Author

Admin - page 22

Admin has 1865 articles published.

Politika Represive e Inteligjencës Emocionale/ Merve Emre

in Esé/Filozofi by

Merve Emre

Prindërit e mi nuk shqetësoheshin dhe aq për edukimin tim moral, por kur kjo ndodhte, çfarëdolloj shenje urtësie apo paralajmërimi që ata duhej të jepnin, shoqërohej me libra – zakonisht librat më të shitur të psikologjisë pop.
Në kujtesën time shquhen: “Reviving Ophelia: Saving the Selves of Adolescent Girls,” e Mary Pipher-it, dhe “Emotional Intelligence,” e Daniel Goleman-it.
Të parin e lexova me shumë kënaqësi. Asnjë nga mëkatet e mia nuk ishte aq alarmant apo emocionues sa ai që përshkruante Pifer -i- pa drogë, pa udhëtime klandestine në kabinetin e pijeve të familjes, pa përdorimin e zymtë të manikyrit – kështu që rrëfimet e saj për sjelljen e keqe më bënë të ndihesha sa e grishur po aq edhe e vetëkënaqur.
Librin e dytë e hoqa mënjanë, pasi dyshova se ishte blerë për të vënë në dukje defektet e mia më të zakonshme. Isha një “adoleshente e zemëruar”, me një gjuhë shumë therëse dhe me një ngurrim të sertë – armatura që besoja se i nevojitej një vajze me një emër të çuditshëm, të lindur në një vend të huaj, për të kaluar ditët e shkollës në periferi të Amerikës.
“Inteligjenca Emocionale” nuk do të kishte lejuar asnjë justifikim të tillë. “Çdokush mund të zemërohet – kjo është e lehtë,” thotë Aristoteli në epigrafin e librit, që ngjan shumë, në këtë kontekst, si mësuesi im i shëndetit në shkollën e mesme.
“Por të zemërohesh me personin e duhur, në masën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur – kjo nuk është e lehtë.” Nuk kisha interes për një libër që nxiste vetë-reformimin. Nuk isha unë që kisha nevojë për reformë, mendoja, por ishte diçka tjetër, megjithëse nuk mund ta thosha se çfarë.
Këtë dimër, më në fund e lexova librin “Inteligjenca Emocionale”, në botimin me rastin e njëzetë e pesë vjetorit të tij (Bantam). Në çerek shekullin e shkuar, libri – i cili zotohet t’u mësojë lexuesve të tij se çfarë janë emocionet dhe sesi ata ta zhvillojnë “arsimimin emocional” e nevojshëm “për të kontrolluar dhe për të kanalizuar dëshirat” – është shitur në më shumë se pesë milionë kopje në mbarë botën.
Kjo shifër përfshin botimin e parë, në dyzet gjuhë. Ajo nuk përfshin librin audio, e-book-un, apo serinë shoqëruese të librave të Goleman-it; apo përmbledhjen “Emotional Intelligence Ultimate” të Harvard Business Review, një koleksion i bukur me katërmbëdhjetë libra me tituj të tillë si “Empathy,” “Authentic Leadership,” “Resilience,” dhe “Mindfulness”; ose libra të panumërt derivues, disa nga Goleman-i, të tjerë nga analistë politikash apo trajnerë motivues, që synojnë më shumë përhapje, duke përfshirë “Inteligjencën Emocionale për Gratë”, “Inteligjencën Emocionale për Zbatimin e Ligjit, Arsimin, Menazhimin dhe Lidershipin”, “Inteligjencën Emocionale për Notarë”, “Ninxha inteligjentë emocionalë” (për fëmijët nga mosha tre deri në njëmbëdhjetë vjeç).
Shifra nuk pasqyron ndonje grup të larmishëm vlerësimesh të inteligjencës emocionale, ndër to Inventari i Kompetencës Emocionale dhe Sociale të Goleman-it, një “anketë 360 gradë” me çmim dyqind e nëntëdhjetë e pesë dollarë.
Blini anketën dhe një ekip konsulentësh do të shpërndajë një pyetësor me gjashtëdhjetë e tetë pika për kolegët, menazherët dhe klientët tuaj. Në një shkallë nga 1 (“Asnjëherë”) deri në 5 (“në mënyrë të vazhdueshme”), do t’ju kërkohet të vlerësoni se sa shpesh arrini ta përshkruani efektin e ndjenjave në veprimet tuaja, sa shpesh e humbni qetësinë kur jeni të stresuar dhe sa shpesh e shihni të ardhmen me shpresë.
Përgjigjet e tyre, së bashku me vetëvlerësimin tuaj, do të përcaktojnë nëse performanca juaj emocionale në punë është “e jashtëzakonshme” apo thjesht “mesatare” dhe si rrjedhojë ka nevojë për korrigjim.
Inteligjenca emocionale shpesh cilësohet si një burim i pashfrytëzuar, homologu bosh i I.Q.-së (të cilin Goleman-i e trajton si një masë të qartë të vlefshme të inteligjencës së papërpunuar). Ndryshe nga një test I.Q.-je, vlerësimi i Goleman-it nuk prodhon një numër të përcaktuar në një kurbë të standardizuar, por një “profil të stërgjatë individual të kompetencës”.
Grafikët me shtylla në nuanca blu paraqesin pikat e forta dhe të dobëta relative të personit në katër dimensionet kryesore të sjelljes: vetëdija, ndërgjegjësimi social, vetëmenazhimi dhe menazhimi i marrëdhënieve. Nuk është e qartë sesi do të përdoren rezultatet, megjithëse, nëse ato shtypen në letër, çdo konsulent i personelit i trajnuar mirë do t’ju siguronte se ato janë një hap i parë i domosdoshëm drejt vetëpërmirësimit.
Siç thotë shprehja e vjetër e menazhimit: “Nëse nuk mund ta matni, nuk mund ta përmirësoni”. Në hyrje të botimit të njëzet e pesë vjetorit, Goleman-i shpjegon se termi “inteligjencë emocionale” u propozua fillimisht nga “Peter Salovey, më pas një profesor i ri në Yale, dhe nga një nga studentët e tij të diplomuar, John D. Mayer, në një revistë psikologjike jo shumë të njohur (e cila tashmë nuk ekziston).
Revista, Imagination, Cognition and Personality në fakt, ruhet ende dhe Salovey dhe Mayer-i janë bërë, përkatësisht, presidentë të Yale-t dhe profesor i psikologjisë në Universitetin e New Hampshire-t.
Është interesante të shohësh se sa shumë u tërhoq Goleman-i nga artikulli origjinal dhe se sa besnikërisht. Për Salovey-n dhe Mayer-n, inteligjenca emocionale ishte “aftësia për të monitoruar ndjenjat dhe emocionet e tua dhe të të tjerëve” si dhe “për të dalluar mes tyre” nëpërmjet të folurit një meta-gjuhë të emocioneve. Interesi i tyre ishte për mënyrën sesi njerëzit flisnin për emocionet dhe sesi ata ishin të kushtëzuar të flisnin për to – nga familjet e tyre, nga vendet e tyre të punës, nga profesioni i psikiatrit dhe nga institucionet e tjera sociale. Institucione të tilla kultivuan një diskurs emocionesh në të cilin njerëzit fituan rrjedhshmëri gjatë gjithë jetës.
Sociologu Erving Goffman, në veprën “Prezantimi i vetvetes në jetën e përditshme” (viti 1956), e përshkroi këtë rrjedhshmëri si thelbësore për “artet e menazhimit të mbresave”, teknikat me të cilat njerëzit kalibrojnë vetëvlerësimin e tyre
ndaj rregullave të ndërveprimeve shoqërore të organizuara në mënyrë rituale.
Në analizën e tij për mënyrën sesi rregullohen takimet shoqërore, Goffman-i shkroi se një individ “mësohet të jetë perceptues, të ketë ndjenja të lidhura me veten dhe një vetvete të shprehur përmes fytyrës, të ketë krenari, nder dhe dinjitet, të ketë kujdes, të ketë takt dhe një sasi të caktuar ekuilibri.” Ideja e Salovey-t dhe e Mayer-it për inteligjencën emocionale përdor burimet e psikologjisë njohëse dhe të sjelljes për t’u mbështetur mbi njohuritë e Goffman-it, në tonalitetet e matura të studiuesve seriozë. Të njëjtën gjë që bën edhe puna e psikologëve akademikë që ata kanë frymëzuar.
