Author

Admin - page 68

Admin has 1813 articles published.

Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Iva Çaushaj.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

    Përse shkruaj?

Kur mendoj për të bukurën, udhëtoj pas në kohë, në vitet e fëminisë. Letërsia, tok me artet, ishin gurë themeli. Ende të tillë janë, sepse edukimi i shpirtit me të bukurën, sikurse ka thënë Jeronim de Rada, është një punë e lodhshme sa vetë jeta.
Dëshiroj të rrëfej një histori. Një prej atyre përjetimesh që të mbesin brenda, megjithëse vitet kalojnë, sërish ua ndjen shijet dhe aromat të patjetërsuara në kohë.

* * *
Duhet të kem qënë jo më shumë se dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe, kur në shtëpinë tonë vjen një dhuratë e pazakontë – një poster i kornizuar i dy duarve, të cilat rrekeshin të ceknin njëra-tjetrën në një prekje kurrëshlyer.
– Ah, prekja e Perëndisë! – më kujtohet ime gjyshe, tek pëshpëriste nën zë dhe, fill pas, bënte tri herë radhazi kryqin. Ndërsa, brenda meje, emocioni që shkaktonte fragmenti i duarve nuk mbruhej asfare prej ndjesive fetare, të cilat, ime gjyshe mundohej më kot të mi brendësonte e rrënjoste.
Në meshën e së dielës paradite ndihesha si e huaj. Më tepër miklohesha të kundroja siluetat e ngrefosura sesa të përfillesha se gjendesha në atë çka konsiderohej si shtëpia e Zotit. Besoj se atëkohë nisa të ndërtoja urat e komunikimit mes meje dhe Atij. I flisja shpesh, ulur në shtratin tim. Ai më dëgjonte, herë-herë edhe më ndihmonte.
Sot ndiej se si, e tillë përqasje ndaj besimit, ka ndikuar jo pak në lëvrimin dhe formimin e botës sime shpirtërore.
Fragmenti i duarve prej pikturës së Michelangelos në kupolën e Kapelës Sistina, “Krijimi i Adamit”, përshfaqej për çdo ditë mbi murin e dhomës së ndenjies, duke kënaqur çdo shqisë timen përmes harmonisë së formave, toneve dhe, asaj thuajse-prekjeje prej një bukurie tronditëse, praruar nën tisin e misterit. Kësisoj, nisa të mendoja për një bukuri, e cila shtrihej përtej bindjeve dhe etaloneve të kohës. E tillë bukuri më frymëzoi të perceptoja ndryshe, të hulumtoja në kërkim të një bote, e cila shpalosej përtej katër mureve të dhomës sime. Sa më shumë e zbuloja të bukurën, përmes librave, këngëve, artit dhe njerëzores, aq më shumë doja ta kisha pranë vetes, ta brendësoja, ta rrëfeja, ta shkruaja.

* * *
Shkrimet e para ishin emocione, përjetime, apo përshtjellime të moshës së adoleshencës, endur si tis i brishtë mes realitetit dhe imagjinatës, molepsur pashmangshmërisht prej dilemave moshore, herë-herë në zgrip të honeve përpirëse, të cilat, frymëmbajtur, lindnin pyetje shteruese si: “Përse ekzistoj?”, “Përse kam ardhur?”, “Ku do të shkoj?”.
Në kohë u rikthehem shkrimeve në fletët e ditarit. Ndonjëherë qeshem me veten. Të tjera herë gjej fragmente të mira, që lypin veç t’u përpunohet fjala, teksa ndjesia e shkrimit mbërrin e plotë. Këto janë çaste kur ndiej at’ lumturi të fshehtë të më ngërthejë së brendshmi.
Përmes shkrimeve të kahershme më kujtohet vetja si kam qënë, më kujtohet pjesa e rrugëtimit të përshkuar për të mbërritur këtu ku jam sot, por mbi të gjitha, gjej ende tharmin shpirtëror të mbruj çka dëshiroj të bëhem.
Nëse letërsia dhe artet ishin shkëndija, çka erdhi më pas në jetën time, si bekim apo vetëtimë në qiell të hapur, u shndërrua në tharm krijues, për të shkruar e rrëfyer trajtat e qenies sime, jo pak herë të lëna në mes, në turravrapin e ditëve… vargje të shkruara e të harruara aty-këtu ndër faqe librash, apo humbur ndër sirtarë kujtesash.
– Ti nuk shkruan aq sa dëshiron apo ke nevojë, – i them vetes trishtueshëm!
– Një ditë do të mund ta gjesh kohën ose ajo ty dhe do të shkruani më gjatë për njëra-tjetrën. Ndoshta, një ditë… – ma kthen vetja buzagaz.
Të shkruash është të bësh bashkë kujtimet, brengat, dhimbjet shteruese, humbjet, sikurse, çastet e lumturisë, njomur me lot gëzimi. Të shkruash është të mundësh të jetosh e të përjetosh fuqishëm e plotësisht ndjesitë, anipse emocionet e forta herë-herë mund të të shpien në zgrip të çmendurisë.
Të shkruash është të mundësh t’i bësh bashkë ditët e jetës sate dhe të krijosh formën më të brendshme shpirtërore e mendore, për ta risjellë përjetimin tënd me fuqinë që mbart fjala e shkruar.
Gjithmonë kam besuar se, çka e bën unik procesin e të shkruarit nuk është pikërisht ai çasti kur ti ulesh të shkruash. “Lexoni mijëra libra dhe fjalët do t’ju vërshojnë lumë”, do të këshillonte Virginia Woolf. Kësisoj, shumëkush mund të lexojë pafund e të trashëgojë një gjuhë letrare tejet të pasur. Mirëpo magjia e të shkruarit fshihet tjetërkund. Magjia e të shkruarit lind tek ato përjetime shkëndritëse, teksa muza të përshpërit në heshtje kaotike ndjesitë më të para, që presin ethshëm të ngjizen me fjalët.
Që në atë çast ti e di se diç ke krijuar. Ti e ndien së brendshmi se i gjithë universi në ato çaste të papërsëritshme është me ty dhe në ty.
Eugenio Montale thoshte se duhen vite për të mbledhur një grusht poezish, mandej, hedhja në letër është e rrufeshme, shpesh është punë minutash.

