Author

Admin - page 126

Admin has 1815 articles published.

Mbi vetëvrasjen e refugjatit W.B. – Bertold Brecht

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Mbi vetëvrasjen e refugjatit W.B. – Bertold Brecht

 

Më thanë se ti e ngrite dorën ndaj vetvetes

E i paraprive kasapit.

Pas tetë vjetësh në ekzil, duke vëzhguar ngritjen e armikut

Edhe në fund, i shtyrë drejt një kufiri të pakalueshëm

Kapërceve, kështu më thanë, një kufi të kalueshëm.

 

Perandoritë bien. Kryetarë bandash

Krekosen vërdallë si të ishin burra shtetesh. Popujt

Më as që mund të shihen nën gjithë ato armatime.

 

Pra e ardhmja shtrihet në terr dhe forcat e së drejtës

Janë të dobëta. Të gjitha këto i kishe të qarta

Kur shkatërrove një trup të torturueshëm.

 

1941

 

Përktheu: Arbër Zaimi

Dy burra-Wolfgang Borchert

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Wolfgang Borchert

 

Na ishin njëherë dy njerëz. Kur ishin dy vjeç, rriheshin njëri me tjetrin me duar.

Kur ishin dymbëdhjetë, rriheshin njëri me tjetrin me hunj dhe qëlloheshin me gurë.

Kur ishin njëzet e dy e qëlluan njëri-tjetrin me pushkë.

Kur ishin dyzet e dy e goditën njëri-tjetrin me bomba.

Kur qenë gjashtëdhjetedy u infektuan me baktere.

Kur qenë tetëdhjetë e dy, vdiqën.

Ata u varrosën njëri pranë tjetrit.

Kur pas njëqind vitesh një krimb shiu po i hante në të dy varret, nuk vuri re fare që këtu ishin varrosur dy njerëz të ndryshëm. Ishte e njëjta tokë. E njëjta tokë në gjithçka.

 

Përktheu nga gjermanishtja: Gaqo Karakashi

Mëmëdhe-Rose Ausländer-Përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch

in Letërsi/Në kujtim të Hans-Joachim Lanksch/Përkthim/Tharm by

Mëmëdhe-Rose Ausländer

 

Vatani më vdiq

dhe e varrosën

në zjarr

 

Po jetoj

në mëmëdheun tim

në fjalë

 

Përktheu: Hans-Joachim Lanksch

Sindroma “Madamë Bovari”, çfarë është?

in Letërsi by

Bëni kujdes me trishtimin. Mund të bëhet ves – Gustav Flaubert

Sindroma “Madamë Bovari” ose e quajtur ndryshe “Bovarizmi”, është një shqetësim i sjelljes, i zbuluar menjëherë pas publikimit të romaneve romantikë të shekullit të 19-të. Prej asaj kohe, idealizimi i dashurisë çoi mijëra njerëz drejt frustrimeve dhe zhgënjimeve të shumta. Kërkimi i dashurisë ideale ama, përfundon gjithmonë një një rapot normal në çift.

Le të flasim për një psikopatologji, të përshkruar për herë të parë në vitin 1892 nga filozofi Jules de Gaultier. Bazuar tek vepra Madamë Bovari, ai i referohet protagonistes, Emës, si steriotipi perfekt i njeriut që vuan nga ajo që e quajti ‘një pangopje kronike dashurie’.

Kush është Madamë Bovaria?

Ema Bovari është një personazh i krijuar nga shkrimtari Gustav Flaubert, në vitin 1857. Vepra flet për martesën e saj me Charles Bovarinë, një mjek province i cili e adhuron, por ajo nuk ndjen të njëjtën gjë.

Kërkimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve, i pasionit që ajo lexon nëpër libra, i nxit një pamjaftueshmëri të vazhdueshme emotive. Ema fillon të vuajë nga depresioni dhe Charles vendos të largohet në një qytet të vogël, ku do të njohin një sërë personazhesh të larmishëm.

Ema lejon të joshet nga dy prej tyre, i pari është një student i ri, e pastaj nga një ‘donzhuan’ i quajtur Rodolf. Marrëdhënia me ta është posesive, gjithë xhelozi dhe ka shumë varësi. Momentin kur braktiset nga të dy, vetëvritet duke pirë pluhur arseniku.

Madamë Bovaria, ashtu si Ana Karenina, heq dorë nga familja e saj, nga roli i gruas, për të shkuar pas dashurisë. Ema iu dedikua aq shumë përmbushjes së kënaqësive të saj, saqë ishte e gatshme të shkatërronte familjen, të linte pas dore të bijën apo lë lëndonte njerëzit që e rrethonin.

“Bëni kujdes me trishtimin. Mund të bëhet ves.” – Gustav Flaubert.

Cilat janë karakteristikat e sindromës ‘Madamë Bovari”?

1.Varësi prej romantizmit.

Njerëzit që vuajnë nga kjo sindromë nuk dinë të rrinë vetëm. Jetojnë me idenë se do të vijë dita që dikush ta dojë marrëzisht, që do të ndryshojnë jetët e tyre dhe do të çlirohen nga problemet dhe nga rutina. Kur përfundojnë një marrëdhenie, nisin një tjetër menjëherë. I vetmi objektiv që kanë është të gjejnë një njeri si nëpër libra, filma apo seriale televizive.

