Ekzibicionizmi që idiotizon kauzat-Arlinda Guma

in Feminizëm by

Grave që kanë ndryshuar botën nuk u është dashur  të shfaqin asgjë tjetër përveç inteligjencës.  – Rita Levi Montalcini

  Arlinda Guma

                            Fytyra tjetër e feminizmit…

Siç shihet në këtë foto, vajzat në fjalë mendojnë se kanë shpikur rrotën. Janë ulur këmbëkryq, shajnë me gjeste burrash, dhe me të tyren besojnë se kanë bërë një luftë të fortë në dobi të feminizmit.

I kanë shpartalluar fare burrat…

Me të tyren besojnë se e kanë ndryshuar botën. Duke pirë çaj dhe duke sharë me gisht… Kanë luftuar për të drejtat e grave. Me gjeste të fotoshopuara…

Kauzë komode kjo e feminizmit… Mund të pish çajra bimore, të bësh edhe gjumin e bukurisë, e pastaj të deklarosh se ke lufuar dhëmbë për dhëmbë me “armikun”.

Por a mund të luftojmë me të njëjtat mjete ndaj të cilave rebelohemi?

Absurdi i madh rrethit tonë vicioz…

Nëse do të flisja për vete, sigurisht që ndihem e dhunuar kur bëhem dëshmitare e gjesteve të tilla. Dhe për mua nuk ka fare rëndësi nëse janë gra apo burra ata apo ato që “i performojnë”. Sepse përpara se t’i përkasim një gjinie, jemi në radhë të parë qenie njerëzore.

Gjithmonë kam besuar se do të jetonim në një botë më të mirë e më të qytetëruar nëse burrat nuk do të demonstronin një primitivitet të tillë. E jo vetëm që nuk po përmirësohemi, por më e keqja është se pikërisht aty ku kemi thëne: “si thoni sikur t’i zdrukthtojmë pak këta burra që shajnë kështu?”, pikërisht aty kemi filluar të pësojmë regres; po përkeqësohemi, gratë po imitojnë ata. Në emër të feminizmit. Sa gjëra në emër të feminizmit…

Ka në Kanunin e Lekë Dukagjinit një fragment interesant mbi kapërcimin e së drejtës (dhe mos u alarmoni që për çështje feminizmi po përmend pikërisht atë, “Lekën e tmerrshëm”), individit që lufton për të drejtën, në këtë kanun i është caktuar një cak, deri këtu mbërrin e drejta jote, i deklaron kanuni, më tej penalizohesh. Siç duket Leka (kaq i emancipuar në matje milimetrash të së drejtës) qysh atëherë ka aplikuar aksiomën; – Liria jote mbaron aty ku cenohet liria e tjetrit…

Por unë druaj se vajzat në foto, por edhe të tjera si ato, nuk e kanë shumë të qartë këtë kufi. Druaj se lufta për feminizmin këto kohë është duke marrë një revansh qesharak. Druaj se ato gra dhe vajza që kanë dhënë jetën për këtë kauzë, tani do të jenë duke u rrotulluar në varr prej një mendjelehtësie të tillë. Druaj se shpirti i tyre nuk gjen prehje prej protagonizmave idiotë si ky në foto. Druaj se shpirti i tyre ndihet i përdorur.

Ka shumë keqkuptime kjo kauzë në Shqipëri e Kosovë, por më e tmerrshmja ishte kur dëgjova një shkrimtare “oksidenti” që deklaroi se nuk ishte feministe, pikërisht për faktin se ajo i donte burrat…

(E kush tha se feministet nuk i duan burrat?)

Më la me gojë hapur kjo “oksidentale e letrave” (nuk mund të them letrave shqipe, sepse ajo shkruan në gjuhë të tjera) sa e painformuar ishte mbi këtë kauzë. E kur njerëz të kulturës shprehen kështu, përfytyro pastaj atë njeriun e thjeshtë. (Por e mirëkuptoj “oksidentalen” që nuk e simpatizon këtë kauzë; nuk ka se si, feminizmi është rebelizëm ndaj koketërisë.)

Më duhet të pranoj se është shpresëdhënës fakti që përdite e më shumë kauzës së feminizmit i bashkohen gra dhe vajza të ndryshme. Por gjithnjë e më shumë konstatoj se jo pak individë kanë filluar më shumë ta diskretitojnë se sa ta ndihmojnë këtë kauzë. Për fat të keq nëpër protestat feministe kam parë gra apo vajza që po të mundnin edhe mishin do t‘ua grinin me gërshërë grave dhe vajzave të tjera, e jo më të protestonin për të drejtat e tyre! Dhe dëshpërohem kur kamera i fokuson me një seriozitet gati solemn këto “luftëtare të së drejtës”. E si mundet që në ballë të këtyre protestave feministe të qëndrojnë pikërisht gratë më maskiliste të mundshme?

Dhe sigurisht arsyeja thelbësore e gjithë kësaj parodie duket se mbetet gjithandej ekzibicionizmi, protagonizmi i sëmurë; sëmundja më e frikshme e kohërave tona moderne.

