Author

Admin - page 94

Admin has 1604 articles published.

Ditar internimi-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Ditar internimi-Janis Ricos (fragment)

 

Miços i erdhi sot një letër prej vendlindjes së tij, Skopelos,

Antigona i shkruan: “Vjeshta në ishull

u mbush me zambakë të verdhë.

O Miço ziu – i thotë – nuk besoj se i mban mend këta zambakë;.

ti nuk merrje vesh nga botanika.”

Miçoja

fshiu syzet, e lexoi edhe një herë letrën. Ndanë tij,

sipēr gurëve, “Manuali i farmaceutikës.”

Miçoja vë buzën në gaz. I heq syzet prapë. Nuk i fshin.

Do të doja të shkruaja një vjershë për Miçon

jo me fjalë

vetëm me zambakë të verdhë.

 

26 nëntor

 

Ky thëllim na nxiu jetën.

Uji akull, buka akull.

Dielli i bardhë ngjitur në xham

një diell prej dëbore dhe pullash të vjetra postare.

Vetëm shtambat ruajnë diçka

prej shtëpie dhe kujtimi.

 

2 dhjetor

 

Qielli është një vrimë.

Nuk na nxë të gjithëve.

 

4 janar

 

Dhe befas

një kujtim zogjsh

që u mbytën në të panjohurën.

 

31 janar

 

Natë, o nëna ime – tha ai;

mbështillmë në flokun tënd të zi

i shpuar nga yje

tek jetoj poshtërimin

e të mosqenit i vdekur.

(Fliste i vetëm përballë murit.

Retorika shfaqte dukshëm

se e kishte një shpresë që ndokush mund ta dëgjonte.)

 

Përktheu: Romeo Çollaku 

Si kafja turke shkatërroi një perandori

in Në kohërat e kolerës by

Kafeja apo (kahve në turqisht) ishte një pije e preferuar e klasës sunduese të Perandorisë Osmane. Po ata nuk e dinin se një ditë ajo, do ta përshpejtonte shkatërrimin e saj.

‘Njihet si kafe greke për grekët dhe qipriotët, kafe boshnjake për boshnjakët, kafe armene mes armenëve, kafe arabe për arabët dhe si kafe turke për turqit, kroatët, shqiptarët dhe serbët. Po në mesin e shekullit të 16-të, njihej thjesht si kahve – kafe.’ Në atë kohë, të gjithë këta popuj sundoheshin nga Perandoria Osmane, e cila kishte ‘dashnorë’ kahveje, që nga Evropa jug-lindore e deri në Persi. Gjithsesi në vitet e para të shekullit të 19-të, kjo perandori e madhe kishte filluar të krisej dhe edhe kafeja luajti një rol të rëndësishëm, edhe pse aspak të njohur nga ne, në shkatërrimin e saj.

Kafeja erdhi në Turqi përgjatë mbretërimit të Sulejmanit të Madhërishëm. Njeriu që ai dërgoi të qeverisë Jemenin hasi në këtë pije energjike të njohur si ‘kahwah’ dhe e solli atë në oborrin Osman në Kostandinopojë, ku u bë menjëherë një hit. Një usta kahveçi i pallatit, apo një mjeshtër kafeje, kishte dhjetëra çirakë/asistentë që e ndihmonin, t’i piqte e ti bluante farat arabike, në një pluhur ekstra të hollë të ngjashëm në strukturë me ekspresin e sotëm. Ky pluhur më pas zihej në një enë bakri që quhej çezve (xhezve) dhe pija që prodhohej ishte e zezë, e hidhur, po sipër kish një shtresë të hollë si prej gëzofi, e cila krijohej kur e zieje shpejt. Lëngu që përftohej shërbehej në gota prej porcelani të vogla të quajtura filxhan.

Legjenda thotë se për të balancuar hidhërimin e saj, gruaja e Sulejmanit, Hyrrem Sulltania, e pinte atë me një gotë ujë dhe një llokume në formë katrore – ashtu siç shërbehet edhe sot në Turqi.

Sidoqoftë, jo të gjithë ishin entuziastë të pinin këtë pije të re stimuluese, madje disa ngritën dyshime nëse Kurani i lejonte muslimanët ta pinini atë. Edhe pse shkrimet islamike nuk e përmendin në mënyrë specifike kafenë, një klerik fanatik e çoi çështjen në gjykatën e Sulejmanit me qëllim që të nxirrej një fetva (rregull) për ndalimin e pirjes së kafesë, me arsyetimin se konsumimi i çdo gjëje të djegur ishte i ndaluar në Kuran. Por kjo nuk ndodhi.