A është komedi? A është tragjedi?- Tomas Bernhard

in Letërsi/Tharm by

Tomas Bernhard

Kisha shumë javë pa shkuar në teatër, dje desha të shkoja, por nja dy orë para shfaqjes, ndërsa merresha me punë shkencore në shtëpinë time, mendova se ishte më mirë të hiqja dorë e të mos shkoja për hir të studimeve me temë mjekësore, të cilat duhej t’i kryeja, jo për prindërit, por për shkak të kokës sime të lodhur.
Ti ke tetë apo dhjetë javë pa shkelur në teatër, i thashë vetes dhe nuk vete se e përçmon teatrin, se i përçmon aktorët, se teatri nuk është gjë tjetër veçse një pafytyrësi e pabesi, e, meqë është i tillë, përse duhet teatri? Për të parë një shfaqje? E ç’ë, pastaj?
Ti e di që teatri është një gjë e pistë, thashë prapë me veten time, dhe ke ndër mend të shkruash një studim për teatrin që do të ishte një grusht për fytyrën e tij. Teatri s’përbëhet nga shfaqjet, aktorët, drejtuesit artistikë e të tjerë.
U vesha dhe dola në rrugë.
Më duhej një gjysmë ore për të mbërritur në teatër. Gjatë asaj gjysmë ore e kuptova se s’mund të shkoja në teatër dhe e kisha të ndaluar njëherë e përgjithmonë të shkoja në një shfaqje artistike.
I thashë vetes, po e shkrove studimin mbi teatrin, atëherë do të shkosh prapë, për të vërtetuar sa i saktë është traktati yt.
Më vinte plasja që kisha blerë biletë – blerë, jo falur – dhe isha menduar mjaft për të shkuar në teatër, të shikoja një shfaqje, të vrojtoja aktorët dhe sipas aktorëve, të gjykoja për një regjisor. Je veshur për të shkuar në teatër, i thashë vetes.
Studimi im ishte: “Një ditë në teatër”. “Përshkruhet mirë ajo që urren”, mendova. Studimi ishte ndarë në pesë, a më mirë, në shtatë pjesë dhe titulli i saktë është: Teatri… Teatri? Studimi im do të mbarojë së shpejti.
(Si ta shkruash, do ta djegësh. Ç’kuptim ka ta botosh? Do ta lexosh e do ta djegësh. Është qesharake ta botosh, është një orvajtje e dështuar!) Pjesa e parë flet për aktorët, pjesa e dytë po për aktorët, tek aktorët, pjesa e tretë për aktorët, tek aktorët, e aktorëve, e të tjera. Pjesa e katërt “Teoritë skenike”, e të tjera. Pjesa e mbrame: “Ç’është më në fund teatri?”
Me kësi mendimesh në kokë mbërrita në Folzgarten.
Ulem në një stol pranë shëtitores së qumështit, edhe pse në këtë stinë të vitit, të ulesh në një stol në Folzgarten është me rrezik të madh. I përqendruar, vrojtoj me kënaqësi kush hyn dhe si hyn në teatër.
Gëzohem që nuk po hyj.
Mendoj: të hyj, apo duke marrë parasysh varfërinë time, të shes biletën?
Hyr, i them vetes, dhe tek mendoj këtë gjë ndiej kënaqësinë më të madhe duke e shqyer biletën e teatrit me gishtin e madh dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë. Kësisoj më ngjan sikur po gris vetë teatrin.
Tani shfaqja ka filluar, besoj. Brof në këmbë dhe nisem pa humbur kohë për në qendër të qytetit. Kam ftohtë, s’kam ngrënë dhe kam një javë pa folur me kënd. Befas më mësyn një njeri. E dëgjoj, më pyet sa është ora dhe dëgjoj veten time duke vikatur:
“Tetë, shfaqja ka filluar!”
Kthehem dhe shikoj njeriun që më foli.
Është një gjataman thatanik.
Përveç tij s’ka njeri tjetër në Folzgarten.
Pastaj mendova: “S’kam gjë për të humbur.”
Më duket marrëzi ta shqiptoj me zë të lartë fjalinë: “S’kam gjë për të humbur” dhe nuk e shqiptoj, paçka se digjem nga dëshira për ta thënë.
– Më ka humbur sahati, – tha prapë horri dhe shtoi: – Qëkur e kam humbur, jam i detyruar që herë pas here të pyes njerëzit.
Dhe qeshi.
– Po të mos ta kisha humbur nuk do të kisha ndalur askënd, – tha.
Iu duk fort interesante kur unë i thashë se ishte ora tetë. Ai e dinte se ishte ora tetë, se atë ditë kishte ecur pa ndërprerje njëmbëdhjetë orë. “Pandërprerje”, përsëriti dhe jo nga një krah në tjetrin, por gjithnjë drejt, siç po e vë re tani. Punë dreqi? Apo jo?
Pashë se burri mbante këpucë të sheshta grash. Ai e pikasi që unë e pikasa se ai mbante këpucë të sheshta grash.
– Tani, – tha, – kushedi se ç’do të mendoni.
– Unë pata menduar, – bërbëlita shpejt e shpejt për ta hutuar burrin dhe për ta larguar vëmendjen nga ato këpucë të sheshta grash, – që të shkoja në teatër, po kur mbërrrita, vendosa që të mos futem brenda.
– Kam qenë shpesh në këtë teatër, – tha burri. Ai ishte prezantuar por unë ia harrova menjëherë emrin – nuk i mbaj mend emrat – por një ditë shkova për herë të fundit. Mos qeshni, tha burri, – gjithnjë ndodh që njëherë të jetë hera e fundit. Mos qeshni.
– E çfarë shfaqin sonte? – pyeti dhe shtoi menjëherë. – Jo, jo, mos më thoni, sonte shfaqet…
Më tregoi se shkonte përditë në Folzgarten.
– Porsa hapet stina teatrore vij gjithnjë në këtë orë dhe sodis nga ky cep njerëzit që shkojnë në teatër. Njerëz të çuditshëm, tha.
– Duhej ta kisha marrë vesh se çfarë japin sonte, – tha, – po ju mos më thoni se çfarë shfaqin sonte. Për mua është shumë interesante që të mos ta di se çfarë shfaqin. A është tragjedi? A është komedi? – pyeti dhe sakaq shtoi. – Jo, jo, mos më thoni se çfarë shfaqin. Mos ma thoni!
Ky njeri është pesëdhjetë e pesë vjeç, mendova.
Më propozoi të ecnim nga ana e parlamentit.
– Shkojmë deri para parlamentit, – tha, – pastaj kthehemi. Pasi ka nisur shfaqja gjithnjë ka një heshtje të çuditshme. Më pëlqen ky teatër.
Ecte shpejt, s’mund ta shikoja se më shkaktonte neveri ai burrë me këpucë të sheshta grash.
– Përditë unë bëj një sasi hapash, – tha, – me këto këpucë, nga shitorja e qumështit deri tek parlamenti, pra, deri tek kamgjella e lulishtes bëj treqind e njëzet hapa, kurse me këpucët me togëz bëj treqind e dhjetë. Deri tek zona zviceriane – e kishte fjalën për zonën zviceriane të Hofburgut – bëj pikërisht katërqind e katërmbëdhjetë hapa me këto këpucë dhe treqind e njëzet e nëntë me këpucët me togëz! Ju mendoni se këto janë këpucë grash dhe mbase ndieni neveri. E di këtë, – tha burri.
Unë lëviz nëpër rrugë vetëm kur është errësirë. Dalja ime, gjithnjë gjysmë ore para shfaqjes dhe ardhja ime në Folzgarten lidhet me një tronditje mendore, siç mund ta merrni me mend. Kjo tronditje ka ngjarë para njëzet e dy vjetësh. Dhe për çudi ka lidhje me këpucët e sheshta të grave. – Ndodhi një aksident, – tha, – një aksident. Është pikërisht po ai mjedis i atëhershëm, ngrihet perdja e teatrit, aktorët fillojnë të luajnë, jashtë asnjë pipëtimë… Hajt të shkojmë, – tha burri, – tek muri i shitores së qumështit, – shkojmë tek zona zviceriane.
– Mos është gjë i çmendur?- mendova, ndërsa po shkonim krah për krah tek zona zviceriane. Burri tha: – Bota është krejtësisht e tërësisht juridike. Ju këtë mbase nuk e dini. Bota nuk është gjë tjetër veçse një jurisprudencë e plotë dhe e përbindshme. Bota është një burg.
Vijoi: – Bëhen pikërisht dyzetë e tetë ditë që e kam takuar për herë të fundit një person, ishte ora tetë. Çudi, gjithnjë pyes pikërisht në orën tetë sa është ora. Bashkë me të shkova gjer tek parlamenti e deri tek zona zviceriane. Duhet ta dini se unë nuk e kam humbur sahatin, se unë nuk e humbas sahatin. Ja, shikoni ku e kam, – dhe më afroi para fytyrës nyjen e dorës që t’ia shikoja.
– Është një marifet ky që përdor unë, – tha, – por, le të vijojmë. Njeriu që takova para dyzetë e tetë ditësh ishte në moshën tuaj. I heshtur kështu si ju, në fillim i pavendosur dhe pastaj i vendosur që të shëtiste me mua. Ishte student i shkencave natyrore. Edhe atij i thashë se ishte pasojë e asaj tronditjeje mendore dhe i aksidentit, fakti që ndodhem përnatë këtu në Folzgarten, me këpucë të sheshta grash. Edhe ai reagoi kështu si ju, – tha burri dhe…
– S’kam parë asnjë polic këndej rrotull. Ç’prej ditësh policët i shmangen Folzgartenit dhe përqendrohen në Shtatpark e unë e di përse… Do të ishte shumë interesante të dinim, – tha, – ndërsa po drejtoheshim tek zona zviceriane, – ç’po shfaqin vallë në teatër: ndonjë tragjedi a komedi… Është hera e parë që nuk di se çfarë shfaqet. Mos ma thoni, s’duhet të ma thoni. S’ma do mendja se është kaq e vështirë, se po të përqendrohem dhe po të merrem tërësisht me ju, do ta kuptoj nëse në teatër tani po shfaqin një komedi apo një tragjedi. Po, – tha, – po t’ju vëzhgoj pak nga pak do ta kuptoj se ç’po ndodh në teatër e sidomos ç’po ndodh jashtë teatrit e ç”po ndodh në botë, e cila çdo çast është krejtësisht e lidhur me ju. Mbase edhe po t”ju hetoj imtësisht do mësoj gjithçka për ju.
Kur sosëm para murit të shitores së qumështit, tha:
– Këtu, në këtë vend u ndava nga ai njeri që pata njohur para dyzetë e tetë ditësh. A e dini në ç’mënyrë? Kujdes! – më tha, – do me thënë s’po ndaheni? As po më thoni natën e mirë? Po, – tha, – le të kthehemi tek zona zviceriane nga kemi ardhur. Nga kemi ardhur? Ah, po, nga shitorja e qumështit. Është e çuditshme po njerëzit vazhdimisht ngatërrojnë veten me të tjerët. Kështu pra, – tha, – ju donit të shihnit shfaqjen e sotme, megjithëse, siç më thatë, e urreni teatrin. Ju urreni teatrin? Unë e adhuroj…
Atëherë pashë se burri mbante në kokë një kapele grash; e kishte patur gjithë kohën, por unë nuk e kisha vënë re.
Edhe manteli i tij ishte nje mantel dimëror femrash.
Ky qenka veshur vetëm me petka grash, mendova.
– Në verë nuk vij në Folzgarten, – tha, – se s’ka shfaqje, por sa herë ka shfaqje më ke aty. Kur ka shfaqje, askush përveç meje nuk vjen në Folzgarten, se në Folzgarten bën shumë ftohtë. Më të rrallë vijnë në Folzgarten. Ca të rinj, të cilëve iu afrohem siç iu afrova juve, i grish të vijnë me mua, një herë tek parlamenti, pastaj tek zona zviceriane… e pastaj tek shitorja e qumështit. Më bën përshtypje se deri tani askush s’ka ardhur me mua dy herë tek parlamenti e dy herë tek zona zviceriane, vajtje-ardhje, tha, – e kjo është e mjaftueshme. Në dëshironi, – tha, – më shoqëroni një copë rrugë deri tek shtëpia. Deri tani askush s’më ka shoqëruar deri këtu e deri tek shtëpia.
Ai jetonte në distriktin e njëzetë.
Banonte në shtëpinë e prindërve, të cilët, para gjashtë javësh (vranë veten, djalosh, vranë veten) kishin vdekur.
– Duhet të përshkojmë kanalin e Danubit, – tha.
Ai njeri më kishte tërhequr vëmendjen dhe doja ta shoqëroja, mundësisht sa më gjatë.
– Pas kanalit të Danubit duhet të kthehemi, – tha, – ju s’duhet të më shoqëroni përtej kanalit të Danubit. Mos më pyetni më për këtë…
Pas Lagjes Rossau, nja njëqind metra larg urës që të çon në distriktin njëzet, burri ndali, vështroi ujin e tha:
– Këtu në këtë vend…
U kthye nga unë për së dyti.
– Në këtë vend.
Pastaj tha:
– E shtyva në mënyrë të rrufeshme. Petkat që kam veshur ishin të sajat.
Pastaj bëri një lëvizje që donte të thoshte: – Zhdukuni!
E lashë të fliste. “Kjo ka ndodhur njëzetë e dy vjet e tetë muaj më parë, – tha. – Ne mendonim se burgu është vend qejfi, gaboni rëndë. Gjithë bota nuk është gjë tjjetër veçse jurisprudencë. Gjithë bota është burg. Dhe sonte, në daç besojeni, në daç jo, në teatrin përballë po shfaqet një komedi. Po,po, një komedi.

