Author

Admin - page 44

Admin has 1825 articles published.

Ideasintezë-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Ideasintezë-Sueton Zhugri

 

Ndërthurëm gjeste mbuluar nga lotët e detit
frymë e përtejhorizonteve vezulluese,
nuk të them për gjëra të vdekura, as të gjalla
flas për esencën e prekjes,
lëkurën e qulltë të trëndafilit pas shiut
tingullin e monotontë të ujvarës pllaquritëse,
gurin e altareve acteke mbuluar me zemra të vrara.

Për këtë e dashura ime
Në buzët e mia zbulove kalldrëmet e perëndimeve
kur hijet larguese i trokasin në ikje,
siluetat e avionëve që si zogj foleprishēs
diellit i turren
Dhe unë gjeta aromën e barit të sapokorrur,
flakën e lulëkuqeve të qershorit tredhur nga era,
plazhin lakuriq në ekstazën e valëve
Nirvanën e një agu të pamundimshëm…

Se ne jemi perimetri i çdo vështrimi,
algoritmi i padiskutueshëm i ekzistencës,
ajo që ka qënë, është dhe do të jetë
Idesintezë yjesh, kuajsh, ëngjëjsh

30.10.2022

11 shkurt 1946-Primo Levi

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

11 shkurt 1946-Primo Levi

 

Ty të kërkoja prej yjeve,
Kur si fëmijë i pyesja ata,
Ty të kërkoja prej maleve,
Po nuk më dhanë pos rrallë
Vetmi e paqe jetëshkurtër.
Meqë ti nuk ishe në ato net të gjata,
Çova në mend dhe blasfeminë e çmendur
Se Zoti kishte bërë gabim kur pat krijuar botën,
Se unë isha gabimisht në këtë botë.
E kur, ballë për ballë me vdekjen
Vikata “Jo” me secilën fibër timen,
Sepse ende nuk kisha mbaruar,
Sepse kisha shumëçka ende për të bërë,
E bëra sepse ty të pata përpara,
Ty, me mua përkrah, ashtu si sot
Një burrë një grua nën diell.
U ktheva veç pse ishe ti.

Shkruar në 1946, dedikuar të dashurës së tij Lucia Morpurgo, me të cilën u martua kur mbijetoi prej Aushvicit.
Botuar në përmbledhjen “Ad ora incerta”).

Në foto, Levi e Morpurgo nën diell.

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Wislawa Szymborska për kritikët

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Wislawa Szymborska

 

Të nderuar kritikë, meqenëse përdorni termin “humor absurd”, ju duhet të prezantoni edhe homologun e tij, “seriozitet absurd”. Mësoni të bëni dallimin midis seriozitetit të detyruar dhe atij primitiv, seriozitetit atij të shkujdesurit dhe atij të trekëmbëshit të varjes.
Ky konceptim shumë sensual do t’i shtyjë kritikët dhe gazetarët njësoj. A nuk kërkojmë, si në jetë ashtu edhe në art, seriozitet pa dallim? Seriozitet i pahirshëm? Seriozitet vezullues? Seriozitet i vrullshëm?
Do të lexoja me kënaqësi për “ndjenjën e tmerrshme të seriozitetit” të mendimtarit X, për “perlat e seriozitetit” të bardit Ys, për “seriozitetin fyes” të avantgardistit Z.
Një recensues apo një tjetër do të vendosë më në fund të mbajë shënim se “loja e dobët e dramaturgut N. N. shpengohet nga serioziteti i zjarrtë i finales së saj” ose se “në poezinë e W.S ndokush kap nota serioziteti të paqëllimshëm”. Dhe pse nuk kanë rubrika serioziteti revistat e humorit? Dhe për më tepër, pse kemi kaq shumë revista humori dhe kaq pak revista serioze? Hëm?

