Author

Admin - page 118

Admin has 1899 articles published.

Dy minitregime-Jorge Luis Borges

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

JORGE LUIS BORGES

 

ROBI

Këtë histori e tregojnë në Hunin ose në Tapalken. Pas një sulmi indian u zhduk një fëmijë. Thanë se e kishin rrëmbyer indianët. Më kot e kërkuan prindërit e tij. Vite e vite më pas, një ushtar që vinte nga thellësia e vendit, tregoi për një indian me sy të kaltër që afërmendsh duhej të ishte biri i tyre. Më në fund, ata e hasën birin e humbur (rrethanat si e qysh i ka përpirë historia dhe nuk dua të sajoj për atë që nuk e di) dhe besuan se e njohën. Njeriu, i rritur në shkretëtirë dhe i përshtatur me jetën barbare, tashmë nuk i kuptonte më fjalët e gjuhës së nënës, por, indiferent dhe i bindur u drejtua dhe shkoi vetë deri te shtëpia e lindjes. Aty u ndal, ose ndoshta e ndalën të tjerët. Shikoi portën e shtëpisë, sikur të mos e njihte. Pastaj, menjëherë, uli kokën, bërtiti, kapërceu pragun me shpejtësi dhe, duke rendur, përshkoi të dy oborret e gjatë dhe u fut në kuzhinë. Pa hezituar aspak, futi dorën në një vazo të vjetër e të nxirë dhe nxori andej thikën me bisht briri, të cilën e kishte fshehur aty qysh kur ishte i vogël. Sytë i ndritën prej gëzimit, ndërkohë që prindërit, të bindur se e kishin gjetur birin e humbur, nuk i mbajtën dot lotët.
Kushedi, pas kësaj ai kujtoi edhe gjëra të tjera, por, tashmë indian, nuk mundi të jetonte midis mureve dhe një ditë iku në kërkim të shkretëtirës së tij.
Unë doja të dija se çfarë ndjeu në atë çast marramendës, kur iu ngatërrua e kaluara me të tashmen. Doja të dija nëse ky bir i humbur rilindi dhe vdiq në atë ekstazë apo nëse, si një krijesë apo edhe si një qen, a thua arriti të rinjohë prindërit dhe shtëpinë?

KURTHI

Tmerri i tij i vërtetë ishte, kur Çezari, tek këmbët e statujës, i rrethuar dhe i goditur prej thikave të pandalshme të miqve, mes fytyrave dhe teheve zbulon atë të Mark Brutit, të preferuarit të tij, e pse jo birit të tij, dhe atëherë dorëzohet e thërret: “Tu quoque, Brute, fili mi?” (Edhe ti, Brut, biri im?!); një klithmë patetike kjo që e kanë rrokur Shekspiri dhe Kevedoja.
Fatit i pëlqejnë përsëritjet, variantet, simetritë; nëntëmbëdhjetë shekuj më vonë, në jug të provincës së Buenos Airesit, një fshatar sulmohet nga disa fshatarë të tjerë dhe, kur rrëzohet, njeh birin e tij të adoptuar dhe i thotë me qortim të butë dhe habi të plogët (këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar): “Pero, che!” (Edhe ti, ore?!). Pastaj e vrasin dhe ai nuk e di se po vdes që të përsëritet një skenë.

