Author

Admin - page 62

Admin has 1813 articles published.

Për studenten që vodhi librin tim në një librari/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Libraria në rrugën 84 by

Le ta shpëtojmë këtë njeri…

  Arlinda Guma

– Librin tënd nuk arrita ta mbaroja së lexuari, – me tha Rozi, ajo ka një librari të vogël. – Lexova vetëm 10 faqet e para dhe pastaj avulloi. Duhet të ma kenë vjedhur këtu tek puna. Ndoshta ka qenë një vajzë, studente, që më tha se do t’i porosiste të tre librat e tu, por që pastaj nuk erdhi më.
– Më vjen keq, – e ngushëllova unë. Pastaj, pasi u mendova pak, i thashë: – Po pse, vjedhin libra në ditët e sotme?
– Si jo, – ma ktheu ajo. – Vjedhin dhe me dorë të rëndë fare…
E përfytyrova personazhin e romanit tim, duke u troshitur brenda çantës së studentes, ndërsa ajo vrapon që të mos ta arrijnë…
Në të vërtetë, më erdhi keq që Rozi nuk e mbaroi dot së lexuari librin; ajo më kujton gjithmonë personazhin e librares tek filmi “Ke një email” për pasionin me të cilin u flet blerësve të saj për librat (më tha se nga ato pak faqe që kishte mundur të lexonte, kishte arritur të nënvizonte disa shprehje dhe donte t’i hidhte në një file në kompjuter), por njëherazi edhe u ndjeva mirë që dikush në këtë botë paska uri për të lexuar. Kujtoja se ajo uri tashmë i përkiste një tjetër kohe…
Dhe thashë me vete: Po ndoshta bota nuk ka marrë fund ende…
Nga të gjitha llojet e vjedhjeve, vjedhja e një libri është ajo më e justifikuara, ajo fisnikja. Ky gjest më flet për një njeri që ka etje për dije, por që nuk ka mundësi financiare për ta patur këtë dije. Dhe kjo është vërtet diçka e trishtë, që e shuan përnjëherësh të gjithë atë gëzimin tim të parë.
E përfytyrova këtë vajzë, ndoshta me dy prindër të papunë, ndoshta nga një zonë e largët ku mundësitë janë të pakta… Ku mund t’i gjejë ajo librat?
Dhe m’u kujtua vetja, fëmijë, në kohën më intensive të leximeve të mia. Atëherë kisha një lloj varësie ndaj librave, ashtu siç sot të rinjtë e kanë nga mediat sociale. Më kujtohet që isha abonuar në dy bibloteka. Punonjësi i njërës prej biblotekave më shihte me habi kur unë paraqitesha atje përditë; i sillja librin që kisha lexuar dhe merrja një tjetër, e ai u hidhte një shikim kartelave me emrin tim që mbusheshin me një shpejtësi të frikshme me titujt e librave që lexoja. Më kujtohet që një dimër ra shumë dëborë, ishte aq e rrallë dëbora dhe rënia e saj më jepte një lumturi të pamasë kur ecja rrugës nën fjollat e buta dhe ishte një qetësi e bukur në armosferë, një lumturi e brendshme që dendësohej kur dilja nga dera e biblotekës me librin e ri në dorë, duke ecur përmes asaj bardhësie e duke shtrënguar në duar një botë të panjohur në pritje për t’u eksploruar. Ajo ditë, me ato fjollëza të buta dëbore, ajo qetësi, ajo lumturi e brendshme, ka mbetur thellë në kujtesën time si trailer-i i një filmi, ajo më shfaqet përpara syve edhe tani, sa herë që shtrëngoj në duar një libër të ri. Edhe tani kam ndjesinë e lumturisë së asaj dite dhe ndiej zemrën të më rrahë për çdo botë të re brenda kapakëve të një libri. Edhe tani kam mbetur e njëjta lexuese e përdëllyer pas librave.
Por unë kisha mundësinë të lexoja aq shumë libra se në kohën e fëmijërisë sime kishte bibloteka. Bibloteka kudo, edhe në zonën më të humbur e më të thellë, natyrisht në funksion të ideologjisë së kohës, por në to gjeje edhe libra të paideologjizuar, apo “të dyshimtë”, që i kishin shpëtuar vigjilencës së biblotekuesit.
Jam e ndërgjegjshme që opinioni publik në Shqipëri është ende i papjekur për të gjykuar qartë në lidhje me këtë temë, ai sheh vazhdimisht bardh e zi, por e vërteta është se ato bibloteka që ekzistonin edhe në cepat më të humbur të Shqipërisë qenë arritja më e madhe e socializmit. Në ato bibloteka unë kam njohur autorë si Petro Marko, për mua themeluesi i romanit klasik shqiptar, me “Nata e Ustikës” dhe “Hasta la Vista”, kam njohur Giani Rodari-n e dashur, e shumë e shumë të tjerë. Librat e autorëve të ndryshëm qe shpalleshin të ndaluar, disa bibloteka i kishin ende në raftet e tyre. Aq shpesh ndërronin dinamikat saqë biblotekuesit nuk e kishin dhe aq të qartë se çfarë duhej të bënin me ata libra.
Unë i jam mirënjohëse faktit që fëmijëria ime përkoi me një kohë që kishte bibloteka, përndryshe, prindërit e mi, sado të përkushtuar të ishin që të më siguronin gjithçka që kërkoja, prapë nuk do të mundnin të m’i siguronin të gjithë ata libra për të cilët unë kisha aq uri.
Rezultat i asaj punës gjigante që biblotekat bënë me njerëzit, ishte fakti që në vitet 90, kur ra sistemi socialist, shqiptarët qenë me të lexuarit. Ata ishin një popull i varfër, por paradoksalisht kësaj edhe shumë i lexuar. Shqiptarët mbanin shishen e Coca Cola-s në bufe, por ama kishin lexuar Tolstoin. Shqiptarët ishin të dobët, të paushqyer, por kishin lexuar Balzakun. Dhe më pas, kur rrugët u hapën dhe në shtetet fqinje vërshuan emigrantët e parë, shqiptarët kuptuan se shumë prej bosëve që u dhanë punë, që i shfrytëzuan barbarisht, nuk e njihnin fare Balzakun, nuk kishin dëgjuar kurrë për Tolstoin. Po ndoshta ky fakt shpjegonte edhe shfrytëzimin barbar të tyre. Fjalia: “Jemi në kapitalizëm” justifikonte gjithçka. Edhe mosnjohjen e Tolstoit.
Nuk kam lexuar asnjë analizë serioze sociologjike, të ftohtë e të paanshme, ku të flitet në mënyre të drejtë sesa të lexuar i shkuan botës shqiptarët pas rënies së socializmit. As edhe një. Dimë vetëm të përbuzim veten. E gjithë çështja me ne është se e shohim veten me sytë e të huajve dhe ndihemi inferiorë. Por vështrimi i tyre nuk është gjithmonë ai më i drejti dhe më i sakti. Ne shkruajmë pafund libra për socializmin, jo si një reflektim për veten tonë, por për t’iu përshtatur shijeve të lexuesit të huaj, i cili mund të ketë informacion fare të cekët mbi atë që ka ndodhur vërtet në vendet e lindjes. Kur të vijë një ditë që ta shohim guximshëm veten, me syte tanë, jo me ata të të huajve dhe ta tregojmë të vërtetën tonë me dinjitet, vetëm atëherë ndoshta do fillojmë të ndërtojmë diçka; vetëm atëherë ndoshta do fillojmë të ndërtojmë veten tonë.
Përballja me kapitalizmin për ata emigrantë të parë të 90-ës ishte si një lloj preview-je për 30 vitet që do të vinin më pas në Shqipëri. Biblotekat u zaptuan nga njerëz të ndryshëm dhe librat u hodhën jashtë. Kam parë dikur një skenë të tillë me librat e nxjerrë në shi dhe atë ditë kam qarë shumë.
Dhe, ja ku jemi tani, me një varfëri të tejskajshme dhe me urinë për të lexuar librat që nuk i blejmë dot! Sepse nuk ka bibloteka! Sepse biblotekat i zumë, i zaptuam dhe i bëmë klube. Më në fund u bëmë si bota, pimë Coca-Cola sa të duam, pastaj gromësijmë dhe nuk na intereson fare kush është Tolstoi. Madje edhe nëpër televizione propogandohet lirshëm ideja se librat janë për pensionistët.
Dhe shohim ngado kryetarin e bashkisë që përuron me 100 kamera qendra rinore JOFunksionale, të arreduara mirë, me rafte luksoze, por pa libra. Sikur ato pará që ai harxhon për filmimet me kamera, t’i harxhonte për t’u blerë librat shkrimtarëve dhe të mbushte raftet e biblotekave bosh me to… Por jo. Nuk ka sesi ta bëjë këtë. Ka punë të tjera për të bërë. Si për shembull të paguajë këshilltarë të padobishëm vetëm se ata mund të kenë hedhur një firmë për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Kur Elva Margariti mori postin e Ministres së Kulturës, veprimtaria e saj e parë ishte një lloj fushate qesharake për ndërgjegjësimin ndaj librit. Dhe kush qenë personat që ndërgjegjësonin? Ndërgjegjësuesi ishte futbollisti Lorik Canaj. Se çfarë lidhjeje kishte me librin një futbollist, këtë vetëm ministrja dhe stafi i saj e di. (Sipas kësaj logjike i binte që stadiumin e ri ta inaguronte Ismail Kadareja…)
Një e keqe e madhe e zyrtarëve të rinj që punojnë në Ministrinë e Kulturës është se vetë ata janë rritur në një kohë pa bibloteka. Dhe në fakt kjo është një e keqe e madhe e të gjithë politikanëve të rinj që i kapërcejnë shkallët e karrierës jo nga një e nga një siç ndodh në vendet e emancipuara, por dhjetë e nga dhjetë. Ata nuk e njohin ndjesinë që të japin biblotekat. Ndaj dhe janë aq të dështuar në çdo nismë që ndërmarrin për librin. Një vend pa bibloteka sigurisht që do prodhojë poitikanë të tillë dhe ky është një reaksion zinxhir. Një reaksion vicioz.
Sikur ato pará që harxhohen për fushata sterile, boshe, pompoze, të harxhoheshin për të ndërtuar bibloteka, studentja të cilës unë sot po i kushtoj këtë shkrim nuk do tê detyrohej të vidhte libra… Ky shkrim u kushtohet të gjithë studentëve që duhet ta ndërtojnë formimin e tyre të përgjithshëm kulturor në kohëra kaq të përçudnuara. Dhe në një botë kaq të errët, gjëja më e mrekullueshme është që dikush të dojë ende të lexojë libra…
Le ta shpëtojmë këtë njeri…
E përsëris: Shqipërisë nuk i duhen fushata për ndërgjegjësimin ndaj të lexuarit, Shqipërisë i duhen bibloteka. Kjo është lufta e vetme dhe e pakompromis ndaj injorancës (edhe ndaj asaj brenda oborrit të Ministrisë së Kulturës.)
Ka një mijë probleme me librin në këtë vend. Shpërndarja e tyre kryhet vetëm në Tiranë, po edhe këtu me mangësi. Dhe ka qytete të tërë pa librari. Këtu e kam fjalën për librari të thjeshta se për bibloteka as që bëhet fjalë. Dhe për më tepër, vetë Bibloteka Kombëtare është jashtë funksionit prej vitesh.
Shumë shkrimtarëve librat u rrinë në raftet e shtëpisë dhe kjo është gjëja më trishtë në botë. Libri duhet të shkojë tek lexuesi, me çdo kusht, me çdo mënyrë, përndryshe misioni i shkrimtarit ka dështuar.
Librares që ia vodhën librin tim, ia dhurova unë, dhe nëse do ta njihja studenten në fjalë, do t’ia dhuroja edhe asaj, madje që të tre librat e mi, ashtu siç kam bërë me studentë të tjerë, të cilët kanë dashur që t’i blejnë librat e mi, por nuk kanë mundur. Por kaq nuk mjafton.
Kam lexuar dikur një intervistë të një zyrtari të CIA-s. Ai u pyet se cili ishte roli i agjentëve të CIA-s në kolapsin e Bashkimit Sovjetik. E thjeshtë, tha ai. Ne punonim që në krye të sektorëve më të rëndësishem të emëroheshin njerëz të paaftë. Kështu sistemi kolapsoi vetë.
Sot Shqipëria ka një miqësi të fortë me Amerikën, kjo e fundit po e mbështet vendin tonë në çdo hap dhe nuk ka asnjë arsye që të dojë ta kolapsojë nëpërmjet spiunëve të CIA-s. Këtë kolaps po e realizojmë vetë, me forcat tona. Përditë. Duke emëruar joprofesionistë në krye të ministrive dhe nëpunës mercenarë, të cekët, injorantë, militantë, dhe mbi të gjitha; pa atdhedashuri. Ndoshta e vetmja “vepër” e tranzicionit që po e realizojmë tërësisht me forcat tona.
Librat janë pasuria më e madhe e njerëzimit. Ata duhet të jenë me çdo kusht në bibloteka, ashtu siç pikturat duhet të jenë në muze dhe jo në koleksionin e një pasaniku, i cili ka ndjeshmërinë e një rinoceronti ndaj artit. (Dhe jo, gjuhëtarë të tranzicionit, nuk do ta shkruaj kurrë me “q” fjalën “rinoceront”!)
Ndërtoni bibloteka që studentët të mos detyrohen t’i vjedhin librat…
Edhe në më të egrin sistem, dija duhet të mbetet një e drejtë universale!
Edhe pse, është tërësisht në dorën tonë që të mos ndërtojmë sisteme të egra…