Çdo herë që fillojnë një marrëdhenie, u kthehet në fiksim. E idealizojnë aq shumë, sa është e pamundur t’i bësh të ndryshojnë mendje, edhe nëse personi në fjalë nuk është i përshtatshëm për ta.

2. Marrëdhënie të pamundura.

Si pasojë e paaftësisë së tyre për të patur një marrëdhenie të vërtete, vrapojnë shpesh drejt dashurive të pamundura. Mund të kenë një partner, e sidoqoftë ndjekin iluzionin e një dashurie ideale me dikë tjetër.

Kjo i bën të palumtur, duke qenë se nuk dinë të rrinë vetëm, rrallë mund të mbyllin një marrëdhenie pa patur një as nën mëngë. Tërhiqen nga marrëdhënie të ndërlikuara ose nga njerëz të vështire, sepse këtë e konsiderojnë romantike dhe pasionale.

3. Pakënaqësi e vazhdueshme.

Kur fillojnë një marrëdhënie, dikush me sindromën “Madamë Bovari” fillon të zbulojë që partneri përkatës është një qënie njerëzore, pra ka të meta. Idealizimi zhduket dhe këtu fillon një dhimbje e re. Nuk e konsiderojnë më si një person të përshtatshëm dhe fillojnë të mos kenë më interes. Këta njerëz nuk gjejnë asnjëherë kënaqësi me askënd, sepse nuk e konceptojnë dot dashurinë pas fazës së rënies në dashuri. Vizioni i një marrëdhënieje bazohet në histori ose personazhe që nuk kanë patur asnjëherë qetësi apo që nuk kanë qënë kurrë në monotoni.

4. Mitizim i personit që do.

Sindroma “Madamë Bovari” provokon një frikë të madhe braktisjeje nga ana e partnerit. Kjo bën që personi të reagojë shumë keq ndaj një ndarjeje dashurie.

Kë godet Bovarizmi?

Edhe pse deri para një shekulli ishte një psikopatologji që mendohej se prekte vetëm gratë, në ditët e sotme mendohet të ketë një ekulibër mes gjinive. Kjo prej faktit se më parë burrat ishin më të përkushtuar ndaj punës, ndërsa gratë ishin shtëpiake dhe i dedikonin më shumë kohë leximit. Kjo i ndihmonte të shkëputeshin prej realitetit, dhe të drejtoheshin në vende ku problemet e së përditshmes nuk ekzistonin.

Njerëzit që vuajnë nga kjo sindromë, zakonisht kanë qënë viktima braktisjesh ose kanë patur mungesa afektive gjatë fëmijërisë. Kjo bën që të ketë nevojë për vëmëndje nga ana e partnerit, duke kërkuar dëshpërimisht që ndjenjat e braktisjes të mos shfaqen më.

Ndjesi melankolie dhe trishtimi, janë shenjat kryesore të “Bovarizmit”. Këta njerëz mund të trajtohen me ndihmën e një specialisti. Gjithashtu sindroma e “Bovarizmit” mund të lidhet edhe me shqetësime të tjera serioze, si për shembull; shqetësimi obsesiv, gjë që e bën akoma më të nevojshëm ndërhyrjen.

Bibliografia: Gaultier, J. (1892), Le Bovarysme, la psychologie dans l’oevre de Flaubert, Paris, Francë.

Përktheu: Blerina Berberi

PAKSA E SHFYTYRUAR-Paul Eluard

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

PAKSA E SHFYTYRUAR-Paul Eluard

 

Lamtumirë trishtim

Mirëdita trishtim

Ti je skalitur në vijat e tavanit

Je skalitur brenda syve që dua

Por nuk je krejt mjerimi

Sepse buzët më të skamura të tradhtojnë

Me një buzëqeshje

Mirëdita trishtim

Dashuri trupash të këndshëm

Fuqi e dashurisë

Nga ia beh dashamirësia

Si një përbindësh pa trup

Kokë e zhgënjyer

Fytyrëbukuri trishtim

 

Përktheu: Alket Çani

Nokturn-Franz Kafka

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Franz Kafka

Isha zhytur brenda natës. Ashtu siç përkulet nganjëherë koka për të menduar, ashtu isha zhytur brenda natës. Përreth finin njerëzit. Ishte një komedi e vogël, një mashtrim i patëkeq se ata po flinin në shtëpitë e tyre, në shtretërit e fortë, nën pullazet e fortë, të shtrirë apo të tulatur mbi shtrojet e tyre, përmbi çarçafë e nën mbulesa. Në të vërtetë ata janë mbledhyr si dikur në shkretetirë, një fushëtirë e rrahur nga era; janë një numër i pakufizuar njerëzish, një ushtri e tërë, një popill nën qiellin e ftohtë, përmbi tokën e ftohtë, njerëz te cilet ishin plandosur mbi krah, me fytyren mbi tokë e merrnin frymë qetesisht… Kurse ti rri e përgjon, ti je përgjuesi, ti shquan njeriun që ndodhej më pranê nga drita e pishtarit të hedhur në këmbët e tua..  Përse përgjon ti? Duhet përgjuar thonë! Po, dikush duhet të rrijë zgjuar!

