Author

Admin - page 126

Admin has 1899 articles published.

NJË KAFKË NË VEND TË KUPËS-Ko Un

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

NJË KAFKË NË VEND TË KUPËS

 

Mjeshtri

I dha një kupë me ujë

Dishepullit të vet që arriti zgjimin shpirtëror

Kjo kupë ishte bërë prej një kafke

 

Mjeshtri shtoi këto fjalë

– Meqë është dita e fundit

Merr një kupë me verë

Kjo kupë ishte bërë prej kafke

 

Pastaj nxori një palë tespihe

Që ishin bërë prej kafke

 

Do doja shumë që edhe kafka ime të bëhej kupë

për të pirë në një ditë të pikëlluar të kësaj bote

 

Përktheu: Alket Çani

Një librari në Paris, ku mund të jetoni

in Libraria në rrugën 84 by

 

Një librari magjike ose më tepër magjepsëse, në Paris, ka diçka përrallore e të çuditshme. Diçka që e mban të gjallë dhe unike nga të tjerat!
Shakespeare and Company është një librari e specializuar në libra në gjuhën angleze. Ndodhet në zemër të Parisit, në bulevardin Saint Michel. Më shumë të kujton një dyqan relikesh, kurse përreth teje sheh libra të vjetër të çmuar. Vitrinat e saj janë plot me libra të lidhur me lëkurë dhe korniza barok me detaje të arta. Kur hyni, shfaqen shkallë pafund, që arrijnë deri në tavan.
Pse është unike? Çfarë ka të veçantë, që bën kaq shumë përshtypje?


Kjo librari në Paris nuk është si të tjerat!
Mund të qëndroni atje deri në 11 të natës çdo ditë. Ulëse prej kadifeje dhe lëkure, gjenden në ambientet, por edhe një shtrat në katin e parë, ku shumë udhëtarë mund të gjejnë strehim, të cilët mund të jetojnë aty për një periudhë, me dy kushte:
Të lexojnë një libër në ditë.
Të punojnë në dyqan dy ditë në javë.
Shakespeare dhe Company frekuentohet nga shumë anglishtfolës, shumë studentë, por edhe njerëz kureshtarë nga e gjithë bota. Disa jetojnë atje për disa ditë me sleeping bags-at e tyre, studentë australianë, vjenezë, kanadezë të Shkollës së Arteve të Bukura.
Heshtja e plotë që mbizotëron në hapësirat e saj, ​​pavarësisht vizitorëve, është një tjetër element i mrekullueshëm. Mund të dëgjoni vetëm tingullin e shkallëve prej druri që vazhdimisht dikush i ngjit.
Në verë, nxirren karrige metalike në trotuar, nën pemë, me pamje nga Notre Dame e Parisit.


Por magjia nuk ndalet këtu …
Nëse koha kur lexoni një libër ju frymëzon të shkruani, ka makina shkrimi kudo!
Çdo dhomë në librari është si një kapitull romani. Midis rafteve të librave, mbin dhe një piano dhe në mure ka afreske për fëmijë, të tilla si “Liza në Botën e Çudirave”, dhe “Princi i Vogël”.

Si u krijua libraria magjike në Paris?

Kjo librari ishte qendra e kulturës anglo-amerikane në Paris në periudhë mes dy luftërave. Aventura e saj filloi në vitin 1919, kur amerikania Sylvia Beach e hapi diku tjetër. U bë menjëherë qendra e të ashtuquajturës “gjeneratë e humbur” të Ernest Hemingway-t, Ezra Pound-it, Scott Fitzgerald-it, Gertrude Stein-it dhe James Joyce-it. Shakespeare and Company, si dhe të gjithë ata që e frekuentojnë, përmenden vazhdimisht në librin e Hemingway-t: “Parisi është një Festë”. Klientët mund të blinin dhe të huazonin libra.
E para “Shakespeare and Company” u mbyll në Dhjetor të vutit 1941, kur forcat e Boshtit pushtuan Francën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dyqani u mbyll sepse Sylvia Beach nuk pranoi të shiste kopjen e fundit të “Finnegans Wake” të Joyce-it te një oficer gjerman.
Më 1951, një tjetër librari anglishtfolëse u hap në Paris nën emrin “Le Mistral” në 37 rue de la Bûcherie, nga amerikani George Whitman, dhe shpejt u bë qendra e jetës letrare në Paris. Kur Sylvia Beach vdiq në vitin 1962, emri i kësaj librarie u bë Shakespeare and Company.
Çfarë ka thënë shkrimtari Jeremy Mercer:
“George Whitman ka ruajtur për pesëdhjetë vite atë që e quan, “utopi socialiste”, të përfaqësuar nga libraria. Dyqani i tij ka qenë një qendër letrare për vite me rradhë, duke tërhequr njerëz si Henry Miller, Richard Wright dhe William Borough. Më e rëndësishmja është se George i fton njerëzit të jetojnë në librari. Përfytyroni, më shumë se 40,000 njerëz kanë fjetur aty, në një nga 13 shtretërit që gjenden në ambientet e saj, midis librave. E vetmja gjë që kërkon është që të shtroni shtratin në mëngjes, të ndihmoni pak në librari dhe të lexoni një libër në ditë. Kam jetuar në këtë vend për pesë muaj dhe u frymëzova për librin tim”.
Vajza e George Whitman, Sylvia, mori në dorëzim librarinë në vitin 2001 dhe i dha frymë të re duke organizuar shumë ngjarje kulturore dhe letrare. Një rregull nuk është thyer kurrë: Të qëndrojnë për disa net shkrimtarët, studentët ose artistët në Shakespeare and Company. 

Përktheu: Shpendi Shakaj 

Soneti numër 19-Bertold Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Soneti numër 19-Bertold Brecht 

 

Kërkesa ime e vetme: me mua të qëndrosh

Se dua të të dëgjoj, pavarësisht se ç’thua

Në qofsh i shurdhët, më duhen fjalët e tua

Në qofsh belban, më duhesh që t’shikosh

 

Në qofsh i verbër, unë do të të mbaj n’vëzhgim

Ti si ushtar mision e ke të jesh në krahun tim:

Se ende as në gjys’rruge s’jemi në këtë udhëtim

E nata, mbaje mend, ende na ka n’rrethim.

 

Të thuash “lërmë sa të shërohem” nuk arsyetohesh – tash

Të thuash “kudo” (por jo këtu) nuk është arsyetim

Do ketë dikur për ty shërim, por jo lirim prej detyrës – tash.

Ti e di, ai që nevojitet nuk mund të jetë i lirë të shkojë

E ti e di se për ty unë kam kaq urgjentisht nevojë

Po flas si “unë”, dhe pse si “ne” do kish më shumë kuptim.

 

Përktheu: Arbër Zaimi 

Mes nesh kishte ekrane edhe në jetën reale-Caitlin Dewey  

in Letërsi/Meqë ra fjala by

MODERN LOVE-Caitlin Dewey

E mbledhur gulaç në shtratin tim, me fytyrën vetëm pak centimetra larg ekranit të laptopit,ia kisha ngulur vështrimin plot ankth kutisë së bisedave të Google, e cila si për të më ardhur në ndihmë më thoshte: “Uilli po shkruan.”

