Author

Admin - page 83

Admin has 1813 articles published.

Pse shkruaj?/Genci Gora

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Genci Gora.

Vijon më poshtë.

Pse Shkruaj?-Genci Gora

Pse shkruaj? Shkruaj për ta kërkuar sinqeritetin në skutat më të thella. Jam një udhëtar në shkretëtirë në kërkim të pusit të fjalëve të thjeshta që mund të mbërrijnë tek çdo lexues i etur për dituri.
Shkruaj që, me trillet e artit tim, të ngazellehen lexuesit.
Shkruaj kur shoh dy njerëz që zihen. Shkruaj kur një prind i bërtet fëmijës se vet. Shkruaj që të gjej rrugën si të marrin fund britmat.
Shkruaj sepse jam një Don Kishot i pandreqshëm. Unë jam i vetëdijshëm se bota ka hyrë në epokën e virtualitetit kompjuterik dhe nuk ka kthim pas. Unë kam ngecur në epokën kur libri ishte miku më i mirë i njeriut. Dhe e dua të ngecem këtu.
Shkruaj sepse dua të kuptoj proceset psikologjike që ndodhin tek unë. Shkruaj për të njohur veten. Shkruaj për ta pranuar veten për të gjitha gabimet që kam bërë.
Shkruaj sepse dua ta ndryshoj realitetin ku jetoj. Bej të njohur ndjeshmerinë dhe argumentet e mia duke ia flijuar një bote të re që e ëndërroj të lindë.
Shkruaj për të mos iu dorëzuar pafuqisë sime për të ndryshuar gjërat në botë.
Shkruaj që të afrohem me veten time.
Shkruaj sepse ndihem i vetmuar. Dhe i botoj shkrimet e mia me shpresën se ka të tjerë atje jashtë në botë që vuajnë njësoj si mua, të cilët mund të kenë nevojë për mendimet e mia që të ndihen më mirë.
Shkruaj kur vuaj fizikisht dhe shpirtërisht. Shkruaj për të gjetur një rrugëdalje.
Shkruaj për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve filozofike që më mundojnë.
Shkruaj sepse më pelqen të jem i famshëm për mendimet e mia. Shkruaj sepse më pëlqen të thuhet për mua: “Ja, një njeri i mençur që ka shkruar mendime të vyera.”
Shkruaj për kënaqësinë që më jep procesi i krijimit qysh kur e ngjiz në mendje, kur e shkruaj në celular, pastaj kur e hedh në letër, kur e korrigjoj, kur e gatuaj poezinë, tregimin, duke i shtuar ose hequr fjalë e fjali. Shkruaj sepse më pëlqen melodia si tingëllon shpirti im kur e rilexoj disa herë.
Shkruaj sepse në mendje më ushton kushtrimi i Niçes: “Krijues kërkon krijuesi, që bashkë të shembin vlerat e vjetra dhe të krijojnë vlera të reja”.
Shkruaj që të vendos edhe unë një gur në ndërtesën e njerëzimit. Dua të ndihem i dobishëm.
Tek unë, përgjigjia e pyetjes “Përse shkruaj?” nuk mund të qëndrojë e ndarë nga pyetja “Si shkruaj?”
Falënderoj Universin, që nëpërmjet rrugëve të tij të mistershme, më dha mundësinë të jetoj në epokën e celularit. Ky mjet komunikimi ka qenë pêr mua lapsi dhe fleta, i cili më ka dhënë mundësinë të shkruaj kudo dhe kurdo, në çdo orë të ditës dhe në çdo orë të natës, duke ecur në rrugë, duke punuar, në tavolinë mes miqsh në lokal, në krevat para gjumit duke shqyrtuar ngjarjet e ditës apo në mëngjes pas zgjimit duke studiuar projeksionet e imagjinatës, në procesione mortore dhe në ceremoni martesore. Kam shkruar kudo ku kam përjetuar një ndjenjë të fortë apo një varg mendimesh.
Kam qenë dembel ose tepër i shqetësuar për t’u kujdesur që frymëzimin, përshtypjet dhe shumëllojshmërinë e temave, t’i organizoja në një formë të mirëfilltë letrare. I kam lënë të më prekin në shpirt dhe nuk i kam ndjekur pas.
E sot më duket vetja bosh. Kam gjashtë muaj që nuk shkruaj dot asnjë varg e asnjë fjali. Më duket sikur nuk do të jem dot kurrë në gjendje të shkruaj. Ndaj dhe kur lexova pyetjen “Përse shkruaj?” i thashë vetes: “Ja ku e ke një sfidë. Ulu e shkruaj diçka për të qenë.”
E sot më duket vetja bosh. Më duket sikur i kam dhënë të gjitha ç’mund të jepja nga vetja. Kam dhëne gjithçka, e megjithatë gjithçka është shumë pak. Kam dhënë gjithçka e megjithatë librat e mi nuk mbërrijne dot as tek një lexues i vetëm. Kam dhënë gjithçka, e megjithatë jam i vetëdijshem se librat e mi vuajnë nga varfëria letrare, kjo ndoshta dhe për faktin se nuk kam patur si synim formën dhe stilin letrar, por thjesht t’i bëja ca dritë vetes (duke shpresuar t’u bëja pakëz dritë edhe lexuesve të mundshëm).

