Author

Admin - page 184

Admin has 1904 articles published.

Shqiptarët e mesëm krijojnë imazhe utopike për Amerikën dhe çuditen kur iu tregoj që në Amerikë shumë njerëz të shtresave të mesme institucionalizohen në psikiatri/Bisedë me poeten Eni Isufi

in Biseda/Letërsi by

Bisedë me poeten Eni Isufi, për poezinë dhe jetën e saj në emigrim.
Ajo jeton prej vitesh në New Jersey, ku punon si redaktore letrare për revistat lokale.
Ka botuar dy vëllime me poezi në Shqipëri, për njërin prej të cilëve thotë se “Pati disa gabime redaktimi për vëllimin me poezi “Fund”. I shkrova redaktuesit se ndryshimet që kishte bërë tregonin se nuk e kishte lexuar poezinë kujdes’shëm apo nuk e kishte kuptuar. Më hoqi disa njëfjalëzime dhe neologjizma. Gjithashtu hasa censurë.”

Ndërsa pyetjes në lidhje me amerikanin e mesëm, ajo i përgjigjet:

Amerikanët e mesëm nuk dinë vendndodhjen e shumë shteteve (shumë pak amerikanë e gjejnë Shqipërinë në hartën botërore), pasi vetëm një përqindje e vogël amerikanësh kanë udhëtuar jashtë shtetit. Shumica nuk kanë interes. Ndaj nuk mbajnë pasaportë. Amerikanët e mesëm nuk lexojnë. Amerikanët e mesëm nuk e flasin gjuhën e tyre në mënyrë të mirëfilltë dhe bëjnë gabime gramatikore, sintaksore dhe semantike në shkrim.

Bisedoi Arlinda Guma

Arlinda Guma: Keni botuar dy vëllime me poezi “Fund” dhe “E Teltë”. Përse nuk flitet për poezinë tuaj këtu në Shqipëri?`Nuk gjendet askund ndonjë recensë apo kritikë për këto dy vëllime. Teksa kërkoja ndonjë shkrim për letërsinë tuaj, ngado më dilte përpara syve një “Eni” tjetër; Eni Çobani. (Kush është kjo e fundit, do të pyesni ju me të drejtë. Më mirë të mos ta dini…)

Eni Isufi: Nuk flitet për asnjë prej këtyre dy vëllimeve pasi 1.) Nuk ka shumë interes për leximin e poezisë në Shqipëri (si dhe në Amerikë) dhe 2.) unë nuk kam bërë asnjë përpjekje për t’i reklamuar librat. Shpresoj të bëhem pjesë e një rrethi shkrimtarësh me vendndodhje në Shqipëri. Gjer tani vetëm Artan Gjyzel Hasani komentoi mbi librat në një postim forumi apo blog-u, shumë vite më parë. Dhimitraq Papando, i cili është mik i familjes, më dërgoi një shkrim me email për disa prej poezive. Por duke qenë larg nga Shqipëria, unë nuk kam arritur të zhvilloj lexime publike të poezive apo t’i bëj librat të njohur në rrethin kritik. Më mungon ingranazhi për ta kryer këtë. Shpresoj në të ardhmen. Unë po punoj drejt këtij qëllimi. Dua të jem pjesë e skenës artistike të Shqipërisë.

Arlinda Guma: Shumë autorë shqiptarë ankohen prej përvojave të tyre të pakëndshme me botuesit shqiptarë. A ka qenë përvoja juaj po aq e pakëndshme? Apo gjithçka në rastin tuaj ka ecur fjollë. A ka ecur përpara Shqipëria në këtë drejtim?

Eni Isufi: Shtëpitë botuese (Botimet “Egnatia” për “Fund” dhe “Linddita AE” për “E Teltë”) nuk bënë përpjekje për të më ndërlidhur me qendra artistike, në mënyrë që t’i bëja librat të njohur. Gjer tani disa kopje të dy librave thjesht u çuan në disa librari të Tiranës dhe disa të tjera u shpërndanë tek të njohurit. Pati disa gabime redaktimi për “Fund”. I shkrova redaktuesit se ndryshimet që kishte bërë tregonin se nuk e kishte lexuar poezinë kujdes’shëm apo nuk e kishte kuptuar. Më hoqi disa njëfjalëzime dhe neologjizma. Gjithashtu hasa censurë. Më “pastroi” një poezi prej “fjalëve të pista”, ndonëse ajo fjalë ishte më e përshtatshme për atë poezi, pasi kishte vlerë tingëlluese.

Arlinda Guma: Si gjendet një poete shqiptare në New Jersey? (Një “e huaj” e cila redakton krijime letrare për revista të ndryshme vendase…) Sa kohë ju është dashur për të krijuar besueshmëri në sytë e eprorëve?

Eni Isufi: Emigrova me familjen në vitin 2000, sepse sime mëje, e cila është matematikane, iu dha mundësia të japë mësim dhe të hulumtojë në fushën e saj të matematikës (Inverse Scattering) në Universitetin e Delaware, nëpërmjet një burse (Bursa Humbolt), të fituar në Gjermani (ishim një vit më parë në Stuttgart). Unë i kreva studimet për gjuhësi dhe letërsi në Universitetin e Delaware. Aty punova me Dr. Bruening si informatore gjuhësie. Profesori kishte nevojë për të dhëna mbi morfologjinë, etimologjinë, dhe sintaksën e shqipes, pasi kishte marrë një bursë për këtë studim. Unë ia dhashë këtë informacion dhe punova me studentët e seminarit të tij. Gjatë kësaj periudhe u njoha me poetin Robert Bohm. Ai më recensoi poezitë dhe prozën dhe sot e kësaj dite (pas 15 vjetësh) është si këshilltar për mua. Pasi përfundova universitetin, mora rekomandime nga të dy dhe i përdora për të siguruar pozicion redaktues për revista lokale. Shumë revista u japin aplikuesve një tekst për ta redaktuar nga ana gramatikore, sintaksore, leksike, dhe stilistike dhe përzgjedhin atë që iu duket më i arrirë. Unë u punësova shpejt, por u deshën disa vite derisa u vlerësova në rrethin e redaktorëve lokalë.

Arlinda Guma: Lexoni autorë shqiptarë të pas 90-ës? Nëse po, cilët janë ata që ju bëjnë më shumë përshtypje? A ju duket e çliruar nga autocensura kjo letërsi?

Eni Isufi: Po. Më ka lënë mbresa “Vargje të Përfolura” nga Rita Petro, botuar pak vjet pas 1990-ës, sepse të përfolurit në këto poezi përkon me një përpjekje për t’i dhënë pafajësi një fjalori thelbësisht të paanshëm, por të përdhosur prej përdorimit. Gjithashtu më pëlqejnë “Ferri i Çarë” dhe “Rrugët e Ferrit” nga Visar Zhiti, botuar pas viteve 2000, sepse tregojnë që me rënien e diktaturës ra edhe vetëcensurimi: tek të dy romanet e burgologjisë, autori përshkruan drejtpërdrejtazi, dhe jo nëpërmjet alegorisë apo eufemizmit, nisjen dhe shtypjen e revoltës.

Arlinda Guma: Më thoni një tipar të mërzitshëm të amerikanit të mesëm. Po një të shqiptarit të mesëm?

Eni Isufi: Amerikanët e mesëm nuk dinë vendndodhjen e shumë shteteve (shumë pak amerikanë e gjejnë Shqipërinë në hartën botërore), pasi vetëm një përqindje e vogël Amerikanësh kanë udhëtuar jashtë shtetit. Shumica nuk kanë interes. Ndaj nuk mbajnë pasaportë. Amerikanët e mesëm nuk lexojnë. Amerikanët e mesëm nuk e flasin gjuhën e tyre në mënyrë të mirëfilltë dhe bëjnë gabime gramatikore, sintaksore, dhe semantike në shkrim.
Shqiptari i mesëm nuk pranon jo. Shqiptarët e mesëm kacafyten me njëri-tjetrin për pagesën e faturës nëpër kafe dhe restorante. Shqiptarët e mesëm krijojnë imazhe utopike për Amerikën dhe çuditen kur iu tregoj që në Amerikë shumë njerëz të shtresave të ulëta vuajnë urie; shumë njerëz të shtresave të mesme institucionalizohen në psikiatri; në Amerikë ka krim të lartë; në Amerikë shumë nxënës përfundojnë universitetin me borxhe, për të cilat duhen vite të tëra pune të shlyhen, sepse shkollimi është shumë i shtrenjtë…

Arlinda Guma: Si jeni ndjerë kur keni parë poezitë tuaja të botuara në anglisht? (Jeni entuziazmuar fillimisht dhe dy minuta më vonë e keni harruar?)

Eni Isufi: U gëzova kur poezia ime e titullar Sleeping Beauty u botua në Slipstream, pasi e njihja krijimtarinë e shumë poetëve të botuar në atë revistë. Nuk harroj asnjë botim – edhe të revistave që nuk ekzistojnë më online – sepse është shumë vështirë të përputhësh subjektin dhe stilin e poezisë që shkruan, me kërkesat dhe prirjet e revistave poetike.

Arlinda Guma: Shumë emigrantëve, kur kthehen me pushime, në një vështrim të parë Shqipëria iu duket mjaft e begatuar. Një parajsë e vockël mbi Tokë për të cilën ne fatlumët që jetojmë në të duhet të jemi mirënjohës çdo çast. Në të vërtetë, aq kohë sa zgjasin pushimet e tyre, nuk lë shumë hapësirë për të kuptuar problemet e vërteta të këtij vendi. A ka ndodhur edhe me ju ky i ashtuquajtur mrekullim?

Eni Isufi: Patjetër. Çdo vit në Shqipëri ndërtohen godina të reja, hapen biznese të reja, përmirësohet infrastruktura dhe bëhen investime kulturore (si për shembull Bunk Art, të cilin e vizitova për herë të parë këtë vit). Gëzohesh kur bën plazh në ujin e bruztë të detit Jon apo kur hyn brenda kalasë së lashtë të Elbasanit. Pothuajse harron që niveli i jetesës në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Që të jetosh mirë në Shqipëri, duhet të punosh. Që të punosh në një vend të mirë pune, duhet të kesh shkollimin e duhur. Në Shqipëri, për mendimin tim, niveli akademik ka rënë shumë. Shiten doktoratura. Akreditohen disa universitete, të cilët nuk përmbushin asnjë kriter akademik. Është vështirë të kryesh hulumtime shkencore, pasi ka mungesë fondesh, korrupsion, dhe akses të pamjaftueshëm tek artikujt/librat/kërkimet shkencore më të fundit të botës.

Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon më shumë kur jeni në Shqipëri dhe çfarë ju lumturon?

Eni Isufi: Fatkeqësisht, në Shqipëri shumë ndërtime janë bërë pa një plan të mirëfilltë urbanistik, ndaj shpeshherë Tirana apo edhe qytete më të vogla më duken të tejngjeshura. Ёshtë paksa e vështirë të ngasësh makinën pasi shumë rregulla të qarkullimit nuk zbatohen. Kurdoherë që shkoj në Shqipëri, shpresoj të mos sëmurem, pasi shumë prej njerëzve të mi kanë pasur përvoja negative në spitale, klinika, apo qendra të tjera shëndetësore; disa mjedise nuk janë higjenike, disa pajisje nuk janë bashkëkohore, dhe shërbimi nuk është gjithnjë i mjaftueshëm. Qentë e rrugëve janë burim ndotjeje, por fatmirësisht këtë vit ishin marrë masa për t’i hequr/zvogëluar në numër.
Më lumturojnë Shqiptarët (njerëzit e zakonshëm). Janë njerëz të dashur, të sjellshëm, dhe besnikë. Kamarierët shqiptarë nuk kanë atë shpërfilljen e kamarierëve francezë apo buzëqeshjen artificiale (të diktuar në rregulloren e punës) të atyre amerikanë. Shoferët e taksive në Shqipëri shprehin mirënjohje edhe për një bakshish të vogël, ndërsa në Itali shoferët u vjedhin para turistëve me lloj-lloj taktikash. Kam krijuar shumë miqësi të reja në Shqipëri nëpërmjet shoqërisë së fëmijërisë dhe kushërinjve. Më qëndrojnë besnikë sa herë që rikthehem.

Arlinda Guma: Keni ndonjë vend ku shkruani, ndonjë bar, në qytetin ku banoni? Mund ta përshkruani atmosferën ndërsa jeni duke shkruar?

Eni Isufi: Frekuentoj Kafe “OQ” në qytezën Highland Park. Në mur janë varur disa vizatime, në të cilat, mjete industriale si ekskavatorë apo traktorë, përpunojnë ëmbëlsira të ndryshme. Kafe dhe çajra erëmirë të prurë nga Tanzania, Jemeni, Filipinet, Kina, dhe Kolumbia, janë radhitur nëpër rafte. Në krah të djathtë është një skenëz, në të cilën dy herë në javë poete të Highland Park, si dhe të qytezave të aftërta, lexojnë krijimet e tyre. Aty çdo mëngjes porosis një çaj mentesh dhe vargëzoj në bllokun tim te shkrimit: flokë-shelge, gjashtë-gishtëshe, kujdestare shterpë e një vendi të veshëlt…

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Eni Isufi: Faleminderit! Është kënaqësia ime.

Camilla, hapi gishtat e tu të gjatë dhe ma kthe shpirtin tim të lodhur!-John Fante

in Letërsi/Tharm by

Pyesni pluhurin-John Fante

“Kush të ka qëlluar?”, të pyeta, dhe ti nuk m’u përgjigje. “Një aksident me makinë.” Mos po i grahte Sammy kot? Zure të qaje, e dehur dhe zemërthyer. Arrita të shtrihesha pranë teje dhe të mbajta në krahët e mi, dhe të dëgjova tek thoshe se Sammy të urrente, se ti kishe shkuar ta takoje në shkretëtirë dhe ai të kishte grushtuar dy herë pse e zgjoje në tre të mëngjesit.

Të thashë: “Po ç’ke që e takon?”

“Sepse e dua”, më the.

Nxore një shishe nga çanta dhe e pimë; me radhë, në fillim ti, mandej unë. Kur shishja u boshatis shkova në dyqan dhe bleva një tjetër, një më të madhe. Tërë natën qamë e pimë, dhe i pirë unë munda t’i shprehja të gjitha gjërat që më cimbisnin në zemër, të gjitha fjalët e ëmbla dhe buzëqeshjet e mençura, sepse ti po qaje për dikë tjetër dhe s’dëgjoje asnjërën nga fjalët që thosha, por unë i dëgjoja… dhe Arturo Bandini ishte fort i shprehur atë natë, sepse po i fliste dashurisë së tij të vërtetë, dhe nuk ishe ti, nuk ishte as Vera Rinken, ishte thjesht dashuria e tij e vërtetë. Por unë thashë do gjëra të magjishme atë natë Camilla. I përgjunjur pranë teje, të mbajta dorën dhe të thashë: “Camilla, ah vajzë e humbur! Hapi gishtat e tu të gjatë dhe ma kthe shpirtin tim të lodhur! Puthmë me gojën tënde sepse kam uri për bukën e kodrave meksikane! Thithe erëkanden e qyteteve të humbura me flegrat fërgëlluese dhe lërme të vdes këtu, me dorën mbi konturin e butë të qafës tënde të bardhë si plazhet gjysmë të harruara të detrave të Jugut. Prite dëshirën time në sytë e tu të shqetë dhe ushqe me të dallëndyshet e fushave vjeshtake, sepse unë të dua Camilla, dhe emri yt më është shumë i shenjtë si të qe ai i një princeshe që vdiq me një buzeqeshje dashurie, për dashurinë që s’njohu.”

Isha i dehur atë natë Camilla, i dehur me whisky 78 centësh, dhe ti ishe dehur nga whisky dhe vuajtja. Më kujtohet se mbasi fika dritat të mbajta në krahë, dhe më zuri gjumi në ngashërimin tënd, i bezdisur nga lotët e tua valë, dhe shijova kripësinë e tyre, dhe m’u kujtua Sammy dhe dorëshkrimi i tij i amësht. Ani kush të kishte rrahur! Ai leshkoja. Që s’dinte as si vihen shenjat e pikësimit!

Pse Amélie ishte rrënimi i një gjenerate të tërë vajzash/Sofia Torre

in Feminizëm/Kinema by

Bota e mrekullueshme e Amélie-së ka kontribuar për vite të tëra në ndrydhjen e protestave feministe, duke siguruar kështu një përfaqësim krejtësisht të rremë dhe pasiv të seksualitetit femëror. Amélie ka të njëjtat impulse seksuale të një thekëseje buke…

            Sofia Torre

Filmi“Le Fabuleux Destin d’Amélie Poulain”(Fati i mrekullueshëm i Amélie Poulain), i vitit 2002, u mirëprit ato kohë prej audiencës së vajzave të reja, të etura për t’u shfaqur si “unike”, si një lloj odeje për pafajësinë dhe origjinalitetin.

Nuk kuptohet dhe aq qartë se në çfarë konsiston “Le Fabuleux Destin d’Amelie Poulain”, meqenëse asgjë e mrekullueshme nuk ndodh në këtë film. Amélie jeton në Paris, që në perspektivën e Jean-Pierre Jeunet duket të jetë një vend i banuar nga njerëz që nuk flasin me njëri-tjetrin dhe që e shmangin njëri-tjetrin kur ata qëllojnë të jenë përkrah në trotuar.

Amélie nuk ka miq, nuk ka impulse seksuale, nuk e shohim kurrë të lexojë, nuk del mbrëmjeve, as edhe për një birrë që ta kujtojë se në fund të fundit jeton në një nga qytetet më të bukura të botës.

Faji i madh i Jean-Pierre Jeunet është që ka mundur të transformojë atë që mund të përbënte një denoncim të vetmisë dhe të ftohtësisë së individit, në një ftesë që vajzat të lëkunden nëpër stile jetese të zbrazëta, hutuese, për të mos shprehur dëshira apo impulse, apo për të mos bashkëvepruar, dhe kjo e dhënë në mënyrën më të pakuptueshme dhe më të bezdisshme të mundshme.

Sy të përgjumur, të mbufatur, buzëqeshje ëndërrimtare, modeli i flokëve në forme tasi, prerje e cila i shkonte vetëm Audrey Tautou-së: “Le Fabuleux Destin d’Amélie Poulain” ka lënë një trashëgimi (jo vetëm estetike) të vështirë për një brez vajzash, të cilat, menjëherë pas daljes të filmit në kinema, u dyndën në masë për të fotografuar retë, duke veshur këmisha me lule dhe funde shumëngjyrëshe, valëvitëse.

Vegjetim pseudo-artistik, pasivitet seksual, zbrazëti dhe biseda me të panjohur bazuar në paragjykime dhe antipati instinktive: kjo është trashëgimia e botës së mrekullueshme të Amélie-së në brezin tim.

Amélie i kalon ditët e saj duke shërbyer kafe dhe pjata të ngrohta për klientët e “Café des 2 Moulins” në Montmartre. Duket se askush nuk flet me të për më shumë se dy minuta, por megjithatë asnjëherë një bisedë pak më e lartë se “Ditë e bukur!” (forma pohore) dhe “Po, me të vërtetë!” (përgjigjia).

Do të ngjante si fillimi i përsosur i një reflektimi mbi atomizimin në shoqërinë e globalizuar kapitaliste, si dhe vetminë e individit, po të mos ishte për faktin se Amelia nuk duket të vuajë për vakumin shoqëror që mbush ditët e saj. Përveç rrengjeve që u punon fqinjëve dhe fotografitë e xhuxhit në kopshtin e babait, jeta e kësaj të reje pariziene është e bërë prej rutinës; udhëtime nga një pikë e qytetit në tjetrën dhe një numër i konsiderueshëm çrregullimesh  ankthi, që ajo i quan “kënaqësi të jetës”.

Duket se puna e saj kryesore është të zhysë dorën në thasët me bishtajat që nuk i përkasin. Kujtime dhe motive nga ky leksion i lumturisë së të prekurit; – shoqet e klasës sime përkëdhelnin qilimat e pistë sikur të ishin kotele… dhe më pas shkonin në bar që të fusnin duart në lojërat me birila, gjë që irritonte mua dhe germofobët e gjithë botës.

E interesuar pak për ndërtimin e një karriere, me një rrjet të pakuptimtë marrëdhëniesh njerëzore apo qoftë edhe vetëm me ndonjë hobi të rëndomtë, Amélie endet nëpër Paris me një shprehi boshe, duke prodhuar kështu një ushtri adoleshentësh dhe adoleshentësh të vonuar, të uritur për vëmendje, me bindjen e rrezikshme se pafajësia dhe naiviteti me çdo kusht, nuk është vetëm një gjendje e këndshme dhe e natyrshme e vajzave, gjë që ndokund tjetër do të quhej “vuajtje nga çrregullimet e të mësuarit”, por që është gjithashtu papërballueshmërisht sexy.