Edhe pse sigurisht është e vërtetë, siç shkruan Goleman-i në hyrje, se libri i tij “e bëri konceptin të famshëm”, ai gjithashtu e bëri atë – brenda një arti normativ menazhimi. I armatosur me bisedat e koktejeve të disiplinave më magjepsëse – qarqet emocionuese të neurobiologjisë, teoritë e psikanalizës së harmonizimit – dhe me citate emocionuese nga literatura e madhe, ai e transformoi inteligjencën emocionale nga një term i specializuar në një afishim masiv,, për të tërhequr sa më shumë lexues, aq sa edhe ka probleme personale në botë.
Versioni i konceptit të Goleman-it rezulton pafundësisht i adaptueshëm. Ndonjëherë, si në diskutimin e tij për arritjet “të shquara” skolastike dhe profesionale të aziatiko-amerikanëve, inteligjenca emocionale tregon sesi “një etikë e fortë kulturore e punës përkthehet në motivim, zell dhe këmbëngulje të lartë – një avantazh emocional”.
Në raste të tjera, si në diskutimin e tij për aftësinë për t’u përqendruar, inteligjenca emocionale është “rrjedhë”, mjaft e dukshme në rastet kur dikush është duke shkruar në një përhumbje të thellë, apo kur është duke goditur fort tastiierën e pianos ose kur është duke medituar, por “ndoshta ajo kapet më së miri nga dashuria ekstatike, nga shkrirja e dy elementeve në një të vetëm harmonik të rrjedhshëm.”
Për ata që nuk mund ta arrijnë rrjedhën, në të bërit dashuri apo në të kundërt, “një “mikrorrjedhë më e butë” mund të jetë një objektiv më i menazhueshëm.) Në një kapitull, inteligjenca emocionale është refuzimi për t’u zhytur në trishtimin e tjetrit dhe për të përvetësuar, në vend të kësaj, “fuqinë e të menduarit pozitiv.” Në një tjetër, mbi diversitetin e vendit të punës, inteligjenca emocionale u mundëson kompanive të “vlerësojnë njerëz nga kultura (dhe tregje) të ndryshme, por gjithashtu ta kthejnë atë vlerësim në avantazh konkurrues”. Dhe në seksionin e fundit të librit, i cili ngulmon në rëndësinë e inteligjencës emocionale gjatë edukimit të fëmijërisë së hershme, ai bëhet “themeli i shoqërive demokratike” dhe themeli i “jetës së virtytshme”.
Hyrja në botimin e përvjetorit është i vetmi përditësim domethënës i “Inteligjencës Emocionale”. Të lexosh librin sot do të thotë të zbulosh një kapsulë kohe, të lëmuar deri në një përndritje të shkëlqyer dhe të kujtosh një epokë kur një gazetar si Goleman-i mund të fliste ende me optimizëm të patrazuar për fuqinë e vetëkontrollit dhe të dhembshurisë për të kapërcyer “një sulm të impulseve shpirtërore të këqija të dala jashtë kontrollit.”
Ajo që disa e kanë quajtur “vitet e gjatë nëntëdhjetë” ishte një kohë kur mbizotëronin bisedat për respektin dhe për vlerat familjare, për fundin e historisë dhe për triumfin e demokracisë liberale. Megjithatë, për Goleman-in, premtimi i Amerikës në fund të Luftës së Ftohtë u kërcënua nga “paaftësia emocionale, dëshpërimi dhe pamaturia”, dëshmia e të cilave ishte në të gjitha lajmet e mëngjesit.
Një nëntë vjeçar ishte “turrur” duke spërkatur bojë mbi tavolinat dhe mbi kompjuterat, pasi disa shokë të klasës e quajtën”fëmijë”. Një goditje aksidentale kishte pasuar me të shtëna jashtë një “klubi rap-i në Manhattan”. Fëmijët u rrahën për vdekje për shkak se bllokuan televizorin në kohën kur prindërit e tyre po shikonin emisionin e tyre të preferuar. Si ta gjeni “kuptimin e pakuptimësisë”? Pyet Goleman-i. Si të zbërthehet “sfera e irracionales” nga e cila kishin dalë këto sjellje?
Në këtë distancë, denoncimi i Goleman-it për impulset irracionale dhe “të mbrapshta” duket si një refuzim për të pranuar faktorë konkretë shoqërorë që ishin para syve të tij.
“E gjitha dhimbje, asnjë fitim për shumicën e punëtorëve,” njoftuan autorët në Institutin e Politikave Ekonomike në një raport të vitit 1996, duke përfunduar, me një gjuhë që ishte jashtëzakonisht me tone të shqetësuara për ekonomistët e Uashingtonit se, që nga vitet shtatëdhjetë, një erozion i pagave, një rënie e pagesave të larta të vendeve të punës në prodhim dhe pasiguria më e madhe në punë, kishin patur një efekt katastrofik në klasën e mesme. Dhimbja ishte intensifikuar me largimin e shërbimeve sociale dhe madje politikanët përparimtarë ishin më të shqetësuar për ta demonstruar besimin e tyre si miqësor ndaj biznesit sesa për të pohuar shqetësimin e tyre për klasën punëtore, për njerëzit me ngjyrë, për emigrantët apo gratë. Fjala “energjik” duket shumë e butë për zmbrapsjen e veçantë të epokës nga betejat progresive.
Kush mund ta harronte rrahjen e Rodney King-ut nga duart e policisë, mosbesimin e politikanëve që morën në pyetje Anita Hill-in, apo karriget bosh të grave që Kongresi kishte refuzuar t’i thërriste si dëshmitare në mbështetje të dëshmisë së saj?
Përgjigjia është Goleman-i, i cili tani duket po aq i pavëmendshëm ndaj padrejtësive sociale saç ishte atëherë. Për të, çështja është rënia e moralit dhe një “sëmundje emocionale” që është çmimi që kemi paguar për të jetuar një “jetë moderne” të mbushur me “dilema postmoderne”.
Parathënia krijon pritshmëri të mëdha, por pjesa tjetër e librit kronikon forma më prozaike të pakënaqësisë, që vijnë nga mungesa e inteligjencës emocionale: papunësia, divorci, depresioni, ankthi, mërzitja pa shkak. Si të manovroni përmes përleshjeve me kolegët tuaj, në mënyrë që askush të mos humbasë orët e çmuara të ditës së punës; duke qëndruar në këmbë, duke varur turinjtë, duke shkruar e-mail-ë pasiv-agresivë apo duke qarë në banjë? Si të grindeni me bashkëshortin tuaj në mënyrë që askush të mos ngrejë dorën apo të kërcënojë të largohet?
“Ata që janë në mëshirën e impulsit – të cilëve u mungon vetëkontrolli – vuajnë një mangësi morale, “shkruan Goleman-i. “Pyetja është, si mund ta sjellim inteligjencën në emocionet tona – dhe mirësjelljen në rrugën tonë dhe kujdesin për jetën tonë komunale?”
Gradualisht, shihet pse koncepti i inteligjencës emocionale fitoi një pranim kaq të gjerë. Ai nuk është një cilësi apo një atribut, por një regjim kufizimi. Është një koleksion praktikash – vlerësimi, reagimi, stërvitjeje, meditimi – për të monitoruar veten dhe të tjerët, në një mënyrë që lidh zotimin e vetëaktualizimit total me rreziqet e privimit absolut shoqëror.
