Author

Admin - page 76

Admin has 1899 articles published.

Udhëtimi i fundit-Marie Phillips

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Marie Phillips

Diku thellë në barkun e nëntokës, si një gjarpër vdekjeprurës me ujrat sterrë të zeza, por të shkëlqyera, si luspore, gjarpëronte ngadalë lumi Stiks. Era e rëndë e squfurit e kish mbingopur atmosferën dhe kudo mbretëronte errësira e thellë, e cila oshëtinte prej vajit të shpirtrave të dënuar, atyre që s’ishin në gjendje të paguanin të vetmen monedhë të kërkuar nga vozitësi Karon, monedhë të cilën ai ua nxirrte nga goja udhëtarëve të tij me gishtin e trashë e të shtrembër.

Zonja Ruth Langley nga Basingstoke, Britania e Madhe, e vdekur së fundmi në moshën 83-vjeçare nga një goditje në tru, ndërsa shpluhuroste koleksionin e burrit të saj, modele në miniaturë të aeroplanëve luftarakë, mendonte se rremat e Karonit e vozitnin barkën, ashtu siç një një mackë pi qumështin, duke lëpirë, llup-llup.

Zonja Langley kurrë s’kish pasur një mace e lëre më pastaj të dëgjonte se si ajo pinte. I shoqi i kishte alergji.

Zonja Langley besonte se ishte gati për këtë udhëtim. Kishte qenë e para në varkë, duke zënë vendin e parë në pjesën e përparme, pranë vozitësit misterioz, një gjigant kaba me vetulla të ngrysura e sy gjymë të mbyllur, të fiksuar në horizont.

Ajo mendonte se ai ndihej paksa i shqetësuar, “A nuk është e këndshme kjo gjë?”, e pyeti “Gjithmonë kam dashur të shkoj në një udhëtim me anije.” Karoni nuk tha asgjë. “Në Mesdhe apo në ishujt Grekë. Sigurisht që ju dini gjithçka rreth tyre. A janë të mrekullueshëm ashtu siç flitet?” Karoni nuk tha asgjë.

“Gjithmonë e imagjinoja veten duke bërë banjo dielli në kuvertë, ndërsa një kamerier i pashëm më sillte gota me amaretto. Pyes veten. ç’shije vallë të ketë amaretto? E keni provuar? Tingëllon kaq romantike, a-m-a-r-e-t-t-o. Mendoj se do të kem shumë raste për të provuar pije të reja sapo të arrijmë atje.” Karoni nuk tha asgjë.

“Shiko, burri im i urren barkat. Oh, po me këtë nuk dua të ofendoj. Jam i sigurt se kur t’i vijë ora, ai do të mendojë që ky udhëtim është i bukur.” Ajo hodhi një vështrim prapa, te të vdekshmit e kruspulluar që qanin, me dënesa dhe rënkime, duke u shtrënguar me njëri-tjetrin në dëshpërim, pastaj u kthye drejt mikpritësit të saj.

“Në të vërtetë, problemi i tij është se e zë deti. Por ky udhëtim është shumë i qetë. Ju keni një teknikë të mrekullueshme. Duhet të jeni shumë krenar për këtë.” Karoni nuk tha asgjë.

“A nuk është emocionues takimi me të gjithë njerëzit e famshëm? Patjetër duhet të jetë. A keni folur me Princeshën Diana? Si ishte ajo? Gjithmonë kam menduar se dukej kaq e zemërdhembshur, njësoj si Nënë Tereza, po elegante.” Karoni nuk tha asgjë.

“E dini se ç’mendoj unë që diçka është vërtet e bukur? Nuk ka lidhje me klasin e parë. Ne realisht jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Por asnjëherë nuk e dimë se kush mund të ulet pranë, megjithëse, mesa duket, askush i famshëm s’paska vdek sot. Shiko, nuk po ankohem se vërtet jam shumë e lumtur këtu, vetëm me ty.” Karoni nuk tha asgjë.

Zonja Langley ia nguli sytë territ. Papritur ngërtheu fort duart në prehër, aty ku duhej të ishte çanta. “Nuk besoj,” tha ajo, “se ju kujtohet një burrë i quajtur Xhoni Farmer? Me gjatësi mesatare, gjysmë bjond, vdiq në vitin 1994 pasi u godit nga një autobus  Bëri bujë në gazetën lokale.

Kur isha vajzë e re, më çonte për të kërcyer. Më bënte të qeshja, më mbante në pëllëmbë të dorës. Donte të martohej me mua, por unë mendoja se isha ende e re për martesë. Gjithsesi e kam pyetur veten vazhdimisht, po sikur? Kështu që mendoj se ndoshta nëse më zbret atje ku është ai… Oh, po sigurisht që ai e vazhdoi jetën e tij dhe u martua. Por gruaja e tij, Linda, është ende gjallë.

Unë pastaj u martova me një inxhinier softuerësh nga Penzance. Një djalë më i ri se unë në moshë. Prandaj, burri im nuk është këtu, ende jo, por do të vijë shumë shpejt. Ai me siguri që po e shijon heshtjen atje lart. Haha. Gjithmonë më thosh se flas shumë. Por ai më do. Mendoj se gjithçka do të jetë shumë e ndërlikuar këtu. Eh, dashuria.” Karoni nuk tha asgjë.

