Vrapimi i gjatë asnjëmilimetërsh-Shpëtim Selmani
Vrapo me mua,
unë jam muzika e lëkurtë e Morrisonit,
jam zëri i pangopshëm i Bob Dylanit,
jam varg i zbehur i Cohenit të sëmurë,
jam thartësira dhe trishtimi i Guernikës së Pikasos,
buzeqëshja falso e Mona Lizës,
surrealizmi i çmendur e i pafat i masturbatorit gjigant,
kurvëria e ndershme e Bukowskit,
trotuari i kryeqytetit që glasohet nga kopjet,
jam vrasësi i John Lennonit dhe burri i gruas së tij,
jam një këshillë e mërzitshme që përplaset në fytyrën e kujtdo,
jam kryevepra dhe krijimi më i përsosur i babait të zymtë,
një foshnje e paqëruar e nënës së qeshur.Vrapo me mua,
unë jam amerikan, afrikan, europian, australian,
katolik, ortodoks, musliman, i bardhë,
i zi, i verdhë, jam aziatik, i shtypur dhe shtypës,
shtëpinë e kam me strukturë latine,
Kadarenë nuk e kam lexuar kurrë, kjo nuk do të thotë që e urrej,
Kamyja më frikëson, ai ka një altoparlant që të shqetëson,
Ginsbergu ka veshur pantallonat që
i kam marrë dhuratë nga dikush që është askush,
AJO nuk do të doja që të mplaket kurrë,
jam kangur që mbaj dhimbjet universale
në qeset e meskëmbëve të mia.Vrapo me mua,
jam indian, sentimental, fshatar, fëmijë i padurueshëm,
i dashur sepse disa më thonë kështu,
katrorët e jelekut tim më rrinë mirë vetëm
mua mbi këtë faqe të dheut, a nuk është kënaqësi,
kam lexuar edhe Hessen, Dostojevskin,
Buzzatin e shumë e shumë të tjerë,
nuk më kujtohen sa janë të gjithë,
e rëndësishme që asnjëri nuk m’i shëroi
plagët e vizitës sime këtu ku jeni ju,
jam çamçakëzi që ai vrasës është duke e përtypur,
një gotë e zbrazur që ka të ftohtë,
perde e teatrit që vuan nga sëmundja e lëvizjes së derës,
jam i kompleksuar, katundar i dashuruar me lopë,
i urbanizuar me marihuanë në mes gishtave të këmbës.Vrapo me mua,
jam religjion i magjishëm që nuk duron propagandën e fëlliqur,
panjohuri e zakonshme që pret të lakohet,
jam piktura e papërfunduar e një qytetareje të thjeshtë,
më kanë therur në bark, në një natë kur nuk isha në shtëpi,
kam lexuar për jogën dhe elasticitetin që e kam ndarë në dysh,
jam xhuxhi më simpatik i lagjes më të njohur në nëntokë,
palaço që inspirohet nga Çaplini i depresionuar,
portreti i sakatuar i njeriut që quhet Oskar Uajld.Vrapo me mua,
i njoh mirë detet që nuk i kam pështyrë kurrë,
njoh oqeanet dhe thellësitë e tyre kozmike,
majat e larta dhe kupat vullkanike i kam puthur për mirësjelljen e tyre,
pyjet e pashkelura i kam dekoruar si ara të pëlleshme,
shkretëtirën e kam pastruar me nxehtësi metalike,
kanalet artificiale i kam hapur unë me një gjilpërë të verbuar,
brenda e mbaj tërë dashurinë eternale.Vrapo o njeri,
nuk kemi më kohë për ta humbur edhe një lojë,
për dilema të krisura shpirtërore,
e as për pritjet e stërgjatura të Godosë që
është mashtruar nga Beketi,
as për konsultime diplomatike që përqeshin kohën,
nuk kemi nevojë për inteligjencë të vetëshkatërruar,
kemi dashuri edhe për nesër,
kjo është ajo që e duam,
jam fillimi dhe fundi i udhëtimit që e jetojmë duke e ëndërruar,
nuk kemi nevojë për hipokrizi të shenjta që rrjedhin
në mes ballit të një njeriu të ri,
jam syri dhe vaji,
mallkimi dhe urata,
jam përsosja e hapit tuaj.
Gruas-Shpëtim Selmani
Gruas-Shpëtim Selmani Kam parë perëndeshat e Hamburgut të mbytura në pikëllim,grave greke të lashta u kam