Përkundër të gjitha demonstrimeve të drejta për atë që është bota moderne, qëllimet e saj janë në mënyrë të drejtpërdrejtë konservatore: të nxitë njerëzit që të qëndrojnë në shkollë, të sigurojnë një punë të qëndrueshme, të lidhen me punën e tyre, të kenë familje dhe t’i mbajnë ato të pacenuara, si dhe t’i rrisin fëmijët që ata të përsëritin të njëjtin cikël të aktivitetit produktiv. Me fjalë të tjera, inteligjenca emocionale është një doktrinë vetëndihmuese, e cila i detyrohet thellësisht ideologjisë moralizuese të neoliberalizmit.
Fjala “neoliberalizëm”, me kritikët dhe kundërkritikët e saj, përdoret tani aq rastësisht saç është bërë pothuajse e pakuptimtë, kështu që ia vlen të kthehemi te një përkufizim i ofruar nga Michel Foucault, një nga teoricienët e parë që e diskutoi këtë term. Në një seri leksionesh që ai mbajti në vitin 1979 – disa muaj përpara se Margaret Thatcher-i të merrte detyrën në Britani dhe një vit përpara se Ronald Reagan-i të zgjidhej President – ​​Foucault e përshkroi ideologjinë neoliberale si aplikimin e një modeli ekonomik për “çdo aktor social në përgjithësi për aq sa ai ose ajo martohet, për shembull, apo që kryen një krim, ose që rrit fëmijë, jep dashuri dhe që kalon kohë me fëmijët.” Secili prej këtyre veprimeve mund të shihet se sjell kosto dhe përfitime të caktuara, rreziqe dhe fitime të caktuara, të cilat, nëse llogariten siç duhet, do të rezultonin në “shpërndarjen optimale të burimeve të pakta për qëllime alternative”. Subjekti i formuar nga ky model, Homo Economicus, u zotua për ndjekjen e lirisë personale absolute dhe iu përgjigj çdo ndryshimi në mjedisin e tij me interes racional. Por ndaj çdo gjëje që qëndronte jashtë interesit të tij vetjak, ai mbeti “i paqartë”, pohoi Foucault. Në psikologjinë pop, një paqartësi e tillë ngrihet në parimin e parë të profesionit, në një mënyrë që fsheh lidhjen midis psikologjisë dhe politikës. Metoda e preferuar e zhanrit të rrëfimit është shëmbëlltyra. Një shembull tërheqës i sjelljes njerëzore është prerë nga një artikull gazete ose nga një punim kërkimor. I zhveshur nga detajet shoqërore dhe historike që mund t’i japin asaj thellësi dhe kompleksitet, ai jep një mësim lehtësisht të tretshëm për të drejtën dhe të gabuarën ose, në rastin e Goleman-it, për ndarjet produktive dhe joproduktive të emocioneve në “ekonominë nëntokësore të psikikës”. Metoda lë gjurmë në mënyrë të pandryshueshme dhe, duke lexuar “Inteligjencën Emocionale”, njeriu fillon të ndiejë se shembujt e Goleman-it tregojnë vetëm gjysmën e historisë. Për një libër, qëllimi përfundimtar i të cilit është t’i nxitë njerëzit që t’i bëjnë për vete kolegët e tyre ose të jenë disi më pak të zhurmshëm në martesat e tyre, një numër befasues kapitujsh paraqesin tipare vrasjesh për shkaqe kapriçioje dhe dhune rastësore. Një baba, i armatosur në mënyrë të pashpjegueshme dhe i pushtuar nga instinkti i tij evolucionar “lufto-ose-mbathja”, e qëllon vajzën e vet kur ajo hidhet nga një dollap për ta frikësuar. Një i varur nga heroina në lirim me kusht “çmendet”, siç thotë ai më vonë, duke grabitur një apartament dhe duke vrarë dy vajza të reja. Një student i shkëlqyer godet me thikë në qafë mësuesin e tij të fizikës në shkollën e mesme, duke i dhënë Goleman-it prova dramatike se I.Q-ja e lartë dhe notat e mira nuk e përcaktojnë suksesin.
Duke kërkuar burimet e Goleman-it, shpejt dallon një model në atë që është lënë jashtë. Babai që qëlloi vajzën e tij? Në atë kohë, në vitin 1994, ai jetonte në West Monroe, Luisiana; shteti kishte shkallën më të lartë të varfërisë në vend dhe banorët e qytetit u thoshin gazetarëve se nuk mund të vizitonin as edhe një qendër tregtare pa u frikësuar se mos i grabisnin në parking.
Kryedeputeti në detyrë atë natë, i intervistuar nga Associated Press pas të shtënave tha se zbuloi “sesa të frikësuar janë njerëzit në shtëpitë e tyre këto ditë”. I varur nga heroina që vrau dy vajzat e reja? Shembulli është një histori më e vjetër, e vitit 1963, dhe një histori më e njohur nga sa tregon Goleman-i. I varuri nga heroina, i cili ishte i bardhë, nuk u kap për më shumë se një vit ndërsa policia arrestoi dhe mori një rrëfim nga një i ri me ngjyrë, George Whitmore, Jr.; Gjykata e Lartë, më vonë e quajti rastin “shembulli më i spikatur” i shtrëngimit policor të vendit. Po djali që goditi me thikë mësuesin e tij të fizikës? Ai ishte emigrant xhamajkan që jetonte në Florida-n jugore, i cili dyshohet se u përpoq të vriste veten së bashku me mësuesin e tij. Një gjykatës zbuloi se djali e kishte humbur përkohësisht kontrollin mendor për shkak të “fiksimit të tij me përsosmërinë akademike” dhe për shkak të bindjes se ai më mirë do të preferonte të vdiste sesa të dështonte në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Arsimi i lartë elitar amerikan mbeti për të çelësi që do të zhbllokonte jetën e mirë.
Filloni të futeni në qytete dhe data, të plotësoni boshllëqet në histori dhe diagnozat e Goleman-it dalin përtej qëllimit. Ky dështim është i natyrshëm në zhanrin e vetëndihmës, premisa e të cilit është se aftësia për ndryshim qëndron gjithmonë brenda nesh. Goleman-i zotohet t’u tregojë lexuesve të tij sesi të çlirohen nga “rrëmbimi emocional” i trurit nga valët biokimike, tendenca e pavullnetshme e trupit për të shkaktuar “minën e vet nervore”.
Kjo gjuhë, me aludimet e saj të terrorizmit dhe të pushtimit të shtëpisë, i nxit lexuesit që të qëndrojnë vigjilentë, duke i monitoruar vazhdimisht reagimet e tyre për t’i sjellë në përputhje me ritualet e pranuara të shprehjes emocionale. Ky është një vizion i lirisë personale i arritur, në mënyrë paradoksale, përmes vetërregullimit të vazhdueshëm.
“Inteligjenca Emocionale” përfytyron një botë të përbërë nga pak më shumë se një seri ndërveprimesh civile midis punëdhënësit dhe punonjësit, midis burrit dhe gruas, midis mikut dhe fqinjit. Njerëzit nuk janë të lidhur me asgjë tjerltër përveç, siç e përmblodhi Foucault, “instinktit, ndjenjës dhe simpatisë”, që garantojnë suksesin e tyre të ndërsjelltë dhe “neverinë e tyre të përbashkët për fatkeqësinë e individëve” të cilët nuk mund ta kontrollojnë jetën e tyre të brendshme.
Koncepti i inteligjencës emocionale lindi në kohën kur ekonomia globale po kalonte një transformim të fortë strukturor, me rënien e prodhimit dhe me zgjerimin e sektorit të shërbimeve në tregjet më të mëdha të botës. Kushdo që ka vizituar një dyqan me pakicë apo që është ulur në një klasë, e di se puna e shërbimit është një mënyrë prodhimi e organizuar rreth ndërveprimeve komunikuese. Ai e vë artin e menazhimit të përshtypjeve të Goffman-it – zërin miqësor të një shitëseje, elegancën e gjestit të një mësuesi, karizmën e prezantimit të një drejtuesi – në zemër të produktivitetit.