Përkthyer nga: Gjergj Vlashi

Ekstazë vjeshtore-Marsela Neni

in Letërsi/Tharm by

Ekstazë vjeshtore-Marsela Neni

 

Kur Migjeni shkroi
“Ekstazë pranverore”,
Mendo!
Ai s’mund të na imagjinonte dot
ne të dy në ekstazë, i dashuri im.
Ne duhemi në vjeshtë:
në kohën kur butet e mbushura me rrush
shtypen me drithërimë e këngë ndër buzë;
vera dhe rakia ngrenë dolli për shpirtrat tanë
që rroken ndër shtjella të ajërta,
larg bërsive, larg baltrave të lotëve mëkatarë,
flladi i shtatorit si ‘Balsami i Galaadit’*
na i pështjell tempujt e vetes
dhe të përgjunjur
përpara dhimbjes së dashurisë
ujin, që na rrjedh thellësive,
e kthejmë në verë.

*Balsami i Galaadit- bimë e veçantë e përmendur në Bibël. Përdorej për të prodhuar parfume, temjan dhe ilaçe. Ishte mjaft e çmuar në Lindjen e Mesme për vetitë kurative. Një nga përbërësit e parfumit të parapëlqyer të Kleopatrës, mbretëreshës legjendare të Egjiptit.

Poezi nga Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Shpëtim Selmani

 

*

Dita ishte bërë e bukur,
pasi kisha hequr pluhurin nga
rafti i librave,
po palosja rrobat e gruas, ndërkohë po
dëgjoja “Sparklehorse”,
(nuk ka gjë më të ndërlikuar se palosja
e rrobave të grave),
ia dija historinë secilës bluzë,
secilës këmishë, secilit fustan,
ja, këtë e kishte veshur në Firenze,
ndërsa pinim verë të bukur nga Toskana,
ishte e lumtur,
këtë fustan e kishte veshur
kur më braktisi për gjashtë orë
e tre minuta,
ishte e dëshpëruar,
këtë këmishë e kishte veshur
kur e pashë për herë të parë tek ngutej,
jeta është një shumësi gjërash teknike,
këtë shall me ngjyrën e qiellit
e kishte kur më akuzoi për diçka,
që fatkeqësisht tash për tash nuk më kujtohet.
Palosja rrobat e saj,
secila prej tyre ishte shtëpi kujtimesh,
pas shumë shekujsh filozofie,
jetoja ende me idetë poetike
të njerëzve të parë*.

*sipas Andre Breton.

Kur publiku e ndërton ideologjinë (apo mungesën e saj) nga memet/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Kronikë nga Dogville by

E çfarë gjërash “monstruoze” do t’u bëjë Soros-i popujve të Ballkanit dhe më gjerë, që nuk ua kanë bërë qeveritarët e tyre autokratë, ndaj të cilëve këta popuj nuk rebelohen? 

  Arlinda Guma

Çfarë di unë për George Soros-in?

