Ëndërr kartoni në çift a tek -Sueton Zhugri
Im gjysh me shaka thoshte: “I dinim ëndrrat prej letre dhe ja që qenkan prej kartoni.”
Dhe botët u ndanë përgjysmë
si materie që i afrohet vrimës së zezë
gravitacionale.
Rrotullimet tona prej hiçi e gjithçkaje
me plagët tona njerëzore të përkohëshme
kullojnë
lëng yjesh nga më të rëndomtit,
si gishtërinjtë e karrocierit që shet petka të përdorura që ngatërrohen padashur
ndër flokët e parukës së atij kapadaiut me makinë Tesla…
Kur shkojmë, shkojmë të gjithë lakuriq
si në një sauna finlandeze duke goditur
njëri-tjetrin me degë gjineshtre
e saora
gushkuqët i mbushin
me glasa gëzimi mermerët
e porsalarë me lot të varrezave.
Mbi qiell retë duket
kanë hedhur një jorgan të bardhë pambuku,
bletët sipër kokës sime të shurdhojnë
kur bëjnë dashuri
dhe atje tejmbushur është deti
me alga dhe kripë.
Eh, tetë miliardë njerëz frymojnë anembanë
e nëna ime nga Tirana e asfaltuar
ankohet,
se po vdes nga vetmia…
10.9.2024
Goja e humbjes-Sueton Zhugri
Goja e humbjes-Sueton Zhugri Nuk i kemi më dhëmbët në gojën e humbjes,përtypim perëndime të buta