Arlie Russell Hochschild, në librin e saj të vitit 1983 “The Managed Heart“, krijoi termin “punë emocionale” për këtë lloj pune. “Qendrat e kujdesit ditor, shtëpitë e të moshuarve, spitalet, aeroportet, dyqanet, call center-at, klasat, zyrat e mirëqenies sociale, zyrat dentare – në të gjitha këto vende pune, me kënaqësi apo ngurrim, shkëlqyeshëm apo keq, punonjësit bëjnë punë emocionale”, shkroi ajo.
“Shitësi i varfër që punon në një butik elitar veshjesh menazhon zilinë. Tregtari i aksioneve në Wall Street menazhon panikun.” Meqenëse shumica e punëve të shërbimit nuk mund të bëhen më efikase me makineri, produktiviteti i punës emocionale mund të rritet vetëm duke i nxitur punëtorët të kultivojnë shfaqje emocionesh që janë më bindëse – si për të tjerët ashtu edhe për veten e tyre.
Siç vë në dukje Hochschild-i, “Çështja midis një ndjenje reale, por të papranuar nga njëra anë dhe një ndjenje të idealizuar nga ana tjetër” bëhet një detyrim ekonomik. Puna emocionale përfshin minimizimin e saj madje, transformimin e një shfaqjeje sipërfaqësore në një bindje të thellë.
Ajo që doli te Hochschild-i si një kritikë marksiste feministe e tjetërsimit midis punonjësve të shërbimit, rishfaqet te Goleman-i si këshillë e sinqertë për atë që duhet bërë për të ecur përpara, ose ndoshta thjesht për të mbijetuar.
Duke e kthyer “punën emocionale” në “inteligjencë emocionale”, Goleman-i zëvendëson marrëdhënien konkrete sociale midis një punonjëseje dhe punëdhënësit të saj, me një aftësi të paqartë individuale. Shitësi ziliqar dhe i papërkulur i Hochschild-it rishfaqet në librin e Goleman-it, i përshtatur tashmë për qëllimet e tij. Ajo është bërë nervoze dhe depresive. “Shitjet e saj më pas bien dhe e bëjnë të ndihet si e dështuar, gjë që ia ushqen depresionin,” shpjegon Goleman-i. Zgjidhja e propozuar e tij është më shumë punë, punë më e mirë, punë më entuziaste, së pari si një shpërqendrim sipërfaqësor, më pas si një zgjidhje e thellë: “Shitjet do të kishin më pak gjasa të binin dhe vetë përvoja për të bërë një shitje mund të rrisë vetëbesimin e saj. ”Aftësia e saj për të kontrolluar dhe për të kanalizuar emocionet negative do të korrë shpërblime ekonomike dhe morale. Përveç kësaj, çfarë zgjedhje i mbetet nëse dëshiron të mbajë punën dhe të sigurojë jetesën?
Puna emocionale, duke i larguar punëtorët nga ndjenjat e tyre të brendshme, riformulon sferën e pretenduar private të vetes si një zgjerim i interesave shoqërore dhe korporative. Këto inkursione ngrenë pyetjen se nga se buron çdo emocion dhe sa i përket ai vetëm individit. A janë aftësitë e natyrshme të njerëzve për ndjeshmëri dhe ngrohtësi, të adaptuara nga strukturat jopersonale të tregut? Apo njerëzit riprodhojnë pikërisht buzëqeshjet dhe rreshtat që u jepen nga reklamat, programet e trajnimit dhe nga skriptet e mikpritjes?
Vetëm një gjë duket e sigurt: sa më shumë që e përjetojmë punën emocionale si një shfaqje të shtirur dhe jo si një ndjenjë të vërtetë, aq më i madh është ankthi ynë psikologjik. “Kur shfaqja kërkohet nga puna, zakonisht është ndjenja ajo që duhet të ndryshojë,” shkruan Hochschild-i. Për punëtoren individuale, ka çfarëdo lloj arsyeje për të besuar në skenarin që ajo reciton. Ajo nuk fiton asgjë dhe rrezikon gjithçka duke pohuar lirinë e saj prej saj. Ndërsa i mban disa kategori punëtorësh të shqetësuar dhe të përkulshëm, koncepti i inteligjencës emocionale gjithashtu i pasqyron jetën emocionale dhe kushtet e punës së punonjësve që nuk u përkasin shërbimeve, krejtësisht si të parëndësishme. Dikush e sheh këtë në gamën e kufizuar të lojtarëve në historitë e suksesit të Goleman-it; inteligjentët emocionalë duket se janë menazherë, inxhinierë, konsulentë, mjekë, avokatë dhe mësues. Për të, pyetja e vetme e rëndësishme është se kush do të dalë në krye: “bosi manipulues, luftëtar i xhunglës” apo “virtuozi në aftësitë ndërpersonale” që e përvetëson “menazhimin me zemër”.
Lexuesi i tij i nënkuptuar është individi i aftë për të “larguar shqetësimet e vogla-shëndetësore, faturat, madje edhe dëshirën për të bërë mirë”; dikush për të cilin “të falimentojë” është po aq e pamundur sa “një njeri i dashur të vdesë në një aksident avioni”. Mos harroni se në disa shtete, probabiliteti për të paraqitur falimentim personal është një në dyqind, ndërsa probabiliteti për të humbur një të dashur në një aksident avioni është një në njëmbëdhjetë milionë. Në universin e Goleman-,it, këto të dyja janë njësoj të pamendueshme.
Koha nuk ka qenë e mirë për “Inteligjencën Emocionale” dhe tani është pothuajse shumë e lehtë ta bësh objek kritike. Por ajo është gjithashtu provë ndaj kritikave: idetë që e mbajnë në jetë janë kudo dhe grishja prej tyre është e vështirë të mohohet.
Në fund të fundit, çfarë mund të jetë e kundërshtueshme kur njerëzve u kërkohet që të kujdesen për njëri-tjetrin dhe të jenë të vetëdijshëm sesi veprimet e tyre ndikojnë te të tjerët? Ndoshta përgjigjia më e mirë është ta ripërfytyroni konceptin në një formë që tregon se çfarë fshihet nën të.
Përfytyrojeni “Inteligjencën Emocionale” dhe librat që trashëgohen prej saj ndërkohë që morali luan për një epokë laike, të shfaqur para audiencës së profesionistëve kryesisht të bardhë. Në një teatër që nuk pranon dritë apo zë nga bota e jashtme, publiku shikon sesi punëtorë dhe kriminelë të varfër, të zemëruar shtyhen në skenë për të qëlluar fëmijët e tyre dhe për t’i goditur me thikë mësuesit. Të goditur nga veset e maskuara të tërbimit, depresionit dhe ankthit, të turpëruar nga virtytet e fshehta të Empatisë, Vetëdijes dhe Arsyes, lojtarët nuk kanë asnjë shans për shpëtim. Mësimet e inteligjencës emocionale nuk janë mësimet e tyre. Kur perdja bie, anëtarët e audiencës kthehen nga njëri-tjetri për të folur me zë të ulët sesi t’i mësojnë fëmijët e tyre që ta shmangin një fat të tillë, si të jetojnë të lumtur në një botë ku dikush është i detyruar të bezdiset nga impulset e dhunshme të të tjerëve. Madje edhe që nga rreshti i parë, ata nuk arrijnë të shohin sesi maskat dhe vellot fshehin një realitet në të cilin ata nuk janë më të lirë se lojtarët që dënojnë. Të heqësh maskën do të ishte zbulimi i një impotence që të gjithë e bashkëndajnë. Dhe kjo mund ta lejojë audiencën dhe kastin që të ngrihen së bashku, duke u zemëruar në shkallën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur, ndaj njerëzve të duhur, të cilët, për njëzet e pesë vitet e fundit, u kanë shitur atyre disa nga idetë më joshëse dhe heshturazi më represive në historinë e ditëve të sotme.
________