Amélie nuk është as e denjë për statusin e një mikeje të mirë, një karikaturë pa një jetë të sajën, kjo e fundit aksesor i domosdoshëm i të gjitha heroinave që lindën në komeditë romantike: miti fals i protagonizmit të nevojshëm femëror, i grave që kurrë nuk do të mund të jenë “Miqtë e mi” te Monicelli. Miqësitë mes femrave shpesh (nëse jo gjithmonë) reduktohen në një valvul shfryrjesh, që tregojnë shfrytëzimet dhe abuzimet e burrave, të paktën në kinemanë pastel, përjetësisht heteronormate dhe patriarkale deri në veleritje. Por në botën e mrekulleshme të Amélie-së, është edhe më i rëndë ky përshkallëzim, për të paktën dy arsye të ndryshme.

E para është se Amélie nuk duket të jetë e prekur sadopak prej mungesës së një marrëdhënieje, të barabartë apo qesharake qoftë, me një tjetër vajzë: zero ndërveprime me gratë që shfaqen, nëse heqim kamarieret e tjera në “Café des 2 Moulins” dhe  gruan e kioskës përballë, e cila shoqërohet sa hap e mbyll sytë me një të çekuilibruar. Ndoshta Amélie ka shkaktuar një fenomen “feminicid”, ku i dihet.

E dyta është se; sapo një grua – në këtë rast fqinja – përpiqet të bëhet shoqja e saj dhe ta bëjë pjesë të kujtimeve dhe mendimeve të saj, Amélie vendos ta manovrojë dhe t’ia dorëzojë atë mekanizmave të veta ngushëlluese, të një bote imagjinare, ta bëjë të besojë se burri tradhtar e kishte dashur gjithmonë. Morali: – Mos u përballni me realitetin dhe mos i jepni vetes një jetë të re. Bëni si unë; jetoni në një planet tjetër, është më mirë.

Bota e mrekullueshme e Amélie-së ka kontribuar për vite të tëra në ndrydhjen e protestave feministe, duke siguruar kështu një përfaqësim krejtësisht të rremë dhe pasiv të seksualitetit femëror. Amélie ka të njëjtat impulse seksuale të një thekëseje buke; kur dikush vendos ta vërë në punë ajo ngrohet, edhe nëse propozimi “nuk është në lartësinë e pritshmërive të saj.” Kur asaj i duhet të përballet me gjëra që kanë të bëjnë me seksin, për te cilin duket se nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të sajën, Amélie shfaqet në kamera me një buzëqeshje, në vend që t’i propozojë diçka të ndryshme partnerit të saj, në vend që të ndërveprojë apo qoftë edhe t’i thotë atij të largohet.

Pastaj, një ditë, Amélie has një djalë të bukur, të cilit nuk ia di emrin, dhe kështu bëhet viktimë e një dashurie të menjëhershme me shikim të parë, edhe pse nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin, edhe pse mund të ndodhte që princi i magjishëm të ishtë një pedofil, një tifoz i Baywatch-it ose një pedofil-tifoz i Baywatch-it. Një qasje romantike në të cilën Amélie është e vetëmohuar, duke ndjekur djalin me sy, siç duket pa ndjerë nevojën e një bisede apo kontakti fizik, duke mbetur viktimë pasive e ngjarjeve të shpërndara të rastit, që nuk e shfaqin dhe aq të vetëdijshme.

Pasi e ka njohur Ninon, Amélie ëndërron të behet një shtëpiake dhe gruaja e dashur, që përgatit “gjellën e famshme me lakra” për burrin e zhytur në mendime për gruan e dashur që shkon përherë nëpër dyqane për të blerë asortimentet e duhura. Kjo skenë, në të njëjtën kohë edhe kopertinë e Shtëpiakes së Mirë- Shining-Stanley Kubrick, jo vetëm bën të më perzihet stomaku, por ndihmon edhe për të normalizuar dhe institucionalizuar origjinalitetin e supozuar dhe pavarësinë e simuluar të Amélie-së, e cila me sa duket nuk jeton vetëm për zgjedhje të saj, por për të pritur princin simpatik.

Mënyra me të cilën Amélie, pasi është përballur me peripeci që nuk ekzistojnë, vrapon në krahët e djalit, që tregon mirëqenien dhe përmbushjen, nuk është e ndryshme nga nata e parë e martesës së viteve 1800, kur gratë e pranonin me sy mbyllur fatin e tyre seksual, duke kaluar nga puthja e parë, në zhvirgjërim, brenda pak orësh, pa pasur të drejtë në zbulimin e seksualitetit të tyre.

Është e pashmangshme që një histori dashurie, e cila u bë kult për një brez të tërë vajzash, të të bëjë të duash ta kapësh për flokët e prerë tas parizienen, duke u kapur kështu me një stil jetese që tenton të shabllonizojë vizionin e marrëdhënies në çift, nëse jo në mënyrë të pazgjidhshme, të paktën në mënyrë të qartë.

Ne, brezi i Amélie-së, sapo takojmë një djalë që duket se na plotëson, një djalë jomanjak, pa çrregullime shumë të dukshme psikologjike dhe të bukur mjaftueshëm për t’u bërë “personi i duhur”, e marrim të mirëqenë faktin se aty ka një ëndërr dashurie për t’u kurorëzuar, pa e pyetur veten nëse të jesh një çift tradicional është ajo që ne me të vërtetë duam. Sapo e gjejmë gjysmën tjetër të ëmbël, hidhemi turravrap, dhe përfundojmë të mbërrijmë plotësisht të papërgatitura prej zhgënjimeve të pashmangshme kur burrat nuk sillen ashtu si ne do të dëshironim, apo kur përplasesh në tehet e mprehta të realitetit.

Me marrëdhëniet e saj jofunksionale, të shitura si shenja të fatit dhe buzëqeshjet e saj lënë përgjysmë, duke parë kamerën, Amélie jo vetëm që ka thyer korren e Crème Brûlée-së. Tendenca e protagonistes së veprës së Jean-Pierre Jeunet, për t’iu bashkuar ngushëllimit të përjetshëm dhe të diskutueshëm të kënaqësive të vogla të jetës, rrezikon të na bëjë të harrojmë se edhe ne kemi të drejtë për gjëra të mëdha, të cilat nuk bien nga qielli, si zonja vetëvrasëse në rolin e nënës se Amélie-së.

 Marrë nga The Vision

Përktheu nga italishtja: Arlinda Guma

 

 

Lentet-Rozi Hysuka

in Letërsi/Tharm by

Falë mentalitetit disa njerëz e kanë të vështirë të përshtaten me të renë. Ndonjëherë lëshohen turravrap prej kuriozitetit, çudisë apo edhe naivitetit. Nuk mund të shohin përtej asaj që u ofrohet si një tendencë. Shpesh shoqëritë bëhen pjesë e iluminimit, por për disa njerëz kjo është diçka e pakuptueshme. Mjafton konformizmi fodull për të kuptuar se shumë gjëra nuk janë ashtu siç duken.“Të parit” nuk është tendencë e as moral, por një lloj fryme për të cilën një shoqëri ka nevojë ta ndiejë e të veprojë. Kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Shoqëritë dhe njerëzit në disa kohë e vende janë foshnjore, të parritura dhe nuk janë ende gati të asgjesojnë shfaqjet e vjetra për t`iu përshtatur risive.

Prej kohësh ishte dëgjuar se gruaja e moshuar lëvizte sa nga njëri vend në tjetrin, ajo nuk qëndronte gjithmonë në të njëtin qytet. Nuk po i marr me radhë emrat e qyteteve ku ajo qëndronte, por po ju bëj me dije impaktin që ajo sillte, bashkë me oratërinë e saj, me shpresën se në vendet që vizitonte do të kishte; në mos efekt, të paktën kuriozitet.

Ishte përhapur fjala në qytetin e vogël se e moshuara paskesh fuqi të hiqte syrin e keq, kështu që kërkonte që këtë ta manifestonte si një ngjarje në mes të qytetit, ku mund ta shihnin të gjithë.

Njerëzit që vuanin nga ky shqetësim, pa një pa dy zunë radhët e gjata dhe u shtynë kush të mund të fillonte më parë.

– Siç duket ti bredh shumë nëpër shtëpitë e huaja, – e thumboi e moshuara Kasemin që dridhej nga frika.  – Të marrin mësysh kurvat ty, nuk duhet të shkosh, – e qortoi ajo. Gruaja e Kasemit, e bërë lulëkuqe, ia plasi të qarit dhe u largua me vrap. Kasemi e ndoqi me vrap, por nuk e arriti dot, dhe e harroi çfarë tjetër po i thoshte e moshuara.

– Po ti, pse rri tërë ditën nëpër kafenera dhe harxhon lekët me Baftjarin e Samiun. Nuk ke sy? Ke vjedhje, – e sqaroi e moshuara Kalemin, i cili atë çast u kujtua për marifetin që i bënin ata të dy dhe u nis t’i këpuste një dru dy shokëve hajdutë.

E moshuara ishte një grua e pashme. Ngjyra e flokëve dhe fustani ia hijeshonin misionin.  Asnjëherë nuk përlotej apo trishtohej prej rasteve. Jepte porositë, u tregonte veset dhe defektet, por kërkonte me çdo kusht ta dëgjonin pa bërë zë të gjithë ata që ishin atje në shesh.

– Nuk të ka hije moj zonjë të merresh me thashetheme e të lesh vajzat e pallatit beqare, – i tha Adiles dhe e përzuri prej “shërimit”. Adilja mëndjemadhe u largua, por nuk ia bëri syri tërr për fjalëve të saj. Kushedi se çfarë ofertash merrte ajo për thashethemet!

– Po ti, syshkruara, përse nuk je martuar akoma? – e pyeti me përkëdheli e moshuara vajzën.

– Nuk e di, prandaj kam ardhur të ma thuasht ti, – i tha vajza duke buzëqeshur.

-Ty nuk të ka penguar mësyshja, se me ato sy të kaltër që ke, e thyen mësyshin vetë, – iu përgjigj e moshuara me seriozitet.

– Unë këto i kam lente të vëna, nuk jam sykaltër, – iu përgjigj vajza syzezë, duke hequr lentet dhe duke ia treguar të vërtetën njerëzve në shesh.