“Ndoshta Xhoni s’do m’i hidhte sytë. Tani unë jam një grua e moshuar.” Karoni nuk tha asgjë. Zonja Langley ngriti sytë drejt barkëtarit. Kishte diçka kaq dinjitoze në qëndrimin e tij, në mënyrën e paepur sesi voziste përpara.”Jeni një dëgjues shumë i mirë”, i tha ajo.

Karoni u kthye drejt saj. Gruaja fliste. Të gjithë e bënin. Në çdo udhëtim, pa asnjë përjashtim. Sapo një shpirt shkëputej nga grupi i të vdekshmëve, lidhej me të dhe fillonte dërdëllitjet. Dhe kjo nuk ndryshonte kurrë.

Sigurisht që si të vdekshëm ata ishin të ndryshëm, por sa të ndryshëm mund të ishin në të vërtetë? Ishte e njëjta gjë si me një tufë minjsh. Mbase mund t’i dallosh nëse i sheh nga shumë afër, por kush dëshiron ta bëjë këtë?

Gruaja fliste. Shumicën e rasteve ata i luteshin e përgjëroheshin. Ishin shumë të dëshpëruar e donin të ktheheshin me patjetër në atë gjënë që ata e quanin jetë. Nuk e kishin kuptuar ende, që të paktën jeta, apo ekzistenca, do të ishte e vetmja gjë që do ta kishin me bollëk. Në fakt, për gjithë përjetësinë.

Nëse do të ndihej ndonjëherë i prirur të fliste, Karoni kishte ca gjëra për të thënë për temën e jetës së përjetshme. Pikërisht sepse ajo ishte shumë e gjatë. Po ai nuk ndihej i gatshëm të fliste. E me kë të fliste pastaj? Me minjtë?

Gruaja fliste. Dashuria ishte gjëja tjetër për të cilën ata kurrë se mbyllnin gojën. Secili prej tyre mendonte se dashuria e tyre është kaq e veçantë, kaq unike, saqë ajo kurrë s’do të vdiste. Sigurisht ata do ta merrin edhe mësimin për dashurinë e pavdekshme.

Jo më kot ekzistonte arsyeja pse perënditë specializoheshin në pasionet kalimtare që djegin shumë dhe shpejt dhe, që zakonisht përfundonin me personin tjetër të kthyer në kafshë.

Po ndoshta nuk do të ishte aq keq, të kishe një shok/bashkëudhëtar. Një prezencë të qetë, të heshtur, në këtë vorbull dërdëllitjesh të pakuptueshme të të vdekmëve, dikë që të ndaje netët e gjata, rrëshkitjen e ëmbël të varkës në ujë, përqafimin e kadifenjtë të errësirës, muzikën e ëmbël të shpirtrave të braktisur që dënesnin në mjerim.

Ca fjalë të gruas pluskuan në ajër. “Më bënte të qeshja, më mbante për dore”. Dora e Karonit kishte kaq shumë kallo prej përdorimit të rremave, saqë ngjante si gur. Dikush ta mbante për dore… Po, edhe mund ta shihte të dobishme këtë.

“Jeni një dëgjues shumë i mirë”, i tha ajo. Ai e pa me përçmim; e vogël, i brishtë, me flokët e gufuara, një përpjekje mjerane për tu zbukuruar. Sytë e hapur në kërkim të tijve, buzët paksa të hapura.

Ai e kapi butësisht nga mjekra, ia futi gishtin në gojë dhe e rrotulloi rreth e qark. Nuk kish asnjë monedhë. E hodhi në ujë. Kishte shumë kohë që asnjë nuk e kish monedhën në gojë, por prapë se prapë, ai duhej të kontrollonte.
Pastaj ngriti dorën dhe ia bëri me shenjë të vdekmit tjetër përpara tij…

Përktheu: Meli Ajazi

POETIT KOSTANDIN KAVAFIS-Dora MANATAQI 

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

POETIT KOSTANDIN KAVAFIS-Dora MANATAQI 

 

U struk pasioni në rropullitë e tua
Dhe doli si një muzikë e një bilbili ëmbëlak
Si portreti i një piktori që ngadalë
Me penela perceptimin e tij plotëson.
Pika të hidhëta si helm
La pena jote mbi letër
Përballë vogëlsive të njerëzve
Ku u fshi çdo epërsi, moment i hareshëm
Veç i dhimbshëm, sido që duke bërë sarkazëm.
Nuk e humbe kurrë qëllimin tënd të vetëm
Tejmëshimin e përhershëm me stoicizëm
Në të pavdirë dhe të pavdekshëm të bukur shpirtëror
Për një Itakë rrugën tonë hape
Duke e bërë me fjalët e tua të bukur udhëtimin
Kërkimet dhe vendmbërritjen.
Ku fitimi i këtij udhëtimi dhe pasuria e tij
Është përvoja që të jep
Në pavdekësinë e faqeve mbeti emir yt
Emri yt dhe fjala jote e plotë
Që mbarsi dukshëm shpirtin tënd
Dyshimi filozofik dhe
dhimbja jote e fshehtë.

 

Përktheu: Dashamir Malo

Kujtime të pamëshirshme-Yehuda Amichai

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kujtime të pamëshirshme-Yehuda Amichai:

 

Këto ditë mendoj për erën në flokët e tu
dhe për vitet në këtë botë që paraprinë ardhjen tënde
dhe për përjetësinë ku para teje do të shkoj;
dhe mendoj për plumbat që nuk më vranë në betejë
por vranë miqtë e mi –

me të mirë se unë ata ishin, sepse
ata nuk jetojnë më;
dhe mendoj për ty që rri zhveshur në furrnajën e verës,
përkulur mbi një libër, që të lexosh më mirë
në dritën e ditës që po shuhet.

