Author

Admin - page 186

Admin has 1886 articles published.

Këpucët-Arlinda Guma

in Letërsi/Tharm by

Arlinda Guma

Gruaja mbërrinte gjithmonë zbathur në takim.
Burri qëndronte gjithmonë me kurriz, veshur me të njëjtën xhaketë të kadifenjtë.
Ajo qëndronte disa çaste përpara tij, ndërsa ai kthehej ngadalë dhe i hidhte një nga ato vështrimet që vetëm ai dinte t’i dhuronte.
Asaj i drithërohej çdo skutë e shpirtit dhe ndjente të kishte shumë dritë përreth, por seç kishte një ndjenjë ankthi se mos ai ulte sytë dhe shikonte këmbët e saj të zbathura…
Shqetësimi i saj ishte i pavend. Burri asnjëherë nuk i ulte sytë. Ai e shihte gruan drejt e në sy, me vështrimin e ngrohtë, pa thënë asnjë fjalë…

Për çdo natë ata të dy takoheshin në ëndërr.
Çdo natë, me shputat e buta që nuk i vriteshin prej guriçkave, ajo endej rrugicave të shkreta me ecje somnaumbulje për në takimin e saj të dashurisë.
Për çdo natë takimi ishte i parë…
Nuk mbathte këpucë. Kujtohej për to vetëm kur mbërrinte përpara tij dhe frigohej si fëmijë se mos ai e vinte re këtë gjë.
Ajo ishte e aftë të ecte mbi parmakun e ballkonit të një ndërtese të lartë dhe të mos rrëzohej… Dinte ku të shkelte pa u lënduar. Dukej se një forcë misterioze e drejtonte në një jetë tjetër, paralele, krejt ndryshe nga ajo që jetonte kur ishte zgjuar.

Mëngjeseve, ajo niste përhumbur rrugëtimin e saj të përditshëm, nëpër botën me ngjyra të kursyera ku jetonte, jo për zgjedhje të saj.
Mëngjeseve i mbathte këpucët. Këpucët e saj të ngrëna, të përbaltura, me baltën e tharë të ditës së mëparshme.
I mbathte pa i pastruar më parë.
I dukeshin të lodhura këpucët e saj. Në të vërtetë këpucët ishin paksa të vjetra, por asaj më shumë i dukeshin të lodhura… Të lodhura e të rraskapitura së renduri pas ëndrrave të ditëve me diell, që asnjëherë nuk mundi t’i prekë.
E kërkonte kudo njeriun misterioz, edhe pse nuk e dinte se në ç’cep të planetit jetonte (nëse ai ekzistonte, padyshim që po, ndryshe nuk kishte si shpjegohej gjithë ajo dritë).
Ajo nuk e dinte përse ai i vinte për natë, në të njëjtën ëndërr… Shpesh pyeste veten nëse drithërohej po aq edhe ai kur e shihte të mbërrinte.
Të gjitha këto i mendonte gjatë ditës. Ditëve, ajo nuk kishte shumë për të bërë, veçse të pëshpëriste lutjen e saj të përhershme, që muzgu të binte shpejt. Nuk trishtohej për këtë. Netëve kishte gjithçka. Netët, në të kundërt nga ditët, po tregoheshin aq bujare me të.
Në mbrëmje, përpara se të binte për të fjetur (përpara se të binte në ëndërr), rregullohej për një kohë të gjatë para pasqyrës, duke lëvizur kujdesshëm krehërin e vjetër mbi flokë, pastaj mjaftonte të mbështeste pakëz kokën në jastëk e të mbyllte sytë, dhe kishte gjithë botën.

Deri atë natë, kur nuk mundi më të bjerë në gjumë…
Ajo mbyllte sytë me forcë, por gjumi refuzonte të vinte.
Zemra filloi t’i rrahë e shqetësuar… Ajo asnjëherë nuk kishte munguar në takim. Ai do të shqetësohej. Mund të mendonte se ajo nuk e donte më.
U përpëlit për një kohë të gjatë në shtrat, pastaj u ngrit, ndezi dritën, hodhi një triko krahëve dhe, duke u dridhur nga të ftohtët, doli të blejë ca kokrra valium në farmacinë më të afërt.
Nuk donte kurrsesi të vonohej në takim. Ai po e priste…
U kthye nga farmacia dhe u rregullua sërish para pasqyrës.
Edhe një herë filloi të shpërndante nëpër fytyrë kremin e saj të natës. Edhe një herë lëmoi me krehër ondet e gështenjta. Ndërroi këmishën e natës dhe veshi më të mirën që kishte.
Ngutej. Buzëqeshja e tij qiellore po e priste ta ngrohte.
Ajo i piu të gjitha kokrrat e valiumit… dhe gjumi, ashtu siç shpresonte, nuk vonoi ta nanuriste…

Në takim mbërriti duke iu marrë fryma.
Ai qëndronte me kurriz, si gjithmonë, veshur me të njëjtën xheketë të kadifenjtë. U kthye nga ajo, me të njëjtin vështrim qiellor dhe e mori në krahë. Ai asnjëherë nuk kishte guxuar aq shumë, ai asnjëherë nuk e kishte marrë në krahë… dhe çuditërisht, për të parën herë, ajo nuk u frigua se ai do t’i shikonte këmbët e zbathura…

Mëngjesi trokiti ngadalë, ndërsa ajo nuk u zgjua të mbathte këpucët e saj të lodhura.
Nuk u zgjua më kurrë…
Somnaumbulve nuk u duhen këpucë për të ndjekur ëndrrat.

2008

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, “Bob Legjenda” – 2021 dhe “Marksi ka humbur kujtesën” – 2025. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com

___

Një recensë mbi këtë tregim e gjeni këtu:

 

Recensë mbi tregimin «Këpucët» të Arlinda Gumës/Kujtim Drishti

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Claudia Cardinale-Viti 1959

in Kinema by

“Isha në një çati në Romë, më 1959, nuk kujtoj asgjë tjetër, madje as emrin e fotografit, e harrova. Por kjo foto më bën të mendoj për fillimet e mia, një epokë në të cilën kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë mund të gjendesha në shkallet e pallatit më të famshëm të kinemasë botërore… ”

 Claudia Cardinale

Përktheu Arlinda Guma

Si do ta pikturonin një vezë Dali dhe Picasso

in Pikturë by

Si do ta pikturonin të njëjtën vezë Dali dhe Picasso.

Kështu e përfytyron skenën piktori David Vela.

Ja pra, çfarë i kanë punuar vezës këta të dy në imagjinatën e piktorit…

Picasso vazhdon “të luajë me kuba”, ndërsa Dali e ka rrahur vezën fileto dhe e ka varur në tel të thahet…

Paolo Sorrentino/Shumë prej aktorëve sillen si fëmijët që nëpër ditëlindje recitojnë poezi para prindërve e gjyshërve*

in Kinema by

Aksidenti që më ndryshoi jetën.

 Paolo Sorrentino rrëfen:“E gjeta veten përnjëherë jetim. E kështu provova të bëja nje film.”