Imazhe me shi-Nuhi Sadiku

in Letërsi/Tharm by

Imazhe me shi-Nuhi Sadiku

 

Natyra kompozon simfoni të panumërt
Nga puthja e nxehtë e shiut
Me aromën e bukës së pjekur në furrë.

Këtu pranë një çift i ri
Zënë vend në skaj të trotuarit
Të lagur mendojnë për të ardhmen e tyre.

Një burrë në mesomoshë
Me shkop magjik kryen ritualin e tij
Godet copat e tij të kujtimit.

Kush ka një ombrellë
Për të më mbrojtur nga fati im?

02.06.2017

Pse shkruaj/Manjola Nasi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Manjola Nasi.

Vijon më poshtë.

Pse Shkruaj?-Manjola Nasi

PSE SHKRUAJ?
Në orën e etikës, këtu e shumë vite,
mësuesja na bënte të njëjtën pyetje çdo vjeshtë:
po të kishte rënë zjarr në një muze,
çfarë do t’shpëtoje, një pikturë të Rembrandit,
apo një grua plakë, që sidoqoftë, s’i mbeteshin
shumë vite?
Kështu fillon një poezi e poetes Linda Pastan, të cilën unë e diskutoj me studentët çdo fillim semestri. Çdo vit, shumica zgjedhin të bëhen shpëtimtarë të gruas. Të paktën në fillim të analizës. Një ndër gjërat më të vështira në çdo lëndë është mësimi i parë, ai që duhet të sjellë përkufizime bazë, të cilat nganjëherë të shtyjnë të ecësh buzës së abstraksioneve çmeritëse si në pyetjet e fëmijëve: “Çfarë është poezia?”, “Çfarë është arti?”, “Pse është blu qielli?” “Po çfarë është qielli?”, “Çfarë është bluja?”. Pyetjet që synon të arrijë analiza që i bëjmë poezisë së mësipërme (sepse jo çdo analizë synon përgjigje) janë: “Pse kemi nevojë për art?”, “A ka vërtet kufij mes njeriut dhe veprës së tij?”, “A kemi kuptim ne si qenie pa ato që bëjmë, produktet e mendjes dhe duarve tona?”.
*
Nuk di ta them me saktësi kur më tërhoqi fillimisht letërsia. Leximet e hershme në familje janë në kujtimet e mia që nga fillimi, të çrregullta, pa ndonjë ritual si të familjeve në televizor, po prapë aty, bashkë me përrallat e treguara nga kush kishte “ngé”, siç thuhej, dhe nga kush ishte “në terezi”. Ndoshta kjo qetësi që duhej të gjendej për të treguar ose lexuar, më bëri t’i dua ato çaste dhe prej andej vetë letërsinë. Sot ajo është e pranishme në çdo ditë të jetës sime në një mënyrë a një tjetër, mes të shkruarit, punës, kohës së lirë dhe miqësive. Veçse që në vend që të jetë një oaz luksoz si ai i fëmijërisë, është një mënyrë të menduari që nuk përjashton asgjë dhe prej andej një komunikim që s’u bindet ligjeve të kohës dhe hapësirës.
Jam e bindur që shumë njerëz ndihen kështu për gjëra të tjera: politika, moda, futbolli, gatimi, biznesi, shkenca e qindra gjëra të tjera vendosen në qendër të jetës së tyre dhe me anë të tyre ata kuptojnë botën dhe vendosin njëfarë rregulli në realitetin që i rrethon. Pavarësisht se këto mund të duken shumë ndryshe nga letërsia, në thelb nuk janë dhe aq. Ndryshon “gjuha” me të cilën i “lexojmë” dhe i shprehim, po me pak shqyrtim, të gjitha përkthehen te njëra-tjetra.