Merve Emre është shkrimtare kontribuese në The New Yorker dhe profesoreshë e Shkrimit Kreativ dhe e Kritikës në Wesleyan University.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga : The New Yorker

Ëndërr kartoni në çift a tek -Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Ëndërr kartoni në çift a tek -Sueton Zhugri


Im gjysh me shaka thoshte: “I dinim ëndrrat prej letre dhe ja që qenkan prej kartoni.”
Dhe botët u ndanë përgjysmë
si materie që i afrohet vrimës së zezë
gravitacionale.

Rrotullimet tona prej hiçi e gjithçkaje
me plagët tona njerëzore të përkohëshme
kullojnë
lëng yjesh nga më të rëndomtit,
si gishtërinjtë e karrocierit që shet petka të përdorura që ngatërrohen padashur
ndër flokët e parukës së atij kapadaiut me makinë Tesla…

Kur shkojmë, shkojmë të gjithë lakuriq
si në një sauna finlandeze duke goditur
njëri-tjetrin me degë gjineshtre
e saora
gushkuqët i mbushin
me glasa gëzimi mermerët
e porsalarë me lot të varrezave.

Mbi qiell retë duket
kanë hedhur një jorgan të bardhë pambuku,
bletët sipër kokës sime të shurdhojnë
kur bëjnë dashuri
dhe atje tejmbushur është deti
me alga dhe kripë.

Eh, tetë miliardë njerëz frymojnë anembanë
e nëna ime nga Tirana e asfaltuar
ankohet,
se po vdes nga vetmia…

10.9.2024

Poezi nga Shpëtim Selmani

in Letërsi/Tharm by

Poezi nga Shpëtim Selmani

unë vij nga burgu i fluturave
prangat e mia janë nga pendët e palloit indian
më vjen turp të jem i pasur
u takoj krojeve të malit
dua të më duan të gjithë budallenjtë e botës
kurora ime është nga gjethet e vyshkura të rrushit
jam kundër legjendave dhe miteve
në grusht mbaj zemrën e së ardhmes me
frikë dhe dyshim,
nëse i dëboj djajtë nga vetja
kam frikë se edhe engjëjt do tia mbathin.

I dashur lexues-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

I dashur lexues-Billy Collins

Baudelaire të konsideron vëlla,
dhe Fielding-u të drejtohet pas çdo paragrafi
sikur të dojë të sigurohet se ti nuk e ke mbyllur librin,
e tani po të thërras sërish unë;
fantazma e vëmendshme, figura e errët e heshtur që rri në portën e këtyre fjalëve.

Pope të mirëpret në shkëlqimin e studimit të tij,
ai ul poshtë një libër prej lëkure të Ovid-it për të ta treguar.
Tennyson-i heq shulin e portës së një kopshti gjithë hendekë,
dhe me Yeats-in ti mbështetesh pas një trungu dardhe të thyer,
dita mbulohet prej reve që varen poshtë.

Por tani ti je këtu me mua,
i qetë në sheshin e hapur të kësaj faqeje,
nuk ka asnjë dhomë apo kopsht të zbukuruar që të na rrethojë,
nuk ka asnjë Zeitgeist që marshon në sfond, asnjë kod i rëndë që të na hidhet përsipër si mantel.

Në vend të kësaj, takimi ynë është kaq i shkurtër dhe i rastësishëm,
i pavënë re nga syri monokël i Historisë,
ti mund të jesh burri për të cilin unë mbajta derën hapur
këtë mëngjes në bankë apo në postë
ose ai që më mbështiolli peshkun.
Ti mund të jesh dikush që kaloi në rrugë
apo fytyra pas timonit të një makine që po afrohet.

Drita e diellit shkëlqen xhamin tënd të përparmë,
dhe kur unë shikoj në pasqyrën e vogël,
të shoh duke u zvogëluar – ty, jehonën time, binjakun tim –
dhe zhdukesh rreth një kthese në këtë rrip rruge
ku ne nuk mund të mos udhëtojmë së bashku.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Monotonia e lumturisë-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Monotonia e lumturisë-Sueton Zhugri

Jam në park sot e dashur,
marr frymë thellë
ndërkohë që ti po dremit në shtëpi.
Era luan me gjethet në majat e plepave
dhe ti po sheh një ëndërr me luanë.
Dielli zbret horizontit
si një pikë limoni e ndezur
fytit të uritur të melankolisë…

Eh, burri është i destinuar
t’i lutet qiellit
për të pakuptimshmen e bukurisë

Brengagaz, dyshimshumë
e qeshura ime
si prej vaji dhe mjalti
i ngjitet mbrëmjes
e jam njëherësh vërtet i lumtur
dhe kaq i trishtuar…

Është si të të shushuritnin abazhuret e komove
të dhomës tënde ku luaneshat po pushojnë
pasi kanë shqyer një zebër bardhë e zi

Dhe nga dritarja e dhomës
yjet e tua përqeshin dertet e mia
si të ishin kometa
me përdredhje pendësh
ekzistenciale

Këmbanat duhet të jenë të metalta
në një botë të ajërt për të të zgjuar,
por ti prehesh në një strofkë
me egërsinë e boshësisë

Ulur në park sot e dashur,
ndihem i lumtur
e njëkohësisht
tejet i trishtuar…

27.08.2024

Glyukha yona kokal nuku ka (“Gjuha jonë kocka nuk ka”), një poezi shkruar nga Peter Constantine në gjuhën arvanitase dhe e lexuar nga vetë ai për Maratonën e Videopoemave të Pen International kushtuar gjuhëve indigjene dhe minoritare