Regjizori napoletan:“Isha 17 vjeç dhe kisha një të ardhme bankieri, si atë të babait tim.”

MILANO – Pushimet i kalon në Stromboli me gruan dhe me fëmijët në një shtëpi me qera perballë farit Strombolicchi. Në mëngjes punon  (përgatit filmin amerikan me protagonist Sean Penn). Në orarin e drekës ha nje akullore dietike dhe i bashkohet familjes në breg.

Në darkë freskohet në kopësht, me erën që i përkëdhel fytyren, dhe ndihet si pianisti i piano barit “La Tartanacantare”. Atëherë drita e farit vjen dhe ikën. Paolo Sorrentino, regjizori i “Il Divo” (jeta spektakolare e Giulio Andreottit), që mori çmimin e jurise në Kanë, rinxjerr nga kujtesa imazhe të lumtura të njerëzve që kërcejnë.

“Të shtunave në darkë, prindërit ftonin miq në shtëpi, vendosnin një disk të Califanos ose të Sinatrës dhe kërcenin ngadalë. Unë, fëmijë, i shikoja i mahnitur. Kam bërë filmin e parë “Një burrë më shumë, historia e një këngëtari konfidencial”, sepse babai im dëgjonte Califanon. Jam femija i dy prindërve të mëdhenj, që më lindën shumë vonë. Ndaj nuk mund të jem dot aktual, mua më pëlqen shumë brezi i babait tim”. Ishte drejtor banke i ati. “Kishte një mik i cili vinte ta takonte të hënave në darkë, me justifikimin për të parë televizion. Në fakt të dy ziheshin furishëm për politikën. Babai ishte komunist, miku i tij fashist. Unë mallëngjehesha kur i dëgjoja”.

Nëna ishte shtëpiake. Banonin ne Vomero (“si gjithë napoletanët e tjerë që kanë bërë dy lekë”). Sorrentino, në adoleshencë, i binte ndonjë herë baterisë, ëndërronte të bëhej yll i rrokut dhe la të rriteshin barsetat e gjata, nga të cilat nuk hoqi dorë asnjëherë. As për nevojë të ndonjë roli. “Moretti më telefonoi për një rol të vogël tek Caimano: “Ama duhet të heqësh barsetat”. Iu përgjigja: “Dëgjo Nanni, atëherë nuk bëhet”. Ramë dakord. Do t’i prisja, por jo shume”. Në moshën 17 vjeçare Sorrentino mendon se kur të rritet do të bëhët shkrimtar. Dashuron marrëzisht Udhetimet në fund të natës të Celine.

Menjëherë merr fund  çdo gjë, disqet e Sinatrës dhe të Califanos, kërcimet e lehta, ëndrrat artistike. “Prindërit e mi vdiqën, ishte aksident. Ishin në një shtëpi në mal. Një shkarkim gazi i papritur”.  Sorrentino nuk kupton më asgjë. Është koha për të shkuar në universitet. Nuk di çfarë të bëjë. Të afërmit e ngushtë i sugjerojnë ekonomi biznesi. Përfundoi shumë vite më pas. Në moshën 25 vjeçare braktis çdo gjë dhe i dedikohet kinemasë. “Humbja e prindërve në moshën 17 vjeçare më ndryshoi jetën në të gjitha kuptimet. Nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi, nuk do të isha bërë asnjëherë regjizor. Duke qenë fëmija e një bankieri do të kisha ndjekur patjetër gjurmët e babait tim.”

Pasojat e dashurisë dhe suksesi i parë. Il Divo”. Në dy filma, protagonist Toni Servillo. “Dashuria ime ndaj Toni Sorvillo ka shumë arsye (aftësitë e tij ekstreme për shembull). Por për mua ka pasur shume rëndësi tjetër gjë. Toni më bën shumë të qesh, e për mua ka shumë rëndësi e qeshura. Përgjithësisht aktorët nuk i dua. Thuhet se zakonisht regjizorët i duan shumë aktorët, sepse brishtësia e tyre shpesh i thyen ata. Ky nuk është rasti im. Unë bëhem cinik me aktorët, e ndonjëherë bëhem i keq. Shumë prej tyre sillen si fëmijët që nëpër ditelindje recitojne poezi para prindërve e gjyshërve”.

Kritikët thonë se Sorrentino është shumë i talentuar, por ka gjithmonë mangësi me gratë, me personazhet femërore. “E drejtë, deri më sot kam bërë mirë vetëm nënën. Nëse duhet të nxjerr në skenë gra të brezit të nënës sime shkon çdo gjë mirë. Me moshataret e mia, e pranoj, ka diçka që nuk shkon. Por po mundohem të përmirësohem.”

Pianisti i Tartanës luan muzikën e mbylljes. Është përsëri Califano. “Ja muzika mbaroi. Miqtë nisin largohen tashmë….”

Sorrentino ndërpret tregimin sikur është zgjuar nga një ëndërr me sytë e hapur: “Filmi i fundit është një histori autobiografike mbi marrëdhëniet e një djali me të atin. Ashtu si ka qënë edhe marrëdhënia mes meje dhe babait tim”.

Përktheu Blerina Berberi

*titulli është redaksional

 

 

…dhe gruan e pashfaqur ende, që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje ⁄Universi i fjalës në vëllimin poetik “Kundërpërfytyrimi” të Natasha Lakos

in Letërsi by
  • kunderperfytyrimi.jpg
  • 32399327_1838168536214401_8616608658190499840_n.jpg

 

Zhuljeta Grabocka

Poetika e Natasha Lakos është rritur në të njëjtën trevë e sfidë krijuese liriko-epike. Fushë e mal, kodër e pllajë kuteline e lagushiane, që i ngjajnë shkëlqimit të koranit të liqenit lyhnid nën dritën e diellit, e përcillet në fjalën gurrë mes rrjedhës së poetëve mbarë-etnikë të lumenjëve të Devollit e Drinit, si një psalm në ritualin e së dielës, plot origjinalitet e virtytshmëri.

“Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë.”

Nëpërmjet këtij imazhi lëvizës makbethian, poetja Natasha Lako hap vëllimin e saj “Kundërpërfytyrimi”. Dhe lexuesit të kulturuar i kujtohen elementet nëntekstualë deradianë në kryevargun tek “Këngët e Milosaos”:

“Dheu kishte ndërruar lisat/ujë të ri të detit/ kaltëronte në ditë të re.”

Një takim poetik prijetarësh, i pakohë në universin e fjalës.

Poetja hyn përsëri në tempullin e poezisë shqipe si poetja e parë femër, përherë me një guxim të ri poetik. Ashtu siç ka ndodhur me çdo vëllim të saj, plot risi e origjinalitet. Ajo e ridimensionon poezinë e saj drejt fuqisë përshkruese, duke krijuar tashmë shkollën e saj poetike.

Natasha Lako përfaqëson zërin poetik femëror më të fuqishëm prej gjysëm shekulli. Një zë emancipues dhe shpirtëror që tejkaloi zvetënimin dhe konformizmin e dy periudhave të zhvillimit të poezisë bashkëkohore mbas viteve 70-të të shekullit XX dhe dekadave të para të fillimit të shekullit të ri. Ajo, krahas krijuesve modernë në prozë, është përfaqësuese e modernitetit poetik, duke përvijuar tiparet më të qenësishme të tij.