Përktheu: Bajram Karabolli

______

Shënim: “Kurthi” është një nga ato minitregimet e famshëm të Borgesit, të cilët janë tejet lakonikë, art puro. Por dua të qëndroj te shprehja “Pero, che!”, për të cilën vetë Borgesi thotë: “Këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar”. Dhe e ka fjalën për një lexues vendas (argjentinas), lëre më, një i huaj. Personazhi i Borgesit ndodhet në të njëjtën situatë, si Jul Çezari dhe njësoj si ai shqipton vetëm ato dy fjalë aq lakonike.
Por në këtë rast, fjala është tjetërkund. Te vështirësia e përkthyesit, që, nganjëherë, është gati e pakapërcyeshme.
Che (çe) është një fjalë që përdoret vetëm në Argjentinë dhe Uruguai dhe në asnjë vend tjetër spanjishtfolës. Në dy vendet e mësipërme, kështu i drejtohen një të afërmi, një shoku, një miku, qoftë mashkull apo femër. Është një mënyrë e veçantë të drejtuari që shpreh afëri, ngrohtësi, intimitet. Argjentinasi i famshëm, Ernesto Gevara (Ernesto Guevara) njihet Çe Gevara (Che Guevara), vetëm se në Meksikë, ku ishte student për mjekësi, u drejtohej shokëve dhe miqve të tij: Ej, Çe! Ç’kemi, Çe? Tungjatjeta, Çe!… Dhe të tjerët që s’e përdornin këtë fjalë apo nuk e njihnin këtë mënyrë të drejtuari, nisën ta quanin Çe dhe jo Ernesto.
“Pero, che!” Kaq thotë personazhi i Borgesit dhe i lë që ta vrasin. Ad literam, do të përkthehej: Po ti, ore! Por, një lab, në një situatë të tillë do të thoshte: “Edhe ti, more derëbardhë?!”, apo: “Po ti, ç’pate, a tu shoftë?!”, etj. Një shkodran mund të thoshte: “Ç’ban, o nieri i mirë?!”. Po ka shprehje nga më të ndryshmet për të shprehur njëherazi, habi, dhimbje, lëshim, falje, e ku di unë, ama, kurrsesi mallkim, në një situatë të tillë.
Të gjithë e njohin shprehjen e famshme italiane: Traduttore, traditore. Sepse, në njëfarë mënyre, përkthyesi, patjetër do të tradhtojë dikë; ose autorin, ose lexuesin; ose gjuhën origjinale, ose gjuhën tjetër, në të cilën e shpie origjinalin. Dhe kjo është një dilemë e madhe për të.

Bajram Karabolli

Vdekja e shoqërisë civile-Granit Zela

in Letërsi/Tharm by

Vdekja e shoqërisë civile-Granit Zela

 

Shoqëria civile ka vdekur… kumtoi Kryetari.
E nisi të qeshë me lot.
Kamerier, tha mes gazit,
Më sill një kafe,
Një kafe për Mort.

Mardhje

Kur kthetrat e hekurta iu ngulën në shtat Teatrit,
Për ta shkulur
e shembur,
e ulur në gjunjë.
Disa shpirtra vetmueshëm me të mardhnin
Të tjerët – flinin gjumë.

Blendi

E kam takuar Blendin, veç një herë në jetë.
Më dha libra nga i ati, janë familje artisti.
Më 17 Maj, 2020, e pashë për herë të dytë,
Mbi flokët kaçurrel ishte çizmja e një polici.

Ambasadat

Kur ra Teatri, kish shqetësim në ambasada.
Mes dilemash-helm flisnin si në jerm:
“Vera po vjen e do na mbysë vapa,
Ku do vemi për plazh, na Jalë a Golem?”

Investime

Në Gjermani flitej veç për arrestime
Dhe shesheve turmat tredheshin paq:
“Hitleri- burrë i mirë, ka bërë investime.”
Tha një xhaxh.

Art në qeli

Ata organizuan një Protestë
Ishin Artistë,
Ishin dy,
“Asnjëri s’do të vdes”, premtoi Kryetari
Do të bëjnë Art në qeli.

Në mur qe shkruar-Bertolt Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Në mur qe shkruar-Bertolt Brecht

 

Në mur qe shkruar me shkumës

ata duan luftë.

Ai që e ka shkruar

tashmë ka rënë. 

Ai që rri sipër thotë:

vemi drejt lavdisë.

Ai që rri poshtë thotë:

vemi drejt gropës.

Lufta që po vjen 

s’është e para. Të tjera

e kanë paraprirë. 

Si u mbyll e fundit, pati

fitimtarë dhe humbës. 

Mes humbësve, varfanjakët

vdisnin urie. Mes fitimtarëve

varfanjakët vdisnin urie gjithaq. 

Teksa nisin të marshojnë 

shumë s’dinë se një armik po u prin. 

Zëri që u jep urdhra

është zëri i armikut. 

Ai që u dëfton armikun,

ai është vetë armiku. 

 

Pĕrktheu: Edon Qesari 

Ndeshim në udhë të shkuarën-Petraq Risto

in Letërsi/Tharm by

Ndeshim në udhë të shkuarën-Petraq Risto 

 

Shpesh ndodh të ndeshim në udhë të shkuarën

Dashurinë e shkuar, miqësinë e shkuar, vizionin e shkuar

Qëllon shpesh të ulim sytë, të psherëtijmë, të stepemi

Dhe të shtypim zemrën – çelës elektrik që na ndezë gjithë dritat e Kujtesës

Dhe ndaj së shkuarës të jepemi.