 ©Arlinda Guma   

24 Janar, 2022 

_______

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: “Bulevardi i Yjeve”- 2014, “Terma humanitarë si fjala bombardim”- 2016, “Bob Legjenda” – 2021 dhe “Marksi ka humbur kujtesën” – 2025. Ajo është krijuese e revistës defekt-teknik.com

LOFT STORY OSE KONFORMIZMI I POSHTËRIMIT/Ignacio Ramonet

in A(rt)ktivizëm by

Ignacio Ramonet

Kurrë më parë, në historinë mediatike të Francës, një emision televiziv nuk kishte pasionuar, joshur, shkundur, tronditur, trazuar, nervozuar, acaruar kaq shumë vendin sesa emisioni i telerealitetit Loft Story, i transmetuar, nga 26 prilli deri më 5 korrik 2001, nga kanali televiziv M6 e që kapi, në momente të caktuara, një shifër audience prej më shumë se dhjetë milionë telespektatorësh… Thjesht, nuk ka asnjë rast të tillë të mëparshëm. Është një situatë që mirëfilli ndodh për herë të parë, një situatë përuruese. E dimë që imazhet na informojnë më shumë për shoqërinë që i shikon, sesa për ato vetë, por domethënia e tyre në këtë rast është krejt e paqartë.

Gjerësia e këtij fenomeni ishte e tillë, saqë Festivali i Kanës dhe faza finale e Ligës së Kampionëve të Futbollit u mbuluan thuajse krejtësisht nga frenezia Loft Story. Kjo mori përmasa kaq të jashtëzakonta, saqë shtypi i mirënjohur ndërkombëtar, duke lënë pas dore probleme të tjerë politikë, ekonomikë apo socialë, nuk ngurroi aspak t’i kushtojë reportazhe të shumta kësaj “France të mbërthyer nga marrëzia Loft Story [i].”

Të përditshme kombëtare të rëndësishme (Le Monde, Le Figaro, Libération, Le Parisien, France-Soir, Le Journal du Dimanche, etj.), dhe të përjavshme me tirazh të madh (L’Express, Le Point, Le Nouvel Observateur, Marianne, VSD, Télérama, etj.), të udhëhequr nga një mimetizëm mediatik, i kushtuan shumë shpejt faqen e parë, disa herë, këtij fenomeni mediatiko-sociologjik, duke regjistruar rekorde shitjesh dhe duke ndihmuar kësisoj në zgjerimin e valës përhapëse të suksesit të Loft Story-t.

Psikodramë kombëtare, tronditje e plotë mediatike, në të gjitha mediat, polemikat dhe debatet, pro dhe kundër këtij emisioni, erdhën duke u shtuar. “Loft Story nuk përbën më një ngjarje në programacion, por një çështje të vërtetë shtetërore!” deklaroi, për shembull, Z. Hervé Bourges, ish-president i Këshillit të Lartë të Audiovizuales. “Ky tip emisioni ndihmon në vendosjen e një fashizmi poshtërues”, pohoi Z. Jérôme Clément, president i kanalit Arte France. “Loft Story, vlerësoi Konferenca e Peshkopëve të Francës, është një ilustrim i bukur i aventurimeve drejt të cilave mund të shpjerë kërkimi i shfrenuar i përfitimit. Të rinjtë e vënë në skenë trajtohen si kavie të një shkencëtari të çmendur që ka rrasur ca minj në një kuti këpucësh, pa u shqetësuar aspak për të ardhmen e tyre.”

Rrënjësisht armiqësorë ndaj emisionit, shoqata dhe grupe qytetarësh – si “Buzëqeshni, jeni filmuar”, Zalea TV, “Agjitatorë të rinj për një rrjet rezistence globale”, Solidarloft, etj. – të mbështetur, ndër të tjerë, nga Liga Komuniste Revolucionare, Rinia Komuniste, sindikata anarkiste CNT, shoqata Attac dhe Forumi i Të Rinjve të Gjelbër, dolën gjer edhe në manifestime në Paris, Nantes, Rennes, Toulouse dhe Marseille përpara ndërtesave të televizionit M6, duke vënë përtokë thasë me plehra e duke u përballur egërsisht me forcat e rendit… Tridhjetë e tre vjet pas majit të 1968-s, Franca u gjend papritmas e ndarë më dysh dhe e zhytur në një lloj “Maj Loft Story” parodik.

Një fiksion real ndërveprues

Në çfarë konsiston saktësisht ky emision? I paraqitur nga M6 si “një fiksion real ndërveprues”, Loft Story[ii] është një lloj loje kolektive, dinamika e së cilës bazohet në eliminimin e njëpasnjëshëm – likuidim simbolik – të pjesëmarrësve, nëpërmjet vetë lojtarëve dhe votave të telespektatorëve. Të mbyllur përgjatë dhjetë javëve, shtatëdhjetë ditë, në një shtëpi të madhe 225 m², me një kopsht dhe një pishinë, të veçuar nga bota, pa televizor, as telefon, as shtyp, as radio, as internet dhe të filmuar praktikisht 24 orë rresht në të gjitha dhomat (përveç banjave), njëmbëdhjetë beqarë – gjashtë djem e pesë vajza – më pak se 35 vjeç (të zgjedhur ndërmjet 38 000 kandidatëve…), duhej të integroheshin në jetën e grupit, të zbulonin personalitetet e njëri-tjetrit, duke mbetur në fund vetëm një çift ideal. Ky çift – i përbërë në përfundim nga Loana dhe Kristofi, fitues të lojës – fitoi një shtëpi me një vlerë prej 3 milionë frangash… ku duhej të jetonin edhe gjashtë muaj të tjerë së bashku – gjithmonë të filmuar! – që më në fund kjo shtëpi të bëhej pronë e tyre (por kjo pjesë e konkursit u anulua dhe çifti fitues u vendos në një vilë të marrë me qira, në Saint-Tropez, për muajt e verës së vitit 2001).

Jo më pak se 26 kamera, nga të cilat 3 me rreze infra-të-kuqe, dhe 50 mikrofonë pajisnin apartamentin, nën kontrollin e më tepër se 100 teknikëve e realizatorëve, të mobilizuar natë e ditë për të siguruar këtë teatër televiziv në mënyrë të pandërprerë. Emisioni u transmetua falas (por i mbytur me spote publicitare), në formën e sintezave të përditshme prej 52 minutash, nga kanali M6, dhe, duke paguar shumën e një abonimi, në vazhdimësi të plotë (por me shkurtime të pamjeve apo skenave të konsideruara si tronditëse), nga grupi numerik TPS, si dhe nga interneti (loftstory.com).

Big Brother

Me emrin Big Brother[iii], ky koncept emisioni u ripunua në Holandë qysh nga shtatori 1999 nga Shoqëria Endemol (nga emri i themeluesve të saj Joop Van den Ende dhe John de Mol). I transmetuar nga një kanal i vogël privat, “Veronica”, emsioni pati menjëherë një audiencë të jashtëzakonshme.

Bëhet fjalë për një “lojë krize”, siç e kishim parë të lulëzonte me rastin e krizës së madhe të 1929-ës – maratonat e vallëzimit, për shembull, të përshkruara nga romancieri Horace MecCoy tek A nuk vdesin edhe kuajt kështu (1935).

Ky model emisioni – filmim në mënyrë të pandërprerë vullnetarësh të sjellshëm që lëvizin brenda një hapësire të mbyllur – filloi të eksportohej, me variante ku më shumë e ku më pak të neveritshëm, në rreth njëzet vende, nga Brazili në Poloni, nga Shtetet e Bashkuara në Spanjë, nga Argjentina në Suedi apo Australi. Thuajse gjithkund, ashtu si në Francë (ku TF1 transmetoi, gjatë verës 2001, Aventurierët e Koh-Lantas, pastaj, në vjeshtë, Star Academy-në, dhe kanali M6 Popstar-in), ai njohu një sukses të paparë teleshikuesish – në Shtetet e Bashkuara, Survivor u ndoq nga më tepër se 50 milionë telespektatorë! -, deri në atë pikë sa disa kanale televizive nxorën në ankand çarçafët e shtretërve dhe të tjera sende personale të përdorura nga personazhet[iv]. A thua se ishte globalizuar ajo çka Annie Le Brun e emërton: “një proces idiotizimi i përgjithshëm që bashkon të përkushtuarit e të gjitha vendeve, klasave dhe moshave”.

I filmuar me anën e kamerave mbikëqyrëse apo përmes pasqyrash të tejdukshme, Loft Story riprodhon një mekanizëm tipik kontrolli (policor, burgor, ushtarak), të përforcuar nga eliminimi i këndeve të padukshëm në ekran, shumëfishimi i filmimeve nga lart poshtë, kamerat me infra-të-kuq… që i jep shikuesit një ndjesi fuqie, zotërimi, dominimi (shpesh shihet nga sipër) dhe, në të njëjtën kohë, përforcon ndjesinë dominuese dhe mbrojtëse (paternaliste) ndaj të ngujuarve vullnetarë.

Kjo ndjesi plotfuqie, e theksuar edhe nga fakti që personazhet kanë përgjithësisht një psikologji të thjeshtë, të lehtë për t’u lexuar, (e për më tepër që vijnë në “rrëfyestore” duke dorëzuar çelësat e sjelljes së tyre) i bën teleshikuesit të lidhen me heronjtë e serisë. Dhe sigurisht shpjegon mrekullimin kolektiv para kaq skenash të thjeshta, të zbrazëta, banale, të gërryera, kaq dialogësh të pavlerë, e kaq situatash zero.

Gjithkund, gjithashtu, emisioni nxiti polemika e debate të mëdha haluçinante, shpeshherë të ekzagjeruara (në Itali, vetë papa Gjon Pali II ndërhyri shprehimisht për ta dënuar).

Duke u dhënë pas një arkeologjie të shpejtë televizuale, kupton me lehtësi se një tufë shenjash dhe simptomash paralajmëronin qysh prej disa kohësh mbërritjen e pashmangshme të këtij tipi emisionesh ku gërshetohen në mënyrë të ndërlikuar vuajërizmi[v] dhe ekzibicionizmi, mbikëqyrja dhe nënshtrimi.

Të gjithë përgjues?

