Bota e mrekullueshme e Amélie-së ka kontribuar për vite të tëra në ndrydhjen e protestave feministe, duke siguruar kështu një përfaqësim krejtësisht të rremë dhe pasiv të seksualitetit femëror. Amélie ka të njëjtat impulse seksuale të një thekëseje buke…
Sofia Torre
Filmi“Le Fabuleux Destin d’Amélie Poulain”(Fati i mrekullueshëm i Amélie Poulain), i vitit 2002, u mirëprit ato kohë prej audiencës së vajzave të reja, të etura për t’u shfaqur si “unike”, si një lloj odeje për pafajësinë dhe origjinalitetin.
Nuk kuptohet dhe aq qartë se në çfarë konsiston “Le Fabuleux Destin d’Amelie Poulain”, meqenëse asgjë e mrekullueshme nuk ndodh në këtë film. Amélie jeton në Paris, që në perspektivën e Jean-Pierre Jeunet duket të jetë një vend i banuar nga njerëz që nuk flasin me njëri-tjetrin dhe që e shmangin njëri-tjetrin kur ata qëllojnë të jenë përkrah në trotuar.
Amélie nuk ka miq, nuk ka impulse seksuale, nuk e shohim kurrë të lexojë, nuk del mbrëmjeve, as edhe për një birrë që ta kujtojë se në fund të fundit jeton në një nga qytetet më të bukura të botës.
Faji i madh i Jean-Pierre Jeunet është që ka mundur të transformojë atë që mund të përbënte një denoncim të vetmisë dhe të ftohtësisë së individit, në një ftesë që vajzat të lëkunden nëpër stile jetese të zbrazëta, hutuese, për të mos shprehur dëshira apo impulse, apo për të mos bashkëvepruar, dhe kjo e dhënë në mënyrën më të pakuptueshme dhe më të bezdisshme të mundshme.
Sy të përgjumur, të mbufatur, buzëqeshje ëndërrimtare, modeli i flokëve në forme tasi, prerje e cila i shkonte vetëm Audrey Tautou-së: “Le Fabuleux Destin d’Amélie Poulain” ka lënë një trashëgimi (jo vetëm estetike) të vështirë për një brez vajzash, të cilat, menjëherë pas daljes të filmit në kinema, u dyndën në masë për të fotografuar retë, duke veshur këmisha me lule dhe funde shumëngjyrëshe, valëvitëse.
Vegjetim pseudo-artistik, pasivitet seksual, zbrazëti dhe biseda me të panjohur bazuar në paragjykime dhe antipati instinktive: kjo është trashëgimia e botës së mrekullueshme të Amélie-së në brezin tim.
Amélie i kalon ditët e saj duke shërbyer kafe dhe pjata të ngrohta për klientët e “Café des 2 Moulins” në Montmartre. Duket se askush nuk flet me të për më shumë se dy minuta, por megjithatë asnjëherë një bisedë pak më e lartë se “Ditë e bukur!” (forma pohore) dhe “Po, me të vërtetë!” (përgjigjia).
Do të ngjante si fillimi i përsosur i një reflektimi mbi atomizimin në shoqërinë e globalizuar kapitaliste, si dhe vetminë e individit, po të mos ishte për faktin se Amelia nuk duket të vuajë për vakumin shoqëror që mbush ditët e saj. Përveç rrengjeve që u punon fqinjëve dhe fotografitë e xhuxhit në kopshtin e babait, jeta e kësaj të reje pariziene është e bërë prej rutinës; udhëtime nga një pikë e qytetit në tjetrën dhe një numër i konsiderueshëm çrregullimesh ankthi, që ajo i quan “kënaqësi të jetës”.
Duket se puna e saj kryesore është të zhysë dorën në thasët me bishtajat që nuk i përkasin. Kujtime dhe motive nga ky leksion i lumturisë së të prekurit; – shoqet e klasës sime përkëdhelnin qilimat e pistë sikur të ishin kotele… dhe më pas shkonin në bar që të fusnin duart në lojërat me birila, gjë që irritonte mua dhe germofobët e gjithë botës.
E interesuar pak për ndërtimin e një karriere, me një rrjet të pakuptimtë marrëdhëniesh njerëzore apo qoftë edhe vetëm me ndonjë hobi të rëndomtë, Amélie endet nëpër Paris me një shprehi boshe, duke prodhuar kështu një ushtri adoleshentësh dhe adoleshentësh të vonuar, të uritur për vëmendje, me bindjen e rrezikshme se pafajësia dhe naiviteti me çdo kusht, nuk është vetëm një gjendje e këndshme dhe e natyrshme e vajzave, gjë që ndokund tjetër do të quhej “vuajtje nga çrregullimet e të mësuarit”, por që është gjithashtu papërballueshmërisht sexy.
Amélie nuk është as e denjë për statusin e një mikeje të mirë, një karikaturë pa një jetë të sajën, kjo e fundit aksesor i domosdoshëm i të gjitha heroinave që lindën në komeditë romantike: miti fals i protagonizmit të nevojshëm femëror, i grave që kurrë nuk do të mund të jenë “Miqtë e mi” te Monicelli. Miqësitë mes femrave shpesh (nëse jo gjithmonë) reduktohen në një valvul shfryrjesh, që tregojnë shfrytëzimet dhe abuzimet e burrave, të paktën në kinemanë pastel, përjetësisht heteronormate dhe patriarkale deri në veleritje. Por në botën e mrekulleshme të Amélie-së, është edhe më i rëndë ky përshkallëzim, për të paktën dy arsye të ndryshme.