Në të njëjtën mënyrë, në vend që të jetë eskapizëm, për njerëzit që shkruajnë dhe për mua mes tyre, shkrimi është përballje me të vërtetat e thella shqetësuese a ngushëlluese të botës. Rrallëkush arrin të shkruajë pa i bërë njëfarë sistemimi realitetit, pa i dhënë një përgjigje të re, krejtësisht vetjake. Çdo vepër arti – dhe s’e kam fjalën vetëm për ato të mëdhatë që i ndryshojnë faqen gjithçkaje – është një lëvizje e vogël e projektorit të skenës, i cili hedh dritë në një tjetër skutë të pandriçuar më parë, ose të pandriçuar nga ai kënd.
*
Një nga qesënditë e shpeshta që i drejtojmë vetes ne si popull ka të bëjë me faktin se ndër ne janë të shumtë ata që shkruajnë dhe botojnë letërsi. “Pse e bëjmë ne këtë? Ç’kuptim ka? Pse, të gjithë shkrimtarë qenkemi ne?” Këto pyetje përqendrohen te konstatimi se në gjithë këtë mori veprash të botuara këto tridhjetë e ca vjet, siç është edhe e natyrshme, një pjesë e mirë nuk kanë nivel të kënaqshëm. Veçse duhet thënë që ky këndvështrim ngarkon mbi shkruesit e veprave barra që nuk u takojnë atyre. Rafinimi institucional dhe jashtëinstitucional i shijes, filtrat redaktoriale të shtëpive botuese, kritika letrare nuk zëvendësohen dot dhe as nuk është e drejtë të pritet të zëvendësohen me autocensurën e një njeriu që dëshiron të shkruajë. Përse shkruajmë, përse shkruajnë këta njerëz? Secili për arsyen e vet, mendoj. Disa shkruajnë se u pëlqen të krijojnë diçka të bukur, disa se u pëlqen të kuptojnë, disa se kanë nevojë për t’u kapur pas diçkaje, disa sepse kanë diçka për të thënë, disa sepse nuk dinë të mos shkruajnë, disa ndoshta ngaqë u pëlqen të botojnë. Ose të gjitha bashkë dhe shumë arsye të tjera. Vëmendja negative që marrin ata që shkruajnë mund të ketë të bëjë edhe me faktin se ka diçka jomodeste, thuajse arrogante, te një zë që vendos të prishë qetësinë duke folur, si arroganca e cilitdo zog që i teket të thyejë qetësinë e magjishme të pyllit me cicërimën e vet.
Ama kështu ka qenë dhe të shpresojmë se kështu do të jetë gjithmonë. Mjafton të shikosh historinë e gjithë njerëzimit për të vërejtur këmbënguljen tonë të pandërprerë për art, që nga pikturat e shpellave të paleolitit, te banania e famshme e kapur me shirit ngjitës në murin e një muzeu; nga dantellat në perdet e vjetra, te kuturisjet psikedelike të Bitëllsave: çdo epokë me zërin dhe mjetet e veta, secili artbërës sipas mundësisë dhe shijes së vet.
Se a nuk është e mrekullueshme që të duash të thuash diçka dhe thjesht ta thuash? A nuk është thënë prapë e prapë “jeto për të rrëfyer”? Ajo që rrëfen është e vërteta jote. Ajo që rrëfej është e vërteta ime. Nganjëherë kjo e vërtetë është zëdridhur, si kënga e një udhëtari që kalon përmes pyllit dhe nis të këndojë për t’i hequr vetes frikën.
*
