Pse shkruaj?/Genci Gora

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Genci Gora.

Vijon më poshtë.

Pse Shkruaj?-Genci Gora

Pse shkruaj? Shkruaj për ta kërkuar sinqeritetin në skutat më të thella. Jam një udhëtar në shkretëtirë në kërkim të pusit të fjalëve të thjeshta që mund të mbërrijnë tek çdo lexues i etur për dituri.
Shkruaj që, me trillet e artit tim, të ngazellehen lexuesit.
Shkruaj kur shoh dy njerëz që zihen. Shkruaj kur një prind i bërtet fëmijës se vet. Shkruaj që të gjej rrugën si të marrin fund britmat.
Shkruaj sepse jam një Don Kishot i pandreqshëm. Unë jam i vetëdijshëm se bota ka hyrë në epokën e virtualitetit kompjuterik dhe nuk ka kthim pas. Unë kam ngecur në epokën kur libri ishte miku më i mirë i njeriut. Dhe e dua të ngecem këtu.
Shkruaj sepse dua të kuptoj proceset psikologjike që ndodhin tek unë. Shkruaj për të njohur veten. Shkruaj për ta pranuar veten për të gjitha gabimet që kam bërë.
Shkruaj sepse dua ta ndryshoj realitetin ku jetoj. Bej të njohur ndjeshmerinë dhe argumentet e mia duke ia flijuar një bote të re që e ëndërroj të lindë.
Shkruaj për të mos iu dorëzuar pafuqisë sime për të ndryshuar gjërat në botë.
Shkruaj që të afrohem me veten time.
Shkruaj sepse ndihem i vetmuar. Dhe i botoj shkrimet e mia me shpresën se ka të tjerë atje jashtë në botë që vuajnë njësoj si mua, të cilët mund të kenë nevojë për mendimet e mia që të ndihen më mirë.
Shkruaj kur vuaj fizikisht dhe shpirtërisht. Shkruaj për të gjetur një rrugëdalje.
Shkruaj për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve filozofike që më mundojnë.
Shkruaj sepse më pelqen të jem i famshëm për mendimet e mia. Shkruaj sepse më pëlqen të thuhet për mua: “Ja, një njeri i mençur që ka shkruar mendime të vyera.”
Shkruaj për kënaqësinë që më jep procesi i krijimit qysh kur e ngjiz në mendje, kur e shkruaj në celular, pastaj kur e hedh në letër, kur e korrigjoj, kur e gatuaj poezinë, tregimin, duke i shtuar ose hequr fjalë e fjali. Shkruaj sepse më pëlqen melodia si tingëllon shpirti im kur e rilexoj disa herë.
Shkruaj sepse në mendje më ushton kushtrimi i Niçes: “Krijues kërkon krijuesi, që bashkë të shembin vlerat e vjetra dhe të krijojnë vlera të reja”.
Shkruaj që të vendos edhe unë një gur në ndërtesën e njerëzimit. Dua të ndihem i dobishëm.
Tek unë, përgjigjia e pyetjes “Përse shkruaj?” nuk mund të qëndrojë e ndarë nga pyetja “Si shkruaj?”
Falënderoj Universin, që nëpërmjet rrugëve të tij të mistershme, më dha mundësinë të jetoj në epokën e celularit. Ky mjet komunikimi ka qenë pêr mua lapsi dhe fleta, i cili më ka dhënë mundësinë të shkruaj kudo dhe kurdo, në çdo orë të ditës dhe në çdo orë të natës, duke ecur në rrugë, duke punuar, në tavolinë mes miqsh në lokal, në krevat para gjumit duke shqyrtuar ngjarjet e ditës apo në mëngjes pas zgjimit duke studiuar projeksionet e imagjinatës, në procesione mortore dhe në ceremoni martesore. Kam shkruar kudo ku kam përjetuar një ndjenjë të fortë apo një varg mendimesh.
Kam qenë dembel ose tepër i shqetësuar për t’u kujdesur që frymëzimin, përshtypjet dhe shumëllojshmërinë e temave, t’i organizoja në një formë të mirëfilltë letrare. I kam lënë të më prekin në shpirt dhe nuk i kam ndjekur pas.
E sot më duket vetja bosh. Kam gjashtë muaj që nuk shkruaj dot asnjë varg e asnjë fjali. Më duket sikur nuk do të jem dot kurrë në gjendje të shkruaj. Ndaj dhe kur lexova pyetjen “Përse shkruaj?” i thashë vetes: “Ja ku e ke një sfidë. Ulu e shkruaj diçka për të qenë.”
E sot më duket vetja bosh. Më duket sikur i kam dhënë të gjitha ç’mund të jepja nga vetja. Kam dhëne gjithçka, e megjithatë gjithçka është shumë pak. Kam dhënë gjithçka e megjithatë librat e mi nuk mbërrijne dot as tek një lexues i vetëm. Kam dhënë gjithçka, e megjithatë jam i vetëdijshem se librat e mi vuajnë nga varfëria letrare, kjo ndoshta dhe për faktin se nuk kam patur si synim formën dhe stilin letrar, por thjesht t’i bëja ca dritë vetes (duke shpresuar t’u bëja pakëz dritë edhe lexuesve të mundshëm).

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top