje punëtorësh të Algjerit, Kamyja ishte i ndarë mes dy botëve dramatikisht të ndryshme. Nga njëra anë ishte lidhja njerëzore me njerëzit dhe vendet e Algjerisë franceze; në anën tjetër, ai kishte një angazhim po aq të fortë për idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë së Francës republikane.
Fillimisht gazetar investigues dhe më pas shkrimtar e eseist, karriera e të cilit u kurorëzua me Nobelin, Kamyja luftoi për zgjerimin e këtyre idealeve mes tetë milionë arabëve dhe berberëve që jetonin në sundimin e Francës. Dhe ndryshe nga shumë francezë të tjerë të Algjerisë, Kamyja ishte i tmerruar nga historia e disikriminimit de jure dhe de facto kundër arabëve dhe berberëve. Duke besuar se “Algjeria Franceze” mund të mbetej franceze dhe njëkohësisht të bëhej demokratike, Kamyja këmbënguli që francezët e algjerisë dhe arabët ishin “të dënuar të jetonin bashkë.”
Por më 1956, frika ishte se në fakt ata ishin të dënuar të vrisnin njëri-tjetrin. Mundësia për gjakderdhje të pafund, ushqyer nga aktet e terrorizmit kundër popullsisë civile, ishte diçka e padurueshme. Algjeria, i tha ai një miku, “më është vënë në grykë.” Me një dozë po njësoj të lartë guximi dhe dëshpërimi, në fund të vitit 1955, Kamyja shkroi një seri opinionesh në revistën L’Express, në të cilën kërkonte një paqe për civilët. Një traktat mes Parisit dhe FKÇ-së dukej i pamundur; dhuna nuk kishte rrugëdalje. Por a mundeshin të dyja palët që së paku të binin dakord të kursenin civilët? Nëse kjo nuk ndodhte, argumentoi ai, “Algjeria shpejt do të jetë një vend ku banojnë vetëm vrasës dhe viktima. Vetëm të vdekurit do të jenë të pafajshëm.” Dhe i vetëdijshëm që kjo ishte tepër e dobët si përpjekje e kryer nga Parisi, Kamyja vendosi të flasë publikisht, me një rrezik të vet personal, në qytetin e tij të lindjes, Algjer.
Algjeria nga ana e saj po priste. Rreth 1,500 vetë u mblodhën për ta dëgjuar, francezë dhe myslimanë, intelektualë dhe tregtarë. Atmosfera ishte e tensionuar, ndërsa një turmë kërcënuese kolonistësh francezë kundërshtonte takimin dhe ishte grumbulluar jashtë ndërtesës. Kamyja i tha audiencës se ishte detyra e tij, si francez i Algjerisë dhe si shkrimtar, të bënte një thirrje të thjeshtë “për humanizmin tonë.” Ai bëri thirrje për armëpushim ndaj civilëve.
“Nuk kam ardhur t’ju kërkoj të hiqni dorë nga çfarëdolloj bindjeje që keni,” u tha ai të pranishmëve. Pavarësisht se çfarë situatash historike, ideologjike apo politike ekzistojnë, “asnjë kauzë nuk e justifikon vdekjen e njerëzve të pavarur.”
Ai shtoi se nuk kishte iluzion se zgjidhja e situatës ishte e mundshme për momentin. Por ai u kërkoi pjesëmarrësve në konflikt “të heqin dorë nga ajo që e bën situatën të pafalshme, konkretisht, masakrimi i të pafajshmëve.”
Megjithatë masakrimi i të pafajshmëve vijoi edhe për gjashtë vite të tjerë. Dhe ndërsa Kamyja nuk e kishte mbaruar ende fjalën, turma jashtë, e zemëruar nga “tradhtia” që ai po i bënte Algjerisë Franceze, bëri thirrje për linçimin e tij. Por Kamyja përballë këtij rreziku refuzoi të largohej pa mbaruar çfarë kishte për të thënë. Ai arriti të shpëtojë nga ndihma e miqve.
Në javët që pasuan, Kamyja zbuloi se fjalimi i tij nuk i kishte bërë përshtypje asnjërës prej palëve. Ai nuk foli më kurrë për Algjerinë. U desh një dekadë luftë, pothuajse e pandërprerë, që Franca të arrinte marrëveshje paqeje me Algjerinë. Por telashet nuk mbaruan me marrëveshjen e paqes.
Ekstremistët francezë vijuan të kërkonin luftë e madje tentuan atentate për të vrarë Charles de Gaulle, njeriu që nënshkroi paqen. Në Algjeri, pala fitimtare imponoi një qeveri me një parti që vijon të sundojë vendin me një nga diktaturat më të egra në planet.
