Granit Zela
Në qytezën e Medetit, Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve shpalli një mbledhje të jashtëzakonshme me rastin e ardhjes së një emri shumë të njohur nga Tirana, i cili do të vizitonte qytezën. Mirëpo, edhe pse ardhja e dikujt me famë nga kryeqyteti kishte pasojat e veta të pashmangshme (njëra ndër to ajo mbledhje urgjente), të gjitha masat u morën që ata të dilnin faqebardhë.
Ngjalli kërshëri ardhja e tij sepse i ftuari dihej që kishte ftuar shumë çmime letrare atje në kryeqytet, “prandaj shtrojmë pyetjen në këtë tryezë të nderuar krijuesish, cila është metoda që ka përdorur zotëria nga Tirana për të fituar çmime letrare, “sekreti” i zanatit nëse mund ta themi kështu”, diskutoi poeti Herri Henderson.
– Po të fshehtat e zanatit nuk t’i tregon kush, o Hamdi, – ia kthyen, të zhytur në një pesimizëm të thellë, kolegët e tij, duke ia përmendur emrin e vërtetë që ai e kishte ndërruar bashkë me mbiemrin, pas botimit të librit të parë me vjersha, me qëllim që edhe ai të kishte emrin e një autori me tingëllim bashkëkohor.
Por zoti Herri nuk hiqte dorë nga e tija:
– More vëllezër, – këmbënguli ai. – Të tregohemi të sinqertë me të ardhurin e famshëm nga Tirana. Ta pranojmë sa injorantë jemi krahasuar me ata në kryeqytet dhe ai ndoshta vë dorën në zemër dhe organizon edhe ndonjë nga ato… nga ato… si quhen në gjuhën e sotme, nga ato orkshopet. Një “orkshop” si fitohen çmimet letrare do ta ndihmojë shumë letërsinë që prodhojmë e kultivojmë ne të provincës që të bëhet më e njohur.
Fjala e zotit Herri nuk kaloi pa rrokur vëmendjen e vjershëtorëve të LSHA-së, të cilët e mbështetën fuqimisht.
– Mirë e ka Herroja, – ndërhynë ata. – Gjithmonë ne poetët e provincës bëjmë çmos të dukemi sa më të kënduar e se çoç dimë kur takohemi me ata të kryeqytetit, të cilët na shohin me përçmim se nuk na besojnë. Kësaj radhe, me këtë të shquarin që do të kemi nderin të jetë mes nesh, t’ia themi pa asnjë lloj kompleksi duke e parë në sy: “Ne të provincës nuk dimë aq sa ju andej nga Tirana, andaja na mësoni! Ju flisni, ne mbajmë shënime. Nuk e kemi për turp të mësojmë nga juve…
Megjithëse në fillim pati kundërshtime, kështu u la, do t’ia kërkonin zyrtarisht të shquarit nga Tirana një “orkshop”, madje edhe me shkresë me vulën e kryetarit të bashkisë po të ishte e nevojshme, pasi aty do të merrnin pjesë të gjithë pjesëmarrësit në konkursin e përvitshëm letrar dhe do të zhdukeshin hatërmbetjet e zakonshme në këso rastesh dhe kështu të gjithë do të ndiheshin të shpërblyer në praninë dhe vëmendjen e dikujt që ata gjithë jetën e kishin parë në ekranin e televizorit. Atij do t’i bënin edhe një panoramë të mënyrës se si ishte zhvilluar konkursi letrar në qytezë, madje me atë do ta hapnin dhe “orkshopin”.
Konkursi ishte zhvilluar kështu: përfaqësues nga të gjitha institucionet që merren me prodhimin dhe ruajtjen e produktit letrar në qytezë, shkrimtarët e LSHA-së, nxënësit e shkollës së mesme, punonjësit dhe drejtuesit e bibliotekës, romancierët e pavarur, (romancierë që nuk punonin në administratën lokale, por në sektorin privat), të gjitha këta forca krijuese, në fazën e farë të përzgjedhjes konkuruan mes tyre në gjinitë letrare të poezisë, tregimit dhe romanit.