Ndërsa prisja mesazhin e tij, e detyrova veten të rilexonte postën elektronike, të rifreskonte komunikimet e mia në Twitter, dhe pasi lëviza lart e poshtë nëpër postimet e mia në blog, vendosa të laj dhëmbët.

Kutia vazhdonte të më thoshte: “Uilli po shkruan.”

“Mos guxo të lëndohesh nga kjo gjë,” i mërmërita pastës së dhëmbëve. “Kjo ishte një ide idiote, dhe ti e dije që në fillim.”

Por njohja e budallallëkut të rënies në dashuri me dikë në internet, nuk të pengon ta bësh atë. Shoqja ime Zhaneta, D.J., një kolege e radios, bisedon përherë me disa blogerë muzike, që ajo i ka takuar në Tumblr. Shoku im Tuan, i cili jeton në Los Angeles, qëndron deri në 3 pas mesnate, për të biseduar me të dashurën në Londër.

Dhe unë sot i kisha dhënë makinës për gati 1,770 km, në një udhëtim vajtje-ardhje, për të vizituar Uillin, një djalë që e takova në tetor në një konferencë të gazetarisë së Ueb-it, me të cilin u njoha vërtet, vetëm në Skype.

Uillin e dallova tek rrinte larg tryezave, në barin e zhurmshëm të hotelit. Kishte syze me skelet të zi, të trashë, flokë të pakrehur, tipare që i jepin atij pamjen e një hakeri që punon gjithë kohës në bodrum. Nëse keni marrë pjesë ndonjëherë në një konferencë për Internetin, mund ta kuptoni se pse lëkura e zbehtë, syzet me skelet të trashë dhe flokët palarë e të pakrehur, janë kaq shumë joshës, përndryshe, nuk di si t’ua shpjegoj dot pse-në.

Sido që të jetë rasti, çuditërisht tek Uilli më pëlqeu shumë buzëqeshja e tij e vetëkënaqur dhe fiksimi i tij me WordPress-in. Ai më argëtoi rreth meritave të plug-ins dhe PHP derisa u lodha dhe shkova në shtrat.

“Do të të gjej në Twitter, i thashë me shaka ndërsa po largohesha.

Nuk e prisja dhe as nuk dëshiroja ta shihja Uillin përsëri pas asaj fundjave. Për më tepër që takimi ynë dukej i pamundur, pasi ai jetonte edhe tri shtete larg. I ndiqja postimet e tij në Twitter me kuriozitet, po neutrale. Në janar, ai bisedoi me mua në G-chat, duke mu ankuar për punën, dhe pastaj, një natë, diku afër mesnatës, kur isha duke transferuar ca foto dhe duke harxhuar kohën me informacione koti në Google, ai më dërgoi mesazh në gjendje të dehur.

Me sarkazëm të dukshme, më shkruante: “A je në atë gjënë për të cilën flasin gjithë kalamajtë këto ditë, në Skype?

Kisha lexuar që 90 përqind e komunikimit njerëzor është joverbal. Skype e kap këtë 90 përqindsh me një aparat fotografik me rezolucion të ulët, e kompreson, e rikonstrukon në një nyje kompjuterike dhe e riprodhon atë pastaj në një ekran kudo në botë. Skype eleminon distancën dhe kjo është arsyeja pse funksionon.

Dhe pikërisht këtë bëri për ne. Me ekranin e Skype-t të hapur dhe me kamerën e ndezur, instiktivisht ndjeja që Uilli ishte pranë, ulur në shtratin tim, vetëm një hap larg. Duke injoruar periudhat kur figura ngrinte ose zëri i tij ndërpritej, mendoja se ai dukej dhe tingëllonte pikërisht ashtu siç ishte edhe në person. Ndonjëherë, kur ai përkulej në kompjuter për të lexuar ndonjë artikull që unë i kisha dërguar, mund të shihja edhe poret e fytyrës së tij.

Ne filluam të bisedonim në Skype për orë të tëra çdo natë – ai nga një dhomë gjumë asketësh me mure të bardhë, unë nga këndi i vockël i apartamentit tim studio me ngjyra torte. Mësova se ai hante çdo vakt jashtë, flinte me një seri bluzash të bardha identike me qafë V dhe qeshte me njërën anë të gojës kur unë thosha ndonjë gjë të mençur. I njihja gjuhët e tij të preferuara të kodifikimit, sistemin e tij më pak të preferuar të menaxhimit të kompjuterave, si dhe mospëlqimet e tij të përgjithshme, për kërcimin, muhabetet e llomotitjet për të vrarë kohën dhe vajzat në bare.

Një natë, shkoi aq shumë vonë duke biseduar sa më zuri gjumi me laptopin e hapur dhe kur u zgjova shtatë orë më vonë, isha e lidhur nga kordoni i tij i rrymës. Po Uilli ishte akoma atje, i përgjumur, nën dritën që vinte nga një dritare e hapur, i zbehtë, simpatik dhe i çuditshëm.

Pas pak ai lëvizi, kapsiti sytë në kamera dhe tha: “Hej, ti”.

“Hej,” ju përgjigja fare natyrshëm. “Si fjete?”

Ndërsa javët kalonin, i tregova Uillit për të dashurin tim të fundit, një djalë që kisha takuar në klasën e psikologjisë dhe me të cilin pata një lidhje për gati dy vjet. Ai më dëgjoi në heshtje, syzet i pasqyronin imazhin tim nga kompjuteri. Më dha këshilla të mira, të qarta, për ta lënë të shkuarën pas.

Nuk kisha takuar prej shumë kohësh dikë që të ishte kaq i zgjuar dhe i talentuar në mënyrën që unë do të doja të isha vetë. Ai më tregoi për ish-të dashurën e tij, e cila nuk ja vlerësoi asnjëherë punët. Fillova t’i dërgoja mesazhe edhe nga orët e mësimit, kur isha e irrituar ose/dhe e mërzitur.

Nga apartamenti im, mund ta shihja Uillin, por s’mund ta prekja. Mund ta thërrisja kur doja të flisja, por kurrë nuk mund ta shihja në një dritë tjetër, përveç asaj të abazhurit në komodinën pranë shtratit të tij. Po kjo gjë funksiononte edhe në favorin tim. Mund ta thërrisja atë kur të doja pas ca gotave, kur ndjehesha miqësore dhe fjalëshumë, po edhe mund ta shmangja nëse do të kisha për të shkruar, për të redaktuar ndonjë video apo për të bërë postime në blog. Mund t’i thosha çfarë të doja, edhe të rrezikoja të bëhesha e bezdisshme, sepse në fund të bisedës, me një klikim të mausit mund ta “nxirrja’ jashtë nga shtëpia ime.

Ironia është që ne grumbullohemi bashkë në internet për këtë lloj sigurie, këtë lloj intimiteti të sterilizuar, po në fakt duam diçka krejtësisht të ndryshme “në jetën reale” apo IRL (In real life), siç njihet në fjalorin online. Në konferencat për Internetin, si ajo ku takova Uillin, Twitter, sa nuk pëlcet prej postimeve të njerëzive që festojnë takimet IRL: “Ishte kaq këndshëm që më në fund u pamë @e kështu dhe ashtu IRL” “Hej @e kështu dhe ashtu IRL, Nuk mund të besoj që ende nuk jemi takuar IRL!”