Pse ruajmë dobësinë tonë, pse ruajmë ëndrrën

Dhe pse Kujtesën e kthejmë në pluhur zhgënjimi?

Pse gjithnjë në udhë na shfaqet dikush apo diçka

Që na e kthen zemrën në çelës elektrik

Dhe Kujtesën në tempull flijimi?…

____

Bar “Jim Dandy’s”, 20 Nëntor, 2019

Fragment nga libri “Shënime për Shkëlqimin dhe Rënien e Europës”/Paul Valéry

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Paul Valéry

Nuk është asnjëherë gjë e lehtë të përshkruash qartësisht atë që quhet komb. Tiparet më të thjeshta e më të forta u bishtnojnë njerëzve të vendit, të cilët janë të pandjeshëm ndaj asaj që kanë parë përherë. I huaji që i percepton, i percepton shumë fuqishëm dhe nuk ndien atë masë përkimesh intime dhe ndërsjelltësish të padukshme nëpërmjet të cilave përmbushet misteri i bashkimit të thellë të miliona njerëzve.
Ekzistojnë, pra, dy mënyra të mëdha për t’u gabuar lidhur me një komb të dhënë.
Nga ana tjetër, vetë ideja e kombit në përgjithësi nuk kapet dot lehtësisht. Mendja humbet midis aspektesh tejet të ndryshëm të kësaj ideje; ajo mëdyshet midis mënyrave tejet të ndryshme të përkufizimit. Sapo beson se ka gjetur një formulë të kënaqshme, vetë kjo formulë i sugjeron sakaq ndonjë rast të veçantë që ka harruar ta përmbledhë.
Kjo ide na është po aq e njohur në përdorim dhe e pranishme në ndijim, sa ç’është edhe e ndërlikuar apo e papërcaktuar për meditimin. Por, po kështu ndodh me të gjitha fjalët që kanë rëndësi të madhe. Flasim lehtësisht për të drejtën, për racën, për pronën. Por çfarë është e drejta, raca, prona? E dimë dhe nuk e dimë!
Kështu, të gjithë këta nocione të fuqishëm, njëherazi abstraktë e jetësorë, dhe me një jetë nganjëherë aq të ngjeshur e aq të domosdoshme brenda nesh, të gjithë këta terma që ndërtojnë në mendjet e popujve dhe të burrave të shtetit, mendimet, projektet, arsyetimet, vendimet nga të cilat varen fatet, begatia apo rrënimi, jeta apo vdekja e njerëzve, janë simbole të vagullta e të paqarta për meditimin… Dhe njerëzit, megjithatë, kur përdorin mes tyre këto gjëra të papërkufizueshme, kuptohen me njëri-tjetrin fort mirë. Këta nocione janë, pra, të qartë e të mjaftueshëm për njërin apo tjetrin, por të errët e pafundësisht të papajtueshëm për secilin në veçanti.