Shtëpia e parë publike e kafesë, ose Kahvehane, u hap në Stamboll në 1555 nga dy tregtarë sirianë. Shumë shpejt, gati një në gjashtë dyqane në qytet shërbente kafe – duke filluar që nga kafenetë e vogla të lagjeve e deri në qendrat e mëdha të komunitetit. Gradualisht, kahvja depërtoi deri në kufijtë e largët të perandorisë.

Shtëpitë e kafesë u dhanë një mundësi të re burrave për t’u mbledhur, jo vetëm në shtëpi, xhami apo tregje, po edhe në këtë vend të ri ku ata jo vetëm do të shoqëroheshin, do argëtoheshin e do shkëmbenin informacione, po edhe do të edukoheshin e arsimoheshin. Anëtarët e lëçitur të shoqërisë së kafesë, i lexonin lajmet e ditës me zë të lartë; jeniçerët – anëtarët elitarë të trupave osmane, i planifikuan aty aktet e protestës kundër Sulltanit; zyrtarët i diskutonin aty intrigat e zyrave e gjykatave; tregtarët i shkëmbenin aty thashethemet rreth luftës e plaçkave. Dhe shumica analfabete aty dëgjonte ç’ndodhte në qytet dhe më gjerë në pearandori. Në kafene njerëzit u njohën me ide të cilat krijuan telashe për shtetin osman: rebelim, vetë-vendosje dhe gabimet e bëra nga fuqia e madhe.

Nuk kaloi shumë kohë kur autoritetet e kuptuan dhe filluan ta konsiderojnë Kahvehanen si një kërcënim. Disa sulltanë dërguan spiunë në kafene për të marrë vesh opinionin publik; të tjerë, si p.sh., Muradi i IV-t, në fillim të shekullit të 18-të, u përpoqën t’i mbyllin ato plotësisht. Po, kjo ishte e pamundur pasi ato ishin shumë fitimprurëse.

Kur lëvizjet e zjarrta nacionaliste filluan të zjejnë në të gjithë tokat otomane në shekullin XIX, popullariteti i kafeneve u rrit. Grupet etnike në rajonet evropiane të perandorisë, me shumicë të krishtere ortodokse, filluan të propagandojnë e agjitojnë për pavarësi. Drejtuesit nacionalistë planifikuan taktikat dhe i çimentuan aleancat e tyre në kafenetë e Selanikut, Sofjes dhe Beogradit. Përpjekjet e tyre të nxitura nëpër kafene, patën sukses duke rezultuar në krijimin e një Greqie të pavarur në 1821, Serbisë në 1835 dhe Bullgarisë në 1878. Këtu mbaroi edhe mbretërimi i kafesë në perandorinë e madhe otomane.

Kombet e ndryshme të krijuara i shtuan kafesë edhe ‘nënshkrimet’ e tyre: grekët p.sh., e bëjnë atë me mastikë; kroatët me fara karafili; arabët e zjejnë bashkë me kardamom dhe e shërbejnë në gota të vogla pa doreza të quajtura po ashtu finxhans. Por edhe kur pihet sade, pa asgjë, profili i aromës varet nga pjekja.

Po edhe pse ka disa varietete, kafeja turke dallohet për pjekjen e kokrës, pasi piqet mesatarisht, vetëm pak më shumë sa fillon e errësohet e kafenjta, duke i dhënë asaj një shije tokësore me aromë tymi dhe densitet lëngu disi të trashë. Po ta kullosh filxhanin ku shërbehet kafja turke, do të shihni që llumi i përbërë nga pluhuri i imët i kafesë vesh pjesën e brendshme të filxhanit, gjë që nuk ndodh me asnjë lloj kafeje tjetër.

Efektet e kafeneve duket që janë të mëdha e të shpejta, prandaj perandorë të botës, bëni kujdes.