E moshuara u largua rëndë-rëndë, pa e vrarë mendjen për mësyshin e atij qyteti, që ua kishte mpirë mendjen njerëzve dhe i kishte kthyer në njerëz vesesh.

Alida ia nisi sërish thashethemeve dhe u gëzua që vajza sykaltër nuk do të martohej, pa u bërë Alida mblesërja e saj. Kasemin dhe gruan e tij e pajtuan gratë e qytetit, bashkë me burrat e tyre. Edhe Baftjari me Samiun e dëmshpërblyen Kalemin për hiletë që i bënin në lojën me domino.

Të nesërmen në qytet, secili nga të pranishmit e ndali vajzën sykaltër( apo syzezë) për ta falënderuar për guximin, teksa ajo kalonte përbri shëtitores. Pikërisht atje ku kishte dëgjuar zërat nga habia e një dite më parë, këta njerëz që asnjëherë nuk i kishte parë kaq  pranë njëri-tjetrit.

– Na shpëtove nga ajo dhe nga vetja, – e falënderuan ata pothuajse njëzëri vajzën.

– Besoj se ju duhen lentet e mia, dhe po ti provoni, do të më besoni që shikimi do t`ju përmirësohet edhe juve,  – tha me të qeshur sykaltra (me sytë e zinj), duke mos e zgjatur më atë temë, të cilën, që nga ajo ditë askush nuk e zuri më në gojë.

 

 

Një qytet i tërë var të mbathurat nëpër rrugë, madje është edhe krenar për këtë!

in Meqë ra fjala by

LONDЁR – Dikush vendosi një palë reçipeta në majë të një shtylle. Deri në fund të ditës; boksera, çorape dhe këmisha u varën jashtë shtëpive dhe dyqaneve, madje u nderën edhe nëpër rrugë.

Një përpjekje për të turpëruar një grua që të mos i varte rrobat e  sapolara jashtë shtëpisë së saj, në Anglinë Jugperëndimore, dështoi në mënyrë spektakolare të mërkurën, kur fqinjët dhe njerëzit e biznesit u bashkuan në mbrojtje të saj dhe varën edhe ata rrobat e tyre jashtë, në mënyrë që t’i shihnin të gjithë.

“Rrugë pas rruge, ishte si një lloj operacioni ushtarak”, tha Paul Arnott, i cili mori pjesë në “Revoltën e Lavanderisë”.

Episodi zuri fill javën e shkuar, kur gruaja, Claire Mountjoy, mori një letër të panënshkruar në kutinë e saj postare në Colyton. Letra pretendonte të fliste “në emër të bizneseve lokale dhe lagjes”, përpara se të kërkonte “me dashamirësi” që ajo të përdorte një tharëse rrobash apo t’i varte ato brenda shtëpisë.

“Ne të gjithë përpiqemi shumë për ta mbajtur qytetin tonë të mrekullueshëm, të lulëzuar dhe të bukur”, thoshte letra, duke theksuar se shtëpia e znj. Mountjoy ishte e dukshme për vizitorët që mbërrinin në qytet. “Kjo letër nuk është shkruar me keqdashje, por ne ju kërkojmë qe të na ndihmoni ju lutemi, që të gjithë ta mbajmë Colytonin një qytet ku të gjithë të jemi krenarë për të”.

Znj. Mountjoy tha se iu duk “mjaft e çuditshme që dikush ishte kaq i mërzitur për këtë gjë. “Do të ishte më mirë”, shtoi ajo, “të kishim patur një bisedë më të këndshme”.

Pasi letra u përhap në mediat sociale, shumë banorë të qytetit të  Colyton-it u frymëzuan për të ndërmarrë një nderje kolektive të rrobave në tel. Z. Arnott, një prej banorëve, mësoi për këtë në një grup në Facebook të Colyton-it.

“Kështu, të nesërmen në mengjes u ngrita dhe mora disa nga rrobat e mia më të vjetra dhe i varëm në tel, duke përfshirë edhe një palë boksera”, tha zoti Arnott për Devon Live, një website i ri. Ai e quajti reagimin e fqinjëve të tij “të jashtëzakonshëm dhe absolutisht zbavites”.

Anott tha se njerëzit u nxitën për revolten prej anonimitetit te letrës dhe “mënyrës agresive me të cilën ishte shkruar ajo”.

“Është tipar britanik të mos na pëlqejë ky lloj intimidimi,” tha ai, “dhe qyteti i Colyton-it është me të vërtetë i mirë në rezistimin ndaj këtyre gjërave.”

Colyton, një qytet me rreth 2,000 banorë, në Devon County, ka një reputacion të madh për rezistencë. Dhjetëra burra të Colyton-it u vranë gjatë Rebelimit të Monmouth-it, në vitin 1685, kur u bashkuan me Dukën e Monmouth-it kundër mbretit të sapokurorëzuar; Mbretit Xhejms II.

Që atëherë, Colyton-i është quajtur “Qyteti më rebel në Devon”, një emër që ende duket se i përshtatet.

Tashmë, disa banorë po bëjnë thirrje për një ditë rebelimi vjetor të varjes në tel të mbathurave…

The New Jork Times

Përktheu: Arlinda Guma

 

Ato që thuhen tani-Natasha Lako

in Letërsi/Tharm by

Si do të përballosh ti, nënkupto unë,

gjithë ato eko të thella godinash metali, gjithë ato tabela faqendritura,

gjithë ato lajme kacavjerëse, gjithë ato aksidente të papritura,

gjithë ato kthina ku thuhet qoftë larg për ditë,

gjithë ato gama kalendarike për të cilat dikush patjetër

do të dalë të thotë janë vetëm të miat,

përfshi yzengjinë e artë të hënës që kërkon këmbë të bukura,

fjalën të dua të kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade,

gruan e pashfaqur ende që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje,

çiltërsinë që me pafajësinë bie në dashuri pa asnjë peshë tjetër idiote,

si do të përballosh ti, nënkupto unë,

Tezeun, fitimtarin e parë të botës që ty, nënkupto mua, na e kanë grabitur,

së bashku me amazonat dhe gjirin e tyre të prerë ku legjenda thote,

se qëndron edhe shigjeta e parë e mundur,

çfarë të mbetet ty, nënkupto mua,

në zemrën e zemërekut të zemrës më thuaj,

nga ushtria e freskët e fjalëve që hyjnë në kompjutër,

nga furtuna, e vetmja e mbetur pa zot dhe ylberi i vetmi i mbetur pa zot,

në duart qe mbajne pluhurin dhe të puthurën, në poezitë që vriten të parat,

e përfshirë ti, nënkupto unë,

në këtë masë kaq të pangopur, në atë materien totalitare që të mundon e të thith,

deri në kontrollin e trupit që rri në çdo kufi së bashku me

pudrën në faqe dhe qelizat e tua të vdekura, të miat

nënkupto,

në bashkësinë e trupit me diellin,

në vazhdim të emisionit Trupi dhe Shëndeti i vetmi që jeton në TV që

nga koha e diktaturës, e lidhur me gjithë ato

medikamente që zgjaten të kërkojnë edhe të nesërmen.

Tradhëti të jetës sime, tëndes nënkupto,

ju dua si pulëbardhat, që nisen në fluturim.

E çliruar nga frymëzimi, që përballohet me mijëra vjet,

do të këtë mbetur vetja jote, imja nënkupto,

e lehtë, vetëm në këmishën tënde të pastër, që është  

edhe e imja,

në shtegun që të çon në ca flokë të gjatë.

________

Shkëputur nga vëllimi poetik:“Kundërpërfytyrimi”-2016

 

Lëmsh-Arb Elo

in Letërsi/Tharm by

Loz me lëmshin që të bie nga prehri, ndërsa thur çorapet e leshit,
Shtëllungat e tymit të bardhë i bën fill, i kalon në gishta, i bën top,
Qethur janë delet e reve që po mjelin bijtë e tu në vathën e largët,
Të fërkohem këmbëve, të lutem të më përkëdhelesh prapa veshit,
t’më pëshpëritësh fjalë tigrash, ndonëse u bë kohë që jam maçok,
Por ti bën nyje të tjera, hesht, pa anë e fund kjo cergë merimange…

Provoj ta zgjidh, e di, është e kotë, trung jam edhe vetë, me nyje,
Anës vatrës fle dhe thahem në avullin e frymës tënde të parregullt,
Gjuhë çastesh më lëpijnë në fytyrë, qentë që ruajnë tufën e lehin,
Zgjohem, s’ka ndodhur asgjë, veç ti ndërkohë ke bërë edhe ca yje, 
Mëngët e vjeshtës ke filluar me kaçurrelat e bardha të një mjegulle,
e veç gishtat shoh që s’të lodhen kurrë, kukullat e varura në penj…

John Fante ishte thjesht trim, pa u përpjekur/Një intervistë e Bukowski-t-Viti 1994

in Letërsi by

Dhe një ditë me ndodhi të nxirrja prej andej një libër nga dikush me emrin Fante. Rreshtat më rrëmbyen. Zjarr. Asnjë gjepur. Por unë nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë Fante-në, askush nuk fliste për Fante-në. Ai ishte i vetëm atje. Një libër.

Kevin Ring: Ju kujtohet gjëja e parë që keni botuar dhe si jeni ndjerë?

 Bukowski: Jo, nuk mund ta kujtoj. Mbaj mend botimin tim të parë, “grandioz”, një histori të shkurtër në revistën “Story” të Whit Burnett-it dhe Martha Foley-t, viti 1944. U kisha dërguar atyre disa tregime të shkurtra, për çdo javë, për rreth një vit e gjysmë. Historia që më në fund pranuan ishte e butë në krahasim me të tjerat. Dua të them në drejtim të përmbajtjes dhe stilit, rrezikut dhe eksplorimit e gjithçkaje tjetër. Më patën pranuar një tregim tjetër ato kohë, që mbulohej nga Carese Crosby. Pas kësaj i hodha tej të gjitha tregimet dhe u përqendrova tek pija. Nuk e ndieja se botuesit ishin gati, dhe se, megjithatë edhe unë  isha gati, mund të kisha qenë më i gatshëm, por isha dhe i lodhur në të njëjtën kohë me atë që lexoja si letërsi e pranueshme e vijës së frontit. Kështu që piva dhe u bëra një nga pijetarët më të mirë nga të gjithë të kudondodhurit, gjë që gjithashtu kërkon edhe pak talent.

Kevin Ring: Pse ju desh aq shumë kohë për t’iu futur të shkruarit me orar të plotë? Them se ka disa arsye, apo jo?

