Djali i anëtarit të rezistencës holandeze thotë se nazistët u sinjalizuan për dhomën sekrete të familjes nga bashkëpunëtorja e tyre hebreje.
Daniel Boffey-Bruksel
Libri pretendon të hedhë dritë të re mbi misterin…
Një libër i ri ka dhënë atë që pretendon se është një dëshmi e re; që Anne Frank dhe familja e saj janë tradhtuar nga një grua hebreje, e cila u ekzekutua pas Luftës së Dytë Botërore për bashkëpunim me nazistët.
Misteri i asaj se si Frank-ët u gjetën në një aneks sekret në një ndërtesë në Prinsengracht të Amsterdam-it në Gusht te vitit 1944, ka penguar hetimet zyrtare dhe akademikët e trazuar që nga ajo kohë.
Përfshirja e Ans van Dijk, e cila u ekzekutua në vitin 1948, pasi pranoi se kishte bashkëpunuar për arrestimin e 145 personave, duke përfshirë edhe vëllain e saj dhe familjen e tij, ishte pohuar edhe më parë. Por Muzeu i Shtëpisë së Anne Frank-ut dhe Qendra Kërkimore nuk mundën të mbërrinin në ndonjë përfundim, pavarësisht hetimeve të policisë dhe studimeve të tyre.
Fakte të reja vijnë nga një libër i Gerard Kremer, 70 vjeç, i biri i një anëtari të rezistencës holandeze me të njëjtin emër, i cili ishte një njohës i Van Dijk në Amsterdam.
Sipas librit, Kremer Sr, i cili vdiq në vitin 1978, ishte kujdestar i një zyre të një ndërtese në anën e pasme të Prinsengracht-it, në Westermarkt të Amsterdam-it, dy kate të së cilës u morën nga autoritetet gjermane dhe Organizata Naziste Holandeze- NSB, gjatë pushtimit të Holandës.
Pretendohet se pas arrestimit të saj, në Pashkët e së Dielës të vitit 1943, nga shërbimi i inteligjencës naziste, i njohur si Sicherheitsdienst, Van Dijk u bë një vizitore e rregullt në ndërtesë, megjithëse e maskuar. Ajo gjithashtu do të përdorte telefonat në zyrat e rekuizitës, thekson Kremer.
Libri pretendon se në fillim të Gushtit të vitit 1944, Kremer pati dijeni se Van Dijk merrte pjesë në diskutime te ndryshme në zyrat naziste rreth Prinsengracht-it, ku Frank-ët ishin fshehur. Frank-ët u arrestuan më 4 Gusht, ndërsa Van Dijk thuhet se ishte nisur për në Hagë.
Anne Frank qëndroi për dy vjet në aneksin e fshehtë mbi depon e kanalit, bashkë me babanë Otto-n, nënën Edith-ën dhe motren Margot.
15-vjeçarja u dërgua në kampin tranzit; Westerbork dhe më pas në Auschwitz, deri kur përfundoi në Bergen-Belsen, ku vdiq në Shkurt të vitit 1945 nga tifoja. Ditari i saj, i botuar, përfshin periudhën kur qëndronte e fshehur prej nazistëve, ndërmjet vitit 1942 dhe vitit 1944.
Një zëdhënëse për Anne Frank House tha se muzeu kishte qenë në kontakt me autorin e The Backyard (Aneksit Sekret), por që nuk vërtetohet asnjë provë e fajit të Van Dijk.
“Ne e konsiderojmë librin e Gerard Kremer-it si një homazh për prindërit e tij, bazuar në atë që ai kujton dhe ka dëgjuar. Në vitin 2016, Muzeu Anne Frank bëri hulumtime mbi arrestimin e familjes Frank dhe katër të tjerëve gjatë periudhës kur qëndronte e fshehur në aneksin sekret.
“Ans van Dijk u përfshi si një tradhtare e mundshme në këtë studim. Ne nuk mund të gjejmë dëshmi për këtë teori, as për teoritë e tradhtisë”.
Simone van Hoof, një nga zëdhënësit e Shtëpisë Botuese të Librit, Lantaarn, deklaroi: “Nuk mund të themi se kjo është përgjigjia 100%, por me të vërtetë mendojmë se është pjesë e enigmës, e cila mund ta përfundojë historinë. ”
Vitin e kaluar një agjent i FBI-së, nisi një rishqyrtim të ftohtë të rastit të zbulimit të familjes Frank nga Gestapo në vitin 1944. Teknika hetuese të zhvilluara gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë edhe një grumbull të madh të dhënash për të zbuluar pikat kyçe, janë duke u përdorur nga një ekip prej 19 ekspertësh nga Vince Pankoke. Van Hoof tha se ekspertiza e udhëhequr nga Pankoke ishte duke shqyrtuar pretendimet në libër.
Një libër i vitit 2010 nga Sytze van der Zee, ish-kryeredaktor i gazetës Het Parool, ka vënë në dukje edhe më parë se shumë nga viktimat e Van Dijk kishin jetuar pranë Prinsengracht-it.
David Barnouw, një studiues në Institutin Holandez për Luftën, Studimet e Holokaustit dhe Genocidit, dha një përgjigje të kujdesshme ndaj pretendimeve të librit dhe sugjeroi se zbulimi i Frank-ëve mund të ketë qenë një rastësi e pastër.
Ndërsa u shpreh për gazetën De Volkskrant, Barnouw tha se mungonte një “armë tymuese” në lidhje me pretendimet e Van Dijk. Ai tha: “Edhe unë pyes veten nëse do ta shohim ndonjëherë atë armë tymuese. Kam frikë se tani është tepër vonë për të vendosur përfundimisht se kush ishte.”
Pas luftës, Van Dijk u zhvendos në Hagë, ku u arrestua në shtëpinë e një miku më 20 Qershor të vitit 1945. Dy vjet më vonë ajo u akuzua me plot 23 akuza për tradhti dhe u soll në gjykatën speciale në Amsterdam, ku ajo i pranoi të gjitha ato dhe u dënua me vdekje.
Përpjekjet e saj për ta apeluar vendimin dhe për të fituar një falje mbretërore, me justifikimin se kishte vepruar për arsye vetë-mbrojtjeje, dështuan. Në Janar të vitit 1948 ajo u ekzekutua nga skuadra e zjarrit në Fort Bijlmer, në Amsterdam. Ajo u konvertua në katolike romane natën para ekzekutimit të saj.
Marrë nga The Guardian
Përktheu: Arlinda Guma