Author

Admin - page 26

Admin has 1899 articles published.

SHI NATE NË CHICAGO, I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

in Letërsi/Tharm by

SHI NATE NË CHICAGO,
I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

Shi nate në Chicago,
i bukur, i dhembshur,
rrugëve bie dhe brenda nesh,
kaq shumë vezullues sikur thërrmohen yje
ëndrrave në Qiell.

Ti e solle këtë shi
të bukur, të dhembshur
për një lindje të re dite
si të gjitha mëngjeset e 30 gushtit
që vijnë bashkë me ty.

Dhe çdo gjë e ardhur nga lartësitë
qiellore
e shenjtë është, o bir! Po këtë qytet

kush e solli te ne,
erërat dhe dallgët e tua? Kujt i the
të na thërriste?

Një pikë loti këtu
bëhet ky liqen, ti e di, më i madhi
në botë, –
vetëm një pikë loti kështu…
dhe jo vetëm liqen…

Brinjët e mia bëhen brigje.

Ky shi i natës në Chicago bashkon
kujtesën
me përjetësinë,
që s’duket si horizontet, si çdo fund,
që e shohin të tjerët.

Po ta ndezim nga një cigare si dikur,
nga paketa e qiellit
dhe tre qirinj ndizen vetvetiu tani
në të gjitha kishat si në shpirt.


Chicago, 30 Gusht, 2024

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

 E kam zili planetin me katër hëna.
– Shënimet e Robert Frostit-it.

Ndoshta atij i ndërmendej kënga:
“Çfarë arrin të bëjë pakëz dritë-hëne”
dhe bëhej kurioz
se çfarë do t’arrinte të bënte një lumë i madh dritë-hëne.

Por a nuk do të ishte kjo diçka tepër e mirë?
Dhe çfarë ndodhte nëse ti nuk arrije t’i dalloje
e ato rrinin gjithmonë së bashku
si katërnjake të zbehta duke hyrë në dhomën e ndenjes.

Po, do të kishte dritë të mjaftueshme
për të lexuar një libër apo për të shkruar një letër në mesnatë,
dhe nëse do të kishe pirë mjaftueshëm tekila
ti do të arrije të shihje tetë prej tyre duke u endur të shndritshme atje lart.

Por, pa mendoni për dy të dashuruarit në breg të detit,
krahu i tij hedhur rreth shpatullës së saj të zbuluar,
të emocionuar sesa pranë ndiheshin atë natë
ndërsa ai vështronte njërën hënë dhe ajo një tjetër.

Përktheu: Arlinda Guma

Shënim i përkthyeses: Planeti me katër hëna është Jupiteri 

Me Enida Sheshi Haxhin për poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi Enida Sheshi Haxhit të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të do të ndërtohej një analizë në formën e një bisede. Ajo zgjodhi poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos, përkthyer nga Alket Çani. Poezinë mund ta dëgjoni këtu të lexuar nga Suela Bako:

 

    Enida Sheshi Haxhi

Arlinda Guma: Pse zgjodhët Janis Ricos-in dhe pse pikërisht këtë poezi?

Enida Sheshi Haxhi: I lexoj shpesh materialet që botohen ne revisten tuaj, poezitë që zgjidhni dhe përktheni. Pastaj pashë këtë poezi dhe u ndala, sepse më dha ndjesinë e plotësisë, atë përjetim të cilin me sa duket kisha nevojë ta ndieja në atë çast të kohës. Poezinë ”Statujat dhe ne” e kisha lexuar edhe më herët, por kjo s’ka rëndësi sepse sa herë që rilexoj një poezi më ngjan se po e lexoj për herë të parë. Kam lexuar shumë poezi të Ricos-it, të sjella në shqip, prej Romeo Çollakut dhe herë pas here edhe prej jush në revistën ”Defekt- Teknik”. Poezia eksploron një temë që më nxit të reflekoj mbi natyrën e qenies dhe mbi tensionin ndërmjet asaj që është përtej nesh dhe realitetit të brendshëm që na përvijon çdo ditë.

Arlinda Guma: Është e pamundur të përfytyrosh një poezi të Ricos-it pa praninë e statujave. A do të kishte kaq shumë statuja në poezinë e Ricos-it sikur ai të lindte në një vend tjetër dhe jo në Greqi?

Enida Sheshi Haxhi: Janis Ricos, si një poet grek, është padyshim i formësuar nga kultura e tij, e cila është e mbushur me një trashëgimi të pasur të artit klasik dhe mitologjisë. Greqia është e njohur për statujat e saj antike, që përfaqësojnë hyjni, heronj dhe figura mitologjike, dhe që për mijëra vite kanë qenë një simbol i përjetësisë, idealit estetik dhe reflektimit mbi ekzistencën. Këto elemente janë një pjesë e pashmangshme e peizazhit kulturor dhe fizik të Greqisë, dhe është e natyrshme që ato të ndikojnë në imazhet dhe temat e poezisë së tij.
E megjithatë, statujat në poezinë e tij reflektojnë më shumë se kaq, ato janë simbole të përjetësisë, të heshtjes, të frikës, të mungesës së lirisë, indiferencës apo dhe të një lloj qetësie të përjetshme, që mund të ishin zëvendësuar nga simbole të tjera në një kontekst kulturor tjetër.
Megjithatë, esenca e mendimit të tij — reflektimi mbi shpirtin njerëzor dhe ekzistencën njerëzore — do të mbetej e pandryshuar. Uni poetik do të gjente një rrugë për të dalë në dritë, pavarësisht nga peizazhi kulturor.

Arlinda Guma: Fëmijë, na ka bërë të gjithëve përshtypje vështrimi i statujave. Sikur shohin me ngulm në një pikë diçka të jashtëzakonshme, diçka që ne në botën reale nuk arrijmë ta shohim.