Matrica e largët e këtij tipi emisionesh gjendet, ndoshta, në një film të njohur të Alfred Hitchcock-ut, Rear Window, i vitit 1954, në të cilin një fotoreporter (James Stewart), i gozhduar në shtëpinë e vet, me një këmbë në allçi, vëzhgon për nge se ç’bëjnë fqinjët e tij përkarshi. Në një dialog me François Truffaut-në, Hitchcock-u pranonte: “Po, njeriu është përgjues, por a nuk jemi të gjithë të tillë?” Truffaut e pranon: “Jemi të gjithë përgjues, të paktën kur shohim ndonjë film me skena intime. Nga ana tjetër, James Stewart, në dritaren e tij, gjendet në situatën e një shikuesi që po ndjek një film.” Dhe Hitchcock-u vërteton: “Vë bast se në çdo dhjetë vetë, nëse shohin në anën tjetër të oborrit një grua që zhvishet para se të shkojë në shtrat, apo thjesht një burrë që rregullon dhomën e tij, nëntë syresh nuk do rrinin dot pa vështruar. Ata do mund ta heqin vështrimin prej andej duke thënë: “Kjo gjë s’ka ç’më duhet”, do mund të mbyllnin kanatet, por nuk kanë për ta bërë dhe do t’i nxjerrin vetes një mijë e një vonesa që si e si të vazhdojnë të shohin[vi].”

Me këtë pulsion skopik të të shikuarit, të vëzhguarit, të squllurit, përkon si të thuash e kundërta e tij: shija e paturpshme e të shfaqurit të vetes. Dhe kjo, qysh nga zhvillimi i internetit, ka njohur një lloj shpërthimi me anën e webcams-ve[vii], këto kamera të vogla që transmetojnë në rrjet imazhe, gjatë ndërkohësh të rregullta. Që nga viti 1996, fenomeni webcam i ka pasionuar nga pak të gjithë, duke bërë që mijëra njerëz të shfaqin sheshit jetën e tyre intime dhe t’ia tregojnë atë vështrimit kureshtar të miliona internautëve. Për shembull, prej shumë vitesh, pesë studentë, djem e vajza, nga Oberlini, në Ohajo (SHBA), shfaqen në linjë www.hereandnow.net, çdo ditë, 24 orë rresht, nëpër të dy katet e shtëpisë së tyre. Ata jetojnë nën mbikëqyrjen e dyzet kamerave (më shumë se te Loft Story) të vëna ngado nëpër banesë. Si ata, mijëra vetë, beqarë, çifte, familje ftojnë kështu, pa më të voglin siklet, internautët e botës të ndajnë së bashku intimitetin e tyre dhe t’i vështrojnë si rrojnë praktikisht pa iu ndaluar kurrgjë.

Por edhe pa internet, njerëzit ngurrojnë gjithnjë e më pak t’i ofrohen pa tabu vështrimit të të tjerëve. Kështu, për shembull, te “Maison radieuse”, një ngrehinë e arkitektit Le Corbusier e ndërtuar në Rezé, pranë Nantes, banorë të ndryshëm janë dhënë pas një loje të çuditshme: të vëzhgohen në shtëpinë e tyre nga njerëz të panjohur. Ata kanë pranuar ta kthejnë mbrapsht syrin magjik dhe t’ia dorëzojnë intimitetin e tyre gjithë kalimtarëve që vënë atje syrin…

Një tjetër ngjarje që bie ndesh me idenë e mbrojtjes së jetës private është shtimi i ditarëve intimë në internet. Gjer më sot sekrete dhe krejt personale, autobiografitë dhe fletoret intime qarkullojnë tani lirshëm në rrjet. Autorë gjithnjë e më të shumtë pa asnjë censurë i ofrojnë mendimet e tyre më vetjake, ndjenjat e tyre më të fshehta, masës së internautëve dhe kërkojnë të ndajnë bashkë me ta intimitetin e tyre.

Madje u pa, para një viti, se si kinezi Lu Ju Çing nxori në rrjet Ditarin e tij të vdekjes që u bë një fenomen i vërtetë i letërsisë elektronike. Ky i ri, agjent pasurish të patundshme në Shanghai, vendosi të ndante me bashkëkohësit e tij luftën që bënte kundër kancerit të stomakut që e gërryente gjer në çastin e tij të fundmë, gjer në vdekje: “Po pres tubin e frymëmarrjes. Ju dua të gjithëve.”

Teleskupirë

Veç kësaj, në programet televizive, janë shtuar emisionet e quajtura “Trash TV”, të teleskupirës, që paraqesin njerëz që evokojnë, pa pikën e turpit, problemet e tyre më personale apo pasionet e tyre më të fshehta. Më i famshmi ndër ta është Jerry Springer Show, ku të ftuarit vijnë të tregojnë, mbi skenë, para një salle të pushtuar nga deliri, të fshehta skandaloze apo zbulime të pabesueshme rreth jetës së tyre private – temat janë shumë edukative: “Shpirti, unë dal ke semafori”, “Mama, do martohesh me mua?”, “Motrën e vogël e kam prostitutë” – në prani të partnerit apo të familjes, që përfundojnë shpeshherë me fyerje të rënda, sherre, rrahje. Ka edhe më. Vitin që shkoi, urrejtja e grumbulluar gjatë një emisioni të Jerry Springer-it, i titulluar “Dashnoret rivale përballë njëra-tjetrës”, e shtyu një çift të vrasë ish-gruan e burrit…

Në Francë, një koncept i ngjashëm me këtë, “me njerëz të vërtetë që flasin me të vërtetë për jetën e tyre të vërtetë”, u përshtat, me titullin Është zgjedhja ime, nga kanali publik FR3 që njohu një triumf teleshikuesish (7 milionë idhtarë) dhe nxiti, në vjeshtë të vitit 2000, një polemikë të madhe. Temat s’bien aspak më poshtë se ato të Jerry Springer Show-t: “Më pëlqen të tregoj trupin”, “Unë ha një farmaci”, “S’i duroj dot më flokët dhe qimet”, “S’kam qejf të rri veshur”, “Tregoj jetën private në internet”…

Suksesi në rritje i të neveritshmes në hapësirën televizive ka shtuar shijen për forma edhe më të dukshme të vuajërizmit. Kështu, kanali kabllor amerikan Court TV është specializuar në transmetimin e proceseve të regjistruara gjyqësore. Ai njohu kohën e lavdisë së tij gjatë procesit të O. J. Simpson-it (një lojtar i mirënjohur i futbollit amerikan i akuzuar për vrasjen e gruas), në fund të viteve 1990.

I konkurruar tanimë nga kanalet që transmetojnë Survivor-in, versionin amerikan të Big Brother-it, Court TV vendosi të shkojë më larg në kërkimin e së bujshmes. Ai transmeton rrëfime kriminelësh. Me një realizëm që të rrëngjeth mishin, ai nuk ngurroi të paraqesë, për shembull, “pohimet e Steven Smith-it që tregon përdhunimin dhe vrasjen e një mjekeje në një spital të New-York-ut në vitin 1989, ato të Daniel Rakowitz-it, që vrau një mikeshë para se t’i copëtonte trupin e ta vinte për ta zier po në 1989-n, dhe ato të David Garcia-s, një prostitutë-mashkull që përshkruan vrasjen e një klienti të paralizuar mbi një karrige me rrota në vitin 1995…

Suksesi popullor hutues i këtij tipi emisionesh të zymtë shpjegon arsyen përse, në pranverën e vitit 2001, më shumë se 3400 gazetarë (më tepër se gjysma e atyre që qenë të pranishëm në Sidney gjatë Lojërave Olimpike…) ishin akredituar për të mbuluar ekzekutimin e Timothy McVeight-it, autor i një atentati në prill 1995 në qytetin e Oklahomas që kish shkaktuar 168 të vdekur. E gjithashtu edhe arsyen se përse vetë McVeight-i donte që ekzekutimi i tij me injeksion të transmetohej drejtpërsëdrejti nga televizioni… Çka duket se vërteton më së miri këtë përsiatje të bërë nga Paul Virilio: “Pas publicitetit dhe propagandës politike, pornografia dhe hiperdhuna mediatike i kanë hapur udhën konformizmit të poshtërimit.”

Jeta reale

Këto emisione bënë që, pak nga pak, të sprapsen kufijtë e të tregueshmes dhe theksuan konfuzionin midis dokumentit dhe fiksionit, jetës reale dhe krijimit fiktiv. Nga kjo pikëpamje, paraardhësi më i drejtpërdrejtë i Loft Story-t është pa dyshim The Real Life, një seri e krijuar nga kanali kabllor amerikan MTV. Çdo stinë, shtatë të rinj, “të dalë nga jeta reale”, të zgjedhur ndërmjet mijëra vullnetarësh, ftohen të jetojnë së bashku në një shtëpi apo një banesë ku filmohen pa ndërprerje. Ata nuk janë aty të mbyllur dhe bëjnë, nëse mund të themi, një jetë normale, shkojnë në fakultet, në punë, etj. Kjo ndodh çdo vit në nga një qytet të ndryshëm: New York, Miami, Seattle, Boston… Por tipologjia e të rinjve (burra e gra) është thuajse përherë e njëjta: djaloshi cool, vajza seksi, rioshi gay, rioshja provinciale, maniaku seksual, etj.

Qysh prej dhjetë vjetësh, çdo ditë, përgjatë 26 javëve, MTV-ja paraqet një episod me montazhin e dramatizuar të çasteve më të bujshme të ditës paraardhëse. Nga gjithë të transmetuarit në kabëll, ky emision është më i shikuari, veçanërisht nga 12-34 vjeçarët. “Një nga zbulimet e këtij emisioni për ata që e shohin, ka deklaruar Jonathan Murray, produktori i serisë, është të shikosh se si të rinj kaq të ndryshëm arrijnë të merren vesh me njëri-tjetrin dhe përfundojnë duke vendosur mes tyre lidhje shumë emocionale.”

Ky sukses ka frymëzuar seritë e tjera fiksionale (Sex and the City, Ally Mc Beal), dhe në veçanti serinë kult Friends, të prodhuar nga NBC, ku gjashtë miqtë njujorkezë (Xhoi, Rosi, Rakela, Febi, Çendleri dhe Monika) janë kopjuar direkt nga The Real World. I themeluar mbi idenë se, për të rinjtë qytetas në prag të moshës së pjekurisë, që kanë lënë familjen por që ende s’kanë krijuar një të re, miqësia është më e fotë se gjithçka, Friends kap, mesatarisht, një audiencë prej 23 milionë telespektatorësh… “Në kafene a në apartamentin e përbashkët, shkruan Marc-Olivier Padis, analist i këtyre serive, rreth kanapesë së madhe që është emblema e serisë Friends, shpresat dhe zhgënjimet sentimentale organizojnë dialogun. Katër mikeshat e Sex and the City-it janë më të lëvizura: ato përshkojnë vendet në modë të New York-ut dhe diskutojnë brenda suazave më të larmishme, nganjëherë edhe përjashta. Tek Ally Mc Beal, zyra e avokatit, salla e pritjes dhe bari muzikor janë vendet kryesore të një aksioni që konsiston, edhe në këtë rast, thelbësisht në një dialog midis miqsh dhe kolegësh pune rreth jetës private apo proceseve gjyqësore (divorce, birësime, përndjekje…) që kanë të bëjnë me intimitetin.”

Në mënyrë të pashmangshme, kjo temë intimiteti e dhënë si ushqim për publikun e gjerë, jeta private e mbikëqyrur nga kamera televizive, duhej t’i frymëzonte prodhuesit e kinemasë. Dy filma sidomos e trajtojnë ballas: The Truman Show (1998), i Peter Weir-it, dhe Drejtpërdrejt në Ed TV (1999) i Ron Howard-it.

