“Demokracia greke”, e poetit grek me pseudonimin Jazra Khaleed, është një poezi provokuese, e shkruar kryesisht në zhargon, ku stigmatizohet islamofobia dhe ksenofobia e mikroborgjezit grek.
Jazra Khaleed është një nga drejtuesit e revistës së mirënjohur letrare “Teflon”, në Athinë, me qendër në Eksarhia, kjo e fundit njihet si lagjia e anarkistëve grekë.
Poezia është shkëputur nga vëllimi i tij poetik: “Jazra Grozny”, i cili pritet të botohet dhe në gjuhën shqipe nga Multimedia Centre në Prishtinë. Eleana Zhako
Demokracia greke-Jazra Khaleed
Jam një mysliman i shkërdhyer,
grusht, kërci, kar.
Nuk kthehem pas në atdhe
(nuk kam atdhe).
Jam një rrezik higjenik,
një i molepsur,
s’i përkas asnjë race të qytetëruar.
Çfarë e shëmton imazhin e vendit tuaj
dhëmbët apo gjuha ime?
Në gjoksin tim mbushur me emigrantë
ngecin varka të kalbura,
në shpinën time nisin luftra civile,
rebelët kërcejnë nga brinjët e mia.
Doktorë, shoqëruar nga policë,
shpallin në kërkim pehashin tim mikrobiologjik,
regjistrojnë çdo sekrecion timin;
gjatë kohës që unë rishpik sifilizin
ata garantojnë sigurinë.
Këshillat e lagjeve përgatisin progrom,
mëditjet ulen
sipërmarrësit blejnë;
shumica e heshtur thjesht ndërron kanal televiziv.
Qytetarët e mirë e të bindur
e hanë frikën me lugë,
demonstrojnë pro shtetit,
kërkojnë mbylljen e kufijve;
imperializmi i mikroborgjezëve
Jam një mysliman i shkërdhyer,
grusht, kërci, kar.
Në këtë vend
përdhunojnë emigrantët,
djegin homoseksualët;
hanxhari i demokracisë greke
copëton, copëton,
copëton.
Nën tehun e shpatës
të tmerrshmin
do të jetoni
një mijë vite
të papërlyer.
Përktheu: Eleana Zhako