Interneti me hashtags dhe mesazhet në boarde i bashkon njerëzit, por asnjëherë nuk i kënaq. Pavarësisht se sa e doni blogun e dikujt. ose postimet në Twitter, në timeline, nuk janë këto ato që dëshironi me të vërtetë.

Dhe kështu – ngadalë e me kujdes – Uilli dhe unë filluam të shtrojmë pyetjen se çfarë do të thoshte e gjithë kjo që po ndodhte për ne.

“Ti më pëlqen me të vërtetë shumë,” më tha ai një natë, pasi u kthye në shtëpi nga një bar.

“Edhe ti më pëlqen shumë,” i thashë. “Po në të vërtetë nuk e di se çfarë është kjo.”

Desha ta zbuloj. Kështu që në fillim të marsit mora një makinë me qira, iu luta profesorëve të mi të më mos më vinin mungesa për një ditë dhe e ngava makinën 885 km për të kaluar një fundjavë të gjatë në qytetin ku jetonte Uilli. Kur po i afrohesha, ndihesha e emocionuar. Ndalova në një vend pushimi, rregullova tualetin dhe i telefonova mikun tim Tuan, U përpoqa të qetësohesha disi dhe duke mbllaçitur një çamçakëz vazhdova.

“Po sikur kjo që po bëj të jetë e tmerrshme?” – pyeta veten. “Po sikur ai të mos jetë aspak ashtu siç shpresoj?”

Në fakt, Uilli ishte pothuajse ekzaktësisht ashtu siç e prisja: buzë të holla, hundë të drejtë, me sy të vegjël, në ngjyrë lajthie dhe me syze. Ai qëndroi të më priste në anë të rrugës, ndërsa unë parkoja makinën – duke lëvizur para – mbrapa, para – mbrapa, derisa nga nervozizmi rashë në hendekun e rrugës. U puthëm në trotuar, bënte ftohtë dhe era që të thante bashkë me skuqjen më fshiu edhe mendimet e mia të shqetësuara. Kryesisht, u ndjeva e lehtësuar. Mendova: “Funksionokemi edhe në jetën reale. Pra, ka diçka këtu.”

Po, pasi u puthëm dhe hëngrëm pica u në shtëpinë e tij, patëm shumë vështirësi të bisedonim për gjërat të flisnim në Skype. Në jetën reale, ndërsa unë flisja, Uilli nuk më shihte, po ia ngulte sytë asgjësë. Në jetën reale, nuk më bëri asnjë pyetje rreth udhëtimit tim të gjatë ose punës sime ose gjërave që më prisnin kur të kthehesha në shkollë.

Kur më nxori për darkë, ndërsa prisnim ushqimin të vinte, filloi të lexonte postën e tij elektronike. Më kërkoi falje pa masë për këtë, po prapë vazhdoi të kontrollonte faqen e Ueb-it të tij kur u kthyem në shtëpi.

Më çoi në një party, në shtëpinë e një mikut të tij, ku ata vazhduan të diskutojnë me orë të tëra në lidhje me dizenjimin e Web-it, ndërsa unë, e ulur në një kolltuk shihja tavanin, e dehur, e mërzitur dhe tmerrësisht e shqetësuar që dukesha më e hollë në internet se në jetën reale. Pastaj, në ndonjë çast, më kapte dorën dhe më jepte buzëqeshje të vogla, shfajësuese. Dukej si një lojë strategjike: një vallëzim i vazhdueshëm mes dëshirës për të më bërë të tijën dhe mosdëshirës, intimitetit dhe distancës, jetës së vërtetë dhe pretendimit të jetës fantastike në internet.

Në ditën e fundit të vizitës sime, Uilli fjeti më gjatë se ç’duhej dhe në mëngjes nxitonte nëpër apartament me flokët e lagur dhe kravatën e palidhur, duke kërkuar laptopin e tij. Sipas planit që bëmë një natë më parë, ai do të shkonte në punë, ndërsa unë do të largohesha kur të doja. Çelësin do t’ia lija në kutinë e postës.

Isha në korridor duke fërkuar sytë e përgjumur kur ai më përqafoi duke më dhënë lamtumirën e fundit dhe duke më porositur ta ngisja makinën me kujdes. Më ngjau se u përpoq ca për fjalinë e fundit.

“Ishte fantastike të takohesha me ty”, tha ai më në fund.

Nuk ika menjëherë nga shtëpia e tij. Pasi bëra dush dhe paketova gjërat e mia, studiova librat e tij pranë oxhakut dhe u ula për një kohë të gjatë në banakun e kuzhinës së tij, duke u përpjekur të kuptoja se çfarë ndodhi. Nuk ndihesha mirë që rrethohesha nga gjërat e tij. Ndihesha shumë rehat në dhomën time, me gjërat e mia dhe me praninë e tij të kornizuar nga ekrani i laptopit.

Para se të largohesha i shkrova një shënim:
“I dashur Uill!
Faleminderit shumë që më prite këtë fundjavë. Ishte e rëndësishme për mua të kaloja kohë personalisht me ty.”

Pasi nënshkrova emrin tim e lashë në banak. Pastaj, duke urdhëruar veten të mos qaja, i hodha çelësat e tij në kutinë e postës dhe ja shkela pedalit të gazit për në shtëpi. Në jetën reale, që të mbërrija atje, zgjati nëntë orë.

Përktheu: Meli Ajazi 

Këshillë për të gjitha ato si unë, me zemrën si ashkël-Clementine Von Radics

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Këshillë për të gjitha ato si unë, me zemrën si ashkël-Clementine Von Radics

 

Të dashura mike, disa herë dashuria do të vijë tek ju
si zjarri në pyll. Nëse ndodh, bëhuni më të mençura se unë. Ikni menjëherë
Merrni me vete vetëm ç’mund t’iu mbajnë duart. Jo lotët. Jo dyshimet për t’u kthyer përsëri.
Duart tuaja janë si kuti eshke. Xixa më e vogël do t’ju djegë në vënd.

Futuni shpejt në makine. Hidhni ujë në hartat. Shmangni benzinatat.
Mos vini re flakët që vallzojnë në pasqyrë nga xhami i pasëm.
Shkoni në qytete që nuk keni qenë kurrë. Ngjituni në tarracë dhe vallëzoni
ngadalshëm me kujtimet tuaja më të ftohta. Ngjitni nëpër muret e dhomës
ç’do letër të dëshpëruar e të pluhrosur dashurie që ishit betuar të mos e dërgonit kurrë.

Gjeni një të panjohur me forma të mprehta dhe ije të paeksploruara
shkruajani të gjitha historite tuaja në lëkurë dhe harroni që ndonjëherë
mund t’ia keni ditur emrin. Premtomëni, që nuk do mendoni kurrë për djegie
apo thëngjinj. As kur tërë flokët t’i keni të mbuluara nga hiri,
As kur t’ju dalë tym nga goja.