Përktheu: Arlinda Guma 

Pasdite-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pasdite-Janis Ricos

 

Ajo ujiti lulet.
Dëgjon ujin që pikon
nga ballkoni.
Dërrasat lagen
dhe vjetërsohen.
Pasnesër,
kur të bjerë ballkoni,
ajo do të mbetet në ajër,
e qetë, e bukur,
duke mbajtur në duart e saj,
dy vazo lulesh të mëdha,
mullagat
dhe buzëqeshjen e saj.

Përktheu: Shpendi Shaka

Bolero – Kryevepra e Maurice Ravel-it, shkruar për balerinën e famshme Ida Rubinstein

in Muzikë by

E vetmja dashuri që kam pasur ndonjëherë ishte muzika – Maurice Ravel

Maurice Ravel konsiderohet si një nga kompozitorët më origjinalë të fillimit të shekullit të 20-të. Edhe pse u konsiderua shpesh si i huaj për zhvillimet e muzikës franceze gjatë jetës së tij (një pozicion që ai vetë e kultivoi), u njoh përfundimisht si një nga personalitetet kryesore të saj. Kompozoi në shumë nga zhanret kryesore, si opera, balet dhe suita orkestrale, vepra vokale dhe korale, muzikë dhome dhe piano, si dhe përfundoi disa orkestrime të veprave të kompozitorëve të tjerë. Muzika e tij karakterizohet nga një qasje dukshëm e rafinuar, por edhe sensuale ndaj formës dhe tingullit.

Kompozitori i njohur francez Maurice Ravel ka lënë pas një vepër të madhe. Punimet e tij për piano janë pjesë të preferuara të repertorit klasik. Ka shumë që kërkojnë aftësi të veçanta nga interpretuesit e tyre. Midis tyre: Jeux d`eau, Miroirs, Le tombeau de Couperin dhe Gaspard de la nuit. Gjithashtu ai ka shkruar vepra të mëdha për orkestra si Daphne dhe Chloe.

Por ajo që njihet më shumë – edhe pse e konsideronte të parëndësishme – është “Bolero-ja” e famshme. E shkroi në vitin 1928 dhe e përshkroi si “pjesë për një orkestër pa muzikë.”

Prezantimi i instrumenteve të orkestrës bëhet gradualisht nga kompozitori, ndërsa tema kryesore përsëritet. Këtu melodia ndërtohet rreth temës me alternime harmonike dhe orkestrale. Rezultati nuk mund të ishte veçse magjepsës, pasi vihet në pah diversiteti dhe shumëngjyrësia e instrumenteve muzikore të orkestrës.

Historia e Bolero-s

Përpara se të niste një turne triumfues në Amerikën e Veriut, në janar të vitit 1928, Maurice Ravel-i kishte rënë dakord të shkruante një partiturë baleti të stilit spanjoll për të dashurën e tij, balerinën dhe aktoren ruse Ida Rubinstein (1885-1960).

Ideja ishte krijimi i një transkriptimi orkestral të suitës së pianos së Albeniz Iberia-s. Megjithatë, në kthimin e tij, Ravel-i zbuloi se të drejtat e orkestrimit i ishin dhënë dirigjentit spanjoll Enrique Arbos. Megjithëse Arbos bujarisht i braktisi këto të drejta, Ravel-i e braktisi idenë dhe filloi të përgatiste një partiturë origjinale.

Ravel-i kishte luajtur prej kohësh me idenë e ndërtimit të një kompozimi nga një temë e vetme që do të zhvillohej thjesht përmes zgjuarsisë harmonike dhe organike. Për temën e famshme të Bolero-s u frymëzua kur ishte me pushime në Saint-Jean-de-Luz.

Ishte gati të shkonte për t’u larë, kur thirri një mik në piano dhe, duke luajtur melodinë me një gisht, e pyeti: “A nuk mendon se kjo ka një cilësi këmbëngulëse? Do të mundohem ta përsëris shumë herë pa asnjë zhvillim, duke rritur gradualisht orkestrën sa më mirë të mundem.”

