Poezia duhet të jetë  molotov i mbushur me ankth, kujtesë dhe zjarr. Nëse ajo nuk është e rrezikshme, nuk është poezi/Bisedë me aktivistin Klodi Leka

in A(rt)ktivizëm/Biseda/Letërsi by

Bisedë me aktivistin Klodi Leka mbi letërsinë dhe politikën.

Ai është anëtar i Organizatës Politike prej pesë vitesh dhe si i tillë e sheh të pandarë artin nga politika.

Leka rrëfen disa detaje tronditëse në fillimet e viteve të tij studentore ku u formësua nderëgjegjia e tij sociale dhe politike:

Kur zbarkova në Tiranë si student, gjëja e parë që bëra ishte mbërritja te greva e urisë e të përndjekurve politikë. Aty pashë dikë të digjej dhe njëzet metra më tej, në tryezat e një qebaptoreje buzë rrugës, njerëzit kullufisnin qofte të pashqetësuar. Kjo ishte dëshpëruese, por për habi nuk ma preu rrugën e angazhimit. Më herët isha përfshirë në demonstratën e 21 Janarit. Gjuaja gurë, hipa në kangjellat e kryeministrisë dhe pashë Ziver Veizin të jepte shpirt nën këmbët e mia. Ishte njeriu i parë që shikoja tek vdiste. Dridhej, sytë iu zbardhën dhe një culluf flokësh në gjak. Të nesërmen ime më erdhi në Tiranë të më merrte me vete në qytezë. Në furgonin e linjës sundonte lufta civile, por e heshtur.

Për letërsinë thotë: Atje jashtë, në rrugë, shkruhet letërsia e vërtetë. Jetë, personazhe, narrativa. Secila ka mundësinë për t’u bërë kryevepër.

E kur i duhet të përshkruajë mënyrën armiqësore me të cilën e kanë pritur mediat servile të politikës, ai rrëfen se:

Një spiker famoz i aksh emisioni mëngjesi, na ftoi në studion e tij për të pështyrë mbi ne dhe gazetën tonë në pikun e protestave, pa na dhënë kohë për të shpjeguar idetë tona. Kjo është pjesa komike e perversitetit me të cilën jemi hasur.

Ndërsa atmosferën poetike të kryeqytetit, Leka midis të tjerash e përshkruan kështu:

Zukama histerike prej mize, provincialiteti i “kullerave”, të qënit qytet pa lidhje, të punuarit si kalë për të paguar qeranë, të shtypurit si qen nëpër autobusë, kafenetë me muzikë teneqeje dhe arredim absurd, shumë seks në ajër dhe hiç në praktikë, shërimi i dhimbjes me snobizëm, të njëjtët njerëz që i ndesh kudo, forma sterile, depresion pink, rënie në përsëritje dhe kotësi, të mos pasurit të një jete underground, ferri i vitrinave dhe reklamave, të gjitha këto e bëjnë Tiranën qytet të mërzitshëm. Ama, nuk bën të jem vetëm mohues i kësaj krijese të shpërfytyruar. Ka disa raste kur shëmtia më josh më tepër se çdo bukuri.

  Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Cili ka qenë ai çasti kur keni ndjerë se koncepti juaj për ekzistencën dhe të drejtat e individit në shoqëri do të shprehej më mirë nëpërmjet aktivizmit social e politik? Po çasti kur keni hasur për herë të parë filozofinë e Marksit? Ku u pikëprenë për ju këto të dyja?

Klodi Leka: Mbërritja te pikëpamjet e tanishme konceptuale dhe politike nuk ka qenë rrjedhojë e një akti të vetëm, siç ishte tronditja e Shën Palit rrugës për në Damask, por një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshem plot kthesa, thyerje dhe tjetërsime. Përvojat e para politike i kam që herët. Familja nga ana e mamasë ishte e majtë në një qytet radikalisht të djathtë dhe kjo u shoqërua me pasoja. Mbaj mend dy ngjarje që do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën time. Në vitin 1997, në oborrin e shkollës “Migjeni” të qytetit të Mamurrasit, mbahej një miting i së majtës dhe isha aty bashkë me mamanë dhe tezet e mia. Një çast, sikur të kishin mbirë nga hiçi, disa huliganë me hunj kapërcyen murin rrethues të shkolles dhe nisën të shpërndanin me dhunë njerëzit e mbledhur aty. Kaos dhe britma. Atë ditë shumë njerëz u rrahën. Edhe ata në tribunë. Ngjarja tjetër ndodhi gjatë zgjedhjeve të vitit 1998, kur im atë, me të cilin ecja në qendër të qytezës, u arrestua dhunshëm për shkak të një letre politike, ndersa unë mbeta duke qarë në mes të qytetit, deri sa një grua fqinje rome, erdhi, më ngriti në krahë dhe më çoi në shtëpi. Asokohe isha 6 vjeç.