Kamyja kuptonte se dhuna ishte e tjerrur në mënyrë të pandashme në mishin e jetës së përditshme. Megjithëse ai ishte pacifist, e kishte të qartë se dhuna, në çaste kritike kishte rëndësi thelbësore për të ruajtur humanizmin tonë. Ky ishte rasti i Gjermanisë hitleriane dhe arsyeja se pse Kamyja ishte një eksponent i fortë i rezistencës franceze. Në vitin 1943 ai iu drejtua një miku imagjinar gjerman që ishte bashkuar me nazizmin dhe nihilizmin. Në një esé ai shkroi: “ushtrimi i dhunës është më i natyrshëm për ty nga sa mendon. Por kërkohet një përpjekje shumë më e madhe të luftosh ndërkohë që e urren luftën.
Sipas Kamysë, Njeriu i Revoltuar ka për qëllim “t’i shërbejë drejtësisë dhe jo të shtojë padrejtësinë në gjendjen njerëzore si dhe të këmbëngulë në përdorimin e gjuhës së thjeshtë në mënyrë që të mos shtojë gënjeshtrat në botë.”
Marrë nga blogu: Shtëpia e Librit
    
    Një javë e ngarkuar-Alain Bosquet
Çdo të hënë revoltohem:
si mund të jesh një njeri
veç në kometat?
Çdo të martë pyes veten:
ç’mund të bëj për të kuptuar lumin,
për të rritur catalpa-në?[1]
Të mërkurave ëndërroj për ekuilibrin
midis dyshimit dhe arsyes,
midis frikës dhe kthjelltësisë.
Çdo të enjte akuzoj të ngjashmit e mi:
“Ju jini një hiç, madje as dhe një fije e çmendur bari
as dhe një merimangë.”
Të premtet janë ditë të trishta:
«Përse duhet të jetosh
përse duhet ta pastrosh këtë shpirt?
Të shtunat janë ditë mungese:
«Kurrë nuk kam lindur në një ditë të tillë»,
nuk jam më askushi,
hiçi më përshtatet, as ngrohtë as ftohtë.
Ndërsa të dielave, në hambarin tim
para librave që dekompozohen
i ndershëm e i pastër shkoj të var veten:
Në këtë mos shihni tragjedinë:
ajo që ka rëndësi,
në javën time
të përrallave dhe të poezive
është dita e tetë.
Përktheu: Luan Rama
_____
[1] Pemë e madhe ornamentale me lule të bardha që gjendet në Amerikën veriore, Azinë perëndimore dhe në Francë.
    
    
ROBI
Këtë histori e tregojnë në Hunin ose në Tapalken. Pas një sulmi indian u zhduk një fëmijë. Thanë se e kishin rrëmbyer indianët. Më kot e kërkuan prindërit e tij. Vite e vite më pas, një ushtar që vinte nga thellësia e vendit, tregoi për një indian me sy të kaltër që afërmendsh duhej të ishte biri i tyre. Më në fund, ata e hasën birin e humbur (rrethanat si e qysh i ka përpirë historia dhe nuk dua të sajoj për atë që nuk e di) dhe besuan se e njohën. Njeriu, i rritur në shkretëtirë dhe i përshtatur me jetën barbare, tashmë nuk i kuptonte më fjalët e gjuhës së nënës, por, indiferent dhe i bindur u drejtua dhe shkoi vetë deri te shtëpia e lindjes. Aty u ndal, ose ndoshta e ndalën të tjerët. Shikoi portën e shtëpisë, sikur të mos e njihte. Pastaj, menjëherë, uli kokën, bërtiti, kapërceu pragun me shpejtësi dhe, duke rendur, përshkoi të dy oborret e gjatë dhe u fut në kuzhinë. Pa hezituar aspak, futi dorën në një vazo të vjetër e të nxirë dhe nxori andej thikën me bisht briri, të cilën e kishte fshehur aty qysh kur ishte i vogël. Sytë i ndritën prej gëzimit, ndërkohë që prindërit, të bindur se e kishin gjetur birin e humbur, nuk i mbajtën dot lotët.
Kushedi, pas kësaj ai kujtoi edhe gjëra të tjera, por, tashmë indian, nuk mundi të jetonte midis mureve dhe një ditë iku në kërkim të shkretëtirës së tij.
Unë doja të dija se çfarë ndjeu në atë çast marramendës, kur iu ngatërrua e kaluara me të tashmen. Doja të dija nëse ky bir i humbur rilindi dhe vdiq në atë ekstazë apo nëse, si një krijesë apo edhe si një qen, a thua arriti të rinjohë prindërit dhe shtëpinë?
KURTHI
Tmerri i tij i vërtetë ishte, kur Çezari, tek këmbët e statujës, i rrethuar dhe i goditur prej thikave të pandalshme të miqve, mes fytyrave dhe teheve zbulon atë të Mark Brutit, të preferuarit të tij, e pse jo birit të tij, dhe atëherë dorëzohet e thërret: “Tu quoque, Brute, fili mi?” (Edhe ti, Brut, biri im?!); një klithmë patetike kjo që e kanë rrokur Shekspiri dhe Kevedoja.
Fatit i pëlqejnë përsëritjet, variantet, simetritë; nëntëmbëdhjetë shekuj më vonë, në jug të provincës së Buenos Airesit, një fshatar sulmohet nga disa fshatarë të tjerë dhe, kur rrëzohet, njeh birin e tij të adoptuar dhe i thotë me qortim të butë dhe habi të plogët (këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar): “Pero, che!” (Edhe ti, ore?!). Pastaj e vrasin dhe ai nuk e di se po vdes që të përsëritet një skenë.