Filloi punën në korrik. Sipas standardeve të Ravel-it, pjesa u përfundua shpejt, në pesë muaj – duhej të ishte gati që Rubinstein-i të bënte koreografinë.

“Sapo u zbulua ideja e përdorimit të vetëm të një teme,” argumentoi, “çdo student i konservatorit mund të bënte të njëjtën gjë.”

Tamburi i pamëshirshëm e shoqëron të gjithë veprën 15-minutëshe, pasi Ravel-i mbështetet pa pushim në melodinë e thjeshtë derisa, me një konfigurim të guximshëm nga do majorminor, më në fund çliron intensitetin e ndrydhur me një shpërthim fishekzjarresh.

Bolero-ja u shfaq premierë në Operën e Parisit më 20 Nëntor, 1928. Premiera u përshëndet nga një publik që brohoriste, në mes të të cilit u dëgjua një grua duke thirrur “Au fou, au fou!” (“I çmenduri! I çmenduri!”). Kur i thanë Ravel-it, ai thuhet se u përgjigj: “Kjo zonjë… e kuptoi.”

Në një intervistë për Daily Telegraph, ai tha: “Shpresoj të mos ketë keqkuptime rreth kësaj vepre. Është një eksperiment në një drejtim shumë specifik dhe të kufizuar dhe nuk duhet të dyshojmë se synon të arrijë më shumë nga ajo që bën në të vërtetë.”

Megjithëse Ravel-i e konsideronte Bolero-n një nga veprat e tij më pak të rëndësishme, ajo qe gjithmonë më e njohura e tij.

Përkthimi: Shpendi Shakaj

E Dashur Hënë-Warsan Shire

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

E Dashur Hënë-Warsan Shire

 

E dashur Hënë,
Ne të fajësojmë ty për përmbytjet
për gjakun që derdhet
për burrat që janë edhe ujqër
dhe, edhe pse ti mund të tërhiqesh
batica hyn prej flokëve të saj,
ne u themi njerëzve se kemi ecur
mbi ty
të fajësojmë për natën
për errësirën
për fantazmat
ty gjënë e ftohtë të paimagjinueshme
që na ndjek pas gjatë rrugës për në shtëpi,
ne të përdorim ty
për të parë trupat e brishtë
të zhveshur të njëri-tjetrit nën dritën tënde blu,
të lejojmë të shikosh; ti bymehesh pas xhamit
frymon një aureolë avulli
ndërsa ne lëvizim ndaj njëri-tjetrit
të lagësht dhe të dëshpëruar
si peshqit
nën një qiell të përmbytur me ujë.

 

Përktheu: Arlinda Guma

Si të shkruash (dhe si të mos shkruash) poezi/WISŁAWA SZYMBORSKA

in Esé/Letërsi by

Këshilla për shkrimtarë dhe poetë aspirantë nga rubrika në gazetë e një fitueseje të Çmimit Nobel.

WISŁAWA SZYMBORSKA

Në gazetën polake Jeta Letrare, poetja fituese e Çmimit Nobel, Wislawa Szymborska, u përgjigjej letrave të njerëzve të zakonshëm që donin të shkruanin poezi.

Për Heliodor-in nga Przemysl: “Ti shkruan: ‘Unë e di që poezitë e mia kanë shumë gabime, e çfarë pastaj, unë nuk do ndalem dhe t’i rregulloj.’
Oh pse kështu, Heliodor? Ndoshta sepse ti e konsideroni poezinë tepër të shenjtë? Apo ndoshta ngaqë e konsideron të parëndësishme? Të dyja mënyrat e trajtimit të poezisë janë të gabuara, dhe ç’êshtë më e keqja, ato e çlirojnë poetin rishtar nga nevoja për të punuar me vargjet e tij. Është e këndshme dhe shpërblyese t’u tregojmë të njohurve tanë se fryma bardike na kapi të premten në orën 2:45 të natës dhe filloi të na pëshpëriste sekrete misterioze në vesh, me një zjarr të tillë që nuk po gjenim kohë t’i deshifronim. Por në shtëpi, pas dyerve të mbyllura, ata poetë korrigjonin me ngulm, u hiqnin viza dhe i rishikonin ato thënie të botës tjetër. Shpirtrat janë të mirë dhe të shkëlqyer, por edhe poezia ka anën e saj prozaike.”