Gara në këto tri gjini të respektueshme letrare vijoi me përballjen e fituesve, le të themi në “kategorinë inferiore”, me poetët, tregimtarët dhe romancierët në “kategorinë superiore” ku përballja më e ashpër ishte ajo mes shkrimtarëve të LSHA-së, zotit Henri Balla apo si të thuash: Heinrich Böll-i i Medetit, autor i romanit “Nderi i humbur i Kadrie Ballës” – një rrëfim rrënqethës autobiografik për të motrën – dhe zotit Dan Gera ose siç është vlerësuar nga kritika letrare medetase: Dante Aligeri i Medetit, autor i trilogjisë “Derri, Dosa dhe Bretkoca” – një poemë alegorike për shthurjen morale të medetasve që harbonin në zabelin pas kodrës.
Nga dega e LSHA-së, juria përzgjodhi fitues zotin Balil Zaku, (Balzaku i provincës sonë), autor i “Kotësia njerëzore” – roman me peshë në korpusin romanor të qytezës, i cili pati një përplasje të fortë vlerash letrare me poeteshat e vitit të katërt, klasa e tretë B, të cilat rrezikuan seriozisht triumfin e Balzakut, pasi u shfaqën si meteor në qiellin letrar të provincës me librat poetikë tronditës: “Puç, puç” dhe “Zemra ime ti”.
Gara pati tone dramatike kur zoti Balla u ankua tek Juria për fyerje të muzës së tij krijuese, duke i skualifikuar romanin për të motrën, dhe në sajë të këmbënguljes së tij, ai futi në konkurim romanin e motrës, gjithashtu romanciere, e cila hyri e freskët në garë me romanin e titulluar: “Nderi i humbur i Henri Ballës” – roman që shtjellonte furtunën emocionale të zotit Balla, pasi ishte nëpërkëmbur nderi i tij krijues duke u skualifikuar nga olimpiada letrare e atij viti.
Prania e një njeriu të famshëm në Medet, mobilizoi të gjithë krijuesit e qytezës, të cilët mbushën plot e përplot sallën e degës së LSHA-së, pasi kjo ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore. U konfirmua se zotëria i mirënjohur ishte ndërkohë në rrugë e sipër drejt Medetit, por sërish emri i tij nuk zbulohej nga Juria me qëllim që njerëzit të pyesnin vazhdimisht: “Kush është ai?” “Si e ka emrin ai i famshmi që do të vijënë qytezën tonë?”, etj., etj., një gjetje që e bëri edhe më popullor lëvrimin e poezisë dhe prozës. E vetmja e dhënë që mediat lokale arritën të shkëpusnin nga anëtarët e këshillit bashkiak, ishte se i deleguari nga Tirana kishte botuar tridhjetë libra dhe kishte fituar dyzet çmime, pasi secili libër kishte fituar dy çmime letrare dhe ai ndër të tjera do të fliste për këtë përvojë të çmuar në “orkshop”.
Siç e kërkon adeti i protokollit zyrtar, delegatin letrar nga Tirana kishin dalë për ta pritur dy poeteshat e shkollës së mesme, të cilat më pas nuk pushonin së treguari se sa të lumtura kishin qenë kur ai gazetari më i njohur në vend, që drejtonte emisionin politik më të ndjekur çdo të diel, kishte mbërritur në stacionin e autobusave me makinën Audi A 8 L, e cila kushtonte të paktën dyzet mijë euro. Ai, pasi kishte takuar me shumë dëshirë dy poeteshat e qytezës sonë, kishte shkuar për të takuar kryetarin e bashkisë. Siç kishin rënë dakord që nga Tirana, kryebashkiaku e siguroi të shquarin nga Tirana se të gjitha kopjet e botimit të tij më të fundit “Mejhane anës Lanës”, do të shiteshin në shkollën e mesme të qytezës. I ardhuri nga Tirana, kishte sjellë me vete disa kamera të televizionit kombëtar “Han” dhe linte përshtypje të madhe tek cilido që takonte në shoqërinë e një kameramani dy metrosh, që ia sillte kameran afër fytyrës dhe kokës tullace.
