Goli Otok-Dragoslav Mihailović

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Dragoslav Mihailović (1930 – )

Shkrimtari serb Dragoslav Mihailović, në kohën e ndarjes së Titos me Bashkimin Sovjetik në 1948,, u internua në Goli Otok dy vjet më pas si simpatizant i Sovjetëve. Mihailović kaloi dy vjet në Goli Otok dhe në vitin 1990 ishte autor i i librit me titullin “Goli Otok,” një roman dokumetar mbështetur  në  intervista për jetën në burg. “Goli otok” njihet si një nga librat më të zymtë të shkruar për ishullin-kamp të të burgosurve gjatë regjimit të Titos. Më 21 Prill, 2014, Dragoslav Mihailović, hapi ekspozitën “Në emër të popullit”, e cila dokumentonte krimet e kryera nga regjimi jugosllav nga viti 1944-1953, krime të motivuara ideologjikisht, të kryera nga komunistët në Jugosllavi; terrorin revolucionar, gjyqet politike, kampet e përqendrimit, kolektivizimin dhe shtypjen. Kjo ekspozitë u shoqërua nga protesta e një grupi të ashtuquajturish anëtarë të rinisë komuniste.

“I bëj thirrje të gjithëve të vijnë dhe të shohin se çfarë krimi ka bërë njeriu dhe çfarë është në gjendje të bëjë”, deklaroi Mihajlovic.

Fragmenti është shkëputur nga “Goli Otik (Beograd, 1990), dhe është përkthyer në anglisht nga serbishtja nga Harold B. Segel.

 Goli Otok

“Nga janë këta njerëz? Po ethet e tifos ia behën? Ia beh nga s’ta merr mendja. Pastaj ia beh UDB-ja atje në kamp, dihet, bën kontroll. Mbërritën edhe këtu, nga Beogradi. Dhe tani miqtë e mi po thonë: “’Ethet e tifos në Goli Otok! E sheh, për hir të Zotit, Nikola ynë. Megjithatë është ai që e ka kuptuar mirë. A s’e kuptoni? Dhe pastaj mbërriti [Dr. Jovan] Bijelić, ai që ka qenë doktori i Titos. Ishte i lidhur me mua në parti, me të vërtetë njeri i ndershëm. Ai erdhi në Goli? Po, ai vjen tek unë, dhe më thotë… Erdhën ata në kamp apo të thirrën të shkosh atje? Jo, jo, më thirrën atje, me urdhër. “Zoti qoftë me ty”, thotë ai. Ja pra, e shihni, po ju them të vërtetën, ne menduam se ju shembëm karriget. A s’e shihni atë që kemi gjetur? Eh, pastaj jeta u ndalua, këtu, atje…

Ishte Prill i vitit 1951. I gjithë kampi u shpall se do të hynte në karantinë për dhjetë ditë. Jo, çfarë doni të thoni me dhjetë ditë, ajo zgjati dy muaj. Dua të them, gjithçka u mbyll për dhjetë ditë. Po, e di këtë. Sidoqoftë, izolim. Dhe pastaj u vaksinuam. Të gjithë u vaksinuan… Por gjatë asaj kohe njerëzit tashmë po vdisnin… të gjithë në të njëjtën kohë. Kush kishte bërë një vit këtu,  jepte shpirt, e di. Nuk mbijetonte dot. Dyqind e tridhjetë të vdekur. Sa njerëz vdiqën nga kjo epidemi? Mendoj rreth dyqind e tridhjetë…  Kisha një dhomë këtu. Një morg… Dyqind e tridhjetë? Po, po. Vetëm nga ethet e tifos? Po. Si mendon se u shfaqën ethet? Dikush duhet të ketë pasur morra të infektuara. Kështu mendon? Po, po, kjo është. Ose ndoshta një agjent i shërbimit sekret, e ke parasysh. Anglez ose amerikan, ma kupton ku e kam fjalën. I infiltruar aty. Por si mund të hyjnë atje? Ah, s’merrke vesh fare, kanë spiunë, sa të duash! Në përgjithësi këtu nuk mund ta dish kush është spiun e kush jo. Por, mor burrë, ti je me të vërtetë i çuditshëm! Desha të të tregoj diçka. Një herë moti, një ish-politikan i nivelit të mesëm i kishte thënë një mikut tim në mirëbesim sesi ethet e tifos mund të jenë përhapur në të gjithë botën, qëllimisht, ngaqë UDB-ja….

Përktheu: Granit Zela

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top