Më ndodh të hyj rrallë në Instagram, kam një account joaktive atje, dmth., me pak fjalë; nuk postoj asgjë. Por dhe atë një herë të vetme që hyj, nuk di nëse duhet të zemërohem apo të qesh me të madhe. Para syve më parakalojnë njerëz pa kurrfarë defekti, të gjithë të përsosur. (Gjithçka duket aq e mërzitshme atje.) Dhe në  gjithë këtë ekzibicionizëm ulëritës, vë re tek-tuk edhe ndonjë feministe që bërtet edhe ajo me të madhe për të drejtat e grave, duke ekspozuar asetet. Vetobjektizohet… por në emër të një kauze të madhe ama; feminizmit; i cili ka lindur pikërisht si rebelizëm kunder objektizimit të gruas…

Çfarë paradoksi!

Çfarë marketingu shëmtaraq!

Kjo kauzë ka hyrë edhe ajo në qerthullin e tmerrshëm të shit-shmërisë. Xhambazët mbajnë shënim sa e shit-shme është ajo në treg.

– Jam grua, – bërtet kjo e ashtuquajtur feministe, – jam grua, – hapni rrugën se jam grua!

A thua se të jesh grua është njëfare masteri apo doktorature?

E ç’ë pastaj se je grua?

Je grua si miliona të tjera! Të jesh grua nuk të jep asnjë të drejtë sipërane mbi gjininë tjetër. Por, po! Të jesh grua të jep të drejtën të jesh e barabartë me gjininë tjetër. Asnjë milimetër më shumë. (“Lekëmatësi” ynë i së drejtës do të të binte me çokë kokës nëse do kaloje edhe një milimetër të kësaj të drejte. Dhe në këtë drejtim ai ka qenë mjaft i emancipuar.)

Që të mos keqkuptohem me lexuesin e këtyre rreshtave, autorja e këtij shkrimi ka qenë ndër të parat që ka shkruar se Shqipërisë i duhen lëvizjet feministe po aq sa i duhen sindikatat. Por e vërteta është se kohët e fundit unë nuk e gjej më veten në këtë kauzë. Një kauzë që ka marrë një revansh të frikshëm. Një revansh jo-inteligjent, në dëm të saj. Vazhdojnë t’i bashkohen gjithfarë individësh, të cilëve nuk u intereson fare qëllimi i kauzës. Por të gjitha këto i bashkon një pikë e vetme; ekzibicionizmi.

(Feminizmi, kjo strehë e fundit e ekcentrikëve!)

Aty mund të gjesh njerëz pa kurrfarë talenti për të ndërtuar apo krijuar ndonjë të vlefshme për shoqërinë, por me talentin e vetëm, të ethshëm për të dalë në televizor.

Për t’u shfaqur. Për t’u dukur. Paçka se brendia mund të jetë bosh.

Kaq shumë dukje. Dhe kaq e panevojshme e gjithë kjo.

Feminizmi nuk është dukje.

Feminizmi nuk është shfaqje.

Feminizmi nuk është spektakel.

Feminizmi nuk është një pjesëmarrje në një emision mediokër rozë.

Feminizmi nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrsesi marketing në Instagram ku ti “zbërthen kopsat”… (Kaq shumë kanë filluar të zbërthehen gratë në këtë vend, sa kam frikë se do të vijë shpejt ndonjë ditë kur do të quhet provokim nëse në rrugë do të shohim ndonje grua me golf!)

Feminizmi nuk mbulon seksionin e tradhtive bashkëshortore dhe më gjerë.

Feminizëm nuk do të thotë të shash si burrat gratë e tjera të gjinisë tënde.

Feminizëm nuk do të thotë t’i shtrosh burrat në dru.

Feminizëm do të thotë që gratë të ecin përkrah burrave me të drejta të barabarta. Të ndryshëm, por të barabartë në të drejta.

Feminizmi është një kauzë serioze, tragjike madje, për të cilën duhet luftuar me pjekuri dhe inteligjencë, në të kundërt gjithë kjo maratonë protagonizmi në emër të tij do t’i kthehej në bumerang dhe do të vërtetonte atë shprehjen popullore, aq të padrejtë dhe diskriminuese për gratë; “flokëgjata-mendjeshkurtra”.

Pra, të dashura gra dhe vajza, tregoni që dini të jeni më shumë se kaq; mos e idiotizoni këtë kauzë me protagonizëm!

Mos e bëni pis për qëllimet të vockla, meskine!

Shpirtrat e grave që u flijuan për të do t’iu përndjekin!

Kjo vlen edhe për ju, vajza në foto, që ngritët një gisht me fotoshop dhe kujtuat se ndryshuat botën!

______

Shënim:

Uroj që këto rreshta të mos jenë një mundësi tjetër e mirë, që ato të organizojnë një tjetër protestë ekzibicioniste (kundër shkrimit dhe autores së tij…)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Feminizëm

Go to Top