in Gjuhësi/Letërsi by

Glyukha yona kokal nuku ka (“Gjuha jonë kocka nuk ka”) është një poezi e shkruar nga përkthyesi dhe botuesi anglez Peter Constantine në gjuhën arvanitase.
Kjo poezi është lexuar nga vetë ai për Maratonën e Videopoemave të Pen International  kushtuar gjuhëve indigjene dhe minoritare.
Peter Constantine jeton në Amerikë, ai është britanik por është rritur nga një njerk arvanitas. Ai ka një ndjeshmëri të lartë për gjuhën arvanitase, të cilën e ka shprehur në shumë shkrime, ndonjë prej tyre i botuar edhe në revistën defekt-teknik. E quan gjuha jonë. Është kaq prekës titulli i kësaj poezie, ashtu siç është prekëse çdo fjalë e saj, që shpreh një trishtim të thellë për zhdukjen e kësaj gjuhe, e cila është quajtur “gjuha e zogjve” ngaqë është tejet melodioze për veshin e të huajve dhe që vetë vendasit arvanitë e quajnë “gjuha e perëndive”.
Peter Constantine është një zë i vetëm në arenën ndërkombëtare, por çfarë po bën ai, alarmi që ai ngre vazhdimisht për zhdukjen e gjuhës arvanitase është ajo që duhej të kishte bërë me kohë shteti letargjik shqiptar dhe ambasada jonë në Greqi, që nuk e ngrenë kurrë zërin për çështje të tilla.
Kjo poezi është një përgjigje e mirë edhe për gjithë shqiptarët-antishqiptarë, një numër i konsiderueshëm i tyre çuditërisht është strehuar edhe në Akademinë e Shkencave dhe që andej e zhvillojnë lirisht dhe sistematikisht veprimtarinë e tyre antishqiptare, të cilët së fundmi kanë dalë me teorinë se arvanitasja nuk ka lidhje me gjuhën shqipe.
Por si ka mundësi që ne kuptojmë çdo fjalë të kësaj poezie? Madje edhe theksi është shumë i njohur për dikë që është rritur me dialektin tosk. Apo fjalë si “shkëmbënj”, “bënet”, “nakatosur”, etj. Po ku i dihet, sipas teorisë së tyre ndoshta edhe ne që e kuptojmë mund të mos jemi shqiptarë!
Arvanitasja, gjuha jonë e vjetër shqipe, në një botë ideale do të duhej studiuar në shkolla e analizuar vazhdimisht. Ajo nuk duhet lënë të vdesë. Vëreni sesi përmendet termi “arbërisht” në këtë poezi. Autori i referohet arvanitases si gjuhë e folur “arbërisht”, ashtu siç i referohen të gjithë arvanitët.
Kush është rritur me toskërishten do ta ketë më të lehtë për ta kuptuar, ndërsa për ata që kanë ndonjë vështirësi të vogël, poezia shoqërohet me titra në gjuhën angleze. 

Peter Constantine është fitues i Pen/book of the month Club Translation Prize, National Translation Award, Koret Jewish Book Award, National Jewish Book Award, Hellenic Association of Translators of Literature Prize, Helen and Kurt Wolff Translation’s Prize, Ellen Maria Gorrissen Berlin Prize. (Lista e vlerësimeve dhe e arritjeve të tij është e gjatë.) Njohës i një numri të madh gjuhësh, midis tyre edhe gjuha shqipe. Përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm botërorë si Dostoevsky, Thomas Mann, Chekhov, përkthyes dhe i disa autorëve shqiptarë, siç është Ismail Kadare, Bashkim Shehu, etj.

Poezinë e gjeni këtu:

(Video e realizuar nga Jazra Khaleed)

 

SHI NATE NË CHICAGO, I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

in Letërsi/Tharm by

SHI NATE NË CHICAGO,
I BUKUR, I DHEMBSHUR… Visar Zhiti

Shi nate në Chicago,
i bukur, i dhembshur,
rrugëve bie dhe brenda nesh,
kaq shumë vezullues sikur thërrmohen yje
ëndrrave në Qiell.

Ti e solle këtë shi
të bukur, të dhembshur
për një lindje të re dite
si të gjitha mëngjeset e 30 gushtit
që vijnë bashkë me ty.

Dhe çdo gjë e ardhur nga lartësitë
qiellore
e shenjtë është, o bir! Po këtë qytet

kush e solli te ne,
erërat dhe dallgët e tua? Kujt i the
të na thërriste?

Një pikë loti këtu
bëhet ky liqen, ti e di, më i madhi
në botë, –
vetëm një pikë loti kështu…
dhe jo vetëm liqen…

Brinjët e mia bëhen brigje.

Ky shi i natës në Chicago bashkon
kujtesën
me përjetësinë,
që s’duket si horizontet, si çdo fund,
që e shohin të tjerët.

Po ta ndezim nga një cigare si dikur,
nga paketa e qiellit
dhe tre qirinj ndizen vetvetiu tani
në të gjitha kishat si në shpirt.


Chicago, 30 Gusht, 2024

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Planeti me Katër Hëna-Billy Collins

 E kam zili planetin me katër hëna.
– Shënimet e Robert Frostit-it.

Ndoshta atij i ndërmendej kënga:
“Çfarë arrin të bëjë pakëz dritë-hëne”
dhe bëhej kurioz
se çfarë do t’arrinte të bënte një lumë i madh dritë-hëne.

Por a nuk do të ishte kjo diçka tepër e mirë?
Dhe çfarë ndodhte nëse ti nuk arrije t’i dalloje
e ato rrinin gjithmonë së bashku
si katërnjake të zbehta duke hyrë në dhomën e ndenjes.

Po, do të kishte dritë të mjaftueshme
për të lexuar një libër apo për të shkruar një letër në mesnatë,
dhe nëse do të kishe pirë mjaftueshëm tekila
ti do të arrije të shihje tetë prej tyre duke u endur të shndritshme atje lart.

Por, pa mendoni për dy të dashuruarit në breg të detit,
krahu i tij hedhur rreth shpatullës së saj të zbuluar,
të emocionuar sesa pranë ndiheshin atë natë
ndërsa ai vështronte njërën hënë dhe ajo një tjetër.

Përktheu: Arlinda Guma

Shënim i përkthyeses: Planeti me katër hëna është Jupiteri 

Me Enida Sheshi Haxhin për poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos

in Letërsi by

Defekt-teknik i kërkoi Enida Sheshi Haxhit të përzgjidhte një prej shkrimeve të revistës dhe mbi të do të ndërtohej një analizë në formën e një bisede. Ajo zgjodhi poezinë “Statujat dhe ne” të poetit Janis Ricos, përkthyer nga Alket Çani. Poezinë mund ta dëgjoni këtu të lexuar nga Suela Bako:

 

    Enida Sheshi Haxhi

Arlinda Guma: Pse zgjodhët Janis Ricos-in dhe pse pikërisht këtë poezi?

Enida Sheshi Haxhi: I lexoj shpesh materialet që botohen ne revisten tuaj, poezitë që zgjidhni dhe përktheni. Pastaj pashë këtë poezi dhe u ndala, sepse më dha ndjesinë e plotësisë, atë përjetim të cilin me sa duket kisha nevojë ta ndieja në atë çast të kohës. Poezinë ”Statujat dhe ne” e kisha lexuar edhe më herët, por kjo s’ka rëndësi sepse sa herë që rilexoj një poezi më ngjan se po e lexoj për herë të parë. Kam lexuar shumë poezi të Ricos-it, të sjella në shqip, prej Romeo Çollakut dhe herë pas here edhe prej jush në revistën ”Defekt- Teknik”. Poezia eksploron një temë që më nxit të reflekoj mbi natyrën e qenies dhe mbi tensionin ndërmjet asaj që është përtej nesh dhe realitetit të brendshëm që na përvijon çdo ditë.

Arlinda Guma: Është e pamundur të përfytyrosh një poezi të Ricos-it pa praninë e statujave. A do të kishte kaq shumë statuja në poezinë e Ricos-it sikur ai të lindte në një vend tjetër dhe jo në Greqi?