Pastaj në jeten time hyri krishtërimi dhe nacionalizmi. Krishtërimin e kisha trashëgimi nga familja e tim eti kur shkoja për vizitë tek gjyshërit në Veri, të cilët kishin libra fetarë me ilustrime në shtëpi. Më mbeten edhe sot në kujtesë historitë e Jezuit me fëmijët. Kishën në Mamurras e kisha pothuajse ngjitur me shkollën dhe çdo ditë kapja meshën e orës 7:30, pastaj shkoja në mësim. Prehja në kishë dhe ideja e Zotit më falte paqe shpirtërore. Mirpo disa ngjarje fatkeqe në familjen tonë u bënë shkas për thyerjen e pakthyeshme  midis meje dhe krishtërimit. Zoti i tyre heshtte dhe kjo qe e padurueshme. Prisja trokitjen e Krishtit në derë në netët e trazuara të besimit, siç thoshin edhe fabulat fetare, por ai nuk trokiti kurrë. Të them të drejtën, do të doja që Zoti të ekzistonte, pavarësisht se logjika nuk ma rrok ekzistencën e tij, që të kisha mundësi të bëja një bisedë pa dorashka me të. Dhe pse ateist, vijoj të mendoj se jeta e Krishtit është interesante dhe shpalos disa parime të ngjashme me bindjet e mia.

Nacionalizmi u shfaq në periudhën e pubertetit. Konsumoja me orë e orë  muzikë dhe shkrime të dobëta nacionaliste, aq sa më kaplonte histeria. Historia dhe letërsia ishin te vetmet lëndë ku shkëlqeja, ndërsa në lëndet e tjera, sidomos në shkencat ekzakte, mbetesha nxënës tepër i dobët. Atë kohë nisa të shkruaja poezi. Ishte nevojë e tmerrshme për të shprehur frustrimet mbi lavdinë tonë të humbur. I kushtoja vjersha çdo ngjarjeje dhe personazhi historik. Aq sa, teksa ia lexoja një kushërire të rritur, ajo m’u gjegj me jo pak shpoti: “Ti nuk je veteran lufte, çuno, shkruaj për jetën dhe dashurinë!” Dhe nuk m’i pëlqeu poezitë. Kjo ishte tepër tronditëse. Kisha shpenzuar kohë dhe emocione me to. Pathosi i nacionalizmit shkoi me zbehjen e pasionit për historinë. Në histori gjithkush ka pikëpamjen e tij për gjithçka, asgjë nuk ishte ekzakte dhe kjo më lodhi, më acaroi tej mase. Pastaj nisa të lexoja letërsi dhe të bija në kontakt me gazetën “Gazeta” dhe kureshtja ime nisi të orientohej majtas, tashmë disi më i vetëdijshëm se ç’ishte e majta.

Përvojat politike të rinise ishin po aq traumatike sa të fëmijërisë. Kur zbarkova në Tiranë si student, gjëja e parë që bëra ishte mbërritja te greva e urisë e të përndjekurve politikë. Aty pashë dikë të digjej dhe njëzet metra më tej, në tryezat e një qebaptoreje buzë rrugës, njerëzit kullufisnin qofte të pashqetësuar. Kjo ishte dëshpëruese, por për habi nuk ma preu rrugën e angazhimit. Më herët isha përfshirë në demonstratën e 21 Janarit. Gjuaja gurë, hipa në kangjellat e kryeministrisë dhe pashë Ziver Veizin të jepte shpirt nën këmbët e mia. Ishte njeriu i parë që shikoja tek vdiste. Dridhej, sytë iu zbardhën dhe një culluf flokësh në gjak. Të nesërmen ime më erdhi në Tiranë të më merrte me vete në qytezë. Në furgonin e linjës sundonte lufta civile, por e heshtur. Një zotëri i sertë tha se nëse i biri do të ishte pjesëmarrës në atë demostratë rrugeçërish do ta dorëzonte vetë në polici. Aty nisi një zënkë e ashpër, saqë shoferit iu desh të ndalonte buzë rrugës që të rikthente rendin. Kthimi i zemërimit në lot varrimi qe tepër zhgënjyes. Më largoi përgjithnjë prej opozitës zyrtare dhe më shtyu fuqishëm drejt Organizatës Politike.

Përvoja e aktivizmit në Organizatën Politike, thurur me kujtesën mbi rrënjët e mia klasore dhe solidaritetin e treguar nga aktivistët më të hershëm për të riun e periferisë, më ka ndërtuar si njeri. Shpesh e mendoj se cila mund të ishte rruga ime përtej aktivizmit. Ndoshta në burg, si shumë shokë të qytezës dhe fëmijërisë. Ose njeri i cekët, kollarexhi i vockël, që mezi mbijeton dhe beson se Vetting-u e ambasadorët do të sjellin drejtësinë në vend. Ideja e burgut më josh, por mundësia e dytë më krijon neveri. Organizata Politike ka qenë një shkollë jete dhe teorie për mua dhe shumë të rinj të tjerë. Aty gjeta literaturë, besim, miq për kokë dhe mundësinë që të merja nën kontroll frenat e fatit tim. Aty njoha Marksin, Sartrin, Majakovskin, Xhek Keruakun, kinemanë franceze dhe italiane, por edhe protestat, dhunën ekzistenciale të t’folmes në publik, veten dhe botën në qelitë e ndyra të komisariatit 2 & 3, ankthin dhe guximin, cilësi këto që i japin brendi dhe kuptim njeriut. Gjithë kjo përvojë dhe përmasë shpesh kthehet në akuzë për aktivistët e organizates, duke i baltosur përse nuk janë si të tjerët, individë famozë pa organizatë ose militantë të ndonjë partie.