 

Përktheu: Merita Paparisto 

MEGJITHË TRISHTIMIN-Ko Un

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

MEGJITHË TRISHTIMIN-Ko Un

 

Një natë në fillim të viteve 1940

Im gjysh

Shëroi një patë të sëmurë

Duke e mbajtur në krahë gjithë natën

Ky kujtim më trishtoi gjatë gjithë ditës së sotme

 

Unë që jam nipi i atij gjyshi

A munda të shpëtoj një jetë të vetme

Gjatë gjithë kësaj kohe që jam endur?

A s’kam jetuar kot duke fërshëllyer në ajër

Çdo ditë kaq të shenjtë

Prej jetëshkurtri?

 

Nuk do mjaftojë

Trishtimi i një pëllumbi që gugat

Që nga nesër

Që nga nesër

Qoftë edhe si një fantazmë e thjeshtë

Do jem në këmbë midis pemëve të mëdha e të vogla

Dhe do ta lë veten ta tundë gjatë era që fryn gjithnjë e më fort

 

Përktheu: Alket Çani

Zbulimi dhe përdorimi i njollës së rreme të bojës-Woody Allen

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Woody Allen

Nuk ekzistojnë dëshmi të shkruara mbi shfaqjen e parë të njollës së rreme të bojës në Europën Perëndimore përpara vitit 1921; nga ana tjetër është i mirënjohur fakti se Napoleoni zbavitej sa s’ka me dredhësin, instrument i fshehur në pëllëmbën e dorës, i cili me ta prekur qe në gjendje të shkaktonte një dridhje të ngjashme me atë një shkarkese elektrike. Kur Napoleoni miqësisht i jepte diplomatit të huaj dorën e tij perandorake, viktima e mjerë kërcente hopthi pa ditur përse, bëhej spec në fytyrë, dhe vallëzonte në mënyrën më të paparashikueshme mes të qeshurës ushtuese të perandorit dhe haresë së oborrit.

Me kalimin e kohës instrumenti i lartpërmendur pësoi modifikime të panumërta, më i njohuri prej të cilëve vinte si pasojë e hedhjes në përdorim të çamçakëzit nga ana e Gjeneralit Santa Anna (unë mendoj se çamçakëzi i pati fillesat e tij në gjellët e përgatitura nga e shoqja e gjeneralit, të cilat ky i fundit nuk ia dilte ti përtypte), duke marrë trajtën e petëve të mentes që mbulonin një çark i imët minjsh. Fatkeqi të cilit i ofrohej peta e mentes, ndjente një pickim therës në çastin kur dhëmbët metalikë i nguleshin në gishta. Në fillim mbizotëronte një perceptim të mprehtë dhimbjeje, vijonte një lloj ilariteti ngjitës, i cili në fund përmbyllej me përulje filozofike. Askush nuk e mohon se shakaja e kurthit me çamçakëz kontribuoi ndjeshëm në përmirësimin e humorit të ushtarëve gjatë betejës së Alamos, dhe, megjithëse prej saj askush nuk doli gjallë, pjesa më e madhe e analistëve ushtarakë shprehet njëzëri se punët do të kishin shkuar shumë më keq nëse ky instrument kaq i vogël dhe praktik, për të vrarë kohën, do të mungonte.

Me shpërthimin e Luftës Civile, amerikanëve iu desh të përpiqeshin, me sa u jepej, të harronin një orë e më parë llahtaret që u përplasën mbi një komb në shpërbërje e sipër, dhe, ndërsa gjeneralët nordistë zbaviteshin ekskluzivisht me shakanë e gotës së shpuar, gjenerali Robert E. Lee kapërcente shumë prej çasteve më kritike, duke përdorur në mënyrë të pashoq trukun klasik të lules me spërkatëse. Në fillim të luftës, askush prej atyre që afroheshin t’i merrnin erë karafilit mahnitës në thilenë e gjeneralit nuk arriti t’u shpëtojë spërkatjeve të bollshme me ujë nga lumi Suwanee. Sidoqoftë, kur vetë Konfederatën e Jugut nisi ta marrë lumi, Gjeneralit Lee iu desh të hiqte dorë nga shakaja, tashmë e dalëmode dhe të mjaftohej duke vënë herë pas here ndonjë thumb këpucësh në karriget e personave që nuk i pëlqenin.

Pas luftës, deri në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, gjatë epokës së të ashtuquajturve “baronë hajdutë”, pluhuri për të teshtirë dhe kutitë me etiketën Lajthi, të mbushura me gjarpërinj të mëdhenj me susta që kërcenin mbi fytyrën e viktimave, përfaqësuan majën më të lartë të shakave shoqërore të kohës. Thuhet se J.P.Morgan parapëlqente versionin e parë të shakasë, ndërsa Rockefelleri plak anonte më shumë nga e dyta.

Më në fund, rreth vitit 1921, disa biologë që kishin shkuar në Hong Kong për të blerë rroba zbuluan njollën e rreme të bojës. Për shumë vjet me radhë ajo kishte qenë në qendër të repertorit të shakave orientale, madje shumë nga dinastitë e atjeshme kishin arritur të mbanin pushtetin duke manipuluar me virtuozitet atë që dukej si pasoja e një shishe boje të derdhur, por që ish në të vërtetë metal i lyer në formë njolle.

Sipas gojëdhënave, njollat e para të rreme qenë ndërtuar në mënyrë primitive dhe kishin një diametër prej afro tre metrash, kështu që nuk gënjenin askënd.

Megjithëkëtë, me zbulimin e “parimit të përmasave të reduktuara” nga ana e një fizikanti zviceran, u dha prova përfundimtare se një objekt me një përmasë të dhënë mund të reduktohet thjesht “duke e bërë më të vogël”; mbi bazat e këtij zbulimi, njollës së rreme të bojës iu dha vendi i merituar.

Ajo mbeti e tillë deri në vitin 1934, vit në të cilin Franklin Delano Roosevelt e perfeksionoi në tërësi me qëllim që t’i jepte fund një greve në shtetin federal të Pensilvanisë. Ngjarja është mjaft zbavitëse: të vënë në pozitë të vështirë, si sindikalistët, ashtu edhe shefat e personelit ishin mëse të bindur se një shishe boje qe derdhur mbi një divan të paçmuar të stilit Empire, duke e dëmtuar në mënyrë të pandreqshme. Përfytyroni lehtësimin që ndjenë shpirtrat e tyre kur iu bë e ditur se kishin rënë viktimë e një shakaje. Tri ditë më vonë furrnaltat nisën punën.

Përktheu: “Ivan Katastrofov”

Ndodhi-Kiki Dhimulá

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ndodhi -Kiki Dhimulá

E vetme, krejt e vetme
bares rrugëve
dhe udhës ndesh ndodhi të mëdha:
Diellin me ngut e thirri Perëndimi
dhe përgjysmë pasditen e la…

Pas pak ia behu nata,
duke bartur në shtambat e misterit
të fshehtat e saj,
kur befas syrin ëndërritës, hënën,
një re tinzare e padëshirueshme ia shkeli
dhe e verboi.

Këtë aksident
mjaft mirë e shfrytëzoi
një hafije e çuditshme
– dyshonte mesnata –
që Gjithësisë i shtiu
dhe e la në vend.

Pas ndodhish të tilla,
ndodhinë që jam sërish e vetme,
kurrkush nuk e vuri re.

Përktheu: Stefan Zhupa

Kënga-Hande Gündüz

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kërkuesi humbet lehtë. 