Përktheu: Meli Ajazi 

Marrē nga: The Economist 

Një çikë padjallëzi-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një çikë padjallëzi-Janis Ricos

 

Ditë të qeta me pemë të shumta.
Të shkon ky fllad rreth buzëve.
Të shkon kjo lule që je duke soditur.
Pra, nuk qenkan gënjeshtër deti, perëndimi
dhe kjo varkë që lundron trëndafilishtës së muzgut
duke patur për pasagjere të vetme
një vajzë dhe një kitarë të pikëlluar.
Lërmë t’u jap unë rremave,
sikur u jap dy rrezeve të purpurta e të harruara

 

Përktheu: Romeo Çollaku

DIÇKA SHUMË E RËNDË KA PËR TË NDODHUR-GABRIEL GARCIA MARQUEZ

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GABRIEL GARCIA MARQUEZ

Imagjinoni një fshat shumë të vogël në të cilin jeton edhe një zonjë e moshuar me dy fëmijë: një djalë 17 vjeç dhe një vajzë 14 vjeçe. Nëna është duke u shtruar sillën bijve të vet, por në fytyrë ka njëfarë shqetësimi. Fëmijët e pyetën se çfarë i kishte ndodhur dhe ajo u përgjigj:
– Nuk e di, por sot jam zgjuar me parandjenjën se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur në këtë fshat.
Ata qeshën me ato që tha nëna e tyre. Sipas tyre këto qenkëshin parandjenja pleqsh, gjëra që diheshin. Djali shkoi të luante bilardo dhe në çastin që do të godiste një gur, ishte një karambol fare i thjeshtë, lojtari tjetër i thotë:
– Unë vë bast një peso që ti nuk ke për ta goditur dot.
Të gjithë qeshën. Qeshi edhe i biri i gruas së moshuar. E goditi gurin dhe nuk e bëri dot karambolin. Ndërkohë që i jep peson kundërshtarit, të tjerët e pyesin se ç’paskësh ndodhur me të që nuk arriti ta bënte dot atë karambol aq të lehtë. Dhe ai përgjigjet:
– Keni të drejtë, por më ka ngelur mendja te një gjë që më tha sot në mëngjes ime më: se diçka e rëndë do të ndodhë në fshat.
Të gjithë qeshën me të. Ai që fitoi peson u kthye në shtëpinë e tij ku gjeti të ëmën e vet me mbesën e saj ose me një të afërt tjetër dhe duke treguar peson i lumtur thotë:
– I fitova një peso Damasos, dhe ia fitova aq lehtë ngaqë është budalla.
– E pse qenka budalla?
– Hëm, dëgjo këtu, ai nuk mundi të bëjë dot një karambol fare të thjeshtë. Ishte i shqetësuar sepse e ëma na qenkësh ngritur sot me idenë se në fshatin tonë dashka të ndodhë diçka shumë e rëndë.
Atëherë e ëma i thotë këtij:
– Mos u tall me parandjenjat e pleqve sepse nganjëherë dalin të vërteta.
Mbesa e saj e dëgjoi dhe u ngrit e shkoi te kasapi për të blerë mish. Ajo i thotë kasapit:
– Më bëj një kile mish, – dhe, papritur, ndërsa ai priste mishin, shton: – E di ç’ke, më mirë bëj dy kile, sepse thonë, lart e poshtë, se paska për të ndodhur diçka shumë e rëndë në fshatin tonë, kështu që është më mirë të jemi të përgatitur.
Kasapi i jep mishin asaj dhe kur vjen një zonjë tjetër për të blerë një kile mish, i thotë:
– Më mirë merr dy kile se njerëzit më thonë që do të ndodhë diçka shumë e rëndë, prandaj po përgatiten duke blerë gjëra.
Atëherë plaka i thotë:
– Po është ashtu, më bëj katër kile, se unë kam shumë gojë për të ushqyer.
Dhe merr katër kile. Për të mos e bërë tërkuzë tregimin, po ju them se kasapi për një gjysmë ore e mbaroi mishin dhe shkon e ther një lopë tjetër, e shet edhe atë të gjithën, ndërkohë që vazhdon ta përhapë lajmin. Dhe vjen një moment, kur të gjithë njerëzit në fshat po prisnin të ndodhte me të vërtetë diçka. U paralizua gjithë veprimtaria e zakonshme dhe aty nga ora dy pasdite, si gjithmonë, shtrëngoi vapa. Dikush tha:
– E vini re se ç’vapë po bën sot?
– Po në këtë vend gjithnjë bën vapë!
(Aq vapë bënte në atë fshat sa muzikantët që i kishin instrumentet të arnuara me mballoma, gjithnjë u binin në hije, se, po të luanin në diell me to, do t’u binin copat sheshit.)
– Por ora dy pasdite është koha kur vapa arrin kulmin.
– E vërtetë është ajo që thua zotrote, por kurrë nuk ka bërë si sot.
Në këtë fshat të shkretë, mu në mes të sheshit të shkretë, ulet një zog dhe lëshon një zë.
– Shikoni, është një zog mu në qendër të fshatit.
Dhe të gjithë, të habitur, shikojnë zogun.
– Zotërinj, po ka bërë vaki shumë herë që ulen zogj në sheshin e fshatit.
– Po, po, vërtet, por jo në këtë orë.
Dhe, që thua ti, vjen një çast tensioni të tillë për banorët e fshatit, sa të gjithë i mbyt dëshpërimi dhe të gjithë duan të ikin, por nuk e marrin guximin ta bëjnë.
– Unë do bëhem burrë! – bërtiti njëri. – Unë po iki.
Merr gjërat e tij, fëmijët e tij, ato pak bagëti që kishte, i fut në një karrocë dhe përshkon rrugën qendrore ku është mbledhur i tërë fshati i mjerë e po e shikon. Dhe në atë moment njerëzit thonë:
– I lumtë që mori guximin, o burra, hajde të ikim edhe ne.
Dhe fshati u bë rrëmujë; të gjithë po përfilleshin për t’ia mbathur. Po merrnin gjërat, kafshët, gjithçka.
Dhe njëri nga ata të fundit që braktisën fshatin thotë:
– Nuk dua që fatkeqësia të futet shtëpinë time, – dhe i vë flakën shtëpisë së tij.
E të gjithë bënë si ai. U vunë flakën shtëpive të tyre.
Dhe ia mbathën me një panik të tmerrshëm e të vërtetë, thua se ishte një ikje nga lufta.
Midis të ikurve ishte edhe zonja e moshuar që kishte dhënë lajmin ogurzi. Atëherë ajo klithi e tha:
– Çudi, kur unë thashë se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur, të gjithë më thanë se qenkësha e çmendur.