Pas takimi në bashki, moderatori i njohur u shoqërua për në sallën e degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, ku salla ishte mbushur plot e përplot. Kryetari i degës, zoti Herri, siguroi gazetarin dhe shkrimtarin e mirënjohur të “Han-it” se në Medet lëvrohej një letërsi universale ashtu sikur shkruhej nga shkrimtarët gjermanë, italianë apo francezë. Tematika lokale nuk e mbyt klithmën tonë ekzistenciale, – theksoi zoti Herri. – Por duhet ta pranojmë se ka njëzetë vjet që asnjë krijues nga Medeti nuk ka fituar asnjë çmim letrar atje në Tiranë, prandaj dhe ne jemi mbledhur këtu për të kërkuar këshillën tuaj në këtë drejtim.
Moderatori i “Han”- it buzëqeshi i lumtur që iu dha fjala dhe falënderoi të pranishmit që kishin në duar librin e tij më të fundit. Ai pyeti kryetarin e degës nëse libri ishte shpërndarë në të gjitha pikat e shitjes dhe nëse ishte i qartë për modalitetet e pagesës. Më pas, pasi mori përgjigje serioze dhe të saktë, moderatori nisi një rrëfim prekës se si e kishte shkruar librin, se si edhe në qyteza të tjera ai ishte pritur me aq shumë dashuri, pasi ishte shpërndarë në të gjitha shkollat me ndihmën e drejtorive arsimore. – Librat e mi duhet të jenë në bibliotekat tuaja, – porositi ai, – sepse ju jenë një qytezë kulturëdashëse; e keni xhan arsimin dhe kulturën.
Për sa i përket fitimit të çmimeve letrare në kryeqytet, moderatori kishte përgatitur “një prezantim me “pau point” siç arritën të kuptojnë nga salla dhe aty ai shfaqi disa motivacione çmimesh letrare, të cilët, sipas tij, bënin dallimin e madh mes një çmimi letrar kombëtar dhe një çmimi letrar lokal. – Ato janë motivacione letrare, – tha ai duke parë nga salla e cila nuk nxirrte asnjë zë sikur të kishte para vetes vetë shejtanin.
Koha televizive kur shqiptohet motivacioni letrar, vijoi shpjegimin, – është kohë që ka vëmendjen maksimale të audiencës, prandaj fjalët e shqiptuara duhet të jenë të përzgjedhura dhe të kenë efekt tronditës. – Po e ilustroj, – vijoi moderatori duke shfaqur disa motivacione letrare të projektuara në sallë. Një çmimi letrar për romanin më të mirë, do t’i shkonte ky motivacion letrar:
“Për aftësinë e ndërthurjes rrëfimtare me këndvështrim të ri, të freskët dhe origjinal, që përbën prurje të qenësishme ligjërimi modern, me strukturë dinamike e poetike, pikëprerje origjinale si risi letrare, që sjell regjistrat stilistikë të narracionit në kahjen e teknikave kompozicionale, që rikuptimësojnë përvojën e gjallë të paradokseve semiotike të kohës nëpërmjet dialogëve dhe monologëve të subjektit dramatik përmes imazheve metafizike dhe meditative, me një shqipe të pasur, të gjallë e dinamike si një dukuri e pazakontë në botën e letrave, e cila mbart rrjedhësi leksikore, përsiatje intelektuale, stil të brishtë, të thellë dhe të natyrshëm, që vjen ngrohtë tek lexuesi nëpërmjet faublës së gjetur dhe interesante, ku shkrihet thjeshtësia e mendimit, ritmi melodik i rrëfimit që nxit përfytyrime fantastike nëpërmjet fjalës së bukur estetikisht, të mbrujtur me pasion dhe seriozitet të rrallë, shenjë e një talenti të veçantë dhe të papërsërtishëm në letërsinë shqipe, e cila e ngre kulturën shkrimore në nivele të reja.