Enida Sheshi Haxhi: Kur kam parë për herë të parë një statujë (bustin e një rilindasi në një prej rrugëve të Korçës) ndjeva një përzierje të çuditshme kurioziteti dhe frike. Ajo nuk lëvizte, e megjithatë prania e saj ishte e fuqishme, ndieja sikur më hetonte. Kur sytë e mi u ndeshën me të sajat, i fsheha menjëherë nga frika se mos ajo po e zbulonte frikën time.
Por brenda çdo frike të madhe qëndron fillimi i një kurioziteti edhe më të madh. Ky kuriozitet është forca që i shtyn fëmijët të eksplorojnë Fëmijët nuk e përjetojnë kurrë mërzinë, sepse i qasen botës me një qëndrim kureshtar, duan të hetojnë, të zbulojnë pse-në e gjërave, mekanizmat sekretë që i gjallërojnë.
Kur rritemi, dalëngadalë fillojme ta humbasim shpirtin kureshtar dhe prandaj pushtohemi nga apatia apo plogështia. Në fakt habia nuk buron vetëm nga gjërat e reja apo të pazakonta, por nga mënyra sesi zgjedhim ta shohim botën. Kur ndalemi dhe i japim vetes kohë për të parë thellë, për të pyetur, dhe për të reflektuar, kuptojmë se brenda çdo përvoje, sado e zakonshme të duket, fshihet një univers i tërë që pret të zbulohet. Në fund, është pikërisht ky kapacitet për t’u habitur që na shpëton nga monotonia dhe na rikthen ndjenjën e freskët për jetën edhe në mes të konsumizmit.

Arlinda Guma: Duket sikur poeti xhelozon për faktin se statujat nuk mund të ndiejnë si njerëzit… Duket sikur ai vetë është i lodhur prej këtij procesi të dhimbshëm…

Enida Sheshi Haxhi: Ajo statujë nuk kërkonte asgjë prej tij, prej botës, nuk gjykonte, thjesht ishte aty, në mënyrën e saj të qëndrueshme dhe të pakushtëzuar.
Në këte kuptim është e pamundur të mos ndjesh një lloj pranimi të heshtur – që pavarësisht gjithçkaje që ndryshon, ka gjëra që mbeten, që qëndrojnë, dhe në atë qëndrueshmëri, gjen një lloj ngushëllimi.

Arlinda Guma: Kjo marrëdhënie midis njerëzve dhe statujave sa vjen e bëhet një proces edhe më i largët, i parrokshëm, i pakuptueshëm. Edhe pse ajo vazhdon të ekzistojë, në realitete paralele ndoshta, të cilat ne nuk arrijmë t’i deshifrojmë…

Enida Sheshi Haxhi: Gjithmonë do ndihemi të pakuptuar në botë. Shpesh, edhe mua njerëzit më ngjajnë me statujat: të ftohtë, indiferentë, pa empati.
Nga ana tjetër, ndividit i kërkohet të përshtatet me standarde dhe pritshmëri të caktuara. Njëjtë sikur të jesh para një aparati fotografik ku të kërkohet të marrësh një pozë të caktuar pa të lënë të thuash të vërtetën tënde. Por unë mendoj se janë vetë njerzit që pranojnë të heqin dorë prej individualitetit, duke dëshiruar më shumë sigurinë që ofron konformizmi.
Konformisti “ndjek” për të mos e vrarë mendjen, ai e shmang peshën e mendimit, kurse për individin, mendimi është akti më i lartë i lirisë.

Arlinda Guma: Kam parë gjithmonë një lloj ngjashmërie te poezia e Rreshpjes. Edhe në poezinë e tij prania e statujave është ngado.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo pyetje është vazhdim i pyetjes së mëparshme: ”a do ta përdorte Ricos-i kaq shumë simbolin e statujave nëse nuk do jetonte në Greqi?”
Rreshpja e ka përdorur gjithandej këtë simbol në poezinë e tij edhe pse ka jetuar në nje mjedis të ndryshëm kulturor nga ai i Greqisë. Të dy janë poetë që kane vuajtur pasojat e regjimeve diktatoriale.Të dy kanë shkruar nga brenda qelisë së burgut.
Ky simbol te Rreshpja përkon me ndjenjën e braktisjes, e të mbeturit vetëm në botë, e të qenit i pranishëm dhe i munguar njëkohësisht. Në kontekstin e poezisë së tij, statujat nuk janë thjesht objekte të ngrira, por portrete të shpirtit njerëzor që përpiqet të gjejë kuptim në një botë që mbetet e paqartë dhe e largët. I largët gjendet edhe shpirti i tij i madh, nëmos i pakuptuar, në shoqërinë ku jetoi. Ai frymonte mes statujave që ecnin, që kurrë nuk i treguan dhembshuri, mirëkuptim.

Arlinda Guma: Madje të dy poetët kanë patur një pasion të veçantë për pikturën. Kjo ndihet në krijimtarinë e tyre. Ata vizatojnë skena të gjalla të cilat i nguliten fort lexuesit.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo është aftësia e shkrimtarit të talentuar: mundësia për të pikturuar të padukshmen – të ndjeshmen dhe të thellën, që ndodhet në thellësinë e shpirtit njerëzor. Poezia është një pasqyrë e shpirtit, e cila, përmes fjalëve, pikturon emocionet dhe ndjenjat më të thella që nuk mund të kapen ndryshe. Në çdo vepër artistike ka një shpirt që flet përmes ngjyrave dhe formave. Artisti është ai që kap esencën e shpirtit njerëzor dhe e sjell atë në dritë përmes veprës së tij, duke krijuar një portret që flet për ndjenjat dhe përvojat më të thella, të cilat i ndjen dhe i shikon çdo njeri i zakonshëm, por artisti ka dhuntinë e soditjes. Arshi Pipa te “Domethënia e artit” shprehet kështu: “Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Soditja është perceptim i ç’interesuar. Nga qëndrimi soditës lind Arti.”

Arlinda Guma: Ricos-i ishte i majtë. Por ndryshe nga shumë poezi të poetëve të tjerë bashkëkohës të tij të cilët përfshinë ideologjinë në artin e tyre, në poezitë e tij, edhe në ato më ideologjiket, ka art. Dhe them se kjo e hedh poshtë teorinë se ideologjia e vret artin, siç ndodhi në vendin tonë me poetët e realizmit socialist. Ndoshta e vret vetëm në rastin kur poeti është i patalentuar?… Si e mendoni ju këtë?