I pari, interpretuar nga Jim Carrey, tregon historinë që vijon: një kanal dokumentar, True TV, i San Francisco-s, që po humbet audiencë, vendos të transmetojë drejtpërsëdrejti jetën e një njeriu të zakonshëm, 24 orë rresht. Ed Pekërni (interpretuar nga Matthew McConaughey), shitës në një videoklub, është kandidati ideal. Ndjekur këmba-këmbës nga dy ekipe, djaloshi bëhet i përkëdheluri i teleshikuesve. Por gjithçka përmbyset kur Edi zbulon te vetja se kishte rënë në dashuri me të fejuarën e të vëllait…

Këta dy filma – The Truman Show dhe Drejtpërdrejt në Ed TV – janë parabola rreth mbikëqyrjes së përhershme dhe lirisë individuale, si dhe rreth marrëdhënieve midis dukjeve dhe realitetit, midis jetës private dhe spektaklit publik. Të gjithë këta precedentë, thuajse në mënyrë të pashmangshme, duhej të çonin drejt një emisioni të tipit Loft Story.

Post-televizioni

Umberto Eco e ndante historinë e televizionit në dy etapa: arkeotelevizioni, para viteve 1980, kur, për t’u shfaqur në ekranin e vogël, duhej të kishe merita të rëndësishme (të ishte një kampion, ose një krijues i madh, ose një njeri i shquar, etj.), të shkoje atje i veshur si për të diel, i kollarisur, dhe duhej të shpreheshe në mënyrë tepër korrekte. Ky ishte “televizioni podium”, ku vetëm më të mirët lejosheshin të dilnin.

Pastaj erdhi neotelevizioni (Kanali 5 i Z. Silvio Berlusconi…) ku, me shtimin e lojërave dhe emisioneve skenike, publiku, pa asnjë meritë të veçantë, dilte direkt në ekran, dhe ku mjaftonte të ishe i natyrshëm, ndonëse i veshur pa kujdes, e të flisje me shprehje zhargoni, për t’u bërë heroi çastor i një emisioni popullor (shiko tani: Ça se discute, C’est mon choix, Voulez-vous gagner des millions? apo, versioni sado-mazokist, Le Maillon faible). Ky ishte “televizioni pasqyrë” që mbahet se i tregon njerëzit ashtu siç janë.

Me emisionet e tipit Big Brother, si Loft Story, kalohet në një etapë të re. Në etapën e post-televizionit. Kësaj here, publiku (i përfaqësuar nga të burgosur vullnetarë) del drejtpërdrejt jo në një emision të zakonshëm, të vetëm e jetëshkurtër, por në një seri televizive, do me thënë në atë që ka gjithë dukjet e fiksionit të filmuar. Shpërblimi simbolik nuk është vetëm kënaqësia personale, narcizike e të dalës në televizor, e të bërit një kalim të shkurtër e të vetëm (gjatë një loje, një konkursi, një dëshmie), por është kënaqësia e të qenit personazhi i një tregimi.

Ajo që e pasionon tanimë publikun, duke mos qenë detyrimisht i vetëdijshëm, është metamorfoza që serialiteti operon para syve të tij e që i shndërron disa persona krejt ordinerë, të marrë nga jeta reale, në personazhe të një historie, të një tregimi, të një skenari që i ngjan një fejtoni, një fiksioni. Këta personazhe dhe të tjerë si punë e tyre janë ata vetë dhe njëhohësisht jo më ata vetë, meqë, duke u dhënë ditë pas dite në spektakël, ata përfundojnë duke u bërë personazhet e një sage, protagonistët e një fiksioni të filmuar. Dhe aura e fiksionit lehtëson ecjen drejt famës.

Yje për t’u flakur tej

Në shoqëritë tona të karakterizuara gjithnjë e më shumë nga mungesa e solidaritetit, të shndërruara në republika të vetmisë, të shohësh si bëhesh i famshëm para syve të tu, me një lehtësi dukjeje kaq të madhe, e josh (apo e skandalizon) publikun, sidomos më të rinjtë, të cilët nuk e kuptojnë medoemos se në të vërtetë ky është një mashtrim. Sepse, në mes të luftës konkurruese, sistemi mediatik bëhet i harbuar për yje. Ai kërkon t’i prodhojë ata me shpejtësi, siç bën Loft Story, dhe t’i shfrytëzojë në kulm.

Pasi çlirohet prej tyre, vendin e tyre ua lë yjeve të tjerë më të freskët, për t’i flakur tej po njëlloj e me të njëjtën shpejtësi, më pas. Meqenëse, në këtë fazë kanibale të kulturës masive dhe në kohën kur, siç thoshte Guy Debord-i, progreset e nënshtrimit ecin me një shpejtësi të pabesueshme, i bie të fabrikohen yje jetëshkurtër. Yje të flakshëm në plehra.

Përktheu: Alket Çani

[i] Cf., për shembull, artikulli i botuar në faqen e parë të International Herald Tribune, 21 maj 2001.

[ii] Titulli i emisionit frymëzohet haptazi nga ai i një romani të famshëm të shkrimtarit amerikan Erich Segal, Love Story, dalë më 1970, që mbetet një nga sukseset më përrallorë të shekullit XX me më shumë se 21 milionë kopje të shitura në anglisht dhe i përkthyer në 23 gjuhë… Ai tregon historinë e dy studentëve – Oliverit dhe Xhenit – që, megjithë kundërshtimin e prindërve, martohen, por që marrin vesh, kur gjithçka dukej se u buzëqeshte, se Xheni është e sëmurë me kancer… Përshtatja e tij thuajse e menjëhershme në kinema nga Arthur Hiller-i, me aktorët Ryan O’Neal dhe Ali Mc Graw në rolet kryesorë, njohu të njëjtin sukses botëror.

[iii] Duke aluduar me romanin e George Orwell-it, 1984, botuar në 1949-ën, personazhet e të cilit jetojnë nën mbikëqyrjen e vazhduar të kamerave dhe mikrofonëve, brenda suazës së një regjimi diktatorial, shefi i të cilit është quajtur Big Brother.

[iv] Në Australi, ku u xhirua Survivor II, agjenci të ndryshme turistike propozonin vizita të organizuara në vendet e xhirimit të kësaj serie…

[v] Vuajërizëm quhet ai devijim seksual në të cilin kënaqësia merret duke parë tinëz skena erotike. Për lehtësi përdorimi termin vuajërist po e quajmë këtu përgjues. (shën. i përkth.)

[vi] François Truffaut, Le cinéma selon Hitchcock, Robert Laffont, Paris, 1966.

[vii] www.webcamvideo.com

Ca vështrime mbi librin apo të jesh botues në Kosovë/Edon Zeneli

in Prit deri në pranverë, Bandini! by

Edon Zeneli

Së fundmi patëm një takim me Ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, ku diskutuam mbi sfidat dhe problemet e botuesve dhe librit në Kosovë. Duke shërby si shkas, mora kohën e nevojshme për të vendosur në letër e për të diskutuar mbi disa probleme të botuesit dhe të qarkullimit të librit në Kosovë.

E para, Pako e Rimëkëmbjes (do ta quaja Pako e Mëkëmbjes në fakt!) për botuesit. MKRS ka një politikë më dinamike prej që ministër është Hajrulla Çeku. Kjo është për t’u përshëndetur. Megjithatë, është e nevojshme që më në fund pjesë themelore e politikës së MKRS-së të jenë edhe botuesit, të cilët me mosmbajtjen e dy panaireve veçse janë dëmtuar e dobësuar edhe më shumë paçka se s’qëndronin mirë edhe paraprakisht.

E dyta, çështja e TVSH-së. Vende si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Sllovenia, Zvicra, etj., e kanë ose 0 TVSH-në, ose më të ulët se Kosova. A i bie kjo që në Kosovë lexohet shumë, ose, më shumë se në vendet e sipërpërmendura dhe nuk ka nevojë të stimulohet libri dhe leximi? Si duket…

E treta, shumë e rëndësishme: Libri i botuar në Kosovë taksohet për të qarkulluar në Shqipëri. Kjo është e papredecentë dhe e papranueshme. Prej 1 janarit 2020, libri që botohet në Kosovë duhet të paguajë 6% taksë (Tvsh) për të hyrë në Shqipëri. Pa i llogaritur shpenzimet doganore. Nuk e di kujt i shërben kjo por është e qartë që më së paku unifikimit e integrimit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Kjo le që bie ndesh me çdo logjikë e etikë, por shkel edhe parimet e marrëveshjeve mes dy ministrive për të lehtësuar qarkullimin e librit shqip, gjë që, tekembrama, favorizon librat e botuar në Shqipëri të cilët dominojnë tregun edhe në Kosovë, se për Shqipëri të mos flasim.

E katërta, po aq e rëndësishme: Libri i botuar në Kosovë mungon në bibliotekat e Shqipërisë. Praktikisht, lexuesi në Shqipëri pos panairit të librit ku paraqiten botuesit e Kosovës, mezi pikëtakohet me librin e botuar në Kosovë. Është krejt e kundërta për lexuesin e Kosovës në raport me librin e botuar në Shqipëri. Për shembull, së fundmi është publikuar lista e librave që Ministria e Arsimit (e Shqipërisë) ka sugjeruar për blerje e furnizim të bibliotekave shkollore anembanë Shqipërisë. A e dini sa janë botime nga Kosova? 0. Zero. Nul. Ndërkaq, po t’i studiojmë listat e tenderëve publikë në Kosovë për furnizimin e bibliotekave publike, të qyteteve dhe shkollore, libri i botuar në Shqipëri dominon ndjeshëm. Hiç më larg se para dy-tre vitesh, u blenë nga Zyra e Kryeministrit nja 300,000€ libra, ku botime të Kosovës ishin as 10%. Çfarë mësojmë nga kjo? Mirë që shumica e librave që botohen në Kosovë edhe ashtu bashkëpunëtorë kanë përkthyes e redaktorë nga Shqipëria, por duhet edhe të shtypin e të pajisen me ISBN-të e Shqipërisë që të vlejnë diçka.

Pse shkruaj-Eli Kanina

in Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Defekt-teknik nuk bën dallime me hierarkitë. Në vëmendjen e kësaj reviste, përgjigjia e një krijuesi të ri është po aq e rëndësishme sa dhe përgjigjia e një shkrimtari apo poeti të afirmuar.

Në këtë rast, përgjigjia e radhës erdhi nga Eli Kanina.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Eli Kanina

Shkruaj sepse kam patur aftësi shumë më të pakta të këndoja, të pikturoja, të vallëzoja, edhe pse i pëlqej këngët, pikturat, vallet, dhe gjithçka që frymëzohet nga e bukura. Ndërkohë që inkurajimet për të shkruar i kam ndier e përjetuar drithshëm që në hartimet e para letrare, që më diferenconin dukshëm dhe ku përpëlitesha nga dëshirat e panumërta, për të komunikuar me botën, për të qenë pjesë e saj, për të ndikuar tek ajo, për të përfituar prej saj, për të lënë gjurmën time në të dhe vetëm duke i shkruar të gjitha, bota do më njihte e do më jepte meritat…

Shkruaj sepse më mungon fëmijëria, më mungojnë njerëzit që më kanë ndikuar në çaste të ndryshme të rritjes sime, më mungojnë vende dhe kohë, peizazhe dhe ngjarje, data dhe rrethana, që më kanë përmbushur ëndrra, më mungojnë sidomos ëndrra që nuk më janë realizuar prej mungesave. Por më mundon shumë edhe e nesërmja e ditëve të mia, e fëmijëve të mi, e vendit tim, e njerëzve të mi, e kauzave të mia, që më vjen si një kuriozitet apo mister, një padurim për ta ditur, që ngutem ta parashikoj apo ta sistemoj në mendje siç dua unë, duke e parathënë në ato që shkruaj.

Shkruaj sepse, duke u rritur gjendem përpara një bote më të madhe e më të ndërlikuar se mua, që nuk më kupton, që nuk më pranon, që më kufizon, që më deformon pa mundur të më zhbëjë, ndaj përpiqem ta shpjegoj veten nëpër shkrimet e mia dhe përmes tyre të mirëkuptohem për ç’jam e ç’dua, ta josh e t’i pëlqej kësaj bote, aq sa mundem.