Përktheu: Bajram Karabolli

Sonata e dritës së hënës-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Sonata e dritës së hënës-Janis Ricos

(Fragment)

Dhe hëna, një vrimë në kafkën e botës – mos shiko ç’ka brenda,

është një forcë tërheqëse që të gllabëron – mos shiko, mos shikoni,

mbamëni vesh ç’ju them – do të bini brenda. Ky marramemdth

i bukur, i lehtë – do biesh –

një pus i mermertë hëna,

hije fëshfërijnë dhe flatra memece, zëra gjithë mister – nuk i dëgjoni?

 

E thellë e thellë rënia,

e thellë e thellë ngjitja,

statuja e ajërt ngjeshur mes flatrave të shtrira,

e thellë e thellë bamirësia e heshtjes, –

rrëzëllitje fërgëlluese të bregut tjetër, sikundër kalamendesh dallgës

sē vetvetes,

frymë oqeani. I bukur, i lehtë,

ky marramendth, – kujdes, se mos bie. Mos shiko mua,

fati im është kalamendja – marramendthi i shkëlqyer. Çdo mbrëmje

kam ca dhimbje koke, ca marrje mendsh.

 

Shpesh hidhem gjer te farmacia përballë për ndonjē aspirinë,

ndonjëherë përtoj dhe rri e duroj dhimbjet,

dëgjon nëpër mure zhurmën e zgavërt që bëjnë tubat e ujit

ose bëj kafe dhe, gjithnjë e përhumbur,

harrohem dhe bëj dy – e kush do ta pijë tjetrën?-

gjë qesharake, vërtet, e lë mbi parvaz të ftohet

a ndonjëherë e pi edhe të dytën, duke soditur nga dritarja poçin

e gjelbër të farmacisë

porsi drita e gjelbër e një treni të pazhurmë që vjen të më marrë

tok me shamitë, me këpucët e shtrembra, me çantën e zezë, me

vjershat e mia,

pa valixhe fare – e ç’t’i duash?

Lërmë të vij me ty.

 

Ah po ikën. Natën e mirë. Jo, nuk do të vij. Natën e mirë.

Kam për të dalë paspak. Faleminderit. Sepse, në fund, duhet të dal nga kjo shtëpi e rrënuar.

 

Duhet të shoh pakëz këtë qytet – jo, jo hënën –

qytetin me duart gjithë kallo, qytetin e mëditjes,

qytetin që betohet për bukën dhe për grushtin e tij

qytetin që na mban të gjithëve në shpinë

me gjithë vogëlsitë tona, ligësitë, hasmëritë,

me lakmitë, me dëlirësinë tonë dhe pleqërinë, –

t’i dëgjoj qytetit hapat e mëdha,

të mos dëgjoj më hapat e tu

as hapat e Zotit, as hapat e mi. Natën e mirë.