“Në art, nuk ka liri” shkruan T.S. Elioti; nuk mund t’i lihen gjërat rastësisë, mitit naiv të frymëzimit, po vënies në punë të gjithë aftësive, pikëpamjeve estetike dhe dijeve të shkrimtarit. Rregullsia dhe eksperimentimi duhet të jenë zgjedhje mjeshtërie. “Shkrimtari profesionist është një amator që s’hoqi dorë”, thotë Riçard Baku. Kur e quajmë të kuptueshme që një violinist të ushtrohet në violinë për orë të tëra çdo ditë, një futbollist të stërvitet s’di sa orë çdo javë, madje edhe që një zanatçi çfarëdo të marrë mësime për zanatin e tij së paku disa muaj, përse presim që shkrimi të bjerë i përkryer nga qielli? Nga ideja e parë te një vepër e përfunduar qëndron koha e shkrimeve, vlerësimet dhe dyzimet, hedhjet në kosh, rishkrimet dhe redaktimet. Shumë nga këto ndodhin brenda mendjes, pa u vënë mbi tastierë ose letër. Për shumë nga këto as nuk jemi të ndërgjegjshëm që po ndodhin.
Për të krijuar kushtet e shkrimit dhe për të stërvitur shijen, ushtrimi i parë dhe më i pazëvendësueshmi është leximi. Leximi është burim i shkëlqyer fjalori, këndvështrimesh, katalog stilesh, strukturash, historish, konstruktesh personazhesh e figurash. Për mua, përvojë edhe më magjike se leximi është rileximi. Kur rilexon, gjërat e zhurmshme dhe lëbyrëse që të tërheqin vëmendjen fillimisht, bëhen më pak të dukshme dhe ke mundësinë të përqendrohesh te sekretet e detajet në bërthamën e veprës. Fjalët, për shembull, e kanë më të lehtë të fitojnë kuptim si të pavarura e të vetëmjaftueshme nëpër rilexime. Është luks të shikosh në thellësi a të zbërthyer pjesë – pjesë mekanizmin e ngritur nga një shkrimtar a një përkthyes e të mësosh prej tij.
Nga ana tjetër, në shumë vende të botës ekzistojnë shkolla apo lëndë të posaçme që u mësojnë studentëve elemente të shkrimit si mjeshtëri dhe profesion. Megjithëse jeta si shkrimtar i diplomuar mund të mos jetë aq joshëse në Shqipëri sa në shumë nga vendet e mëdha me treg të madh leximi, botimi, shtypi e kinematografie, një njeri që di të shkruajë mirë mund ta gjejë rrugën e vet në shumë fusha. Të pakta janë shprehitë që maten me zotërimin e fjalës për nga dobia që mund të sjellin. Të shpresojmë se diçka e tillë do të ofrohet së shpejti edhe në vendin tonë, përtej fazës embrionale të përpjekjeve të deritanishme, për t’iu bërë mbështjetje atyre që duan të shkruajnë.
*
“I gjithë arti është fare i panevojshëm,” shprehet Oskar Uajlldi, në përpjekje për të theksuar funksionin estetik. Të tjerë theksojnë të tjera funksione, të mrekullueshme dhe të frikshme: edukues, shërues, katartik, manipulues, etj.
A është arti në thelb përpjekje për të sjellë në botë bukuri, a janë të gjitha të tjerat efekte anësore? A jemi të ndryshëm nga gjërat që bëjmë me fuqinë e mendjes dhe të duarve? A janë ato zgjedhje, apo diçka që na vjen së brendshmi dhe që mundemi vetëm ta modifikojmë disi?
Linda Pastani e mbyll poezinë “Etika” me vargjet:
Tani e di që gruaja
dhe piktura dhe stina janë gati një
dhe asnjërën s’e shpëtojnë dot fëmijët.