Bukowski: Po. Pija. Dhe midis kësaj; bumi mes qytetesh, punëve të nivelit të ulët. Gjeta kuptime të vockla në çdo gjë dhe ende e kam një problem me këtë. Kam jetuar një jetë më tepër vetëvrasëse, një jetë përgjysmë dhe kam takuar gra të vështira e të çmendura. Diçka prej kësaj u bë material për shkrimet e mia të mëvonshme. Dua të them, piva. Ishte një skenë vdekjeje në një spital, në një lagje bamirëse. Po më derdhej gjak nga goja dhe nga prapanica. Por erdha në vete dhe piva ca më shumë. Ndonjëherë mund të jetë punë e vështirë nëse nuk të intereson nëse vdes, apo jo? Pastaj dy vjet e gjysmë si bartës letrash dhe njëmbëdhjetë vjet e gjysmë si nëpunës postar, po kështu nuk më dhanë ndonjë dëshirë kushediçfarë për jetën. Në moshën 50 vjeç, njëzet vjet më parë, e lashë punën dhe vendosa të bëhesha shkrimtar profesionist, domethënë një tip që paguhet për shkrimet e tij. E gjeta edhe këtë. Qëllova me fat. Ende jam.

 Kevin Ring: Mund të na tregoni diçka për miqësinë tuaj me John Fante-në, ju i doni librat e tij dhe u bëtë mik i tij…

 Bukowski: Si një djalë i ri, unë u vija vërdallë bibliotekave gjatë ditës dhe bareve gjatë natës. Kam lexuar… dhe kam lexuar… dhe kam lexuar… Pastaj ia mbathja nga gjërat që lexoja. Dhe vazhdoja të tërhiqja librat prej rafteve përsëri e përsëri. Mundja të lexoja vetëm disa rreshta, pastaj ndieja shtirjen dhe i riktheja përsëri në raft. Ishte një shfaqje e vërtetë horrori. Asgjë nuk lidhej me jetën, jo me timen të paktën, me rrugët dhe njerëzit që shihja në to, dhe në atë që ata çfarë ishin të detyruar të bënin dhe çfarë u bënë. Dhe një ditë me ndodhi të nxirrja prej andej një libër nga dikush me emrin Fante. Rreshtat më rrëmbyen. Zjarr. Asnjë gjepur. Por unë nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë Fante-në, askush nuk fliste për Fante-në. Ai ishte i vetëm atje. Një libër. Titullohej: “Pyesni pluhurin”. Nuk më pëlqeu titulli, por fjalët ishin të thjeshta e të ndershme dhe plot pasion. Dreqi ta marrë, mendova, ky njeri mund të shkruajë! I lexova të gjithë librat e tij që mund ta mbartja. E dija se kishte ende disa njerëz magjikë në tokë. Ndodhi që dekada më vonë, në shkrimet e mia të përmendja një “Fante”. Tani të gjitha shkrimet e mia nuk publikohen, por dërgohen te John Martin – “Black Sparrow Press”, dhe ai më pyeti një herë, besoj se ishim në telefon: “Vazhdon ta përmendësh atë Fante-në”? Ёshtë vërtet shkrimtar ai?” I thashë që ishte dhe se ai duhej ta lexonte atë autor. Shumë shpejt u dëgjuam me Martinin, ai ishte shumë i emocionuar: “Fante-ja është i madh! I madh! Nuk mund ta besoj! Unë do t‘i ribotoj veprat e tij!” Dhe pastaj erdhi lumi e librave “Black Sparrow-Fante”. Fante-ja ishte ende gjallë. Gruaja ime më sugjeroi që meqë ai ishte aq hero për mua, të shkoja e ta vizitoja. Ai ishte në spital, duke vdekur, i verbër dhe i sakatuar; diabeti. Ne bëmë vizita në spital dhe një herë tjetër në shtëpinë e tij ku ai rikthye për një kohë të shkurtër. John Fante ishte një bulldog i vogël, thjesht trim, pa u përpjekur. Por ai po shkonte. Megjithatë ai shkroi një libër në atë gjendje, duke ia diktuar fjalët gruas së tij. “Black Sparrow” e botoi. John Fante ishte shkrimtar deri në fund të jetës. Ai madje më rrëfeu idenë për romanin e tij të ardhshëm; Një lojtare bejsbolli, një grua, e cila ia del të shkojë në ligën finale. “Shko përpara, John, bëje”, i thashë. Por ai mbaroi shpejt…

Kevin Ring: A e dini për një film të realizuar nga një prej librave të tij? A është vërtet “Bandini” ai që ata kanë xhiruar?

Bukowski: Nuk jam i sigurt për filmat. Kam përshtypjen se të paktën pesë nga librat e tij po bëhen filma. Një kthesë e çuditshme. John Fante punoi për Hollivudin, ju e dini. Atje ai u zhduk. Atje ku shkrimet e tij të tjera u ndalën. “Pse dreqin shkove në Hollywood, në atë gropë të thatë të askundit?” E pyeta. “Menckeni më tha,” ma ktheu, “shko përpara dhe rrëmbeji të gjitha!”. Mencken-i, ai bir bushtre që e dërgoi Fante-në në ferr. “HL” kishte botuar shumë nga tregimet e Fante-së në Old American Mercury. Fante u takua me Faulkner-in atje. Faulkner-i do të hynte esëll në vilën e tij çdo mëngjes dhe do të dilte andej i dehur çdo mbrëmje. Herë pas here atyre u duhej ta rrasnin në ndonjë taksi.

 Kevin Ring: Dëgjuam që ishit pjesë e filmit të Dominic Deruddere “Crazy Love”; bazuar në veprën tuaj. Çfarë ndjesish keni për këtë film?

Bukowski: Me pëlqeu “Crazy Love”. Siç i thashë Deruddere-it: “Ti më bën të dukem më mirë se ç’jam.” Ai më mbivlerësoi. Por doli mirë dhe shumë prej asaj ishte ashtu siç jam në të vërtetë.

 Kevin Ring: Si po shkon biografia juaj nga Neeli Çerkovski? A keni pasur shumë kontakt me të? Si ndiheni kur dikush shkruan për jetën tuaj?

Bukowski: Biografia është gati e përfunduar. Epo, unë e njoh Cherkovskin që kur ishte 14 vjeç ose ndoshta 16. Ai më ka filmuar të dehur, shumë herë duke u rrahur. Fotografitë… ka gjithçka. Ai duket se ka qenë përreth meje për një kohë të gjatë, ka parë shumë nga gratë e mia, më ka parë të egër, të mirë, të marrë, të gjithin. Ai shkroi një libër për disa poetë të quajtur Whitman Wild Children, i cili përshkohej nga njëfarë humori, një stil i lehtë të shkruari, saqë kur ai m’u afrua për të shkruar një të tille për mua, i thashë: “Vazhdo.” Kërkova të mos e takoja. I thashë gjithashtu që të mos shkruante aq lehtë për mua. Duhet t’ia vlejnë disa të qeshura, Vërtet nuk mund të bëjnë dhe aq dëm. Nëse jo, atëherë do ta shkruaj vetë, ndryshe nga ajo e tij.

Kevin Ring: Ju jeni shumë popullor në Evropë, Francë, Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera. Disa nga historitë tuaja edhe janë përkthyer në formë librash komikë. Si e mendoni të gjithë këtë? A është ndikimi i Carl Weissner-it?

Bukowski: Ndikimi i Carl Weissner-it në punën time të përkthyer sa andej këtej, në të vërtetë thjesht nuk mund të mohoet. Gjërat e librit komik janë vërtet mjaft të mira. Unë nuk e di se çfarë e shkakton këtë në librat komikë. Ndoshta është sëmundje.

 Kevin Ring: “Dritat e Qytetit” sollën “Shekspiri Kurrë Nuk e Bëri Këtë”… A e shijuat atë udhëtim në Gjermani?

Bukowski: Në të vërtetë, “Shekspiri Kurrë Nuk e Bëri Këtë”, bën fjalë rreth dy udhëtimeve nëpër Evropë, të cilat unë i kam vënë së bashku në një. I përziej ashtu siç përziej të gjitha pijet e rënda. Me të vërtetë u shkaktova vështirësi disa hoteleve, por ata kurrë nuk e e thirrën policinë, gjë që, mendoj se është klas i vërtetë.

Kevin Ring: Sa e rëndësishme ka qenë për ju “Black Sparrow Press”? Duket se keni qenë shumë besnikë ndaj njëri-tjetrit.

“Black Sparrow Press” më premtoi 100 $ në muaj në qoftë se e lija punën dhe përpiqesha të bëhesha shkrimtar. Askush tjetër nuk e dinte që isha gjallë. Pse nuk duhet të jem besnik përgjithmonë? Edhe tani honoraret nga “Sparrow” janë të përshtatshme ose i tejkalojnë të gjitha honoraret e tjera. Ky është fat.

Kevin Ring: Ju tregoni një dashamirësi dhe një besnikëri të madhe ndaj shtypit të vogël. Përse e gjithë kjo?

Bukowski: Shtypi i vogël gjithmonë ka publikuar gjëra të miat, që shtypi i madh ka patur frikë t’i botojë. Ende e bëjnë.

Kevin Ring: A keni ndonjë libër të preferuar nga tuajt?

 Bukowski: Çdo libër i fundit që shkruaj është libri im i preferuar.

Kevin Ring: Dihet se ju pëlqeni muzikën klasike, cilët jane të preferuarit, ndonjë arsye të veçantë?

Bukowski: Sibelius. Tonaliteti i gjatë e i thellë. Dhe një pasion që të godet e të fik dritat.

Kevin Ring: A vazhdoni të shkoni shpesh në gara? A e keni bërë këtë për një kohë të gjatë?

Bukowski: Shkova në hipodrom në përpjekje për të gjetur ndonjë për të bashkëndarë pijen. Nuk funksionoi. Pastaj piva në kabine. Askush nuk më pengon atje. Ashtu duke planifikuar lojrat e tua, bastet, zbulon një çështje të madhe mbi veten dhe njerëzit e tjerë. Për shembull, dija që nuk përcillet tek te tjerët është më e keqe se mosdija. Është një shkollë e mirë, ndonëse ndonjëherë e mërzitshme, por nuk të lë pa reflektuar mbi faktin që je shkrimtar apo çfarëdo që përpiqesh të jesh.

Kevin Ring: A janë ideale kushtet në të cilat shkruani? A shkruani shumicën e ditëve?

