“Biblotekat Lëvizëse” në Amerikën e viteve 30-të

in Letërsi/Libraria në rrugën 84 by

Gratë përshkonin distanca të mëdha me kuaj dhe mushka për shpërndarjen e librave për banorët në zonat e largëta

Në Amerikën e viteve 30-të, njerëzit që jetonin në fshatrat e largëta kishin pak qasje në punësim, por dhe në arsim për fëmijët e tyre. Në Kentaki ekzistonin shumë komunitete të tilla të izoluara dhe banorët kishin vetëm një mundësi për të njohur librat: bibliotekarët me kuaj.

Presidenti Roosevelt përpiqej të gjente një mënyrë për të zgjidhur problemin, në mes të Depresionit të Madh. Organizata që krijoi për këtë punë, hartoi një program për shpërndarjen e librave në këto zona në mënyrë që njerëzit të arsimoheshin dhe të kishin më shumë shanse për të gjetur një punë. Për shpërndarjen u punësuan gra të cilat paguheshin 28 dollarë në muaj. Puna e tyre nuk ishte e lehtë. Mbi një kalë ose një mushkë, duhej të udhëtonin deri në 120 milje në një javë të caktuar, çdo muaj, edhe nëse moti nuk ishte i mirë. Duhej të kalonin nëpër male, madje dhe me borë, të përshkonin lumenj dhe zona me baltë për të arritur destinacionin e tyre dhe për t’u ofruar librat banorëve të etur për arsimim.

Kishte raste që duhej të përshkonin distanca të gjata në këmbë, duke mbajtur barrën e rëndë, nëse destinacioni i tyre ishte shumë i largët dhe i “vështirë” për kafshët e tyre. Në shumë raste kuajt apo mushkat nuk duronin gjatë rrugës dhe gratë i transportonin vetë librat në fshatra.

Në një javë të caktuar të muajit duhej të arrinin në fshatrat e largëta edhe nëse koha nuk ishte e mirë. Librat u jepeshin shtëpive ose njësive shkollore apo bibliotekave të cilat ishin bosh. Gjithsej përfituesit e librave ishin 100,000 njerëz në fshatra të ndryshëm që shërbeheshin nga 30 biblioteka lëvizëse.

Çdo muaj, gratë mblidheshin në “selinë” e tyre dhe vendosnin se cilat libra duhej të shkonin dhe për cilin fshat. Kur kalonte muaji, merrnin librat që kishin dhënë për t’i shpënë diku tjetër dhe u jepnin hua të reja. Banorët i prisnin me padurim. Kur  mbërrinin, fëmijët kryesisht vraponin drejt tyre duke bërtitur “Më jep një libër ta lexoj”.

Të rriturit interesoheshin më shumë për libra me interes historik ose fetar si dhe biografikë. Përveç librave, gratë shpërndanin gazeta dhe revista. Por atë që kërkonin më shumë ishte Bibla.

Libra të tjerë të njohur ishin Robinson Crusoe dhe literatura e Mark Twain. Gratë e fshatit shfaqnin preferencë për revistat dhe librat e gatimit. Bibliotekaret me kuaj jo vetëm që dorëzonin librat, por në shumë raste u mësonin dhe lexim.

Ishte e vështirë derisa banorët, të cilët ishin të kujdesshëm ndaj atyre që vinin nga larg, u mësuan me to. Ato u bënë aq të domosdoshme saqë një familje nuk pranoi të shpërngulej në një qark tjetër për shkak se nuk kishte një shërbim të tillë.

Programi përfundoi në vitin 1943 kur organizata që “lindi këtë ide” ndaloi financimin e tij. Komunitetet lokale u përpoqën të mbanin bibliotekat, por nuk ishin në gjendje të vazhdonin pa fonde.

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top