Përtej vështrimit diakronik të vëllimeve të saj, në sinkroni, çdo vëllim ka specifikat e veta dhe përfaqëson rrugën e formimit poetik unikal, të ambientuar me këndpërfytyrimin mëmësor të ngjizjes së krijesës poetike, prej një “Safoje moderne të letërsisë shqipe”. Lexuesi në vëllimin e fundit do të shijojë peshën e papërsëritshme të fjalës si shenjim dhe pafundësinë e mundësive të asocimeve ndjesore:

“Fjalën e dua kopé, për të mbetur gjithnjë nomade/….dhe… gruan e pashfaqur ende, që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje…”

Me fuqinë e shenjëzimit të “fjalës lehonë”, deri në tërholljet e saj plot të papritura, plot thellësi mendimi e përjetimesh, rritëm e muzikalitet … “që në këngë nuk ka hyrë dhe kur mendon”, – do të shprehet poetja:  “boshësinë e fjalëve plot gjilpëra dhe karfica”“duke përmbysur sirtarin për të hyrë në intimitetin e njeriut”… “e përndritur në atë labirint”“ku del gjithnjë briri i një filli të një drite tjetër”“Si për gjërat e vjedhura, të kthehemi edhe njëherë nga fillimi”, – nënvizon ajo tek poezia “Zonja të bukura”.

Me këtë përmbysje rinovuese, poetja sheh mundësi të pafundme shprehjeje e akte komunikimi verbal. Poezia e Kundërpërfytyrimit, e shpenguar deri në mrekulli, vërtet e shpalos stoicizmin e pretenduar prej poetes. Çdo poezi është një sprovë më vete tonaliteti edhe strukturimi. Aksioni i saj poetik, i ndihmuar prej talentit të lindur dhe intuitës së përfituar krijuese, e fokuson lehtësisht kamerën e saj lëvizëse drejt njeriut universial dhe natyrës universale.

Poezia e Natasha Lakos është e drejtpërdrejtë në kufirin e masës së abstragimit. Ndjesitë emocionale të përjetimit janë drithëruese për lexuesin. Duke luajtur bukur me detajin, poetja realizon distancën e një poezie komforte e të lirë, pa imponuar interpretim e moralizim. Qartësia e shprehjes, pranvëniet e detajeve brenda poezisë me një thellësi të admirueshme, të lejojnë të vlerësosh dhe të interpretosh këndimin poetik që është sa i vjetër e mitik në origjinë, aq edhe modern e mbresëlënës në ripërtëritje të vazhdueshme. Poetja të krijon mundësinë për ta parë atë, fjalën, gjatë gjithë ekzistencës së shfaqjes së saj artistike. Pikërisht tek këndim/vargëzimi, ajo rimerr format e narracionit epiko-lirik, si një barde e ndërgjegjshme për të modernizuar thelbin ekzistencial e kulturor të shfaqjes së tij. Qetësia olimpike e përshkrimeve të gjeografisë shpirtërore poetike, në plazmin e vetëdijshëm e suprizues erëborziloku, e përshkon gjithë vëllimin. Ai rrjedh i ndjerë dhe jo i kërkuar e i stisur, është i pa sforcuar, por i vetëshpallur me një muzikalitet pritës e jovetmitar. Mendimi metaforik i fabulës poetike rizgjohet nëpërmjet imazheve të përsëritura metonimike. Vargëzimi i kulturuar, gjerësia epike e përshkrimit, krijojnë një poetikë të strukturuar estetikisht. Palimpsesti i portretizimit të njeriut në projektim të shumësisë së tij prozaike, nuk e ka penguar poeten të shprehë relativitetin e së bukurës edhe së mirës, neutralitetin e paqes edhe urrejtjes barbare. Në qerthullin e vargut të saj mbështillet e vërteta si vetë jeta në përkohshmërinë dhe përjetësinë e saj. Tërësia e poezive të vëllimit është testamenti poetik i Natasha Lakos, në të cilin poetja ka ende shumë për të shkruar…

Hija e Kullës së Babilonisë bie ende mbi çdo metaforë, bie mbi trupin e çdo gjuhe, bie mbi të gjithë botën, atje ku jeta e njeriut thotë fjalën e vet! “Kundërpërfytyrimi” është gjurma e asaj që ishim e duhet të jemi.

“…nuk do të kishte kënduar Huancita/më i sigurt në botë, sikur të mos ishte/kundërpërfytyrimi.”

Po e mbyll këtë trajtesë të shkurtër, në këtë stinë shpërthim lulesh të 70 pranverave plot ngjyra të jetës së saj, me këtë varg nga vëllimi:

Po çelin kumbullat e mbushura me lule të bardha, të imta.

 

 

Alda Merini- Rrëfimi i saj për vitet në çmendinë

in Letërsi by

Marrëdheniet me të shoqin, ilaçet, elektroshoku.

Artikulli është shkruar për revisten “Ok” nga ajo vetë.  

 Poetja Alda Merini ndërroi jetë të dielen e datës 01 Nëntor, 2009, në Milano, në moshën 78 vjeçare.

 Teksti i dërguar nga Alda Merini

Kur më shtruan herën e parë në çmendinë, isha diçka më shumë se një femijë, kisha dy vajza dhe disa eksperienca në kurriz, ama shpirtin e kisha ende të pastër dhe prisja që diçka e bukur të shfaqej në horizontet e mia; në fund të fundit isha poete, e kaloja kohën duke u kujdesur për vajzat e mia, jepja mësime private për disa nxënës dhe shumë njerëz më mbushin shtëpinë me britmat e tyre të gëzuara.

Pra, isha një grua dhe një nënë e lumtur, edhe pse herë pas here kisha shenja lodhjeje dhe ndieja mendjen të më mpihej. U përpoqa të flisja me tim shoq për ato që më shqetësonin, por ai nuk dha asnjë shenjë se po më kuptonte, e kështu lodhja ime u rëndua, e sidomos pas vdekjes së nënës sime, të cilën  e doja në mënyre të veçantë, gjërat filluan të përkeqësoheshin, aq sa një ditë, e lodhur nga punët e shumta dhe varfëria e vazhdueshme u përfshiva nga lumi i së keqes, kalova në histerizëm dhe burri im nuk gjeti gjë tjetër më të mirë se sa të lajmëronte ambulancën, duke mos parashikuar se do të më çonin në çmendinë.

Aty mendova se po çmendesha.

Por atëherë ligjet ishin të çuditshme, ende në vitin  1965 gruaja ishte objekt i burrit dhe burri mund të merrte vendime për atë që mund të quhej e ardhmja e gruas.

Kështu pra, më internuan pa dijeninë time, e unë deri atëherë as nuk e dija që egzistonin spitalet psikiatrike, sepse asnjëherë nuk kisha parë një të tillë, po kur u gjenda atje në mes, besoj se u çmenda pikërisht në atë çast; kuptova që kisha hyrë në një labirinth nga i cili do të ishte shumë e vështirë të dilja.