Kombet janë të çuditshëm për njëri-tjetrin, sikundër qeniet me karakter, moshë, bindje, zakone dhe nevoja të ndryshme. Ata vështrojnë njëri-tjetrin me kërshëri dhe plot ankth; vënë buzën në gaz; mbledhin buzët; admirojnë një detaj dhe e imitojnë; përbuzin tërësinë; i bren zilia apo gufohen nga përçmimi. Sado e sinqertë që mund të jetë ndonjëherë dëshira e tyre për të kuvenduar e për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, kuvendimi errësohet dhe resht gjithmonë në një pikë të caktuar. Nuk di ç’kufij të pakapërcyeshëm ekzistojnë në thellësinë dhe kohëzgjatjen e tij.
Shumë kombe janë thellësisht të bindur se janë në vetvete e për vetveten kombi par excellence, i zgjedhuri i ardhmërisë së pafund dhe i vetmi që mund të pretendojë – cilatdo qofshin gjendja e tij e çastit, mjerimi apo dobësia e tij, – për zhvillimin sipëran të mundësive që i atribuon vetes. Çdo komb gjen argumente në të kaluarën apo në të mundshmen; asnjëri nuk dëshiron t’i konsiderojë fatkeqësitë që e pllakosin si pjellat e tij të ligjshme.
Poqese ata krahasohen me të tjerët nga sipërfaqja, ose nga popullsia, ose nga progresi material, ose nga zakonet, ose nga liritë, ose nga rendi publik, apo nga kultura dhe veprat e mendjes, apo edhe nga kujtimet dhe shpresat, kombet gjejnë medoemos motive për t’u vetëpëlqyer. Në lojën e përhershme që ata luajnë, secili prej tyre mban kartat e veta. Por mes këtyre kartave disa janë reale dhe disa imagjinare. Ka kombe që kanë në duar vetëm asin e Mesjetës, apo atë të Antikitetit, vlera të vdekura e të nderuara; të tjerë numërojnë artet e bukura, peizazhet piktoreskë, muzikat lokale, hiret apo historinë fisnike, që ata i hedhin mbi tryezë midis spathive të vërteta dhe maçave të vërtetë.
Të gjithë kombet kanë arsye të tanishme, të kaluara, apo të ardhme për të besuar se janë të pakrahasueshëm. Nga ana tjetër, ata janë të tillë. Kjo pamundësi për të krahasuar këto entitete të mëdha, që prekin njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet karaktereve dhe mjeteve të tyre të jashtme, nuk është një nga më të voglat vështirësi të politikës spekulative. Por fakti thelbësor që i përbën, principi i tyre i ekzistencës, lidhja e brendshme që lidh mes tyre individët dhe breznitë e një populli, nuk ka, në kombet e ndryshëm, të njëjtën natyrë. Herë raca, herë gjuha, herë territori, herë kujtimet, herë interesat, krijojnë në mënyrë të ndryshme unitetin kombëtar të një aglomerati njerëzor të organizuar. Shkaku i thellë i një grupimi mund të jetë i një lloji krejt të ndryshëm nga shkaku i një grupimi tjetër.

Duhet t’u kujtojmë kombeve në rritje se nuk ka pemë në natyrë e cila, qoftë edhe në kushtet më të mira të dritës, tokës e truallit, të mund të rritet e të zmadhohet pafundësisht.

Përktheu: Alket Çani 

_____

Librin e gjeni këtu:

https://bukinist.al/sq/ 

https://bukinist.al/en/publicistike-ese/9758-shenime-per-shkelqimin-dhe-renien-e-europes.html

Trupat e njerëzve-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Trupat e njerëzve- Yehuda Amichaï

 

Trupat e njerëzve janë të ndryshëm midis tyre

por shpirtrat i kanë të mbushur me të njëjtin frut shkëlqyes

si aeroportet.

Kështu mos më jep shpirtin tënd,

jepmë trupin që kurrë nuk do t’ia gjej fundin,

qypin jepmë dhe jo brendinë e tij.

Ji me mua nëpër aeroporte

aty ku pikëllimi i ndarjes vishet

me fjalë të bukura, jetime,

ku ngrënia dhe pirja janë shtrenjtë

por njerëzit dhe fatet e tyre krejt lirë.

Flasim në telefon

goja pi nga aparati sëndisjen dhe dashurinë.

Ata që qajnë kanë

duar të bardha porsi nuset,

dhe krahët që nuk kanë kënd për të përqafuar

ç’bëjnë vallë në këtë botë?

Le të vdesë shpirti im me trupin.

 

Përktheu: Ledia Kushova

Bogdani dhe Herakliti/Natasha Lako

in Letërsi by

Ndoshta fjala “qiellshit”, ishte krijuar kur thekset lëviznin andej këndej dhe rrokjet rrokulliseshin si gurët, siç do të ketë ndodhur vërtet në kaosin e njeriut

Natasha Lako

Ka lindur njëherë e një kohë një varg  i Pjetër Boganit, që mund të na çojë deri te Herakliti:

Qiellshit ngrihen gurë dhe mjergull.

Dhe duket sikur me të fillon e gjithë letërsia shqipe.

Mund te jetë shkruar rreth vitit 1685, kur në anën tjetër të Adriatikut botohej “Çeta e Profetëve”, vepra e parë origjinale e shkruar në shqip, ku përveç interpretimeve të fillesave biblike,  psalmeve të Davidit, vargjeve të Homerit, merr frymë edhe ky varg, si një monument që mund t’i biesh rreth e rrotull.

