Camilla, hapi gishtat e tu të gjatë dhe ma kthe shpirtin tim të lodhur!-John Fante

in Letërsi/Tharm by

Pyesni pluhurin-John Fante

“Kush të ka qëlluar?”, të pyeta, dhe ti nuk m’u përgjigje. “Një aksident me makinë.” Mos po i grahte Sammy kot? Zure të qaje, e dehur dhe zemërthyer. Arrita të shtrihesha pranë teje dhe të mbajta në krahët e mi, dhe të dëgjova tek thoshe se Sammy të urrente, se ti kishe shkuar ta takoje në shkretëtirë dhe ai të kishte grushtuar dy herë pse e zgjoje në tre të mëngjesit.

Të thashë: “Po ç’ke që e takon?”

“Sepse e dua”, më the.

Nxore një shishe nga çanta dhe e pimë; me radhë, në fillim ti, mandej unë. Kur shishja u boshatis shkova në dyqan dhe bleva një tjetër, një më të madhe. Tërë natën qamë e pimë, dhe i pirë unë munda t’i shprehja të gjitha gjërat që më cimbisnin në zemër, të gjitha fjalët e ëmbla dhe buzëqeshjet e mençura, sepse ti po qaje për dikë tjetër dhe s’dëgjoje asnjërën nga fjalët që thosha, por unë i dëgjoja… dhe Arturo Bandini ishte fort i shprehur atë natë, sepse po i fliste dashurisë së tij të vërtetë, dhe nuk ishe ti, nuk ishte as Vera Rinken, ishte thjesht dashuria e tij e vërtetë. Por unë thashë do gjëra të magjishme atë natë Camilla. I përgjunjur pranë teje, të mbajta dorën dhe të thashë: “Camilla, ah vajzë e humbur! Hapi gishtat e tu të gjatë dhe ma kthe shpirtin tim të lodhur! Puthmë me gojën tënde sepse kam uri për bukën e kodrave meksikane! Thithe erëkanden e qyteteve të humbura me flegrat fërgëlluese dhe lërme të vdes këtu, me dorën mbi konturin e butë të qafës tënde të bardhë si plazhet gjysmë të harruara të detrave të Jugut. Prite dëshirën time në sytë e tu të shqetë dhe ushqe me të dallëndyshet e fushave vjeshtake, sepse unë të dua Camilla, dhe emri yt më është shumë i shenjtë si të qe ai i një princeshe që vdiq me një buzeqeshje dashurie, për dashurinë që s’njohu.”

Isha i dehur atë natë Camilla, i dehur me whisky 78 centësh, dhe ti ishe dehur nga whisky dhe vuajtja. Më kujtohet se mbasi fika dritat të mbajta në krahë, dhe më zuri gjumi në ngashërimin tënd, i bezdisur nga lotët e tua valë, dhe shijova kripësinë e tyre, dhe m’u kujtua Sammy dhe dorëshkrimi i tij i amësht. Ani kush të kishte rrahur! Ai leshkoja. Që s’dinte as si vihen shenjat e pikësimit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top