Shkruaj sepse, kur nuk më pëlqen bota gri plot klithma e kthetra, me realitetin që më rrethon dhe nuk mund ta ndryshoj dot, atëherë për ta shmangur presionin e një përditshmërie të tillë krijoj një botë siç e dëshiroj unë, me nuanca të ëmbla dhe tinguj të butë e të ngrohtë, edhe si një pellush ngushëllues për vete, edhe si strehë shpirtrash për ata që më përngjajnë.

Shkruaj sepse, kam lexuar kaq shumë histori dhe rrëfime, kam njohur e jam shoqëruar nga shumë personazhe e vende, që i përdor nga fëmijëria e në vazhdim, u rikthehem dhe përpiqem të identifikohem me cilësi të tyre, jam mrekulluar nga udhëtimet imagjinare dhe kam përjetuar kaq ngjarje nëpër libra, sa më duket sikur kam qenë edhe atje ku nuk kam shkelur kurrë. Fillimisht i kam bërë pjesë të bisedave të mia, derisa më janë ngulitur si pjesë e ndërgjegjes sime, e më pas si përmbushje emocionale. Vetëm duke i shkruar e përndarë me të tjerët emocionet dhe gjithçka mbart si shprehje e citate, më duket sikur ua zgjas disi jetën, pa i murosur brenda vetes, herë duke iu referuar si një vazhdimësi, e herë duke i përpunuar si një tharm, i përjetësoj në librat e mia sipas stilit tim të të shkruarit.

Shkruaj sepse eksperiencat e mia personale e profesionale përgjatë viteve të shkollës dhe të punës, më kanë pjekur me shumë njerëz, me të cilët kam dhënë e kam marrë. Jam lumturuar, jam lënduar, por edhe kam m(p)ësuar prej tyre. Teksa shpjegohem, mirkuptohem, përmirësohem, marr e dhuroj më tepër dashuri, nëse përçohem tek lexuesit, shumfishohem nga energjia e tyre për të vazhduar. Nga një masë e ngurtë, ndihem plastelinë që marr formën më të bukur, shndërrohem në një rrjedhë që thellon shtratin dhe përmbyt lugina teksa shkruaj.

Shkruaj sepse dëshiroj shumë që fëmijët e mi, si një amanet, përmes atyre që kam shkruar, të më duan, të më falin, të më dinë edhe më tepër sesa rrobat e lara në komo e dollap, si dhe pjata që u vë përpara mbi tryezë… Dua të më gjejnë nëpër libra dhe të më plotësojnë përmes shkrimeve si një pazëll (puzzle) dashurie. Kur të mos u jem më pranë që t’i këshilloj, duke komunikuar ndryshe nën dritën e atyre që s’ua kam thënë si vogëlushë, por ua kam lënë të shkruara, të kthehen tek mua si pasionantë librash, të më nënkuptojnë mes rreshtash, heshturazi, në një kohë tjetër…

Shkruaj sepse u detyrohem të gjithë atyre njerëzve që më deshën në jetën time, më ndihmuan e vlerësuan, u jam mirënjohëse dhe si një hajmali u lë të shkruara ndjesitë e mia nëpër libra. Sa herë t’i marrin në dorë, të krenohen se nuk u shkoi dëm fjala dhe përqafimi që më dhanë, pse jo, edhe të ndihen të shpërblyer. Por edhe për ata që më penguan apo nuk ditën të më donin siç i desha, që nuk ndalën një herë të më pyesin apo nuk ma hodhën njëherë dorën në qafë, librat e mi vijnë si një formë ndjese e pendese, që nuk dita t’ua zbuloj vetveten më të mirë apo si një mundësi a shans i dytë për të më patur gjithsesi pranë.

DUKE SHKRUAR…

Duke shkruar, shpalos veten në të gjithë dimensionet, siç kam synuar tek libri im i parë me poezi “Gruaja dhe muret prej pasqyrash” ku unë qëndroj përballë mureve që më rrethojnë, që nga familja (prindërit, vëllai, motrat, fëmijët, bashkëshorti), kolegët, miqësia, të njohurit, etj. Shpalosem përmes gjithë grupimeve sociale ku përfshihem, që prej krahinës nga vij, prej profesionit e trajnimeve të mia, si dhe prej pasioneve të mia. Unë duke shkruar jam pasqyruar dhe njëkohësisht i reflektoj, këto mure prej pasqyrash.

Duke shkruar shpreh ëndrrat dhe dëshirat e mia me fisnikërinë e një mjelme, ashtu siç vij në botimin e dytë me poezi “Ëndrra mjelmash, të purpurta”, ku dashuria është filli i purpurt që përshkon gjithë librin. Të duash, duke dashur e respektuar veten, por edhe sipas mënyrës tënde, kjo është sfida ime. Si në të jetuar, edhe në të shkruar, unë komunikoj me shpirt e me mendje, duke gjetur një harmoni mes të dyjave, për të qenë unike dhe që lexuesi ta ndiejë e vlerësojë po kështu. Përzgjedh ide e gjetje, nisem nga detaje të padukshme apo pres të pakapshmen që nga të tjerët mbetet e pakapshme, herë me syrin e një mjekeje, herë me shpirtin e një fëmije, i jepem dashurisë, e gjitha, ashtu siç shkruante Rita Levi-Montalcini se “janë të rrallë ata që përdorin trurin, të paktë ata që përdorin zemrën, unikë ata që i përdorin të dyja.”

Duke shkruar, unë vazhdoj të “Ndez qirinj pengjesh”, siç e kam titulluar librin e tretë me poezi. Sepse jeta nuk m’i ka kursyer edhe çastet e trishta, edhe mungesat, edhe dështimet, edhe ulje ngritjet, edhe zhgënjimet, edhe humbjet, prej të cilave jam motivuar për të vazhduar përpara. Pa rënë në pesimizëm, duke menduar pozitivisht, motoja ime mbetet shprehja e Marc Aurelius-it “Lumturia e jetës tënde varet nga cilësia e mendimeve që ke”.

Duke shkruar, meqenëse jam tepër e ndjeshme dhe e vëmendshme deri në detaj, për ato që më ndodhin rrëfehem për gjithçka përmes ndjenjës, mbetem e vërtetë aq sa ndjeshmërisë i jap gjithçka me gjithsej, por sidomos mbartjen e mendimit e qëndrimit tim tek lexuesit. E mbarsur me mendime, ndjenja ime, duke e shkruar, shkon tek lexuesit dhe lind ndjesitë e tyre, ripërtërihet nga ato. Këmbimi i ndjesive, në të shkruar e lexuar na zhvillon e mençuron ndër vite. Sipas OSHO-s “Ndjeshmëria është rroba më elegante dhe më e çmuar që inteligjenca mund të veshë”. Dhe ky ka qenë meraku, si betim apo bekim, që përcjell tek botimi im i katërt me poezi, për atë që më do dhe e dua, unë jepem e gjitha dhe ia dua “Krejtin Krejt”.

Duke shkruar, si qenie e papërsosur, që vjen nga mëkati dhe mëkaton njerëzisht, që jeton me mëkatin si pasion, si nevojë, si rebelim, si aventurë apo si domosdoshmëri, unë di të përballem më së miri me veten, ta pranoj dhe të mos e paragjykoj veten, ta marr me të mirë edhe kur jam fajtore apo notoj kundër rrymës. Përsa unë lumturohem prej vetes, edhe “Vetja ma shkel syrin”, duke më dashur e duke më surprizuar me eksperienca e ndjesi magjike, që m’i zbulon çdo herë, duke shkruar. Ky është edhe titulli i librit tim me tregime, ku unë rrëfehem duke e falur veten, të dashuruar dhe në paqe.

Duke shkruar, si një grua në prag të gjysmë shekullit, ndihem aq fëmijë sa ende kam dëshirë të sprovohem dhe aq e rritur sa të vendos për jetën time. Jam në fund të rinisë, dhe në fillim të pleqërisë dhe eksperiencat e deritanishme, më kanë sjellë në një moshë të artë, ku më duhet më tepër të korr ç’kam mbjellë dhe jo të mbjell që të korrem për të tjerët, e prej të tjerëve. Pra, dua të shijoj jetën, ndaj ia parapërcaktoj fatin vetes, me prioritetet, që përzgjedh të shkruaj, me besimin se Zoti do më dëgjojë lutjen e do më ndihë dëshirat. Për ata që nuk më kuptojnë, që më quajnë idiote apo të marrë, u përgjigjem me librin tim me poezi “Fallxhore e fatit tim”, shkruar për të thënë e bërë atë që dua. Tek e fundit, Josh Billings shkruan se “Mënyra më e mirë për ta bindur idiotin që e ka gabim, është ta lejosh të bëjë sipas mendjes së vet”.

Duke shkruar unë ndihem një grua e lirë. “Një grua e lirë është e kundërta e një gruaje të lehtë” shkruan Simone de Beauvoir. Nuk e kam privuar veten në ato që kam shkruar, pavarësisht paragjykimeve, nuk e kam marrë veten lehtë, por ia kam bërë më të lehtë gjërat. Gjithsesi erdhi një çast, që u sfidova përtej paragjykimeve të letërsisë femërore, kur liria mori një tjetër kuptim, si mungesë fizike e lëvizjes, veprimtarisë, jetës aktive, deri në asfiksi sociale. Pikërisht atëherë kur ndodhi e paimagjinueshmja, izolimi për shkak të pandemisë covidiane, unë i dhurova vetes një qiell vargjesh e rrëfimesh, dhe u vetëshpalla “Pronare qiejsh” me librin tim të karantinës me poezi dhe tregime.

Duke shkruar, përpiqem të përfshij lexuesit në mrekullimin që unë kam ndier nga leximi i librave ndër vite, fillimisht në bibiotekën e shkollës e asaj të qytetit dhe me kohë duke krijuar edhe biblotekën e shtëpisë sime. Bashkëjetesa me librat është ajo që sjell në librin “Fly with me ❤️”, libri me esé, ku unë udhëtoj me libra e autorë, si një ftesë bashkëbisedimi të gjithë dashamirësve të librit, por edhe si një joshje për të palexuarit. Duke përzgjedhur një mori librash të dashur për mua, rrëfej këndvështrimin tim për secilin, përmes rrethanave të jetës, kur dhe si i kam lexuar. Në ditët e sotme është e vështirë të bashkëbisedosh për librat e lexuar, ndaj duhet të gjesh mënyra interesante për t’i joshur, si ata që nuk i kanë lexuar titujt e tu, edhe ata që nuk kanë fare libra në shtëpi. Emilia Clarke thotë që “të mos i besosh askujt që e ka televizorin më të madh se raftin e librave” dhe fatkeqësisht rafti i librave sa vjen e humbet në shtëpitë moderne, ç’ka e kthen të shkruarin në një sfidë…
Unë si ëndërrimtare e pandreqshme, vazhdoj të lexoj, sepse besoj se libri mbetet magji, që jo vetëm e shijoj si thesar, por edhe e zgjedh si një dhuratë të vyer për të tjerët.
Ndaj unë vazhdoj të shkruaj, të shkruaj, pa ia gjetur kurrë fundin, emocioneve, mendimeve, motiveve që shkruaj, duke ia lënë kohës gjykimin e librave të mi për gjurmët e lëna prej meje. Është koha ajo që i jep të shkruarit vlerën dhe vendin që i takon, duke e përjetësuar apo zhdukur një libër. Koha i vendos të gjithë në vendin e vet:
Çdo mbretëreshë e ul në fronin e saj!
Çdo klloun në cirkun e tij!

VETËM TI KISHE VDEKUR PËRNJËMEND -Xhevdet Bajraj

in Letërsi/Tharm by

VETËM TI KISHE VDEKUR PËRNJËMEND -Xhevdet Bajraj

 

Një prostitutë me fytyrë si të fëmisë
me vath yjesh të arta në vesh
qeth qengjat
në brigjet e lumit të të gjitha përrallave.

Një ylber kuqezi stolis peizazhin shqiptar,
një budalla
me kallash në dorë
merr diellin në shenjë:
BAM,
ngordh ditën.