Përktheu: Gjergj Vlashi 

HANNAH ARENDT-Një film autobiografik për filozofen Hannah Arendt

in Kinema by

Në vitin 1960, krimineli nazist Adolf Eichmann rrëmbehet në Argjentinë dhe vihet para gjyqit në Izrael. Teoricienia politike dhe shkrimtarja gjermano-hebreje Hannah Arendt e cila më 1933 emigroi nga Gjermania dhe u vendos më 1941 në New York, udhëton si korrespondente për revisten New Yorker në këtë proces dhe befasohet kur për të i pandehuri nuk rezulton të jetë një përbindësh apo gjeni Krimi, por thjesht një burokrat mediokër.

Një film me tipare biografike për filozofen Hannah Arendt (1906-1975), mbi të gjitha me vëzhgimin dhe vlerësimin e saj në gjyqin kundër Adolf Eichmann në Jeruzalem. Filmi fokusohet në rrëfimin dinamik të portretit të një intelektualeje të jashtëzakonshme të shekullit të 20-të, ai lë gjithashtu mbresa me portretizimet intime të mjedisit të Nju Jorkut dhe të emigrantëve gjermano-hebrenj në fillim të viteve 60-të.

Titulli: Hannah Arendt

Regjia: Margarethe von Trotta

Kohëzgjatja: 100 minuta

Viti i shfaqjes së parë: 2012

Gjuha: gjermanisht me titra anglisht

Aktorët: Hannah Arendt: Barbara Sukowa, Heinrich Blücher: Axel Milberg, Mary McCarthy: Janet McTeer, Lotte Köhler: Julia Jentsch, Hans Jonas: Ulrich Noethen, Kurt Blumenfeld: Michael Degen, Charlotte Beradt: Victoria Trauttmansdorff, Martin Heidegger: Klaus Pohl, William Shawn: Nicholas Woodeson

Data: të enjten, 12 dhjetor 2019, ora 19:00

Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimedias Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë

Hyrja: falas

Goethe-Zentrum

Doja të të shkruaja-Soren Kierkegaard

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Doja të të shkruaja-Soren Kierkegaard

 

Doja të të shkruaja,

jo për të pyetur si je,

po dua të di si është të jesh pa mua?

Unë s’kam qenë kurrë pa veten, e ndaj nuk di…

dua të di çfarë ndjen kur unë nuk jam,

unë që shqetësohem nëse çdo gjë shkon mire.

Kur nuk më dëgjon tek qesh,

tek këndoj nën zë këngë idiote.

kur nuk më dëgjon tek flas,

kur belbëzoj nga inati ndonjëherë.

Si është  të jesh pa mua e të mos kesh ku të shfrehesh kur gjërat nuk shkojne mirë?

Të mos më kesh gati sa herë të kesh nevojë,

të mos kesh askënd të të bëjë të ndihesh mirë.

Ndoshta je më mirë apo ndoshta jo,

ama më lindi dyshimi, e doja të dija nëse ndonjëherë dyshon edhe ti.

Sepse e di? Ndonjëherë unë e pyes veten si jam tek jetoj pa ty… e pastaj zgjedh të mos përgjigjem.

Madje po të them, unë kam harruar veten, vetëm që mos të të harroj ty.

 

           Përktheu: Blerina Berberi

Orkshop për të fituar çmime letrare-Granit Zela

in Letërsi by

Granit Zela

Në qytezën e Medetit, Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve shpalli një mbledhje të jashtëzakonshme me rastin e ardhjes së një emri shumë të njohur nga Tirana, i cili do të vizitonte qytezën. Mirëpo, edhe pse ardhja e dikujt me famë nga kryeqyteti kishte pasojat e veta të pashmangshme (njëra ndër to ajo mbledhje urgjente), të gjitha masat u morën që ata të dilnin faqebardhë.

Ngjalli kërshëri ardhja e tij sepse i ftuari dihej që kishte ftuar shumë çmime letrare atje në kryeqytet, “prandaj shtrojmë pyetjen në këtë tryezë të nderuar krijuesish, cila është metoda që ka përdorur zotëria nga Tirana për të fituar çmime letrare, “sekreti” i zanatit nëse mund ta themi kështu”, diskutoi poeti Herri Henderson.

– Po të fshehtat e zanatit nuk t’i tregon kush, o Hamdi, – ia kthyen, të zhytur në një pesimizëm të thellë, kolegët e tij, duke ia përmendur emrin e vërtetë që ai e kishte ndërruar bashkë me mbiemrin, pas botimit të librit të parë me vjersha, me qëllim që edhe ai të kishte emrin e një autori me tingëllim bashkëkohor.

Por zoti Herri nuk hiqte dorë nga e tija:

 More vëllezër, këmbënguli ai. – Të tregohemi të sinqertë me të ardhurin e famshëm nga Tirana. Ta pranojmë sa injorantë jemi krahasuar me ata në kryeqytet dhe ai ndoshta vë dorën në zemër dhe organizon edhe ndonjë nga ato… nga ato… si quhen në gjuhën e sotme, nga ato orkshopet. Një “orkshop” si fitohen çmimet letrare do ta ndihmojë shumë letërsinë që prodhojmë e kultivojmë ne të provincës që të bëhet më e njohur.