Enida Sheshi Haxhi: Më ka ndodhur të kem lexuar letërsi të mirë; edhe nga ajo që është shkruar brenda regjimeve diktatoriale edhe jashtë saj. Kemi shkrimtarë si Solzhenitsyn-i, Pasternak-u, e plot të tjerë që kanë shkruar nën regjime totalitare vepra monumentale duke qenë edhe denoncues të regjimit. Shkrimtari Mo Yan në Kinë nuk i është kundërvënë sistemit por ka prodhuar letërsi të mirë dhe është vlerësuar me çmimin Nobel. Disa vepra të autorëve të tjerë – lënda e parë e të cilëve është marrë në vendin ku kanë jetuar – shpesh i kam parë si arratisje të qëllimshme nga shkakësia, mjaft e kuptueshme në vende ku të gjithë janë çmendur nga frika. Dua të them se përvojat e shkrimtarëve të mëdhenj janë nga më të ndryshmet.
Ne nuk mund ta mohojmë se nën regjime janë shkruar vepra me vlerë por nuk mund të themi që ideologjia nuk e vret letërsinë, artin në përgjithësi, sepse një art ideologjik është jashtë të vërtetave njerëzore.
Një shkrimtar apo artist, vepra e gjithë e të cilit i shërben një ideologjie nuk është më një shkrimtar, një artist, por një propagandues. Mirëpo plot shkrimtarë të tjerë ia dolën dhe e ruajtën integritetin artistik duke transmetuar të vërtetat njerëzore, pavarësisht kufizimeve ideologjike.

Arlinda Guma: Mendoj se Ballkani ka një poezi tronditëse. Disi të shpërfillur prej botës anglishtfolëse.

Enida Sheshi Haxhi: Ndaj të njëjtin mendim. Ndoshta ato që pengojnë janë barrierat gjuhësore. Poezia në Ballkan është shkruar në gjuhë të vogla.
Ndoshta janë edhe kufizimet e medias dhe të publikimit. Botuesit dhe mediat ndërkombëtare shpesh përqendrohen në literatura dhe autorë që janë më të njohur në tregun global, të cilët vijnë nga kultura të mëdha: anglosaksone, frankofone, etj.
Nga ana tjetër në kushtet e teknologjisë së sotme të informacionit, preferencat e lexuesve dhe të kritikëve mund të ndjekin trendet e momentit, dhe kështu poezia nga rajone më pak të njohura mund të mos arrijë të marrë vëmendjen që meriton.
Por përtej këtyre, kam mendimin se letërsia ballkanike shpesh është e ngarkuar me referenca kulturore dhe politike specifike që mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit që nuk janë të njohur me kontekstin historik dhe kulturor të rajonit.
Kjo bën që poezia e Ballkanit ndonjëherë të përballet me sfidën për t’u vlerësuar jashtë kontekstit të saj të veçantë, dhe ndonjëherë përballet me stereotipe e ide të thjeshtuara për rajonin.

Arlinda Guma: Poezia që analizuam ka një qasje të thellë filozofike por, midis një qasjeje filozofike në art dhe një analize akademike të një filozofi të mirëfilltë, ju cilën do të zgjidhnit? (Kam thënë diku se vetë letërsia është një lloj filozofie, më e këndshme dhe më e metabolizueshme se vëllime të tëra studimesh filozofike.)

Enida Sheshi Haxhi: Një vepre artistike i ngrihen vlerat letrare kur ka mendim të thellë filozofik. Të menduarit filozofik mund të shërbejë edhe si një mekanizëm për të zbërthyer enigmën e artit. Çdo lloj arti por dhe letërsia në veçanti do një parapërgatitje që ta përthithësh si duhet, edhe duke qenë lexues i thjeshtë.
Por nëse letërsia prodhon filozofi, nga ana tjetër filozofia nuk prodhon art në mënyrë direkte. Ajo ofron frymëzim dhe kuadër teorik që i ndihmon artistët të zhvillojnë dhe të thellojnë krijimtarinë e tyre, por artin e krijon dhe e shpreh vetë arti.
Letërsia dhe arti janë përtej çdo lloj filozofie, ideologjie. Letërsia eksploron njeriun, si jetë, si shpirt, kurse filozofia si subjekt, si kategori.
Nëse filozofia eshte eksploruese konceptesh përmes arsyetimit, arti nga ana tjetër, është mjeti me të cilin këto koncepte bëhen të dukshme përmes perceptimit, ndjeshmërisë.
Prej artit, letërsisë, shprehjes artistike lindin koncepte dhe ide të reja, që zgjerojnë edhe kufijtë e mendimit filozofik.

Arlinda Guma: Ju falënderoj që u bëtë pjesë e kësaj rubrike!

Enida Sheshi Haxhi: Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të folur për letërsinë në një kohë kur shumë e shpërfillin.

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

Nga të gjitha pyetjet që ju mund të doni të bëni mbi engjëjt,
e vetmja që e dëgjoni përherë është
se sa prej tyre mund të vallëzojnë mbi kokën e një gjilpëre.

Asnjë kureshti për mënyrën sesi e kalojnë ata kohën e përjetshme
përveç rrotullimit të Fronit duke kënduar psalmet në latinisht
ose duke i dorëzuar një kore buke një vetmitari në tokë
apo duke udhëhequr një djalë dhe një vajzë nëpër një urë druri të kalbur.

A fluturojnë ata përmes trupit të Zotit dhe a dalin duke kënduar?
A përkunden si fëmijët nga menteshat e botës shpirtërore, duke i thënë emrat e tyre parsh dhe mbrapsht?
A ulen ata të vetëm në kopshte të vogla duke ndryshuar ngjyrat?

Po për zakonet e tyre të gjumit, për pëlhurën e rrobave të tyre,
për dietën e tyre prej drite hyjnore të pafiltruar?
Çfarë ndodh brenda kokave të tyre të ndritshme?
A ka ndonjë mur përmes të cilit këto prani të gjata mund të shohin ferrin?