Çdo lloj vetmimi përbën krim,

– kështu flasin turmat.

  Niçe

Hande Gündüz

Humbja ime, po ta shohësh nga larg, është e çuditshme, mbase edhe i ngjan një kërcimi të panjohur. Ndërsa atje nuk kishte ndonjë kërcim. Vetëm hapa të njëpasnjëshëm, ca lëvizje të çuditshme. Ndërkohë shoqet e mia, herë më bëjnë shenjë mua e herë njëra-tjetrës, më shikojnë në sy me një buzëqeshje të lehtë, sikur duan të thonë: – Mos u bëj merak, ne po të shohim. Në duar mbajnë gota plastike me verë dehëse. Dhe unë, për të treguar vëmendje u ngre dorën lehtë. Këtu jam, po ju shoh.

Jam duke kundruar pemën, sikur në degët e saj të kishte ndonjë frut që s’e kam parë kurrë. A mos ndoshta e kam pak kokën të turbullt e jam në një gjendje të atillë sa nuk di në ç’drejtim ta kthej? Nuk i njoh dhe aq mirë pemët. Asnjëra prej këtyre nuk është pemë frutore, sillem përqark dhe më pas përkulem drejt lulefshisave buzë shkëmbinjve. Kështu, i lashë ato të tjerat në fushën e hapur të kodrinës. Tani s’duket më askush.

Rrugë e rrafshët. Duke parë përreth me sytë e zemrës, mbahem te një shkop pa menduar se ku shkoj. S’e kam fare zakon këtë, as këngë nuk këndoj, sepse për të kënduar një këngë, njeriu ose duhet të ketë dëshirën për të kënduar ose ta krijojë vetë këngën. Ndërsa te unë, edhe po të ishte kënga, nuk është këndimi. Sikur të ishte dëshira! As ajo nuk është. Megjithatë, e kisha një këngë në gojë. Nuk e kisha dëgjuar më parë, e kisha përshtatur me shumë gjasa, sepse shkonte edhe me gjendjen time të asaj dite. Tanimë s’kishte njeri rrotull. Duke zbritur shtegut që të çonte në pyll, sajova një personazh me emrin Te. Një që ka besim te vetja. Te këndon bukur. Gjatë të kënduarit ai i lëviz duart dhe krahët sipas ritmit të këngës. Domethënë nuk rri në vend si një thes me patate. Te, i thashë, unë nuk di të këndoj, përvec atij çasti të vetëm, nuk mund të këndoj. Ndërsa këndon, me kapotën e rëndë, të trashë e të zezë, hedhur përsipër, krejt i tjetërsuar, Te më thotë se vetëm për këtë tjetërsim këndon dhe duhet pranuar më thotë, se i gjej rishtas përmes këngës ato që kam humbur në brendësi të pyllit. Te e ngre pak më lart zërin, më shkel syrin dhe nuk ngjan aspak si ndonjë i ndrojtur. I bën padrejtësi vetes, të gjithë mund të këndojnë, këndo edhe ti, më thotë.

Kjo këngë e panjohur për mua rridhte vetë prej gojës sime. Pa i hedhur sytë rrotull, ecja me mendimin se askush nuk po m’i hidhte sytë. Kur të kthehem do ta shkruaj këngën në fletore, po mendoja. Përtoja të nxirrja regjistruesin nga çanta, druhesha se mund ta humbisja fundin e këngës. Kjo këngë mund të ishte njëra prej atyre që kërkonim. E çuditshmja ishte se duke e ditur që nuk do ta humbja këtë këngë, vazhdoja ta këndoja nën zë pa patur frikë. Pylli po errej, gjendesha në një vend të panjohur. Duke dashur të kthehesha, se fundja as nuk kisha humbur rrugën e as nuk kisha kaluar nëpër qorrsokakë, u ktheva mbrapsht siç isha dhe vijova të njëjtën rrugë. Ja, një pemë e moçme. U ndala nën të. Majë saj qëndronte Xhaxha Hysni Beu duke i rënë kokës me pëllëmbë. Hej, ti vajzë, largohu që aty, është imja, asgjë s’është e jotja, kuptove? Asgjë. Ik tani! Kur u largova, koka e tij tashmë kishte marrë një pozicion të varur në shtatin e tij topolak, dukej sikur rëndonte për poshtë. E ëma e tij erdhi me një frymë. E sheh, thotë Xhaxha Hysni Beu, e pe çfarë bëre? E kuptove çfarë ndodhi tash, se e kujt është? Vajza tundi kokën, ooo edhe ne kemi plot, thotë. Shih, bushtra e vogël! I kujt ishte zogu, atij ia more shpirtin? Ndërsa shtrihesha përtokë, duart m’i përshkoi një valë e nxehtë. Kjo ishte shpirti? Atëherë, ajo piskamë cicërimash që dilnin shtrëngueshëm, ajo gjendje e tij e nxehtë, hokatare, që nuk mbahej ndër pëllëmbë e nuk shihej me sy, mos vallë ishte e imja? Apo mos ishte ashtu siç thoshte Xhaxha Hysni Beu, se asgjë, asgjë prej gjëje nuk na përkiste ne bushtrave?

Ndjeva një zë. I ngjan kërcitjes. E ndjeva menjëherë vonesën time. Isha çuar në këmbë e kisha ikur duke ia marrë këngës dhe rrugës bashkë. Ndalova. U ktheva mbrapa dhe pashë rrugën nga sipër. Pa u menduar gjatë, mora shtegun drejt shpatit, errësira e pyllit do të davaritej pas pak. Kërcitja u dëgjua sërish. Dukej si një qukapik apo kafshë thundrake që përplaste këmbët në gur, edhe sikur ardhur nga larg të ishte, zëri i tij më buçiste në kokë. Një cicërimë zogu, e gjatë. E dëgjova zërin pas meje. Kush je? Çfarë je? Nuk ishte larg. Siç isha në atë vend, me një këmbë përpara e tjetrën pas, u orvata të kthehesha, por nuk lëviza dot, mos ndonjë nga ata lart kishte ardhur këtu përpara meje? Zëri erdhi rishtas: Kush je? Çfarë je? Dhe unë i fola: Ku je? Tregoje veten. Ja, mu atëherë, prej shkurrnajës prapa meje, doli nga toka një xhungë, e cila pasi filloi të lëvizë u ngrit në këmbë. Pasi u hap, duke u ngritur lart, i lëshoi në tokë ngjyrat kamufluese të shkurrnajës dhe herë ndalej mbi majën e hundës sime, herë ngrihej lart. U bëra kureshtare të dija se ç’lloj forme të një të huaji mund të gjeje brenda kësaj xhunge, të rrumbullakët, të sheshtë, a ekzistonte në nëntokë, a i kishte krahët dhe këmbët të mbledhura kruspull, a ishte diçka e rrezikshme? Duke e parë që po matej të zmadhohej bëra pas duke i hapur vend asaj.