Arlinda Guma: Jeni autor i një libri (të pabotuar) me poezi dhe tregime. Përse nuk e keni botuar ende? Ju kanë kërkuar pará botuesit? A janë këto krijime “të angazhuara”, apo angazhimin tuaj politik e mbani veç letërsisë?

Klodi Leka: Siç e permenda më sipër poezi kam nisur të shkruaj që në stinën e pubertetit. Poezi për heronjtë, të cilat nuk e di se ku ndodhen, si shume poezi të mëvonshme të lara në lavatriçe. Fletoret me poezi për jetën dhe ndjenjat  janë aq  fataliste dhe patetike sa kam frikë t’i lexoj përsëri. Pastaj poezia e pesëvjeçarit të aktivizmit. Shumica e gjërave që kam shkruar në adoleshencë nuk më pëlqejnë. Përmbajtje, por pa formë. Poemën e mësova shumë vonë. Ama, mendoj se poezitë e periudhës së aktivizmit politik janë dukshëm më të arrira. Ritmike, të pasura në gjuhë dhe shprehi. Poezi polisi dhe erosi. Janë ca çaste të marra letrare, ku edhe bejtexhiu më i dobët i fshatit mund të nxjerrë rubaira prej lumit që rrjedh befasisht në zemrën e tij.

Për sa i përket publikimit të një vëllimi me poezi, së pari është çështje dileme: nuk e di nëse dua të botoj. Poezia për mua nuk është tendencë arti për art dhe nevojë për t’u konfirmuar në rrethet e reja letrare, por shprehje e brengës dhe zemërimit. Poezia duhet të jetë  molotov i mbushur me ankth, kujtesë dhe zjarr. Nëse ajo nuk është e rrezikshme, nuk është poezi. Remboja i shkruante mësuesit se kërkonte të çrregullonte të gjitha kuptimet. Nëse në poezinë time një kamarier njëzetvjeçar dhe një grua shtëpiake nuk gjejnë jetët e tyre, por veç metafora të erreta dhe ndjesi të pakapshme, nuk kam asnjë arsye t’i publikoj. Për fat të keq, arti në Tiranë është i kufizuar midis grupeve të ngushta që i bëjnë qokë njëri-tjetrit. Arti duhet të jetë kritik dhe të masivizohet. Kjo është sprova e momentit. Së dyti, nuk kam pará dhe nuk di kujt t’i drejtohem për të botuar librin me poezi.

Pastaj, shikoni vërdallë ç’po ndodh. Realiteti e ka kapërcyer dramatikisht letërsinë. Një mëngjes, teksa ktheja me nxitim filxhanin e kafesë dhe miku im në karrigen ngjitur kafshonte i lumtur brioshin me çokollatë, sytë më vajtën tek ekrani. Trupa fëmijësh të stivosur me lëkurën që kish’ marrë ngjyrë vdekjeje dhe buzët që u shkumëzonin. Sytë i kishin akoma hapur. Aushvici në televizor. Ç’tmerr! Ora tetë e mëngjesit. Ku shkoi tërë ajo letërsi dhe kinema humaniste mbi krime të tilla? Kronika në vijim. Bomba bërthamore. Një grua fluturon nga pallati. Një tjetër hipën në vinç. Babai i tetë fëmijëve mbetet në korrent. Një minatori në Bulqizë i vjedhin vdekjen. Kryqëzimet plot me fëmijë që lypin dhe shesin. Atje jashtë, në rrugë, shkruhet letërsia e vërtetë. Jetë, personazhe, narrativa. Secila ka mundësinë për t’u bërë kryevepër. Por për fat të keq deri më tani janë histori të humbura, sepse letrarët tanë as që tentojnë t’i kapin këto realitete në letër. Kështu nuk kemi asgjë. As këngë, as letërsi dhe as historizim të vetëvetes. Kemi vetëm lazdrime të vogla vetjake në kopshtin e dijes.

Arlinda Guma: Mendoni se duke u përqendruar vetëm në pasojat (sektorë të caktuar si Reformimi i Universitetit apo të drejtat e punëtorëve) keni mbetur disi në plogështi me adresimin ndaj shkakut të këtyre pasojave; qeverisjen e keqe aktuale? (Meqënëse unë kam shkruar dikur të “Gazeta”, pres të ma kundërshtoni bindshëm këtë konstatim.)