Po, kem’ jetuar më shumë se një jetë,
Dhe tani duhet ta peshojmë çdo gjë në peshoren e ëndrrave
dhe t’paqtojmë
kujtimet e pamëshirshme
me atë çka njëherë qe e sotme.

 

Përktheu: Lazër Stani

Ora e kuzhinës-Wolfgang Borchert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Wolfgang Borchert

1947

Ata e panë nga larg, teksa vinin drejt tij, sepse ai kishte mbetur atje. Kishte një fytyrë shumë të plakur, por kur u afrua, dalluan se në të vërtetë ai ishte vetëm rreth të njëzetave.
Bashkë me fytyrën e tij të plakur, ai u ul pranë tyre në stol. Dhe pastaj u tregoi se çfarë kishte në dorë. “Ishte ora e kuzhinës sonë”, tha ai dhe i vështroi ata të gjithë, njëri pas tjetrit, siç ishin të ulur në stol, në diell. “Po, e gjeta. Është ende këtu.”
Ai mbante një orë kuzhine të rrumbullakët të bardhë prej porcelani dhe çiku me gishta numrat ngjyrë blu.
“Nuk punon tani”, tha ai në mënyrë shfajësuese, “E di edhe këtë. Dhe, po ashtu nuk është edhe aq tërheqëse. Është mu si një pjatë, me shkëlqimin e saj të thjeshtë e të bardhë. Por numrat blu ende duken shumë bukur, mendoj. Akrepat janë, natyrisht, thjesht ca kunja të ashpra kallaji. Dhe përveç kësaj, tani nuk punojnë më. Jo, nuk punojnë. Brenda është e prishur, kjo është e sigurt. Por ngjan ende si atëherë. Edhe pse nuk punon më.”
Me majën e gishtit ai bëri kujdesshëm një rreth në fushën e orës. Dhe tha ngadalë: “Dhe ja, kjo është çfarë ka mbetur.”
Ata qëndronin ulur në stol, në diell, nuk shihnin nga ai. Njëri prej tyre ua nguli sytë këpucëve të veta dhe gruaja shihte karrocën e fëmijës. Pastaj dikush tha:
“Atëherë ju keni humbur gjithçka. Kështu?”
“Po, po”, tha ai mençurisht, “thjesht mendoni, absolutisht gjithçka! Vetëm kjo këtu, vetëm kjo më ka mbetur.” Dhe e ngriti sërish orën, sikur të tjerët të mos dinin gjë ende.
“Por ajo nuk punon më”, tha gruaja.
“Jo, jo, jo se nuk e di. Është prishur, sigurisht që e di. Por nga ana tjetër, është ende krejtësisht ashtu siç ka qenë gjithmonë; e bardhë dhe blu.” Dhe përsëri ua tregoi orën. “Dhe gjënë më të bukur”, vazhdoi ai i emocionuar, “Nuk jua kam shpjeguar akoma. Gjëja më e bukur është, domethënë: thjesht mendoni, ajo ndali në orën dy e gjysmë! Nga të gjitha orët e mundshme, thjesht mendoni, pikërisht mu në dy e gjysmë!”
“Atëherë, është e siguri që shtëpia juaj është bombarduar në orën dy e gjysmë”, tha burri dhe nxori buzën e poshtme, duke marrë një pozë prej të rëndësishmi. “Kam dëgjuar shpesh për këtë. Kur bien bomba, orët ndalojnë. Kjo vjen nga presioni.”
Tjetri pa orën e tij dhe tundi kokën me habi. “Jo, i nderuar zotëri, jo, e keni gabim. Kjo nuk ka lidhje me bombat. Nuk është e nevojshme që të flisni gjithmonë për bomba. Jo. Në orën dy e gjysmë ndodhi diçka krejt tjetër, vetëm se ju nuk e dini. Është vërtet i çuditshëm fakti që ajo ndaloi pikërisht në dy e gjysmë dhe jo në katër pa çerek apo shtatë. Domethënë, në shtëpi vija gjithmonë në orën dy e gjysmë. Natën, dua të them. Pothuajse gjithmonë në dy e gjysmë. Çfarë shakaje!”
Ai vështroi të tjerët, por ata i kishin hequr sytë prej tij. Ai nuk mundej ta ndeshte vështrimin e tyre. Kështu që vari kryet mbi orën e tij: “Atëherë unë isha, natyrisht, i uritur, apo jo? Dhe gjithmonë shkoja drejt e në kuzhinë. Atje thuajse gjithmonë ishte ora dy gjysmë. Dhe pastaj… pastaj… fakti është se hynte nëna ime. Unë do ta hapja derën gjithmonë pa bërë zhurmë, por ajo përherë do më dëgjonte. Dhe ndërsa unë do kërkoja diçka për të ngrënë në kuzhinën e errët, papritmas drita do të ndizej. Pastaj ajo qëndronte atje, me xhaketën e saj të leshtë dhe shallin e kuq. Dhe zbathur – gjithmonë këmbëzbathur. E mbaj mend që kuzhina jonë ishte e shtruar me pllaka. Dhe ajo do t’i picërronte sytë, sepse drita ishte shumë e fortë. Ajo sapo duhej të kishte rënë për të fjetur. Në fund të fundit, ishte natë.”
“Sa vonë, përsëri”, thoshte pastaj. Ajo asnjëherë nuk thoshte më shumë se: “Sa vonë, përsëri”. Dhe më pas më përgatiste pak darkë të ngrohtë dhe më vështronte teksa haja. Ashtu siç bënte gjithmonë, duke fërkuar këmbët me njëra-tjetrën, sepse pllakat e dyshemesë ishin shumë të ftohta. Ajo kurrë nuk vishte këpucë netëve. Dhe ulej për një kohë të gjatë me mua, derisa unë ngopesha. E pastaj e dëgjoja duke hequr pjatat, ndërkohë që unë kisha shkuar tashmë në dhomën time dhe kisha fikur dritën. Kjo ndodhte çdo natë. Dhe kryesisht, gjithmonë në orën dy e gjysmë. Sigurisht, e dija që kjo ishte e gjithë çështja; ajo më gatuante ushqim në orën dy e gjysmë të natës në kuzhinë. E merrja krejt të mirëqenë. Ajo gjithmonë e bënte këtë. Dhe nuk thoshte asgjë tjetër përveçse: “Sa vonë përsëri”. Por ajo e thoshte këtë përherë. Dhe unë mendoja se kjo nuk do të mbaronte kurrë. Ishte aq e qartë, ishte normale kjo për mua. E gjitha ka qenë përherë kështu.”
Për një çast të gjatë u bë krejtësisht heshtje në stol. Pastaj ai tha ngadalë: “Dhe tani?” Ai pa nga të tjerët. Por në të vërtetë nuk mundej t’i gjente. Pastaj i tha ngadalë orës, mu në fytyrën e saj të rrumbullakët, bardhë e blu: “Tani. Tani unë e di që ishte ajo parajsa. Ajo vërtet ishte parajsa.”
Kishte rënë heshtja, të gjithë ishin ende në stol. Pastaj gruaja pyeti: “Po familja juaj?” Ai buzëqeshi i mërzitur duke parë nga njëri tek tjetri. Por ata nuk po e shihnin.
Kur e ngriti përsëri orën lart, qeshi. Ai qeshi: “Vetëm kjo këtu. Kjo më ka mbetur. Dhe gjëja më e bukur është se ajo ndali; nga të gjitha orët e mundshme; mu në dy e gjysmë. Në orën dy e gjysmë, të të gjitha kohërave.”
Pastaj ai nuk tha gjë tjetër. Por kishte një fytyrë shumë të plakur. Dhe burri që qëndronte ulur pranë tij vështroi këpucët e veta. Por ai nuk po shihte këpucët e veta. Ai thjesht vazhdoi të mendohej për atë fjalën – për fjalën “parajsë”.

