Kishte ardhur koha që të tregoja historinë tonë/Jenny Erpenbeck flet për librin “Kairos”, fituesin e çmimit International Booker

in Letërsi by

Lisa Allardice

“Çfarë është një “no-brainer?” pyet romancierja gjermane Jenny Erpenbeck përkthyesin Michael Hofmann. Është mëngjesi pasi atyre u është dhënë bashkarisht çmimi International Booker dhe Hofmann-i sapo e ka përdorur shprehjen për të përshkruar vendimin e jurisë për t’i dhënë çmimin e këtij viti romanit të fundit të Erpenbeck-ut, “Kairos”, të cilin e ka përkthyer Hofmann-i.
Por romani nuk ishte aq “no-brainer” atje në atdhe, ku, pavarësisht se Erpenbeck-u është një nga romancieret më të famshme të Gjermanisë, “Kairos” nuk u shfaq në listën e asnjërit prej çmimeve letrare më prestigjioze të vendit.
Tani Erpenbeck-u është bërë autorja e parë gjermane që fiton çmimin International Booker qysh kur ky i fundit u krijua gati një dekadë më parë, duke e hedhur botën e botuesve gjermanë në një karusel. “Ata janë paksa në panik,” qesh ajo.
57-vjeçarja ka shkruar vetëm katër romane, duke filluar me debutimin e saj të mirënjohur “Visitation” në vitin 2010 (të gjithë janë përkthyer në anglisht). Ende emri i saj shfaqet në mënyrë rutinore kur vjen koha e Nobel-it, dhe New York Times-i së fundmi e përshkroi atë si “ndër romancieret më të sofistikuara dhe më të fuqishme që kemi”.
Romani i saj i dytë, “The End of Days“, i cili flet për një grua hebreje të lindur në Galicia në vitin 1900, fitoi Independent Foreign Fiction Prize në vitin 2015. Romani i tretë i saj, “Go, Went, Gone”, i cili tregon historitë e një grupi refugjatësh afrikanë në Berlin. ishte në listë për çmimin International Booker në vitin 2017.
Puna e saj përfshin gjithashtu tregime, drama dhe nonfiction.
Hofmann-i është në mënyrë të ngjashme një nga figurat e letërsisë më me ndikim të Gjermanisë: poet dhe kritik (i njohur për punët e tij elegante), si dhe një përkthyes i jashtëzakonshëm.
Por kjo është hera e parë që ai punon me Erpenbeck-un. “Kam qenë kryesisht përkthyesi i klasikëve gjermanë të shekullit të 20-të,” thotë ai. Me leximin e parë të “Kairos”, atij iu duk “një libër krejtësisht i mahnitshëm, i parezistueshëm. I parezistueshëm dhe gjithashtu i paparashikueshëm.”
“Kairos” rrëfen një lidhje të stuhishme (sot do të quhej “toksike”) midis një gruaje 19-vjeçare, Katherina-s, dhe një shkrimtari e prezantuesi radioje të martuar, Hans-it, i cili është 34 vjet më i madh se ajo. Pjesa më e madhe e romanit të paktë në sasi faqesh është vendosur në Berlinin Lindor midis viteve 1988 dhe 1992, megjithëse historia ka skena bashkëkohore të cilat shpërthejnë gjithçka në mes. “Nga njëra anë është një histori dashurie, nga ana tjetër është një histori politike”, shpjegon Erpenbeck-u. “Unë u përpoqa që t’i lija ata të flisnin me njëri-tjetrin, për të ndërthurur ngjarjet historike me një histori private problematike dashurie.”
“Nëse doni një version shumë të shkurtër, – ndërhyn Hofmann-i. “Është një libër për vështirësitë. I vendosur përkundër ditëve të fundit të ëndrrës komuniste gjermane, afera e cila fillon me aq zjarr bëhet abuzive, duke u shndërruar në dhunë, mizori dhe survejim ndërsa Hans-i bëhet gjithmonë e më shumë xheloz dhe kontrollues.
Nuk është çudi që romani është konsideruar gjerësisht si një alegori e rënies së Gjermanisë Lindore. “Unë mendoj se fjala alegori është katastrofike për librin, sepse ti mendon se një parti do të jetë një gjë dhe del se është diçka tjetër,” thotë Hofmann-i. “Një mënyrë më e saktë për ta përshkruar do të ishte më shumë si ndërthurja e personales dhe e politikes.”