Nëse një engjëll do të binte nga një re,
a do të linte ai një vrimë në një lumë
dhe vrima do të lundronte pafundësisht
mbushur me shkronjat e heshtura të çdo fjale engjëllore?

Nëse një engjëll do të dërgonte postën,
a do të mbërrinte ai me një ngut verbues krahësh
apo thjesht do të merrte pamjen e postierit të rregullt
dhe do të fërshëllente rruginave duke lexuar kartolinat?

Jo, teologët mesjetarë kontrollojnë oborrin. Pyetja e vetme që ju dëgjoni pëherë është pista e vogël e vallëzimit mbi kokën e një gjilpëre
ku kurorëzat e dritës janë të destinuara të takohen dhe të lëvizin në mënyrë të padukshme.

E krijuar për të na bërë të mendojmë në miliona, në miliarda,
të na mbarojnë numrat dhe të shembemi në pafundësi,
por ndoshta përgjigjjia është thjesht një:
një engjëll femër që kërcen e vetme me këmbët me çorape,
një kombinim i vogël xhazi që vepron në sfond.

Ajo lëkundet si një degë nëpër erë,
me sytë e saj të bukur të mbyllur
dhe basisti i gjatë e i hollë përkulet të shohë orën
sepse ajo ka qenë duke kërcyer gjatë gjithë kohës
dhe tani ka shkuar shumë vonë, madje edhe për muzikantët.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Arti dhe tensioni i krijimit – një reflektim mbi këndvështrimin e Albert Kamysë/Enida Sheshi Haxhi

in Esé/Filozofi by

Ndoshta madhështia e artit qëndron në tensionin e përhershëm midis bukurisë dhe dhimbjes, midis dashurisë së njerëzve dhe çmendurisë së krijimit, midis vetmisë së padurueshme dhe turmës rraskapitëse, midis refuzimit dhe pranimit… Në kreshtën ku artisti i madh ecën përpara, çdo hap. është një aventurë, është një rrezik ekstrem. Megjithatë, pikërisht në këtë rrezik dhe vetëm aty, qëndron liria e artit.

Albert Kamy

   Enida Sheshi Haxhi

Arti ka qenë gjithmonë një fushë betejë mes dritës dhe errësirës, një fushë në të cilën artisti detyrohet të ecë mbi kreshtën e një shpate të mprehtë. Ky tension, ky kontrast i thellë midis bukurisë dhe dhimbjes, midis vetmisë dhe shoqërisë, midis krijimit dhe çmendurisë, është pikërisht ajo që bën artin të jetë i madh, dhe që e shtyn artistin në kërkim të një lirie të përhershme e të paarritshme.

Madhështia e artit qëndron në faktin se ai nuk është asnjëherë një qetësi apo një siguri; përkundrazi, ai është një tension i përhershëm që e detyron artistin të kërkojë një ekuilibër të pamundur midis këtyre forcave kontradiktore. Për Albert Kamynë, si për shumë të tjerë, ky tension është një reflektim i natyrës ekzistenciale të jetës. Arti është një pasqyrë e vuajtjeve dhe e gëzimeve të njerëzimit, një udhëtim në kërkim të kuptimit në një botë që shpesh duket absurde.

Në këtë udhëtim, artisti përballet me dy lloje të vetmisë: vetminë e thellë të krijimit dhe vetminë e të qenit i pakuptuar nga të tjerët. Kjo vetmi është një barrë e rëndë për t’u mbajtur, por në të njëjtën kohë është ajo që e shtyn artistin të krijojë. Vetëm duke u përballur me këtë vetmi dhe duke e pranuar atë, artisti mund të arrijë lirinë e vërtetë artistike. Në një botë ku gjithçka duket të jetë kundër tij, artisti duhet të gjejë forca për të vazhduar përpara, për të kërkuar një të vërtetë që është vetëm e tij.

Por ky kërkim i së vërtetës nuk është pa rrezik. Çdo hap që artisti hedh është një aventurë, një rrezik ekstrem që mund ta çojë atë në një thellësi të re të kuptimit ose në një humnerë të errët të dëshpërimit. Por pikërisht në këtë rrezik, në këtë betejë me të panjohurën, qëndron liria e artit. Pa këtë rrezik, pa këtë tension të përhershëm, arti nuk do të ishte asgjë më shumë se një dekor i bukur pa ndonjë kuptim të vërtetë.

Liria e artit nuk është një liri nga vuajtja apo nga dhimbja, por një liri përmes tyre. Për Kamynë kjo liri është një formë e revoltës kundër absurditetit të jetës, një mënyrë për të gjetur kuptimin në një botë që shpesh duket të mos ketë asnjë. Dhe kështu, artisti ecën përpara, i shtyrë nga një dëshirë e brendshme për të krijuar, për të gjetur bukurinë në mes të kaosit dhe për ta ndarë këtë bukuri me të tjerët.

Në fund, ndoshta kjo është madhështia e vërtetë e artit: aftësia për të kapur tensionin e përhershëm midis dy ekstremeve, për të gjetur bukurinë në mes të dhimbjes dhe për të krijuar kuptim në një botë që shpesh duket e pakuptimtë. Ky është arti i vërtetë, dhe kjo është liria që ai na ofron – një liri që vjen jo nga shmangia e rrezikut, por nga përballja me të, nga ecja në kreshtën e asaj shpate të mprehtë që ndan bukurinë nga dhimbja, jetën nga vdekja, dhe kuptimin nga absurditeti.

Një gusht si grusht-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Një gusht si grusht-Sueton Zhugri

Skelet i një dinosauri resh
Gjak blu terur në të bardha
Qen i një rrace jonjerëzore…

O gusht si grusht

Në këtë pafundësi,
Pse jeta më rri kaq ngusht’

13.8.2024

Dashuria-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dashuria-Billy Collins

Djali në skajin më të largët të vagonit të trenit
vazhdonte ta kthente kokën pas
sikur të kishte frikë apo sikur të priste dikë

dhe pastaj, ja ku ishte ajo, te dera prej xhami e vagonit,
e ai u ngrit, hapi derën dhe e ndihmoi të hynte

dhe ajo hyri në vagon duke mbartur një kuti të madhe të zezë
në formën e pagabueshme të violinçelit.