U rebelova. E çdo gjë u përkeqësua më shumë.

Në darkë u ulen hekurat mbrojtës dhe ndjeva një rrëmujë që dilte nga ferri. Nga venat e mia lindi një ulërimë therëse, një thirrje gjithë vuajtje drejtuar fëmijëve të mi. Ulërija dhe shqelmoja derën me sa forcë që kisha. Dhe rezultati ishte që më lidhën dhe më bombarduan me gjilpëra dhe me qetësues.

A nuk ishte rebelimi im njerëzor? A thua se nuk po kërkoja thjesht të kthehesha në jetën që më përkiste? Përse atë rebelim e morën për mosbindje? Pak nga efekti i ilaçeve dhe pak nga shoku i fortë që kisha pësuar, qëndrova në koma për tre ditë dhe mund të dëgjoja vetëm ndonjë zë, por frika ishte zhdukur dhe ndiehesha e dorëzuar në duart e vdekjes.

Ai shkarkim pa anestezi!

Pas disa ditësh im shoq erdhi të më marrë, po unë nuk doja të shkoja më me të. E kisha mësuar veten të gjeja tek ai armikun tim, e pastaj isha aq e dobët dhe aq shumë e hutuar sa në shtëpi nuk do të mund të bëja dot asnjë gjë. Thanë që ajo kishte qënë zgjedhja ime e dytë, zgjedhje që e pagova me dhjete vite shtrëngimesh dhe dënimesh. Çmendina ishte gjithmonë e mbushur me aroma shumë të forta. Shumë njerëz urinonin në tokë. Kudo ishte fundi i botës. Njerëz që shkulnin flokët, njerëz që grisnin rrobat ose që këndonin këngë pa kuptim.

Vetëm ne të dyja, unë dhe Z., uleshim në një stol të ulët, me këmbët mbështjellë nga duart, me sytë të fiksuar diku dhe me frikën e çmendur se mos bëheshim si ata.

Në atë çmendinë kishte tmerre nga elektroshokët. Herë pas here na futnin brënda atyre dhomave dhe na nxirrnin ato faturat e tmerrshme. Unë i quaja fatura, sepse vlenin vetëm për të zhvlerësuar shpirtrat dhe mendjet tona. Dhomëza e elektroshokut ishte një dhomë  tmerresh, e akoma më keq ishte dhoma ku na bënin gati ngjarjen e trishtuar.

Na bënin një morfine, na jepnin ndonje qetësues tjetër që të mos shqetësoheshim shumë gjatë shkarkimeve elektrike. Pritja kishte shumë ankth. Shumë qanin.

Dikush urinonte ne tokë.

Një herë kapa nga fyti kryeinfermieren, në emër tëgjithë të tjerëve. Rezultati ishte që me futën më shpejt në elektroshok, e pa anestezi përpara, në mënyrë që të ndieja çdo gjë. E akoma e ruaj kujtimin e tmerrshëm.

Shkruar për revisten “OK- shëndeti para çdo gjëje”, Maj 2006.

 Përktheu Blerina Berberi

 

WRITER`S BLOCK – (BLLOKIMI I SHKRIMTARIT)

in Letërsi by
  • bigstock-Pile-of-drafts-101840933.jpg
    Overworked exhausted businessman writes with a typewriter

Simon Leys

Shkrimtari rri i ulur për tetë orë në tavolinë, e asnjë rresht nuk i vjen në mendje.
Pse ky titull në anglisht? Për arsyen e thjeshtë se nuk ka të barasvlershëm në frëngjisht më duket.
“Ndërprerja e frymëzimit” dhe “bllokimi” kanë të bëjnë me një përcaktim shumë të gjerë. “Ngërç i shkrimtarit” i përshtatet shumë letërsisë, por nuk ia del të na e ngjallë në të tërë mizorinë e saj gjendjen e shkrimtarit që nuk gjen më asgjë për të shkruar. Kinezi, si dhe francezi, nuk ka në dorë një term të përcaktuar për ta simbolizuar këtë dukuri, e megjithatë që në shekullin e nëntë, Shia Tao – poet lakonik e i rrallë – kishte dhënë për të një përshkrim të mirë:
“Tre vjet për të shkruar dy vargje:
M`i ka ënda – e qaj…”
Në të gjithë kontinentet, në të gjitha kohërat, artistë të panumërt janë qarë për këtë provë të vetme.

Konradi e përshkruante kështu: “Çdo mëngjes, ulem tepër i përqëndruar në tavolinë, çdo ditë rri aty për tetë orë – e gjithë çka bëj është kjo: qëndroj i ulur. Në fund të secilës prej këtyre seancash tetë-orëshe kam shkruar vetëm tri fjali që, përveç kësaj, më duhet t`i fshij para se ta ngrihem nga tavolina në dëshpërim të thellë. Të vetmit; zgjedhja e egër dhe mobilizimi i të gjitha forcave, më lejojnë të kontrolloj dëshirën e çmendur për ta përplasur kokën për muri. Doja të ulërija e të shkumoja nga tërbimi, por nuk guxoja t`i jepesha këtij impulsi, ngaqë i frikesha zgjimit të foshnjës dhe alarmimit të gruas sime…”
Asnjë zgjidhje nuk do të dijë ta shmangë këtë ankth të përhershëm të bllokimit.
“Për një shkrimtar, suksesi nuk është gjë tjetër, veç një dështimi i lënë për nesër.”, thotë Graham Grin, ndërsa Zhyl Rënard rrëfehej: “Ndonëse duhej të isha mësuar më të, për çdo herë që më kërkojnë për të shkruar diçka, çfarëdo që të jetë, jam i turbullt sikur të ishte vargu im i parë. Kjo ka të bëjë me atë që nuk përparoj, e që shkruaj kur më vjen dhe që gjithmonë i frikem se kjo do të vijë.”
Hemingueji – që përfundon duke ia hequr vetes nën presionin e një bllokimi pa derman,- kishte kërkuar një recetë për të luftuar këtë të keqe: “Duke shkruar përditë ca rreshta sikur të nxirrnim ujë prej pusit; mbas një kove, thoshte ai, shtresa e nëndheshme e mbërrin prapë nivelin. Por nëse ju tërhiqni shumë ujë me një herë të vetme, rrezikoni të gjendeni në të thatë.”

