Pse duhet të jetë në kopertinën e librit emri i përkthyesit/Jennifer Croft

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Përkthyesit janë si ninxhat. Nëse ju i dalloni, ata nuk janë të mirë.

           Jennifer Croft

  Përktheu: Arlinda Guma

Botuesit e shmangin nxjerrjen në pah të njerëzve që e zgjedhin çdo fjalë për librat që u sjellin lexuesve në gjuhën anglezë. Kjo mungesë transparence është e gabuar dhe e padrejtë
“Përkthyesit janë si ninxhat. Nëse ju i dalloni, ata nuk janë të mirë.” Ky citat, që i atribuohet autorit izraelit Etgar Keret, është përhapur si meme, dhe, e kush nuk e do një citat fshikullues që ka të bëjë me ninxhat? Megjithatë, kjo ideja – që një përkthyes letrar, nga çasti në çast mund të kryejë ndonjë sulm të befasishëm dhe që ne vazhdimisht e mashtrojmë lexuesin si pjesë e një komploti të mirëmenduar mercenarësh – është ndër më toksiket në letërsinë botërore.
Realiteti i teksteve që qarkullojnë ndërkombëtarisht është se në kontekstin e tyre të ri, u takon përkthyesve të tyre të zgjedhin çdo fjalë që ata do të përmbajnë. Kur lexoni “Flights” të nobelistes Olga Tokarczuk në anglisht, fjalët janë të gjitha të miat. Përkthyesit nuk janë si ninxhat, por fjalët janë njerëzore, që do të thotë se ato janë unike dhe nuk kanë ekuivalentë të drejtpërdrejtë. Ju e shihni këtë në gjuhën angleze: fjala “cool” nuk është identike me fjalën “chilly”, edhe pse janë të ngjashme. “Frosty ”ka kuptime të tjera, përdorime të tjera; ashtu si edhe “frigid”. Zgjedhja e njërit prej këtyre opsioneve, më vete nuk ka kuptim; duhet të peshohet në ekuilibrin e fjalisë, paragrafit, në ekuilibrin e së tërës, dhe është përkthyesi ai që është përgjegjës, nga fillimi deri në fund, për ndërtimin e një bashkësie leksikore të lulëzuar, e cila është e pavarur dhe në lidhje të thellë me modelin e saj.
Që kur fillova një MFA në përkthimin letrar në Universitetin e Iowa-s, saktësisht 20 vjet më parë, ka pasur ndryshime të shumta pozitive në mënyrën sesi paguhen dhe perceptohen përkthyesit. Për shembull, Çmimi International Booker, i cili që nga viti 2016 ka ndarë shumën bujare prej 50,000 paundësh midis autorit dhe përkthyesit, duke e njohur kështu vërtetësisht veprën si një entitet thelbësisht bashkëpunues që, si një fëmijë, ka nevojë për dy paraardhës për të ekzistuar.
Pavarësisht këtij lloji përparimi të jashtëzakonshëm, ka ende hapësirë ​​të mjaftueshme për përmirësim. Shpesh, përkthyesit nuk marrin asnjë honorar – unë nuk marr në SHBA për librin “Flights” – dhe një numër befasues botuesish nuk i vlerësojnë përkthyesit në kopertinat e librave të tyre. E kam fjalën për hapësirën ku zakonisht shkruhet emri i autorit dhe titulli. Njerëzit kanë tendencë të habiten kur unë e përmend këtë, por hidhini edhe një sy Çmimit International Booker dhe do të shihni se për çfarë e kam fjalën.
Që nga fillimi i aplikimit të çmimit të ristrukturuar në vitin 2016, asnjë nga gjashtë veprat fituese për fiction-in nuk e ka shkruar emrin e përkthyesit në kopertinën e përparme. Granta nuk ia vuri emrin Deborah Smith-in në kopertinë; Jonathan Cape nuk e vuri emrin e Xhesika Cohen-it; Fitzcarraldo-ja nuk e vuri emrin tim; Sandstone Press nuk e vuri emrin e Marilyn Booth-it; Faber & Faber nuk e vuri emrin e Michele Hutchison-it. Libri “Natën i gjithë gjaku është i zi”, shkruar nga David Diop-i, fituesi i vitit 2021, nga Pushkin Press, nuk e ka emrin e përkthyeses Anna Moschovakis në kopertinë, edhe pse në këtë të fundit shfaqen citate nga tre burime të emërtuara. E thënë me fjalë të tjera, katër emra në kopertinën e një libri, të cilit Moschovakis-i i përktheu çdo fjalë. Por ama vendosja e vetë emrit të saj atje u konsiderua e tepërt.
Hamendësimi themelor nga ana e shumë botuesve duket se është që lexuesit nuk u besojnë përkthyesve dhe nuk e blejnë një libër nëse e kuptojnë se është përkthim. Megjithatë, a nuk është pikërisht kjo lloj dredhie që ngjall mosbesim dhe jo përkthimi vetë? Ajo çfarë e bën një lexues të marrë një libër të panjohur, është ndjenja emocionuese se ata do të fillojnë një udhëtim interesant me një udhëzues të kualifikuar. Në rastin e përkthimeve, ata marrin dy udhërrëfyes vetëm me një çmim, një pazar “i mahnitshëm” – “befasues”, “i mrekullueshëm”, “fantastik”, “i pabesueshëm”.
Ne kemi dëshpërimisht nevojë për më shumë transparencë në çdo nivel të prodhimit letrar; ky është vetëm një shembull, edhe pse unë mendoj se është urgjent. Përkthyesit nuk janë si ninxhat. Por ne jemi ata që kontrollojnë mënyrën e rrëfimit të një historie; ne jemi njerëzit që krijojnë dhe ruajnë stilin e transplantuar të librit. E thënë përgjithësisht, ne jemi edhe avokatët më të besueshëm të librave tanë dhe kujdesemi për ta më mirë se kushdo tjetër. Kopertinat nuk mund të vazhdojnë ta fshehin se kush jemi. Është një biznes i keq, nuk na bën të llogaritshëm për zgjedhjet tona dhe në lënien e qëllimshme në errësirë të emrave tanë ka një praktikë që është fyese, jo vetëm për ne, por edhe për lexuesit.

Marrë nga: The Guardian

Përkthimi ©Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top