Libraria “Acqua Alta”: Libraria më e bukur në Venecia që gjendet pranë ujt.
Një nga libraritë më autentike në botë gjendet në Venecia. Libraria Acqua Alta në Calle Lunga Santa Maria Formosa është ndoshta i vetmi vend në botë ku mund të gjejmë një përzgjedhje të madhe librash të rinj dhe të përdorur, mbase mbi mobiljet më të çuditshme; gondola, anije, barka, kajak dhe çdo gjë tjetër që mund të imagjinojë dikush. Dhe librat nuk janë aty vetëm për t’u blerë dhe shfletuar, por janë bërë pjesë e dekorit.
Enciklopedi të vjetra, ato që tashmë askush nuk i blen, janë shndërruar në shkallë dhe mbulojnë muret e jashtme, oborrit, duke krijuar sipërfaqe shumëngjyrëshe. Luigi Frizzo, pronari i sjellshëm i Libreria Acqua Alta, hapi këtë dyqan magjepsës 10 vite më parë dhe gradualisht pati sukses, vlerësohet shumë si nga venedikasit po ashtu dhe nga turistët, veçanërisht nga miqtë e librit.
Sigurisht, atmosfera dhe klima kontribuojnë për t’i dhënë vendit një karakter misterioz, por koleksioni i madh i librave në të gjitha gjuhët sigurisht që luan rolin e tij. Rreth 60% e librave janë të rinj. Në dhomën e parë, mund të gjeni shumë tekste të lidhura me vetë Venecian, por edhe libra rreth artit dhe kinematografisë, sportit dhe ushqimit, por dhe muzikës. Dhoma tjetër është e mbushur me komikë dhe bestseller. Duke vështruar “raftet”, ndeshesh diku me mace dembele dhe të përkëdhelura që kanë gjetur në mesin e librave vendin e përkryer për të fjetur. Mbresëlënëse është se nga porta mund të shihet një nga shumë kanalet e Venecias dhe gondolat me turistë që përshëndesin vizitorët e librarisë. Dyqani unik gjendet buzë ujit, por kur kanalet fryhen dhe niveli i ujit rritet, uji vërshon në librari. Në raste ekstreme, punëtorët janë përpjekur për t’i shpëtuar librat në nivele të ulëta, duke i vënë brenda në vaska dhe gondola. Libreria Acqua Alta është padyshim një bibliotekë e veçantë dhe përbën një eksperiencë unike për vizitorët e Venecias dhe veçanërisht miqtë e librit.
Përktheu: Shpendi Shakaj