Ndërkohë që moderatori lexonte motivacionin letrar, krijuesit e pranishëm mbetën si të shushatur, pjesa më e madhe e tyre zgurdulluan sytë, disa hapën e mbyllën sytë si për t’u siguruar se nuk ishin në ëndërr, kurse zoti Herri ndjeu se u mbulua nga djersët. Duke qenë i vetëdijshëm për efektin e motivacionit letrar që sapo kishte lexuar, moderator i ‘Han-it” buzëqeshi i lumtur, ndërsa të pranishmit në sallë varën kokën mënjanë të dërrmuar.
Zoti Herri, sidoqoftë arriti të ruante kthjelltësinë e mendjes dhe të gjykimit. Ai kuptoi se asnjëri nuk kishte arritur të mbante shënim motivacionin letrar që sapo ishte zbuluar në “orkshopin” për fitimin e çmimeve letrare, ndaj ai mblodhi të gjitha forcat e mbetura dhe i ngrysur në fytyrë ia bëri me shenjë poetit të baladave Hajdar Toçi, që të shkonte tek ai pasi kishte një porosi. Megjithëse poeti zgjati veshin për të dëgjuar në mirëbesim porosinë e zotit Herri, ai foli me zë aq të lartë sa e dëgjuan të gjithë:
– Aman, thuaji Sanijes të më sjellë një gotë ujë se vdiqa!
Poeti Toçi u largua menjëherë në shoqërinë e syve të tij të dëshpëruar, ndërkohë që të gjithë panë me keqardhje gjendjen e vajtueshme të zotit të Herrit, të cilit po i thahej buza për një pikë ujë pas efektit tronditës që pati tek ai motivacioni letrar i sapolexuar. Poetët e rinj Bruno Bylyku, Kejsi Rada dhe Klajdi Lumani, vunë bast nëse zoti Herri do ta përballonte nga ana shëndetësore edhe një motivacion tjetër letrar të moderatorit nga Tirana. – Shëndeti i tij nuk e përballon dot, – diskutuan ata. Ky nga Tirana nuk e di që zoti Herri vuan nga zemra…
Ndërkohë, moderator i “Han”-it kaloi në pjesën tjetër të “orkshopit”, tek motivacioni i dytë letrar, i cili sipas tij mund t’i jepej një libri me tregime, fitues i çmimit letrar në këtë gjini. – Motivacioni përligj katërcipërisht vlerat e librit fitues, është një motivacion i denjë për të qëndruar përkrah motivacioneve letrare të konkurseve poetike që zhvillohen në Stokholm, Vjenë, Paris, Londër, apo Maçu Piçu, – tha me krenari ai. Nëse nuk u besoni fjalëve të mia, dëgjojeni dhe gjykojeni.
Dhe lexoi:
Sjell në bashkëkohësi qasje analitike e sistematike të shumëçmuara në përdorimin e një imagjinate lojcake, për të krijuar realitete të magjishme krijuese si pasojë e imazheve befasuese, të prozës së përpunuar,e cila jetëson emacipimin estetik të artit të shkrimit në dritën e arritjeve bashkëkohore për konceptimin modern të strukturës semantike, gjuhën e pasur, vështrimin e thellë artistik me një shqipe të kulluar që karakterizohet nga hijeshia e kompozimit, befasia e prurjes së nivelit të lartë artistik e estetik, me stil të pashoq letrar krejtësisht origjinal në poetikë dhe gjetje shkrimore, rrëfimore, fabulore, subjektore, stilistikore romanore.
– Qyqjaaa, – u dëgjua një ulërimë tek dera e sallës dhe të gjithë shqyen sytë të habitur ndërsa panë se si Sanija e alivanosur mbi pllaka bëri një zhurmë të hatashme, siç duket për shkak të përplasjes së gotës së ujit në dysheme.
Poetët e rinj Kejsi Rada dhe Klajdi Lumani rendën menjëherë drejt trupit të Sanijes që dergjej mbi pllaka dhe e ndihmuan me shpulla që të vinte në vete. Zotërinjtë Henri Balla dhe Balil Zaku ishin dëshmitarë dhe dëshmuan më vonë edhe me shkrime se zonja Sanije sidoqoftë kishte treguar vitalitet dhe e kishte marrë veten menjëherë duke u çuar në këmbë për t’i kërkuar falje moderatorit dhe duke ikur pa një pa dy e tmerruar me vrap nëpër korridor. Më vonë ajo do të shpegonte se kur kishte sosur tek dera e kishte gjetur veten nën breshërinë e fjalëve të atij nga Tirana, fjalë që e kishin trullosur, “dhe ato pesë fjalët e fundit, më ranë si pesë bomba e më rrëzuan” do të dëshmonte ajo.