Klodi Leka: Jo rrallë, kur më duhet të shpjegoj me gjuhë të thjeshtë zhvillimet politike, them se raporti i qytetarit me qeverinë është ai i Roki Balboas i vënë në këndin e ringut duke ngrënë grushte si gomari. Në kësi situate ndodhet edhe populli ynë. I shtyrë në kënd, qeveria po e shkatërron me dhunë dhe skandale çdo tri ditë. Sapo mbaron njëri, nis tjetri, si një qark vicioz që s’ka rrugëdalje. Ashtu si njeriu nuk ka mundësi të reflektojë pas çdo grushti, edhe ne nuk kemi fuqi të mobilizohemi për gjithçka, por  mbajmë një pozicion të qartë që në çastin e dhënë, njëjtë sikur Roki, të shmangemi dhe të hidhemi në ofensivë. Nga njëri grusht tek tjetri. Thellim, jo shpërhapje. Arsimi dhe puna janë dy brinjët ku mund të kapet demi i tërbuar i korrupsionit, privatizimit dhe varfërisë. Studentët dhe punëtorët janë dy shtresa të mëdha  me fuqinë për ta ndryshuar shoqërinë.

Por ne jemi aktivizuar edhe në çështje të tjera. Si për shembull, jemi vënë në mbrojtje të hapësirave publike te Parku i Liqenit, si dhe tek Parku i Autobusëve, ku jemi përballur ashpër me policinë dhe jemi proceduar penalisht. Në betejën kundër importit të mbeturinave, jemi arrestuar për shkrimin e emrave të deputetëve në koshat e mbeturinave, nismë që u përhap në çdo qytet. Kemi organizuar protestë para Bashkisë së Tiranës kundër rritjes së çmimit të biletës së autobusëve dhe vdekjes në punë të Ardit Gjoklajt. Po kështu, kemi dalë rregullisht në protestat e romëve dhe grave të dhunuara.

Nëse me politikë s’kuptohet mbrojtja e interesit publik dhe komunitar, por lufta formale parlamentare mbi Vettingu-n, negociatat dhe atletet e kryeministrit, atëherë “jo, faleminderit!”, ne nuk meremi me politikë. Sipas gjykimit tonë, politika aktuale e ka fshirë prej ligjërimit publik diskutimin mbi punën dhe pagat, shkollën dhe spitalin, pensionet dhe varfërinë. Të pasurit në parlament nuk kanë interes për to. Ata e kanë kriminalizuar politikën. Kudo klithet për drogë dhe krim dhe çdo bisedë mbi idetë apo alternativat është flakur jashtë skenës. Për ne aktivizëm politik do të thotë të rikthejmë demokracinë pjesëmarrëse dhe shoqërinë e mirëqenies në rendin e ditës. Jashtë kësaj rrezeje ka vetëm antipolitikë.

Arlinda Guma: Keni dokumentuar shfrytëzimin që u bëhet punëtorëve nëpër fabrika apo Call Center-a. Ku do të shkojnë më pas këto prova? E them këtë sepse këtu nuk ka një klimë të mirë për sa i përket sindikatave. Kemi gjithashtu një kryeministër i cili u thotë biznesmenëve të huaj me një krenari dhe mendjelehtësi të çuditshme: – Ejani se këtu nuk ka sindikata!

Klodi Leka: Përmes dy studimeve që kemi kryer mbi punëtorinë në industri dhe në bujqësi kemi përshkruar me furgonë fshati dhe në këmbë shumë nga qoshkat e padukshme të shfrytëzimit dhe skamjes. Në Bulqizë, bashkë me një aktiviste jemi futur në minierë për të inspektuar kushtet e punës. Jemi takuar ilegalisht duke hipur në furgona me gratë e fabrikave në Shkodër, Kamëz dhe Durrës, ku kemi rrezikuar edhe të rrahura. Në kantjeret e Fierit jemi takuar me punëtorët e ndërtimit, të cilët ndërtonin blloqe banimi fantazmë dhe vetë ndoshta nuk kishin banesë. Kemi shkuar në fshatrat e Lushnjës, Korçës dhe Sarandës për t’u takuar me gratë që punonin në bujqësi. Pra, kemi përshkuar shumë territore dhe popullata të Shqipërisë. Kjo ka qenë një eksperiencë sa e trishtë aq edhe e jashtëzakonshme për të kuptuar se ç’është vendi dhe populli ynë.

Shumica punojnë keq dhe jetojnë edhe më keq. Dëshirat e tyre janë të prekshme, si shkollë për fëmijët dhe paqe për familjen, por për shkak të pagesës qesharake; vegime të pambërritshme. Gratë janë më të izoluarat. Përveç shfrytëzimit kapitalist, ato vuajne edhe shtypjen patriarkale. Pronari italian, supervizori shqiptar dhe burri në shtëpi, janë shtyllat e turpit ku shfrytëzohet trupi i saj. Ne kemi takuar një punëtore në Shkodër që ishte 21 vjeçe, me fëmijë, me arsim tetëvjeçar, pa shpresë për edukim dhe ngritje profesionale, e cila do t’i gdhijë ditët më të bukura të jetës në fabrikë dhe në furgonin burg që nuk i lë të dalin në qytet. Këto janë gratë punëtore. Dhe nuk janë pak. Janë me qindra mijëra. Sot në Shqipëri numërohen 400 fasoneri ku punojnë 100 mijë njerëz, 90% e të cilëve janë gra. Klasa punëtore ekziston, por nuk ka zë publik. Ne po përpiqemi të bëhemi megafonë për ta.