Erpenbeck-u filloi ta shkruante romanin pasi u shua zhurma e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989. “Ajo që përpiqesh të bësh si shkrimtare është që të largohesh gjithmonë nga pamja, të kryesh shkrimin tënd paqësor”, thotë ajo. “Të shkruarit ka të bëjë shumë me emocionet, por edhe me historinë personale. Reflektimi është një proces, nuk bëhet shpejt. Nëse shkruan për diçka, ti i shikoni gjërat në një mënyrë të ndryshme nga atëherë kur thjesht po i përjeton.”
Projekti i Erpenbeck-ut, gjatë një karriere që përfshin 25 vjet, ka qenë të hidhte një dritë të re mbi shekullin e shkuar apo në historinë gjermane. Te “Kairos”, ajo donte t’i jepte zë popullit të Gjermanisë Lindore, vendi i të cilit humbi. “Në botën anglishtfolëse njerëzit janë shumë të interesuar për të marrë një pasqyrë më të thellë në rrëfimet; një nevojë për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi,” thotë ajo.
“Edhe në Gjermani historitë e Gjermanisë Lindore nuk janë të përfaqësuara aq sa duhet,” pajtohet Hofmann-i. “Ka një lloj ndjesie se ne kemi mbaruar punë me Lindjen. Lindja nuk është interesante. Unë jam vetë gjermano-lindor dhe kjo më duket e pakuptimtë. “Kairos” është një libër jashtë kohës. Duhet kohë për të asimiluar gjërat, për t’i kuptuar ato, për të qenë gati për të folur për to.
Fillimisht Erpenbeck-u nisi të shkruante një libër për epokën që nuk e përfshinte Stasin – megjithëse në mënyrë të pashmangshme ai rrekej të hynte. “Mendova se e vetmja gjë që njerëzit dinë për Gjermaninë Lindore është Stasi dhe se kishte një mur. Dhe kjo ishte e gjitha. Sepse ata panë “The Lives of Others”  dhe pak a shumë kjo është gjithçka që dinë. Unē doja të shtoja diçka në kuadro.”
Ajo gjithashtu duhej ta kapërcente rezistencën e saj për të shkruar një histori dashurie. “Është një lloj sfide. Por mendoj se tani jam mjaft e pjekur për të shkruar një histori dashurie sepse jam jashtë rrezikut,” qesh ajo.
Hans-i ishte djalë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një moshë për të qenë pjesë e Rinisë Hitleriane, ndërsa Katherina është në fillim të të 20-ave kur Muri bie. Ashtu si autorja, e cila ka lindur në vitin 1967, Katherina u rrit në një bllok shumë afër murit dhe ndan detaje të tjera biografike me Erpenbeck-un.
Ndërsa ka patur spekulime në Gjermani se personazhi i Hans-it bazohet në një figurë të jetës reale, Erpenbeck-u dëshiron të theksojë se ai është një përbërje e burrave për të cilët ajo ka lexuar gjatë kërkimeve të saj. “Kishte aq shumë dosje të Stasit të zbuluara pas rënies së Murit, ti mund të marrësh këdo,” kjo është gjithçka që ajo do thotë tani.
“Ideja ishte të shkruaja për përvojën time të asaj kohe”, thotë autorja. “Kishte ardhur koha për të të treguar historitë e mia dhe ato të miqve të mi. Shumë miq u lehtësuan disi, ata patën ndjesinë se u shfaqën në libër.” Ajo donte të kapte ndjesinë sesi dukeshin dhe sesi ndiheshin gjërat, detaje të tilla sesi rrugët e Berlinit Lindor “filluan menjëherë të parfumonin Chanel No 5”. Historitë e saj mund të jenë tepër personale, por personazhet e saj nuk mund t’i shpëtojnë historisë së tyre.
Pasi u rrëzua muri, “fëmijëria e saj u bë muze”, ka shkruar Erpenbeck-u. “I dua muzetë, më pëlqejnë ekspozitat, më pëlqen që të bashkohen gjërat dhe të komentojnë njëra-tjetrën”, thotë ajo tani. Ajo ka mbledhur efemera nga RDGJ-ja për shumë vite dhe një mur në apartamentin e saj në Berlin është i mbuluar me mbështjellje të vjetra, lista pazaresh dhe kuti ushqimesh. Ajo e quan romanin “një muze në formën e një libri”.
Unë përpiqem t’i bëj njerëzit të vetëdijshëm se pothuajse asgjë nuk është vetëm e zezë apo e bardhë… t’u mundësoj atyre që të kenë një këndvështrim që nuk e kanë patur më parë.
Uniteti, shtypja, pavarësia dhe liria – paralelet midis historisë romantike dhe sfondit të saj historik u shfaqën ndërkohë që Erpenbeck-u ishte duke shkruar. Por, ashtu si gjymtyrët në roman, është e vështirë që t’i ndash.