SHUMË BURRA KALUAN PREJ SHTRATIT TË PENELOPËS-Dashamir Malo

in Letërsi/Tharm by

SHUMË BURRA KALUAN PREJ SHTRATIT TË PENELOPËS-Dashamir Malo

 

S’është e vërtete
se Penelopa i qëndroi dhjetë vjet besnike
Odisesë (besnikëri legjendash),
Apo që ajo e plekste çdo ditë pëlhurën
që netëve e shpleksnin, nuk është e vërtëtë.
Atëherë kur ajo me përgjërim iu lut Poseidonit
të hiqte qafe Dedalin ambicioz,
plot pesëdhjetë mëtonjës (1)
(ambiciozë më të thekshëm për fronin se Deadali), i dërgoi Poseidoni.
Atëherë e bukura Penelopë jetonte
pranverën e saj të tridhjetë e dytë.
Dhe kur të gjithë mëtonjësit
veç hanin e pinin
dhe kur mbretëria qe në zgrip, Penelopa u tha:
Njërin, vetëm njërin prej jush do të marr,
burrin që do të jetë më i denji
për mbretërinë e Itakës.
Dhe me vete mendonte,
burrat provohen si të tillë në bixhoz,
luftë dhe dashuri.

Në dy të parat s’ishte aq e denjë.
Dhe thirri skllaven Myrto,
besniken, të bukurën Myrto.
Pesëdhjetë ditë me radhë Myrtoja
flertoi me secilin mëtonjës
dhe mbrëmjeve i ftonte në shtratin e saj,
atje ku mes territ Penelopa
zinte vendin e Myrtosë.
Pesëdhjetë net rresht Penelopa
bëri dashuri me secilin mëtonjës
pa u njohur nga ata.

Shumë burra kaluan prej shtratit të Penelopës,
pesëdhjetë mëtonjës
në pesëdhjetë netë rresht bënë dashuri.
Vite e shekuj më vonë
dhjetëra e qindra poetë
u mburrën se bënë dhe bëjnë dashuri
me të,
disa duke i shpleksur pëlhurën netëve,
disa duke u hequr si Odiseu
apo të tjerë duke e “mikluar” me vargje lirike.

Unë një natë vjeshte
kur në mbretërinë (pa mbret)
mbretëronin orgjitë e Penelopës me mëtonjësit,
në majë të gishtave
u ngjita në katin e dytë
shkova përbri dhomës së Myrtosë
dhe në shtratin e Penelopës
gjithë natën
bëra dashuri me skllaven Myrto (2)
e dyta për nga bukuria në mbretërinë e Itakës
(në mos po më e bukura dhe më zemërdëlira).

________

(1)- pretendues për fronin e mbretit të Itakës
(2)-Sipas librit “Ditari i Penelopës” të shkrimtarit gerk Kostas Varnalis, Penelopa bëri dashuri me të pesëdhjetë
pretedentët për mbret duke u hequr sikur ishte skllavja Myrto, me qëllim që të zbulonte se cili burrë ishte më i denjë në dashuri.

Kujtesë e kulluar-Dahlia Ravikovitch

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kujtesë e kulluar-Dahlia Ravikovitch

 

Vetëm kur fytyra fillon të shuhet

diçka të kujtohet në tërësinë e saj.

Kur fytyra shuhet

dritat hutohen

dhe ngjyrat dalin prej pamjes.

Yjet bien nga sipër, të elektrizuar.

Bari i tokës gumëzhin.

(Dhimbja e rritjes

është më e madhe se ajo e venitjes.)

Gjithë ç’na verbon sytë

i rikthehet hijes

dhe fytyra vetë.

Diçka lëviz thellë.