1. Di që ai është spekulant. Di që emri i tij lidhet pazgjidhshmërisht me termin “E Mërkura e Zezë”, i cili i referohet 16 Shtatorit të vitit 1992, kur një kolaps i paundit e detyroi Britaninë të tërhiqej nga Mekanizmi Europian i Kursit të Këmbimit (ERM). Mbretëria e Bashkuar u detyrua të dilte nga ERM-ja sepse nuk mund të parandalonte që vlera e paundit të binte nën kufirin e specifikuar nga ERM-ja. ERM-ja u krijua në fund të viteve 1970 për të stabilizuar monedhat e vendeve europiane që përgatiteshin për Bashkimin Ekonomik dhe Monetar (EMU) dhe futjen e euros. Vendeve që kërkonin ta zëvendësonin monedhën e tyre me euron iu kërkua ta mbanin vlerën e monedhës së tyre brenda një intervali specifik për disa vite. Dhe “të Mërkurën e Zezë”, George Soros-i e sfidoi Bankën e Anglisë. Ai mendonte se Britania përfundimisht do të dështonte në përpjekjet e saj për ta mbështetur paundin. Kjo ishte gati si një profeci vetëpërmbushëse. Një ditë përpara “të Mërkurës së Zezë”, Fondi “Quantum” i Soros-it filloi të shiste sasi të mëdha paundi në treg, duke bërë që çmimi të binte më tej. Edhe pse Banka e Anglisë ndërmori hapa për të ndaluar shitjen, ajo ishte e pasuksesshme. (Nga ana tjetër, “e Mërkura e Zezë” e mbajti Britaninë e Madhe jashtë eurozonës dhe e shpëtoi atë nga problemet më serioze ekonomike që do të vinin më vonë.) “Të Mërkurën e Zezë”, Banka e Anglisë deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të largohej nga ERM-ja europiane. George Soros-i atë ditë fitoi 1 miliard dollarë.

2. Di që politikanët që kanë probleme me George Soros-in janë të gjithë autoritarë: Viktor Orbán, Erdogan, Sali Berisha. (Gjatë një dhjetëvjeçari të qeverisjes së Viktor Orbán-it, Hungaria zbriti në vendin e 69 për lirinë e shtypit, Erdogani ka mbushur burgjet me gazetarë, ndërsa gjatë qeverisjes Berisha, në protestën e 21 Janarit ku u vranë 4 vetë, një gazetar, i cili u plagos në dorë, u detyrua të kërkonte azil politik në një shtet europian sepse i rrezikohej jeta. Nuk po përmend të tjera fakte të tmerrshme gjatë qeverisjes së këtij të fundit, por meqë jam këtu, dua t’u sugjeroj gazetarëve shqiptarë që të mos ta përdorin më termin “lider historik” sa herë që flitet për të! Në vendet demokratike nuk ka liderë historikë. Në vendet demokratike këta lloj individësh nuk i quajnë liderë historikë por liderë histErikë. Në vendet demokratike, politikanët pas njëfarë kohe largohen vetë nga skena publike. Liderë historikë ka vetëm në vendet autokratike. Dhe janë ata që nuk largohen kurrë nga skena politike.)

3. Di që shumë të rinj shqiptarë janë edukuar në shkollat më të mira europiane me financimet e fondacionit të George Soros-it.

4. Di që po t’i dërgosh ndonjë e-mail institucionit të tij në Shqipëri, nuk do të marrësh kurrë përgjigje.
Di gjithashtu se njerëzit që e kanë drejtuar nëpër vite këtë institucion në Shqipëri, nuk kanë qenë shembull integriteti.

Kaq di unë për George Soros-in.

Por a më mjaftojnë mua këto të dhëna për të nxjerrë përfumdimin se ai kërkon me çdo kusht që ta shpopullojë Shqipërinë? Se ai kërkon ta shfarosë popullin shqiptar?
Jo. Nuk më mjaftojnë.
Një spekulant-filantrop? Ky fakt më vë disi në mendime dhe më hedh ca fije dyshimi por, a kam fakte për këto dyshime? Nuk kam. As edhe një… Dhe si një njeri që u beson fakteve dhe vetëm atyre, e kam të vështirë të besoj legjendat urbane që rrëfejnë një mijë e një të zeza për të.
E megjithatë, sa herë që përmendet emri i tij, seç më krijohet një ndjesi negative. Në një mënyrë krejt instiktive. Një ndjesi negative që më vjen prej nëndërgjegjes.
Ja pra, i gjithë ky agresivitet lajmesh që prodhojnë mediat mbi përbindshmërinë e këtij njeriu, ka sulmuar edhe pavetëdijen time; pavetëdijen e një njeriu të lirë e të pavarur. Ja pra, edhe në pavetëdijen e një njeriu të painfluencueshëm siç jam unë, kjo lloj histerie mediatike e ka lënë një efekt.
Dhe kur ky bum agresiv lajmesh bën efekt tek unë, përfytyroni se ç’katrahurë mund të shkaktojë tek njeriu i masës, tek turma që merr të mirëqenë çdo lajm të rremë, që lexon apo që sheh çdo konspiracionist që del në televizor apo çdo meme. Përfytyroni se çfarë batërdie ndodh në trurin e tij nga ky bombardim i vazhdueshëm, i cili të vetmin qëllim ka të rrisë fiktivisht audiencën me gjëra sensacionale, jo domosdshmërisht të vërteta, gjë që përkthehet në përfitim ekonomik; kjo u duhet mediave sot, pa se ç’ndodh në trurin e shqiptarit që i ndjek, ky nuk duket të jetë aspak problem i saj.
Dhe ja, kështu fermentohet një psikozë masive lidhur me këtë njeri, e cila pastaj shpërthen në formë memesh e komentesh nga më haluçinantet në facebook, ku George Soros-i shahet në një mënyrë aq pasionante, a thua se të gjithë këta komentues e kanë njohur personalisht, se “kanë ngrënë në një çanak me të” dhe se e dinë mirë se për çfarë flasin.
E çfarë gjërash “monstruoze” do t’u bëjë Soros-i popujve të Ballkanit dhe më gjerë, që nuk ua kanë bërë qeveritarët e tyre autokratë, ndaj të cilëve këta popuj nuk rebelohen? Asgjë nuk ka mbetur pa bërë! Por ama gjithandej nëpër meme shohim George Soros-in si gogolin e njerëzimit dhe jo këta qeveritarë.

Po marr një shembull tjetër.

Çfarë di unë për politikanin Nard Ndoka?

Di që dikur ka qënë kreu i një partie politike. Di gjithashtu që një emision satirik, i një televizioni të paskrupullt, i kërkoi atij të thoshte një fjali siç emisioni e kishte në skenar. Dhe Nard Ndoka, në mirëbesim, e tha atë fjali. Ajo fjali më pas u bë meme dhe tani i gjithë opinioni publik mendon se ai është një personazh qesharak, se ai nuk është dhe aq inteligjent. Të gjithë qeshin me Nard Ndokën sepse kanë parasysh batutën që ai tha në atë emision dhe asnjë nuk e merr seriozisht. Kur, në të vërtetë, po ta dëgjosh me vëmendje, ai thotë gjëra me vend. Por fatkeqësisht, askush nuk sheh përtej memeve të panumërta që vazhdojnë të prodhohen nën emrin e tij, dhe ndërkohë ish-realizuesit e emisionit e thonë me krenari se ishin ata krijuesit e këtij imazhi; të padrejtë dhe denigrues për personin në fjalë.

Po marr një shembull tjetër.

Çfarë di unë për politikanin Lulzim Basha?