Për H.O. nga Poznan-i, një përkthyes i mundshëm: “Përkthyesi është i detyruar t’i jetë besnik jo vetëm tekstit. Ai edhe duhet të zbulojë bukurinë e plotë të poezisë, duke ruajtur formën e saj dhe duke ruajtur sa më të plotë frymën dhe stilin e epokës”.

Për Grazyna-n nga Starachowice: “Po sikur t’i heqim krahët dhe të përpiqemi të shkruajmë në këmbë, si thua?”

Për Z. G. Kr. Nga Varshava: “Të duhet një stilolaps i ri. Ai që po përdor bën shumë gabime. Duhet të jetë i huaj.”

Për Pegasus-in [sic] nga Niepolomice: “Ti më pyet me rimë nëse jeta ia vlen. Fjalori im përgjigjet negativisht.”

Për Z. K.K. nga Bytom-i: “Ti e trajton vargun e lirë si të lirë për të gjithë. Por poezia (çfarëdo që mund të themi) është, ishte dhe do të jetë gjithmonë një lojë. Dhe siç e di çdo fëmijë, të gjitha lojërat kanë rregulla. Pra, pse e harrojnë të rriturit?”

Për Puszka-n nga Radom-i: “Edhe mërzia duhet përshkruar me dëshirë. Sa gjëra ndodhin në një ditë ku asgjë nuk ndodh?”

Për Boleslaw-n L-k. nga Varshava: “Dhimbjet e tua ekzistenciale vijnë shumë lehtë. Kemi patur mjaft dëshpërim dhe thellësi të zymta. “Mendimet e thella,” thotë i dashuri Thomas (Mann, sigurisht, e kush tjetër), “duhet të na bëjnë të buzëqeshim.” Duke lexuar poezinë tënde “Oqeani”, ne e gjetëm veten duke u shllapuritur në një pellg të cekët. Ti duhet ta mendosh jetën tënde si një aventurë të jashtëzakonshme që të ka ndodhur. Kjo është këshilla jonë e vetme për momentin.”

Për Marek-un, gjithashtu nga Varshava: “Ne kemi një parim që të gjitha poezitë për pranverën skualifikohen automatikisht. Kjo temë nuk ekziston më në poezi. Ajo vazhdon të lulëzojë te vetë jeta, natyrisht. Por këto janë dy çështje të ndara.”

Për B.L. pranë Wroclaw-it: “Frika nga të folurit e drejtë, përpjekjet e vazhdueshme dhe të mundimshme për të metaforizuar gjithçka, nevoja e pandërprerë për të provuar se je një poet në çdo varg: këto janë ankthet që pushtojnë çdo bard të ri. Por ato janë të shërueshme, nëse kapen në kohë.”

Për Zb. K. nga Poznan-i: “Ti ke arritur të shtrydhësh në tre poezi të shkurtra më shumë fjalë të larta nga sa arrijnë shumica e poetëve gjatë gjithë jetës: “Atdheu“, “e vërteta“, “liria“, “drejtësia“: fjalë të tilla nuk janë si mallrat e lirë. Në to rrjedh gjak i vërtetë, i cili nuk mund të falsifikohet me bojë.

