Ato që thuhen tani-Natasha Lako

in Letërsi/Tharm by

Si do të përballosh ti, nënkupto unë,

gjithë ato eko të thella godinash metali, gjithë ato tabela faqendritura,

gjithë ato lajme kacavjerëse, gjithë ato aksidente të papritura,

gjithë ato kthina ku thuhet qoftë larg për ditë,

gjithë ato gama kalendarike për të cilat dikush patjetër

do të dalë të thotë janë vetëm të miat,

përfshi yzengjinë e artë të hënës që kërkon këmbë të bukura,

fjalën të dua të kthyer në kope, për të mbetur gjithnjë nomade,

gruan e pashfaqur ende që vazhdon të heqë vetullën prapa një rrufeje,

çiltërsinë që me pafajësinë bie në dashuri pa asnjë peshë tjetër idiote,

si do të përballosh ti, nënkupto unë,

Tezeun, fitimtarin e parë të botës që ty, nënkupto mua, na e kanë grabitur,

së bashku me amazonat dhe gjirin e tyre të prerë ku legjenda thote,

se qëndron edhe shigjeta e parë e mundur,

çfarë të mbetet ty, nënkupto mua,

në zemrën e zemërekut të zemrës më thuaj,

nga ushtria e freskët e fjalëve që hyjnë në kompjutër,

nga furtuna, e vetmja e mbetur pa zot dhe ylberi i vetmi i mbetur pa zot,

në duart qe mbajne pluhurin dhe të puthurën, në poezitë që vriten të parat,

e përfshirë ti, nënkupto unë,

në këtë masë kaq të pangopur, në atë materien totalitare që të mundon e të thith,

deri në kontrollin e trupit që rri në çdo kufi së bashku me

pudrën në faqe dhe qelizat e tua të vdekura, të miat

nënkupto,

në bashkësinë e trupit me diellin,

në vazhdim të emisionit Trupi dhe Shëndeti i vetmi që jeton në TV që

nga koha e diktaturës, e lidhur me gjithë ato

medikamente që zgjaten të kërkojnë edhe të nesërmen.

Tradhëti të jetës sime, tëndes nënkupto,

ju dua si pulëbardhat, që nisen në fluturim.

E çliruar nga frymëzimi, që përballohet me mijëra vjet,

do të këtë mbetur vetja jote, imja nënkupto,

e lehtë, vetëm në këmishën tënde të pastër, që është  

edhe e imja,

në shtegun që të çon në ca flokë të gjatë.

________

Shkëputur nga vëllimi poetik:“Kundërpërfytyrimi”-2016

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top