Përktheu: Arlinda Guma

SINDROMË-MARIO BENEDETTI

in Letërsi/Tharm by

SINDROMË -MARIO BENEDETTI

 

Pothuajse i kam ende të gjithë dhëmbët
po ashtu të gjithë flokët dhe fare pak thinja
ende mund të bëj dhe të zhbëj dashuri
dhe shkallët mund t’i ngjit dy nga dy,
mund të vrapoj dyzet metra pas autobusit
dhe nuk duhet të ndihem fare plak
por ajo që më mërzit është se më parë
këto gjëra nuk i kisha vënë re aspak.

 

Përktheu: Bajram Karabolli

Poezi nga Herman Çuka

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Herman Çuka

 


njëzet vjet, që shoh si rrjedh një lumë,
njëzet vjet, që flas e hesht me këtë lumë,
njëzet vjet, që e ndjek këtë lumë,
njëzet vjet, që jam si dashuri
e robëruar e këtij lumi,

kur e pyes se kur të vdes, a do t’ma marrë hirin tim mbi shpinë,
t’ma shpjerë në dashurin’ e tim Gjoli?

bëhet dhe më i heshtur e merr ngjyrë, si burrë plumbi.

Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Iva Çaushaj.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

    Përse shkruaj?

Kur mendoj për të bukurën, udhëtoj pas në kohë, në vitet e fëminisë. Letërsia, tok me artet, ishin gurë themeli. Ende të tillë janë, sepse edukimi i shpirtit me të bukurën, sikurse ka thënë Jeronim de Rada, është një punë e lodhshme sa vetë jeta.
Dëshiroj të rrëfej një histori. Një prej atyre përjetimesh që të mbesin brenda, megjithëse vitet kalojnë, sërish ua ndjen shijet dhe aromat të patjetërsuara në kohë.