Fjala e zotit Herri nuk kaloi pa rrokur vëmendjen e vjershëtorëve të LSHA-së, të cilët e mbështetën fuqimisht.

– Mirë e ka Herroja, – ndërhynë ata. – Gjithmonë ne poetët e provincës bëjmë çmos të dukemi sa më të kënduar e se çoç dimë kur takohemi me ata të kryeqytetit, të cilët na shohin me përçmim se nuk na besojnë. Kësaj radhe, me këtë të shquarin që do të kemi nderin të jetë mes nesh, t’ia themi pa asnjë lloj kompleksi duke e parë në sy: “Ne të provincës nuk dimë aq sa ju andej nga Tirana, andaja na mësoni! Ju flisni, ne mbajmë shënime. Nuk e kemi për turp të mësojmë nga juve…

Megjithëse në fillim pati kundërshtime, kështu u la, do t’ia kërkonin zyrtarisht të shquarit nga Tirana një “orkshop”, madje edhe me shkresë me vulën e kryetarit të bashkisë po të ishte e nevojshme, pasi aty do të merrnin pjesë të gjithë pjesëmarrësit në konkursin e përvitshëm letrar dhe do të zhdukeshin hatërmbetjet e zakonshme në këso rastesh dhe kështu të gjithë do të ndiheshin të shpërblyer në praninë dhe vëmendjen e dikujt që ata gjithë jetën e kishin parë në ekranin e televizorit. Atij do t’i bënin edhe një panoramë të mënyrës se si ishte zhvilluar konkursi letrar në qytezë, madje me atë do ta hapnin dhe “orkshopin”.

Konkursi ishte zhvilluar kështu: përfaqësues nga të gjitha institucionet që merren me prodhimin dhe ruajtjen e produktit letrar në qytezë, shkrimtarët e LSHA-së, nxënësit e shkollës së mesme, punonjësit dhe drejtuesit e bibliotekës, romancierët e pavarur, (romancierë që nuk punonin në administratën lokale, por në sektorin privat), të gjitha këta forca krijuese, në fazën e farë të përzgjedhjes konkuruan mes tyre në gjinitë letrare të poezisë, tregimit dhe romanit.

Gara në këto tri gjini të respektueshme letrare vijoi me përballjen e fituesve, le të themi në “kategorinë inferiore”, me poetët, tregimtarët dhe romancierët në “kategorinë superiore” ku përballja më e ashpër ishte ajo mes shkrimtarëve të LSHA-së, zotit Henri Balla apo si të thuash: Heinrich Böll-i i Medetit, autor i romanit “Nderi i humbur i  Kadrie Ballës” – një rrëfim rrënqethës autobiografik për të motrën – dhe zotit Dan Gera ose siç është vlerësuar  nga kritika letrare medetase: Dante Aligeri i Medetit, autor i trilogjisë “Derri, Dosa dhe Bretkoca” – një poemë alegorike për shthurjen morale të medetasve që harbonin në zabelin pas kodrës.

Nga dega e LSHA-së, juria përzgjodhi fitues zotin Balil Zaku, (Balzaku i provincës sonë), autor i “Kotësia njerëzore” – roman me peshë në korpusin romanor të qytezës, i cili pati një përplasje të fortë vlerash letrare me poeteshat e vitit të katërt, klasa e tretë B, të cilat rrezikuan seriozisht triumfin e Balzakut, pasi u shfaqën si meteor në qiellin letrar të provincës me librat poetikë tronditës: “Puç, puç” dhe “Zemra ime ti”.

Gara pati tone dramatike kur zoti Balla u ankua tek Juria për fyerje të muzës së tij krijuese, duke i skualifikuar romanin për të motrën, dhe në sajë të këmbënguljes së tij, ai futi në konkurim romanin e motrës, gjithashtu romanciere, e cila hyri e freskët në garë me romanin e titulluar: “Nderi i humbur i Henri Ballës” – roman që shtjellonte furtunën emocionale të zotit Balla, pasi ishte nëpërkëmbur nderi i tij krijues duke u skualifikuar nga olimpiada letrare e atij viti.

Prania e një njeriu të famshëm në Medet, mobilizoi të gjithë krijuesit e qytezës,  të cilët mbushën plot e përplot sallën e degës së LSHA-së, pasi kjo ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore. U konfirmua se zotëria i mirënjohur ishte ndërkohë në rrugë e sipër drejt Medetit, por sërish emri i tij nuk zbulohej nga Juria me qëllim që njerëzit të pyesnin vazhdimisht: “Kush është ai?” “Si e ka emrin ai i famshmi që do të vijënë qytezën tonë?”, etj., etj., një gjetje që e bëri edhe më popullor lëvrimin e poezisë dhe prozës. E vetmja e dhënë që mediat lokale arritën të shkëpusnin nga anëtarët e këshillit bashkiak,  ishte se i deleguari nga Tirana kishte botuar tridhjetë libra dhe kishte fituar dyzet çmime, pasi secili libër kishte fituar dy çmime letrare dhe ai ndër të tjera do të fliste për këtë përvojë të çmuar në “orkshop”.