Duket si një lidhje apokaliptike, po të mendosh se Herakliti, ky zbulues i madh i  botës fizike, jeton në shekullin e 6-të para Erës së re, ndërsa Bogdani, midis viteve 1630 -1689, në kulmin e jetës së tij, e lidh me fillesat e shpirtit të tij të shkruar…

Por arti, kjo forcë që dërgon edhe tokën drejt qiellit, nuk ka sesi të mos  përafrojë edhe shekujt, edhe gurët dhe “mjergullën” e Bogdanit me tokë, ujin, ajrin dhe zjarrin, këta katër elemente, që Herakliti vazhdon të na i tregojë edhe sot.

Fillesa madhështore këto, me dhjetëra shekuj ngjitur e ngjitur, ku fshati Guri i Bardhë, ku Pjetër Bogdani u lind, ndonëse tragjik nga robërimet, bëhet fitimtar, kur edhe gurët e tij poeti i ngre drejt qiellit. Sikur edhe gjithë tokën e Heraklitit të dinte ta kthente në gurë. Dhe ujin – dhe ajrin e një dijetari të parë të botës materiale, të donte ta bënte “mjergull”. Vetëm zjarri duket sikur ka mbetur brenda trupit, ende i pashfaqur brenda kësaj ftohtësire.

Dhe një varg  i vetëm mjaftonte megjithatë të kthente një botë fizike në një botë shoqërore.

Dhe ky varg detyron të jetojë për jetë fjala “qiellshit”. Një fjalë, aq me dendësi dhe brendësi në vetvete, si të dojë të kthehet vetë ndonjë ngjarje, e të krijojë përshtypjen e një lëvizjeje shpate të saponxjerrë nga milli ose vetë lëvizjen e një vele të sapongritur për një udhëtim të gjatë…

Qiellshit”.

Dhe e ndien menjëherë se jemi ftuar në një fillesë mijëravjeçare të njërës prej gjuhëve më të vjetra, të paktën për një kontinent të tërë.

Nuk mund të ketë shqipja një fjalë tjetër, me energji kaq të madhe dhe një qiell të presuar sa më s’ka dhe njëkohësisht, të çliruar sa më s’ka, siç nuk ka ndonjë tjetër kundërthënie më të madhe sesa kur vetë qiellin e krijon me gurë dhe “mjergull”. Sa paralajmëron edhe bashkëpunimet e një mendimtari kryengritës, edhe vdekjen e tij nga murtaja, edhe zhvarrimin, që nuk është legjendë.

Nuk ka më as lamtumirë për botën e dikurshme të Romës. As mirëseardhjen e dikurshme të botës së Odiseut… Ekziston vetëm qielli i krijuar prej tokës, ku gjendet edhe vdekja, edhe pamundësia, edhe kërcënimi, edhe mohimi i personalitetit e identitetit, dhe për Pjetër Bogdanin, edhe i ekzistencës.

Madje me një “dhé” të shprishur, të ngritur drejt qiellit, duket sikur edhe djalli nuk ekziston.

Dy tre njerëz që e përgatitën librin “Çeta e Profetëve” të parët, ata që e përndoqën librin dhe njeriun, ata që e ndaluan librin dhe njeriun, ata që e rizbuluan librin dhe njeriun, ata që e shfletojnë sot veprën dhe zbulojnë njeriun e tij, të gjithëve Pjetër Bogdani u dha një qiell më të rëndë, edhe më tokësor se atë të Heraklitit, duke bashkuar tokë dhe qiell bashkë, siç janë betuar shqiptarët shpesh dhe ndoshta edhe Bogdani vetë, herë si meshar i një fshati të vogël, herë duke studiuar në Romë si episkop, herë si administrator i Tivarit, herë si arqipeshkop i Shkupit, vetëm duke heshtur, i hedhur në Drin…

Ati ynë qi je mbë qiellt.

Dhe qielli jeton prej tokës dhe prej fateve të saj.

Gjendemi papritur në një hierarki të përmbysur të një voltazhi të madh, siç mund të thuhet gjithnjë për letërsinë e vërtetë, qoftë në një varg të vetëm.

Facebook ndoshta e ka fajin, që mund të vendosë edhe më shpejt, në një fillesë nga më të çuditshmet, Bogdanin me Heraklitin, Heraklitin me Gadamer, Gadamer me Poliandrin që ka shkruar para Homerit, Homerin me Ciceronin, Ciceronin me  Augustinin, Augustinin me zgjedhjen e vullnetin, vullnetin e lire të Augustinit me Bogdanin që shkruan.