Bukowski: Kushtet ideale janë midis orës 10:00. dhe 2 të mëngjesit; shishe me verë, cigare, radioja në muzikë klasike. Shkruaj 2 ose 3 net në javë. “Shfaqja më e mirë në qytet.”

Kevin Ring: A do të vini përsëri në Evropë. Disa vjet më parë ju u konsideruat që të vinit në Panairin e Librit në Londër…

Bukowski: Nuk mendoj se do të udhëtoj më. Udhëtimi nuk është gjë tjetër veçse një shqetësim. Ka gjithmonë probleme të mjaftueshme aty ku je.

Kevin Ring: A mund të na jepni ndonjë gjurmë në lidhje me librin tuaj të ardhshëm?

 Bukowski: Zakonisht një libër në vit. E di se tingëllon e tmerrshme e thënë kështu, por mendoj se tani jam duke shkruar më mirë se kurrë ndonjëherë.

Kevin Ring: Çfarë shihni në të ardhmen tuaj? A do të vazhdoni të shkruani?

Bukowski: Nëse ndaloj së shkruari jam i vdekur. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që unë të ndaloj: I vdekur.

Revista “Transit”, Viti 1994

 Përktheu nga anglishtja: Arlinda Guma

*Titulli është redaksional

 

Derrida xanxari

in A(rt)ktivizëm by

Dëshira ime e fillimtë nuk më cyste drejt filozofisë apo drejt letërsisë, jo, por drejt diçkaje që letërsia e pranon më me ëndje sesa filozofinë. Qysh prej njëzet vjetësh ndihem i zotuar në një kthesë të gjatë për ta mbërritur këtë gjë, këtë shkrim idiomatik, që, ndonëse e di se është qashtërsi e pakapshme, vazhdoj ta ëndërroj – Derrida

           Bisedoi: Catherine DAVID-

Nëse filozofia është sot e nderuar, sepse është forma më e pranueshme për të ardhmen e intelegjencës, kjo në sajë të Jacques Derrida-së, cytësi kryesor i Kolegjit botëror të Filozofisë, i krijuar në vitin 1983, nën mbrojtjen e tri qeverive. Ndërkaq, ky mendimtar-shkrimtar pesëdhjetë e pesë vjeçar, është njëherazi i famshëm dhe i panjohur, i respektuar dhe i shpërfillur në Francë. Tersi i universiteteve që i kundrojnë dijet të ngurtësuara, ai gjithashtu, është një i përkorë përveçësues në skenën publike. Jacques Derrida nuk është shtihan. Hulumtues i kufijve, ai bën që në veprën e tij të troshiten sinoret e filozofisë, të psikoanalizës dhe të letërsisë… Ky mendimtar që vozit i çkëthur në veprat e të tjerëve: Husserl-it, Kant-it, Freud-it, Nietzsche-s, Genet-it, Jabés-it, Levinas-it, – qortohet shpesh për vështirësinë e stilit. Duke mëtuar të jetë sa më i thjeshtë, ai i ka ftilluar Catherine David-it cilat janë keqkuptimet dhe kurthet që kërcënojnë mendimin e sotëm.

“Një takim me Derrida-në? Më së fundi do të kuptojmë diçka!”. Kështu më kanë thënë disa kur i kam lajmëruar se do të bëja këtë punë me ju. Kallëzojnë që tekstet tuaja janë të vështira, në kufirin e lexueshmërisë. Disa lexues janë shkrehur qysh më parë prej këtij nami. Si e jetoni këtë? Është një efekt që e mëtoni vetë apo, përkundrazi, e vuani?

Derrida: E vuaj, po mos qeshni, dhe bëj gjithçka më duket e mundur ose e pranueshme, për të shpëtuar nga ky kurth. Por dikujt i duhet shumë për të gjetur diçkazë të dobishme tek unë: një lloj marrëdhënieje. Për ta ftilluar do të bëja të flisnin gjëra tejet arkaike të historisë sime, t´i bëja të flisnin për të tjerët, shumë të tanishëm, prej një skene shoqërore ose historike, që jam rrekur ta vë në hesap. Nuk është fjala për të analizuar këtë marrëdhënie duke jeratisur përpara magnetofonit. Por, a s´ju duket se ata që më bëjnë procesin e asaj që përmendët, kuptojnë thelbësoren e asaj që thonë se nuk e kuptojnë, sepse dinë se bëhet fjalë për të vendosur në diskutim një pamje të leximit dhe vlerësimit, me komfortin e tij, interesat, programet dhe gjithë takëmin e kësisojtë? Nuk është ahti kundër një matematikani ose një fizikanti që nuk kupton asgjësend, apo dikujt që flet një gjuhë të tjetërfartë, por kundër dikujt që i përket gjuhës suaj, ndaj kësaj “marrëdhënieje” që është e tyre…

Ju siguroj që nuk do ta pranoj kurrë orvatjen të jem i vështirë për të qenë i vështirë. Kjo do të qe shumë qesharake. Besoj vetëm tek domosdoshmëria e kapjes së kohës ose, nëse ju pëlqen, e lënies së saj, për të mos fshirë rrudhat. Për arsye filozofike ose politike, në të dhënat e reja tekniko-ekonomike problemi i komunikimit e pranueshmërisë është për të gjithë më i rëndë se kurrë dhe nuk mund të jetohet veçse në zorbela, në mosmarrëveshje dhe kompromise.

Për t´ju lexuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por gjithashtu të psikoanalizës, të letërsisë, të historisë, të gjuhësisë apo të historisë së pikturës…

Derrida: Ka asish që mundësohen doemosdo, i kërkon apo jo, nga një tekst në tjetrin, një lloj kimie…

Për t´ju lexuar, duhet të kesh lexuar Derrida-në…

Derrida: Kjo është e njëmendët për të gjithë! A s´është shpërdoruese të matesh me një udhë të së kaluarës, me një shkrim që është vulosur vetë, pak e nga pak? Si të bësh ndryshe? Interesantja është ta zhbësh, ta zhvulosësh. Rrekem të filloj në rrethinat e shumë të thjeshtës, që shpesh është e vështirë dhe e rrezikshme.

Ju e dini, “mendimi” që ftillohet me filozofinë, shkencën, apo letërsinë si të tilla, nuk u përket fundekreje ayre. Këtillohet një shkrim që shpesh lexohet me një lehtësi të rrokshme…  Si “Kushtimet” dhe “Kartolina”, p.sh.

Derrida: … Po, një shkrim statuti i të cilit, në disa gjasa, është e pamundur të caktohet: është apo jo një parashtrim teorik? Nënshkruesi dhe marrësit janë qysh më parë të njehsueshëm apo të prodhuar dhe të veçmuar nga teksti? P.sh., kur unë them me një ton të pavendosur: “Ti vjen”, a kemi kritere të sigurta për ta vendosur? Ku është shkenca, ku është filozofia në lidhje me këtë? Ju mund ta trajtoni apo të ndiqni gjuhën gjer në pikën kur vendimet nuk janë më të mundshme. Jo për t´u shtëmëngur apo sëkëlldisur, por sepse ky limit pritjeje, çështja e vendimit ose e interpretimit, është i gjallë (prej këtej dhe çështja e përgjegjësisë, e përgjigjes). Ju mbërrini një sinor prej të cilit ajo që ju ngjasonte e sigurt shfaqet në brishtësinë a historinë e vet pa u zhdukur ose përballur medoemosdo.

Thoni që s´është për t´u sëkëlldisur, por kjo brishtësi, ka gjasa t´ju sëkëlldisë njëfarësoji.

Derrida: Shkruhet gjithmonë duke hilezuar me të keqen. Mbase për të mos e lënë gjithçka të vrujohet, por, tek e mbramja, ju e dini, rikthehet gjithmonë nervoziteti dhe fjala është për lexuesin apo për vete. Është mirë kësisoji. Dëshira e gjallë për të shkruar ju mban në marrëdhënie me një tmerr që rrekeni ta manovroni duke e lënë të gjithin të pacënueshëm, të dëgjueshëm, shi në atë vend ku mund t´ju gjejnë, t´ju dëgjojnë, juve vetë dhe që ju lexojnë, përtej çdo ndarjeje, pra, i shpëtuar dhe i humbur njëkohësisht.

Shpëtimi tek veçimi, a s´është njëlloj si të shpëtosh prej fatit? Prej fatit tuaj të filozofit, p.sh?

Derrida: Gjakoni seriozisht të më bëni të flas për “fatin” tim në këto kushte? Jo. Po nëse fati është një mënyrë e tjetërfartë për të mos qenë i lirë, ajo ç´ka më intereson, kurdo dhe kudo, është pikërisht ai kryqëzim i kismetit dhe i domosdoshmërisë, vija e jetës, gjuha e vetiaktë e një jete, edhe nëse ajo nuk është gjithmonë e pastër. Për shembull, për të mos e lënë pyetjen tuaj pa përgjigje: përse kam këtë marrëdhënie me filozofinë dhe jo një tjetër? Përse si filozof “profesional” kam zënë këtë vend, në një cak që nuk është i papërcaktuar, etj.? (E di që, ashtu siç thatë dhe ju, do të ndërkryhesha njëfarësoj, nëse flas për “caqe” dhe “vetmi” – dhe ndërkaq…)

Dëshira ime e fillimtë nuk më cyste drejt filozofisë apo drejt letërsisë, jo, por drejt diçkaje që letërsia e pranon më me ëndje sesa filozofinë. Qysh prej njëzet vjetësh ndihem i zotuar në një kthesë të gjatë për ta mbërritur këtë gjë, këtë shkrim idiomatik, që, ndonëse e di se është qashtërsi e pakapshme, vazhdoj ta ëndërroj.

Ç´kuptoni me “idiomatik”?