Rezultatet e hulumtimit i kemi prezantuar publikisht, por organet kompetente vijojnë të heshtin edhe kur njerëzit helmohen masivisht në fabrika. Sidomos Inspektoriatët e Punës. Por për fat të mirë, ne nuk i varim shpresat tek institucionet. Me kontaktet e ndërtuara gjatë takimeve për studimin mbi punëtorinë, kemi organizuar protestë në Bulqizë pas shumë e shumë kohësh. Me naftëtarët kemi kordinuar protesta; si në Ballsh, si para Kryeministrisë. Më 1 Maj mbajtëm manifestim në Kombinat, aty ku qindra gra robëtohen në industrinë tekstile. Aktiviteti ynë me punëtorët është i përditshëm, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së traditës sindikaliste. Krahas Lëvizjes Studentore, në të ardhmen mund të kemi edhe lëvizje punëtore. Veç sindikalizmi do ta shpëtojë punëtorin prej keqpagimit dhe do ta bëjë kapitalizmin më pak barbar në vendin tonë.

Arlinda Guma: Cili është qëndrimi i Organizatës Politike mbi çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar? (Nëse ka një të tillë…)

Klodi Leka: Për sa i përket çeshtjes se teatrit, si fillim ia vlen të theksoj faktin se aktivistët e Organizatës Politike janë ndjekës të rregullt të shfaqjeve teatrale. Edhe prej faktit se teatri është hapësira më e lirë kulturore në Tiranë. 300 deri në 500 lekë të reja mjaftojnë të kridhesh në botën magjike të Shekspirit, Molierit, Euripidit. Kjo është diçka fantastike. Zakonisht shkojmë edhe tek Akademia e Arteve ku kemi miq dhe aktorët e rinj japin shfaqje falas. Herën e fundit isha tek “Arturo Ui” i Bertolt Brehtit, ku aktrimi ishte mbi nivelin e zakonshëm, paçka se aktorët s’kishin kostume dhe skena ishte sajuar me bukë peshku. Nëse teatri një ditë do të jetë falas dhe kreativ, ne do te shikonim çdo shfaqje aty. Pas mbarimit të shfaqjes e kemi për zakon të ulemi në ndonjë kafene aty afër dhe të diskutojmë mbi narrativen, aktorët, arritjet artistike, etj.

Përpos abonimit në teater kemi shkruar disa artikuj kritikë në blogun tonë rreth shfaqjeve teatrale, por edhe mbi lojen e ndyrë qe po lozet me godinen historike dhe truallin publik të Teatrit Kombëtar. Kemi mbajtur qëndrim në faqen e Organizatës Politike ku themi se ky eshte pazar i hapur i politikës me biznesin, prandaj ne vihemi në përkrahje të aktorëve. Dolëm të gjithë në tubimin drejt Presidencës dhe jemi stacionuar do kohë rregullisht tek oborri i Teatrit. Kemi mbajtur fjalime dhe kemi ndenjur në këmbë, paçka se shpesh retorika rrëshqiste në patetizma dhe paragjykime. Një ditë dikush tha me përçmim se jemi qytetarë dhe jo “mamurrzakë”. Isha aty, mamurrzak, artdashës, aktivist, dhe nuk e kuptova se ç’faj kishin mamurrzakët dhe se ç’teatër kishin shembur ata. Pavarësisht gjithçkaje, mbrojtja e vlerave historike të qytetit dhe pronës publike janë çështje të drejta dhe ne jemi në mbështetje të plotë të kauzës së Teatrit.

Arlinda Guma: Kush e financon Organizatën Politike? Disa zëra (le të themi dashakeqës) aludojnë se ajo financohet nga Partia Socialiste. (Pres të ma kundërshtoni bindshëm edhe këtë.)

Klodi Leka: Kjo pyetje aq sa më acaron, aq më bën edhe të gajasem. Arlinda Guma: defekt-teknik.com mirëpret përgjigjet e acaruara…(qesh) Klodi Leka: Ata të PD-së na thonë se jeni të PS-së. Ata të PS-së se jemi të PD-së. Ca të tjerë se jemi pjesë të komplotit çifut dhe mezi presin t’u jepet rasti të na shajnë si komunistë, në mënyrë që të mirëmbajnë klishetë në kokat e tyre boshe. Një biçim regjisori i të drejtave të njeriut [hah, ç’ironi!] na akuzoi në gazetë si bolshevikë të etur për gjak që dhunojnë qafën e mjelmët të një gruaje ëngjëllore dhe porosiste policinë të merrej me ne. Ai po masturbohej publikisht me kokën e zonjës Nikolla dhe nuk e dinte këtë. Ishte edhe pronar universiteti privat. Një spiker famoz i aksh emisioni mëngjesi na ftoi në studion e tij për të pështyrë mbi ne dhe gazetën tonë në pikun e protestave, pa na dhënë kohë për të shpjeguar idetë tona. Kjo është pjesa komike e perversitetit me të cilën jemi hasur.