Di që, ndryshe nga shumë politikanë shqiptarë, ai nuk është arrogant. Di që ka një natyrë të sjellshme, krejt e kundërta me atë imazhin e politikanit të hurit e të litarit me të cilin është mësuar psikoza e popullit shqiptar. Kjo mendësi është formuar me modelin e tipit të fortë të politikanit dhe nuk e përballon dot modelin e butë që i propozon Lulzim Basha. E sikur të mos mjaftonte kjo, kësaj psikoze i shtohet edhe një meme që qarkullon prej vitesh në internet; një fotografi që i është bërë fshehtas Lulzim Bashës ndërsa ai është duke fjetur në divanin e zyrës. Dhe çdo herë që politikani Lulzim Basha ndërmerr ndonjë aksion opozitar, në rrjet çuditërisht riqarkullon ajo foto dhe gjithçka zhvlerësohet. Populli nuk e ndjek në aksionet e tij.
Por në analizën që unë si njeri i pavarur dhe i painfluencueshëm i bëj asaj fotoje përfshihen edhe opsione si:
1. Lulzim Basha sapo është kthyer nga një udhëtim i largët dhe nuk ka patur kohë të shkojë e të çlodhet në shtëpi sepse më pas e pret një mbledhje tjetër…
2. Lulzim Basha është ndjerë papritur keq (njerëz të gjallë jemi) dhe dikush e ka këshilluar të shtrihet në divanin e zyrës për t’u qetësuar…
E shumë e shumë opsione të tjera si këto.
Por turma, masa, këto opsione nuk i llogarit. Ajo komenton çfarë sheh dhe ajo që shpesh shihet nëpër meme është lehtësisht e keqinterpretueshme.
Por përse po i shkruaj të gjitha këto?
Mora si shembuj tre persona publikë, për të treguar sesa lehtë mund të deformohet dhe manipulohet e vërteta nëpërmjet memeve. Se lehtë mund shpërfytyrohet imazhi i një individi prej tyre. Sesi mund të rrënohet e të denigrohet ai thjesht me një foto dhe me ndonjë thënie të keqinterpretueshme.
Por ky nuk është i vetmi shqetësim që kam.
Një shqetësim tjetër është fakti se memet shpesh mund të shfokusojnë targetin e shënjestrës së opinionit publik. Shpesh ato, në vend që të shënjestrojnë dëmtuesin, shënjestrojnë të dëmtuarin. Pa përmendur këtu sfondet seksiste, raciste, etj. (Dhe turma që ndërkohë i brohoret pa pushim si robote.)
Kështu, në vend që të rebelohet ndaj qeverisë, publiku është ngulur tek Soros-i. Ai dhe vetëm ai është armiku i madh i shqiptarëve!
Kështu, në vend që të rebelohet ndaj qeverisë, publiku analizon flokët e Lulzim Bashës, mungesën e tij të arrogancës, aftësitë e tij matematikore apo mënyrën sesi fle.
Është në të mirën e popullit shqiptar që të ketë një opozitë të fortë dhe duke e shkurajuar atë nëpërmjet memeve, publiku nuk bën gjë tjetër veçse dëmton interesat e tij. Publiku kështu punon kundra vetes. Sa më e fortë opozita, aq më i përfaqësuar është ai. (Kushdo qoftë kjo opozitë.)
Sloganet e memeve shpesh edhe e normalizojnë të keqen, i japin asaj nota të pranueshme humori, ndërkohë që në këtë pikë të realitetit të zymtë shqiptar duhet një përshkallëzim opozitar i fuqishëm nga të gjithë kahet.
Shpesh ky lloj shfokusimi është edhe i qëllimshëm, nga njerëzit e qeverisë, për të larguar vëmendjen nga problemi i vërtetë; keq-qeverisja. Dhe më vjen keq ta them, por publiku gjithmonë gënjehet lehtë.
Një e vërtetë tjetër fshihet përtej botës së memeve, por publiku përton ta zbulojë. Ai beson vetëm gjërat e gatshme që i serviren, pa e vënë kurrë në punë logjikën e tij.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që e ndërton ideologjinë (apo mungesën e saj) nga memet.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që edukohet nga ato.
Sot po i shkruaj këto fjalë se kam frikë nga një popull që përton të mendojë!

© Arlinda Guma, 24.10.2021

Ndalohet riprodhimi  i këtij shkrimi.

Peizazhet e natës-Frederik Rreshpja

in Letërsi by

Peizazhet e natës-Frederik Rreshpja

 

Zhduken drurët me fjalë e me gjethe
Dhe luleve u rrëzohen ngjyrat,
Nata gdhend në ajër statujat e hijeve.

Eja ti, tërë dritë si dashuria,
Hidh ngjyra mbi lulet,
Vër rregull mbi peizazhet e botës!

Nëse nuk vjen,
Do të tretem nëpër kështjellat e ftohta,
Vizatuar brutalisht nga nata.

NJË STUDIM PËR VEPRËN LETRARE TË MARTIN CAMAJT/Ajete Zogaj

in Letërsi/Tirana Review by

Ajete Zogaj

Ka libra që lexohen, ka libra që të vënë në mendime, ka libra që ruhen në zemrën e kombit”. (Leonid Leonov)