Ajo ishte si një engjëll me ballë të lartë
e sy të zymtë
dhe flokët i kishte lidhur pas qafës me një fjongo të zezë.

E për shkak të gjithë kësaj,
ai dukej paksa në siklet
pse ishte i lumtur që po e shihte,

ndërkohë që ajo ishte thjesht aty,
duke ekzistuar përsosmërisht
si një krijesë me fytyrë të butë që i binte violinçelit.

Dhe arsyeja pse unë po i shkruaj këto
në anën e pasme të një zarfi të rëndomtë
tani që ata dolën nga treni së bashku

është për t’ju treguar se kur ajo u kthye për të marrë violinçelin e madh, delikat
në raftin e sipërm,

pashë djalin teksa e vështronte;
atë, veprimet e saj
në të njëjten mënyrë sesi janë pikturuar sytë e shenjtorëve

kur ata shohin nga Zoti
kur ai është duke bërë diçka të jashtëzakonshme,
diçka që e identifikon si Zot.

Përktheu: Arlinda Guma

Piktura: “Portret muzikanteje” nga Chen Yifei

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

I ZËMËRUARI I PËRJETSHËM/Visar Zhiti

in Letërsi/Tirana Review by

ME KASEM TREBESHINËN
PAS ÇDO DATËLINDJEJE…

Visar Zhiti

 Ç’do të themi për shkrimtarin Kasëm Trebeshina?  Kështu kisha pyetur një ditë pas një datëlindjeje të tij… që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?
Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani?…
Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

… Po sjell më poshtë një shkrim timin, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri për Kasëm Trebeshinën, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe zherrnajës, që gjithsesi doli…
Është datëlindja e 98-të e tij, kur ai s’është më që prej 7 vjetësh…

DIMË QË DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

1.

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes.
Një ditë pas datëlindjeve të Kasëm Trebeshinës ç’do të mund të thuhet? Për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?
Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, atë të lirisë së vërtetë dhe të të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmëperëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjëra më të pakta në dukje, frikëra të ndryshme dhe uri, por dhe kërcënimet, një hetues, gardian, e gjykatës, por mbi të gjitha dashuria, siperania, dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.
Tani shkrimtari vërtetë është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, tashmë dhe i ikur, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit a është fantazmë, po ç’bëjnë librat e tij, kur Trebeshina shumicën e dorëshkrimeve e ka të pabotuar, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëmin sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet sesa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

2.

PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ia bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij, që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë sesa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij me të parët e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën e shtetit të tij dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por humbës asnjëherë, ama. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke iu bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere:

“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.”
(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndier keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.
Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.
Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit ka rëndësi në këtë rast dhe realiteti joletrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kushtëzuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.
Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në njëfarë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.
Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

KADARE DHE TREBESHINA,
TREBESHINA DHE KADARE.

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë na duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare.
Do të duhej të ndalej pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe për të trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim edhe partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonin ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letrave shqipe, iluzioneve dhe kompromisit, gabimeve dhe harrimeve. Shpresoj që as dhe letërsisë.

Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letrave, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete,të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe krijuesit e tij. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.

Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më. Sepse ka veprën…
Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.

E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.
Sa më larg zilive Lidhjes, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

EMBLEMATIKU

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditshme.
Që e gjitha të shndërrohet në letërsi dhe art.

Këshilla për shkrimin nga Virginia Woolf

in Letërsi by

Virginia Woolf

Për të shkruar një roman, filloni me personazhin:

Unë besoj se të gjithë romanet fillojnë me një plakë në qoshkun përballë. Unë besoj se të gjithë romanet, bie fjala, kanë të bëjnë me karakterin dhe se ai është aty për ta shprehur veten – jo për të predikuar doktrina, për të kënduar këngë apo për të festuar lavditë e Perandorisë Britanike – se forma e romanit aq kaba, aq fjalëshumë, dhe jodramatike, aq e pasur, elastike dhe e gjallë, ka evoluar.

– Nga eseja “Zoti Bennet dhe Zonja Brown”, 1924.

Lexoni sa më shumë që të mundeni – dhe më pas shkruani për dikë tjetër përveç vetes:

Arti i të shkruarit, dhe ndoshta kjo është ajo që pakënaqësia ime nënkupton me “bukuri”, arti i të qenit gati në çdo kohë dhe i kërkimit të çdo fjale në gjuhë, i njohjes së peshës, ngjyrave, tingujve, ndërlidhjeve të tyre, për t’i bërë kështu ato, ashtu siç është kaq e nevojshme në anglisht, të tregojnë më shumë sesa ato mund të shprehin, sigurisht që mund të mësohet deri diku duke lexuar – është e pamundur të lexoni shumë; por në mënyrë shumë më drastike dhe efektive duke përfytyruar se nuk je ti por dikush tjetër. Si mund të mësoni të shkruani nëse shkruani vetëm për një person të vetëm?

 – Nga “Letër një poeti të ri”, 1932.

Gjeni gjuhën e përbashkët me lexuesin:

Si në jetë ashtu edhe në letërsi është e nevojshme të kesh disa mjete për të kapërcyer hendekun midis zonjës së shtëpisë dhe të ftuarit të saj të panjohur nga njëra anë, shkrimtarit dhe lexuesit të tij të panjohur nga ana tjetër. Mikpritësja mendon për motin, për gjenerata të tëra zonjash që kanë vërtetuar faktin se kjo është një temë me interes universal në të cilën ne të gjithë besojmë. Ajo fillon duke thënë se po kalojmë një maj të mjerë dhe, pasi bie në kontakt me të ftuarin e saj të panjohur, vazhdon me çështje me interes më të madh. Kështu ndodh edhe në letërsi. Shkrimtari duhet të hyjë në kontakt me lexuesin e tij duke i vënë para diçka që ai e njeh, e cila, për rrjedhojë, stimulon imagjinatën e tij dhe e bën të gatshëm për të bashkëpunuar në çështjen shumë më të vështirë të intimitetit. Dhe është shumë e rëndësishme që ky vend takimi i përbashkët të arrihet lehtësisht, pothuajse instinktivisht, në errësirë, me sytë mbyllur.