Pjesa shqetësuese e kësaj balte është treguesi se diskutimi publik ka rënë në nivelin e konspiracionit, akuzës pa asnjë fakt, linçimit si praktikë politike dhe mosbesimit më të thellë.  Më shqetëson fakti se ata që tregtojnë moral në gazeta dhe ekrane, nuk besojnë se disa njerëz me vullnet të lirë dhe ide krejt të tjera mund të bëhen organizatë.Jo, ty dikush të ka blerë, kujt i shërben ti, ti je vegël qorre e këtij apo e atij. Një biçim avokati shkoi deri aty sa rrethoi kokat tona me të kuqe dhe lëshoi kushtrimin për të na rrahur. Ata nuk e pranojnë dot se rebelimi ynë është kundër gjithë klasës politike dhe oligarkëve që kanë privatizuar Shqipërinë. Ata nuk e kanë kapacitetin intelektual, përveç linçimit dhe retorikës boshe, për ta kuptuar situatën e përgjithshme të vendit.

Sepse spekulimi dhe përbuzja mbi baza sociale janë po ashtu shprehje e moskuptimit të proceseve, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë. Disa përpiqen ta lidhin shëmbjen e Teatrit me Sorosin. Ca të tjerë me orientimin seksual të kryebashkiakut dhe çrregullimet psiqike të kryeministrit. Do e shikojnë si akt të veçuar korruptiv dhe shkelje ligji dhe aq, pa kuptuar se partneriteti publik privat është procesi i tretë dhe më i ashpër i privatizimit të pasurisë publike në Shqipëri. E gjithë ekonomia në dhjetë vetë. Kur ecim në rrugë, kur blejmë në supermarket, kur ndezim televizorin, ne shtojmë zerot bankare të Samir Manes dhe Çet Kastratit. Përveç pronave, ata kanë përvetësuar edhe punën dhe paratë tona. Na shembin qytetin, por vetë jetojnë në Rolling Hills. Më vjen keq, por kjo është luftë e klasave. Shiko kë rreh, burgos dhe vret shteti! Dhe shiko kë mban me pará dhe prona publike.

Për sa i përket financimit, Organizata Politike financohet nga paratë e aktivistëve që punojnë sipas parimit: “Kush ka te ardhura më të larta jep më tepër për organizatën”. Me këto financa arrijmë të mbajmë në këmbë, jo pa vështirësi, Qendrën Sociale “Logu i Shkëndijës” dhe aktivitetin tonë politik. Për të na ndihmuar në hulumtimin sistematik të strukturës dhe situatës sociale kemi ngritur “Institutin për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror”. Për kauzën e arsimit publik, IKESH ka publikuar një gazetë studentore me tirazh të kufizuar dhe ka kryer dy studime të rëndësishme mbi gjendjen e punëtorisë urbane dhe rurale si kundërvënie ndaj territ informativ dhe ekzekutimit simbolik të punëtorëve të mendjes dhe të krahut. Financimet janë nga fondacione të majta evropiane dhe bashkë me botimet i gjeni në faqen virtuale të IKESH-it.

Arlinda Guma: Mund të më flisni pak për angazhimin tuaj në Shkollën Verore? A ka ndonjë lëndë mbi aktivizmin në këtë shkollë?

Klodi Leka: Shkolla verore në Mamurras ishte ideim dhe eksperiment i guximshëm i dy të rinjve të kësaj qyteteze; aktivistë të dy, të cilët menduan se janë përgjegjës ndaj njerëzve dhe vendit të tyre, ish-gërmadhës industriale të pagëzuar si qytet i mimozave, por sot e lënë në ngecje dhe papunësi prej atyre që u shërbeu në paqe dhe në luftë civile. Si herë e parë shkoi goxha mirë, por ne nuk ndalemi këtu. Në shkollë u mbajtën leksione dhe diskutime mbi letërsinë, kinemanë, të drejtat e njeriut, artin e rrugës dhe angazhimin komunitar. Aty ligjëruan aktivistë me njohuri dhe përvojë në këto fusha. Pjesëmarrësit shprehën habi dhe pesimizëm ndaj nismës, por edhe dëshirën e drojtur për t’i përqafuar në të ardhmen ato. Në fund folëm për nevojën e një pedagogjie tjetër në shkollat publike dhe bëmë graffiti në qytet kundër dhunës ndaj grave.

Arlinda Guma: Cilët janë shkrimtarët tuaj më të dashur? A organizoni lexime në grup në Organizatën tuaj?

