• Pier-Paolo-Pasolini-011.jpg

Pasolini tre ditë para se të vdiste-Tani më shohin si dikë që do sjellë vetëm skandale, por unë luftoj gjithmonë për të vërtetën

in Kinema/Letërsi by

Më fotografo këtu, do bëhet skandal!

                           

Pasolini tre ditë para se të vdiste

Shkrimet, shtëpitë, intimiteti: shtatëdhjetë e tetë shkrepje në Sabautia dhe në Chia, që poeti nuk mundi t’i shikojë.

I ulur në një parvaz të gjerë në dritare. Ndërkohë që shtyp në tastierë numrin 22. Duke korrigjuar me një stilolaps Bic faqet ku kishte shkruar. Po edhe afër makinës së tij Alfa 2000 sipër urës, me xhamin hapur dhe erën që i shpupuris flokët, ose ndërkohë që ecën mes rrugëve të shkretuara apo arkitekturave fashiste. E pastaj sërish në punë, i ulur në tokë duke vizatuar, e në fund nudo,  i gjithi nudo, në një dhomë me krevat të llojit austriak, me mure prej gurësh, i shtrirë për të lexuar një libër përpara se të flinte. Ai, vetem ai, i rrethuar nga heshtja dhe nga vetmia. Është një Pier Paolo Pasolini intim dhe privat, që del si portret nga fotografi Dino Pedriali, në tetor të vitit 1975. I përgjuar por i pashqetësuar në çaste të jetës së përditshme, në situata të cilat, sipas planeve të shkrimtarit, duhet të ishin përfshirë në projektin Petrolio, romani i tij i fundit, i cili mbeti i papërfunduar, i botuar pas vdekjes, në vitin 1992. Imazhe bardh e zi, që pasi u ruajtën me xhelozi për 35 vjet shfaqen shumë pak në një ekspozitë në Romë pas vdekjes së shkrimtarit, publikohen tani në vëllimin Pier Paolo Pasolini, Fotografi nga Dino Pedriali, në shitje nga 17 marsi. Shtatëdhjetë e tetë imazhe të shkrepura në dy seksione, në dy ditë gjithsej, të shkrepura në shtëpitë në Sabaudia dhe në Chia, në të cilën përfshihen për herë të parë edhe fotografitë nudo (të shkrepura natën mes 28 dhe 29 Nëntorit), që askush nuk i kishte parë më parë; askush, e as vetë Pasolini që vdiq disa orë para se Pedriali t’ia tregonte. Një libër që nuk është vetëm një përmbledhje fotografish, por një përmbledhje dokumentacioni, tregimesh, edhe më te fuqishme dhe tragjike prej historisë që i shoqëron.

Çdo gjë fillon me Man Ray. Dino Pedriali dhe Pasolini takohen, shkrimtari do të takoje surrealistin, që i riu njëzetepesëvjeçar ka fotografuar. Takohen, hyjnë në sintoni dhe Pedrali i shkrep disa foto në Sabaudia, në shtëpinë që shkrimtari ndan me Moravian dhe Dacia Marainin. E ndoshta atëherë Pasolinit i vjen një ide dhe zgjedh fotografin e ri për ta realizuar. “Më telefono javën që vjen”, më thotë, do të kujtojë Pedriali: “Do shkojmë në një vend që unë e dua shumë dhe quhet Chia. Por të lutem mos e fol me askënd”.

Sipas marrëveshjes, disa ditë më pas Pedriali shkoi tek shtëpia ku e gjeti me Ninetto Davoli dhe me të ëmën, me të cilën Pier Paolo fliste në dialekt, dhe përcjellin njëkohësisht ndjesi të brishta dhe të ëmbla. Pasolini merr Olivetin e tij dhe nisen. “Pasi arritëm në Chia”, vazhdon Pedriali, “futemi në një rrugë të fshehur dhe arrijmë në një vend që të lë pa fjalë. “Askush nuk e do këtë vend”, më thotë Pasolini, “Të tremb edhe ty? E di? Këtu arrij të shkruaj më mirë se kudo tjetër”. Pastaj më flet për një punë që do të bëjë me mua, të rrezikshme deri në burgosje, për të cilën askush nuk duhet të dijë gjë, askush, as Laura, as Moravia nuk duhet të dinë gjë. “Tani më shohin si dikë që do sjellë vetëm skandale, por unë luftoj gjithmonë për të vërtetën”, më thotë. “Tani mjaft, nuk mundem më! Nuk kam më forcë për të luftuar, dua të nxjerr lakuriq çdo gjë timen, e kësaj radhe do të jetë diçka vërtet skandaloze! Ashtu si më kanë gjykuar dua të jem. Deri në fund!”. Pra i kërkon Pedrialit një fotografi nudo. “Do vendosësh ti si do ta bësh.” Më thotë: “Dua vetëm ta realizosh sikur unë nuk jam në djeni, ose më mirë sikur unë nuk e vë re prezencën e një fotografi. Vetëm se në vazhdim do sillem sikur vë re praninë e dikujt që më  shikon fshehtas”.

Ёshtë natë e vonë, por Pedrali nuk arrin të flejë. Është i shqetësuar dhe i emocionuar.  Ditën tjetër Pasolini, pasi kishte pozuar teksa shkruan dhe vizaton, e pyet nëse ndihet gati për ‘ato’ fotografitë dhe i del përpara nudo. “Do të të fotografoj nga jashtë, nëse je dakort, përtej pemëve dhe xhamave” i them, pastaj bashkë me errësirën do fotografoj edhe dritën e brendshme, do guxoj të futem dhunshëm në intimitetin tënd”. Qëndroj për 15 minuta jashtë duke e vështruar. Kam ndjesi të çuditshme. Diçka magjike do të ndodhë. Mes gjetheve, përtej xhamave, trupi i tij herë pas here zhduket. Qëndroj i vetëm me pemët dhe kjo më terrorizon. Kur ai duket sërish, është veshur dhe vjen drejt meje. “Hiqi mënjanë ata filma” më thotë, “dhe më telefono kur të jenë gati; mos i trego askujt. Sapo të shikoj fotografitë do të të tregoj me detaje punën që do bëjmë. Mos harro që do të kemi shumë armiq, edhe ti do të kesh shumë armiq, sepse njerëzit nuk kuptojnë.” Kështu u ndamë.

Ditën tjetër Dino Pedriali, i cili jeton në Torino, punon me fotografitë; por emocioni për ato foto është aq i fortë sa e bën të humbasë sensin e kohës. Është data 2 Nëntor kur zgjohet nga një zile telefoni. “Po ti, a nuk duhej të ishe në Romë, tek Pasolini?, më pyesin nga ana tjetër e telefonit”, kujton Pedriali. “U trondita, çohem menjëherë dhe shoh që ka kaluar ora dy. Tani duhej të isha në Romë.”

“Mos u shqetëso”, më thonë, “ke kohë sa te duash, nuk ke pse nxitohesh më. Mos u nxito më…. ndize radion dhe do ta mësosh”.

Atë natë Pier Paolo Pasolinin e vranë në bregdetin e Ostias. Trupi i tij u gjet i masakruar keq. Thuajse nuk njihej. Nga ai çast Dino Pedriali, u konfirmua si fotograf nudosh, dhe do t’i ruajë ato foto kundër të gjithëve, duke u munduar të ruajë pastërtinë e tyre deri në momentin e publikimit të librit.

Përktheu: Blerina Berberi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top