Duke ndjekur këtë pamje hidraulike, mundesh të thuash se shkrimtarët e zënë ngushtë kërkojnë ndonjëherë ta hedhin grepin në përkushtime të tjera letrare; kështu Kamy, para kohe i zbrazët nga sukseset e para, u përkushtohet një kohë përshtatjeve teatrale të veprave të huaja. Për të tjerë, përkthimet letrare mund të kryejnë një funksion të ngjashëm. Madje kjo ndodh dhe në muzikë. Shostakoviç, i cili herë mbas here vuante prej një shterimi mizor të frymëzimit, e shfrytëzonte këtë gjendje për t`iu përkushtuar trankskriptimeve orkestrale. “Frymëzimi” mbetet një nocion i papërkufizueshëm, ndonëse prania a mungesa e tij janë realitete mjaft të dallueshme, veçanërisht tek shkrimtari fatkeq që robëtohet për vazhdën.
Korrespondenca e Floberit nuk është gjë tjetër përveç një ulërime të padrejtësisë.
“Kundrejt një burri të shkretë, po aq i guximshëm sa të gjithë luanët [këtu flet Leon Bloi], duke u stërmunduar për 20 vjet që të nxjerrë nga brendësia litarin rebel e të paçrrënjosur të frymëzimit.” Çdo artist krijues është një njeri i përgjegjshëm. Peisazhisti kinez Kuo Hsi (shekulli i 11-të), para se të pikturonte merrte disa abdese, tregon i biri, e digjte temjan “sikur të ishte duke pritur një mik të shquar”.
Poetët, në veçanti, janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj gjendjeje ndjeshmërie – kështu, Henri Misho; “Poezia është një dhuratë e natyrës, një nder, jo një punë. E vetëm dëshira për të krijuar një poezi mjafton për ta vrarë atë.”
Çdo krijim i vërtetë ka pamje mahnitëse. Një piktor kinez i shekullit të 17-të e kishte kthyer në zakon shkatërrimin e pikturave porsa t`i kishte nxjerrë në dritë, sepse ishte përvoja hyjnore e krijimit që i interesonte, ndërsa vepra e përfunduar ishtje thjesht mbetja.
D. H. Lawrence ka folur shummë rreth kësaj përvoje: “Ky vrull i lumtur e i shpeshtë në një punë që e shtyjmë po aq afër përkryerjes së mundshme, është një gjendje në të cilën je me Zotin, e njerëzit që nuk e kanë njohur kurrë këtë i kanë kaluar anash jetës.”
Pa këtë mahnitje mistike, nuk ka poemë. Por kjo sjell një rrjedhojë të përmendur nga Zhan -Fransua-Revel: “Shpirti poetik nuk është vetëm i rrallë, por edhe manifestohet rrallë te ata që e zotërojnë.”

Poetët bëjnë marrëveshje me veten.

Ted Hughes është i mendimit se madje dhe poetët më të mëdhenj nuk kanë shkruar më shumë se tre a katër faqe të poezisë së vërtetë, pjesa tjetër janë vetëm vargëzime. Ndërsa Randal Xhorel ende më shumë pesimist: “Një poet i mirë është ai që duke kaluar një jetë të tërë duke u përballur jashtë me të gjitha stuhitë, arrin t`ia dalë mbanë goditjes së pestë a të gjashtë të rrufesë.”
Drama ndodh ngaqë çastet shumë më të shkurtra e shumë më të rralla ku artisti është “me Zotin”, e poeti “i goditur nga rrufeja”, lindin brenda vetes një nevojë të paqetë – dhe shterrimi i frymëzimit i bën të pangushëllueshëm. “Shpërblimi i artit nuk është zulma, as suksesi, por helmatisja. Ndaj shumë artistë të dobët janë të pazotë për të hequr dorë prej tij”, thoshte Seril Konoli. Është shumë e vërtetë – e jo vetëm për artistët e dobët.

Përktheu nga frëngjishtja: Anila Xhekaliu

 

MARTIN CAMAJ ENDE I PAZBULUEM-shkrime, kujtime dhe intervista

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Tirana Review by

Libri nuk përmban studime shkencore për Martin Camajn. Studimet dhe punimet shkencore për nji shkrimtar zakonisht janë shkrime të thata teorike e të shkrueme nga nji shkencëtar për shkencëtarë të tjerë, jo për publikun lexues.

Me shkrimet e mia të thjeshta synoj me ia afrue lexuesit poezinë dhe figurën e Martin Camajt.

Tekstet e këtij libri janë shkrue në rrjedhën e 25 vjetëve që shkuen. I kam shkrue me dashuni për poetin tim të preferuem e ma të dashtun të letërsisë shqipe.

Titulli i librit asht titull i nji shkrimi nga viti 2003. Sot, Martin Camaj nuk asht ma i panjohun. Asht botue, asht studiue nga disa studiues por ama ende nuk asht i zbuluem nga lexuesi.

Vargjet e Martinit “janë për t’i lexue në heshtje” (siç shprehi autori i tyne) e kërkojnë nji lexim të përqëndruem. Uroj që ky libër ka me ta lehtësue qasjen te poezia e Martinit që unë e shoh në majën e poezisë shqipe bashkë me poezinë pokështu të dashtun të Frederik Rreshpjes, Azem Shkrelit, Lasgush Poradecit.

Hans-Joachim Lanksch

Jemi si ata mistrecët që vizatojnë mustaqe në fytyrat e vajzave të reklamave

in Letërsi by

W. H. Auden

Të lexuarit

Libri është një pasqyrë: po doli para ndonjë gomar, mos prit që aty të shfaqet ndonjë apostull.

C. G. Lichtenberg

Mund të lexohet mirë vetëm ajo çka lexohet për ndofarë qëllimi vetjak. Ndoshta për të fituar njëfarë pushteti. Nuk bëhet nga urrejtja për autorin.

Paul Valéry

Interesat e një shkrimtari dhe interesat e lexuesve të tij nuk përkojnë kurrë dhe nëse, në ndonjë rast, ndodh të puqen, ky është një aksident fatlum.

Në lidhje me një shkrimtar, shumë lexues i besojnë Standardit të Dyfishtë: ata mund ta tradhëtojnë sa herë të duan, ndërsa ai kurrë, kurrë nuk duhet t’i tradhëtojë ata.

Të lexosh është si të përkthesh, sepse përvojat e dy njerëzve kurrë nuk janë të njëjta. Një lexues i keq është si një përkthyes i keq: ai përkthen fjalë për fjalë atë që i duhet të perifrazojë dhe perifrazon kur i duhet të përkthejë fjalë për fjalë. Në përftimin e të lexuarit mirë, studimi, sado vlera të ketë, është më pak i rëndësishëm se instinkti; disa studiues të mëdhenj kanë qenë përkthyes për të ardhur keq.

Shpesh, kur një libër e lexojmë në një mënyrë tjetër nga ç’ka pasur ndërmend autori, përfitojmë më shumë, por vetëm (kur i kemi dhënë duart fëmijërisë) nëse e dimë se po veprojmë në këtë mënyrë.

Si lexues, shumica jonë, në njëfarë mase, jemi si ata mistrecët që vizatojnë mustaqe në fytyrat e vajzave të reklamave.

Një prej shenjave që një libër ka vlera letrare, është se mund të lexohet në shumë mënyra të ndryshme. Anasjelltas, prova se pornografia nuk ka vlera letrare është se, nëse përpiqesh ta lexosh me një qëllim tjetër përveç atij të stimulit seksual, ta zëmë, si rast psikologjik i fantazive seksuale të autorit, mërzitesh për vdekje.