Siç e kërkon adeti i protokollit zyrtar, delegatin letrar nga Tirana kishin dalë për ta pritur dy poeteshat e shkollës së mesme, të cilat më pas nuk pushonin së treguari se sa të lumtura kishin qenë kur ai gazetari më i njohur në vend, që drejtonte emisionin politik më të ndjekur çdo të diel, kishte mbërritur në stacionin e autobusave me makinën Audi A 8 L,  e cila kushtonte të paktën dyzet mijë euro. Ai, pasi kishte takuar me shumë dëshirë dy poeteshat e qytezës sonë, kishte shkuar për të takuar kryetarin e bashkisë. Siç kishin rënë dakord që nga Tirana, kryebashkiaku e siguroi të shquarin nga Tirana se të gjitha kopjet e botimit të tij më të fundit “Mejhane anës Lanës”, do të shiteshin në shkollën e mesme të qytezës. I ardhuri nga Tirana, kishte sjellë me vete disa kamera të televizionit kombëtar “Han” dhe linte përshtypje të madhe tek cilido që takonte në shoqërinë e një kameramani dy metrosh, që ia sillte kameran afër fytyrës dhe kokës tullace.

Pas takimi në bashki, moderatori i njohur u shoqërua për në sallën e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, ku salla ishte mbushur plot e përplot. Kryetari i degës, zoti Herri, siguroi gazetarin dhe shkrimtarin e mirënjohur të “Han-it” se në Medet lëvrohej një letërsi universale ashtu sikur shkruhej nga shkrimtarët gjermanë, italianë apo francezë. Tematika lokale nuk e mbyt klithmën tonë ekzistenciale, – theksoi zoti Herri. – Por duhet ta pranojmë se ka njëzetë vjet që asnjë krijues nga Medeti nuk ka fituar asnjë çmim letrar atje në Tiranë, prandaj dhe ne jemi mbledhur këtu për të kërkuar këshillën tuaj në këtë drejtim.

Moderatori i “Han”- it buzëqeshi i lumtur që iu dha fjala dhe falënderoi të pranishmit që kishin në duar librin e tij më të fundit. Ai pyeti kryetarin e degës nëse libri ishte shpërndarë në të gjitha pikat e shitjes dhe nëse ishte i qartë për modalitetet e pagesës. Më pas, pasi mori përgjigje serioze dhe të saktë, moderatori nisi një rrëfim prekës se si e kishte shkruar librin, se si edhe në qyteza të tjera ai ishte pritur me aq shumë dashuri, pasi ishte shpërndarë në të gjitha shkollat me ndihmën e drejtorive arsimore. – Librat e mi duhet të jenë në bibliotekat tuaja, – porositi ai, – sepse ju jenë një qytezë kulturëdashëse; e keni xhan arsimin dhe kulturën.

Për sa i përket fitimit të çmimeve letrare në kryeqytet, moderatori kishte përgatitur “një prezantim me “pau point” siç arritën të kuptojnë nga salla dhe aty ai shfaqi disa motivacione çmimesh letrare, të cilët, sipas tij, bënin dallimin e madh mes një çmimi letrar kombëtar dhe një çmimi letrar lokal.  – Ato janë motivacione letrare, – tha ai duke parë nga salla e cila nuk nxirrte asnjë zë sikur të kishte para vetes vetë shejtanin.

Koha televizive kur shqiptohet motivacioni letrar, vijoi shpjegimin, – është kohë që ka vëmendjen maksimale të audiencës, prandaj fjalët e shqiptuara duhet të jenë të përzgjedhura dhe të kenë efekt tronditës. – Po e ilustroj, – vijoi moderatori duke shfaqur disa motivacione letrare të projektuara në sallë. Një çmimi letrar për romanin më të mirë, do t’i shkonte ky motivacion letrar:

“Për aftësinë e ndërthurjes rrëfimtare me  këndvështrim të ri, të freskët dhe origjinal, që përbën prurje të qenësishme ligjërimi modern, me strukturë dinamike e poetike, pikëprerje origjinale si risi letrare, që sjell regjistrat stilistikë të narracionit në kahjen e teknikave kompozicionale, që rikuptimësojnë përvojën e gjallë të paradokseve semiotike të kohës nëpërmjet dialogëve dhe monologëve të subjektit dramatik përmes imazheve metafizike dhe meditative, me një shqipe të pasur, të gjallë e dinamike si një dukuri e  pazakontë në botën e letrave, e cila mbart rrjedhësi leksikore, përsiatje intelektuale, stil të brishtë, të thellë dhe të natyrshëm, që vjen ngrohtë tek lexuesi nëpërmjet faublës së gjetur dhe interesante, ku shkrihet thjeshtësia e mendimit, ritmi melodik i rrëfimit që nxit përfytyrime fantastike nëpërmjet fjalës së bukur estetikisht, të mbrujtur me pasion dhe seriozitet të rrallë, shenjë e një talenti të veçantë dhe të papërsërtishëm në letërsinë shqipe, e cila e ngre kulturën shkrimore në nivele të reja. 