“Unë thjesht dua të shkruaj një histori që është e gjallë”, thotë autorja. Padyshim që ajo ka një puls të shpejtë. Kushdo që ka përthithur “Lehtësia e padurueshme e qenies” të Milan Kundera-s, adoleshent, do t’i kujtohej klasikja e Pranverës së Pragës së tij.
Hans-i është karizmatik dhe duket seksi me një cigare (këto janë vitet ’80). Katherina është e re dhe e bukur. Që në fillim, ka mjaftueshëm flamuj të kuq për ta alarmuar lexuesin modern, dhe kjo ndodh para se ai ta tregojë fytyrën e tij të vërtetë Por siç thekson Erpenbeck-u, balanca e pushtetit ndryshon gjatë gjithë romanit.
“Ne i njohim të dy botët … Hans-i përfaqëson historinë, ndërsa Katherina është e ardhmja. “Ajo fillon në çastin kur ata takohen. Ata bien në dashuri dhe bashkëndajnë një çast”, thotë ajo.
“Por më pas del se ajo sheh përpara dhe ai sheh mbrapa. Në fund, problemi është se ajo është ende në rritje. Ajo është në lëvizje. Dhe ai po përpiqet t’i rregullojë gjërat dhe ta mbajë atë ashtu siç ishte në fillim. Por sigurisht që ai nuk mund ta mbajë atë në të njëjtën gjendje siç atëherë kur u takuan.”
Intensiteti i marrëdhënies së të dashuruarve të bën për vete në prozën shumë të ngarkuar të Erpenbeck-ut, historia e treguar në një kohë të tashme të ngutshme, që të zhyt nga secili prej këndvështrimeve të tyre, mendimet e tyre shkojnë së bashku, shpesh me thuajse një shkëputje të vijës mes tyre.
”Ashtu si romancieri irlandez Paul Lynch, i cili fitoi çmimin Booker vitin e shkuar për librin “Prophet Song”, Erpenbeck-u ka një qëndrim “laissez-faire” ndaj shenjave të pikësimit – një qasje që i përshtatet ndjeshmërisë së Hofmann-it si përkthyes. “Lexuesi duhet t’i sjellë shenjat e pikësimit. Lexuesi duhet të vijë me një tufë presjesh të kthyera”, thotë ai. “Ju e dini se çfarë mendon njeriu dhe nuk e thotë, apo se çfarë thotë dhe nuk e mendon vërtet. Kjo të mban në këmbë. Ka diçka paksa fëminore në të paturit nevojë për këto shenja pikësimi.
“Kairos” kap traumën dhe ambivalencën e ribashkimit. “Libri vazhdon pasi ka mbaruar festa”, siç thotë Hofmann-i. Një avantazh interesant që ajo e ka si një person që është nga Gjermania Lindore “është fakti se ne i njohim të dy botët, atë socialiste dhe atë kapitaliste”, thotë ajo.
“Një aspekt i librit është që ai e ka këtë krahasim midis dy palëve.” Në faqet e fundit Katherina është e neveritur nga konsumizmi i shfrenuar i perëndimit: “liria shumë e lavdëruar e zgjedhjes është një kuti e re krimbash”.
Erpenbeck-u e ndiente të rëndësishme, thotë ajo, “ta bënte të qartë sa e çuditshme ishte kjo botë për ne. Ne kurrë nuk kishim parë lypës në rrugë, nuk kishim patur prostitucion, nuk kishim patur dyqane seksi, gjithçka ishte krejtësisht e re për ne.”
“Unë përpiqem t’i bëj njerëzit të vetëdijshëm se pothuajse asgjë nuk është vetëm e zezë apo e bardhë. Gjërat kanë nevojë për një vështrim më të kujdesshëm, për një pamje më komplekse për t’u kuptuar”, thotë ajo. “Unë përpiqem t’u mundësoj njerëzve që të kenë një këndvështrim që nuk e kanë patur më parë, në mënyrë që të mishërojnë dikë me të cilin nuk janë të njohur, për të kuptuar më mirë sesi mund t’i ndiejmë gjërat.”
Vetë Erpenbeck-u e kaloi mbrëmjen e 9 Nëntorit, 1989 duke pirë verë dhe në shoqërinë e mikeve të saj. “Dhe kjo ishte gjithçka.” Ato nuk menduan të hapnin televizorin. Ura e famshme Bornholmer,, e cila të lejonte të shkoje në perëndim, thjesht ishte atje pranë në qoshk.
“Nëse do të kishim dalë, ndoshta do të kishim hasur turmat që erdhën. Por ne nuk dolëm dhe ishim në katin e katërt të një pallati, kështu që nuk e kishim idenë se do të ndodhte ndonjë ngjarje historike.”  

Përktheu: Arlimda Guma

Marrë nga The Guardian

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Librashitësi-Rozafa Shpuza

Librashitësi-Rozafa Shpuza Kapakë historish të zverdhunastivon përditë n’thembër t’bulevardit, e njajtë me
Go to Top