Monotonia e lumturisë-Sueton Zhugri
Jam në park sot e dashur,
marr frymë thellë
ndërkohë që ti po dremit në shtëpi.
Era luan me gjethet në majat e plepave
dhe ti po sheh një ëndërr me luanë.
Dielli zbret horizontit
si një pikë limoni e ndezur
fytit të uritur të melankolisë…
Eh, burri është i destinuar
t’i lutet qiellit
për të pakuptimshmen e bukurisë
Brengagaz, dyshimshumë
e qeshura ime
si prej vaji dhe mjalti
i ngjitet mbrëmjes
e jam njëherësh vërtet i lumtur
dhe kaq i trishtuar…
Është si të të shushuritnin abazhuret e komove
të dhomës tënde ku luaneshat po pushojnë
pasi kanë shqyer një zebër bardhë e zi
Dhe nga dritarja e dhomës
yjet e tua përqeshin dertet e mia
si të ishin kometa
me përdredhje pendësh
ekzistenciale
Këmbanat duhet të jenë të metalta
në një botë të ajërt për të të zgjuar,
por ti prehesh në një strofkë
me egërsinë e boshësisë
Ulur në park sot e dashur,
ndihem i lumtur
e njëkohësisht
tejet i trishtuar…
27.08.2024
Një gusht si grusht-Sueton Zhugri
Një gusht si grusht-Sueton Zhugri Skelet i një dinosauri resh Gjak blu terur në të bardha