Ndërkohë që moderatori lexonte motivacionin letrar, krijuesit e pranishëm mbetën si të shushatur, pjesa më e madhe e tyre zgurdulluan sytë, disa hapën e mbyllën sytë si për t’u siguruar se nuk ishin në ëndërr, kurse zoti Herri ndjeu se u mbulua nga djersët. Duke qenë i vetëdijshëm për efektin e motivacionit letrar që sapo kishte lexuar, moderator i ‘Han-it” buzëqeshi i lumtur, ndërsa të pranishmit në sallë varën kokën mënjanë të dërrmuar.

Zoti Herri, sidoqoftë arriti të ruante kthjelltësinë e mendjes dhe të gjykimit. Ai kuptoi se asnjëri nuk kishte arritur të mbante shënim motivacionin letrar që sapo ishte zbuluar në “orkshopin” për fitimin e çmimeve letrare, ndaj ai mblodhi të gjitha forcat e mbetura dhe i ngrysur në fytyrë ia bëri me shenjë poetit të baladave Hajdar Toçi, që të shkonte tek ai pasi kishte një porosi. Megjithëse poeti zgjati veshin për të dëgjuar në mirëbesim porosinë e zotit Herri, ai foli me zë aq të lartë sa e dëgjuan të gjithë:

– Aman, thuaji Sanijes të më sjellë një gotë ujë se vdiqa!

Poeti Toçi u largua menjëherë në shoqërinë e syve të tij të dëshpëruar, ndërkohë që të gjithë panë me keqardhje gjendjen e vajtueshme të zotit të Herrit, të cilit po i thahej buza për një pikë ujë pas efektit tronditës që pati tek ai motivacioni letrar i sapolexuar. Poetët e rinj Bruno Bylyku, Kejsi Rada dhe Klajdi Lumani, vunë bast nëse zoti Herri do ta përballonte nga ana shëndetësore edhe një motivacion tjetër letrar të moderatorit nga Tirana. – Shëndeti i tij nuk e përballon dot, – diskutuan ata. Ky nga Tirana nuk e di që zoti Herri vuan nga zemra…

Ndërkohë, moderator i “Han”-it kaloi në pjesën tjetër të “orkshopit”, tek motivacioni i dytë letrar, i cili sipas tij mund t’i jepej një libri me tregime, fitues i çmimit letrar në këtë gjini. – Motivacioni përligj katërcipërisht vlerat e librit fitues, është një motivacion i denjë për të qëndruar përkrah motivacioneve letrare të konkurseve poetike që zhvillohen në Stokholm, Vjenë, Paris, Londër, apo Maçu Piçu, – tha me krenari ai. Nëse nuk u besoni fjalëve të mia, dëgjojeni dhe gjykojeni.

Dhe lexoi:

Sjell në bashkëkohësi qasje analitike e sistematike të shumëçmuara në përdorimin e një imagjinate lojcake, për të krijuar realitete të magjishme krijuese si pasojë e imazheve befasuese, të prozës së përpunuar,e cila jetëson emacipimin estetik të artit të shkrimit në dritën e arritjeve bashkëkohore për konceptimin modern të strukturës semantike, gjuhën e pasur, vështrimin e thellë artistik me një shqipe të kulluar që karakterizohet nga hijeshia  e kompozimit, befasia e prurjes së nivelit të lartë artistik e estetik, me stil të pashoq letrar  krejtësisht origjinal në poetikë dhe gjetje shkrimore, rrëfimore, fabulore, subjektore, stilistikore romanore.

– Qyqjaaa, – u dëgjua një ulërimë tek dera e sallës dhe të gjithë shqyen sytë të habitur ndërsa panë se si Sanija e alivanosur mbi pllaka bëri një zhurmë të hatashme, siç duket për shkak të përplasjes së gotës së ujit në dysheme.

Poetët e rinj Kejsi Rada dhe Klajdi Lumani rendën menjëherë drejt trupit të Sanijes që dergjej mbi pllaka dhe e ndihmuan me shpulla që të vinte në vete. Zotërinjtë Henri Balla dhe Balil Zaku ishin dëshmitarë dhe dëshmuan më vonë edhe me shkrime se zonja Sanije sidoqoftë kishte treguar vitalitet dhe e kishte marrë veten menjëherë duke u çuar në këmbë për t’i kërkuar falje moderatorit dhe duke ikur pa një pa dy e tmerruar me vrap nëpër korridor. Më vonë ajo do të shpegonte se kur kishte sosur tek dera e kishte gjetur veten nën breshërinë e fjalëve të atij nga Tirana, fjalë që e kishin trullosur, “dhe ato pesë fjalët e fundit, më ranë si pesë bomba e më rrëzuan” do të dëshmonte ajo.

Sidoqoftë moderatori e kuptoi se ata ishin të lodhur ngaqë nuk kishte ndodhur kurrë në atë qytezë të prapapambetur një eveniment i tillë, prandaj dhe u tha se pjesa e dytë e “orkshopit” kishte përfunduar dhe se pjesën e tretë ai do ta zhvillonte vetëm me dy poeteshat e talentuara të qytezës sonë, autoret e dy librave poetikë.