Enida Sheshi Haxhi: Janis Ricos, si një poet grek, është padyshim i formësuar nga kultura e tij, e cila është e mbushur me një trashëgimi të pasur të artit klasik dhe mitologjisë. Greqia është e njohur për statujat e saj antike, që përfaqësojnë hyjni, heronj dhe figura mitologjike, dhe që për mijëra vite kanë qenë një simbol i përjetësisë, idealit estetik dhe reflektimit mbi ekzistencën. Këto elemente janë një pjesë e pashmangshme e peizazhit kulturor dhe fizik të Greqisë, dhe është e natyrshme që ato të ndikojnë në imazhet dhe temat e poezisë së tij.
E megjithatë, statujat në poezinë e tij reflektojnë më shumë se kaq, ato janë simbole të përjetësisë, të heshtjes, të frikës, të mungesës së lirisë, indiferencës apo dhe të një lloj qetësie të përjetshme, që mund të ishin zëvendësuar nga simbole të tjera në një kontekst kulturor tjetër.
Megjithatë, esenca e mendimit të tij — reflektimi mbi shpirtin njerëzor dhe ekzistencën njerëzore — do të mbetej e pandryshuar. Uni poetik do të gjente një rrugë për të dalë në dritë, pavarësisht nga peizazhi kulturor.

Arlinda Guma: Fëmijë, na ka bërë të gjithëve përshtypje vështrimi i statujave. Sikur shohin me ngulm në një pikë diçka të jashtëzakonshme, diçka që ne në botën reale nuk arrijmë ta shohim.

Enida Sheshi Haxhi: Kur kam parë për herë të parë një statujë (bustin e një rilindasi në një prej rrugëve të Korçës) ndjeva një përzierje të çuditshme kurioziteti dhe frike. Ajo nuk lëvizte, e megjithatë prania e saj ishte e fuqishme, ndieja sikur më hetonte. Kur sytë e mi u ndeshën me të sajat, i fsheha menjëherë nga frika se mos ajo po e zbulonte frikën time.
Por brenda çdo frike të madhe qëndron fillimi i një kurioziteti edhe më të madh. Ky kuriozitet është forca që i shtyn fëmijët të eksplorojnë Fëmijët nuk e përjetojnë kurrë mërzinë, sepse i qasen botës me një qëndrim kureshtar, duan të hetojnë, të zbulojnë pse-në e gjërave, mekanizmat sekretë që i gjallërojnë.
Kur rritemi, dalëngadalë fillojme ta humbasim shpirtin kureshtar dhe prandaj pushtohemi nga apatia apo plogështia. Në fakt habia nuk buron vetëm nga gjërat e reja apo të pazakonta, por nga mënyra sesi zgjedhim ta shohim botën. Kur ndalemi dhe i japim vetes kohë për të parë thellë, për të pyetur, dhe për të reflektuar, kuptojmë se brenda çdo përvoje, sado e zakonshme të duket, fshihet një univers i tërë që pret të zbulohet. Në fund, është pikërisht ky kapacitet për t’u habitur që na shpëton nga monotonia dhe na rikthen ndjenjën e freskët për jetën edhe në mes të konsumizmit.

Arlinda Guma: Duket sikur poeti xhelozon për faktin se statujat nuk mund të ndiejnë si njerëzit… Duket sikur ai vetë është i lodhur prej këtij procesi të dhimbshëm…

Enida Sheshi Haxhi: Ajo statujë nuk kërkonte asgjë prej tij, prej botës, nuk gjykonte, thjesht ishte aty, në mënyrën e saj të qëndrueshme dhe të pakushtëzuar.
Në këte kuptim është e pamundur të mos ndjesh një lloj pranimi të heshtur – që pavarësisht gjithçkaje që ndryshon, ka gjëra që mbeten, që qëndrojnë, dhe në atë qëndrueshmëri, gjen një lloj ngushëllimi.

Arlinda Guma: Kjo marrëdhënie midis njerëzve dhe statujave sa vjen e bëhet një proces edhe më i largët, i parrokshëm, i pakuptueshëm. Edhe pse ajo vazhdon të ekzistojë, në realitete paralele ndoshta, të cilat ne nuk arrijmë t’i deshifrojmë…

Enida Sheshi Haxhi: Gjithmonë do ndihemi të pakuptuar në botë. Shpesh, edhe mua njerëzit më ngjajnë me statujat: të ftohtë, indiferentë, pa empati.
Nga ana tjetër, ndividit i kërkohet të përshtatet me standarde dhe pritshmëri të caktuara. Njëjtë sikur të jesh para një aparati fotografik ku të kërkohet të marrësh një pozë të caktuar pa të lënë të thuash të vërtetën tënde. Por unë mendoj se janë vetë njerzit që pranojnë të heqin dorë prej individualitetit, duke dëshiruar më shumë sigurinë që ofron konformizmi.
Konformisti “ndjek” për të mos e vrarë mendjen, ai e shmang peshën e mendimit, kurse për individin, mendimi është akti më i lartë i lirisë.

Arlinda Guma: Kam parë gjithmonë një lloj ngjashmërie te poezia e Rreshpjes. Edhe në poezinë e tij prania e statujave është ngado.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo pyetje është vazhdim i pyetjes së mëparshme: ”a do ta përdorte Ricos-i kaq shumë simbolin e statujave nëse nuk do jetonte në Greqi?”
Rreshpja e ka përdorur gjithandej këtë simbol në poezinë e tij edhe pse ka jetuar në nje mjedis të ndryshëm kulturor nga ai i Greqisë. Të dy janë poetë që kane vuajtur pasojat e regjimeve diktatoriale.Të dy kanë shkruar nga brenda qelisë së burgut.
Ky simbol te Rreshpja përkon me ndjenjën e braktisjes, e të mbeturit vetëm në botë, e të qenit i pranishëm dhe i munguar njëkohësisht. Në kontekstin e poezisë së tij, statujat nuk janë thjesht objekte të ngrira, por portrete të shpirtit njerëzor që përpiqet të gjejë kuptim në një botë që mbetet e paqartë dhe e largët. I largët gjendet edhe shpirti i tij i madh, nëmos i pakuptuar, në shoqërinë ku jetoi. Ai frymonte mes statujave që ecnin, që kurrë nuk i treguan dhembshuri, mirëkuptim.

Arlinda Guma: Madje të dy poetët kanë patur një pasion të veçantë për pikturën. Kjo ndihet në krijimtarinë e tyre. Ata vizatojnë skena të gjalla të cilat i nguliten fort lexuesit.

Enida Sheshi Haxhi: Kjo është aftësia e shkrimtarit të talentuar: mundësia për të pikturuar të padukshmen – të ndjeshmen dhe të thellën, që ndodhet në thellësinë e shpirtit njerëzor. Poezia është një pasqyrë e shpirtit, e cila, përmes fjalëve, pikturon emocionet dhe ndjenjat më të thella që nuk mund të kapen ndryshe. Në çdo vepër artistike ka një shpirt që flet përmes ngjyrave dhe formave. Artisti është ai që kap esencën e shpirtit njerëzor dhe e sjell atë në dritë përmes veprës së tij, duke krijuar një portret që flet për ndjenjat dhe përvojat më të thella, të cilat i ndjen dhe i shikon çdo njeri i zakonshëm, por artisti ka dhuntinë e soditjes. Arshi Pipa te “Domethënia e artit” shprehet kështu: “Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Soditja është perceptim i ç’interesuar. Nga qëndrimi soditës lind Arti.”

Arlinda Guma: Ricos-i ishte i majtë. Por ndryshe nga shumë poezi të poetëve të tjerë bashkëkohës të tij të cilët përfshinë ideologjinë në artin e tyre, në poezitë e tij, edhe në ato më ideologjiket, ka art. Dhe them se kjo e hedh poshtë teorinë se ideologjia e vret artin, siç ndodhi në vendin tonë me poetët e realizmit socialist. Ndoshta e vret vetëm në rastin kur poeti është i patalentuar?… Si e mendoni ju këtë?