Derrida: Një pronësi që nuk mund të pronësohet, që ju shenjon pa ju përkitur, që nuk i shfaqet veçse një tjetri, që nuk ju vjen veçse në shkrepëtimat e marrëzisë që bashkojnë jetën dhe vdekjen, që bashkojnë vdekjen dhe gjallueshmërinë njëherazi. Ju ëndërroni, dhe kjo është fatale, shpikjen e një gjuhe a të një kënge që të jenë tuajat, jo veçori të një “uni” më shumë, sesa një nënshkrim i theksuar, d.m.th, muzikal, i historisë suaj më të palexueshme. S´flas për një stil, por për një kryqëzim përveçësish, banesë, zëra, grafi, ato që mbarten me ju dhe trupi nuk ua braktis kurrë. Ajo që shkruaj shëmbëllen në kujtesë me një gjurmë të hullizuar që vërtitet rreth një libri të shkruajtur, që për vete e këtilloj ”Gjuha e vjetër e re”, më arkaikja dhe më e reja, e padëgjuar, paraqitshmërisht e palexueshme. Në Pragë, siç e dini, sinagoga më e moçme quhet Vielle-Neuve (E Vjetër-E reja, shënim i përkthyesit). Ky libër do të ishte krejt tjetër gjë prej asaj rruge së cilës i shëmbëllen ende. Sipas të gjitha gjasave, një anamnezë e pambarueshme që forma e lyp: jo vetëm historinë time, por kulturën, gjuhët, familjet, Algjerinë zanafillisht…

Do ta shkruani?

Derrida: Mendoni… Por pirgëzimi i ëndrrave, i shestimeve ose i shënimeve, duhet të rëndojë mbi atë që shkruhet në të tashmen: një ditë një copë e kësisojtë libri mund të bjerë si një gur që ruan kujtimin e një arkitekture haluçinante, së cilës do të donte t’ i përkiste… Guri rezonon dhe vibron akoma, ai transmeton një lloj gëzimi të dhimbshëm dhe të padeshifrueshëm, nuk dihet më për kë dhe për cilin…

“Kartolina” ishte njëri prej këtyre gurëve.

Derrida: S’ e di më.

Ju folët për Algjerinë, çdo gjë ka filluar për ju që andej…

Derrida: Eh, ju doni t`ju them gjëra si “Unë-kam-lindur-në-El-Bair-në-rrethinat-e-Algjerit-familje-çifute-borgjeze-e-vogël-e-asimiluar”. A është e nevojshme? S`e bëj dot, duhet të më ndihmoni.

Si quhej babai juaj?

Derrida: Dreq o punë. Kishte pesë emra dhe që të gjithë emrat e familjes, së bashku me disa të tjerë, janë bimsuar tek “Kartolina”, ndonjëherë të palexueshëm dhe për ata që i mbanin, shpesh pa shkronjë të madhe, si të bënin për t’i “dashur” apo për t’i mbajtur “nën fre”?

Në ç’moshë u larguat nga Algjeria?

Derrida: Përfundimisht… erdha në Francë në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare. S’ isha larguar kurrë nga El-Biari. Nga lufta e viteve ‘40 në Algjeri, pra nga shurakamat e fillimta nëntokësore të luftës së Algjerisë. Fëmijë, i dëgjoja tek qaseshin si një bishë, me ndjesinë e fundit të botës, që në të njëjtën kohë ishte gjendja më e natyrshme, në të gjitha gjasat, e vetmja që kam njohur. Edhe pse një fëmijë është i paaftë t’i analizojë gjërat, ishte e sigurt që ajo do të mbaronte me zjarr dhe gjak. Kërkush nuk mund të shpëtonte nga kjo dhunë dhe nga kjo frikë, ndonëse përreth saj…

Keni kujtime prej frikës?

Derrida: Mendoni se kam qenë i detyruar të ruaj diçka? Po, e di nga mushtimet që thikat mund të nxirreshin në çdo çast, në dalje të shkollës, në stadiume, në mjedise të sokëllimave raciste që nuk kursenin kërkënd, arabin, çifutin, spanjollin, maltezin, italianin, korsikanin… Pastaj, më 1940, përvoja e tjetërfartë e çifutëve të Algjerisë. Gjithësesi, të persekutuarit, të pakrahasueshëm me ata të Evropës, janë më të çlirët prej mungesës së pushtuesit gjerman.

A i keni vuajtur vetë këto?

Derrida: Ishte një përvojë që s’linte kërkënd pa prekur, një ajër që s’rreshtje kurrë së thithuri. Fëmijët çifutë janë fringëllitur nga shkollat. Zyra e mbikqyrësit të përgjithshëm: ti do të kthehesh në shtëpi, do të ta shpjegojnë prindërit. Pastaj zbarkuan aleatët: është periudha e qeverisjes së këtilluar dykrerëshe (De Gaulle-Giraud) ligjet raciale u mbajtën pothuajse gjashtë muaj, nën një qeverisje të quajtur “të lirë”. Shokë që s’ju njohin më, poshtërime, mësues të fringëllitur pa një mërmërimë proteste prej kolegëve. Më regjistruan, por u fishka gjatë një viti…

Përse?

Derrida: Që prej këtij çasti ndjehesha, – si ta thuash, – i zhargur në një komunitet çifut që mbyllej dhe që nga ana tjetër quhej “katolik”. Vuajtja u fashit në Francë. Nëntëmbëdhjetë vjeçar, unë besoja me aguridhësi se antisemizmi qe zhdukur, të paktën në hapësirën ku jetoja atëherë. Gjatë adoleshencës, kjo qe tragjedia, ai ishte i pranishëm në gjithçka tjetër (sepse aty kishte gjithçka tjetër, që ndoshta qe po aq  përcaktuese: ju e shihni ne përfundojmë në xhinglamingla, ose në një lloj tipi kurioziteti duke përzgjedhur këtë sekuencë. Përse më tërhoqët fillimisht në këtë anë?). Mbase pasojë e çuditshme i kësaj kopanisjeje, një dëshirë integrimi në komunitetin joçifut, dëshirë ngashënjyese por cfilitëse dhe besëpakë, me një vigjilencë nervoze, një qëndrim shterrues për të pikasur shenjat e racizmit në konfigurimet e tij më të ndrojtura, apo degjenerimin e tij të ububushëm. Ndonjëherë, simetrikisht, një lloj largësie padurueshmërie ndaj komuniteteve çifute, kur kisha mbresën se mbylleshin, ose duke vepruar kësisoji. Prej nga ku dhe një ndjenjë mospërkatësie, që pa dyshim e kam kthyer alltys…

Në filozofi?

Derrida: Kudo. Ju flisni për rastësinë dhe kismetin, mirë pra, ju flisni për “profesionin” e filozofit. Të nesërmen e diplomimit dija atë çka gjakoja, “të shkruaja”, siç thonë, por dija pakogjëra çka ishte një universitet. Dëgjova në radio një emision me orientim shkollor, një profesor të hipoganjës që paraqiste klasën e vet, që fliste për një nxënës të kahershëm, Albert Camus-në. Dy ditë më pas u regjistrova në këtë klasë, pa ditur çfarë ishte Shkolla Normale.

Bash atëherë keni fillur të lexoni Sartre-in, apo jo?

Derrida: Paksa më herët. Atëherë ai kishte një rol të rrokshëm për mua. Model që qyshkur e kam gjykuar si të skëterrshëm dhe katastrofik, por që e doja; si gjithçka që kam qenë i detyruar ta dua dhe që gjithmonë e dua atë që kam dashur, është fare e thjeshtë…

Të skëterrshëm dhe katastrofik! Është diçka e fortë, duhet saktësuar…

Derrida: Mendoni që kjo duhet të fshihet apo të seleksionohet? Mirë, pra. Fillimisht përsërit që Sartre, si shumë të tjerë në këtë kohë, më ka, hmmm, udhëhequr.  Duke e lexuar, zbulova Blanchot-in, Bataille-in, Ponge-në, për të cilët tani mendoj se mund t’i lexoja ndryshe. Por fundja Sartri ishte ai, “horizonti i pakalueshëm”! Gjërat kanë ndryshuar kur, falë atij, por veçanërisht kundër tij, kam lexuar Husserl-in, Heidegger-in, Blanchot-in… Duhej t’i kushtoja disa duzina me libra kësaj çështjeje: çfarë duhet të ketë qenë një shoqëri si e jona për një njeri, i cili, në mënyrën e vet, ka shkaguar ose ka qenë i pakënaqur nga kaq ngjarje teorike të kohës së vet – përmendim shpejt e shpejt psikanalizën, marksizmin, strukturalizmin, Joyce-in, Artaud-in, Bataille-in, Blanchot-in – që ka shumuar dhe ka hapërdarë kuptime pabesueshmërisht të gabura ndaj Heidegger-it, ndonjëherë Husserl-it, dhe që zotëronte skenën kulturore gjersa bëhet një figurë e madhe popullore? Është e njëmendët që veprat e rrebeshme mund ta kapërcejnë kohën e tyre, ta tronditin peizashin historik, të ftillojnë pa e shfaqur në asgjë të kuptuarit, pa qenë të ndjeshme ose të pranueshme ndaj “risive”. Nuk besoj se ky është rasti i Sartre-it, por, duke bërë shumë pyetje kësisoji, madje mbi vetë dashamirësinë dhe bujarinë e tij legjendare, marr pjesë në dhembshurinë familjare të shumicës për këtë njeri që s’e kam parrë kurrë. Dhe që nuk i përket kohës së veprave që llogariten të miat…

Përgjithësisht ju e bëni Sartre-in shembullin e shkëlqyer se si nuk duhet të jetë një intelektual…

Derrida: S’ e kam thënë këtë…

Po cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhëniet me veprimin politik?

Derrida: Kërkush nuk do të fitonte nëse kishte një model, veçanërisht një të vetëm. Pastaj kategoria e “intelektualit” nuk ka më sinore shumë të rrepta dhe vazhdimisht nuk ka patur. Është e njëmendët që shembulli i Sartrit dhe bash për këtë këmbëngul, nxitej me maturi. Legjimiteti i tij universitar (normalist dhe diplomimi) dhe shkrimtari i shtëpisë së madhe (nuk ndahen dy gjëra, por do ta bëj shpejt e shpejt), për qëllimet e tij të vetvetishme, të lehta, ose të mëdha, si të doni, ka patur një autoritet të pataksshëm, atë që shkagohet të analizohet nga analistët më të përpiktë dhe më interesantë. Përveçmërisht tek ngjarjet politike kjo është shumë e njohur. Mund të marrësh sot të tjera shkërbime, sepse ngjarja amplifikohet aty-këtu brenda gjasave të pushteteve të reja, ose strukturave të reja (media, botime, etj.) Jo ngaqë është gati të zmbrapset, apo të detyrohet të marrë qëndrime publike: krejt e kundërta, çasti ka ardhur për ta bërë më shumë dhe më mirë, d.m.th, ndryshe.

Domethënë?