* * *
Duhet të kem qënë jo më shumë se dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe, kur në shtëpinë tonë vjen një dhuratë e pazakontë – një poster i kornizuar i dy duarve, të cilat rrekeshin të ceknin njëra-tjetrën në një prekje kurrëshlyer.
– Ah, prekja e Perëndisë! – më kujtohet ime gjyshe, tek pëshpëriste nën zë dhe, fill pas, bënte tri herë radhazi kryqin. Ndërsa, brenda meje, emocioni që shkaktonte fragmenti i duarve nuk mbruhej asfare prej ndjesive fetare, të cilat, ime gjyshe mundohej më kot të mi brendësonte e rrënjoste.
Në meshën e së dielës paradite ndihesha si e huaj. Më tepër miklohesha të kundroja siluetat e ngrefosura sesa të përfillesha se gjendesha në atë çka konsiderohej si shtëpia e Zotit. Besoj se atëkohë nisa të ndërtoja urat e komunikimit mes meje dhe Atij. I flisja shpesh, ulur në shtratin tim. Ai më dëgjonte, herë-herë edhe më ndihmonte.
Sot ndiej se si, e tillë përqasje ndaj besimit, ka ndikuar jo pak në lëvrimin dhe formimin e botës sime shpirtërore.
Fragmenti i duarve prej pikturës së Michelangelos në kupolën e Kapelës Sistina, “Krijimi i Adamit”, përshfaqej për çdo ditë mbi murin e dhomës së ndenjies, duke kënaqur çdo shqisë timen përmes harmonisë së formave, toneve dhe, asaj thuajse-prekjeje prej një bukurie tronditëse, praruar nën tisin e misterit. Kësisoj, nisa të mendoja për një bukuri, e cila shtrihej përtej bindjeve dhe etaloneve të kohës. E tillë bukuri më frymëzoi të perceptoja ndryshe, të hulumtoja në kërkim të një bote, e cila shpalosej përtej katër mureve të dhomës sime. Sa më shumë e zbuloja të bukurën, përmes librave, këngëve, artit dhe njerëzores, aq më shumë doja ta kisha pranë vetes, ta brendësoja, ta rrëfeja, ta shkruaja.

* * *
Shkrimet e para ishin emocione, përjetime, apo përshtjellime të moshës së adoleshencës, endur si tis i brishtë mes realitetit dhe imagjinatës, molepsur pashmangshmërisht prej dilemave moshore, herë-herë në zgrip të honeve përpirëse, të cilat, frymëmbajtur, lindnin pyetje shteruese si: “Përse ekzistoj?”, “Përse kam ardhur?”, “Ku do të shkoj?”.
Në kohë u rikthehem shkrimeve në fletët e ditarit. Ndonjëherë qeshem me veten. Të tjera herë gjej fragmente të mira, që lypin veç t’u përpunohet fjala, teksa ndjesia e shkrimit mbërrin e plotë. Këto janë çaste kur ndiej at’ lumturi të fshehtë të më ngërthejë së brendshmi.
Përmes shkrimeve të kahershme më kujtohet vetja si kam qënë, më kujtohet pjesa e rrugëtimit të përshkuar për të mbërritur këtu ku jam sot, por mbi të gjitha, gjej ende tharmin shpirtëror të mbruj çka dëshiroj të bëhem.
Nëse letërsia dhe artet ishin shkëndija, çka erdhi më pas në jetën time, si bekim apo vetëtimë në qiell të hapur, u shndërrua në tharm krijues, për të shkruar e rrëfyer trajtat e qenies sime, jo pak herë të lëna në mes, në turravrapin e ditëve… vargje të shkruara e të harruara aty-këtu ndër faqe librash, apo humbur ndër sirtarë kujtesash.
– Ti nuk shkruan aq sa dëshiron apo ke nevojë, – i them vetes trishtueshëm!
– Një ditë do të mund ta gjesh kohën ose ajo ty dhe do të shkruani më gjatë për njëra-tjetrën. Ndoshta, një ditë… – ma kthen vetja buzagaz.
Të shkruash është të bësh bashkë kujtimet, brengat, dhimbjet shteruese, humbjet, sikurse, çastet e lumturisë, njomur me lot gëzimi. Të shkruash është të mundësh të jetosh e të përjetosh fuqishëm e plotësisht ndjesitë, anipse emocionet e forta herë-herë mund të të shpien në zgrip të çmendurisë.
Të shkruash është të mundësh t’i bësh bashkë ditët e jetës sate dhe të krijosh formën më të brendshme shpirtërore e mendore, për ta risjellë përjetimin tënd me fuqinë që mbart fjala e shkruar.
Gjithmonë kam besuar se, çka e bën unik procesin e të shkruarit nuk është pikërisht ai çasti kur ti ulesh të shkruash. “Lexoni mijëra libra dhe fjalët do t’ju vërshojnë lumë”, do të këshillonte Virginia Woolf. Kësisoj, shumëkush mund të lexojë pafund e të trashëgojë një gjuhë letrare tejet të pasur. Mirëpo magjia e të shkruarit fshihet tjetërkund. Magjia e të shkruarit lind tek ato përjetime shkëndritëse, teksa muza të përshpërit në heshtje kaotike ndjesitë më të para, që presin ethshëm të ngjizen me fjalët.
Që në atë çast ti e di se diç ke krijuar. Ti e ndien së brendshmi se i gjithë universi në ato çaste të papërsëritshme është me ty dhe në ty.
Eugenio Montale thoshte se duhen vite për të mbledhur një grusht poezish, mandej, hedhja në letër është e rrufeshme, shpesh është punë minutash.