Ishte fshehur mirë, më kishte parë së largu, kishte ndenjur në heshtje për të më sjellë deri këtu rrëzë saj. Erdha me këngë mu rrëzë këmbëve të saj, ashtu si dikush që vjen përpara furtunës duke e parë në sy. Ashtu siç ishte teksa ngrihej lart, sytë më shkuan te këmbët e saj, a po gjëmonte, a po përplasej me gurët e prekur rrëzë shkurrnajës, herë shfaqej si sorkadhe, herë si fëmijë, herë si burrë, ndryshonte teksa e shihja, ishte e gjallë. Ishte e zhveshur aq sa mundej, por duke qenë më afër se ç’duhej s’mund ta shihja. Kush je? Çfarë je?  Ndërsa thosha këto, i hapa duart drejt saj, ta shihte gjoja që isha e paarmatosur. Humba. Vërshoi jashtë gojës sime.

Fëmija, e ngriti kokën si zog në ajër përtej degëve të larta të pemëve sipër nesh, në drejtim të errësirës së pemës, iu ngjit kodrinës si ujk dhe tha: – Ka humbur dikush. Mbase edhe ishin efekti i këngës këto. Kur tha se kisha humbur, kundërshtova sikur të mos qeshë unë, në fund të fundit nuk kisha humbur. Zbrita e qetë asaj rruge. Mirëpo edhe fjalët e mia, mu si leshrat e djallit u shpërhapën sa andej-këndej  në ajër. E dija se shtigjet nga kisha kaluar ishin mbyllur tashmë. Vetë ishin hapur dhe vetë ishin mbyllur. Më shtrydhi nga koka te këmbët, sikur të kishte kohë pa më vëzhguar.

– Kush je, – i thashë. Këtu jeton?

Edhe ajo më pyeti:

– Ç’kërkon në pyll?

Pa i kthyer përgjigje, e shihja pa i ngritur sytë lart. Nuk ia pashë mirë këmbët. Këmbët ishin këmbë, por kur u zhvendos në vendin ku ishte ndihej zhurmë uji. Ishte e qetë, e paprekur, e pastër.

– Jam hulumtuese, – i thashë. – Ti e di pra, ne merremi me kërkime. Çfarë? –  tha. Do t’i thosha universitetin dhe që kisha ardhur me dikë. Edhe po të doja t’ia shpjegoja, e t’ia shkoqisja, çuditërisht hezitova.

– Çfarë ishte,  – i thashë. – Çfarë?

– Nuk e di, e kam harruar.

Ngriti kokën sërish. E pafrikësuar nga pylli, e kapur pas një dege, pa bujë, bëzau si një zog lajmërues i këtij takimi. Një harraqe. Ngriti kokën dhe më pa. Këmbët i kërciti mbi tokë.

– Do ta harrosh, – tha. – Do t’i harrosh të gjitha ç’ke parë këtu. Nga cila rrugë zbrite?

U ktheva për të parë vendin që i tregova, por as rrugë nuk dukej, as shteg; pylli ishte në terr. Tashmë rruga është e mbyllur, tha. E dinte përpara se të më pyeste mua. Atëherë pse pyeste, fundja ishte habitur që kisha zbritur deri këtu, e bënte qëllimisht apo pa e ditur as vetë, si erdha e mbiva këtu, këtë po përpiqej të kuptonte vallë? Edhe unë, pa folur, po përpiqesha ta kuptoja atë. Pastaj, ç’kishte për të folur!

– Mos rri duke parë ashtu kot, rruga është e magjepsur, është e mbyllur, – tha.

U kthye në anën time, duart i kishte kryqëzuar pas vetes, sikur po përpiqej të vendoste për fatin e dikujt. Tha se pas pak pylli do të errej.

– Mos guxo të thuash: “Do të zbres më thellë.” Rrugën më të mirë do ta tregoj unë. Ti nuk e njeh këtë vend. Edhe pemët do t’i lexosh një e nga një, edhe rrugën do ta përshkosh. A mund t’i zija besë? Mos më hedh e më flak tutje në shkretinë e këtij pylli të magjepsur?

– Ka çakej, tha. – Bëj kujdes.

Befas i pashë. Çakejtë m’u derdhën pësipër, ç’punë kishte ajo grua në mes të pyllit, do thoshin të gjithë kureshtarët teksa na mbanin me gojë ne atje, nuk kishim dëgjuar kësisoj, aaaa, krejt të habitura, duke kaluar derë më derë gjoja sikur janë mërzitur, ç’punë kishte një si ajo të shëtiste në thellësi të pyllit të errët. Duke i shtuar të rejat historive të vjetra, kushedi se në ç’rrugë mund të humbasë një grua mendjelehtë, mbase nga kureshtja për të bredhur vetëm, fillikat, s’është mirë që gruaja  të rrijë vetëm, ç’hulumtuese është ajo që rri me burra, pika atyre, ç’kërkojnë ato brenda në pyll, do të thoshin.

Filluam të ecnim. Ishte edhe përkrah meje edhe në tokë. Këmbët e saj goditën shkëmbin me forcë. Nuk arrija të vendosja, në ishte fëmijë apo jo, i ngjasonte edhe burrit, sorkadhes po ashtu. Kishte edhe thundra. Fëmijëve s’u zihet besë në këtë moshë. Bëhen të pamëshshirshëm. Fundja fëmijës s’i zihet besë. Ata janë pa moshë. Sa vjeç ishte ky? Sa vjeç je ti? Papritmas u zmadhua rrëzë një peme, në anën e saj pashë lule të çelura me gjemba të mprehtë. Iu përkula lules me dëshirën për të mos e prekur.

– Mos guxo ta prekësh, është e magjepsur, – tha. Lulja e kishte kurorën portokalli, gjuhën ngjyrëvjollcë, petalet i ishin rraluar, edhe ato që kishin mbetur i ngjanin një palloi të mbushur me gjemba. Për pak do të fliste. A thua se kishte sy. Po ta prekësh ty s’të sheh më askush. U afrua pranë meje duke m’i ngulur sytë.

Ishte në ujëvarën e parë, e gjallë, çdo hap ngrihej mbi majat e thundrave, po të ishte pak në moshë s’do ta bënte dot këtë, por fytyra e saj ishte e qetë, u afrua edhe pak, e kjo e sillte atë në fund të rinisë së saj, nuk mund konsiderohej as si e mitur, me gjithë të ecurën e saj trokëllitëse. Sytë i kishte të mprehtë, për të fshehur mendimin e saj ndërronte fjalët. Nga ana tjetër kishte një fytyrë të heshtur, që e bëntë të dukej e madhe në moshë. E dinte mirë se ç’u kishte ndodhur dhe do t’u ndodhte të humburve në pyll. Mbase dhe ishte vënë pas të humburve. Ishte e mitur, a s’ishte, e re apo e vjetër? Hoqa dorë nga këto pyetje!