Për Michal në Nowy Targ: “Rilke i paralajmëroi poetët e rinj kundër temave të mëdha gjithëpërfshirëse, pasi ato janë më të vështirat dhe kërkojnë pjekuri të madhe artistike.” Ai i këshillonte ata të shkruanin për atë që shihnin përreth tyre, si jetojnë çdo ditë, çfarë kanë humbur, çfarë kanë gjetur. Ai i inkurajonte ata të sillnin në artin e tyre gjërat që na rrethojnë, imazhe nga ëndrrat, objekte të kujtuara. “Nëse jeta e përditshme të duket e varfër”, shkroi ai, “mos fajëso jetën. Vetë ti e ke fajin. Thjesht nuk je një poet i mjaftueshëm për ta perceptuar pasurinë e saj.’ Kjo këshillë mund të të duket e zakonshme dhe e kotë. Por kjo është arsyeja pse ne thirrëm në mbrojtjen tonë një nga poetët më ezoterikë në letërsinë botërore – dhe thjesht shiko sesi ai i lavdëroi të ashtuquajturat gjëra të zakonshme!”.

Ula-s nga Sopot-i: Një përkufizim i poezisë me një fjali – hëm. Ne dimë të paktën pesëqind përkufizime, por asnjëri prej tyre nuk na duket i saktë dhe mjaftueshëm i fuqishëm. Secili shpreh shijen e epokës së vet. Skepticizmi i lindur na pengon ta provojmë dorën. Por ne kujtojmë aforizmin e bukur të Carl Sandburg-ut: ‘Poezia është një ditar i mbajtur nga një krijesë detare që jeton në tokë dhe dëshiron që të mund të fluturojë.’ Ndoshta do t’ia dalë me të vërtetë në një nga këto ditë?”

Për L-k B-k nga Slupsk-u: “Nga një poet që e krahason veten me Icarus-in ne kërkojmë më shumë sesa na përshfaq poezia e gjatë e bashkangjitur. Z. B-k, ti nuk arrin të marrësh parasysh faktin që Icarus-ii sotëm ngrihet mbi një peizazh të ndryshëm nga ai i kohëve të lashta. Ai sheh autostrada të mbuluara me makina dhe kamionë, aeroporte, pista, qytete të mëdhenj, porte të gjerë modernë dhe realitete të tjerë të tillë. A nuk mund t’i kalojë ndonjëherë te veshi ndonjë një avion?”

Për T.W., Krakov: “Në shkollë nuk harxhohet kohë, mjerisht, për analizën estetike të veprave letrare. Temat qendrore theksohen së bashku me kontekstin e tyre historik. Një njohuri e tillë është sigurisht thelbësore, por nuk do të mjaftojë për këdo që dëshiron të bëhet një lexues i mirë dhe i pavarur, e lëre më për dikë me ambicie krijuese. Korrespondentët tanë të rinj shpesh tronditen që poema e tyre për rindërtimin e Varshavës së pasluftës ose për tragjedinë e Vietnamit mund të mos jenë të mira. Ata janë të bindur se qëllimet fisnike e bëjnë formën. Por nëse do të bëhesh një këpucar i denjë, nuk mjafton të entuziazmohesh për këmbët e njeriut. Ti duhet të njohësh lëkurën tënde, veglat e tua, të zgjedhësh modelin e duhur, e kështu me radhë… Kjo vlen edhe për krijimin artistik.”

Për Z. Br. K. nga Laski: “Poezitë e tua në prozë përshkohen nga figura e Poetit të Madh që i krijon veprat e tij të shquara në një gjendje euforie alkoolike. Mund të bëjmë një hamendësim të ashpër se kë keni parasysh, por nuk janë emrat ata që na shqetësojnë në analizën e fundit. Përkundrazi, është bindja e gabuar se alkooli lehtëson aktin e të shkruarit, trimëron imagjinatën, mpreh zgjuarsinë dhe kryen shumë funksione të tjera të dobishme në nxitjen e shpirtit bardik. I dashur zoti K., as ky poet, as ndonjë prej të tjerëve, të njohur personalisht nga ne, as ndonjë poet tjetër, nuk ka shkruar ndonjëherë ndonjë gjë të madhe nën ndikimin e pastër të pijeve të forta. E gjithë puna e mirë u ngrit nën një maturi të mundimshme, të dhimbshme, pa ndonjë gumëzhimë të këndshme në kokë. “Gjithmonë kam ide, por pas vodkës më dhemb koka”, tha Wyspianski. Nëse një poet pi, është mes një poezie dhe tjetrës. Ky është realiteti i zymtë. Nëse alkooli do të promovonte poezinë e madhe, atëherë një në tre qytetarë të kombit tonë do të ishin të paktën Horacë. Kështu ne jemi të detyruar të pëlcasim një legjendë tjetër. Shpresojmë që ti të dalêsh i padëmtuar nga poshtë rrënojave.”