A është komedi? A është tragjedi?- Tomas Bernhard

in Letërsi/Tharm by

Tomas Bernhard

Kisha shumë javë pa shkuar në teatër, dje desha të shkoja, por nja dy orë para shfaqjes, ndërsa merresha me punë shkencore në shtëpinë time, mendova se ishte më mirë të hiqja dorë e të mos shkoja për hir të studimeve me temë mjekësore, të cilat duhej t’i kryeja, jo për prindërit, por për shkak të kokës sime të lodhur.
Ti ke tetë apo dhjetë javë pa shkelur në teatër, i thashë vetes dhe nuk vete se e përçmon teatrin, se i përçmon aktorët, se teatri nuk është gjë tjetër veçse një pafytyrësi e pabesi, e, meqë është i tillë, përse duhet teatri? Për të parë një shfaqje? E ç’ë, pastaj?
Ti e di që teatri është një gjë e pistë, thashë prapë me veten time, dhe ke ndër mend të shkruash një studim për teatrin që do të ishte një grusht për fytyrën e tij. Teatri s’përbëhet nga shfaqjet, aktorët, drejtuesit artistikë e të tjerë.
U vesha dhe dola në rrugë.
Më duhej një gjysmë ore për të mbërritur në teatër. Gjatë asaj gjysmë ore e kuptova se s’mund të shkoja në teatër dhe e kisha të ndaluar njëherë e përgjithmonë të shkoja në një shfaqje artistike.
I thashë vetes, po e shkrove studimin mbi teatrin, atëherë do të shkosh prapë, për të vërtetuar sa i saktë është traktati yt.
Më vinte plasja që kisha blerë biletë – blerë, jo falur – dhe isha menduar mjaft për të shkuar në teatër, të shikoja një shfaqje, të vrojtoja aktorët dhe sipas aktorëve, të gjykoja për një regjisor. Je veshur për të shkuar në teatër, i thashë vetes.
Studimi im ishte: “Një ditë në teatër”. “Përshkruhet mirë ajo që urren”, mendova. Studimi ishte ndarë në pesë, a më mirë, në shtatë pjesë dhe titulli i saktë është: Teatri… Teatri? Studimi im do të mbarojë së shpejti.
(Si ta shkruash, do ta djegësh. Ç’kuptim ka ta botosh? Do ta lexosh e do ta djegësh. Është qesharake ta botosh, është një orvajtje e dështuar!) Pjesa e parë flet për aktorët, pjesa e dytë po për aktorët, tek aktorët, pjesa e tretë për aktorët, tek aktorët, e aktorëve, e të tjera. Pjesa e katërt “Teoritë skenike”, e të tjera. Pjesa e mbrame: “Ç’është më në fund teatri?”
Me kësi mendimesh në kokë mbërrita në Folzgarten.
Ulem në një stol pranë shëtitores së qumështit, edhe pse në këtë stinë të vitit, të ulesh në një stol në Folzgarten është me rrezik të madh. I përqendruar, vrojtoj me kënaqësi kush hyn dhe si hyn në teatër.
Gëzohem që nuk po hyj.
Mendoj: të hyj, apo duke marrë parasysh varfërinë time, të shes biletën?
Hyr, i them vetes, dhe tek mendoj këtë gjë ndiej kënaqësinë më të madhe duke e shqyer biletën e teatrit me gishtin e madh dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë. Kësisoj më ngjan sikur po gris vetë teatrin.
Tani shfaqja ka filluar, besoj. Brof në këmbë dhe nisem pa humbur kohë për në qendër të qytetit. Kam ftohtë, s’kam ngrënë dhe kam një javë pa folur me kënd. Befas më mësyn një njeri. E dëgjoj, më pyet sa është ora dhe dëgjoj veten time duke vikatur:
“Tetë, shfaqja ka filluar!”
Kthehem dhe shikoj njeriun që më foli.
Është një gjataman thatanik.
Përveç tij s’ka njeri tjetër në Folzgarten.
Pastaj mendova: “S’kam gjë për të humbur.”
Më duket marrëzi ta shqiptoj me zë të lartë fjalinë: “S’kam gjë për të humbur” dhe nuk e shqiptoj, paçka se digjem nga dëshira për ta thënë.
– Më ka humbur sahati, – tha prapë horri dhe shtoi: – Qëkur e kam humbur, jam i detyruar që herë pas here të pyes njerëzit.
Dhe qeshi.
– Po të mos ta kisha humbur nuk do të kisha ndalur askënd, – tha.
Iu duk fort interesante kur unë i thashë se ishte ora tetë. Ai e dinte se ishte ora tetë, se atë ditë kishte ecur pa ndërprerje njëmbëdhjetë orë. “Pandërprerje”, përsëriti dhe jo nga një krah në tjetrin, por gjithnjë drejt, siç po e vë re tani. Punë dreqi? Apo jo?
Pashë se burri mbante këpucë të sheshta grash. Ai e pikasi që unë e pikasa se ai mbante këpucë të sheshta grash.
– Tani, – tha, – kushedi se ç’do të mendoni.
– Unë pata menduar, – bërbëlita shpejt e shpejt për ta hutuar burrin dhe për ta larguar vëmendjen nga ato këpucë të sheshta grash, – që të shkoja në teatër, po kur mbërrrita, vendosa që të mos futem brenda.
– Kam qenë shpesh në këtë teatër, – tha burri. Ai ishte prezantuar por unë ia harrova menjëherë emrin – nuk i mbaj mend emrat – por një ditë shkova për herë të fundit. Mos qeshni, tha burri, – gjithnjë ndodh që njëherë të jetë hera e fundit. Mos qeshni.
– E çfarë shfaqin sonte? – pyeti dhe shtoi menjëherë. – Jo, jo, mos më thoni, sonte shfaqet…
Më tregoi se shkonte përditë në Folzgarten.
– Porsa hapet stina teatrore vij gjithnjë në këtë orë dhe sodis nga ky cep njerëzit që shkojnë në teatër. Njerëz të çuditshëm, tha.
– Duhej ta kisha marrë vesh se çfarë japin sonte, – tha, – po ju mos më thoni se çfarë shfaqin sonte. Për mua është shumë interesante që të mos ta di se çfarë shfaqin. A është tragjedi? A është komedi? – pyeti dhe sakaq shtoi. – Jo, jo, mos më thoni se çfarë shfaqin. Mos ma thoni!
Ky njeri është pesëdhjetë e pesë vjeç, mendova.
Më propozoi të ecnim nga ana e parlamentit.
– Shkojmë deri para parlamentit, – tha, – pastaj kthehemi. Pasi ka nisur shfaqja gjithnjë ka një heshtje të çuditshme. Më pëlqen ky teatër.
Ecte shpejt, s’mund ta shikoja se më shkaktonte neveri ai burrë me këpucë të sheshta grash.