E para është se Amélie nuk duket të jetë e prekur sadopak prej mungesës së një marrëdhënieje, të barabartë apo qesharake qoftë, me një tjetër vajzë: zero ndërveprime me gratë që shfaqen, nëse heqim kamarieret e tjera në “Café des 2 Moulins” dhe gruan e kioskës përballë, e cila shoqërohet sa hap e mbyll sytë me një të çekuilibruar. Ndoshta Amélie ka shkaktuar një fenomen “feminicid”, ku i dihet.
E dyta është se; sapo një grua – në këtë rast fqinja – përpiqet të bëhet shoqja e saj dhe ta bëjë pjesë të kujtimeve dhe mendimeve të saj, Amélie vendos ta manovrojë dhe t’ia dorëzojë atë mekanizmave të veta ngushëlluese, të një bote imagjinare, ta bëjë të besojë se burri tradhtar e kishte dashur gjithmonë. Morali: – Mos u përballni me realitetin dhe mos i jepni vetes një jetë të re. Bëni si unë; jetoni në një planet tjetër, është më mirë.
Bota e mrekullueshme e Amélie-së ka kontribuar për vite të tëra në ndrydhjen e protestave feministe, duke siguruar kështu një përfaqësim krejtësisht të rremë dhe pasiv të seksualitetit femëror. Amélie ka të njëjtat impulse seksuale të një thekëseje buke; kur dikush vendos ta vërë në punë ajo ngrohet, edhe nëse propozimi “nuk është në lartësinë e pritshmërive të saj.” Kur asaj i duhet të përballet me gjëra që kanë të bëjnë me seksin, për te cilin duket se nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të sajën, Amélie shfaqet në kamera me një buzëqeshje, në vend që t’i propozojë diçka të ndryshme partnerit të saj, në vend që të ndërveprojë apo qoftë edhe t’i thotë atij të largohet.
Pastaj, një ditë, Amélie has një djalë të bukur, të cilit nuk ia di emrin, dhe kështu bëhet viktimë e një dashurie të menjëhershme me shikim të parë, edhe pse nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin, edhe pse mund të ndodhte që princi i magjishëm të ishtë një pedofil, një tifoz i Baywatch-it ose një pedofil-tifoz i Baywatch-it. Një qasje romantike në të cilën Amélie është e vetëmohuar, duke ndjekur djalin me sy, siç duket pa ndjerë nevojën e një bisede apo kontakti fizik, duke mbetur viktimë pasive e ngjarjeve të shpërndara të rastit, që nuk e shfaqin dhe aq të vetëdijshme.
Pasi e ka njohur Ninon, Amélie ëndërron të behet një shtëpiake dhe gruaja e dashur, që përgatit “gjellën e famshme me lakra” për burrin e zhytur në mendime për gruan e dashur që shkon përherë nëpër dyqane për të blerë asortimentet e duhura. Kjo skenë, në të njëjtën kohë edhe kopertinë e Shtëpiakes së Mirë- Shining-Stanley Kubrick, jo vetëm bën të më perzihet stomaku, por ndihmon edhe për të normalizuar dhe institucionalizuar origjinalitetin e supozuar dhe pavarësinë e simuluar të Amélie-së, e cila me sa duket nuk jeton vetëm për zgjedhje të saj, por për të pritur princin simpatik.
Mënyra me të cilën Amélie, pasi është përballur me peripeci që nuk ekzistojnë, vrapon në krahët e djalit, që tregon mirëqenien dhe përmbushjen, nuk është e ndryshme nga nata e parë e martesës së viteve 1800, kur gratë e pranonin me sy mbyllur fatin e tyre seksual, duke kaluar nga puthja e parë, në zhvirgjërim, brenda pak orësh, pa pasur të drejtë në zbulimin e seksualitetit të tyre.
Është e pashmangshme që një histori dashurie, e cila u bë kult për një brez të tërë vajzash, të të bëjë të duash ta kapësh për flokët e prerë tas parizienen, duke u kapur kështu me një stil jetese që tenton të shabllonizojë vizionin e marrëdhënies në çift, nëse jo në mënyrë të pazgjidhshme, të paktën në mënyrë të qartë.
Ne, brezi i Amélie-së, sapo takojmë një djalë që duket se na plotëson, një djalë jomanjak, pa çrregullime shumë të dukshme psikologjike dhe të bukur mjaftueshëm për t’u bërë “personi i duhur”, e marrim të mirëqenë faktin se aty ka një ëndërr dashurie për t’u kurorëzuar, pa e pyetur veten nëse të jesh një çift tradicional është ajo që ne me të vërtetë duam. Sapo e gjejmë gjysmën tjetër të ëmbël, hidhemi turravrap, dhe përfundojmë të mbërrijmë plotësisht të papërgatitura prej zhgënjimeve të pashmangshme kur burrat nuk sillen ashtu si ne do të dëshironim, apo kur përplasesh në tehet e mprehta të realitetit.
Me marrëdhëniet e saj jofunksionale, të shitura si shenja të fatit dhe buzëqeshjet e saj lënë përgjysmë, duke parë kamerën, Amélie jo vetëm që ka thyer korren e Crème Brûlée-së. Tendenca e protagonistes së veprës së Jean-Pierre Jeunet, për t’iu bashkuar ngushëllimit të përjetshëm dhe të diskutueshëm të kënaqësive të vogla të jetës, rrezikon të na bëjë të harrojmë se edhe ne kemi të drejtë për gjëra të mëdha, të cilat nuk bien nga qielli, si zonja vetëvrasëse në rolin e nënës se Amélie-së.
Marrë nga The Vision
Përktheu nga italishtja: Arlinda Guma