Nga eseja “Z. Bennet dhe Zonja Brown”, 1924.

Mësoni të luani me gjuhën, në kërkim të së vërtetës dhe bukurisë:

Fjalët, fjalët angleze, janë plot jehona, kujtime, ndëlidhje – natyrisht. Ato kanë qenë rreth e rrotull, në buzët e njerëzve, në shtëpitë e tyre, në rrugë, në fusha, për kaq shumë shekuj. Dhe kjo është një nga vështirësitë kryesore për t’i shkruar ato sot – se ato janë aq të ruajtura me kuptime, me kujtime, sa kanë lidhur kaq shumë martesa të famshme. Fjala e mrekullueshme “incarnadine”, për shembull – kush mund ta përdorë atë pa kujtuar gjithashtu “dete të morishëm”? Në kohët e vjetra, natyrisht, atëherë kur anglishtja ishte një gjuhë e re, shkrimtarët mund të shpiknin fjalë të reja dhe t’i përdornin ato. Në ditët e sotme është mjaft e lehtë të shpikësh fjalë të reja – ato vijnë në buzë sa herë që shohim një pamje të re ose sa herë që provojmë një ndjesi të re – por ne nuk mund t’i përdorim ato sepse gjuha është e vjetër. Ju nuk mund të përdorni një fjalë krejt të re në një gjuhë të vjetër për shkak të faktit shumë të qartë por misterioz se një fjalë nuk është një entitet i vetëm dhe i veçantë, por pjesë e fjalëve të tjera. Nuk është me të vërtetë një fjalë derisa të jetë pjesë e një fjalie. Fjalët i përkasin njëra-tjetrës, megjithëse, natyrisht, vetëm një shkrimtar i madh e di se fjala “incarnadine” u përket “deteve të morishëm”. Të kombinosh fjalë të reja me fjalë të vjetra është fatale për ndërtimin e fjalisë. Për të përdorur siç duhet fjalët e reja, duhet të shpikni një gjuhë të re; dhe kjo, edhe pse padyshim që do t’ia arrijmë, tani për tani nuk është puna jonë. Detyra jonë është të shohim se çfarë mund të bëjmë me gjuhën angleze ashtu siç ajo është. Si mund t’i kombinojmë fjalët e vjetra në renditje të reja në mënyrë që ato të mbijetojnë, të krijojnë bukuri, të thonë të vërtetën? Kjo është pyetja.

Nga “Zotëri”, një ese e dhënë si një leksion në BBC, 20 prill 1937.

Konventa Buck:

Shkrimtarët e mirë përpiqen t’i afrohen jetës dhe të ruajnë më sinqerisht dhe saktësisht atë që i intereson dhe që i ngacmon, edhe nëse për ta bërë këtë ata duhet të flakin shumicën e konventave që respektohen zakonisht nga romancierët. Le t’i regjistrojmë atomet teksa vijnë në mendje sipas radhës, le të gjurmojmë modelin, sado të shkëputur dhe jokoherent në pamje, të cilin çdo pamje ose incident e shënon në ndërgjegje. Le të mos e marrim si të mirëqenë se jeta ekziston më plotësisht në atë që zakonisht mendohet e madhe sesa në atë që zakonisht mendohet e vogël.

Nga eseja “Fikshëni modern”.

Përdorni ritmin për ta kuptuar botën:

Mblidheni të gjithë guximin tuaj, ushtrojeni gjithë vigjilencën tuaj, thërrisni të gjitha dhuratat që Natyra është detyruar të dhurojë. Më pas, lëreni sensin tuaj ritmik të rrjedhë brenda dhe jashtë mes burrave dhe grave, omnibusëve, harabelave-çfarëdo që të vijë përgjatë rrugës, derisa ai t’i bashkojë në një tërësi harmonike. Kjo ndoshta është detyra [e shkrimtarit]—të gjejë lidhjen midis gjërave që duken të papajtueshme, por që kanë një afinitet misterioz, të përthithë çdo përvojë që vjen në rrugën tënde pa frikë dhe të ngopet plotësisht, në mënyrë që poezia jote të jetë një e tërë, jo një fragment; ta rimendoni jetën njerëzore në poezi dhe kështu të na jepni përsëri tragjedinë dhe komedinë me anë të personazheve që nuk janë gërshetuar gjatë sipas mënyrës së romancierit, por të ngjeshur dhe të sintetizuar sipas mënyrës së poetit – kjo është ajo që presim të bëni tani. Por meqenëse unë nuk e di se çfarë dua të them me ritëm dhe as se çfarë dua të them me jetë, dhe me siguri nuk mund t’ju them se cilat objekte mund të kombinohen siç duhet së bashku në një poezi – kjo është tërësisht çështja juaj – dhe për këtë arsye nuk e them dot sesi duhet t’i modifikoni dhe të zgjeroni ritet dhe ceremonitë e artit tuaj të lashtë dhe misterioz – unë do të kaloj në terren më të sigurt dhe do t’u drejtohem vetë këtyre librave të vegjël.

Nga “Letër një poeti të ri”, 1932.

Harrojeni metodologjinë; bëni atë që funksionon për ju:

Sidoqoftë është gabim të qëndrosh jashtë shqyrtimit të “metodave”. Çdo metodë është e drejtë, gjë që shpreh atë që duam të shprehim, nëse jemi shkrimtarë; që na afron me synimin e romancierit, nëse jemi lexues. . . nuk ka kufi për horizontin. . . asgjë – asnjë ‘metodë”, asnjë eksperiment, qoftë edhe nga më të egrit – nuk është i ndaluar, por vetëm falsiteti dhe pretendimi. “Gjërat e duhura të fikshënit” nuk ekzistojnë; çdo gjë është materiali i duhur i fikshënit, çdo ndjenjë, çdo mendim; çdo cilësi e trurit dhe e shpirtit është mbështetur mbi të, asnjë perceptim nuk vjen gabim.

