Një librari në Paris, ku mund të jetoni

in Libraria në rrugën 84 by

 

Një librari magjike ose më tepër magjepsëse, në Paris, ka diçka përrallore e të çuditshme. Diçka që e mban të gjallë dhe unike nga të tjerat!
Shakespeare and Company është një librari e specializuar në libra në gjuhën angleze. Ndodhet në zemër të Parisit, në bulevardin Saint Michel. Më shumë të kujton një dyqan relikesh, kurse përreth teje sheh libra të vjetër të çmuar. Vitrinat e saj janë plot me libra të lidhur me lëkurë dhe korniza barok me detaje të arta. Kur hyni, shfaqen shkallë pafund, që arrijnë deri në tavan.
Pse është unike? Çfarë ka të veçantë, që bën kaq shumë përshtypje?


Kjo librari në Paris nuk është si të tjerat!
Mund të qëndroni atje deri në 11 të natës çdo ditë. Ulëse prej kadifeje dhe lëkure, gjenden në ambientet, por edhe një shtrat në katin e parë, ku shumë udhëtarë mund të gjejnë strehim, të cilët mund të jetojnë aty për një periudhë, me dy kushte:
Të lexojnë një libër në ditë.
Të punojnë në dyqan dy ditë në javë.
Shakespeare dhe Company frekuentohet nga shumë anglishtfolës, shumë studentë, por edhe njerëz kureshtarë nga e gjithë bota. Disa jetojnë atje për disa ditë me sleeping bags-at e tyre, studentë australianë, vjenezë, kanadezë të Shkollës së Arteve të Bukura.
Heshtja e plotë që mbizotëron në hapësirat e saj, ​​pavarësisht vizitorëve, është një tjetër element i mrekullueshëm. Mund të dëgjoni vetëm tingullin e shkallëve prej druri që vazhdimisht dikush i ngjit.
Në verë, nxirren karrige metalike në trotuar, nën pemë, me pamje nga Notre Dame e Parisit.


Por magjia nuk ndalet këtu …
Nëse koha kur lexoni një libër ju frymëzon të shkruani, ka makina shkrimi kudo!
Çdo dhomë në librari është si një kapitull romani. Midis rafteve të librave, mbin dhe një piano dhe në mure ka afreske për fëmijë, të tilla si “Liza në Botën e Çudirave”, dhe “Princi i Vogël”.

Si u krijua libraria magjike në Paris?

Kjo librari ishte qendra e kulturës anglo-amerikane në Paris në periudhë mes dy luftërave. Aventura e saj filloi në vitin 1919, kur amerikania Sylvia Beach e hapi diku tjetër. U bë menjëherë qendra e të ashtuquajturës “gjeneratë e humbur” të Ernest Hemingway-t, Ezra Pound-it, Scott Fitzgerald-it, Gertrude Stein-it dhe James Joyce-it. Shakespeare and Company, si dhe të gjithë ata që e frekuentojnë, përmenden vazhdimisht në librin e Hemingway-t: “Parisi është një Festë”. Klientët mund të blinin dhe të huazonin libra.
E para “Shakespeare and Company” u mbyll në Dhjetor të vutit 1941, kur forcat e Boshtit pushtuan Francën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dyqani u mbyll sepse Sylvia Beach nuk pranoi të shiste kopjen e fundit të “Finnegans Wake” të Joyce-it te një oficer gjerman.
Më 1951, një tjetër librari anglishtfolëse u hap në Paris nën emrin “Le Mistral” në 37 rue de la Bûcherie, nga amerikani George Whitman, dhe shpejt u bë qendra e jetës letrare në Paris. Kur Sylvia Beach vdiq në vitin 1962, emri i kësaj librarie u bë Shakespeare and Company.
Çfarë ka thënë shkrimtari Jeremy Mercer:
“George Whitman ka ruajtur për pesëdhjetë vite atë që e quan, “utopi socialiste”, të përfaqësuar nga libraria. Dyqani i tij ka qenë një qendër letrare për vite me rradhë, duke tërhequr njerëz si Henry Miller, Richard Wright dhe William Borough. Më e rëndësishmja është se George i fton njerëzit të jetojnë në librari. Përfytyroni, më shumë se 40,000 njerëz kanë fjetur aty, në një nga 13 shtretërit që gjenden në ambientet e saj, midis librave. E vetmja gjë që kërkon është që të shtroni shtratin në mëngjes, të ndihmoni pak në librari dhe të lexoni një libër në ditë. Kam jetuar në këtë vend për pesë muaj dhe u frymëzova për librin tim”.
Vajza e George Whitman, Sylvia, mori në dorëzim librarinë në vitin 2001 dhe i dha frymë të re duke organizuar shumë ngjarje kulturore dhe letrare. Një rregull nuk është thyer kurrë: Të qëndrojnë për disa net shkrimtarët, studentët ose artistët në Shakespeare and Company. 

Përktheu: Shpendi Shakaj 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Libraria në rrugën 84

Go to Top