– Përditë unë bëj një sasi hapash, – tha, – me këto këpucë, nga shitorja e qumështit deri tek parlamenti, pra, deri tek kamgjella e lulishtes bëj treqind e njëzet hapa, kurse me këpucët me togëz bëj treqind e dhjetë. Deri tek zona zviceriane – e kishte fjalën për zonën zviceriane të Hofburgut – bëj pikërisht katërqind e katërmbëdhjetë hapa me këto këpucë dhe treqind e njëzet e nëntë me këpucët me togëz! Ju mendoni se këto janë këpucë grash dhe mbase ndieni neveri. E di këtë, – tha burri.
Unë lëviz nëpër rrugë vetëm kur është errësirë. Dalja ime, gjithnjë gjysmë ore para shfaqjes dhe ardhja ime në Folzgarten lidhet me një tronditje mendore, siç mund ta merrni me mend. Kjo tronditje ka ngjarë para njëzet e dy vjetësh. Dhe për çudi ka lidhje me këpucët e sheshta të grave. – Ndodhi një aksident, – tha, – një aksident. Është pikërisht po ai mjedis i atëhershëm, ngrihet perdja e teatrit, aktorët fillojnë të luajnë, jashtë asnjë pipëtimë… Hajt të shkojmë, – tha burri, – tek muri i shitores së qumështit, – shkojmë tek zona zviceriane.
– Mos është gjë i çmendur?- mendova, ndërsa po shkonim krah për krah tek zona zviceriane. Burri tha: – Bota është krejtësisht e tërësisht juridike. Ju këtë mbase nuk e dini. Bota nuk është gjë tjetër veçse një jurisprudencë e plotë dhe e përbindshme. Bota është një burg.
Vijoi: – Bëhen pikërisht dyzetë e tetë ditë që e kam takuar për herë të fundit një person, ishte ora tetë. Çudi, gjithnjë pyes pikërisht në orën tetë sa është ora. Bashkë me të shkova gjer tek parlamenti e deri tek zona zviceriane. Duhet ta dini se unë nuk e kam humbur sahatin, se unë nuk e humbas sahatin. Ja, shikoni ku e kam, – dhe më afroi para fytyrës nyjen e dorës që t’ia shikoja.
– Është një marifet ky që përdor unë, – tha, – por, le të vijojmë. Njeriu që takova para dyzetë e tetë ditësh ishte në moshën tuaj. I heshtur kështu si ju, në fillim i pavendosur dhe pastaj i vendosur që të shëtiste me mua. Ishte student i shkencave natyrore. Edhe atij i thashë se ishte pasojë e asaj tronditjeje mendore dhe i aksidentit, fakti që ndodhem përnatë këtu në Folzgarten, me këpucë të sheshta grash. Edhe ai reagoi kështu si ju, – tha burri dhe…
– S’kam parë asnjë polic këndej rrotull. Ç’prej ditësh policët i shmangen Folzgartenit dhe përqendrohen në Shtatpark e unë e di përse… Do të ishte shumë interesante të dinim, – tha, – ndërsa po drejtoheshim tek zona zviceriane, – ç’po shfaqin vallë në teatër: ndonjë tragjedi a komedi… Është hera e parë që nuk di se çfarë shfaqet. Mos ma thoni, s’duhet të ma thoni. S’ma do mendja se është kaq e vështirë, se po të përqendrohem dhe po të merrem tërësisht me ju, do ta kuptoj nëse në teatër tani po shfaqin një komedi apo një tragjedi. Po, – tha, – po t’ju vëzhgoj pak nga pak do ta kuptoj se ç’po ndodh në teatër e sidomos ç’po ndodh jashtë teatrit e ç”po ndodh në botë, e cila çdo çast është krejtësisht e lidhur me ju. Mbase edhe po t”ju hetoj imtësisht do mësoj gjithçka për ju.
Kur sosëm para murit të shitores së qumështit, tha:
– Këtu, në këtë vend u ndava nga ai njeri që pata njohur para dyzetë e tetë ditësh. A e dini në ç’mënyrë? Kujdes! – më tha, – do me thënë s’po ndaheni? As po më thoni natën e mirë? Po, – tha, – le të kthehemi tek zona zviceriane nga kemi ardhur. Nga kemi ardhur? Ah, po, nga shitorja e qumështit. Është e çuditshme po njerëzit vazhdimisht ngatërrojnë veten me të tjerët. Kështu pra, – tha, – ju donit të shihnit shfaqjen e sotme, megjithëse, siç më thatë, e urreni teatrin. Ju urreni teatrin? Unë e adhuroj…
Atëherë pashë se burri mbante në kokë një kapele grash; e kishte patur gjithë kohën, por unë nuk e kisha vënë re.
Edhe manteli i tij ishte nje mantel dimëror femrash.
Ky qenka veshur vetëm me petka grash, mendova.
– Në verë nuk vij në Folzgarten, – tha, – se s’ka shfaqje, por sa herë ka shfaqje më ke aty. Kur ka shfaqje, askush përveç meje nuk vjen në Folzgarten, se në Folzgarten bën shumë ftohtë. Më të rrallë vijnë në Folzgarten. Ca të rinj, të cilëve iu afrohem siç iu afrova juve, i grish të vijnë me mua, një herë tek parlamenti, pastaj tek zona zviceriane… e pastaj tek shitorja e qumështit. Më bën përshtypje se deri tani askush s’ka ardhur me mua dy herë tek parlamenti e dy herë tek zona zviceriane, vajtje-ardhje, tha, – e kjo është e mjaftueshme. Në dëshironi, – tha, – më shoqëroni një copë rrugë deri tek shtëpia. Deri tani askush s’më ka shoqëruar deri këtu e deri tek shtëpia.
Ai jetonte në distriktin e njëzetë.
Banonte në shtëpinë e prindërve, të cilët, para gjashtë javësh (vranë veten, djalosh, vranë veten) kishin vdekur.
– Duhet të përshkojmë kanalin e Danubit, – tha.
Ai njeri më kishte tërhequr vëmendjen dhe doja ta shoqëroja, mundësisht sa më gjatë.
– Pas kanalit të Danubit duhet të kthehemi, – tha, – ju s’duhet të më shoqëroni përtej kanalit të Danubit. Mos më pyetni më për këtë…
Pas Lagjes Rossau, nja njëqind metra larg urës që të çon në distriktin njëzet, burri ndali, vështroi ujin e tha:
– Këtu në këtë vend…
U kthye nga unë për së dyti.
– Në këtë vend.
Pastaj tha:
– E shtyva në mënyrë të rrufeshme. Petkat që kam veshur ishin të sajat.
Pastaj bëri një lëvizje që donte të thoshte: – Zhdukuni!
E lashë të fliste. “Kjo ka ndodhur njëzetë e dy vjet e tetë muaj më parë, – tha. – Ne mendonim se burgu është vend qejfi, gaboni rëndë. Gjithë bota nuk është gjë tjjetër veçse jurisprudencë. Gjithë bota është burg. Dhe sonte, në daç besojeni, në daç jo, në teatrin përballë po shfaqet një komedi. Po,po, një komedi.

