Pse shkruaj?-Herman Çuka

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Herman Çuka.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Herman Çuka

Pse shkruaj?
Të pyesësësh “pse shkruan” është sikur të pyesësh “pse pi ujë”? Apo: “pse ëndërron” ose “pse flet heshtur”, sepse e shkruara është fjalë, është tingull, është sikur të dizenjosh…
Përse mendoj kështu?
Ja, po e shpegoj në mënyrë “primitive” ose po sjell si shembull atë epokë kur njeriu i parë e lëshoi tingullin dhe vizatimin si fjalë mbi faqet gurore në banesat nëntokësore, pastaj me evolimin, pas tingullit erdhi fjala dhe pas kodit të vizatimeve erdhi dhe e shkruara, sepse vizatimet e hershme, sa primitive në dukje sot, për atë epokë ishin evolucion i njerëzimit; dëshmi, histori, pse jo, edhe ndjesi e brendshme emocionale tek njeriu i hershëm. Dhe mendoj se zanafilla e të shkruarit është që aty, në atë primitivitet të natyrshëm naiv, të virgjër së shprehuri, ku më tej ka marrë udhë e shkruara e mirëfilltë e kohëve të sotme. Dhe besoj që në atë kohë, edhe pse e panjohur deri në thellësi për vetë arsyet që dihen, ka pasur, le të themi në thonjëza, “artistë”, pra, me evolimin njerëzor dhe poetë e shkrimtarë” të gjeneratave të ardhshme.
Por po hyj në kontekstin e pyetjes:
E shkruara për mua është diçka krejtësisht spontane, kryesisht poezia (kjo gjini s’ka shënime të arkivuara që paskëtaj t’u kthehesh e t’i bësh poezi… tjetër gjë ripunimi, korrigjimi…).
Sa për kuriozitet, që në fillesat e hershme, fëmijë, në shkollë, kur nuk më tërhiqte ora e mësimit , ose vizatoja, ose thurja vargje mbi librat e fletoret dhe mbi bangat e shkollës, gjë e cila rridhte natyrshëm (duke marrë dhe vërejtje, sigurisht me pasoja).
Por shtysë e fortë ka qënë koha kur për mua nisi kalvari i biografisë… pa u zgjatur e pa hyrë në detaje… aty, pa e kuptuar mori formë e shkruara, vargjet, madje edhe ditari.
Mendova se me kohën do të fikej, sigurisht kur krijon familje, bëhesh nënë dhe thua që “s’ke kohë”; vërtet që koha e gruas është e racionuar, por shpirti nuk të pyet kur ke brenda atë xixëllonjë talenti, të vjen në gishta e shkruan, madje edhe në situatat më të vështira, është çlirim, është shpëtim nga çmenduria. Ajo revoltë dhe ai rebelim me veten, jo vetëm ndaj kohës, shoqërisë e çdo lloj sistemi në të cilin jeton, e dihet, në veçanti ndaj regjimeve.
Edhe emigrimi ka pjesën e vet të frymëzimit; për atë që ke lënë mbas, për atë që ke marrë me vete, për atë që gjen në tokë të huaj dhe pastaj të duket sikur ribëhesh në dy dashuri dhe dhimbje atdheu, shtëpie (mbi)jetese, si për veten, familjen e për mijëra motive të tjera që të rrethojnë, dhe kjo, sigurisht jep ngacmime dhe nis e flet me vete kur nuk mundesh; të shkruash e të qash edhe për një dorë të zgjatur… aq sa harron lumturitë e tua të “vogla” e të shpëton përsëri poezia që të vjen si vetëtimë…
Pastaj jeta ka miliona motive; miliona që një shkrimtari e një poeti, edhe një jetë e tërë nuk do t’i mjaftonte për t’i hedhur në letër… sigurisht që e shkruara e secilit është vetjake, dhe unë, personalisht, nuk mund të fisja në përgjithësi.
Kjo mbase vjen edhe nga karakteri, nga trajtimi i temave të ndryshme. Jam më bindëse kur fjala më del nga shpirti prej dhimbjes sesa prej gëzimit, për veten dhe për gjithçka që më rrethon, që na rrethon. (Jo se bëj një jetë pa gëzime e dëshira, përkundrazi, megjithë grushtet nga jeta, i kam marrë më të mirën me thonj e forcë.)
Si përfundim, e shkruara, si çdo talent tjetër, është çlirim dhe një lloj burgu nga ndjesitë, muza, është jetë, është dashuri, është tradhti, po, po, tradhti e vetvetes e gur Sizifi (sepse kur e bën mendimin dhe fjalën tënde publike, përveç duartrokitjes mund të të presë gati gijotina, nga lexuesi e më tej.) Dhe si një koshere me bletë, herë si xixëllonjat, herë si tingull i shpirtit, që tek ai që shkruan; germat, fjala, mendimi, janë pentagrami…. Është si uji që kur rrjedh i ujit tokat (nuk ka çast të caktuar, as orë e vend, besoj dhe në gjumë truri riciklon) dhe një ditë shteron si uji, e kudo ndihet etje dhe ta ndjen edhe shpirti…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top