Pasi më pyëti: – A ke uri, – u zhduk pas shkurrnajës. Ndoshta me ata sytë të heshtur, që shihnin sa majtas-djathtas, shikonte prenë e saj. Doli me një zog në dorë. U ul në tokë. E mbajti fort zogun dhe i këputi kokën. Zogu as përplasi flatrat, as bëri zë, as pikoi gjak. Më zgjati një copë. Merr, tha, përndryshe do vdesësh. S’dua, i thashë. Pasi shkundi supin, duke e mbajtur copën e zogut mes duarsh si diçka që nuk donte ta lëndonte, e hodhi pa u ndjerë në ajër. Zogu u ngjall e fluturoi. Zogu që kishte ngrënë pak më parë, u ul mbi degë, për habinë time, ashtu i ringjallur fluturoi mbi një degë tjetër, më pas në një tjetër dhe u zhduk. Si ka mundësi, i thashë. Si është e mundur? Ishte ende në vendin ku qe ulur, kur u ktheva për ta pyetur. Të shoh ashtu siç je, tha. Sepse këtu je në pyllin tim. S’mund të fshihesh. Edhe unë, edhe unë të shoh ty, i thashë. Më pas sikur s’ma kishte vënë veshin fare. Përsërita, Edhe unë të shoh ty. Këmbët e kryqëzuara në tokë, i kishte ndërfutur në njëra-tjetrën, ato katër këmbë të holla prej sorkadheje. Sa vjeç ishte? Nën vetullën e majtë kishte një plagë të hapur. Me sa duket dikush e kishte goditur fort shumë kohë më parë, e më pas vendi i goditur ishte fryrë dhe në atë vend  duhet të kishte rrjedhur gjak për ditë e ditë me radhë pa e kuptuar as ajo vetë. Ishte bërë një vragë e vogël. Gjaku ishte tharë tashmë, a thua se e gjithë kjo dhimbje vinte prej atij vendi të shterur. Për shkak se ishte lënë ashtu, me kalimin e kohës plaga duhet të ishte përtharë, ndaj nuk dukej më. Sikur t’i afrohesha pakëz, por druaj se hungërin si luan e ia mbath, bëhet gjeth po iu afrova më tepër, mendova. Mbeta duke e parë aty ku isha. Pse m’i ke ngulur sytë, më tha. Nuk ke hyrë asnjëherë në pyll?

Fol shtruar me mua, hajt ma trego daljen. Si ata bejlerët hijerëndë që ngrihen nga sofra e fshatit pasi ngopin barkun, pa u ngutur aspak, u çua me të kërcitura, mbi thundrat pingul, gati për të vrapuar. Lëvizjet i kishte të qeta. Për një çast ngriti kokën dhe bëri për t’u ngritur, ndërsa hapat i hidhte sikur dilnin nga një kuti. Ndërkohë ajo i puliste sytë sikur të kishte nevojë për një shikim, ikte sikur të kishte marrë atë që kishte për të marrë. Ndërsa ecja, përbrenda më zjente njëfarë pështjellimi. Në vend të thartirës, thoshte gjyshja ime, shko e shih njëherë mos ka gjësend tjetër? Njëherë u sorollata si një kandërr mes hunjve të domateve, për të parë domate të pjekura, të lëngshme, jeshile, të tharta. Megjithatë, mua më hutuan ecejaket e nusepashkave. E përhumbur në këngën e tyre e lashë përparësen e domateve dhe fillova të kundroja rrahjen e krahëve të nusepashkës në duart e mia. Por sakaq ato fluturonin e iknin. Po të këputësh prej të jeshiltave bëhen turshi. Mos u mërzit se nuk shkojnë kot. Në këtë botë asgjë nuk shkon kot. Madje as ti nuk shkon kot. Qoftë edhe duke bërë atë që bën, bie fjala të fluturosh mollëkuqet, të mbledhësh domatet, të shkulësh spinaqin. Unë do të bëhem hulumtuese. Pa hë, bija ime do të hulumtojë nusepashkat, po sikur të mos e bëjë as këtë, nuk ka për t’u bërë as një gjë. Mos u tut. S’shkon kot. Si? Rrojti kot e vdiq kot,  thanë për kunatën Hysnije, a nuk thanë kështu? S’di gjë. Fundja askujt s’i mjafton jeta tani e tutje për të parë lidhjen e këtyre gjërave. Ti bëhu ti, mos rri duke u përpëlitur më kot për një punë që thua do ta bëj, sepse e prish. Përfundoje punën bija ime, përfundoje. Si? Gjyshe? Si?

Pse rri përçart, tha. Ç’përçartje? Rri e rri duke pyetur pas krahëve të mi. A s’mund të ecësh dot drejt ti? Sa e çuditshme je. Ec drejt moj. Pa nga sandalet e mia. Ku i ke këmbët? Aa, po ti s’ke këmbë. Papritur pashë se lija gjurmë shumë të çuditshme pas vetes. Si një fshesë shqope. Aty ku shkelja nuk kishte gjurmë, tërheq veten zvarrë. Pashë dhe një herë gjurmët e saj. Të sajat shenjuar mbi tokë u përngjanin formave të buta të reve në qiell. Pashë këmbët që i linin këto gjurmë. Thundrat e saj ishin nxirë vende-vende prej pluhurit të pyllit. A thua se u tremb prej shikimeve të mia dhe u spostua. U shtri sa gjatë e gjerë në tokë duke u spërdredhur, sikur të tkurrej paksa mund të dukej më bukur. S’ka asgjë për t’u trishtuar, çdo gjë do të vdesë e dashur, të gjithë do të vdesim. Por këto dukej sikur do të vraponin në pyll përgjithmonë, madje edhe sikur pa këmbë e pa trung të kenë mbetur, do të vraponin.

Kishte të drejtë, isha pa këmbë sërish, Ti je e çuditshme, i thashë. Qeshi. Sikur të isha një fëmijë dhjetëvjeçar. Sa turp, thashë me vete, kur rri me fëmijë bëhesh fëmijë. Mos, mendova, s’duhet ta bëj më kurrë këtë. Fëmijë jam unë? Shiko përpara dhe mos e lësho veten, tha. U lëshua sërish prej gojës time. Tani shih përpara. Duke thënë gjoja fjalët “fesuphanallah” ktheu kokën në dy anët. S’kanë thënë kot se helmeta e vret kokën e njeriut. Mu sikur të kisha një helmetë mbi kokë duke u dridhur e kuptova sjelljen e tij lozonjare ndërsa fërkohej me tokën për shkak të fryrjes nga nxehtësia, dhe se ky fëmijë do t’ia dilte mbanë mirë kësaj pune. Bëra sikur nuk po e merrja shumë seriozisht, fundja kisha humbur, prandaj gjëja më e thjeshtë do të ishte të dilja nga rruga më e shkurtër prej së cilës kisha hyrë. Mjaft tani, edhe sa do të ecim, ku po shkojmë kështu?

Të gjithë po rregullonim radhë-radhë fletët që kishim gjetur. Sipër tyre shënonim emrat tanë, çfarë gjeja e prishja, gjërat shkruhen vetë i thosha vetes, mos rri duarkryq. Lëri dantellat, lëre fshesën, që copat të mos shkojnë kot gjyshe, edhe sikur të shkojnë kot, për çfarë ia vlen. Mbajta vesh dhe pashë se s’kishte mbetur as fëmijë, as burrë, as thundra as gjurmë. Kurrgjë. Isha e vetme brenda këtij pylli të mistershëm. Në cilën anë e ktheu ky fëmijë timonin tim? Fundi? Mos është dalja këtu, apo fillimi? I lidha litarët sërish e u bënë nyjë. Për çdo gjë që nuk e kisha kuptuar, ulesha e shkruaja. Rruga po ashtu dukej sikur zgjatej e zgjatej përpara meje. Ai pé, me këtë perin këtu, ai tjetri me atë tjetrin pranë tij, duke menduar kështu, a nuk ishin të gjithë penjtë të lidhur me njëri-tjetrin? Kur nuk arrita ta zgjidhja diçka, u bëra hulumtuese me mendimin për t’i renditur siç duhet ato që kisha gjetur të paktën. Edhe sikur të refuzoja ishte e kotë. Të pashë, të pashë, mos ia mbath kot, të pashë, ku je?