Sa ditë

sa vite, sa erëra e bubullima

pritëm ne të gufojë

nga thellësitë e tokës

kujtesa e kulluar

e trëndafilit

të kuq zjarr.

Përktheu: Ledia Kushova

Shi hëne-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Shi hëne-Frederik Rreshpja

 

Si arlekin që del për shëtitje
Në kopshtin e harruar të fëminisë
Hëna e pikëlluar nëpër re
Shkel mbi degët e shirave.
 
Liqeni i vetmuar në breg të natës
Shqetësohet në krahët e erës
Dhe thellë sirena e dallgës së kaltër
Loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.
 
Yjet në asfalt si perëndim i thyer
Dhe plepat si murgjër të zinj
Fshehur pas drurëve diku përgjon
Vrasësi i vjetër, trishtimi.
 
Eh, mundet që thika e trishtimit
Diku përdhe ka për të më lënë
Fshehur nën një perëndim të thyer,
Fshehur nën shira hëne.

Natë arkeologësh-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Natë arkeologësh-Frederik Rreshpja

 

Ku venë këto re të grisuna
Me këto vetëtima të thyeme mbi kurriz?
Një hanë e lagun
Shëtit e heshtun ndër kalldrëmet iliriane.
 
Diku gjëmoi
Punëtori plak përtyp një lutje tinëz
Te dera në gjysmëterr. Gjëmon.
 
Arkeologët
Stivosin ndër arka perënditë e fundit
Do perëndi të thyem, të lagun.
 
Nën abazhur një Afërditë e bukur
U buzëqesh të gjithëve
Si një e njohur e largët, e dashtun.

Pse shkruaj?/Brikena Qama

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Brikena Qama.

Pse Shkruaj?-Brikena Qama

Përse shkruaj?

Të gjitha herët që i kam bërë vetes këtë pyetje, i jam kthyer shkrimit dhe takimet e mia me muzën kanë ndodhur në çastet kur kam qenë duke folur me veten.

Të qarkosh me përpikmëri ndjesinë e momentit, me një të rënë të lapsit, është sfida e përhershme që i bëj vetes, ndaj e anasjellta e përmendur më sipër i ngjason një vizite te psikoterapisti, që ia rezervoj vetes me role të këmbyeshme mes meje e muzës.

Në perceptimin tim është nevojë e përgjithshme e atyre që shkruajnë, ndaj dhe mendoj se ne i përkasim një grupimi të veçantë, që të paktën mes vetes kuptohemi mjaft mirë.

E huaja ime-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

E huaja ime-Sueton Zhugri

 

Nuk njihemi, e ndoshta
nuk kemi për tu njohur.
Të mbytur në kohë
si nën një ujvarë përpirëse
fatet tona prej tjetrit largohen.
Dikur qëlluam nën të njëjtën natë
në të njëjtën hemisferë
dhe të njëjtin meridian
në të njëjtën urë ëndrrash,
por jo më pranë se aq…
E megjithatë
po të mendosh prej nesh
largësinë
e krijesave në planetin X
të yllit Sirius
unë dhe ti
praktikisht jemi një
krijesë siameze
tërësisht e pandashme…

24.3.2018

ÇFARË THONË SHKRIMTARËT

in Letërsi by

Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë. Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm. Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar.

BORGES

E di, kam shkruar gjysmën e atyre që doja të shkruaja dhe kam botuar dyfishin e atyre që doja të botoja.
Lexojmë gjithçka për dashurinë, por kur biem në dashuri zbulojmë se asgjë nuk është shkruar për dashurinë tonë.

MARCO DENEVI

Zoti ende nuk e ka krijuar botën; ai vetëm është duke e imagjinuar atë, si nëpër ëndrra. Prandaj bota është e përsosur, por konfuze.

LAURO ZAVALA

Nëse një milingonë do të ishte shkrimtare, ç’do të shkruante veç minifiksioneve?

DAVID LAGMANOVICH

Pērktheu: Bajram Karabolli 

1 81 82 83 84 85 182
Go to Top