 

Përktheu: Romeo Çollaku

AUTOPSIKOGRAFI-Fernando Pessoa

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

AUTOPSIKOGRAFI-Fernando Pessoa

 

Poeti është një shtiracak.
Shtiret aq përsosmërisht
Saqë bën sikur është dhembje
Dhembja që ndien realisht.

Dhe ata që i lexojnë
Shkrimet e tij ndiejnë vërtet
Jo dy dhembjet që ka poeti,
Por veç atë që s’kanë vetë.

Kështu, duke rrokur arsyen,
Mbi shinat rrethore ecën
Treni i vogël me susta
Që e kanë quajtur zemër.

Përktheu: Alket Çani

Mars me mërmërima-Anita Zela

in Letërsi/Tharm by

   Anita Zela

Kishin çelur kumbullat me ato lulet e vogla shpuzë dhe petalet e brishta sa një puhi fluturash. Kishin çelur kajsitë me ngjyra si të nuseve. Lulethanat shpërndanin pluhur ari e cicërima. Asgjë nuk bleronte, por kishte shumë lule nëpër pemë e shumë petale nëpër tokë. Dheu i ri i ngopur nga uji i borës shtriqej e shkërrmoqej me Marsin. Rrugë të zbrazura. Përrenj të harlisur kristal shijonin melodinë me krahë e sqepa zogjsh të shpupurisur. Kishte shumë diell. Lindte herët e e ngrihej i madh mbi kreshtat e maleve ende me borë. Hidhte rrezet mbi qytete të shurdhët e rrugë të mpira dhe qeshte. Kishte diell mbi dheun e saponxjerrë nga gropat…. Kishte hënë. Ironike e të plotë sa një top i madh e i bardhë. Nuk luanin fëmijë me të. Nuk bënin poezi poetët e as pikëlloheshin të dashuruarit. Vetëm yjet fshiheshin pas saj e mendoheshin akoma për numrin e tyre dhe të statujave…  Deti kthehej të lante gurët e bregut e i mbante për vete guaskat. Toka kishte ende shumë gurë që lëmoheshin me mërmërimën e këngës së vdekjes…

Mars, 2020

Kastanja-Janis Ricos

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Kastanja-Janis Ricos

 

Atje lart, si nesër, i vranë që të dyzetë.

Njëzet vjet kaluan. Askush nuk ua përmendi emrat.

Ti e kupton jetën tonë. Çdo vit,

në ditë si kjo, gjenin poshtë plepave një tjegull të thyer, dy thëngjij të shuar, pak temjan,

një shportë me rrush, një qiri prej dylli bletësh me fitil të zi. As që arriti të ndizej. E shoi era.

Prandaj, mbrëmjeve plakat rrinë në pragje si ikona të vjetra,

prandaj sytë e fëmijëve u zmadhuan kaq shpejt,

dhe qentë, sa herë kalojnë xhandarët, gjasme shohin gjetiu.

 

Përktheu: Romeo Çollaku

Bella Ciao-Kënga që u bë himn i të shtypurve

in Muzikë/Në kohërat e kolerës by

Bella Ciao-Kënga që rrëfeu vuajtjet e grave italiane në fusha, “nën kamzhikun” e mbikëqyrësit. Si u bë ajo himni i partizanëve dhe i të shtypurve.