Derrida: Paradoksalisht: duke milituar për zgjerimin dhe shumimin e mediave, shtëpive botuese dhe shpërndarjen, për transformimin e tyre kundër monopoleve, homogjenitetit dhe përvetësimit. Sot, kudo ky pushtet përqendrohet, rreket ta vendosë modernitetin teknik në shërbim të kërrnjimeve të vjetra dhe ndonjëherë të budallallëqeve më të ashiqarta. Ai i jep rëndësi të fillimtë banalitetit ose mufkave. Po, po, kjo s’është e pangjashme. Më e shtangshmja kaloi mirë e tumirë, ajo është bërë për t’u kaluar, qysh më parë ka kaluar. Flas sidomos për filozofinë, letërsinë dhe diskursin “ideologjik”. Lumturisht, nga disa shenja mund të kundrohet tek organizohet një lloj qëndrese, në një mori vendesh që, për nga përcaktimi, nuk duhet të flasin për të. E ardhmja do të thotë (ka gjasa) që nuk do të gjakojnë ose nuk do të mëtojnë të flitet për të. Gjakoj që duhet – dhe shpresoj që kjo të mos jetë krejt e pamundur – të ripërcaktohen marrëdhëniet midis “kulturës” dhe shtetit, si dhe përgjegjësisë dyjare që i çorovolit. Kultura e shtetit ka përfaqësuar gjithmonë rrezikun më të madh dhe nuk është assesi mjaft syçelët në këtë rast. Por, nga njëra anë, njëfarë antishtetërimi turmëror mund të jetë i paaftë ta vendosë shtetin në një shoqëri moderne (shpesh gjenden mostra aty ku beson ose gjasmon se beson që mungojnë) dhe nga ana tjetër mosnjohja ose lufta e rolit që, në disa kushte (e vështirë t’ i puthitësh), shteti mundet dhe është i detyruar të luajë, por që është po kaq paradoksale: t’i japë gjasën “kundërkulturës”, të kufizojë mekanizmat e standardizimit, të përvetësimit dhe monopolizimit, etj. Walter Benjamin-i thoshte pothuajse kështu: përgjegjësia e shkrimtarit në radhë të parë nuk është të përparojë tezat revolucionare. Ato shkalafiten sapo buthtojnë në gjuhë, sipas normave të mekanizmit kulturor ekzistues. Është shumë e vështirë, nga vetë përcaktimi “i vështirë”. Për shembull, mund të mëtohet të kuptohet përse kemi ardhur në këtë kuvendim: përse Le Nouvel Observateur, pse unë,  më shumë se dje, apo nesër, përse ju më branisni në një kahje të tillë midis kaq gjasave të tjera, përse fakti i zaptimit të kësaj tribune nënkupton më shumë nga ajo çka thuhet, ose lexohet në mënyrë korsive, etj.

Mund ta shtrojmë ndryshe pyetjen. Nëse keni pranuar të bëni një bisedë tek Nouvel Observateur, e keni bërë me idenë të transmetoni diçka. Për një profesor filozofie, vendi i natyrshëm i transmetimit është një amfiteatër. Sipas mendimit tuaj, a mund të flitet për filozofinë në një revistë? Apo mesazhi është domosdoshmërisht  i  tjetërsuar?

 Derrida: Nëse ka një mesazh, ai s’mbetet kurrë i pathënë. Përse filozofia duhej të qe e përkorë ndaj filozofëve profesionistë? Ëshë një profesion, kompetenca e të cilit është e domosdoshme, por që ndarja dhe historia janë boll problematike. Një punë e oboboshme fillon, të cilën duhet ta ndjekësh në universitet dhe jashtë tij, veçanërisht në shtyp…

Jeni një nga filozofët e rallë që interesohen për psikoananalizën, që i jepni një vend në vepër, jo vetëm si një referencë e thjeshtë, por si një levarashmëri e vazhdueshme. A ka në të arsye filozofike, sipas interesit tuaj?

Derrida: Pa folur për brenditë, nga çfarë njihet një shkrim që ndonjëherë nuk ruan asnjë gjurmë të psikanalizës? Tashmë, nëse ka ndonjë afri midis diçkaje prej “subversionit” psikanalitik dhe afirmimit “dekonstruktiv” të filozofisë, kjo e fundit mund të mëtojnë një farë “filozofie” të psikanalizës.

Çfarë doni të thoni me subversion psikanalitik?

Derrida: Fjala s’ është e mirë, por e përdorur për komoditetit. Psikanaliza duhet të të detyrojë boll për të rimenduar rreth bindjeve, për të ndërtuar, p.sh., të gjithë aksiomatikën e të drejtës, të moralit, të “të drejtave të njeriut”, të gjithë diskurset e ndërtuar mbi traktatin e unit, të përgjegjësisë së ndërgjegjes, të retorikës politike, të konceptit të torturës, psikiatrinë legale dhe të gjithë sistemin e saj, etj. Jo për të hequr dorë nga pohimet etike ose politike, por, përkundrazi, për vetë të ardhmen e tyre. Kjo s’bëhet as në shoqërinë psikanalitike, as në shoqërinë që i bie prerazi, në të gjitha rastet jo mjaft shpejt. Ja mbase një detyrë për mendimin. Në këtë kuptim, ne jetojmë që të gjithë në një eremi të përditshme, mynxyrëse dhe komike njëherazi, kismeti ynë historik më përveçësues…

Vitin e kaluar ju ishit në Pragë për të takuar intelektualët çekë. Kur u nisët, në aeroport, doganierët kanë “gjetur” drogë në valixhen tuaj. Kaluat njëzet e katër orë në burg dhe u liruat falë ndërhyrjes së qeverisë franceze. Gjatë këtyre njëzet e katër orëve, cili ka qenë mushtimi juaj i eremisë?

Derrida: Mbase një dritësim më i pamëshirshëm, por edhe një farë dhembshurie. Megjithatë, përpara burgimit ka patur një hetuesi prej tetë orësh me funksionarë të lemerishëm që ishin për të qarë hallin. Prokurori, komisari, përkthyesja dhe avokati mbrojtës e dinin bajagi bukur përse e kishin montuar këtë kurth, e dinin që të tjerët e dinin, që survejoheshin, e shoqëronin komedinë me një zgjuarsi të qetë. Ata luajtën një tjetër kur erdhën të më lironin, duke më thërritur respektueshmërisht zoti Profesor. Meqë shpesh u kam përmendur Kafkën (në këtë çast punoja me një tekst të vogël Përpara ligjit dhe s’ka dyshim që, ndërsa kisha shkuar tek varri i Kafkës, ata i janë përkushtuar valixhes sime në hotel), avokati më tha veçan: “Duhet të keni mbresën se jetoni një histori të Kafkës”. Dhe më vonë: “Mos e merrni tragjikisht, vlerësojeni si një mushtim letrar”. Iu përgjigja se e merrja tragjikisht, por së pari për të ose për të tjerët, ç’rëndësi ka. Për mua eremi qenë të tjerët, vështirë të përshkrueshëm me pak fjalë. E njihja skenarin dhe bëja gjithçka që mendova se duhej bërë. Po si mund të përshkruhen të gjitha lëvizjet arkaike që grafullonin poshtë kësaj sipërfaqeje, çastin e doganierit, hetuesinë, burgosjen, sokëllimat dhe të sharat e gardianëve përmes portës së blinduar dhe në vetë kaushin, ku njëri prej tyre varte turinjtë i rrèfkët, sepse i kërkova një avokat francez dhe pastaj, cullakësia, fotografitë (kurrë në jetë time nuk kam qenë më i fotografuar sesa në aeroportin e burgut, i veshur apo cullak, përpara se të vishja “uniformën” e të burgosurit…). Fatkeqësisht, e gjitha kjo formon një përvojë shumë kolektive dhe do të ishte e pahijshme të tregoje se ke kapur disa përveçësi absolute, gjë që s’e kam bërë duke gjasmuar përpara mikrofonave. Herën e parë që kam folur përpara një kamere televizive, kam qenë i detyruar të hesht për atë që përbënte mushtimin tim dhe që atëherë s’ kishte shumë interes. Ishte nata në Gjermani, me trenin që më sillte nga Praga. Më dukej që këtë herë duhej të flisja për atë ç’kishte ndodhur, që isha i vetmi që mund të dëshmoja dhe që kishte një farë interesi të përgjithshëm. Përsëri kam qenë i detyruar t’u përmbahem steriotipeve të përgjithshme: “kam-shkuar-atje-prej-solidaritetit-me-ata-që-luftojnë-për-të-respektuar-të-drejtat-e-njeriut, etj”. Është e njëmendët, doja të përshëndesja ata që jetonin aty, në burg dhe jashtë tij. Por, si thoni ju, në këtë gjendje kur dikush më ofronte një mikofon për Antena 2 të thosha, p.sh: “Ju e dini, do të bëj disa pyetje mbi gjendjen, themelet dhe funksionin e diskutimeve mbi të drejtat e njeriut sot” apo: “Gjithçka që kam jetuar atje kërkon forma të tjera rrëfimi, një poetikë të ndryshme nga ajo e lajmeve të orës 12 e 45”? Apo më mirë: dikush dukej i gëzuar prej meje në këtë burg, se i fanepsej një haluçinacion, gjakonte që kjo të zgjaste më shumë, qante për një tradhëti të çastshme tek linte të pesë camardhokët që ishin me mua në një qeli tjetër”? Përfytyroni kokën e gazetarëve dhe telespektatorëve. Kjo vështirësi që kam ndjerë në atë çast në mënyrë të thekshme, është e vazhdueshme dhe është ajo që më paralizon para çdo fjalëmarrjeje, para çdo dukjeje publike. Madje edhe këtu, tani.

Duke ju dëgjuar të flisni për këto njëzetë e katër orë të mushtimit pragez, kuptojmë që ju do të shkruani një libër që do të përfshijë njëherazi si letërsinë, historinë, politikën dhe filozofinë…

Derrida: Kam shkruar libra në shumë faqe, ose në shumë zëra (Timpani, Marzhet, Seanca e dyfishtë, Pasqyra, E vërteta në pikturë, Hapi, Kartolina). Por për këtë shumësi të rëndësishme, ose të volitshme, duhen shestuar forma të tjera, muzikë tjetër. Si t’ia bëjmë atëherë të pranojnë që kërkesa “dominante”, e cila, thonë ose bëjnë sikur besojnë, kërkon gjithmonë më shumë linearitet, kursivitet, shkathtim? Një zë i vetëm mbi vijë, një fjalë e vazhdueshme, ja ajo çka gjakohet të ndillet.

Përktheu: Balil Gjini

Marrë nga http://www.fjalareview.com/
1 182 183 184 185 186 191
Go to Top