– Ju lutem, më lini të punoj me dy poetet e talentuara. Ata do të jenë fituese çmimesh letrare në Tiranë me motivacionin “për përpjekje të veçanta në lëvrimin e artit poetik” dhe duhet që të trajnohen për këtë punë, – u shpreh ai.

Pasi gjeti mirëkuptimin e zotit Herri, që mezi merrte frymë nga të gjithë të pranishmit të cilët u larguan si të trullosur, zoti Herri kërkoi që poeteshat ta ndanin më vonë në një mbledhje tjetër të posaçme përvojën e fituar gjatë pjesës së tretë të “orkshopit”, gjë që mori miratimin e moderatorit. Të gjithë u shpërndanë dhe aty nga mbrëmja dy poeteshat dolën nga salla e degës së Lidhjes së Shkimtarëve, hipën në makinën e moderatorit, me ç‘dukej për ta përcjellë deri tek agjencia e autobusave ku edhe e kishin mirëpritur shumë kur ai kishte mbërritur në qytezë.

Në ditët në vazhdim ato do të shpreheshin se moderatori ua kishte mësuar “sekretin” e fitmit të çmimeve letrare dhe madje i kishte vlerësuar “për harmonizimin e spikatur të ritmit poetik” në kozmosin e letrave. Ata mendohej se kishin thënë se Zoti Herri do të fitonte një çmim letrar shumë me peshë atje në Tiranë, pasi të bënte pagesën prej shatë mijë eurosh që do të sponsorizoehj nga bashkia dhe sektori privat.

Të gjithë e besuan, sepse dy poeteshat kishin edhe motovacionin letrar që do të shoqëronte trofeun e zotit Herri. Ai do të jepej për “kompozimin poetik, përsosjen artistike, sjelljen e një kuote të re të bashkëkohësise me një ekuilibër të ri të forcave shprehëse plot koherencë dhe zhdëvjelltësi, rigorozitet dhe elegancë, e cila ka ripërtërirë vlerat më të shquara të traditës shkrimore, duke reflektuar shpirtin e pastër të banorëve të qytezës së tij, si shkrimtar epik, me energji të fuqishme krijuese, forcë lirike, në një kërkim të paepur të së vërtetës, me fryëmëzim të thellë, në këtë epokë të re të letrave tona, duke mbartur një perceptim filozofik të denjë për një figurë madhore dhe të rëndësishme sui generis të letrave shqipe”. Nga ana tjetër, zoti Herri kishte marrë të gjitha masat që zonja Sanije të mos ishte e pranishme kur të jepej çmimi, pasi dihej që motivacionet letrare asaj i shkaktonin alivanosje.

Por të gjitha këto nuk e tërhiqnin vëmendjen dhe as nuk e frymëzonin Heinrich Böll-in e provincës, romancierin Henri Balla. Gjatë kësaja kohe ai shkroi një roman të titulluar “Nderi i humbur i Medetit”, ku e gjithë ngjarja zhvillohej nga ora tre pasdite – deri në orën tetë të mbrëmjes, në një prerje kohore, e cila përkonte me kohën gjatë së cilës dy poeteshat e njohura të qytezës kishin zhvilluar me moderatorin e “Han“-it pjesën e tretë të “orkshopit” për fitimin e çmimeve letrare.

Dhe kjo ngjalli kërshëri të madhe….

Letrat e Tolstoit mbi dashurinë, dhunën dhe të vërtetën e shpirtit njerëzor

in Letërsi by

Bota nuk ka nevojë as për kushtetuta, as për revolucione, as për kongrese apo konferenca, as për nëndetëse, eksplozivë të fuqishëm, shkolla apo universitete, as për shtim të librave apo kinematografisë, por ka nevojë të pranojë një të vërtetë të thjeshtë, se në jetën tonë vetëm një ligj është i rëndësishëm: DASHURIA

     Letërkëmbimi

“Kushtetuta” njëligjore

“Dashuria është e vetmja mënyrë për të shpëtuar humanitetin nga sëmundjet”.

Në vitin 1908, revolucionari indian, Taraknath, Das i shkroi Tolstoit, atëherë një nga figurat më të njohura në botë, për t’i kërkuar autorit mbështetje për pavarësinë e Indisë nga kolonizatori britanik.

Më 14 Dhjetor, Tolstoi, i cili i kishte kaluar 20 vitet e fundit duke kërkuar përgjigje për pyetjet më të mëdha morale, iu përgjigj në një letër të gjatë, që Das e publikoi në gazetën e përditshme “Lironi Industanin”.

Kaluar dorë pas dore, mesazhi arriti te Mahatma Gandi që sapo kishte nisur karrierën si lider i paqes në Afrikën e Jugut. Ai i shkroi Tolstoit dhe i kërkoi leje që ta ribotonte në gazetën e tij “Opinioni Indian”. Letra e Tolstoit u botua më pas nën titullin “Letër një indiani”.

Kjo nxiti një korrespondencë mes të dyve që zgjati deri në vdekjen e Tolstoit – një takim i dy mendjeve dhe shpirtrave të mëdhenj të përmbledhur në librin “Korrespondenca e Tolstoit dhe Gandit”.

