Tre tregime nga GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ

VDEKJA NË SAMARË

Shërbëtori, i tmerruar, shkon me vrap te shtëpia e pronarit të vet.

– Zotëri! – i drejtohet duke iu dridhur buza. – Pashë vdekjen te tregu dhe më bëri një shenjë kërcënimi.

Pronari i dha një kalë, para, dhe i thotë:

– Mbathja, o burrë, për në Samarë.

Dhe shërbëtori, sakaq, u nis.

Po atë ditë, pasdite, pronari takon vdekjen në treg dhe e pyet:

– A është e vërtetë se i ke bërë shenjë kërcënimi shërbëtorit tim, sot në mëngjes?

– Nuk ishte shenjë kërcënimi, – iu përgjigj vdekja, veç se u habita, kur e pashë këtu, ngaqë unë e prisja shumë larg prej këtu, në Samarë. Sepse prej andej duhet ta marr, sot, deri në mbrëmje.

___

DRAMA E ZHGËNJIMIT

…drama e zhgënjimit ishte se u hodh në rrugë që nga kati i dhjetë dhe, duke rënë, përmes dritareve pa intimitete të fqinjëve, si tragjedi të vogla familjare, dashuri të fshehta, çaste të shkurtra lumturie, gjëra për të cilat askush nuk kish folur kurrë nëpër shkallët e përbashkëta, prandaj, në çastin që u përplas në çimenton e rrugës, e kishte ndryshuar plotësisht mendimin e tij për botën dhe kishte mbërritur në përfundimin se kjo jetë që po braktiste përgjithmonë nga një derë e gënjeshtërt ia vlente të jetohej.

___

USHTARI I GJYMTUAR

Një ushtar argjentinas, i cili, pas mbarimit të luftës, po kthehej nga ishujt Malvine, mori në telefon të ëmën, në Buenos Aires, që nga Regjimenti I i Palermos dhe i kërkoi leje, nëse mund të sillte në shtëpi një shokun e tij të gjymtuar, pasi familja e tij jetonte në një vend të largët. I tha se bëhej fjalë për një rekrut 19 vjeçar, i cili kishte humbur në luftë një këmbë, një krah dhe të dy sytë.

Nëna, edhe pse e lumtur se i biri po kthehej shëndosh e mirë, e tmerruar, iu përgjigj se nuk mund të duronte dot duke parë një gjymtim të tillë, prandaj nuk duhej ta sillte shokun e tij në shtëpi.

Atëherë djali e mbylli telefonin dhe vrau veten.

Përktheu: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top