Viti 2020 shënoi 95 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, gjuhëtarit dhe atdhetarit të shquar, Martin Camaj. Këtë përvjetor të veçantë Sh. B. “Beqir Musli” e Gjilanit e shënoi me botimin e librit “Vepra letrare e Martin Camajt”, të autorit Anton Nikë Berisha, një studim monumental për veprën e Martinit.
Interesimi i profesor Berishës për veprën e Camajt është i hershëm, që nga viti 1978, qysh gjatë qëndrimit të tij studimor në Göttingen të Gjermanisë. Ai zgjati vite me radhë dhe rezultoi me studimin e thelluar, më të plotin e më shkencorin që kemi deri më tani për veprën letrare të këtij shkrimtari.
Studiuesi Anton Nikë Berisha i është kthyer disa herë leximit e studimit të veprës letrare të Camajt dhe secilën herë ka gjetur diçka të veçantë në veprat e tij.
Duke u nisur nga teksti poetik, nga shtjellimi i veçantë i tij në një varg veprash të Camajt, qysh në Parathënien e vitit 1991, Berisha do të shkruajë: “E shoh të nevojshme të përmend këtu se koha e jetës dhe e receptimit intensiv të veprës letrare të Camajt në rrafshin gjithëkombëtar duhet të fillojë.”(f. 10).
Gjatë leximit dhe rileximit të veprës letrare të Camajt, Berisha u mishërua me të, prandaj veprave të veçanta të tij, qofshin në poezi, në prozë, qofshin në dramë, u bëri një interpretim të menduar mirë, profesionalisht të ngritur, përmes të cilit i ndriçoi disa nga vlerat më kryesore të tyre. Siç do të shprehej Zh. La Bryjer: “Kur leximi ju lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërkoni arsye të tjera për të çmuar atë vepër, ajo është e mirë dhe e ka shkruar një mjeshtër”.
Studimi “Vepra letrare e Martin Camajt” e profesor Anton Nikë Berishës, botuar nga Sh. b. “Beqir Musliu”, u shtua dhe u rishikua; u saktësuan mendime, u shtuan vlerësime; u pasurua këndvështrimi, u bënë shtesa. Është me vlerë sidomos pjesa për veprën letrare të Martinit, vështruar pas njëzet vitesh më vonë, për ta cilësuar përsëri si vepër letrare sa të mëvetësishme, aq dhe të rëndësishme, me një shtjellim gjuhësor shprehës të veçantë, të krijuar nga mendja e një mjeshtri të madh të artit të fjalës së shkruar.
Në fillim të studimit, Berisha  sjell shënimet përcjellëse për të tre botimet e mëparshme të studimit për veprën letrare të Martin Camajt, të botuara në Kozencë e Tiranë, në intervale të ndryshme kohore e të plotësuara, sikurse jep edhe një shënim shtesë për botimin e vitit 2020 të bërë në Gjilan.
Libri i Anton Nikë Berishës, “Vepra letrare e Martin Camajt” shtjellohet në tre kapituj, përmes të cilëve, në mënyrë të thelluar, trajtohen çështjet e poetikës së veprës letrare të këtij shkrimtari: Camaj poet, Camaj prozator dhe Camaj dramaturg.
Profesor Berisha me të drejtë thekson: “Vepra e tij poetike është, para së gjithash, fryt, me një anë, i aftësisë krijuese e përfytyruese dhe, me anë tjetër, i përkushtimit të madh krijues. […] Vepra e Martin Camajt u krijua në vazhdimësi në një periudhë mbi dyzetvjeçare dhe në kushte dhe rrethana të veçanta e në vende të ndryshme, prandaj përcaktimi i tipareve të saj, i periudhave të krijimtarisë dhe i shkallëshmërisë dhe natyrshmërisë së evolimit, si dhe i ngritjes së cilësisë artistike të saj, kërkon shumë më tepër aftësi e flijim mendor e profesional sesa mendohet në të parë” (f. 20).
Sipas Berishës, Martin Camaj fillet krijuese artistike i pati me poezi, ku më 1951 në revistën letrare “Jeta e re” të Prishtinës botoi poezinë “Mësuesi i ri” (nr. 5) dhe “Mullini i ujit” (nr. 6), ndërkaq në vitin 1953 ndërmarrja botuese “Mustafa Bakija” e Prishtinës, i botoi përmbledhjen tashmë klasike “Nji fyell ndër male” dhe më 1954 “Kanga e vërrinit”.
Pas analizës që i bën krijimtarisë letrare të Camajt, ngritjes dhe pasurimit të saj, profesor Berisha veçon tri periudha, që meritojnë shqyrtim të veçantë:
Periudha e parë: 1953 – 1967
Periudha e dytë: 1967- 1978 dhe
Periudha e tretë: 1978- 1992.
Në procesin e ndriçimit të vlerave poetike të poezisë së Camajt, sidomos në mënyrën se si autori u qaset dhe i shqipton dukuritë përmes gjuhës, përmes tekstit, në veprat e botuara në vitet 1967-1978, Berisha thekson: “[…] nëpërmjet artit të fjalës, poezisë, Camaj vë dialog me gjithë atë që i duket e rëndësishme dhe e nevojshme për njeriun në rrjedhën jetësore, për pasurimin dhe vetëdijesimin e tij. Camaj nuk krijoi poezinë (kjo ndodh edhe me veprat e tij në prozë e në dramë) për hir vetëm të artit, për hir të dëshmimit të prirjes dhe imagjinatës krijuese poetike të tij, të vetëkënaqësisë artistike, por për domosdonë e komunikimit artistik e të ndikimit estetik të veprës së tij me marrësin – receptuesin e saj.” (f. 41- 42).
Në interpretimin që i bën përmbledhjes “Njeriu me vete e me të tjerët”, e botuar në München më 1978, Berisha thekson se ajo hyn në radhën më të ngushtë të vëllimeve më artistike dhe më të rëndësishme të poezisë gjithëshqiptare deri më sot; nga struktura tekstore poetike e krijuar rrezatojnë mendime që rrahin larg. (f. 50).
Edhe poezitë e periudhës së tretë, janë trajtuar nga rrafshe të ndryshme, ku autori ndalet sidomos tek libri Palimpsest, që është i fundit i shkruar nga Martin Camaj dhe përmbyll krijimtarinë e tij në këtë fushë.
Studiuesi Berisha merret sidomos me mënyrën si Camaj i shpreh dukuritë, përkatësisht se si e shtjellon tekstin poetik, të hartuar në periudhën e tretë, ku dëshmohet një art i madh: “ Poezia e periudhës së tretë të Camajt, për t’u receptuar kërkon një lexim të përkujdesshëm, një njohje të natyrës së artit të fjalës e të fuqisë së tij magjike, një përafri dhe bashkafrim kohësisht më të gjatë. Ajo nuk të përvetëson fillimisht dhe me lexim të parë; kërkon më tepër arsye pse është krijuar për atë qëllim: që të pushtohet me mundim e me përpjekje më të mëdha […] së këndejmi, mund të themi me gjithë mend se kjo poezi e Camajt është shembull dhe dëshmi e njëmendët se sa njeriu mund të pasurohet e të fisnikërohet shpirtërisht nga vlera kulminante të artit letrar” (f. 72-73).
Me përkushtim Berisha e ka studiuar edhe Camajn prozator. “Në fushën e prozës Martin Camaj u dëshmua romancier dhe novelist dhe në dyja këto forma tregoi aftësinë dhe imagjinatën e krijuesit të madh” (f. 77).
Autori merret sidomos me veprën “Dranja”, njëra nga krijesat më të veçanta e më me vlerë të Camajt, po dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Po ashtu Berisha i bën një interpretim të thelluar dhe romanit “Karpa”; ngjarjet ndodhin në një të ardhme të përfytyruar, ku Camaj gërmon në shpirtin e personazheve e të zbulimit të prejardhjes së tyre.
Aftësi të jashtëzakonshme krijuese Camaj tregoi edhe në lërimin e veprave dramatike, si, fjala vjen: “Loja e mbasdrekës” (1981) dhe “Kandili i argjendit” (1993).
Dy shtojca:” Të tjerët për veprën e Martin Camajt” dhe “Njëzet letra të Martin Camajt” janë pjesë e rëndësishme e këtij studimi.
Derisa në shtojcën e parë kemi mundësinë të lexojmë vlerësime meritore për krijimtarinë letrare të Martin Camajt nga njohës të veprës së tij, shtojca e dytë është me interes të veçantë për lexuesit dhe studiuesit: Camaj sjell të dhëna të rëndësishme për mënyrën e krijimit të veprave të tij dhe të përkushtimit krijues. Ato sjellin të dhëna për njohjen e profesor Anton Nikë Berishës me Martin Camajn si dhe për kujdesin e jashtëzakonshëm për t’i ruajtur e për t’i botuar ato. Letrat shpërfaqin kulturën e dy intelektualëve meritorë, dijen dhe njohjet e thella për fusha të ndryshme të dijes e të artit, por edhe për çështje madhore të kombit.
Në to shfaqet konsiderata dhe vlerësimi i lartë që Martini ka për profesor Berishën dhe për Kosovën: “Letra jote vë në dukje disa pika që i harroj: relacioni im me ju. Gja që më ka ngurrue në shumë (pikëpyetje). Pa çue gjatë: në zemër (innerlich”) nuk ka asnjë grup kulturor shqiptar jashtë e brenda që e ndiej ma afër se ju.”(Lenggries, 6. 5. 1984)
Studimi për veprën letrare të Martin Camajt dëshmon për një punë të mirëfilltë, për një përkushtim dhe dije të madhe të profesor Anton Nikë Berishës në fushën e studimit dhe të interpretimit të veprave letrare për arsye se vepra letrare e Camajt e vë secilin studiues para vështirësive të ndryshme, të cilën e përmend dhe Berisha.
Mendimi i filozofit anglez, Francis Bacon: “Leximi e kompleton njeriun; biseda e bën të shkathët, të shkruarit e bën të saktë”, sikur ndërlidhet bukur me leximin, rileximin dhe me studimin që profesor Berisha i bën veprës së Camajt, përmes të cilit ndriçohen disa nga vlerat kryesore të kësaj vepre me interes të shumëfishtë. Edhe vetë Berisha thekson se ky studim duhet marrë vetëm si një mundësi të qasjes dhe interpretimit të veprave poetike të Camajt: “Vepra e Camajt ka vlera të mëdha dhe ofron mundësi të pashterueshme për studime e vlerësime sa herë që t’i qasemi, ta lexojmë dhe të merremi me përkushtim me të” (f. 162).