Përkthyer nga: Gjergj Vlashi

Ekstazë vjeshtore-Marsela Neni

in Letërsi/Tharm by

Ekstazë vjeshtore-Marsela Neni

 

Kur Migjeni shkroi
“Ekstazë pranverore”,
Mendo!
Ai s’mund të na imagjinonte dot
ne të dy në ekstazë, i dashuri im.
Ne duhemi në vjeshtë:
në kohën kur butet e mbushura me rrush
shtypen me drithërimë e këngë ndër buzë;
vera dhe rakia ngrenë dolli për shpirtrat tanë
që rroken ndër shtjella të ajërta,
larg bërsive, larg baltrave të lotëve mëkatarë,
flladi i shtatorit si ‘Balsami i Galaadit’*
na i pështjell tempujt e vetes
dhe të përgjunjur
përpara dhimbjes së dashurisë
ujin, që na rrjedh thellësive,
e kthejmë në verë.

*Balsami i Galaadit- bimë e veçantë e përmendur në Bibël. Përdorej për të prodhuar parfume, temjan dhe ilaçe. Ishte mjaft e çmuar në Lindjen e Mesme për vetitë kurative. Një nga përbërësit e parfumit të parapëlqyer të Kleopatrës, mbretëreshës legjendare të Egjiptit.

Poezi nga Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Shpëtim Selmani

 

*

Dita ishte bërë e bukur,
pasi kisha hequr pluhurin nga
rafti i librave,
po palosja rrobat e gruas, ndërkohë po
dëgjoja “Sparklehorse”,
(nuk ka gjë më të ndërlikuar se palosja
e rrobave të grave),
ia dija historinë secilës bluzë,
secilës këmishë, secilit fustan,
ja, këtë e kishte veshur në Firenze,
ndërsa pinim verë të bukur nga Toskana,
ishte e lumtur,
këtë fustan e kishte veshur
kur më braktisi për gjashtë orë
e tre minuta,
ishte e dëshpëruar,
këtë këmishë e kishte veshur
kur e pashë për herë të parë tek ngutej,
jeta është një shumësi gjërash teknike,
këtë shall me ngjyrën e qiellit
e kishte kur më akuzoi për diçka,
që fatkeqësisht tash për tash nuk më kujtohet.
Palosja rrobat e saj,
secila prej tyre ishte shtëpi kujtimesh,
pas shumë shekujsh filozofie,
jetoja ende me idetë poetike
të njerëzve të parë*.

*sipas Andre Breton.

1 74 75 76 77 78 190
Go to Top