Nga eseja “Fikshëni modern”.

Mos e merrni veten shumë seriozisht:

Për herë të parë në histori ka lexues – një numër i madh njerëzish, të zënë me biznes, me sport, me kujdesin ndaj gjyshërve të tyre – të gjithë lexojnë tani; dhe duan që t’u thuhet sesi të lexojnë dhe çfarë të lexojnë; dhe mësuesit e tyre – recensentët, lektorët, transmetuesit – duhet në mbarë njerëzimin ta bëjnë të lehtë leximin për ta; sigurojini se letërsia është e dhunshme dhe emocionuese, plot heronj dhe zuzarë; me forca armiqësore në konflikt të përhershëm; me fusha të spërkatura me kocka; me fitimtarë të vetmuar që hipin mbi kuaj të bardhë të mbështjellë me mantele të zinj me vdekjen që i pret në kthesë të rrugës. Një e shtënë pistolete dëgjohet. “Epoka e romancës kishte mbaruar. Epoka e realizmit kishte filluar” – ju e dini këtë gjë. Tani sigurisht vetë shkrimtarët e dinë shumë mirë se nuk ka asnjë fjalë të vërtetë në të gjithë këtë – nuk ka beteja, as vrasje, as disfata dhe as fitore. Por meqenëse është me rëndësi të madhe që lexuesit të argëtohen, shkrimtarët e pranojnë. Ata e veshin veten. Ata luajnë pjesët e tyre. Njëra udhëheq; tjetra pason. Njëra është romantike, tjetra realiste. Njëra është e avancuar, tjetra e vjetëruar. Nuk ka asnjë të keqe, përderisa e merrni si shaka, por sapo të besoni në të, sapo filloni ta merrni veten seriozisht si lider ose si ndjekës, si modern ose si konservator, atëherë bëheni një kafshë e vogël e vetëdijshme, që kafshon dhe gërvisht, puna e së cilës nuk ka as vlerën apo rëndësinë më të vogël për askënd. Mendojeni veten më tepër si diçka shumë më të përulur dhe më pak spektakolare, por për mendimin tim, shumë më interesante – një poet në të cilin jetojnë të gjithë poetët e së shkuarës, nga i cili do të dalin të gjithë poetët e kohës së ardhshme. Ju keni një prekje të Chaucer-it brenda vetes dhe diçka të Shekspirit; Dryden-it, Pope-t, Tennyson-it – për të përmendur vetëm të respektuarit midis paraardhësve tuaj – përziejeni gjakun tuaj dhe ndonjëherë lëvizni stilolapsin pak djathtas apo majtas. Me pak fjalë, ju jeni një personazh jashtëzakonisht i lashtë, kompleks dhe i vazhdueshëm, për këtë arsye, ju lutem trajtojeni veten me respekt dhe mendoni dy herë përpara se të visheni si Guy Fawkes dhe t’u dilni plakave të ndrojtura në cepat e rrugëve, duke i kërcënuar me vdekje dhe duke u kërkuar dy peni…

Nga “Letër një poeti të ri”, 1932″.

Por merrni seriozisht letërsinë:

Në Angli, sido që të jetë, romani nuk është një vepër arti. Askush nuk mund të qëndrojë pranë Luftës dhe Paqes, Vëllezërve Karamazov apo kërkim të kohës së humbur. Por ndërkohë që ne e pranojmë faktin, nuk mund të ndrydhim një hamendësim të fundit. Në Francë dhe Rusi e marrin seriozisht fikshënin. Floberi kalon një muaj duke kërkuar një frazë për të përshkruar një lakër. Tolstoi e shkruan “Lufta dhe Paqja” shtatë herë. Fakti i epërsisë së tyre mund të jetë për shkak të dhimbjeve që ata marrin, diçka nga ashpërsia me të cilën gjykohen. Nëse kritiku anglez do të ishte më pak i brendshëm, më pak i zellshëm për të mbrojtur të drejtat e asaj që atij i pëlqen ta quajë jetë, romancieri mund të ishte gjithashtu më i guximshëm. Ai mund të largohet nga tryeza e përjetshme e çajit dhe nga formulat e besueshme e absurde që supozohet se përfaqësojnë të gjithë aventurën tonë njerëzore. Por atëherë historia mund të lëkundet; ploti mund të shkërmoqet; rrënojat mund t’i mbulojnë personazhet. Me pak fjalë, romani mund të bëhet një vepër arti.

Nga “Arti i Fikshënit”, një përgjigje ndaj aspekteve të romanit të E.M. Forster-it, 1927.

Mos nxitoni të botoheni:

