Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Iva Çaushaj.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Iva Çaushaj

    Përse shkruaj?

Kur mendoj për të bukurën, udhëtoj pas në kohë, në vitet e fëminisë. Letërsia, tok me artet, ishin gurë themeli. Ende të tillë janë, sepse edukimi i shpirtit me të bukurën, sikurse ka thënë Jeronim de Rada, është një punë e lodhshme sa vetë jeta.
Dëshiroj të rrëfej një histori. Një prej atyre përjetimesh që të mbesin brenda, megjithëse vitet kalojnë, sërish ua ndjen shijet dhe aromat të patjetërsuara në kohë.

* * *
Duhet të kem qënë jo më shumë se dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe, kur në shtëpinë tonë vjen një dhuratë e pazakontë – një poster i kornizuar i dy duarve, të cilat rrekeshin të ceknin njëra-tjetrën në një prekje kurrëshlyer.
– Ah, prekja e Perëndisë! – më kujtohet ime gjyshe, tek pëshpëriste nën zë dhe, fill pas, bënte tri herë radhazi kryqin. Ndërsa, brenda meje, emocioni që shkaktonte fragmenti i duarve nuk mbruhej asfare prej ndjesive fetare, të cilat, ime gjyshe mundohej më kot të mi brendësonte e rrënjoste.
Në meshën e së dielës paradite ndihesha si e huaj. Më tepër miklohesha të kundroja siluetat e ngrefosura sesa të përfillesha se gjendesha në atë çka konsiderohej si shtëpia e Zotit. Besoj se atëkohë nisa të ndërtoja urat e komunikimit mes meje dhe Atij. I flisja shpesh, ulur në shtratin tim. Ai më dëgjonte, herë-herë edhe më ndihmonte.
Sot ndiej se si, e tillë përqasje ndaj besimit, ka ndikuar jo pak në lëvrimin dhe formimin e botës sime shpirtërore.
Fragmenti i duarve prej pikturës së Michelangelos në kupolën e Kapelës Sistina, “Krijimi i Adamit”, përshfaqej për çdo ditë mbi murin e dhomës së ndenjies, duke kënaqur çdo shqisë timen përmes harmonisë së formave, toneve dhe, asaj thuajse-prekjeje prej një bukurie tronditëse, praruar nën tisin e misterit. Kësisoj, nisa të mendoja për një bukuri, e cila shtrihej përtej bindjeve dhe etaloneve të kohës. E tillë bukuri më frymëzoi të perceptoja ndryshe, të hulumtoja në kërkim të një bote, e cila shpalosej përtej katër mureve të dhomës sime. Sa më shumë e zbuloja të bukurën, përmes librave, këngëve, artit dhe njerëzores, aq më shumë doja ta kisha pranë vetes, ta brendësoja, ta rrëfeja, ta shkruaja.

* * *
Shkrimet e para ishin emocione, përjetime, apo përshtjellime të moshës së adoleshencës, endur si tis i brishtë mes realitetit dhe imagjinatës, molepsur pashmangshmërisht prej dilemave moshore, herë-herë në zgrip të honeve përpirëse, të cilat, frymëmbajtur, lindnin pyetje shteruese si: “Përse ekzistoj?”, “Përse kam ardhur?”, “Ku do të shkoj?”.
Në kohë u rikthehem shkrimeve në fletët e ditarit. Ndonjëherë qeshem me veten. Të tjera herë gjej fragmente të mira, që lypin veç t’u përpunohet fjala, teksa ndjesia e shkrimit mbërrin e plotë. Këto janë çaste kur ndiej at’ lumturi të fshehtë të më ngërthejë së brendshmi.
Përmes shkrimeve të kahershme më kujtohet vetja si kam qënë, më kujtohet pjesa e rrugëtimit të përshkuar për të mbërritur këtu ku jam sot, por mbi të gjitha, gjej ende tharmin shpirtëror të mbruj çka dëshiroj të bëhem.
Nëse letërsia dhe artet ishin shkëndija, çka erdhi më pas në jetën time, si bekim apo vetëtimë në qiell të hapur, u shndërrua në tharm krijues, për të shkruar e rrëfyer trajtat e qenies sime, jo pak herë të lëna në mes, në turravrapin e ditëve… vargje të shkruara e të harruara aty-këtu ndër faqe librash, apo humbur ndër sirtarë kujtesash.
– Ti nuk shkruan aq sa dëshiron apo ke nevojë, – i them vetes trishtueshëm!
– Një ditë do të mund ta gjesh kohën ose ajo ty dhe do të shkruani më gjatë për njëra-tjetrën. Ndoshta, një ditë… – ma kthen vetja buzagaz.
Të shkruash është të bësh bashkë kujtimet, brengat, dhimbjet shteruese, humbjet, sikurse, çastet e lumturisë, njomur me lot gëzimi. Të shkruash është të mundësh të jetosh e të përjetosh fuqishëm e plotësisht ndjesitë, anipse emocionet e forta herë-herë mund të të shpien në zgrip të çmendurisë.
Të shkruash është të mundësh t’i bësh bashkë ditët e jetës sate dhe të krijosh formën më të brendshme shpirtërore e mendore, për ta risjellë përjetimin tënd me fuqinë që mbart fjala e shkruar.
Gjithmonë kam besuar se, çka e bën unik procesin e të shkruarit nuk është pikërisht ai çasti kur ti ulesh të shkruash. “Lexoni mijëra libra dhe fjalët do t’ju vërshojnë lumë”, do të këshillonte Virginia Woolf. Kësisoj, shumëkush mund të lexojë pafund e të trashëgojë një gjuhë letrare tejet të pasur. Mirëpo magjia e të shkruarit fshihet tjetërkund. Magjia e të shkruarit lind tek ato përjetime shkëndritëse, teksa muza të përshpërit në heshtje kaotike ndjesitë më të para, që presin ethshëm të ngjizen me fjalët.
Që në atë çast ti e di se diç ke krijuar. Ti e ndien së brendshmi se i gjithë universi në ato çaste të papërsëritshme është me ty dhe në ty.
Eugenio Montale thoshte se duhen vite për të mbledhur një grusht poezish, mandej, hedhja në letër është e rrufeshme, shpesh është punë minutash.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.