Sidoqoftë moderatori e kuptoi se ata ishin të lodhur ngaqë nuk kishte ndodhur kurrë në atë qytezë të prapapambetur një eveniment i tillë, prandaj dhe u tha se pjesa e dytë e “orkshopit” kishte përfunduar dhe se pjesën e tretë ai do ta zhvillonte vetëm me dy poeteshat e talentuara të qytezës sonë, autoret e dy librave poetikë.
– Ju lutem, më lini të punoj me dy poetet e talentuara. Ata do të jenë fituese çmimesh letrare në Tiranë me motivacionin “për përpjekje të veçanta në lëvrimin e artit poetik” dhe duhet që të trajnohen për këtë punë, – u shpreh ai.
Pasi gjeti mirëkuptimin e zotit Herri, që mezi merrte frymë nga të gjithë të pranishmit të cilët u larguan si të trullosur, zoti Herri kërkoi që poeteshat ta ndanin më vonë në një mbledhje tjetër të posaçme përvojën e fituar gjatë pjesës së tretë të “orkshopit”, gjë që mori miratimin e moderatorit. Të gjithë u shpërndanë dhe aty nga mbrëmja dy poeteshat dolën nga salla e degës së Lidhjes së Shkimtarëve, hipën në makinën e moderatorit, me ç‘dukej për ta përcjellë deri tek agjencia e autobusave ku edhe e kishin mirëpritur shumë kur ai kishte mbërritur në qytezë.
Në ditët në vazhdim ato do të shpreheshin se moderatori ua kishte mësuar “sekretin” e fitmit të çmimeve letrare dhe madje i kishte vlerësuar “për harmonizimin e spikatur të ritmit poetik” në kozmosin e letrave. Ata mendohej se kishin thënë se Zoti Herri do të fitonte një çmim letrar shumë me peshë atje në Tiranë, pasi të bënte pagesën prej shatë mijë eurosh që do të sponsorizoehj nga bashkia dhe sektori privat.
Të gjithë e besuan, sepse dy poeteshat kishin edhe motovacionin letrar që do të shoqëronte trofeun e zotit Herri. Ai do të jepej për “kompozimin poetik, përsosjen artistike, sjelljen e një kuote të re të bashkëkohësise me një ekuilibër të ri të forcave shprehëse plot koherencë dhe zhdëvjelltësi, rigorozitet dhe elegancë, e cila ka ripërtërirë vlerat më të shquara të traditës shkrimore, duke reflektuar shpirtin e pastër të banorëve të qytezës së tij, si shkrimtar epik, me energji të fuqishme krijuese, forcë lirike, në një kërkim të paepur të së vërtetës, me fryëmëzim të thellë, në këtë epokë të re të letrave tona, duke mbartur një perceptim filozofik të denjë për një figurë madhore dhe të rëndësishme sui generis të letrave shqipe”. Nga ana tjetër, zoti Herri kishte marrë të gjitha masat që zonja Sanije të mos ishte e pranishme kur të jepej çmimi, pasi dihej që motivacionet letrare asaj i shkaktonin alivanosje.
Por të gjitha këto nuk e tërhiqnin vëmendjen dhe as nuk e frymëzonin Heinrich Böll-in e provincës, romancierin Henri Balla. Gjatë kësaja kohe ai shkroi një roman të titulluar “Nderi i humbur i Medetit”, ku e gjithë ngjarja zhvillohej nga ora tre pasdite – deri në orën tetë të mbrëmjes, në një prerje kohore, e cila përkonte me kohën gjatë së cilës dy poeteshat e njohura të qytezës kishin zhvilluar me moderatorin e “Han“-it pjesën e tretë të “orkshopit” për fitimin e çmimeve letrare.
Dhe kjo ngjalli kërshëri të madhe….