Ylberi dridhet
dhe zbret në sytë e vashës,
dy yje shkëlqejnë,
hëna lind mes gjinjve të saj
po askush nuk e sheh
pos teje.

Të gjithë janë “dekën” në gjumë,
vetëm ti kishe vdekur përnjëmend.

_______

Nga libri” Copa ime e qiellit”, KOHA, 2015

Ç’të bëjmë me kapitalizmin? I – Erik Olin Wright

in A(rt)ktivizëm by

Erik Olin Wright

Pesë strategji të ndryshme – të cilat do t’i quaj “logjika strategjike” – kanë pasur rëndësi të veçantë historike në përpjekjet antikapitaliste: shkatërrimi i kapitalizmit, çmontimi i kapitalizmit, zbutja e kapitalizmit, rezistenca ndaj kapitalizmit dhe arratisja nga kapitalizmi. Ndonëse këto strategji ndërthuren praktikisht, secila syresh përbën një mënyrë të veçantë për t’iu përgjigjur dëmeve që shkakton kapitalizmi. Do t’ia nisim nga ekzaminimi i secilës me radhë. Paskëtaj do të paraqes një hartë konceptuale të këtyre strategjive, çka do të na e lehtësojë kuptimin e mënyrës si kombinohen ato në mënyra specifike. Do të argumentoj se një mënyrë e kombinimit të tyre – që do ta quaj gërryerja e kapitalizmit – përbën vizionin strategjik më të mundshëm për tejkalimin e kapitalizmit në shekullin e njëzetë.

Shkatërrimi i kapitalizmit

Kjo është logjika strategjike klasike e revolucionarëve. Baza e saj logjike është si vijon:

Sistemi është i kalbur. Të gjitha orvatjet për ta bërë të pranueshme jetën brenda kapitalizmit do të dështojnë. Hera-herës, kur forcat popullore janë të fuqishme, janë të mundshme reforma të vogla që përmirësojnë jetën e njerëzve, por këto përmirësime do të mbeten gjithnjë të brishta, të sulmueshme dhe të prapësueshme. Mbramësisht, është iluzore të besosh se kapitalizmi mund të shndërrohet në një sistem shoqëror të padëmshëm, ku njerëzit e zakonshëm mund të kenë jetë të begatë e kuptimplote. Në thelb, kapitalizmi është i pareformueshëm. E vetmja shpresë gjendet te shkatërrimi i tij, pastrimi i rrënojave dhe ndërtimi i një shoqërie alternative. Siç thonë fjalët përmbyllëse të këngës së fillimshekullit të njëzetë “Solidarity Forever”: “Do ta lindim botën e re nga hiri i së vjetrës.” Realizimi i plotë i alternativës emancipuese mund të jetë gradual, por kusht i domosdoshëm i këtij tranzicioni gradual është thyerja vendimtare e sistemit pushtetor ekzistues.

Si ta realizojmë këtë? Si mundet që forcat antikapitaliste të kenë pushtet të mjaftueshëm për ta shkatërruar kapitalizmin dhe për të ndërtuar në vend të tij një shoqëri më të mirë? Kjo është një detyrë vërtet e vështirë pasi pushteti i klasave sunduese, që i shndërron reformat në iluzion, bllokon edhe qëllimin revolucionar të thyerjes së sistemit. Teoria revolucionare antikapitaliste, e ndikuar nga shkrimet e Marksit dhe Leninit e Gramsci-t me shokë, ofronte një argument tërheqës mbi mënyrën si mund të ndodhte diçka e tillë:

Ndonëse është e vërtetë se në pjesën më të madhe të kohës kapitalizmi duket i pagoditshëm, ai është gjithashtu një sistem thellësisht kontradiktor, me ngulfatje e kriza. Nganjëherë këto kriza kapin një intensitet që e bën të brishtë e të goditshëm sistemin në tërësi. Sipas versionit më të fortë të kësaj teorie, ka edhe prirje të nëndheshme në “ligjet e lëvizjes” së kapitalizmit që çojnë kah rritja në kohë e intensitetit të krizave që dobësojnë sistemin. Kësisoj kapitalizmi bëhet i paqëndrueshëm në afatgjatë; ai shkatërron kushtet e ekzistencës së vet. Po edhe nëse nuk ka prirje sistematike kah përkeqësimi i krizave, çka mund të parashikohet është që hera-herës do të ketë kriza ekonomike kapitaliste intensive, gjatë të cilave sistemi bëhet i goditshëm, mundësohen thyerje dhe klasa sunduese mund të përmbyset. Prandaj problemi i një partie revolucionare është si të jetë në pozitën e përfitimit nga mundësia e krijuar prej krizave sistemore për të udhëhequr mobilizimin masiv drejt marrjes së pushtetit ose përmes zgjedhjeve, ose përmes përmbysjes kryengritëse të regjimit ekzistues. Me të marrë kontrollin e shtetit, detyra e saj e parë është rimodelimi i shpejtë i shtetit, duke e shndërruar atë në armë të përshtatshme për transformime radikale, si dhe përdorimi i pushtetit për të shtypur kundërshtinë e klasave sunduese dhe aleatëve të tyre, për të shkatërruar strukturat pushtetore bazë të kapitalizmit dhe ndërtuar institucionet e domosdoshme të zhvillimit afatgjatë të një sistemi ekonomik alternativ.

Në shekullin e njëzetë versione të ndryshme të kësaj linje arsyetimi frymëzuan imagjinatën e revolucionarëve anekënd botës. Marksizmi revolucionar i mbushi përpjekjet me shpresë e optimizëm pasi jo vetëm që ngriti një akuzë të fuqishme kundër botës ekzistuese, por edhe paraqiti një skenar të mundshëm të mënyrës si mund të realizohej një alternativë emancipuese. Kjo u dha njerëzve kurajë, duke ushqyer besimin se historia ishte në anën e tyre dhe përkushtimi e sakrificat e jashtëzakonshme që priteshin prej tyre në luftën kundër kapitalizmit kishin vërtet mundësi të ngadhënjenin. Ngandonjëherë, ndonëse rrallë, këto luftëra kulmuan me marrjen revolucionare të pushtetit.

Sidoqoftë rezultatet e marrjeve revolucionare të pushtetit nuk kanë qenë në asnjë rast krijimi i një alternative demokratike, barazimtare e emancipuese ndaj kapitalizmit. Ndërsa revolucionet në emër të socializmit dhe komunizmit provuan se ishte e mundshme “të ndërtoje një botë të re nga hiri i të vjetrës” dhe në mënyra të caktuara ato mund t’i kenë përmirësuar kushtet materiale të jetesës së shumicës së njerëzve për njëfarë kohe, rezultatet faktike të përpjekjeve heroike për të thyer kapitalizmin në shekullin e njëzetë tregojnë se ato nuk prodhuan botën e re të ideologjisë revolucionare. Djegia dhe shkatërrimi i institucioneve dhe strukturave shoqërore të vjetra nuk sjell ndërtimin nga hiri të institucioneve të reja emancipuese.

Arsyeja pse revolucionet e shekullit të njëzetë nuk rezultuan asnjëherë në emancipim njerëzor të qëndrueshëm është, sigurisht, një çështje e fortdebatuar. Disa argumentojnë se kjo ndodhi për shkak të rrethanave historike specifike të pafavorshme ku u tentuan thyerjet sistemore. Revolucionet ndodhën në shoqëri të prapambetura ekonomikisht, të rrethuara nga armiq të fuqishëm. Disa të tjerë e gjejnë shkakun te gabimet strategjike të udhëheqësve gjatë revolucioneve. Të tjerë fajësojnë motivet e udhëheqësve, duke thënë se ata që triumfuan përgjatë këtyre revolucioneve dëshironin status e pushtet dhe jo fuqizimin dhe mirëqenien e masave. Ka të tjerë që argumentojnë se dështimi është rezultati i domosdoshëm i çdo përpjekjeje për thyerje radikale në një sistem shoqëror. Ka shumë pjesë lëvizëse, kompleksitet të madh dhe shumë pasoja të pasynuara. Për pasojë përpjekjet për thyerje të sistemit do të priren pashmangshmërisht kah degjenerimi në të tillë kaos ku elitat revolucionare, pavarësisht motiveve të tyre, do të shtrëngohen të përdorin dhunë dhe shtypje të gjithanshme për të mbajtur rendin shoqëror. Kjo dhunë, nga ana e saj, zhbën mundësinë e një procesi demokratik e pjesëmarrës në ndërtimin e një shoqërie të re.

Pavarësisht se cila (nëse ndonjëra) prej këtyre shpjegimeve është e saktë, rezultati faktik i tragjedive revolucionare të shekullit të njëzetë është se thyerja sistemore nuk funksionon si strategji për emancipim shoqëror. Kjo nuk nënkupton refuzimin e idesë së një alternative emancipuese ndaj kapitalizmit, të organizuar me të tjera parime, si qëllim themelor i transformimit shoqëror; çka vë në dyshim janë gjasat e një strategjie që përpiqet të shkatërrojë përmes thyerjes mbisundimin e kapitalizmit.

Sidoqoftë ideja e një thyerjeje revolucionare të kapitalizmit nuk është zhdukur tërësisht. Ndonëse thyerja nuk është më strategji koherente e ndonjë force politike domethënëse, ajo tregon frustrimin dhe mllefin ndaj të jetuarit në një botë me pabarazi të theksuara dhe potenciale të parealizuara për lulëzimin njerëzor dhe në një sistem politik që duket gjithnjë e më jodemokratik dhe i papërgjegjshëm. Megjithatë, nëse duam ta transformojmë vërtet kapitalizmin në një kah emancipues, nuk mjaftojnë vizionet që rrezatojnë mllef; nevojitet një logjikë strategjike që ka gjasa të funksionojë në praktikë.

Çmontimi i kapitalizmit

Qysh prej fillimit të lëvizjeve antikapitaliste ka pasur njerëz që binin dakord me kritikën ndaj kapitalizmit dhe qëllimet themelore të revolucionarëve, por nuk besonin se ishte e mundur thyerja e kapitalizmit. Sidoqoftë ky skepticizëm mbi mundësinë e përmbysjes revolucionare të kapitalizmit nuk nënkuptonte braktisjen e idesë së socializmit.

Ndërsa përmbysja e rrufeshme e kapitalizmit nuk do të krijonte, së paku në vendet e pjekura kapitaliste, kushtet që do të jetësonin një alternativë demokratike e barazimtare, tranzicioni në socializmin demokratik do të të arrihej përmes reformave të udhëhequra nga shteti, të cilat do të shtinin nga lart dalëngadalë elementë të një alternative socialiste. Diçka e tillë nënkupton një periudhë të gjatë në të cilën marrëdhëniet kapitaliste e socialiste do të bashkekzistonin në një ekonomi të përzier: do të kishte banka kapitaliste private krahas bankave shtetërore; firma kapitaliste private krahas sipërmarrjeve shtetërore, sidomos në sektorët e transportit, punëve publike, shëndetësisë dhe disa degëve të industrisë së rëndë; do të kishte tregje kapitaliste pune krahas punësimit shtetëror; planifikim shtetëror për shpërndarjen e investimeve krahas investimeve private fitimprurëse. Sipas këtij skenari, nuk do të kishte një moment të thjeshtë thyerjeje kur një sistem do të zëvendësonte tjetrin. Do të kishim një çmontim gradual të kapitalizmit dhe ndërtimin e një alternative përmes veprimeve të mbështetura nga shteti.

Parakushtet kritike të funksionimit të kësaj strategjie janë, së pari, një demokraci zgjedhore e qëndrueshme dhe, së dyti, një parti socialiste e gjerë e masive që mund të fitojë zgjedhjet dhe të qëndrojë në pushtet për një kohë mjaftueshëm të gjatë që këto struktura ekonomike shtetërore të mund të institucionalizohen siç duhet. Sigurisht që do të kishte kundërshti dhe rezistencë, por besohej se këto institucione ekonomike socialiste të organizuara nga shteti do ta tregonin vlerën e tyre dhe kësisoj do të korrnin mbështetje popullore.