Për hir të qiellit, mos botoni asgjë para se të mbërrini te të tridhjetat. Kjo, jam e sigurt, ka një rëndësi shumë të madhe. Shumica e gabimeve në poezitë që kam lexuar mund të shpjegohen, mendoj, me faktin se ata janë ekspozuar ndaj dritës së egër të publicitetit kur ishin ende shumë të vegjël për ta përballuar peshën. Ajo i ka ngjeshur në një ashpërsi skeletore, emocionale dhe verbale, që nuk duhet të jetë karakteristikë e rinisë. Poeti shkruan shumë mirë; ai shkruan për syrin e një publiku të ashpër dhe inteligjent; por sa më mirë do të kishte shkruar nëse për dhjetë vjet nuk do të kishte shkruar për asnjë sy, por vetëm për të vetin! Në fund të fundit, vitet nga njëzet deri në tridhjetë janë vite (më lejoni t’i referohem përsëri letrës suaj) eksitimi emocional. Shiu që pikon, një krah që vezullon, dikush kalon – tingujt dhe pamjet më të zakonshme kanë fuqinë të flasin, siç duket se kujtoj, nga lartësitë e rrëmbimit në thellësitë e dëshpërimit. Dhe nëse jeta aktuale është kështu ekstreme, jeta vizionare duhet të jetë e lirë për t’u ndjekur. Shkruaj atëherë, tani që je i ri, budallallëqe. Bëhu budalla, ji sentimental, imito Shelley-n, imito Samuel Smiles-in; ngajani frerin çdo impulsi; kryeni çdo gabim të stilit, gramatikës, shijes dhe sintaksës; derdhni jashtë; rrëzohuni; zemërim i lirë, dashuri, satirë, me çfarëdo lloj fjale që mund të kapësh, të detyrosh apo krijosh, në çfarëdo lloj gjinie, prozë, poezi apo dërdëllitje që të vjen në dorë. Kështu do të mësoni të shkruani. Por nëse publikoni, liria juaj do të kontrollohet; do të mendoni se çfarë do të thonë njerëzit; ju do të shkruani për të tjerët kur duhet të shkruani vetëm për veten tuaj. Dhe çfarë kuptimi mund të ketë në frenimin e përroit të egër të marrëzive spontane, i cili është tani, për pak vite vetëm, dhurata juaj hyjnore për të botuar libra të vegjël me vargje eksperimentale? Të bësh pará? Kjo, të dy e dimë, nuk bëhet fjalë. Për të marrë kritika? Por ju miq do t’i mbushni dorëshkrimet tuaja me kritika shumë më serioze dhe kërkuese se çfarëdo që do të merrni nga recensentët. Për sa i përket famës, shikoni, ju përgjërohem, njerëzit e famshëm; shikoni sesi ujërat e mërzisë përhapen rreth tyre; vëzhgoni pompozitetin e tyre, ajrin e tyre profetik; reflektoni se poetët më të mëdhenj ishin anonimë; mendoni sesi Shekspirit nuk i interesonte asgjë në lidhje me famën; si Donne i hodhi poezitë në koshin e letrës së mbeturinave; shkruani një esé duke dhënë një shembull të vetëm të çdo shkrimtari modern anglez që u ka mbijetuar dishepujve dhe admiruesve, gjuetarëve të autografeve dhe intervistuesve, darkave dhe drekave, festimeve dhe përkujtimeve me të cilat shoqëria angleze në mënyrë efektive ndalon gojën e saj. këngëtarët dhe i hesht këngët e tyre.

Nga “Letër një poeti të ri”, 1932.

Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme: gjeni një dhomë tuajën:

Titulli gratë dhe fikshëni mund të nënkuptojë, dhe ju mund ta keni menduar, gratë dhe si janë ato, ose mund të nënkuptojë gratë dhe fikshënin që ato shkruajnë; ose mund të nënkuptojë gratë dhe fikshënin që shkruhet për to, ose mund të nënkuptojë që në njëfarë mënyre të trija janë të përziera në mënyrë të pandashme së bashku dhe ju dëshironi që unë t’i shoh ato në atë dritë. Por kur fillova ta shqyrtoja temën në këtë mënyrë të fundit, që dukej më interesante, shpejt pashë se kishte një pengesë fatale. Nuk duhet të arrij kurrë në një përfundim. Unë nuk duhet të arrij kurrë të përmbush atë që është, e kuptoj, detyra e parë e një pedagogu për t’ju dorëzuar pas një fjalimi një orësh një copë të vërtete të pastër për ta mbështjellë midis faqeve të fletoreve tuaja dhe për ta mbajtur përgjithmonë në kornizë. Gjithçka që mund të bëja ishte që t’ju ofroja një mendim për një pikë të vogël – një grua duhet të ketë pará dhe një dhomë të sajën nëse do të shkruajë fikshën dhe kjo, siç do ta shihni, e lë të pazgjidhur problemin e madh të natyrës së vërtetë të gruas dhe të natyrës së vërtetë të fikshën-it. Unë e kam shmangur detyrën për të arritur në një përfundim për këto dy pyetje – për sa më përket mua, gratë dhe fikshëni mbeten probleme të pazgjidhura.

Nga “Një dhomë më vete”, 1929

Përktheu: Arlinda Guma

Kapelja me qirinj-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kapelja me qirinj-Billy Collins

Në shumicën e autoportreteve është fytyra ajo që dominon:
Cezanne është një palë sy që notojnë në penelata,
Van Gogh-u sheh ngultas nga një aureolë errësire që vorbullon,
Rembrant-i duket i lehtësuar, sikur të jetë duke marrë frymë nga piktura “Verbimi i Samson”-it.

Por në këtë pikturë, Goya qëndron shumë larg nga pasqyra
dhe shihet të pozojë në rrëmujën e studios
duke iu drejtuar një kanavace të anuar mbrapa në një kavalet të lartë.

Ai duket sikur po na buzëqesh, sikur ta dinte që ne do të habiteshim me kapelen e tij të jashtëzakonshme në kokë
e cila është mbushur anëve rreth e rrotull me qirinj,
një mjet që e ndihmonte të punonte gjatë natës.

Ju vetëm sa mund të pyesni veten sesi do të ishte të kishe një llambadar të tillë në kokë
sikur të ishe një dhomë ngrënieje që ecte apo një sallë koncertesh.

Por, sapo ta shihni këtë kapele nuk është e nevojshme të lexoni ndonjë biografi të Goya-s
apo të mbani mend të dhënat e tij.

Për të kuptuar Goya-n, ju duhet vetëm ta përfytyroni atë
duke ndezur qirinjtë një e nga një,
e më pas duke vënë kapelen në kokë, gati për një natë pune.

Ta përfytyoni sesi e befason bashkëshorten me shpikjen e tij të re,
duke qeshur si një tortë ditëlindjeje në çastin kur ajo do të shihte ndiçimin.

Ta përfytyroni duke regëtirë nëpër dhomat e shtëpisë së tij
me të gjitha hijet që fluturonin nëpër mure.

Të përfytyroni një udhëtar që ka humbur rrugën, duke trokitur në portën e tij një natë të errët, në vendin kodrinor të Spanjës.
“Hyni brenda,” do të thoshte ai, “Unë… ja… po pikturoja veten”,
ndërsa do të rrinte në këmbë në prag të portës me një furçë në dorë,
i ndriçuar në flakërimën e kapeles së tij të famshme me qirinj.

Përktheu: Arlinda Guma

P0ezia e lexuar nga Arlinda Guma:

1 24 25 26 27 28 190
Go to Top