Për E.L. në Varshavë: “Ndoshta ti mund të mësosh të duash në prozë.”

Për Esko-n nga Sieradz-i: “Rinia është me të vërtetë një periudhë intriguese në jetën e dikujt. Nëse vështirësive të rinisë dikush u shton ambiciet për t’u bërë shkrimtar, duhet të ketë një konstrukt jashtëzakonisht të fortë për t’ia dalë mbanë. Përbërësit e tij duhet të përfshijnë: këmbënguljen, zellin, leximin e gjerë, kuriozitetin, vëzhgimin, distancën ndaj vetes, ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, një mendje kritike, një sens humori dhe një bindje të qëndrueshme se bota meriton a) të vazhdojë të ekzistojë dhe b) fat më të mirë se ai që ka patur deri tani. Përpjekjet që ke dërguar sinjalizojnë vetëm dëshirën për të shkruar dhe asnjë nga virtytet e tjera të përshkruara më sipër. Ti e ke bërë punën tënde të ndarë nga vetja jote.”

Për Kali-n nga Lodz-i: “”Pse” është fjala më e rëndësishme në gjuhën e këtij planeti, dhe ndoshta edhe në atë të galaktikave të tjera.”

Për Z. Pal-Zet nga Skarysko-Kam: “Poezitë që ke dërguar tregrojnë se nuk ke arritur të perceptosh një ndryshim kryesor midis poezisë dhe prozës. Për shembull, poezia e titulluar “Këtu” është thjesht një përshkrim modest në prozë i një dhome dhe i mobiljeve që ajo ka. Në prozë përshkrime të tilla kryejnë një funksion specifik: ato caktojne skenën për veprimin që do të vijë. Në një çast do të hapen dyert, dikush do të hyjë dhe diçka do të ndodhë. Në poezi duhet “të ndodhë” vetë përshkrimi.
Gjithçka bëhet domethënëse, kuptimplote: zgjedhja e imazheve, vendosja e tyre, forma që marrin nëpërmjet fjalëve. Përshkrimi i një dhome të zakonshme duhet të bëhet para syve tanë zbulimi i asaj dhome dhe emocioni që përmban ai përshkrim duhet të ndahet me lexuesit. Përndryshe, proza ​​do të mbetet prozë, sado fort të punosh për t’i ndarë fjalitë në vargje. Dhe ç’është më e keqja, asgjë nuk ndodh më pas.”

Përktheu: Arlinda Guma

Romanca e hënës hënë-Frederico Garcia Lorca

in Letërsi/Pikturë/Tharm by

Romanca e hënës hënë-Frederico Garcia Lorca

 

Erdhi hëna në farkëtore
Jelekun lule livande.
Djalthi na e sheh, e sheh.
Djalthi mbet duke e parë.

Nëpër ajrin e trazuar
Na i lëvizka hëna krahët
Dhe zbulon, të dlira, të lagura,
Sisët prej kallaji të fortë.

Ik moj hënë, hënë, hënë.
Se po erdhën këtu ciganët,
Me zemrën tënde do bëjnë
Varëse e unaza të bardha.