Ideja e shtënies gradualisht të socializmit nga lart përmes reformave shtetërore ka korrur mbështetje të konsiderueshme mes antikapitalistëve të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, kjo strategji dukej se po fitonte terren në disa vende me shtetëzimin e hekurudhave në Britani, krijimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor të shoqërizuar në një sërë vendesh, zgjerimin e sektorëve të punëve publike në shumë vende, madje edhe me pronësinë shtetërore të disa industrive në ca vende të zhvilluara kapitaliste. Asokohe debatohej shumë mbi potencialet e “ekonomisë së përzier” dhe disa antikapitalistë besonin se kjo do të përbënte bërthamën mbi të cilën mund të ndërtohej një sektor socialist dinamik.

Po nuk ndodhi kështu. Dinamizmi i kapitalizmit në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, krahas ofensivës ideologjike kundër idesë së socializmit në shumë vende, sidomos në SHBA, e nxori nga agjenda shtrirjen e shtetëzimeve në ekonomitë e përziera. Përmbysja ushtarake e qeverisë socialiste të zgjedhur demokratikisht në Kilin e 1973, krahas të tjera prapakthimeve në përpjekjet për socializëm demokratik, e shuan tërësisht besimin se zgjedhjet demokratike mund të ofronin një shteg reformist drejt çmontimit të kapitalizmit. Në çerekun e fundit të shekullit të njëzetë, sektorët shtetërore të ekonomisë socialiste jo vetëm që nuk u bënë pararoja e një ekonomie të re, por u goditën edhe më fort. Nën flamurin e neoliberalizmit, në qendër të agjendës politike u vu privatizimi dhe jo shtetëzimi, edhe nga disa parti politike të rëndësishme që ishin identifikuar tradicionalisht me të majtën.

Zbutja e kapitalizmit

Si shkatërrimi, ashtu edhe çmontimi i kapitalizmit përfytyrojnë mundësinë e mbrame të zëvendësimit të kapitalizmit me një strukturë ekonomike rrënjësisht të ndryshme, socializmin. Në këtë kuptim, të dyja këto strategji kanë aspirata revolucionare, pavarësisht se dallojnë në mënyrën se si i kuptojnë mjetet e domosdoshme për arritjen e qëllimeve.

Sidoqoftë kapitalizmin mund ta konsiderojmë burim dëmesh sistematike në shoqëri pa u përpjekur për ta zëvendësuar atë. Qëllim mund të jetë neutralizimi i këtyre dëmeve. Kjo u bë ideja strategjike mbisunduese e partive socialdemokrate në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ja argumenti i tyre bazik:

Kur nuk trazohet, kapitalizmi krijon dëme të mëdha. Sjell nivele të larta pabarazish që janë shkatërrimtare për kohezionin shoqëror; zhduk vende pune tradicionale dhe i lë njerëzit pa asnjë përkrahje; krijon pasiguri dhe rrezik në jetën e individëve dhe bashkësive; dëmton mjedisin. Të gjitha këto janë pasoja të dinamikës së brendshme të një ekonomie kapitaliste. Sidoqoftë është e mundshme të ndërtohen institucione kundërpeshuese që mund t’i neutralizojnë në mënyrë domethënëse këto dëme. Kapitalizmi nuk ka pse lihet i patrazuar; ai mund të zbutet nga politika të mirëmenduara shtetërore. Afërmendsh që diçka e tillë mund të kërkojë beteja të forta përderisa synon të reduktojë autonominë dhe pushtetin e klasës kapitaliste, si dhe nuk ka garanci për sukses. Klasa kapitaliste dhe aleatët e saj do të pretendojnë se rregullimet dhe rishpërndarja që kanë për synim neutralizimin e këtyre “të ashtuquajturave” dëme të kapitalizmit, do të shkatërrojnë dinamikën e tij, gjymtojnë konkurrueshmërinë dhe zhbëjnë nxitjet ekonomike. Sidoqoftë këto argumente janë thjesht racionalizime vetëshërbyese në mbrojtje të privilegjit dhe pushtetit. Kapitalizmi mund t’u nënshtrohet rregullimit dhe rishpërndarjes domethënëse që synojnë kundërpeshimin e dëmeve të tij dhe prapëseprapë të sigurojë fitime të përshtatshme për funksionimin e vet. Arritja e këtij rezultati kërkon mobilizim popullor dhe vullnet politik; nuk mund të mbështetemi asnjëherë në dashamirësinë e ndriçuar të elitave. Po në rrethanat e duhura, ekziston mundësia e fitores në këto beteja dhe imponimit të kufizimeve të duhura për një formë më beninje kapitalizmi. Për pasojë do të kishim një kapitalizëm me rregulla loje të modifikuara seriozisht.

Ideja e zbutjes së kapitalizmit nuk e eliminon prirjen e domosdoshme të kapitalizmit për të sjellë dëme; thjesht u kundërvihet pasojave – ngjashëm me një ilaç që kuron efektivisht simptomat në vend të shkaqeve rrënjësore të një problemi shëndetësor. Ndonjëherë diçka e tillë është e mjaftueshme. Prindërit e fëmijëve të porsalindur vuajnë shpesh nga pagjumësia dhe dhimbjet e kokës. Një zgjidhje do të ishte aspirina; një tjetër heqja qafe e fëmijës. Nganjëherë neutralizimi i simptomës është më i përshtatshëm se heqja qafe e shkakut rrënjësor.

Sigurisht, jo çdo reformim i rregullave të kapitalizmit, edhe i atyre që kanë për synim të neutralizojnë disa prej dëmeve të tij, mund të përfytyrohet si antikapitalist. Rregullimi bankar që synon parandalimin e rreziqeve spekulative që prishin sistemin dhe rregullimi i tregut të aksioneve për të shmangur tregtinë ilegale mund të përfytyrohen thjesht si ndihmëse në stabilizimin e kapitalizmit, çka e mbron kapitalizmin nga prirjet e veta vetëshkatërruese. Rregullimi i peshkimit me synim parandalimin e shterjes së peshqve thjesht zgjidh një problem të veprimit kolektiv që lind prej peshkimit kapitalist në shkallë të gjerë. Reformat antikapitaliste shquhen për faktin se në një mënyrë apo një tjetër fusin vlera dhe parime barazimtare, demokratike e solidare në logjikën kapitaliste të veprimit. Këto reforma mund edhe të ndihmojnë në stabilizimin e kapitalizmit – në të vërtetë ky faktor ndikon pjesërisht në realizimin e tyre – por specifika e tyre është se e bëjnë sistemin kapitalist të veprojë në mënyrë më pak kapitaliste.

Në të ashtuquajturën “periudhë e artë e kapitalizmit” – pak a shumë tri dekadat pas Luftës së Dytë Botërore – politikat socialdemokrate kryen punë të paqme – sidomos në vendet ku u zbatuan më tërësisht – në drejtim të një sistemi ekonomik më human. Më saktësisht, tri grupe politikash shtetërore përftuan rregulla të reja që kundërpeshuan disa prej dëmeve të kapitalizmit dhe mishëruan në shkallë të ndryshme vlera barazimtare, demokratike e solidare:

Disa prej rreziqeve më serioze në jetën e njerëzve – sidomos ato që kanë të bëjnë me shëndetin, punësimin dhe të ardhurat – u reduktuan nëpërmjet një sistemi pak a shumë gjithëpërfshirës të sigurimeve shoqërore të financuara dhe mbështetura nga shteti.

Shtetet morën përgjegjësinë e sigurimit të një grupi në rritje të mirash publike që financoheshin përmes një sistemi të fortë taksash relativisht të larta. Këto të mira publike përfshinin arsimin bazik dhe të lartë, formimin profesional, transportin publik, veprimtaritë kulturore, qendrat e argëtimit, kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Nga disa prej tyre përfituan më shumë kapitalistët, por shumë syresh shkuan në të mirë të publikut të gjerë.

Shtetet krijuan edhe regjime rregullatore që kishin për synim përballimin e eksternaliteteve më negative të sjelljes së investitorëve dhe firmave në tregjet kapitaliste: ndotja, rreziqet në produkte dhe vendin e punës, sjellja grabitqare në treg, luhatja e aseteve të tregut e kështu me radhë. Edhe në këtë rast disa prej këtyre rregullimeve u shërbenin vetëm interesave të kapitalistëve, por disa syresh mbrojtën edhe mirëqenien e punëtorëve dhe të popullsisë së gjerë.

Domethënia e këtyre politikave nuk është se ekonomia reshti së qeni kapitaliste: kapitalistët vazhdonin të kishin lirinë për ta orientuar kapitalin mbi bazën e mundësive fitimprurëse në treg dhe, hiq taksat, ata përvetësonin fitimet e ardhura prej këtyre investimeve për t’i përdorur sipas qejfit. Ndryshimi kishte të bënte me faktin që shteti mori përgjegjësinë e korrektimit të pjesshëm të tri dështimeve kryesore të tregjeve kapitaliste: ekspozimi individual ndaj rreziqeve, nënsigurimi i të mirave publike dhe eksternalitetet negative të veprimtarisë ekonomike private fitimprurëse. Për pasojë erdhi një formë pak a shumë mirëfunksionuese kapitalizmi, ku pabarazitë dhe konfliktet zbuteshin. Kapitalistëve mund të mos u ketë ardhur për mbarë, por ky sistem funksiononte boll mirë. Kapitalizmi u zbut në dimensione të rëndësishme. Vazhdonte të ekzistonte, por në formë më pak grabitqare.

Kjo ishte periudha e artë. Bota e dekadave të para të shekullit të njëzetenjë duket shumë e ndryshme. Gjithkund, edhe në fortesat socialdemokrate të Evropës veriore, janë bërë thirrje për prapësimin e “tagrave” që lidhen me sigurimin shoqëror, reduktimin e taksave dhe sigurimin e të mirave publike, çrregullimin e shumë aspekteve të prodhimit e tregjeve kapitaliste, si dhe privatizimin e shumë shërbimeve shtetërore. Në tërësi këto transformime lidhen me ermin e “neoliberalizmit”.

Në vullnetin dhe kapacitetin e dukshëm të shtetit për të neutralizuar dëmet e kapitalizmit kanë ndikuar një sërë forcash. Globalizimi i kapitalizmit ua ka lehtësuar shumë punën firmave kapitaliste për t’i zhvendosur investimet në ato vende të botës që kanë më pak rregullime dhe fuqi punëtore më të lirë. Kërcënimi i zhvendosjes së kapitalit, krahas një sërë ndryshimesh teknologjike e demografike, e ka fragmentuar dhe dobësuar lëvizjen punëtore, duke e bërë më pak të aftë për të rezistuar dhe mobilizuar politikisht. I kombinuar me globalizmin, financiarizimi i kapitalit ka sjellë rritje masive të pabarazisë në pasuri e të ardhura, të cilat nga ana e tyre kanë forcuar pushtetin politik të kundërshtarëve të shtetit socialdemokrat. Në vend se të zbutej, kapitalizmi ka dalë nga binarët.

Ndoshta tre dekada e ca të periudhës së artë kanë qenë thjesht anomali historike, një periudhë e shkurtër në të cilën kushtet strukturore të favorshme dhe pushteti popullor i qenësishëm çelën mundësinë e modelit socialdemokratik relativisht barazimtar. Më parë kapitalizmi ishte një sistem grabitqar dhe në neoliberalizëm është ribërë i tillë, duke rikthyer situatën normale për sistemet kapitaliste. Ndoshta në afatgjatë kapitalizmi është i pazbutshëm. Mbrojtësit e idesë së thyerjeve revolucionare të kapitalizmit kanë mëtuar gjithnjë se zbutja e kapitalizmit ishte iluzion, një lloj shpërqendrimi nga detyra e ndërtimit të një lëvizjeje politike që do ta përmbyste atë.