Letrat e shkrimtarit rus bëjnë thirrje për një rezistencë jo të dhunshme, ai u del kundër ideologjive false, si pseudofetare dhe pseudoshkencore, që nxisin dhunë, një akt që ai e sheh si jonatyral për shpirtin njerëzor dhe mbron kthimin në gjendjen tonë themelore dhe natyrale, në atë që mbështetet te dashuria.

E keqja, argumenton Tolstoi me pasion, luftohet jo me dhunë, por me dashuri, diçka që Maja Anxhelou e përshkroi aq bukur dekada më vonë.

Gandi nga ana e tij e cilësonte Tolstoin si një nga mendimtarët më të kthjellët në botën perëndimore, një nga shkrimtarët më madhështorë. Ai u bënte thirrje njerëzve të kuptonin të vërtetën qendrore të fjalëve të autorit. “E vërteta e vjetër që Tolstoi prezanton, është e freskët për nga forca. Arsyeja e tij është e pakundërshtueshme. Ai është i sinqertë dhe serioz. Ta thith vëmendjen”.

Fjalët e shkrimtarit të papërsëritshëm rus edhe sot janë tepër me vend, në çastin kur bota po përballet me një situatë jo të qetë politike, me dhunë etnike dhe konflikt global.

Ai shkruante: “Arsyeja për faktin befasues përse shumica e atyre që punojnë i dorëzohen një grushti personash që kontrollojnë punën dhe jetën e tyre është gjithnjë dhe kudo e njëjtë – pavarësisht nëse shtypësit dhe të shtypurit janë të një race apo të një kombësie tjetër.

Arsyeja shtrihet te mungesa e mësimeve fetare të logjikshme që duke dhënë shpjegime për kuptimin e jetës do të ofronin një ligj suprem për sjelljen dhe do të zëvendësoni perceptimet e dyshimta të pseudofesë dhe pseudoshkencës me përfundimet që nxirren prej tyre, që njihen si ‘civilizim’”.

Kur flet për mësimet fetare, Tolstoi u referohet më shumë atyre të drejtimit shpirtëror.

Te çdo individ manifestohet një element shpirtëror që i jep jetë gjithë ekzistencës dhe ky element orvatet të bashkojë gjithçka që i ngjan natyrës së tij, dhe e arrin këtë përmes dashurisë… Fakti i thjeshtë që ky mendim ka çarë mes shteteve të ndryshme në kohë të ndryshme lë të kuptohet se është i trashëguar në natyrën njerëzore dhe se përmban të vërtetën. Por kjo e vërtetë u është bërë e njohur njerëzve që hamendësonin se një komunitet mund të mbahet i bashkuar nëse disa kontrollojnë të tjerët, ndaj duket i pakuptimtë në kuadër të rregullit ekzistues të shoqërisë.

Tolstoi tregon rastet kur sa e sa herë ideologjitë politike e kanë keqpërdorur këtë ligj të dashurisë në historinë e njerëzimit dhe e kanë zëvendësuar atë me dhunën. Ata që mbajnë pushtetin e cilësojnë këtë të vërtetë si një kërcënim për pozitën e tyre dhe e kundërshtojnë shpesh me dhunë të hapur.

“E vërteta se dashuria është morali më i lartë njerëzor, është mohuar ose kundërshtuar, por e vërteta ishte aq e fortë saqë kundërshtimet mbetën vetëm fjalë. U është mësuar njerëzve se dashuria duhet të jetë vetëm për përdorim shtëpiak, dhe se në publik duhet të mbizotërojnë format e dhunës si burgosja, ekzekutimet dhe luftërat, të cilat përdoren si mbrojtje të shumicës kundër pakicës së keqe.

Është bërë e zakonshme që disa burra të vendosin se kush do të jetë subjekt i dhunës që të tjerët të përfitojnë, e këta që e pësojnë dhunën arrijnë nën të njëjtin përfundim se dhuna është zgjidhja për të hequr qafe ata që i dhunuan. Pavarësisht mësimeve shpirtërore të dashurisë, njeriu ka mësuar t’i përgjigjet dhunës me dhunë.

Sipas Tolstoit, një është e vërteta e vjetër dhe e thjeshtë: “Natyra e njeriut është të ndihmojë dhe ta dojë tjetrin, dhe jo ta torturojë apo vrasë shoku-shokun”.

Si shkenca, ashtu edhe feja, argumenton Tolstoi, mund të rezultojnë dogma të rrezikshme që na verbojnë nga ligji themeltar i dashurisë. Ai i kthehet pikës kyçe të mbrojtjes së rezistencës jo të dhunshme të Gandit duke shkruar:

Dashuria është e vetmja rrugë për ta shpëtuar njerëzimin nga çdo sëmundje dhe në të ti ke të vetmen mënyrë për të shpëtuar njerëzit e tu nga skllavëria… Dashuria dhe rezistenca e dhunshme ndaj keqbërësve, përmbajnë një kontradiktë të përbashkët për ndjenjën dhe kuptimin e konceptit dashuri.

Kur njerëzit të jetojnë sipas ligjit natyral të dashurisë që kanë në zemër, jo qindra njerëz, por as miliona, nuk do të arrijnë të skllavërojnë as edhe një person të vetëm.

Marrë nga Blogu: “Shtëpia e Librit”

1 124 125 126 127 128 182
Go to Top