“Posi vjollëxa ndë dimënë pa mardhë…”

Ata që kanë dëshirë të mësojnë më tepër për “Çetën e Profetëve” mund të lidhin në të gjithë kuptimësitë Pjetër Bogdanin me Ibrahim Rugovën dhe studimin  e tij të plotë, të botuar në Prishtinë në vitin…1982. Sepse mund të flitet shumë për një libër që tregon sesi toka, uji, zjarri dhe ajri i Heraklitit kishin filluar të shkruheshin në shqip…

Ndoshta fjala “qiellshit”, ishte krijuar kur thekset lëviznin andej këndej dhe rrokjet rrokulliseshin si gurët, siç do të ketë ndodhur vërtet në kaosin e njeriut.

Dhe duket sikur gjithë bota fizike ka shkulur flokët në këtë fillesë të madhe shoqërore bogdaniane.

Sepse toka e Heraklitit është kthyer në gur, si për të thënë se për njeriun nuk është e mjaftueshme një kozmologji e tërë, as vetëm kuptimet metafizike të përgjithësimt të jetës, por konkretësia e çdo guri të vogël.

Dhe bota metafizike nuk të ngop me pafundësinë e saj, që shpesh njeriun e bën të parëndësishëm, ashtu siç mund ta lexojë edhe universi i shkencëtarëve. Por jo Bogdanin, që duket sikur jeton në një terren të ri skenik, atje ku kërkon pas mijëra vjetëve të jetë i lirë të pohojë qenien e vet.

Ja pse dëshiroj të marr në duar vetëm një varg, mes përmes gjithë letërsisë shqipe.

Atje ku fillojnë më pas të shfaqen edhe drurët. Dhe e gjithë jeta. Sepse Bogdani vazhdon vetëm dy tre vjet para një murtaje.

Lum o dru/e bukura pa ndonë leqeku 

mplaki u çrish/e s’mbet as nonji e keqe.

Fishta i kthehet përsëri drurit, si lëndës së Heraklitit, si të gjithë shqiptarët kur flasin për lëndë drusore, kur thotë në vitin 1909:

Fryn nëpër ag prendveret;

Me landë shkon tue zhablluem,

Ase me gji t’tituem,

Prej voeses s’qiellës-të ndonji drandofilles.

Gjendemi më tepër se dyqind vjet pas Bogdanit, në një përafëri që ta japin vetëm largësitë, në një botë që kapërcen me hapat e ciklopëve të lashtësive distancat mes shekujsh.

Duket sikur prej “mjergullës” së Bogdanit, kësaj here nxirret edhe vesa prej qiellës, në një distilim qindravjeçar. Njësoj si qarkullimi i ujit… Aq sa duket se një poet si Fishta, së bashku me drandofillen dhe qiellën, po tenton ta shfaqë në formën femërore.

Ajme,ajme!

Dhe Fishta, e merr përsëri në duar qiellin e Bogdanit në transformim e sipër, siç merr Gëtja frymën e gjithë botës, siç merr Hegeli frymën e Gëtes, siç merr Ballkani frymën e Hegelit, që kthjellon konfiguracionin botëror për lirinë e kombeve, nëpër zgjatimet e frymës së klubeve shqiptare dhe zjarrit të ri mendor, ku të gjithë bëhen bashkëudhëtarë për lirinë më të qenësishme dhe më të parë, atë të vetive ekzistenciale që mbrohen nga vetë shekujt. Dhe që për shqiptarët ka lidhje me gjuhën, që u ka krijuar koshiencën njerëzore.

Është një udhëtim jashtëzakonisht i gjatë ky, ku fjala “qiellshit” humb… Por mbetet në një varg, si një spermë e të gjithë letërsisë shqipe. Pa paqen e botës fizike të Herakliti, që duket edhe më e largët.

Ajme. Ajme. Amen.

Mësuesi ynë i filmit: Kristaq Dhamo/Kolec Traboini

in Kinema by

KOLEC TRABOINI

Në biseda të thjeshta, në komunikim njerëzor, duke na trajtuar si të barabartë, me një modesti të admirueshme Kristaq Dhamo na mësoi të bëjmë filma. Ai ishte dhe vazhdoi të jetë derisa Kinostudio u rrënua nga vandalët politike të kulturës, mësuesi ynë model në kinematografi! Dua të sjell një ngjarje të veçantë, për të pohuar se megjithatë, drejtues Kristaq Dhamo nuk ishte njeri skematik, as i ngurtë, as i sertë, siç kishte shumë të tjerë në atë regjim imponues.