Po ndoshta punët nuk janë kaq keq. Pretendimi se globalizmi u vë kufij të fortë shteteve për të rritur taksat, rregulluar kapitalizmin dhe rishpërndarë të ardhurat është efektiv politikisht pjesërisht sepse njerëzit besojnë në të, jo për shkak se kufizimet janë vërtet kaq të forta. Në fund të fundit, një pjesë e rëndësishme e kapacitetit të shtetit për të taksuar buron nga gatishmëria e njerëzve për të pranuar taksimin e të ardhurave të tyre – jo nga vullneti i kapitalistëve për ta zhvendosur kapitalin që të shmangin taksimin – dhe vullneti i njerëzve për të pranuar taksimin varet në masë të madhe nga niveli i solidaritetit të tyre kolektiv. Në politikë kufijtë e mundësisë krijohen gjithnjë nga besimi në këta kufij. Neoliberalizmi është ideologji, e cila mbështetet nga forca politike të pushtetshme dhe jo ndonjë farë shpjegimi i saktë shkencor i kufijve të vërtetë me të cilët përballemi kur orvatemi ta përmirësojmë botën. Ndonëse mund të jetë e vërtetë që politika të caktuara që përbënin menynë e socialdemokracisë në epokën e artë mund të jenë bërë më pak efektive dhe kanë nevojë të rimendohen, zbutja e kapitalizmit përmes rregullave që neutralizojnë ca prej dëmeve më të këqija të tij mbetet një shprehje praktike e antikapitalizmit. Pengesat politike ndaj rivitalizimit të socialdemokracisë përparimtare mund të jenë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se natyra e kapitalizmit nuk mundëson më ndreqjen e këtyre dëmeve përmes veprimit shtetëror.

Vijon

Përktheu: Arlind Qori

Marrë nga libri i autorit “How to be an Anticapitalist in the Twenty-First Century”.

Imazhi: Thomas Peck

Publikuar në Teza 11

TË VARFRIT-EDUARDO GALEANO

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

TË VARFRIT-EDUARDO GALEANO

 

Ekspertët, varfologët,
i studiojnë dhe na japin të dhëna të përditësuara.
Çfarë nuk hanë,
ku nuk punojnë,
sa janë,
sa nuk peshojnë,
sa nuk janë të gjatë,
çfarë nuk kanë,
çfarë nuk mendojnë,
çfarë nuk votojnë,
në çfarë nuk besojnë.
Na ngelet të dimë vetëm përse të varfrit janë të varfër,
pa tokë, pa shtëpi, pa rrugë.
Mos ndoshta të varfrit janë të varfër
sepse uria e tyre na ushqen
dhe lakuriqësia e tyre na vesh?
E ç’do të ishim ne pa të varfrit?

______

Nga libri: “Askushët

Përktheu: Bajram Karabolli

Ribashkim i Pashpresuar -Johann Peter Hebel

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

 Johann Peter Hebel

Pesëdhjetë vite më parë, në qytezën Falun të Suedisë, një i ri, minator, puthej me të fejuarën e tij rioshe e të hijshme dhe diç i pëshpëriste: “Në ditën e Shën Luçisë, e jona dashuri do t’bekohet nga famulltari, kësisoj, ne do të bëhemi burrë e grua dhe do të ndërtojmë një fole krejt tonën”. “Paqe e dashuri paçim përherë me vete!”, vazhdoi e fejuara gojëmbël, duke buzëqeshur e lumtur, “pse, për mua, ti je i vetmi, je gjithçka kam e pa ty më mirë të isha në varr se kudo tjeter”.

Por, pak para festës së Shën Luçisë, teksa famulltari, për të dytën herë, pat’ thirrur: “Nëse, dikush ka dijeni për ndonjë pengesë që këta dy shpirtra nuk mund të bashkohen në të shenjtën martesë”, vdekja kumboi me ogurin e saj të zi. Se, mëngjesin e shkuar, kur i riu me veshjen e zezë të minatorit (një minator e mbath çdo ditë vdekjen si lëkurë) në parmakun e saj ia behu, duke trokitur edhe një herë të fundit në dritare, për t’i uruar asaj mëngjesin e mirë, porse, në mbrëmje, ai nuk u kthye më. Ai nuk u kthye më asnjëherë nga miniera, teksa, ajo, më kot, qëndiste në të kuq konturet e mëndafshta të një shamie të zezë, dhuratë për të dashurin e zemrës në ditën e tyre të martesës. Qëkur ai më nuk erdh’, ajo e kyçi shaminë dhe e vajtoi dhe nuk e harroi kurrë.

Ndërkohë, qyteti i Lisbonës në Portugali u shkatërrua thuajse i tëri nga tërmeti i madh, Lufta 7-Vjeçare mbaroi, perandori Franz I vdiq dhe Jezuitët u shpërbënë dhe Polonia u copëtua dhe perandoresha Maria Tereza vdiq dhe J. F. Struensee u dënua me vdekje e u ekzekutua dhe Amerika shpalli pavarësinë dhe unioni Franko-Spanjoll nuk e pushtoi dot Gjibraltarin. Turqit dënuan gjeneralin Stein në Shpellën e Veteranëve në Hungari dhe perandori Josif, gjithashtu, vdiq. Mbreti Gustav i Suedisë pushtoi Finlandën-Ruse dhe Revolucioni Francez nisi dhe lufta e gjatë mori udhë dhe perandori Leopold II u varros. Napoleoni mposhti Prusinë dhe anglezët bombarduan Kopenhagenin dhe fshatarët mbollën e korrën dhe mullixhiu bluante dhe farkëtari godiste me çekiç dhe minatorët vazhdonin të dërrmuar të çukisnin damarët nëntokësorë në kërkim të mineraleve.

Por, kur në vitin 1809, dy apo tri ditë para festës së Shën Gjonit, teksa minatorët në Falun gërmonin treqind metra nën tokë për të krijuar një rrugëkalim mes dy puseve, nga një gropë mbytur në pluhur e ujë acidik nxorën kufomën e një të riu. Anipse i tejngopur në sulfat hekuri, trupi nuk kish ndryshuar asfare. Mund t’ia dalloje tiparet e fytyrës, deri edhe moshën mund t’ia përcaktoje, a thua se kish vdekur veç një orë më parë, ose, më mirë me thënë, sapo e kish këputur një gjum’ i thellë duke punuar.
Kur drita pa trupin e tij, babë e nënë, miq e të afërm kishin kohë që i ishin ndarë kësaj bote. Kurrkush nuk e njihte djaloshin që flinte gjumin e vdekjes, kurrkush nuk dinte të fliste një fjalë mbi fatkeqësinë e tij, deri kur, e fejuara e minatorit, i cili kishte ikur në turnin e radhës, por nuk qe kthyer më, ia behu.
Me flokët gri, e kërrusur, tek mezi mbahej mbi bastunin e saj, ajo mbërriti aty ku qëndronte trupi i tij dhe e njohu menjëherë të fejuarin e saj. Me një lumturi të beftë, e cila mposhti në çast dhimbjen, ajo u përul përpara trupit të tij dhe qëndroi ashtu gjatë, derisa u përmend prej tronditjes. “Është i fejuari im”, tha ajo më së fundmi, “kam pesëdhjetë vjet që e vajtoj, por, Zoti ma pruri sërish, për ta takuar, edhe një herë, para fundit tim. Një ditë para martesës sonë, ai shkoi në minierë dhe nuk u kthye më”.
Në çast, shpirti i dëshmitarëve u drodh dhe sytë e tyre gufuan në lot, tek shikonin nusen e mpakur në siluetën e vyshkur e të pafuqishme të moshës, ndërkohë që dhëndri ende ruante at’ freski e bukuri rinore; dhe, se si në gjoksin e saj, edhe pse, pesëdhjetë vite patën shkuar, u rindez flaka e dashurisë së dikurshme; porse, ai nuk i buzëqeshte më, as syte nuk i hapi për ta parë të shtrenjtën e zemrës. Më në fund, si e vetmja e afërme e tij në këtë botë, ajo ua besoi trupin e pajetë minatorëve, që ta përcillnin në shtëpinë e saj, derisa, varri i tij në oborrin e kishës të gatitej.

Ditën tjetër, kur varri ishte gati dhe minatorët erdhën sërish për të përcjellë trupin në banesën e fundit, ajo hapi kutinë ku ruante shaminë e zezë të mëndafshtë me konture të kuqta e ia lidhi atij përreth qafës dhe e shoqeroi drejt kishës veshur në teshat e së dielës, sikur të ish dita e tyre e dasmës dhe, jo, dita e varrimit të tij dhe, teksa trupi i tij rrëshkiste në gropën e errët, ajo tha: “Pusho në paqe tani, një ditë, një javë, ose më gjatë, në shtratin e ftohtë të martesës, pesh’ e kohës mos t’u bëftë barrë! Unë kam edhe fare pak rrugë për të bërë dhe do të të vij pranë shumë shpejt dhe dita do të çelet sërish”.
“Çka toka e riktheu një herë, nuk mundet assesi ta fshehë sërish në gjirin e saj, deri kur dita e gjykimit të vijë”, tha ajo, teksa largohej e pëlotur me kryet rrëzuar mbi sup.

Përktheu: Helidon Keku

Testamenti i Skëndebeut-Frederik Rreshpja

in Letërsi/Tharm by

Testamenti i Skëndebeut-Frederik Rreshpja

 

Merreni shpatën time! Vëreni
mbi drurin më madhështor të bregdetit.
Le të vërtitet ajo nga duart e stuhisë!
E kam fjalën këtu: duhet
të armatosim çdo gjë. Edhe erërat.

Ja dhe stapi im prej ulliri, mbilleni!
Mbi degët e tij mund të varni armët.
Duke vështruar kurmet plot plagë të ullinjve,
gjithmonë kam memduar se ata janë drurët e luftës.

Ç’kisha ua dhashë.
Tani trupin tim ta zbrisni thellë në tokë.
Që kur të vijē vjeshta, nga sytë e mi të mbijë grurë.

GËZIMI I TË SHKRUARIT-WISLAWA SZYMBORSKA

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

GËZIMI I TË SHKRUARIT-WISLAWA SZYMBORSKA

 

Pse kjo sorkadhe e shkruar u përket këtyre pyjeve të shkruar?
Për një gllënjkë ujë nga një burim
që pasqyron turirin e saj të butë?
Pse e ngre kokën? Çfarë dëgjon?
Mbështetur mbi katër këmbë të holla marrë hua nga e vërteta,
ajo i ngre veshët nën gishtat e mi.
Heshtje – edhe kjo fjalë shushurin nëpër faqe
dhe përkëdhel degët
që kanë mbirë nga fjala “pyje”.

Shtrirë në pritje, gati të kërcejnë në faqen bosh,
germat presin, të pabesa,
kthetra të bindura rregullash,
që kurrë s’do ta lënë të ikë.

Çdo pikë bojë sjell një tjetër grup
gjahtarësh që, me sy picërruar vështrimesh,
gati të mbushin penën e pjerrët në çdo çast,
e rrethojnë sorkadhen duke e marrë shenjë, ngadalë.
Harrojnë se kjo nuk është veçse fantazi,
këtu sundojnë të tjera ligje, të zeza në të bardhë.
Çdo shkëndijë syri zgjat aq sa vendos unë
dhe nëse dua, kohën e ndaj në grimca të vogla përjetësie
e plumbat i ngrij në fluturim e sipër.

Asnjë gjë nuk do të ndodhë pa urdhrin tim.
Pa bekimin tim, as edhe një gjethe nuk do bjerë
dhe asnjë teh bari nuk do përkulet nën atë thundër të vogël.

A ka pra një botë
ku fatin mund ta sundoj plotësisht?
Të cilën e lidh me zinxhirë shenjash?
Një qenie, të cilës mund t’i jap përjetësinë?

Gëzimi i të shkruarit.
Fuqia e ruajtjes.
Hakmarrja e një dore të vdekshme.

 

Përktheu: Ajkuna Dakli

1 60 61 62 63 64 182
Go to Top