Klodi Leka: Leximi është pjesë e pandashme e një aktivisti. Këto kohë për shëmbull, po lexoj “Autobiografinë e Malkolm X”, të cilin ma huazoi një shok që lexon. Pothuajse të gjithë librat që kam lexuar së fundmi ose m’i kanë huazur ose m’i kanë dhuruar si “Shënime nga bodrumi” të Dostojevskit, “ Kujtimet”  e Mustafa Gërblleshit ose “Orientalizmin” e Eduard Said. E bukura e të qënit pjesë e një organizate është se të gjithë po lexojne diçka, literaturë të ndryshme, e cila qarkullohet me ligjërata në Qendrën Sociale, shkrime në blog dhe diskutime ditore. Përveçse individualisht, ne lexojmë edhe kolektivisht. Sapo kemi përkthyer “Domethënia e marksizmit” të Paul D’amato-s, teoricien i ri që e ka thjeshtëzuar marksizmin për publikun e gjerë. Për mendimin tim, marksizmi mbetet, pavarësisht retorikes dominuese, qasja më e rëndësishme, jo vetëm në filozofi, por edhe në sociologji, ekonomi, histori, antropologji, kritikë letrare, etj.

Në furnizimin me literaturë na kanë ndihmuar goxha librat e rrugës dhe bibliotekat e njëri-tjetrit, ngaqë botimet e reja shpesh janë të papërballueshme ekonomikisht. Për këtë u falënderohemi të gjithë atyre bukinistëve anonimë si dhe djemve të “Libra të vjetër dhe të përdorur”. Po kështu shtëpisë botuese “Pika pa Sipërfaqe”, që është më cilësorja në shqipërime dhe më e aksesueshmja në çmime. Ligjërata e fundit në Log ishte mbi romanin “Ferdydurke” të pionerit të ekzistencializmit Witold Grombowitz. Përveç letërsisë, aktivistët janë të dhënë edhe pas kinemasë. Në Log kemi shfaqur disa vite rresht, pothuajse çdo të premte, filma dhe dokumentarë dhe deri vonë kemi patur kurs mbi kinemanë. Kinemaja është antibiotik kundër mërzisë dhe formë mjaft interesante edukimi.

Arlinda Guma: Si janë pushimet verore e një të riu te Organizatës Politike? Apo më saktë, si ndihet një aktivist i kësaj Organizate përballë fotove të të rinjve të tjerë nëpër shkuma party apo në resorte luksoze? Si e shohin këta të rinj angazhimin dhe aktivizmin tuaj?

Klodi Leka: Pushimet verore të një të riu të organizatës janë zakonisht gjetja e një pune për të siguruar paratë e qerasë kur të rinisë shkolla ose kthimi në shtëpinë e prindërve. Ndryshe nga ata që punojnë në det ose në zhegun kapitës të kryeqytetit, ne që kthehemi në shtëpi kemi luksin ta vrasim vapën  përmes leximit, filmave dhe eksplorimeve jashtë qytetit. Ne nuk shpenzojmë asnjë sekondë duke i xhelozuar dhe quajtur dele të rinjtë, e sidomos ata të kampeve verore partiake, siç bëjnë disa. Ne përpiqemi të kuptojmë arsyet përse ata shkojnë aty. Për disa verbëria e luksit. Për shumicën varfëria dhe kërkimi i një pune. Një ditë këta të rinj do të bashkohen në luften kundër të korruptuarve dhe oligarkëve. Arsimin, sindikatën, pagën e larte dhe perspektivën e dëshirojnë te gjithë.

Por prapë, paçka se nuk kemi mundësitë ekonomike të shkojmë në bregdet, përpiqemi ta bëjmë jetën sa më interesante. Dy javë më parë vizitova një kishë arbërore mbi qytezën time, shumë shekuj e lashtë, ekzistencën e së cilës e zbulova fare vonë. Qe e mrekullueshme. Një kështjellë gjysmë e rrënuar që shikonte gjithçka nga Kruja në Lezhe. Poshtë saj, vreshtat dhe ullishtet bleronin ne tarracat e socializmit. Kjo kishë ishte pjesë e Abacisë së Arbrit, e lidhur me një rrjet kishash të tjera. Banorët muhamedanë të fshatit i ruanin si sytë e tyre rrënojat e saj. Ndërsa një shoqe e imja me lajmëroi së fundmi se kishte zbuluar në Rrugën e Barrikadave shtëpinë e Sali Shijakut. Në këtë vilëz të kthyer në kafene, me kopshtije të krijuara me kujdes dhe lirinë për të soditur punimet e piktorit, kafja kushtonte veç 60 lekë. Përtej luksit artificial, vendi ynë ka nevojë të zbulojë përmasën e tij shpirtërore. Në çdo rrugë dhe qytet ka një histori për të zbuluar. Kombinuar me dijen, këto qoshka të vogla provokojnë ndjesi të këndshme intelektuale.