Ruaj në kujtesë një ngjarje që kurrë nuk e harroj.  Kryeredaktori i gazetës “Drita”, Duro Mustafaj, kishte bërë një kërkesë që të më merrte në redaksi si sekretar i kolegjumit, me që e hoqën Abdyrrahim Myftiun për “Pashallarët e kuq” të Ismail Kadaresë.

Atë kohë isha redaktor në sektorin e filmit kronikal, por redaksinë e kishim të përbashkët me filmin artistik.

Më thirri në zyrën e tij Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, e me mirësjellje më tha:

– Ka një kërkesë emërimi për ty, të shkosh sekretar kolegjiumi në gazetën “Drita”. Çfarë mendon, – me pyeti.

Ngrita supet.

– Nuk e di, u shpreha. – Por, vazhdova, – ma prish mendjen rritja e rrogës se kam dy fëmijë për të rritur.

Sapo e kuptoi se kisha  një mendim të luhatun më tha:

– Mos shko.

U çudita, se Kristaq Dhamo kishte marrë përsipër të ma komunikonte e jo të më thoshte mos shko.

E pa që unë po dyshoja e buzëqeshi.

– Je i ri, – më tha, – atje është një çerdhe grenzash, – do të të hanë.

U topita. Ato fjalë nuk guxonte t’i thoshte askush në atë kohë. Por ai e tha hapur e pa as më të voglin hezitim.

– Në do këshillën time, – vazhdoi me ton solid Kristaq Dhamo, – mos shko. Më bindi. Pastaj shtoi: – Për rrogën mos u bëj merak. Do të bëjmë një ndarje në redaksi, ty do të të propozoj në drejtori si përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar. Këtu do të jesh më mirë.

Jo vetëm me bindi, por edhe më shpëtoi nga ndonjë situatë e vështirë, që mund të më ndodhte në çerdhen e grenzave të Lidhjes se Shkrimtarëve ku ata i hanin kokat njeri-tjetrit.

E falënderova për sinqeritetin dhe për këshillën. Ai më buzëqeshi e më rrahu krahët.

– Je më mirë e më i sigurt këtu në Kinostudio, – më tha dhe u ndamë.

Nuk shkoi gjatë dhe më emëruan Përgjegjës i Redaksisë së Filmit Dokumentar dhe për 10 vjet e kreva atë detyrë, që nuk ishte e lehtë, por sa kohë kisha udhëheqës artistik Kristaq Dhamon, falë fantazisë së tij krijuese mbresëlënëse,  gjithmonë gjendeshin zgjidhjet artistike. Mësova shumë prej tij, sidomos në aspektet e dramaturgjisë dhe regjisurës, por edhe ai kishte besim tek krijuesit e rinj. I përkrahte pa kursim. Më kujtohet se kur më miratoi për realizim skenarin e filmit: “Dëshmi nga Barleti” (me operator Ibrahim Kasapi), më tha: “Është shumë i vështirë, nuk e di si do t’ia dalësh, por duke parë pasionin tënd për këtë realizim kam besim të plotë se do të bësh diçka të mirë”. Kur mbarova filmin dhe e ia paraqita para se ta shfaqnim në kolektivin krijues, na shtrëngoi dorën e tha: – Keni bërë një film shumë të bukur, madje më të mirë nga sa e mendoja.

I tillë ishte udhëheqësi artistik Kristaq Dhamo. Edhe pse në fillim mund të kishte rezerva, duke parë pasionin e krijuesve të rinj,  i motivonte e përkrahte ata pa kursim.

Atë vit filmi “Dëshmi nga Barleti” u shpall realizimi më i mirë dokumentar i vitit 1990 dhe mori shpërblimin e caktuar në vlera monetare. Por ky është vetëm një episod i vogël që ka të bëjë me mua, në të vërtetë ai ishte mësues e udhëheqës artistik për një plejadë artistësh të rinj, që ruajnë një mirënjohje të madhe për të.

E vërteta është se Kristaq Dhamo na konsideron si shokë e miq, si kolegë, por ai ishte e mbetet gjithmonë mësuesi ynë i filmit!

1 116 117 118 119 120 190
Go to Top