Edhe pse një vepër letrare mund të lexohet në shumë mënyra, ky numër është i kufizuar dhe mund të vendoset në një rend hierarkik; është e qartë se disa lexues janë “më të vërtetë” se disa të tjerë, disa janë dyshues, disa ia bën mu që janë të rremë dhe disa, si të lexosh një roman së prapthi, janë absurdë. Ja dhe arsyeja pse dikush zgjedh një fjalor të mirë në vend të kryeveprës letrare më madhështore që mund të mendohet, sepse, në raport me lexuesit e vet, një fjalor është absolutisht pasiv dhe me të drejtë mund të lexohet në një numër të pafundëm mënyrash.

S’mund ta lexojmë dot një autor rishtar në të njëjtën mënyrë që lexojmë librin e fundit të një autori të mirënjohur. Te autori i ri, priremi të shohim vetëm virtytet apo vetëm të metat e tij e, edhe po të ndodhë t’i shohim të dyja, nuk mund të dallojmë dot marrëdhëniet midis tyre. Në rastin e një autori të mirënjohur, gjithmonë nëse vazhdojmë ta lexojmë një të tillë, e dimë se nuk mund të shijojmë virtytet që admirojmë te ai pa u lëshuar pe të metave që ndeshim. Për më tepër, gjykimi ynë për një autor të mirënjohur nuk është kurrë thjesht një gjykim estetik. Përveç ndonjë merite letrare që mund të ketë, një libër i ri nga ky autor është me interes historik për ne, si akt i një personi i cili na intereson prej shumë kohësh. Ai nuk është thjesht një poet apo prozator; ai është gjithashtu një personazh në biografinë tonë.

Një poet nuk mund të lexojë një tjetër, as një romancier s’e lexon një tjetër romancier, pa krahasuar veprat e tyre me të tijat. Gjykimet e tij ndërkohë që lexon, janë të tipit: O Zot i Madh! O Stërgjyshi im! O Xhaxhai im! O Armiku im! O, Vëllai im! O, Vëllai im trushkulur!

Në letërsi, e rëndomta pëlqehet më shumë se e pavlera, po aq sa pëlqehet vera portugeze ndaj ujit të distiluar.

Shija e mirë është më tepër një çështje diskriminimi se përjashtimi dhe, kur shija e mirë detyrohet të bëjë përjashtime, këtë e bën me keqardhje dhe jo me kënaqësi.

Kënaqësia është padyshim një guidë e pagabueshme kritike, por më e pakta e gabueshme.

Leximi i një fëmije udhëhiqet nga kënaqësia, por kënaqësia e tij është e padiferencuar; ai nuk mund të dallojë, për shembull, kënaqësinë estetike nga kënaqësitë e mësimit apo ëndërrimeve. Në adoleshencë kuptojmë se ka lloje të ndryshme kënaqësish, disa prej të cilave nuk mund të shijohen menjëherë, por duam ndihmë nga të tjerë që të mund t’i marrim. Qoftë çështje shijeje për ushqimin apo shijeje për letërsinë, adoleshenti kërkon një prijës në autoritetin e të cilit të besojë. Ai ha apo lexon çfarë i këshillon prijësi i vet dhe, në mënyrë të pashmangshme, ka raste kur duhet ta gënjejë pak veten; ai duhet të shtiret sikur i shijojnë ullinjtë apo Lufta dhe Paqja ca më shumë nga sa i shijojnë në të vërtetë. Mes moshës njëzet dhe dyzet vjeç, jemi të përfshirë në procesin e zbulimit se kush jemi, proces që ngërthen mësimin e ndryshimeve mes kufizimeve rastësore, nga të cilat e kemi për detyrë të heqim dorë, si dhe kufizimet e nevojshme të natyrës sonë, përtej të cilave nuk mund të kalojmë pa u ndëshkuar. Pakkush nga ne mund ta mësojë këtë pa bërë gabime, pa u përpjekur të bëhet ca më shumë njeri universal nga sa na lejohet të jemi. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, shkrimtari mund të marrë lehtë një rrugë të gabuar nga një tjetër shkrimtar ose ideologji. Kur dikush mes moshës njëzet dhe dyzet vjeçare thotë në lidhje me një vepër arti, “E di çfarë më pëlqen”, ai në të vërtetë thotë, “Unë vetë nuk kam një shije timen, por pranoj shijen e rrethit tim kulturor”, sepse, mes moshës njëzet dhe dyzet vjeç, shenja më e sigurtë që dikush ka një shije të pandikuar vetjake, duket kur ai është i pasigurt për të. Pas të dyzetave, nëse ende nuk i kemi humbur vetet tona origjinale, kënaqësia mund të bëhet sërish ajo çka ka qenë në fëmijëri, prijësja e duhur e asaj se çfarë duhet të lexojmë ne.

Edhe pse kënaqësia që na japin veprat e artit nuk duhet ngatërruar me kënaqësitë e tjera që shijojmë, ajo lidhet me të gjitha këto thjesht sepse është kënaqësia jonë dhe jo e dikujt tjetër. Të gjitha gjykimet që kalojmë, estetike apo morale, sado objektive t’i bëjmë të duken, janë pjesërisht një racionalizim dhe pjesërisht një disiplinë ndreqëse e dëshirave tona subjektive. Për aq kohë sa njeriu shkruan poezi apo prozë, ëndrra vetjake e Edenit është punë për të, por, në çastin që ai fillon të shkruajë kritikë letrare, ndershmëria e do që ai t’ua rrëfejë lexuesve, në mënyrë që ata të jenë në pozicion për të gjykuar gjykimet e tij. Përkatësisht, tani duhet të jap përgjigjet e një pyetësori që kam bërë dikur, i cili sjell atë lloj informacioni që më pëlqen ta kem përherë kur lexoj kritikët e tjerë.

edeni

Peisazhi

Kodrina gëlqerore si Apeninet, plus një rajon të vogël me shkëmbinj vullkanikë me të paktën një vullkan të shuar. Një bregdet të thikët dhe me thepa.

Klima

Britanike.

Origjina etnike e banorëve

Shumë e ndryshme, si në Shtetet e Bashkuara, por me një mbizotërim të lehtë nordik.

Gjuha

Me origjinë të përzier si anglishtja, por shumë më të eptuar.

Peshat & Masat

Të parregullta dhe të ndërlikuara. Pa sistem dhjetor.

Feja

Katolike romane në një lloj mënyre të shkujdesur mesdhetare. Me shumë shenjtorë vendas.

Madhësia e kryeqytetit

Numri ideal i Platonit për të drejtën, 5040.

Forma e qeverisjes

Monarki absolute, e zgjedhur përgjithmonë, nga populli.

Burime të fuqisë natyrore

Era, uji, torfa, qymyri. Pa naftë.

Aktivitete ekonomike

Miniera plumbi, miniera qymyri, fabrika kimike, fabrika letre, ferma kafshësh, kopshtari, hortikulturë serrash.

Mjete transporti

Kuaj dhe mjete të tërhequr nga kuajt, hekurudha me shina të ngushta, barka me motor, balona. Pa automobilë apo aeroplanë.