Arlinda Guma: Më jepni një detaj të Tiranës, i cili ju është i dashur. Një detaj, te cilit ndoshta mund t’i keni kushtuar edhe ndonjë poezi…

Klodi Leka: Ah, Tirana.. Të jem i sinqertë, ky qytet, përveçse në mbrëmje dhe në mëngjes, kohën e mbetur të njëzetekatërorëshit jo që nuk të shtie në ngasje, por ta vret në zemër atë pak dell poetik. Zukama histerike prej mize, provincialiteti i “kullerave”, të qënit qytet pa lidhje, të punuarit si kalë për të paguar qeranë, të shtypurit si qen nëpër autobusë, kafenetë me muzikë teneqeje dhe arredim absurd, shumë seks në ajër dhe hiç në praktikë, shërimi i dhimbjes me snobizëm, të njëjtët njerëz që i ndesh kudo, forma sterile, depresion pink, rënie në përsëritje dhe kotësi, të mos pasurit të një jete underground, ferri i vitrinave dhe reklamave, të gjitha këto e bëjnë Tiranën qytet të mërzitshëm.

Ama, nuk bën të jem vetëm mohues i kësaj krijese të shpërfytyruar. Ka disa raste kur shëmtia më josh më tepër se çdo bukuri. Për shembull, kur eci në këmbë rrugëve të djersitura të muzgut, duke takuar rastësisht njerëz me të cilët s’jam këmbyer prej kohësh ose me biçiklete, në mbrëmje, nxitueshëm për t’u takuar me ndokënd, duke tribluar egot e shoferëve mbi kafshët e tyre metalike dhe autobusin portokalli të Kombinatit që buçet si lokomotivë e punëtorëve përmes Rrugës së Dibrës. Një qytet mbi të gjitha e bëjnë njerëzit e tij. Prandaj dhe Tirana, më shumë se lokalitet i thjeshtë territorial, është kujtesë emocionale. Gjeografi e shpirtit. Njeriun e bën njeriu. Çdo rrugë, çdo kafene, çdo lagje nuk ka kuptim në vetvete, pa atë që i japim ne.

Te 21 Dhjetori, për shembull, kam shumë kujtime. Aty kemi pasur për shumë kohë Qendrën Sociale dhe kishim krijuar një raport emocional  e njerëzor me atë pjesë të qytetit. Bukinisti ku rrëmonim për libra, gruaja e dyqanit ku blinim gjërat, gjarpërimi nëpër rrugicat e pallateve të socializmit të kthyera në geto, ku të rinjtë tymosin ditë e natë “sherebelë”. Kafe “Epiri” në Pedonale, kati i parë i së cilës është plot me kalecë, ndërsa i dyti cyt me dashnorë. Astiri i ankthit të qerasë. Fusha e Aviacionit ku ca kohë dilja të shikoja turma njerëzish dhe të shkruaja gjësend rreth tyre. Një kafene te Parku i Autobusëve ku e gdhija duke lexuar “Krim dhe ndëshkim” dhe duke kuptuar nihilistët që sorollateshin aty: garipë, prostituta, pijanecë. Trotuaret me tezga plot fruta-perime dhe dyqane rrobash të përdora ku gumëzhinin njerëzit si grerëzat. Mejhane tek dhomë buzë rrugës ku mizërojnë romët  kanaçembledhës dhe proletarët old school me xhinse blu e flokë kaçurrela. Kjo mund të duket si fantazi për Tiranën e kullave dhe hapësirave të rruara urbane, por është reale.

Për krijime letrare, qyteti i vogël është më i përshtatshëm se metropoli. Aty koha rrjedh shumë ngadalë. Gjërat nuk lëvizin aq shpejt. Njerëzit janë dramatikë. Bota shfaqet e ngrirë. Në qytezë ti i njeh të gjithë, ua di jetën, historitë, veset, virtytet dhe ka material letrar me bollëk. Këtu gjej rrënjët. Këtu nuk ndihem tollumbac, por trëndafil i egër. Këtu janë njerëzit me të cilët jam rritur. Në pamje të parë ky duket si provincializëm melankolik, por jo. Njeriu gjysmëurban është subjekti më interesant i kohës sonë. Tek ai reflektohet klasa, kurbeti, dhuna e shtetit, kërkimi i ujit në shkretëtirë dhe një ekzistencë thellësisht dramatike. Njeriu postmodern i Tiranës është metafizik, ndërsa njeriu i qytezës imanent. Metafizika është arrati. Imanenca ballafaqim. Prandaj mendoj se ky subjekt do të bëjë letërsi dhe politikë radikale në të ardhmen.

____

Shënim: Shkrimet e defekt-teknik.com nuk janë për gazetaret  pa ide të Gazetës “Mapo”. Edhe pse përpiqemi ta mirëkuptojmë me sa mundim koeficientin e tyre të ulët të inteligjencës, si dhe koeficientin e tyre të lartë të mediokritetit, u bëjmë me dije t’i mbajnë duart larg kësaj faqeje!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top