Një qytet i tërë var të mbathurat nëpër rrugë, madje është edhe krenar për këtë!

in Meqë ra fjala by

LONDЁR – Dikush vendosi një palë reçipeta në majë të një shtylle. Deri në fund të ditës; boksera, çorape dhe këmisha u varën jashtë shtëpive dhe dyqaneve, madje u nderën edhe nëpër rrugë.

Një përpjekje për të turpëruar një grua që të mos i varte rrobat e  sapolara jashtë shtëpisë së saj, në Anglinë Jugperëndimore, dështoi në mënyrë spektakolare të mërkurën, kur fqinjët dhe njerëzit e biznesit u bashkuan në mbrojtje të saj dhe varën edhe ata rrobat e tyre jashtë, në mënyrë që t’i shihnin të gjithë.

“Rrugë pas rruge, ishte si një lloj operacioni ushtarak”, tha Paul Arnott, i cili mori pjesë në “Revoltën e Lavanderisë”.

Episodi zuri fill javën e shkuar, kur gruaja, Claire Mountjoy, mori një letër të panënshkruar në kutinë e saj postare në Colyton. Letra pretendonte të fliste “në emër të bizneseve lokale dhe lagjes”, përpara se të kërkonte “me dashamirësi” që ajo të përdorte një tharëse rrobash apo t’i varte ato brenda shtëpisë.

“Ne të gjithë përpiqemi shumë për ta mbajtur qytetin tonë të mrekullueshëm, të lulëzuar dhe të bukur”, thoshte letra, duke theksuar se shtëpia e znj. Mountjoy ishte e dukshme për vizitorët që mbërrinin në qytet. “Kjo letër nuk është shkruar me keqdashje, por ne ju kërkojmë qe të na ndihmoni ju lutemi, që të gjithë ta mbajmë Colytonin një qytet ku të gjithë të jemi krenarë për të”.

Znj. Mountjoy tha se iu duk “mjaft e çuditshme që dikush ishte kaq i mërzitur për këtë gjë. “Do të ishte më mirë”, shtoi ajo, “të kishim patur një bisedë më të këndshme”.

Pasi letra u përhap në mediat sociale, shumë banorë të qytetit të  Colyton-it u frymëzuan për të ndërmarrë një nderje kolektive të rrobave në tel. Z. Arnott, një prej banorëve, mësoi për këtë në një grup në Facebook të Colyton-it.

“Kështu, të nesërmen në mengjes u ngrita dhe mora disa nga rrobat e mia më të vjetra dhe i varëm në tel, duke përfshirë edhe një palë boksera”, tha zoti Arnott për Devon Live, një website i ri. Ai e quajti reagimin e fqinjëve të tij “të jashtëzakonshëm dhe absolutisht zbavites”.

Anott tha se njerëzit u nxitën për revolten prej anonimitetit te letrës dhe “mënyrës agresive me të cilën ishte shkruar ajo”.

“Është tipar britanik të mos na pëlqejë ky lloj intimidimi,” tha ai, “dhe qyteti i Colyton-it është me të vërtetë i mirë në rezistimin ndaj këtyre gjërave.”

Colyton, një qytet me rreth 2,000 banorë, në Devon County, ka një reputacion të madh për rezistencë. Dhjetëra burra të Colyton-it u vranë gjatë Rebelimit të Monmouth-it, në vitin 1685, kur u bashkuan me Dukën e Monmouth-it kundër mbretit të sapokurorëzuar; Mbretit Xhejms II.

Që atëherë, Colyton-i është quajtur “Qyteti më rebel në Devon”, një emër që ende duket se i përshtatet.

Tashmë, disa banorë po bëjnë thirrje për një ditë rebelimi vjetor të varjes në tel të mbathurave…

The New Jork Times

Përktheu: Arlinda Guma

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Meqë ra fjala

Go to Top