Prishtinë, Shtator 2021

Pse shkruaj?-Herman Çuka

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Herman Çuka.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Herman Çuka

Pse shkruaj?
Të pyesësësh “pse shkruan” është sikur të pyesësh “pse pi ujë”? Apo: “pse ëndërron” ose “pse flet heshtur”, sepse e shkruara është fjalë, është tingull, është sikur të dizenjosh…
Përse mendoj kështu?
Ja, po e shpegoj në mënyrë “primitive” ose po sjell si shembull atë epokë kur njeriu i parë e lëshoi tingullin dhe vizatimin si fjalë mbi faqet gurore në banesat nëntokësore, pastaj me evolimin, pas tingullit erdhi fjala dhe pas kodit të vizatimeve erdhi dhe e shkruara, sepse vizatimet e hershme, sa primitive në dukje sot, për atë epokë ishin evolucion i njerëzimit; dëshmi, histori, pse jo, edhe ndjesi e brendshme emocionale tek njeriu i hershëm. Dhe mendoj se zanafilla e të shkruarit është që aty, në atë primitivitet të natyrshëm naiv, të virgjër së shprehuri, ku më tej ka marrë udhë e shkruara e mirëfilltë e kohëve të sotme. Dhe besoj që në atë kohë, edhe pse e panjohur deri në thellësi për vetë arsyet që dihen, ka pasur, le të themi në thonjëza, “artistë”, pra, me evolimin njerëzor dhe poetë e shkrimtarë” të gjeneratave të ardhshme.
Por po hyj në kontekstin e pyetjes:
E shkruara për mua është diçka krejtësisht spontane, kryesisht poezia (kjo gjini s’ka shënime të arkivuara që paskëtaj t’u kthehesh e t’i bësh poezi… tjetër gjë ripunimi, korrigjimi…).
Sa për kuriozitet, që në fillesat e hershme, fëmijë, në shkollë, kur nuk më tërhiqte ora e mësimit , ose vizatoja, ose thurja vargje mbi librat e fletoret dhe mbi bangat e shkollës, gjë e cila rridhte natyrshëm (duke marrë dhe vërejtje, sigurisht me pasoja).
Por shtysë e fortë ka qënë koha kur për mua nisi kalvari i biografisë… pa u zgjatur e pa hyrë në detaje… aty, pa e kuptuar mori formë e shkruara, vargjet, madje edhe ditari.
Mendova se me kohën do të fikej, sigurisht kur krijon familje, bëhesh nënë dhe thua që “s’ke kohë”; vërtet që koha e gruas është e racionuar, por shpirti nuk të pyet kur ke brenda atë xixëllonjë talenti, të vjen në gishta e shkruan, madje edhe në situatat më të vështira, është çlirim, është shpëtim nga çmenduria. Ajo revoltë dhe ai rebelim me veten, jo vetëm ndaj kohës, shoqërisë e çdo lloj sistemi në të cilin jeton, e dihet, në veçanti ndaj regjimeve.
Edhe emigrimi ka pjesën e vet të frymëzimit; për atë që ke lënë mbas, për atë që ke marrë me vete, për atë që gjen në tokë të huaj dhe pastaj të duket sikur ribëhesh në dy dashuri dhe dhimbje atdheu, shtëpie (mbi)jetese, si për veten, familjen e për mijëra motive të tjera që të rrethojnë, dhe kjo, sigurisht jep ngacmime dhe nis e flet me vete kur nuk mundesh; të shkruash e të qash edhe për një dorë të zgjatur… aq sa harron lumturitë e tua të “vogla” e të shpëton përsëri poezia që të vjen si vetëtimë…
Pastaj jeta ka miliona motive; miliona që një shkrimtari e një poeti, edhe një jetë e tërë nuk do t’i mjaftonte për t’i hedhur në letër… sigurisht që e shkruara e secilit është vetjake, dhe unë, personalisht, nuk mund të fisja në përgjithësi.
Kjo mbase vjen edhe nga karakteri, nga trajtimi i temave të ndryshme. Jam më bindëse kur fjala më del nga shpirti prej dhimbjes sesa prej gëzimit, për veten dhe për gjithçka që më rrethon, që na rrethon. (Jo se bëj një jetë pa gëzime e dëshira, përkundrazi, megjithë grushtet nga jeta, i kam marrë më të mirën me thonj e forcë.)
Si përfundim, e shkruara, si çdo talent tjetër, është çlirim dhe një lloj burgu nga ndjesitë, muza, është jetë, është dashuri, është tradhti, po, po, tradhti e vetvetes e gur Sizifi (sepse kur e bën mendimin dhe fjalën tënde publike, përveç duartrokitjes mund të të presë gati gijotina, nga lexuesi e më tej.) Dhe si një koshere me bletë, herë si xixëllonjat, herë si tingull i shpirtit, që tek ai që shkruan; germat, fjala, mendimi, janë pentagrami…. Është si uji që kur rrjedh i ujit tokat (nuk ka çast të caktuar, as orë e vend, besoj dhe në gjumë truri riciklon) dhe një ditë shteron si uji, e kudo ndihet etje dhe ta ndjen edhe shpirti…

Vrapimi i gjatë asnjëmilimetërsh-Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Vrapimi i gjatë asnjëmilimetërsh-Shpëtim Selmani

 

Vrapo me mua,
unë jam muzika e lëkurtë e Morrisonit,
jam zëri i pangopshëm i Bob Dylanit,
jam varg i zbehur i Cohenit të sëmurë,
jam thartësira dhe trishtimi i Guernikës së Pikasos,
buzeqëshja falso e Mona Lizës,
surrealizmi i çmendur e i pafat i masturbatorit gjigant,
kurvëria e ndershme e Bukowskit,
trotuari i kryeqytetit që glasohet nga kopjet,
jam vrasësi i John Lennonit dhe burri i gruas së tij,
jam një këshillë e mërzitshme që përplaset në fytyrën e kujtdo,
jam kryevepra dhe krijimi më i përsosur i babait të zymtë,
një foshnje e paqëruar e nënës së qeshur.

Vrapo me mua,
unë jam amerikan, afrikan, europian, australian,
katolik, ortodoks, musliman, i bardhë,
i zi, i verdhë, jam aziatik, i shtypur dhe shtypës,
shtëpinë e kam me strukturë latine,
Kadarenë nuk e kam lexuar kurrë, kjo nuk do të thotë që e urrej,
Kamyja më frikëson, ai ka një altoparlant që të shqetëson,
Ginsbergu ka veshur pantallonat që
i kam marrë dhuratë nga dikush që është askush,
AJO nuk do të doja që të mplaket kurrë,
jam kangur që mbaj dhimbjet universale
në qeset e meskëmbëve të mia.

Vrapo me mua,
jam indian, sentimental, fshatar, fëmijë i padurueshëm,
i dashur sepse disa më thonë kështu,
katrorët e jelekut tim më rrinë mirë vetëm
mua mbi këtë faqe të dheut, a nuk është kënaqësi,
kam lexuar edhe Hessen, Dostojevskin,
Buzzatin e shumë e shumë të tjerë,
nuk më kujtohen sa janë të gjithë,
e rëndësishme që asnjëri nuk m’i shëroi
plagët e vizitës sime këtu ku jeni ju,
jam çamçakëzi që ai vrasës është duke e përtypur,
një gotë e zbrazur që ka të ftohtë,
perde e teatrit që vuan nga sëmundja e lëvizjes së derës,
jam i kompleksuar, katundar i dashuruar me lopë,
i urbanizuar me marihuanë në mes gishtave të këmbës.

Vrapo me mua,
jam religjion i magjishëm që nuk duron propagandën e fëlliqur,
panjohuri e zakonshme që pret të lakohet,
jam piktura e papërfunduar e një qytetareje të thjeshtë,
më kanë therur në bark, në një natë kur nuk isha në shtëpi,
kam lexuar për jogën dhe elasticitetin që e kam ndarë në dysh,
jam xhuxhi më simpatik i lagjes më të njohur në nëntokë,
palaço që inspirohet nga Çaplini i depresionuar,
portreti i sakatuar i njeriut që quhet Oskar Uajld.