Vogëlush lërmë të vallëzoj.
Kurdo të mbërrijnë ciganët,
Ti mbi kudhër shtrirë do jesh
Me ato syçkat e mbyllura.

Ik moj hënë, hënë, hënë,
Se po ua dëgjoj trokun kuajve.
Vogëlush lërmë, mos ma shkel
Miellin e bardhësisë sime.

Po afrohet kalëruesi
Po gjëmon tupani i fushës.
Brenda në farkëtore djalthi,
I ka mbyllur tashmë sytë.

Nëpër ullishte pra erdhën,
Të bronztë e të ëndërrt gjithë ciganët.
Ata ishin kryelartë
E me sy të perënduar.

Seç këndon çafka e përhime,
Ah seç po këndon mbi pemë!
Nëpër qiell po shkon hëna
Me një vogëlush për dore.

Qajnë brenda në farkëtore,
Ciganët me kujë e gjëmë.
Ajri na e ruan, e ruan.
Ajri hënës i bën roje.

(1934)

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Dorëshkrimi dhe ilustrimi i Federico Garcia Lorca-s

Letra që Kamy i dërgoi vejushës Kazanxaki, Elenit

in Letërsi by

Ishte viti 1957 kur Nikos Kazanxakis humbi Çmimin Nobel në letërsi, vetëm me një votë, përballë shkrimtarit të shquar francez Alber Kamy.


Ato ditë shkrimtari grek ndodhej i sëmurë në Klinikën Universitare të Danimarkës. Edhe pse në gjendje të rëndë ai i dërgoi një telegram urimi mikut të tij francez për çmimin që fitoi. Ky ishte mesazhi i fundit që formuloi për mikun e tij. Vetëm pak ditë më vonë, ai ndërroi jetë, në moshën 74 vjeçare.
Në vitin 1959 Kamy i dërgoi këtë mesazh vejushës Kazanxaki, Elenit:

Zonjë, u trishtova shumë që nuk munda të vija me ftesën tuaj. Kisha gjithmonë një adhurim, nëse më lejoni, një lloj simpatie, për veprën e bashkëshortit tuaj. Kisha dëshirë të njihja lexuesit e Athinës dhe këtë adhurim të madh për të, ndërkohë që Athina zyrtare ”i ktheu krahët” shkrimtarit të saj të madh. Por kuptova se mënyra sesi e pranoi kjo audiencë – më të shumtët studentë – përbën, për mendimin tim, njohjen më të bukur që mund të merrte vepra letrare dhe jeta e bashkëshortit tuaj. Dhe ende nuk e harroj se ditën që u trishtova të pranoj një çmim, që Kazanxakisi e meritonte njëqind herë më tepër, mora prej tij një mesazh – telegram urimi. Pak ditë më vonë kuptova se ky mesazh ishte shkruar vetëm disa ditë përpara se të ndërronte jetë. Bashkë me të iku dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj. Jam nga ata që e ndiejnë dhe do të vazhdojnë ta ndiejnë boshllëkun që Ai la”…  

Disa muaj më vonë, në janar të vitit 1960, Kamy humbi jetën në një aksident automobilistik.
Në njëfarë mënyre, dy shpirtrat e lirë të letërsisë të shekullit të .20-të, i kryqëzuan rrugët e tyre duke u larguar së bashku.

Përktheu: Nilda Baxha

KUJTESA-Juan Ramón Jiménez

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

KUJTESA-Juan Ramón Jiménez

 

Ç’trishtim ky kalim
i lumit të çdo dite
– vorbull! –
nën urën e natës
– vorbull! –
drejt një tjetër dielli!
Nëse do dija
ta le, i kënaqur, mantelin tim
në duart e së shkuarës;
të mos shihja më atë që qe;
të hyja ballazi e gjithë gaz,
krejt i zhveshur, në të lirin
gazmend të së tashmes!

 

Përktheu Alket Çani

Foto: Nils Spiegler

1 42 43 44 45 46 183
Go to Top