Arkitektura

Shteti: barok. Kisha: romane ose bizantine. Shtëpitë: Si kolonitë britanike apo amerikane të shekullit XVIII.

Mobiljet shtëpiake dhe orenditë

Viktoriane, me përjashtim të kuzhinave dhe banjove, të cilat janë të pajisura me sa më shumë çikërrima moderne të jetë e mundur.

Veshja zyrtare

Moda pariziene e viteve 1830 dhe ’40.

Burime të informimit publik

Thashethemet. Periodikë teknikë dhe mësimorë, por jo gazeta.

Statujat publike

Të udhëheqësve të famshëm që kanë vdekur.

Argëtime publike

Procesione fetare, banda muzikore, opera, balet klasik. Pa filma, radio apo televizion.

Po të merrja mundimin të shkruaja gjithë emrat e poetëve dhe shkrimtarëve, veprave të të cilëve u jam mirënjohës sepse e di që, po të mos i kisha lexuar, jeta ime do të kishte qenë e mjerë, lista do të vazhdonte me faqe të tëra. Por kur përpiqem të çoj ndërmend gjithë kritikët të cilëve u jam mirënjohës menjëmend, shoh se kam një listë me vetëm tridhjetë e katër emra. Nga këta, dymbëdhjetë janë gjermanë dhe vetëm dy francezë. A është ky një paragjykim i vetëdijshëm? Është.

Nëse kritikët e mirë letrarë janë më të pakët se poetët ose prozatorët e mirë, një arsye është natyra e egoizmit njerëzor. Një poet ose prozator duhet të mësojë të jetë i përulur para subjektit të vet, që është jeta në përgjithësi. Por subjekti i një kritiku, para të cilit ai duhet të mësojë të përulet, përbëhet nga autorë, që do të thotë nga individë njerëzorë dhe ky lloj nënshtrimi është shumë më i vështirë të përftohet. Është shumë më lehtë të thuhet – “Jeta është shumë më e rëndësishme se çdo gjë që mund të them për të” – se sa të thuash “Puna e z.A është më e rëndësishme se çdo gjë që mund të them për të”.

Ka njerëz që janë aq të zgjuar sa të bëhen shkrimtarë, por nuk mund të bëhen dot kritikë.

Autorët mund të jenë mjaft budallenj, një Zot e di, por jo gjithmonë janë aq budallenj sa mendon ndonjë kritik. E kam fjalën për atë lloj kritiku, të cilit, kur dënon një vepër ose një paragraf, nuk ka aspak gjasa t’i shkojë ndërmend se autori i saj mund të ketë parashikuar pikërisht atë që do të thotë ai.

Cili është funksioni i një kritiku? Sa për mua, ai mund të më bëjë një ose disa nga shërbimet në vijim:

 

  1. Më prezanton me shkrimtarë ose vepra të cilat deri tani nuk i njihja
  2. Më bind se kam nënvlerësuar një shkrimtar ose vepër, sepse nuk e kisha lexuar me vëmendjen e duhur
  3. Më tregon marrëdhëniet mes veprave të moshave të ndryshme dhe kulturave që kurrë nuk do t’i kisha zbuluar vetë, sepse nuk di kurrë aq dhe asnjëherë nuk do të mundem.
  4. Më jep një “lexim” të një vepre e cila më rrit kuptueshmërinë për të
  5. Hedh dritë mbi procesin e “Të Bames” artistike
  6. Hedh dritë mbi marrëdhëniet e artit me jetën, me shkencën, ekonominë, etikën, fenë etj.

Tre të parët nga këto shërbime kërkojnë studime. Një studiues nuk është thjesht dikush dija e të cilit është e gjerë; dija duhet të jetë e vlefshme për të tjerët. Nuk mund ta quash studiues dikë që di numratorin telefonik të Manhatanit përmendësh, sepse nuk mund t’i marrësh dot me mend rrethanat në të cilat ai do të mësojë një nxënës. Meqë studimi përfshin një marrëdhënie mes njërit që di shumë dhe një tjetri që di pak, ai mund të jetë i përkohshëm; në lidhje me publikun, çdo reçenzues është, përkohësisht, një studiues, sepse ai ka lexuar librin që po i bën recensë, ndërsa publiku jo. Edhe pse dija që ka një studiues duhet të jetë potencialisht e vlefshme, nuk është e nevojshme që ai ta pohojë këtë vlerë me gojën e tij; gjithmonë është e mundur që nxënësi të cilit ai i përçon njohuritë, ka një sens më të mirë të vlerës së tyre se sa ai. Në përgjithësi, kur lexon një kritik studiues, përfiton më shumë nga citimet e tij se nga komentet që ai bën.

Tre shërbimet e fundit kërkojnë jo dije të epërme, por vështrim në thellësi. Një kritik tregon vështrim të thellë nëse çështjet që ai ngre janë aktuale dhe të rëndësishme, sadoqë mund të mos biesh dakord me përgjigjet e tij ndaj këtyre çështjeve. Ka gjasa që pak lexues e kanë të mundur të pranojnë përfundimet e Tolstoit në Çfarë është arti? por, pasi të kesh lexuar librin, nuk mund të mënjanosh kurrë pyetjet që ngre aty Tolstoi.

Gjëja që veçanërisht nuk kërkoj te një kritik është që ai të më thotë çfarë duhet të miratoj apo të dënoj. Nuk kam ndonjë kundërshtim që ai të thotë çfarë veprash apo shkrimtarësh pëlqen a s’pëlqen; në fakt, është e dobishme ta dish këtë sepse, nga preferencat e tij të shprehura për vepra që i kam lexuar, mësoj sa gjasa ka të bie dakord apo ta kundërshtoj vendimin e tij për veprat që nuk i kam lexuar. Por ai s’duhet të më diktojë aspak. Përgjegjësia e asaj çka zgjedh për të lexuar është imja dhe askush tjetër mbi dhé nuk mund ta bëjë në emrin tim.

Opinionet kritike të një shkrimtari duhen marrë gjithmonë me shumë rezerva. Në pjesën më të madhe, këto opinione janë manifestime të debateve të tij me vetveten për atë se çfarë duhet të bëjë më pas e çfarë duhet të shmangë. Për më tepër, ndryshe nga një shkencëtar, ai është shumë më tepër i paditur nga sa është publiku, se çfarë bëjnë kolegët e vet.

Një poet sipër të tridhjetave mund të jetë ende një lexues i pangopur, por nuk ka fare gjasa që pjesa më e madhe e asaj çka lexon të jetë poezi moderne.

Shumë pak prej nesh mund të mburren menjëmend se nuk e kanë dënuar kurrë një libër apo një shkrimtar për të cilin thjesht kanë dëgjuar, por ama shumë prej nesh krenohen që nuk kanë mburrur kurrë atë që s’kanë lexuar.