Enida Sheshi Haxhi: Më ka ndodhur të kem lexuar letërsi të mirë; edhe nga ajo që është shkruar brenda regjimeve diktatoriale edhe jashtë saj. Kemi shkrimtarë si Solzhenitsyn-i, Pasternak-u, e plot të tjerë që kanë shkruar nën regjime totalitare vepra monumentale duke qenë edhe denoncues të regjimit. Shkrimtari Mo Yan në Kinë nuk i është kundërvënë sistemit por ka prodhuar letërsi të mirë dhe është vlerësuar me çmimin Nobel. Disa vepra të autorëve të tjerë – lënda e parë e të cilëve është marrë në vendin ku kanë jetuar – shpesh i kam parë si arratisje të qëllimshme nga shkakësia, mjaft e kuptueshme në vende ku të gjithë janë çmendur nga frika. Dua të them se përvojat e shkrimtarëve të mëdhenj janë nga më të ndryshmet.
Ne nuk mund ta mohojmë se nën regjime janë shkruar vepra me vlerë por nuk mund të themi që ideologjia nuk e vret letërsinë, artin në përgjithësi, sepse një art ideologjik është jashtë të vërtetave njerëzore.
Një shkrimtar apo artist, vepra e gjithë e të cilit i shërben një ideologjie nuk është më një shkrimtar, një artist, por një propagandues. Mirëpo plot shkrimtarë të tjerë ia dolën dhe e ruajtën integritetin artistik duke transmetuar të vërtetat njerëzore, pavarësisht kufizimeve ideologjike.

Arlinda Guma: Mendoj se Ballkani ka një poezi tronditëse. Disi të shpërfillur prej botës anglishtfolëse.

Enida Sheshi Haxhi: Ndaj të njëjtin mendim. Ndoshta ato që pengojnë janë barrierat gjuhësore. Poezia në Ballkan është shkruar në gjuhë të vogla.
Ndoshta janë edhe kufizimet e medias dhe të publikimit. Botuesit dhe mediat ndërkombëtare shpesh përqendrohen në literatura dhe autorë që janë më të njohur në tregun global, të cilët vijnë nga kultura të mëdha: anglosaksone, frankofone, etj.
Nga ana tjetër në kushtet e teknologjisë së sotme të informacionit, preferencat e lexuesve dhe të kritikëve mund të ndjekin trendet e momentit, dhe kështu poezia nga rajone më pak të njohura mund të mos arrijë të marrë vëmendjen që meriton.
Por përtej këtyre, kam mendimin se letërsia ballkanike shpesh është e ngarkuar me referenca kulturore dhe politike specifike që mund të jenë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit që nuk janë të njohur me kontekstin historik dhe kulturor të rajonit.
Kjo bën që poezia e Ballkanit ndonjëherë të përballet me sfidën për t’u vlerësuar jashtë kontekstit të saj të veçantë, dhe ndonjëherë përballet me stereotipe e ide të thjeshtuara për rajonin.

Arlinda Guma: Poezia që analizuam ka një qasje të thellë filozofike por, midis një qasjeje filozofike në art dhe një analize akademike të një filozofi të mirëfilltë, ju cilën do të zgjidhnit? (Kam thënë diku se vetë letërsia është një lloj filozofie, më e këndshme dhe më e metabolizueshme se vëllime të tëra studimesh filozofike.)

Enida Sheshi Haxhi: Një vepre artistike i ngrihen vlerat letrare kur ka mendim të thellë filozofik. Të menduarit filozofik mund të shërbejë edhe si një mekanizëm për të zbërthyer enigmën e artit. Çdo lloj arti por dhe letërsia në veçanti do një parapërgatitje që ta përthithësh si duhet, edhe duke qenë lexues i thjeshtë.
Por nëse letërsia prodhon filozofi, nga ana tjetër filozofia nuk prodhon art në mënyrë direkte. Ajo ofron frymëzim dhe kuadër teorik që i ndihmon artistët të zhvillojnë dhe të thellojnë krijimtarinë e tyre, por artin e krijon dhe e shpreh vetë arti.
Letërsia dhe arti janë përtej çdo lloj filozofie, ideologjie. Letërsia eksploron njeriun, si jetë, si shpirt, kurse filozofia si subjekt, si kategori.
Nëse filozofia eshte eksploruese konceptesh përmes arsyetimit, arti nga ana tjetër, është mjeti me të cilin këto koncepte bëhen të dukshme përmes perceptimit, ndjeshmërisë.
Prej artit, letërsisë, shprehjes artistike lindin koncepte dhe ide të reja, që zgjerojnë edhe kufijtë e mendimit filozofik.

Arlinda Guma: Ju falënderoj që u bëtë pjesë e kësaj rubrike!

Enida Sheshi Haxhi: Faleminderit për mundësinë që më dhatë për të folur për letërsinë në një kohë kur shumë e shpërfillin.

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Pyetje mbi engjëjt-Billy Collins

Nga të gjitha pyetjet që ju mund të doni të bëni mbi engjëjt,
e vetmja që e dëgjoni përherë është
se sa prej tyre mund të vallëzojnë mbi kokën e një gjilpëre.

Asnjë kureshti për mënyrën sesi e kalojnë ata kohën e përjetshme
përveç rrotullimit të Fronit duke kënduar psalmet në latinisht
ose duke i dorëzuar një kore buke një vetmitari në tokë
apo duke udhëhequr një djalë dhe një vajzë nëpër një urë druri të kalbur.

A fluturojnë ata përmes trupit të Zotit dhe a dalin duke kënduar?
A përkunden si fëmijët nga menteshat e botës shpirtërore, duke i thënë emrat e tyre parsh dhe mbrapsht?
A ulen ata të vetëm në kopshte të vogla duke ndryshuar ngjyrat?

Po për zakonet e tyre të gjumit, për pëlhurën e rrobave të tyre,
për dietën e tyre prej drite hyjnore të pafiltruar?
Çfarë ndodh brenda kokave të tyre të ndritshme?
A ka ndonjë mur përmes të cilit këto prani të gjata mund të shohin ferrin?

Nëse një engjëll do të binte nga një re,
a do të linte ai një vrimë në një lumë
dhe vrima do të lundronte pafundësisht
mbushur me shkronjat e heshtura të çdo fjale engjëllore?

Nëse një engjëll do të dërgonte postën,
a do të mbërrinte ai me një ngut verbues krahësh
apo thjesht do të merrte pamjen e postierit të rregullt
dhe do të fërshëllente rruginave duke lexuar kartolinat?

Jo, teologët mesjetarë kontrollojnë oborrin. Pyetja e vetme që ju dëgjoni pëherë është pista e vogël e vallëzimit mbi kokën e një gjilpëre
ku kurorëzat e dritës janë të destinuara të takohen dhe të lëvizin në mënyrë të padukshme.

E krijuar për të na bërë të mendojmë në miliona, në miliarda,
të na mbarojnë numrat dhe të shembemi në pafundësi,
por ndoshta përgjigjjia është thjesht një:
një engjëll femër që kërcen e vetme me këmbët me çorape,
një kombinim i vogël xhazi që vepron në sfond.

Ajo lëkundet si një degë nëpër erë,
me sytë e saj të bukur të mbyllur
dhe basisti i gjatë e i hollë përkulet të shohë orën
sepse ajo ka qenë duke kërcyer gjatë gjithë kohës
dhe tani ka shkuar shumë vonë, madje edhe për muzikantët.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

1 20 21 22 23 24 187
Go to Top