Kënga «Bella Ciao» është një këngë italiane partizane e Luftës së Dytë Botërore. Krijuesi i saj është i panjohur, siç nuk është e ditur data e saktë e qarkullimit. Megjithatë, ajo këndohet ende sot si një himn për lirinë dhe rezistencën. Është përshtatur dhe përkthyer në dhjetëra gjuhë; angleze, ruse, boshnjake, kroate, serbe, spanjolle, finlandeze, kineze, kurde, turke, japoneze dhe greke. E këndonin gra punëtore. Sipas një teorie, muzika e këngës vinte nga një këngë e vjetër tradicionale italiane. Të tjerë argumentojnë se ritmi i këngës është regjistruar në Amerikë në fillim të shekullit të 20-të dhe më pas u transferua në Itali nga një muzikant. Fjalët e para mendohet se u shkruan dhe kënduan nga gra punëtore që punonin në plantacionet e orizit në Luginën Po në Italinë Veriore. Gratë duhej të rimbillnin dhe të mbronin fidanët e ndjeshëm nga ndryshimet e temperaturës, por edhe të shkulnin barërat e këqija nga kulturat që pengonin rritjen e shëndetshme të bimëve të reja. Procesi zhvillohej nga fundi i Prillit deri në fillim të Qershorit. Fermerët që vinin nga klasat më të varfra sociale punonin në kushte të tmerrshme. Ishin zbathur dhe uji nga fushat e përmbytura u arrinte disa herë deri në gju. Qëndronin të përkulura për të mbledhur barërat e këqija gjatë gjithë ditës. Dhe kjo për pak pará. Vargjet e para të këngës denonconin kushtet e rënda të punës së grave nën diellin e nxehtë. Ato bëjnë fjalë për martirizimin e tyre të përditshëm në fusha dhe nën mbikëqyrjen e pronarit të egër që qëndronte pranë tyre, “me një shkop në dorë”, ndërsa ato ishin të përkulura për orë të tëra. Gratë thoshin se “për çdo orë që kalonin nëpër fusha, shkonte dëm jeta dhe rinia e tyre”, por shpresonin se do të çliroheshin dhe se “do të vinte dita kur të gjitha do të punonin të lira”. Regjistrimi i parë i «Bella Ciao-s» me këto vargje u bë në vitin 1906, në qytetin Vercelli, në rajonin italian të Piemonte-s. Keqtrajtimi i tyre i çoi në greva dhe trazira në fillim të shekullit të 20-të. Betejat e tyre pengoheshin nga punëtorë, të cilët ishin të gatshëm të paguheshin më pak, edhe më pak, ngaqë kishin nevojë për punë. U konsideruan grevë-thyes. Kërkesat e protestuesve u plotësuan pjesërisht gjatë periudhës 1906 deri në 1909, kur të gjitha komunitetet e rajonit italian të Piemonte-s duhej të respektonin të drejtën e tetë-orëshit të punës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët italianë ndryshuan tekstin në mënyrë që të shprehnin luftën e tyre çlirimtare dhe rezistencën kundër fashizmit dhe trupave naziste gjermane. Vargjet e përshtatura flisnin për një partizan që pa armiqtë të pushtonin vendin e tij. U lutej partizanëve të tjerë ta merrnin larg, për shkak se “ndiente se po afrohej vdekja”. Në rast se vdiste në betejë, u thoshte që ta “varrosnin diku në mal dhe mbi të të mbillnin një lule të bukur”. Në vazhdim u kërkonte t’u thoshin “atyre që kalonin andej se është lulja e një partizani, i cili vdiq për liri”. Ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore çuan në zhvillimin e lëvizjes së fuqishme guerilase në Itali, e cila luftoi kundër trupave gjermane dhe Italisë fashiste. Regjimi fashist italian filloi të tronditej si rezultat i zhvillimit të lëvizjes popullore dhe për shkak të dështimeve ushtarake në Greqi, Jugosllavi dhe Bashkimin Sovjetik. Fundi i tij ishte zbarkimi i forcave Aleate në Siçili, që filloi më 10 Korrik, 1943. Partia e Musolinit u destabilizua. Kundër tij u kthyen edhe shokët e tij. Më 24 Korrik, në takimin e Këshillit të Lartë Fashist u vendos përmbysja e Musolinit dhe transferimi i pushtetit ekzekutiv te mbreti Viktor Emanueli i III. Më vonë Mussolini u internua dhe kryeministër u bë marshalli Pietro Badoglio. Këto zhvillime çuan në ndërhyrjen e trupave naziste dhe pushtimin e një pjesë të Italisë Veriore. Me një operacion mbresëlënës parashutistë gjermanë liruan Musolinin dhe e dërguan në zonën e kontrolluar nga gjermanët. Fillimisht, qeveria Badoglio vazhdoi politikat represive të regjimit të Musolinit, fakt që çoi në revolta. Në të njëjtën kohë, u përpoq të afrohej me Aleatët Perëndimorë, ndërsa u kërkonte forcave të Boshtit të hiqnin qafe Aleatët nga Italia. E gjithë kjo çoi në nënshkrimin e marrëveshjes të kapitullimit të Italisë më 3 Shtator, ndërsa më pas qeveria Badoglio i shpalli luftë Gjermanisë. Në vitin 1945, Musolini u përpoq të arratisej në Zvicër, por u arrestua nga partizanët italianë dhe u ekzekutua. Që atëherë, kënga «Bella Ciao» u bë e famshme në botë dhe është interpretuar nga artistë nga e gjithë bota, ndër të cilët dhe Manu Chao. Kënga dëgjohet tani në çdo betejë për të  drejtat e njeriut.

Përktheu: Shpendi Shakaj

1 92 93 94 95 96 161
Go to Top