Urdhri “Mos i rezisto të keqes, por kapërceje atë me të mirë” në shumë fusha të jetës mund të mos jetë i zbatueshëm plotësisht, por në fushën e arteve përdoret në kuptimin e parë. Artin e keq e kemi gjithmonë me vete, por çdo vepër arti e caktuar është përherë e keqe për njëfarë kohe; ajo shëmti e veçantë që pasqyrohet në të, do të vijojë me diçka tjetër të ngjashme. Prandaj, s’ka vlerë ta sulmosh, sepse gjithsesi, ajo do të zhduket. Po të mos e kishte shkruar Mekkolej reçensionin e tij për Robert Montgomerin, ne sot nuk do të jetonim ende me mendimin se Montgomeri ishte një poet i madh. E vetmja procedurë e ndjeshme për një kritik është të heshtë për veprat që ai beson se janë të këqija dhe në të njëjtën kohë, të reklamojë fuqishëm ato të cilat beson se janë të mira, veçanërisht nëse ato lihen pas dore ose nënvlerësohen nga publiku.

Disa libra harrohen padrejtësisht; asnjë syresh nuk kujtohet në të tillë mënyrë.

Disa kritikë mendojnë se është detyrë e tyre morale të tregojnë paaftësinë e një shkrimtari, sepse, nëse nuk bëhet kjo, ai mund të ndikojë te shkrimtarët e tjerë. Për siguri, një shkrimtar rishtar mund të futet në rrugë të gabuar, qorrazi, nga rruga e tij e vërtetë prej një shkrimtari më të vjetër, por më të mëdha janë gjasat që ai të priret nga një shkrimtar i mirë se nga një i keq. Sa më i fuqishëm dhe origjinal të jetë shkrimtari, aq më i rrezikshëm është ai për më pak të talentuarit që përpiqen të gjejnë vetveten. Nga ana tjetër, veprat të cilat në vetvete ishin të dobëta, shpesh kanë qenë një stimul për imagjinatën dhe kanë qenë në mënyrë indirekte, shkaku i veprave të mira te të tjerët.

Nuk mund t’i edukush dikujt shije duke i thënë se ajo që ka pasur zakon të hajë – lë të themi, ta zëmë, lakër e stërzier dhe e ujshme – është e neveritshme, por duke e bindur të provojë një pjatë perimesh që janë gatuar siç duhet. Është e vërtetë se me dofarë njerëzish duket sikur merr më shpejt rezultate po t’u thuash –  “Vetëm njerëzit e rëndomtë e pëlqejnë të stërzier lakrën; njerëzit e hajrit e pëlqejnë lakrën siç e gatuajnë kinezët”, – por s’ka shumë të ngjarë që këto rezultate të kenë jetë të gjatë.

Nëse ndiej ndofarë lehtësimi kur një recensues, shijeve të të cilit u besoj, hedh poshtë një libër, kjo ndodh sepse botohen aq shumë libra, sa heq një barrë të madhe kur mendon – “Ja pra, të paktën qenka dikush për të cilin nuk do të më duhet të mendoj”. Por, edhe po të mos kishte folur, efektet do të kishin qenë të njëjta.

Të sulmosh libra të dobët jo vetëm që është humbje kohe, por kjo gjithashtu i bën keq edhe karakterit. Nëse një libër më duket me të vërtetë i dobët, interesi i vetëm që mund të dalë nga të shkruarit për të, duhet të vijë nga vetja ime, nga nxjerrja në pah e më tepër zgjuarsieje, mençurieje dhe ligësieje që të mund të tregojë. Nuk mund të recensosh një libër të dobët pa shitur ca mend.

Ekziston një e keqe që ka lidhje me letërsinë, e cila kurrë nuk duhet kaluar me heshtje, por vazhdimisht duhet të sulmohet publikisht, dhe kjo është ndotja e gjuhës, sepse shkrimtarët nuk mund të shpikin dot një gjuhë të vetën dhe janë të varur nga gjuha që trashëgojnë kështu që, nëse ajo është e ndotur, edhe ata duhet të jenë të ndotur. Por kritiku që merret me këtë të keqe duhet ta sulmojë atë qysh në rrënjën e saj, gjë që nuk është në veprat letrare, por në keqpërdorimin e gjuhës nga njerëzit-e-rrugës, gazetarët, politikanët, etj. Përveç kësaj, ai duhet të jetë në gjendje të vërë në jetë atë që predikon. Sa kritikë në Angli ose në Amerikë janë sot mësues të gjuhës së vet amtare siç ishte Karl Kraus mjeshtër i gjermanishtes?

Por edhe vetë recensuesit nuk duhen bërë me faj. Ka të ngjarë që shumë syresh më tepër pëlqejnë të bëjnë vetëm recensën e atyre librave që, megjithë gabimet që mund të kenë, ia vlen t’i lexosh por, nëse një recensues i përhershëm i njërës prej gazetave më të mëdha të së dielës do të vepronte në këtë mënyrë, të paktën një të diel në tre, rubrika e tij do të ishte bosh. Sërish, ndonjë kritik i vetëdijshëm të cilit ndonjëherë mund t’i ketë rënë të recensojë një vëllim të ri poetik në një hapësirë të ngushtë, e ka të qartë që e vetmja gjë e ndershme për t’u bërë, është të japë një varg citimesh pa komente, por, nëse do të vepronte kështu, botuesi i tij do të ankohej se ai nuk po e meritonte rrogën që merrte.

Megjithatë, recensuesit mund të fajësohen me të drejtë për zakonin që kanë kur i fusin autorët brenda skemave dhe periodizimeve. Në fillim, kritikët i klasifikonin autorët në të Lashtë, pra autorë grekë e latinë dhe Modernë, që do të thotë çdo autor pas-klasik. Pastaj, i klasifikonin me periudha, augustinët, viktorianët, etj. dhe tani i klasifikojnë me dhjetëvjeçarë, shkrimtarët e viteve ’30, ’40, etj. Duket se shumë shpejt, ata do të jenë autorë markash, si automobilat, duke u nisur nga viti. Edhe vetë klasifikimi me dekada është thuajse absurd, sepse ai nënkupton se autorët rreshtin së shkruari në moshën tridhjetë e pesë vjeçare apo aty afër.

Me termin “bashkëkohor” është abuzuar së tepërmi. Bashkëkohësit e mi janë thjesht ata që rrojnë mbi këtë dhé ndërkohë që unë jam gjallë, qofshin këta njomëzakë apo qindvjeçarë.

Një shkrimtar ose, të paktën, një poet, e pyesin përherë njerëzit që duhet ta dinë më mirë këtë: “Për kë shkruani?” Pyetja, sigurisht, është qesharake, por edhe unë mund të jap një përgjigje qesharake. Rastësisht më bie në dorë një libër që ndiej se është shkruar veçanërisht për mua dhe vetëm për mua. Si një dashnor xheloz, dua që askush tjetër të mos dëgjojë për këtë libër. Të kesh nja një milionë lexues të tillë, të pavëmendshëm për ekzistencën e njëri-tjetrit, të të lexojnë me pasion dhe të mos flasin kurrë rreth kësaj, kjo për çdo autor është sigurisht një ëndërr me sy hapur.

Përktheu nga origjinali: Elvana Zaimi

 * titulli është redaksional

Go to Top