Gjendem në krye të anës shkëmbore, të rrëshqitshme të malit. Shtegu ishte zhdukur. Ishte shndërruar në baltë të shkrifëruar, poshtë saj shiheshin qartë shkëmbinjtë e lëmuar. Ku je? Mos ik? Vinin vetëm zëra kafshësh të njohura, kishte vënë gjelbërim, degët ishin afruar me njëra-tjetrën. Mos ik po të them. Ndieja gurgullimën e përroit. Po ta pyesja, ç’është kjo t’i thosha, është përrua magjik, do më thoshte. Pema që i kalova afër ishte duke u lëshuar poshtë. Mbi të ndjeva një kërcitje. A s’më kishte thënë të mos i afrohesha shumë pemëve? Në pjesën e sipërme të trungut të pemës binte një hije margaritari. Pema kishte mbështjellë margaritarë, si, deri ku, deri ku, befas më rrëshqiti këmba. Iku e u zhduk sapo shkela mbi një copë rrugë. Ia mbathi poshtë këmbëve të mia, ndërsa unë u kapa nëpër hithra, por ato nuk më mbajtën, më pas i lëshova duart krejt. Një krah e kisha hedhur degëve, e kështu duke zgjatur duart me mendimin se do më mbanin, rashë mbi gurët e mbuluar nga rrënjët e këputura e të kalbura rrëzë pemës.

Pylli kishte rënë sërish në heshtje. Ishte këtu rrotull, po fshihej. Rrugës së përroit, mu përballë meje u shndërrua në një enë balte dhe nisi të sillej brenda rrethit të ujit. Shkova më kot. U bë e padukshme. Mbase ishte majë kokës time, u sula menjëherë rrëzë pemëve. Heshta. Mos u fshih kot. Të shikoj. U ula galiç. U rreka të nxirrja gjembat që po fundoseshin nën baltë. Për shkak të llucës nuk pashë gjë tjetër veç rrëkesë së gjakut që rridhtë nga zgavrat e saj. Shkunda baltën nga dora dhe e zhyta në ujë. Uji ishte qelibar. Balta e shkundur nga dora ime u tret në ujë, duke vizatuar figura ashtu si llumi i kafesë u fundos në zgavër. Për një çast i ngrita duart nga uji. Prita tharjen e ujit të llucës në rrugë. Nuk dukej të ishte ndotur më shumë. Ndofta edhe pastrohej vetë nga një gojë e madhe e vrimës së çanakut. I hoqa sandalet. Zhyta këmbët në ujë.

Më ler rehat, mos u merr me ujin. Hodha sytë rrotull. Ku je? Mos je frikacak, çfarë je? Tregoje veten. Duke thënë kështu, u futa në ujë gjer në gju. Më pas futa gjurin tjetër. Të thashë t’i rrije larg ujit. U ktheva nga vinte zëri, përgjova pyllin, Më trego rrugën. Nga njëra anë e imja uji po dallgëzonte. Pasi ndalova së ecuri në ujë, vijova të laja thembrat e këmbëve duke i fshirë njërën mbi tjetrën. Uji ishte kristal. Pas pak uji u qetësua. Zogjtë ishin ndryshe, më dukej sikur i kuptoja cicërimat e tyre. Nuk isha e huaj brenda këtij uji. U përkula mbi të duke pirë prej tij si një pjesë e pyllit, një midhje, a një zvarranik dhe pashë qiellin. Moti ishte kthjelluar. Qenka ditë e bukur, thashë. Koha nuk ishte ashtu siç i druhesha. Më pas, befas e pashë. Mu përballë meje, në kodrën e shtegut me baltë, po më shihte për herë të parë paksa e trembur një sorkadhe e urtë dhe e pashme. I shtriva krahët sërish në ujë. E pashë sërish shtegun. Kësaj here i ngjante një fëmije të egër të kësoanëve. Ngriti dorën, e cila i ngjante një shtize të gjatë, i zgjati gishtat përpara, zgjat e zgjat, mu si një armë majëmprehtë varur poshtë supit. Vetëm kur ndaloi, e kuptova se ky ishte krahu i fëmijës. Më tregonte ujin nga vendi ku ishte, brendinë e ujit. Dhe ai vetë atë kundronte.

Kafshët, pemët, toka ishin ngritur në nivel më të lartë. Nuk kisha frikë nga zhurma e pyllit brenda në ujë. Në pyll s’kishte vend për zëra të huaj. Më herët kisha filluar të ndieja një admirim të heshtur. Pa bërë zë, tunda kokën në të dyja anët, si për të thënë që nuk kuptoja. Ai më tregonte sërish brendinë e ujit me majën e gishtit tregues. Uji ishte i bardhë, qelibar, jeshilja e pyllit dhe bluja e qiellit që më kalonin përsipër dukeshin sikur kishin rënë brenda në atë enë. Në fillim pashë anën përballë meje të enës. Brenda saj ndriçonte shpati i shtegut të fëmijës.  Ndërsa në anën tjetër përbri çfarë nuk kishte. Majmunë që kacavirreshin nëpër pemë, milingona të bardha që i ngjiteshin pemëve si margaritarë, brumbuj, ketrushë që kërcejnë degë më degë. Në ujë pasqyrohej bluja e thellë e pyllit dhe jeshilja e xhunglës, e cila përzihej me të e bëhej e zezë pus si nata. Teksa përpiqesha të dalloja këto ngjyra prej njëra-tjetrës, nga ana e ujit përballë, u gjenda në vendin ku kisha qenë në fillim. E kishte ulur gishtin. Eca dhe pak në ujë. Përkula kokën përpara drejt gjunjëve të mi. Sakaq e kuptova atë që më kishte treguar. Brenda enës kishte një vajzë të vogël me sytë të qepur nga unë, mbi kokën e saj kishte zogj. Sa vjeç ishte? Ja, pikërisht në atë çast u kujtova se çfarë kërkonim. Një këngë. E kishim humbur të dyja. Duke qenë vetëm do ta gjenim. Ngrita kokën për të parë fëmijën. I zgjaste krahët drejt meje, isha në pyll, ajo ishte e urtë, njomzake, e mprehtë ishte shtiza që hodhi drejt meje, teksa më afrohej.

Shkëputur nga përmbledhja me tregime: “Përgjatë përroit”

SHEMBULL-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

SHEMBULL-Wislawa Szymborska

 

Shtrëngata

kësaj nate i shkuli gjithë gjethet e pemës,

la veç një

jetime

që të përkundet mbi degën e zhveshur.

 

Përmes këtij shembulli

forca brutale kumton

se ndonjëherë, pse jo, edhe ajo

ka të drejtën të bëjë një dorë gallatë.

 

Përktheu: Alket Çani

1 124 125 126 127 128 190
Go to Top