Vrapo me mua,
i njoh mirë detet që nuk i kam pështyrë kurrë,
njoh oqeanet dhe thellësitë e tyre kozmike,
majat e larta dhe kupat vullkanike i kam puthur për mirësjelljen e tyre,
pyjet e pashkelura i kam dekoruar si ara të pëlleshme,
shkretëtirën e kam pastruar me nxehtësi metalike,
kanalet artificiale i kam hapur unë me një gjilpërë të verbuar,
brenda e mbaj tërë dashurinë eternale.

Vrapo o njeri,
nuk kemi më kohë për ta humbur edhe një lojë,
për dilema të krisura shpirtërore,
e as për pritjet e stërgjatura të Godosë që
është mashtruar nga Beketi,
as për konsultime diplomatike që përqeshin kohën,
nuk kemi nevojë për inteligjencë të vetëshkatërruar,
kemi dashuri edhe për nesër,
kjo është ajo që e duam,
jam fillimi dhe fundi i udhëtimit që e jetojmë duke e ëndërruar,
nuk kemi nevojë për hipokrizi të shenjta që rrjedhin
në mes ballit të një njeriu të ri,
jam syri dhe vaji,
mallkimi dhe urata,
jam përsosja e hapit tuaj.

Pse duhet të jetë në kopertinën e librit emri i përkthyesit/Jennifer Croft

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Përkthyesit janë si ninxhat. Nëse ju i dalloni, ata nuk janë të mirë.

           Jennifer Croft

  Përktheu: Arlinda Guma

Botuesit e shmangin nxjerrjen në pah të njerëzve që e zgjedhin çdo fjalë për librat që u sjellin lexuesve në gjuhën anglezë. Kjo mungesë transparence është e gabuar dhe e padrejtë
“Përkthyesit janë si ninxhat. Nëse ju i dalloni, ata nuk janë të mirë.” Ky citat, që i atribuohet autorit izraelit Etgar Keret, është përhapur si meme, dhe, e kush nuk e do një citat fshikullues që ka të bëjë me ninxhat? Megjithatë, kjo ideja – që një përkthyes letrar, nga çasti në çast mund të kryejë ndonjë sulm të befasishëm dhe që ne vazhdimisht e mashtrojmë lexuesin si pjesë e një komploti të mirëmenduar mercenarësh – është ndër më toksiket në letërsinë botërore.
Realiteti i teksteve që qarkullojnë ndërkombëtarisht është se në kontekstin e tyre të ri, u takon përkthyesve të tyre të zgjedhin çdo fjalë që ata do të përmbajnë. Kur lexoni “Flights” të nobelistes Olga Tokarczuk në anglisht, fjalët janë të gjitha të miat. Përkthyesit nuk janë si ninxhat, por fjalët janë njerëzore, që do të thotë se ato janë unike dhe nuk kanë ekuivalentë të drejtpërdrejtë. Ju e shihni këtë në gjuhën angleze: fjala “cool” nuk është identike me fjalën “chilly”, edhe pse janë të ngjashme. “Frosty ”ka kuptime të tjera, përdorime të tjera; ashtu si edhe “frigid”. Zgjedhja e njërit prej këtyre opsioneve, më vete nuk ka kuptim; duhet të peshohet në ekuilibrin e fjalisë, paragrafit, në ekuilibrin e së tërës, dhe është përkthyesi ai që është përgjegjës, nga fillimi deri në fund, për ndërtimin e një bashkësie leksikore të lulëzuar, e cila është e pavarur dhe në lidhje të thellë me modelin e saj.
Që kur fillova një MFA në përkthimin letrar në Universitetin e Iowa-s, saktësisht 20 vjet më parë, ka pasur ndryshime të shumta pozitive në mënyrën sesi paguhen dhe perceptohen përkthyesit. Për shembull, Çmimi International Booker, i cili që nga viti 2016 ka ndarë shumën bujare prej 50,000 paundësh midis autorit dhe përkthyesit, duke e njohur kështu vërtetësisht veprën si një entitet thelbësisht bashkëpunues që, si një fëmijë, ka nevojë për dy paraardhës për të ekzistuar.
Pavarësisht këtij lloji përparimi të jashtëzakonshëm, ka ende hapësirë ​​të mjaftueshme për përmirësim. Shpesh, përkthyesit nuk marrin asnjë honorar – unë nuk marr në SHBA për librin “Flights” – dhe një numër befasues botuesish nuk i vlerësojnë përkthyesit në kopertinat e librave të tyre. E kam fjalën për hapësirën ku zakonisht shkruhet emri i autorit dhe titulli. Njerëzit kanë tendencë të habiten kur unë e përmend këtë, por hidhini edhe një sy Çmimit International Booker dhe do të shihni se për çfarë e kam fjalën.
Që nga fillimi i aplikimit të çmimit të ristrukturuar në vitin 2016, asnjë nga gjashtë veprat fituese për fiction-in nuk e ka shkruar emrin e përkthyesit në kopertinën e përparme. Granta nuk ia vuri emrin Deborah Smith-in në kopertinë; Jonathan Cape nuk e vuri emrin e Xhesika Cohen-it; Fitzcarraldo-ja nuk e vuri emrin tim; Sandstone Press nuk e vuri emrin e Marilyn Booth-it; Faber & Faber nuk e vuri emrin e Michele Hutchison-it. Libri “Natën i gjithë gjaku është i zi”, shkruar nga David Diop-i, fituesi i vitit 2021, nga Pushkin Press, nuk e ka emrin e përkthyeses Anna Moschovakis në kopertinë, edhe pse në këtë të fundit shfaqen citate nga tre burime të emërtuara. E thënë me fjalë të tjera, katër emra në kopertinën e një libri, të cilit Moschovakis-i i përktheu çdo fjalë. Por ama vendosja e vetë emrit të saj atje u konsiderua e tepërt.
Hamendësimi themelor nga ana e shumë botuesve duket se është që lexuesit nuk u besojnë përkthyesve dhe nuk e blejnë një libër nëse e kuptojnë se është përkthim. Megjithatë, a nuk është pikërisht kjo lloj dredhie që ngjall mosbesim dhe jo përkthimi vetë? Ajo çfarë e bën një lexues të marrë një libër të panjohur, është ndjenja emocionuese se ata do të fillojnë një udhëtim interesant me një udhëzues të kualifikuar. Në rastin e përkthimeve, ata marrin dy udhërrëfyes vetëm me një çmim, një pazar “i mahnitshëm” – “befasues”, “i mrekullueshëm”, “fantastik”, “i pabesueshëm”.
Ne kemi dëshpërimisht nevojë për më shumë transparencë në çdo nivel të prodhimit letrar; ky është vetëm një shembull, edhe pse unë mendoj se është urgjent. Përkthyesit nuk janë si ninxhat. Por ne jemi ata që kontrollojnë mënyrën e rrëfimit të një historie; ne jemi njerëzit që krijojnë dhe ruajnë stilin e transplantuar të librit. E thënë përgjithësisht, ne jemi edhe avokatët më të besueshëm të librave tanë dhe kujdesemi për ta më mirë se kushdo tjetër. Kopertinat nuk mund të vazhdojnë ta fshehin se kush jemi. Është një biznes i keq, nuk na bën të llogaritshëm për zgjedhjet tona dhe në lënien e qëllimshme në errësirë të emrave tanë ka një praktikë që është fyese, jo vetëm për ne, por edhe për lexuesit.

Marrë nga: The Guardian

Përkthimi ©Arlinda Guma

1 66 67 68 69 70 182
Go to Top