Përktheu: Bajram Karabolli
______
Shënim: “Kurthi” është një nga ato minitregimet e famshëm të Borgesit, të cilët janë tejet lakonikë, art puro. Por dua të qëndroj te shprehja “Pero, che!”, për të cilën vetë Borgesi thotë: “Këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar”. Dhe e ka fjalën për një lexues vendas (argjentinas), lëre më, një i huaj. Personazhi i Borgesit ndodhet në të njëjtën situatë, si Jul Çezari dhe njësoj si ai shqipton vetëm ato dy fjalë aq lakonike.
Por në këtë rast, fjala është tjetërkund. Te vështirësia e përkthyesit, që, nganjëherë, është gati e pakapërcyeshme.
Che (çe) është një fjalë që përdoret vetëm në Argjentinë dhe Uruguai dhe në asnjë vend tjetër spanjishtfolës. Në dy vendet e mësipërme, kështu i drejtohen një të afërmi, një shoku, një miku, qoftë mashkull apo femër. Është një mënyrë e veçantë të drejtuari që shpreh afëri, ngrohtësi, intimitet. Argjentinasi i famshëm, Ernesto Gevara (Ernesto Guevara) njihet Çe Gevara (Che Guevara), vetëm se në Meksikë, ku ishte student për mjekësi, u drejtohej shokëve dhe miqve të tij: Ej, Çe! Ç’kemi, Çe? Tungjatjeta, Çe!… Dhe të tjerët që s’e përdornin këtë fjalë apo nuk e njihnin këtë mënyrë të drejtuari, nisën ta quanin Çe dhe jo Ernesto.
“Pero, che!” Kaq thotë personazhi i Borgesit dhe i lë që ta vrasin. Ad literam, do të përkthehej: Po ti, ore! Por, një lab, në një situatë të tillë do të thoshte: “Edhe ti, more derëbardhë?!”, apo: “Po ti, ç’pate, a tu shoftë?!”, etj. Një shkodran mund të thoshte: “Ç’ban, o nieri i mirë?!”. Po ka shprehje nga më të ndryshmet për të shprehur njëherazi, habi, dhimbje, lëshim, falje, e ku di unë, ama, kurrsesi mallkim, në një situatë të tillë.
Të gjithë e njohin shprehjen e famshme italiane: Traduttore, traditore. Sepse, në njëfarë mënyre, përkthyesi, patjetër do të tradhtojë dikë; ose autorin, ose lexuesin; ose gjuhën origjinale, ose gjuhën tjetër, në të cilën e shpie origjinalin. Dhe kjo është një dilemë e madhe për të.
Bajram Karabolli
    
    Vdekja e shoqërisë civile-Granit Zela
Shoqëria civile ka vdekur… kumtoi Kryetari.
E nisi të qeshë me lot.
Kamerier, tha mes gazit,
Më sill një kafe,
Një kafe për Mort.Mardhje
Kur kthetrat e hekurta iu ngulën në shtat Teatrit,
Për ta shkulur
e shembur,
e ulur në gjunjë.
Disa shpirtra vetmueshëm me të mardhnin
Të tjerët – flinin gjumë.Blendi
E kam takuar Blendin, veç një herë në jetë.
Më dha libra nga i ati, janë familje artisti.
Më 17 Maj, 2020, e pashë për herë të dytë,
Mbi flokët kaçurrel ishte çizmja e një polici.Ambasadat
Kur ra Teatri, kish shqetësim në ambasada.
Mes dilemash-helm flisnin si në jerm:
“Vera po vjen e do na mbysë vapa,
Ku do vemi për plazh, na Jalë a Golem?”Investime
Në Gjermani flitej veç për arrestime
Dhe shesheve turmat tredheshin paq:
“Hitleri- burrë i mirë, ka bërë investime.”
Tha një xhaxh.Art në qeli
Ata organizuan një Protestë
Ishin Artistë,
Ishin dy,
“Asnjëri s’do të vdes”, premtoi Kryetari
Do të bëjnë Art në qeli.
    
    Në mur qe shkruar-Bertolt Brecht
Në mur qe shkruar me shkumës
ata duan luftë.
Ai që e ka shkruar
tashmë ka rënë.
Ai që rri sipër thotë:
vemi drejt lavdisë.
Ai që rri poshtë thotë:
vemi drejt gropës.
Lufta që po vjen
s’është e para. Të tjera
e kanë paraprirë.
Si u mbyll e fundit, pati
fitimtarë dhe humbës.
Mes humbësve, varfanjakët
vdisnin urie. Mes fitimtarëve
varfanjakët vdisnin urie gjithaq.
Teksa nisin të marshojnë
shumë s’dinë se një armik po u prin.
Zëri që u jep urdhra
është zëri i armikut.
Ai që u dëfton armikun,
ai është vetë armiku.
Pĕrktheu: Edon Qesari